• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lulzim Basha: Pas 25 vitesh goditet rëndë demokracia

June 29, 2015 by dgreca

Basha- reportereve:Në zgjedhje u perfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë./

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti me 29 qershor bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans, Andrej Hunko, Bas Klein, zv-Kryetar i Sekretariatit të Komisionit të AP, të KiE dhe Delphine Freymann, Sekretare e Komisionit të Monitorimit të AP të KiE.

Basha pasi ka falenderuar raporterët e Këshillit të Europës për monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri nga delegacioni i vëzhguesve, tha se, fatkeqësisht ky proces e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve që nuk realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha u ndal konkretisht në problematikën e zgjedhjeve, duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale, të cilët ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe perdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.

Në zgjedhje u perfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë.

Administrata publike u vu në një presion të hapur nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit, për të mbushur kutitë me vota, fakt i njohur botërisht.

Po keshtu janë raportuar me qindra raste të shantazhimit të punonjësve të administratës të cilët duhet të sillnin një numër të caktuar votash, ti faktonin ato përmes fotografive në kembim të vendit të punës.

Partia Demokratike, tha Basha, bëri publike transferime të paligjshme të mijëra zgjedhësve, kryesisht në Durrës dhe Kavajë, të cilat u çuan në Prokurori dhe pavarësisht vendimit të institucioneve të drejtësisë, KQZ-ja nuk mori asnjë masë për të pastruar listat e zgjedhësve.

Me mijëra raste janë faktuar tashmë nga opozita dhe mediat, tha Basha, të falsifikimit të kartave të identitetit duke mundësuar votimin në 21 qershor të personave që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Për herë të parë në 25 vite demokraci në Shqipëri, tha Basha, është shënuar dhe një rast i paprecedent, anti demokratik e anti europianist, ai i kërcënimit të zgjedhësve nga krerët e qeverisë, se po votuan për opozitën nuk do të kishin bukë dhe ujë.

Në këto zgjedhje, theksoi lideri i opozitës, është shënuar blerje masive e votës me para të korrupsionit dhe krimit të organziuar, fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vuri theksin në këtë takim se pas 25 vitesh në Shqipëri goditet rëndë demokracia, cka kulmoi meshkatërrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Sot Shqiperia është në një udhëkryq të vështirë”, tha Basha, por Partia Demokratike është e vendosur dhe do të qëndrojë me të gjithë forcën e saj për të mos lejuar kthim prapa dhe për të rivendosur standartet demokratike dhe të shtetit ligjor.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, goditet demokracia, zgjedhjet

KURBINI, KALLEZIM PENAL PER ZGJEDHJET

June 29, 2015 by dgreca

NGA AHMET ZANI/

Bashkia Kurbin dhe klasa politike e saj kishte qëndruar në heshtje përgjatë zgjedhjeve vendore si shkak  i tërheqjes së kandidatit të djathtv Altin Biba. Konfliktet ndërmjet Partisë Demokratike dhe isntitucioneve të drejtësisë si dhe KQZ-së, arriten që kjo bashki të kishte heshtje politike parazgjedhore dhe tashmë pas përfundimit të këtij proçesi zgjedhor kandidati i majtë Artur Bardhi rezulton fitues. Por kjo nuk është në interes të kundwshtarit pasi këto zgjedhje rezultojnë të manipuluara dhe si rezultat i mospjesmarrjes të komisionerëve të djathtë

Deputeti i PD-së Mhill Fufi në një dalje në konferencë për shtyp ka theksuar se nuk mund të pranohet një version zgjedhjesh tërësisht të parrgullta. Në tërë ZAZ dhe KZAZ numër 15 përfaqësuesit ishin nga kualicioni i majtë nën pretekstin e vendosjes nga Shoqëria Civile. Për këtë qëllim është depozituar kallzim penal në prokurorinë e Kurbinit. Njëkohësisht jemi drejtuar dhe ambasadws amerikanw në Tiranë si dhe disa përfaqësive të tjera diplomatike si rrjedhojë është tërësisht e papranueshme pranimi i kësaj farse zgjedhjesh, a thua  jemi në kohën e sistemit njëpartiak.

Drejtuesit e PD-sw në Kurbin kanë deklaruar gjithashtu se një hap tjetër për rikthimin e proçesit zgjedhor janë dhe protestat masive të qytetarëve nw Kurbin si akt demokratik dhe qytetar.

