Tefta Tashko Koço në traditën e këngës lirike shqiptare ishte padyshim një privilegj. Edhe ne, si gjithë kombet e qytetëruara, duhet të kishim, dhe e patëm një zë që magjishëm këndoi dhe hyjshëm mrekulloi. Shpirti ynë i plaguar në një kohë të trazimtë pati atë si një balsam. Lartoi kudo ku ajo e ofroi praninë e saj të purifikuar dhe hijeshinë plot sharm dhe delikatesë. E mrekullueshme dhe me një vokal të jashtëzakonshëm. Me një personalitet të mbrujtur në kulturë të gjerë dhe karakter të fortë, me ambicie dhe zell përkushtimi.
Hyri në vetëdijen shqiptare të atyre viteve të pështjellimta si një shkreptimë drite, në një përpjekje për të dëbuar terrin që mbante në nënshtrim atë ëndje për të bukurën. Tefta Tashko Koço kishte kaq shumë të jepte këngës shqiptare, lirikës, shpirtjes së skenës, dhe në jetën e saj të shkurtër dha shumë, dhe la një thesar. Ajo i dha këtij visari të çmuar, jo vetëm zërin dhe përkushtimin plot pasion, por edhe zemrën, atë ndjenjë të thellë dhe të themeltë që e thërriste në këtë gjëmim atdhetarie, në këtë mëvetësim të vlerave dhe manifestim pasuror.
Tefta Tashko u lind më 2 nëntor 1910 në Misir, në qytetin e vogël Fajun, pranë Kajros, Egjipt. I jati, me origjinë nga Frashëri i Korçës, pati emigruar në Egjipt, në fund të shekullit të kaluar. Shkollën e mesme për muzikë, Tefta Tashko e kreu në Montpelier të Francës. Për arsye ekonomike nuk mundi të vazhdojë menjëherë shkollën e lartë. Punoi disa kohë në një cirk të Parisit për të siguruar jetesën, periudhë e cila u pasua me përfundimin e arsimit të lartë. Rreth viteve 1935-36 kreu një kurs kualifikimi në Romë. Vitet 1935-1939 kanë qenë vite të një pune të madhe artistike të saj. Më 26 nëntor 1935 pas kthimit të saj në atdhe, Tefta jep koncertin e parë të saj në Korçë, ku korri një sukses të madh. Kishte hyrë tashmë në fazën e promovimit të vlerave interpretuese. Virtuoziteti i saj shoqërohet me duartrokitje dhe ovacione në dhjetëra koncerte që ajo zhvilloi në të gjithë Shqipërinë. Harta e “pushtimit” me zërin e saj magjik dhe hiret vendos piketat në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, etj. Turet e saja artistike padyshim që ishin një sipërmarrje e vështirë, për vetë gjendjen në të cilën ishte Shqipëria e atyre viteve, ku mungesa e infrastrukturës, ambienteve, sallave dhe kushteve e shndërroi këtë ballafaqim vlerash në një sfidë. Asaj do t’i mungonte pothuajse gjithçka për të shpërfaqur talentin dhe artin e saj, por do t’i mjaftonte shpirti, zelli dhe pasioni, që Tefta Tashko të dëshmonte se ishte jo vetën një interpretuese e kalibrit, por edhe një kontributore e vlerave. Përmes artit të saj ajo mëkoi më dritë shpirtin e trazuar dhe zymtësinë e jetës së vështirë ku kridhej Shqipëria e atyre kohëve.
Në një letër drejtuar Baki Kongolit, Tefta shkruan: “Koncerti u prit mirë me entuziazëm nga dëgjonjësit, këngët elbasanase u pëlqyen shumë. Sukses i plotë. Kaq për anën morale. Sa për anën materiale na u desh të paguanim 37 franga ari nga xhepi për shpenzime të pianos dhe lokalit.”
Ajo këndoi e regjistroi dhjetëra disqe nga visari i muzikës popullore, këngë të cilave ajo i mishëroi me përkushtimin dhe pasionin e saj. Tefta Tashko Koço shquhej për vokalin e saj të jashtëzakonshëm, virtuozitetin interpretues dhe ngrohtësinë e impaktit. Këto veçori ajo nuk i derdhi vetëm në traditën e këngës së zonës nga ajo ishte, poe e pasuroi atë me emblemat e këtij thesari të shpirtit krijues. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.
