Zgjedhjet e ardhshme komunale në Kosovë do të mbahen më 3 Nëntor të këtij viti, ka njoftuar presidenca e Kosovës.
Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të saj, presidentja ka caktuar që me 3 Nëntor 2013, në gjithë Kosovën të mbahen zgjedhjet lokale.
Presidentja Jahjaga, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës, theksohet në njoftimin e presidencës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, mund të shpreh vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij.
Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet komunale e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet komunale do t’u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre, thuhet në fund të deklaratës së presidentes Atifete Jahjaga.
NE ZGJEDHJET E REJA ME LEGJISLACION TE VJETER
Në mungesë të reformave zgjedhore, Kosova pritet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me legjislacionin e vjetër. Përmbyllja e reformave zgjedhore, paraqet një nga kriteret që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës në kuadër të studimit të fizibilitetit për negociatat e Stabilizim Asocimit.
Megjithatë, liderët e partive kryesore nuk kanë arritur ta përmbyllin ende reformën as për nivelin lokal dhe as për atë qendror.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim i ka bërë thirrje presidentes së vendit, Atifete Jahjaga që të caktojë zgjedhjet lokale në fund të shtatorit apo më së largu në fillim të tetorit, për shkak të eliminimit të parregullsive.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka tërhequr vërejtjen se në periudhën e dimrit, kur dita zgjat më pak, mundësitë për parregullsi janë më të mëdha, ngase errësohet më herët.
Kryeziu ka kritikuar edhe qeverinë e Kosovës për ndërhyrje në procesin zgjedhor me vendimin e fundit për formimin e komunës së Hasit. Ai tha se nga 22 marsi, Kosova ka hyrë në kalendarin zgjedhor dhe më nuk mund të ketë komuna të reja.
Ndërkaq në mungesë të reformave, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmerr disa hapa për përmirësimin e infrastrukturës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Kryeziu ka folur edhe në lidhje me sfidat kryesore që e presin Kosovën në pretendimet që për herë të parë të organizojë zgjedhje komunale edhe në veri të vendit. Sipas tij, shumëçka do të jetë më e qartë pasi që Prishtina dhe Beogradi të merren vesh edhe në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Sfidat kryesore sigurisht që do të jenë afatet kohore për zbatimin e marrëveshjes së arritur. Ne ende nuk e kemi një plan të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe ende nuk kemi informacionet e duhura për të ditur se komunat e veriut a do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor apo jo”, ka thënë Kryeziu.
Një çështje tjetër problematike që ka të bëjë me zgjedhjet në komunat veriore, është ajo e partive politike serbe në atë pjesë, të cilat janë të regjistruara në Serbi, por jo edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Kryeziu ka thënë se për të qenë pjesë e procesit, partitë serbe nga veriu duhet të regjistrohen në organet e Kosovës.
“Partitë politike serbe të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë nuk mund të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Ato duhet të regjistrohen në organet kompetente në KQZ dhe ajo që ne kemi kërkuar si Demokraci në Veprim ka të bëjë me atë që KQ-ja duhet të luaj rolin e vet në përgatitjen dhe organizimin e procesit zgjedhor”, është shprehur Kryeziu.
Në përgjithësi, Demokracia në Veprim, që kryesisht merret me vëzhgimin dhe monitorimin e proceseve zgjedhore, ka vlerësuar se reformat janë zvarritur shumë edhe atë me fajin e liderëve të partive kryesore politike.
Shqipe Pantina, nga ky koalicion i OJQ-ve ka kritikuar edhe disa nga rezultatet që
kanë dalë nga bisedimet në kuadër të reformës zgjedhore. Sipas saj, liderët politik kryesisht kanë arritur disa konsensuse që bien ndesh me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila kërkonte më shumë zona zgjedhore, listat e hapura si dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit në të ardhmen, çështje këto që nuk janë përfillur nga partitë politike.
“Liderët tanë fillimisht duhet të respektojnë rezolutën e Kuvendit të Kosovës e cila kishte vendosur disa parime, siç ishin: Kosova të ndahet në më shumë zona zgjedhore e deri te zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, parime këto që kohët e fundit janë lënë anash nga liderët politik”, ka thënë Pantina.
Demokracia në Veprim ka konfirmuar se është duke e zgjeruar rrjetin me organizata partnere lokalepër vëzhgimin dhe monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme komunale.
Ky koalicion ka konsideruar se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vjeshtë dhe se shtyrja eventuale e tyre do të përbënte shkelje të Kushtetutës, pavarësisht nëse një vendim i tillë eventual do të arsyetohej me përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e para në komunat veriore(Kortezi Zijadin Gashi-Europa e Lire)