Filed Under: Politike Tagged With: Ahmet Zani, kallzim ne prokurori, Kurbini, zgjedhjet

JOZI,Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e Lulzim Bashes

June 28, 2015 by dgreca

*Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote,Voltana Ademit , atëherit po, i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit./
*JOZEFINA, Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij…/
Ne Foto:Voltana Ademi, fituesja e Shkodres/
Opinion nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Jozi, edhe kësaj here, pothuaj nga gjithkush e gjithkund, paradihej se në Shkodër do të fitonte për të shtatën herë PD. Veç dy gjana nuk diheshin kaq fort: fitorja e Voltana Ademit me pesë shifra dhe vetmburrja e jote bio-politike me frymë ezopike e imazh prej hijene, tue nxjerrë brirët e djallit nga kulisat e politikës së kaherit e të ditës. Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote atëherit po i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit.
 Ju si politikane kariere keni pasë fat që keni lind e jeni rritë në Shkodrën e demokracisë, po çfatkeqësi kena ne të tjerët me t’i ndie deri në masmedia orakull e profeci politike tuajat si një veterane e demokracisë. Ndërkohë, mendoj se duhet t’i leni brezin e ri të kontribuojnë jo vetëm me idealizëm në fushata, por edhe në drejtimin vizionar të PD… 
Ju, Jozi (Zhozi) ato mend që kishit në politikë dhe për politikën i dhatë deri në kulmime si nënkryetare e PD e nënkryetare e mbasandejna kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ato që të kanë mbetë mbaji ma fort për veten tande për me i shpreh në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyren e duhur. 
E, përndryshe: mbaje veten burrneshë!
 2.Jozi, sa mirë të kanë urue deri në pasmesnatë të rinj e të reja të Shkodrës të demokracisë e të qytetërimit antik e modern, po qysh nuk gjete një fjalë, nuk pate pak kohë, me i gjend nga afër apo larg në krah fushate Grida Dumes në Durrës. Se mos ishin shumë. Dy kandidate, në këto dy bashki të mëdha: njana në Shkodër e tjetra në Durrës.
 3.Sivjet, në Vendoret 2015, PD në opozitë, mori 14.310 vota ma pak se në Vendoret 2011 kur PD ishte fuqishëm në pushtet dhe asokohe kur Basha u zgjodh kryebashkiak i metropolit shqiptar – Tiranës.
 Në vitin 2015, krahasue me Vendoret 2007, PD mori 44.935 vota ma shumë. Një përllogaritje e shpejt: mbi tre herë ma shumë vota se në Vendoret 2011. Nuk janë pak, tue ditur se kësokohe PD ishte në kulmin e forcave e energjive të veta në shekullin e ri, XXI.
Pra, nuk është nevoja të ballafaqohemi me vitin pluralist 1991, kur kemi shembuj krahasues ma të afërt: më 2007 e më 2011.
 4.Jozi, pa shkue në vitin 1991 ndalu pak në Vendoret 1996 kur PD në pushtet  mori 741.682 vota gjithsej. Një lartësi elektorale. Pikërisht në këtë vit ju u zgjodhët deputete e PD në rrethin e Shkodrës. Menjëherë, më 1997, u zgjodhët dhe nënkryetare e PD e, njëherash, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. 
 Në Zgjedhjet Vendore 2011 PD mori 330.950 vota gjithsejt. Në 15 vite u përgjysmue vota e PD. Një rënie e thellë. E pazakontë. E papërseritshme.
Kjo më përnget me atë historinë e “e plakës në mulli”, e cila “i poqi tre kuleçë në hi”.
 Ju, Jozi, ishit përseri nënkryetare e PD e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndaj kjo rënie ishte e mbetet dhe përgjegjësi e juaja. Sikurse dhe e nënkryetarit tjetër: Topit bajekeq ndaj partisë së tij. Sikurse dhe e  Bodes si sekretar i Përgjithshëm i PD.
 Kjo përgjegjësi elektorale mbetet edhe e kësaj treshes tuaj në krye të PD, sepse i mbajtët këto poste në opozitë e pozitë, në mbi 10-15 vite. Thue se ishit Angela Merkel apo Helmut Kohl?! 
 Si thoni ju, Jozi: a mundej Lulzim Basha ta ringrinte në fitore Partinë Demokratike në harkun kohor të dy viteve të zgjedhjes së tij kryetar i ri i PD?! Ai arriti mjaft: nuk e thelloi humbjen e vitit 2011, pasi sivjet, në Vendoret 2015, PD nuk ra nën 300 mijë votues. 
 Sigurisht, këto Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.
Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij.
 5.
Jozi, të flasësh për fitore të PD e të Djathtës në Shkodër është si të thuash se dallandyshet, lulet…njoftojnë stinën e pranverës. 
 