Të njohura mbeten këngët që ajo interpretoi me ndjeshmëri dhe përfshirje emocionale: “Kroi i fshatit tonë”, “Dola në penxhere”, “Kur më vjen burri nga stani”, “Oh, ku po shkon moj goce e vogël”, “Ishin dy kunata, moj zonje”, “Zare trëndafile”, etj. Në këto koncerte Tefta në fillim u shoqërua nga pjanisti Tonin Guraziu e më pas nga Lola Aleksi (Gjoka). Në vitin 1937 ajo njihet me baritonin Kristo Koço dhe ky i kthyer në atdhe, me një zë të bukur. Ata martohen në vitin 1940. Më 1941 nisen në Milano ku inçizon këngët popullore. Ndërkohë që ishte në Itali ju shfaqën shenja të sëmundjes së saj të rëndë. Me kthimin e tyre në atdhe, në kohën e luftës, u lind djal Eno. Në vitet e para të çlirimit jep një sërë koncertesh në radio e në qytete të ndryshme të vendit. Kontributi i Tefta Tashko Koço spikat edhe si mbrujtëse e brezit të ri të talenteve në Liceun Artistik si pedagoge. Nderoi vendin në skenat e huaja duke interpretuar me sukses role nga operat “Traviata”, “Boheme”, “Berberi i Seviljes”, “Peshkatarët e perlave”, etj. Në moshën 37 vjeçare shtrohet në spital. Edhe pse ishte trajtuar në ish-Bashkimin Sovjetik, ajo nuk mundi të ngrihej më. Edhe pse e dergjur në shtrat, duke u zvargur në agoninë e sëmundjes, ajo pret plot miq e njerëz të artit. Mbylli sytë në mesnatën e 22 dhjetor 1947 duke lënë amanet djalin e saj 3-vjeçar. Ishte shumë shpejt për t’u larguar nga jeta një ikonë e muzikës lirike, një emblemë e gruas që bëri revolucion përmes artit dhe rolit si mëkuese e dijes. Ishte një ikje e pamëshirshme që rrëmbeu nga tradita jonë një veprimtare të çmuar të vlerave dhe veprës virtuoze. Por pas ka mbetur emri dhe repertoi, zëri dhe imazhi, kujtesa dhe mirësia, gjithçka që ajo e mëkoi kaq bujarisht. Motos ‘’Vdes dhe nuk dorëzohem’’ ajo i qëndroi besnike deri në fund të jetës dhe nuk u dorëzua për emancipimin e Shqipërisë.
Vlen të përfshihet në këtë njohje të vlerave dhe të kontributit të saj këngët popullore që Tefta Tashko regjistroi pranë “Columbias”-Itali më 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.
Tefta Tashko Koço mbetet një pioniere e artit vokal, një yll në muzikën operistike, për zërin e saj të ngrohtë e për të magjishëm.
Tefta Tashko Koço la një familje të madhe. Një emër i madh nga një femër e madhe dhe shpirt i pasur artistikisht që quhet me plot gojën Divë.
Pas vdekjes ju akordua titulli i lartë “Artiste e Popullit” si dhe për nder të saj jepen çmime e organizohen konkurse. Më 2 mars 2004 Këshilli i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit. Për të është bërë dhe një monografi nga Pandi Bello.
Tefta Tashko Koço erdhi dhe iku, për të mbetur një yll shndritës i traditës së muzikës sonë lirike. Koha së cilës ajo jetoi dhe u përkushtua, ishte periudha më e vështirë nëpër të cilën kalonte Shqipëria; zëri, arti dhe virtuoziteti i saj ishin si një balsam për shpirtin e plaguar. Ajo dha maksimumin në ato pak vite që jetoi, la një repertor të pasur dhe një testament të vlertë. Mirënjohja dhe vlerësimi janë obligim për gjeneratat dhe frymëzim për brezat e artistëve dhe këngëtarëve.
Albert Vataj
See Insights and Ads
All reactions:
77