Shkruan MEHMET PRISHTINA/
Ditë më parë në Plloshtan kremtuam 100 vjetorin e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe, e cila u mundësua falë angazhimit të kolosit tonë kombëtar Hasan Prishtina.
Vëllezër e motra, sot edhe Kalisi ka festë, sepse edhe këtu bashkë me pesë shkollat shqipe qe janë hapur me iniciativen e Hasan Prishtines ne zonën e Kalas se Dodës dhe Kukësit, para 100 viteve , ishin çerdhe diturie që terrin shekullor e shndërronin në rreze drite për kombin tonë. Hapja e shkollave shqipe në krahinën e Lumës dhe Hasit ndjek traditën e mëhershme që ishte pjesë e programit iluminist të Rilindje sonë kombëtare, kurse me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 u krijuan kushtet për ngritjen e sistemit arsimor shtetëror edhe në Shqipëri dhe së shpejti u formua edhe Ministria e Arsimit në krye me Luigj Gurakuqin; gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare; u ngrit rrjeti shkollor në tërë vendin; u shtypën tekste shkollore.
Të edukuar në frymën e luftërave kombëtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, patriotët shqiptarë, krahas organizimit të kryengritjeve për çlirim dhe pavarësi kombëtare, u angazhuan edhe për çeljen e shkollave në gjuhën shqipe. Për rrjedhojë, në verë të vitit 1916, Hasan Prishtina dhe Azem Bejta, u takuan në Vushtrri dhe për tri ditë rresht, biseduan dhe trajtuan shumë probleme madhore kombëtare, por ata u përqëndruan kryesisht në organizimin e dy segmenteve të lëvizje kombëtare: Në hapjen e shkollave shqipe, dhe në përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur me karakter gjithëkombëtar.
Shkolla e sotme 9 vjeçare në Kalis e ka një parahistori të lavdishme, sepse themelet e saj u ngritën mbi këto përpjekje titantike të lëvizje sonë kombëtare, dhe kryesisht të Hasan Prihtinë, i cili hapjen e shkollave shqipe e kishte pjesë integrale të Platformës së tij prej 14 pikave (pika 5, 6, 7 dhe , ku angazhohej për ndarjen arsimit laik nga ai fetar.
Jam i lumtur që gëzimin e kësaj feste sot po e ndaj bashkë me juve, vëllezër e motra, ashtu i para 100 viteve Hasan Prishtina solli në këto male flamurin e përparimit kombëtar, sepse ai konsideronte se një komb ka ardhmëri vetëm nëse arsimohet në gjuhën e tij amtare. Hasan Prihtina ishte shkolluar në gjuhë të huaja, prandaj ai e ndiente në shpirt nevojën për arsimim në gjuhën amtare shqipe. Ky angazhim i tij ishte i përhershëm dhe këmbëngulës, qysh kur ishte deputet i Parlamentit Osman, por edhe gjatë kohë sa ishte deputet i Parlamentit Shqiptar në fillim të viteve 20-të…
Krahina e Lumës dhe Hasit ruajn kujtime të paharruara për Hasan Prishtinën, i cili gjatë viteve të bujshme të kryengritjeve ishte mirëpritur në konaqet e “Elezëve të Kukësit”, “Halilagëve të Bicajve”, “Spahijëve të Kolosjanit”, Halim Laçit, Sul Elezit, Islam Spahiut, Ramadan Cejkut, Shaqir Palishit,Elez Totës e të tjerë.
Historiku i vërtetë i arsimit shqip në krahinën e Kalasë së Dodës fillon në vitin 1922 kur në Kalis dhe Plloshtan hapen shkollat e mirëfillta shqipe, një vit pasi që Hasan Prishtina ishte zgjedhur deputet i Dibrës (1921).
Hasan Prishtina qysh në kohën e administratës së të xhon turqve angazhohej për ndarjen e arsimit profesional, laik dhe fetar. Në tërë këto përpjekje të tij, ai vendosi të ndante 5% të të ardhurave vjetore, të cilat do t`i shpenzonte në dobi të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në Shqipëri. Jemi në kohën kur përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe gjatë viteve 1908-1912, sa ishte deputet në parlamentin osman, përbënin shtyllën kryesore të platformës së tij kombëtare, ku vend kryeor zinte mësimi laik me libra në gjuhën shqipe dhe alfabetit latin, si dëshmi konkrete e civilizimit perendimor të shqiptarëve.
Në frymën e këtyre angazhimeve u mbajt edhe Kongresin i Elbasanit, më 2-8 shtator 1909, në të cilin u vendos për hapjen e një shkolle normale të mesme kombëtare më 1 dhjetor të vitit 1909, e njohur si Normalja e Elbasanit. Hapja e kësaj shkolle ishte nxitje për Hasan Prishtinën që të përgatiste djem nga Vilajeti i Kosovës për t`i dërguar për shkollim në Elbasan dhe kjo ishte arsyeja pse ai e quajti Elbasanin si “Qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare”.
Këto ngjarje u regjistruan edhe nga shtypi shqiptar i kohës, siç ishte gazeta “Dielli” e Bostonit (26 nëntor 1909), e cila ndër të tjerash shkruante se: “…lëvizja kombëtare ka nisë m`u ngjallë shumë në Kosov… ndër këto ditë, me të përpjekurat e Hasan Beut, deputetit Prishtinës, u hap një mësonjtore shqipe në një fshat afër Vuçitërnës… Prej këti atdhetari të nderçëm priten shumë punë të dobishme për kombin, se asht tuj na dhanë provë për dit e ma tepër qi asht një atdhetar i flaktë e i vërtetë, e qi përpiqet me mish e me shpirt për shndritjen e kombit të vet”.
Arsimin dhe diturinë e kombit , Hasan Prishtina i konsideronte pjesë të pandarë të luftës për liri kombëtare, prandaj ai ngado që lëvizte angazhohej për një arsim të mirëfillt në gjuhën amtare. Në një fjalim që mbajti në Klubin Dituria të Selanikut, ai vuri në dukje se “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për atdheun e për mbrothësinë e vendit tonë”.
Uroj që brezi i sotëm dhe ata që do të vijnë pas nesh, ta gëzojnë përparimin kombëtar si një garancë e vetme për të garuar me kombet tjera të zhvilluara. Para 100 viteve Hasan Prishtina betejat e tij për arim kombëtar i kishte pjesë të kauzës kombëtare, kurse neve sot na mbetet ta mbindërtojmë këtë kauzë me një përkushtim më të madh për reforma të reja arsimore dhe për një standard të dinjitetshëm të mësimdhënësve.
Urime 100 vjetori i shkollës suaj dhe dhashtë Zoti që festat e këtilla të na bëjnë më të bashkuar dhe më të pëgatitur për sfidat që sjell koha.
Kalis, 29 shtator 2022