Kjo për faktin e njohur: ndër të gjitha bashkitë e mëdha në qendra të 12 qarqeve të Shqipërisë (sipas një studimi politolog të Afrim Krasniqit) Shkodra është e vetmja që ka fituar shtatë herë në elektoriadat lokale. 
Ndryshe ka ndodh në qendrat e qarqeve të tjera. PD ka fituar vetëm tre herë në Tiranë (pas një dekade me humbje fitoi dhe Basha 2011-2015), nga tre herë në Elbasan e në Korçë,nga dy herë në Durrës e në Vlorë, etj. 
Vërtet Shkodra është një shembull i veçantë në Shqipëri, model për PD, po nuk është i vetëm. Nuk mbetet i vetmi. PD ka fituar dhe në Kamëz (bashkia e katërt në vend), në Lezhë e në Vorë, në Pogradec e në Kukës, në Përmet e Mat, në Tropojë e Selenicë, etj. 
 
Ju, Jozi, në disa mandate ish nënkryetare e PD, ish nënkryetare e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si e deleguar (ngarkuar) e përhershme e PD në Shkodër e Qarkun e saj, nuk mund të flitni vetëm për fitoren në bashkinë e re të qytetit të Shkodres me dhjetë ish-komuna përrreth, po dhe për fitoren e PD (kryebashkiak e këshill bashkiak) në Vaun e Dejës. Sado pak mund të ndjeni përgjegjësi dhe për humbjen e PD në bashkitë e reja Pukë, Malësi e Madhe e Fushë-Arrëz. 
 
Në përmbyllje, fitorja meritore e madhore e Shkodrës, si për kryebashkiak e për këshill bashkiak, si gjithçka tjetër, i përket vet Shkodrës, vet Demokracisë Shqiptare.
Kjo fitore e mirëpritur e dinjitare nuk ka sepse të pronësohet dhe as të fronëzohet nga askush. Aq ma tepër të hyjnizohet. Aq ma keq me këtë fitore të shtantazhohet politikisht brenda në parti apo në opinionin publik shqiptar.
 
 Natyrisht, kjo nuk duhet të ndodhin as nga ju, Jozi me kontribute e atribute në demokracine shqiptare. E themi këtë, pasi akte e veprime të tilla Jozi të çojnë drejt asaj që t’i ngjasësh një grifshe politike…
 
 
 
Ramiz LUSHAJ
 
 
Tiranë, 28 qershor 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Jozefia Topalli, Ramiz Lushaj, shkodra, zgjedhjet

Edhe Tritani ka fituar

June 27, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja*/

Ndoshta nuk do ta kisha marrë kurrë mundimin të shkruaja një artikull lidhur me rezultatet e arritura nga Partia Demokratike në këto zgjedhje por është e pamundur të jem indiferent kur dëgjoj disa borizanë dhe daullexhinjë të PD-së t’u fryjnë burive e daulleve të fitores a thua njerëzit janë aq budallenjë, të mos kuptojnë se çfarë ka ngjarë. Pas kryetarit të grupit parlamentar, kryetarit  të PD-së, një aradhe me keltistë e bogdanistë, që janë fitimtarë, del dhe një nga veteranët, nga njerëzit me të spikatur të PD-së, me merita të padiskutueshmë në përmbysjen e komunizmit, deputeti Tritan Shehu, të na mbush mendjen që ka fituar. Në një intervistë  dhënë në TV një ditë më parë ai shprehet së është gjysëm i kënaqur ( i kënaqur fillimisht)  për përfundimin në Gjirokastër dhe se atje PD-ja ka fituar me 1800 vota në raport me vitin 2011; se PD-ja po gatitet për betejat e ardhëshme e të tjera, e të tjera.

Një sërë analistësh me sofizma nga më të çuditëshmet rreken të na mbushin mëndjen se Halim Kosova paska fituar, se në krahasim me atë dhe këtë vit…, se ai është fituesi moral i zgjedhjeve madje ambasadori amerikan e lavdëroi fushatën e tij. Pra ai nuk paska humbur, megjithëse në fronin e bashkisë së Tiranës do të ulet Erion Veliaj. Ish kandidati i PD-së për Bashkinë e Vlorës deklaron: Nuk mund të them që jam i gëzuar por jam në paqe me veten për sprovën e parë… Sikur të kishte humbur në një ndeshje futbolli me shokët në Plazhin e Vjetër, por radhën tjetër do përpiqet të fitojë. Ky avaz i PD-së i përsëritur çdo herë që humbet zgjedhjet është i papranueshëm dhe po bëhet i neveritshëm. Gjithmonë nëse PD-ja humbet ne do të shohim përfaqësuesit e saj të deklarojnë se u kanë vjedhur votat, se bandat në pushtet kanë ushtruar terror mbi popullsinë madje del dhe ndonjë Pavël Korçagin e thotë se kjo bandë në pushtet nuk rrëzohet dot me votë, duke nënkuptuar metodat revolucionare. Asnjë nga ata që dalin në TV nuk kthen gishtin nga vetja e të thotë: Ne humbëm dhe do merremi seriozisht me të gjithë faktorët që çuan në humbje.

Po le të kthehemi te dukuria Tritan e të bëjmë një analizë sa lejon një artikull gazete.

Ti Tritan vjen nga rradha e luftëtarëve të vijës së parë, që me guxim e zgjuarsi ndihmuan në përmbysjen e komunizimit në Shqipëri. Për këtë populli do t’u të jetë mirënjohës ty dhe gjithë ‘’pardesyve të bardha’’ që krijuat Partinë Demokratike. Po ç’ndodhi më vonë me ty dhe shokët e tu? Kaluat nga biçikletat me kopertona të mballosur e komerdare vrima-vrima te

makinat luksoze. Nga apartamentet dhomë e guzhinë ku gatuhej në banjë,

shumë shpejt u bëtë jo me një por me disa apartamente, me vila e dashnore

(jo Tritani)  shëtitën botën anembanë dhe u shkëputët nga njerëzit e hallet e tyre. Për ju pushteti dhe paratë kaluan në plan të parë.

Po e them që në fillim: me rrogë deputeti, presidenti apo ministri do shumë vite të blesh një apartament 100m2, e jo disa të tillë në mal e në det,  për dy e katër vjet madje të mobiluar. Të kujtohet kur Frrok Çupi në vitin 1997 shkruante te gazeta ‘’Koha Jonë’’ se zonja jote lahej në vaskë floriri? Unë nuk e kam besuar dhe nuk e besoj edhe sot. Ti me Arben Imamin, Neritan Cekën,  Genc Rulin, Genc Pollon, Dash Shehun, Eduart Selamin etj, u akuzuat rëndë nga lidershipi i PD-së në vitin 1997 si spiunë të sigurimit, si të korruptuar e shkaktarë të humbjes. U zemëruat dhe u larguat nga PD-ja. Shtypi pranë PD-së ju punoi qindin madje Genc Pollos që bëri parti të re, iu fut deri në dhomën e gjumit. Shumë menduan atëherë se ju ishit kundër dorës së hekurt të Njëshit, se po kërkonit më shumë demokraci në PD, se po kërkonit të votohej e garohej realisht, po kërkonit depolitizimin e policisë, ushtrisë e gjyqësorit, që njerëzit duhet të emëroheshin sipas meritave, të ishin të barabartë para ligjit, etj. etj. Po ç’ndodhi me disa nga ju luftëtarët e përmbysjes së madhe dhe shpresëdhënësit e atyre viteve? PD-ja vazhdoi të mpakej e të përjashtonte sisematikisht nga rradhët e saj ata që mendonin ndryshe sa i ‘’SHPORRI’’ pothuaj të gjithë. Në Partinë Demokratike ka mbi  15 vjet që nuk votohet ose votohet formalisht e vetëm emërohen njerëz që i njeh Njëshi apo Dyshi. Dhe më tej? Veç cicërimave e belbëzimave pati nga ju dhe të tillë që hapën depot e ushtrisë, u organizuan në komitete lufte dhe pasi çliruan Jugun iu drejtuan Tiranës për të vendosur demokracinë e vërtetë, për të rrëzuar ‘’malokun” se ndryshe ai nuk zbriste nga kali. Fjalori dhe etiketimet e tyre për kryetarin e PD-së asokohe ja kalojnë dhe fjalorit erotik të Edmond Tupjes. E ç’bëtë më tej? U kthyet përsëri në PD dhe mirë bëtë se ajo është shtëpia jonë e përbashkët. Por tashmë as të belbëzoje ndryshe nuk lejohej aty. U dhuruan kolltukë ministri, e deputeti dhe ju filluat të bënit zërin e parë në korin e qeverisë që dalëngadalë po mbushej me jesmenë e njerwz tw korruptuar. Të gjithë e kuptuan se atë që e pështytë e lëpitë dhe se nënteksti i lidershipit ishte i qartë: Ka kocka edhe për ju. Po u hedh ca juve dhe mos mjaullini me posht e përpjetë. Siguruat sërish makina, para, e qejfe që të jep pushteti por dëmi që i sollët demokracisë dhe aspiratave të viteve 90-të, është i pallogaritshëm. Ju dhatë shëmbullin më të keq se para idealit, para Shqipërisë tonë të dashur janë paratë e favoret e panumërta që të jep pushteti. Madje Selami, shpresa e demokratëve erdhi që nga Amerika e largët, u bë deputet dhe një zot e di se nga i digjet nuri. Nëse ju kështu e kuptoni demokracinë aferim, por nuk keni pse vazhdoni ende të na mbushni mëndjen se kemi fituar, kur në biseda me miqtë e shokët flisni krejt ndryshe. Unë e kam të qartë pse e bëni këtë. Doni që nga lista e artë e xhepit të  lidershipit të ri apo të vjetër të shënohet sërish emri juaj në zgjedhjet e vitit 2017. Po ç’të hyn ne punë një karton deputeti para emrit të mirë? E sa për atë përse ne humbëm është e qartë si drita e diellit: Humbëm se u nisëm të fitonim po me ata njerëz, po me ato figura të korruptuara qw diskredituan PD-nw e që votuesit u dhanë dërmën në vitin 2013. Në Vlorë psh. kandidati i emëruar, u shoqërua jo rrallë, në rreshtin e parë, nga figura që tetë vjet rresht shitën vendet e punës, rryshfetxhinjë, kumarxhinjë, delenxhinjë, me precedentë penalë, madje edhe nga ata që kanë vjedhur arkën e PD-së. Edhe lista e këshilltarëve erdhi nga Tirana dhe kryetari i PD-së kërcënoi se do të jepte dorëheqjen se nuk kishte dijeni. Karta kryesore që duhej të luante PD-ja ishte ajo morale. Jo vetëm kandidatët por edhe gjithë stafet e tyre duhet të ishin me njerëz idealistë, të mençur, të ndershëm e të besueshëm. Dhe PD-ja ka të tillë me mijëra e mijëra. Unë i kuptoj keltistët, bogdanistët e lepurushistet, që kanë ardhur me lugë në brez në PD, si miq e mikesha të X-it apo Y-it,  që përherë fitojnë, paçka se të tjerë branisen rrugëve e kutive të votimit. Por nuk të kuptoj ty dhe shokët e tu që e latë përgjysmë rrugën e nisur. Mardhënia e një politikani matet me kontributin e tij  për mbrothësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ju u nisët për të bërë një Shqipëri si Europa por u mundët nga pushteti e paraja dhe ngritët një shtet të miqve, shokëve e servilave. E patë Shqipërinë si një lopë që duhet mjelë ( sa qumësht paska pasur e varfëra) dhe e molët fillimisht nga dera dhe sot nga penxherja. Ti Tritan dhe ne të gjithë nuk kemi fituar por kemi humbur e do të humbasim gjithmonë po nuk i pamë mardhëniet në raport me Shqipërinë e pastaj me xhepin tonë. Wshtw e pafalshme qw Shqipwria 25 vjet pas vendosjes sw demokracisw tw jetw 90% e kuqe.  Nga viti ‘97 e këndej Partia Demokratike ka pasur deputetë e titullarw të dalë vetëm nga lista e lidershipit. Asnjë nuk është votuar nga forumet. Për derisa nuk do të krijohet klimë besimi e mirëkuptimi, përderisa nuk do të lejohet diskutimi i lirë e nuk do të krijohen kushte të garojë çdo demokrat që dëshiron, nga seksionet e lagjeve e deri në majë,  dështimi i rradhës na pret. Mund të marrësh sërish ti dhe të tjerët një karton deputeti, por shiko çfarë shteti wshtw ndërtuar këta 25 vjet? Një karikaturë e demokracisë.

Këto sigurisht janë mendimet dhe bindjet e mia dhe kanë të bëjnë me raportet tuaja me politikën dhe nuk kanë  të bëjë me atë që ju përfaqësoni në jetën private, jashtë politikës.

26.06.2015

* Falenderojme autorin qe e ndau kete analize per zgjedhjet ne Shqiperi me lexuesit e Diellit

Filed Under: Analiza Tagged With: Edhe Tritani ka fituar, Gezim Zilja, zgjedhjet

Besnik Mustafaj: Si qytetar i këtij vendi ndjehem më mirë se në zgjedhjet e mëparshme

June 23, 2015 by dgreca

Personalizmi i fushatës nga Rama dhe Basha,  ishte shenjë e papjekurisë së lidershipit dhe një dëm që ata i bënë fushatës. Të dy e spostuan dhe e kthyen në një test politik për veten e tyre, duke bërë kështu një gabim për veten e tyre. Për mendimin tim, Edi Rama bëri një fushatë shumë të keqe, sepse e para e quajti kauzë personale dhe e dyta e përdori pushtetin e tij për shantazh./

Intervistë e Zerit te Amerikes me shkrimtarin Besnik Mustafaj/

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj! Cili është mendimi juaj i parë rreth zgjedhjeve vendore dhe rezultateve të tyre?

Besnik Mustafaj: Si demokrat i vjetër është një ndjenjë e hidhur për arësye të përmasave të fitores së të majtës. Por si qytetar i këtij vendi ndjehem më mirë se në zgjedhjet e mëparshme. Fushata në nivelin e qytetit dhe të kandidatëve qe një fushatë serioze dhe e qetë, që shënoi hapa të reja në dialogun politik midis kundërshtarëve, pavarësisht se për drejtuesve të partive nuk qe e tillë.

Zëri i Amerikës: Si e pritët faktin që ndërsa zgjedhjet mbaheshin për pushtet vendor, kryetarët e partive u përfshinë shumë në fushatë?

Besnik Mustafaj: Për mua ishte shenjë e papjekurisë së lidershipit dhe një dëm që ata i bënë fushatës. Të dy e spostuan dhe e kthyen në një test politik për veten e tyre, duke bërë kështu një gabim për veten e tyre. Për mendimin tim, Edi Rama bëri një fushatë shumë të keqe, sepse e para e quajti kauzë personale dhe e dyta e përdori pushtetin e tij për shantazh. Thëniet e tij të përsëritura gjatë fushatës së kush nuk voton për kandidattin e majtë nuk do të ketë ujë e drita është antidemokratike, është e rrezikshme si ligjëratë publike dhe është një diçka që duhet t’i bëjë shqiptarët të mendojnë. Basha gjithashtu e bëri kauzë personale duke folur për një “projekti Basha”. Ç’është ky? Nuk ka projekt Basha ende në nivelin e zgjedhjeve lokale. Edhe Basha bëri një gabim, sepse si do ta faturojë tani këtë humbje të Partisë Demokratike dhe e djathta në tërësi? Të dy e dëmtuan fushatën, por nga ana tjetër pati kandidatë shumë të mirë dhe këtu do të veçoja Halim Kosovën.

Zëri i Amerikës: Ju pyetët si do të faturohet humbja në Partinë Demokratike. Ndërkohë po dëgjohen zëra kritikë ndaj kryetarit Basha.

Besnik Mustafaj: Ka vend për zëra kritikë ndaj kryetarit. Ai duhet të kuptojë tashmë se ristrukturimin e partisë nuk e ka bërë ende, siç do të duhej ta kishte bërë gjatë dy vjetëve. Tani do të ketë gjithë kohën për t’iu kushtuar partisë siç ka thënë. Pra, ringritja e partisë nga humbja e thellë e 2013 nuk është bërë. Zoti Basha duhet të përcaktojë qartë profiin e liderit që dëshiron të jetë: a do të jetë një profil lideri siç e kanë shumica e partive popullore europiane. Partitë e qendrës së djathtë janë zakonisht parti me lider të fortë në qendër, si për shëmbull; partia e Merkelit, e Sarkozisë, e Berluskonit etj. Për të bërë një parti me lider ai duhet të tregojë së pari se është lider dhe të vendosë një dialog të drejtpërdrejt me të gjithë militantët, të shkojë tek ata dhe nuk ka nevojë të bëjë vetëm mitingje dhe televizion. Nuk janë kurrë militantët e partisë njerëz që mjaftohen me fjalime përmes televizionit për të njohur liderin. Ose të zgjedhë nëse do të jetë një parti institucionale e strukturuar në të gjitha nivelet. Atëherë strukturat bëhen vendim-marrëse. Ai i merr vendimet lider partie dhe nuk nuk sillet si parti me lider. Kjo fushatë dhe rezultatet tregojnë se ai në radhë të parë duhet të fitojë besimin e militantëve të partisë, që ai nuk e ka fituar ende. Pra, duhet të fillojë një dinamikë tjetër brenda Partisë Demokratike. Unë shpresoj se ai do të ketë pjekurinë t’i lexojë mirë këto rezultate.

Zëri i Amerikës: A mendoni se shpirti demokratik i qytetarëve u shpreh në këto votime?

Besnik Mustafaj: Pa asnjë diskutim. Partia Demokratike ka humbur në disa njësi vendore të administruara deri dje nga komunarë demokratë. Kjo do të thotë se ajo ka administruar keq. Por , nga ana tjetër Partia Demokratike ka fituar në disa bastione socialiste në jug dhe në veri. Pra, unë besoj se gjatë këtyre zgjedhjeve qytetarët dhanë shenja serioziteti kundrejt të dy partive të mëdha, por veçanërisht ndaj Partisë Socialiste dhe të majtës në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Disa analistë e shohin me shqetësim tani fitoren e madhe të Partisë Socialiste. A ekziston rreziku i abuzimit të tyre me një pushtet kaq të gjerë?

Besnik Mustafaj: Së pari fitorja e tyre është një fitore demokratike, një fitore e dhënë nga sovrani. Rrezikun e abuzimit e parandjej edhe unë. Ky rrezik lidhet me profilin e kryetarit socialist. Edi Rama është një person egocentrist, i cili do një përqëndrim sa më të madh të pushteteve në duart e tij dhe nga fillimi i jetës së tij politike dhe deri tani nuk ka dhënë provat se është një demokrat i vërtetë. Kërkohet një vigjilencë e gjithë shoqërisë, kërkohet vigjilencë e komunitetit ndërkombëtar për t’i treguar disa kufij që ai nuk mund t’i shkelë sepse është i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Zëri i Amerikës: Në këto zgjedhje hmbën shumë kandidatë që janë personalitete në komunitetet qytetare, dhe bashkë me ta duket sikur humbi qytetaria përballë politikës. Si e shihni këtë zhvillim, pra kandidatët partiakë përballë atyre qytetarë?

Besnik Mustafaj: Në dasëm nuk shahet dhëndri, thotë populli. Ata që fituan nuk do të bëj analizë për ta. Atyre iu uroj gjithë fitimtarëve ta kryejnë me nder atë detyrë. Unë do të veçoja Halim Kosovën, Ardian Turkun, Gjergj Meron, doktorin e Gjirokastrës etj. Ishin kandidatë dinjitozë për detyrat që konkurruan. Ata shënuan një cilësi të re në politikën shqiptare. Ata sollën dialogun politik në nivel lokal. U bë gjithçka që ata t’i futnin nëpër replika politike. Halim Kosva është i pari që tha unë punoj me Edi Ramën, po të fitoj. E dyta ai nuk e shau kurrë rivalin e tij, por tha “Vetëm Punë e jo Fjalë”. Fjalimin e Erjon Velisë dua ta vlerëosj me këtë rast. Ai tha se me Halim Kosovën më shumë gjëra na bashkojnë se sa na ndajnë, dhe e vlerëosi rolin e tij në fushatë. Kjo është një sjellje prej fitimtari serioz. E dyta, tha: Nuk kemi ardhur si pushtues në Tiranë. Shpresojmë se ai do të dijë ta mbajë atë fjalë që tha, por parashtrimi publik i asaj që premtoi të kryejë meriton respekt.

Intervistoi:Ilirian AGOLLI

 

Filed Under: Interviste Tagged With: besnik Mustafaj, Interviste, zgjedhjet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT