Nga Ramazan Çeka
Festë madhështore në spektaklin “Diaspora në vendlindje”.
Shqiptarët e Ulqinit që prej vitesh kanë marrë rrugën e mërgimit e që prej vitesh kanë ndërtuar jeten e tyre anë e mbanë Botës, por kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë krijuar edhe komunitetin e tyre që tashmë i kalojnë dy breza.
Ky komunitet ndihet krenar që i ka rezistuar një bote të re, një jete të re, duke ruajtur të gjitha vlerat e origjinës: gjuhen, traditen, zakonet.
Kjo festë e kthyer në traditë, bën që ata të ndajnë me njëri-tjetrin gjithçka të bukur të përjetuar gjatë gjithë vitit në jetën e tyre larg vëndlindjes. Kjo festë e promovuar pesë vite më parë, synon t’i mbajë të bashkuar edhe më shumë shqiptarët e Ulqinit e jo vetëm, kudo janë.
Ana e Malit është një nocion gjegrafik me shumë vlera e histori, që fillon që në burimin e Lumit Buna, e përfundon në perlen e Adriatikut, Ulqinin e bukur e të lashtë.
Ky qytet i bukur dhe i lashtë padrejtësisht u shkëput nga trualli i të parëve, por banorët e tij dhe gjithë anamalësit asnjëherë nuk u shkombtarizuan, asnjëherë nuk harruan gjuhen e të parëve, këngën e të parëve, traditën e të parëve.
Ky është lajtmotivi i gjithë atyre që për arsye historiko-ekonomike, rreth 100 vjet më parë kanë zënë vend dhe jetojnë në vendet e ndryshme të Evropës, por kryesisht në tokën amerikane.
Ky është lajtmotivi që ulqinakun, veprimtarin atdhetar, Naser Nika e frymëzon që prej 5 vitesh për të organizuar këtë festë madhështore, ku pjesëmarrës janë të gjithë mërgimtarët e kësaj krahine.
Në këtë festë morën pjesë edhe drejtues të Komunës së Ulqinit, por dhe përfaqësues të qeverisë të Malit të Zi, të cilët përgëzuan organizatorin e mirënjohur Naser Nika për iniciativën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që jep për komunitetin shqiptar të Anës së Malit në Nju Jork dhe që me atdhedashurinë dhe respaktin që ka për vendlindjen, vlerat e këtij komuniteti i sjellë në trojet e të parëve.
Në fjalën e rastit vetë Naser Nika tha se në një të ardhme të afërt, në një nga rrugët e State Island do të ngrihet një Përmendore kushtuar Heroit Tonë Kombëtar Ismail Qemali, çka lë të kuptohet se patriotizmi dhe vëmëndja e këtij organizatori ndaj historisë sonë kombëtare është i jashtëzakonshëm.
Gjithastu z.Naser Nika mes emocionesh dhe gëzimit falenderoi pjesëmarrësit dhe përkrahësit e kësaj nisme, shumica të pranishëm në këtë mbrëmje, qëllimi i së cilës do të forcojë lidhjet mes diasporës dhe vendlindjes, ku vëmendjen kryesore do ta ketë brezi i ri.
Ky eveniment madhështor duhet të kthehet në traditë në mënyrë që bijtë tanë të lidhen edhe më shumë me njëri-tjetrin dhe fëmijët tanë të mos e humbin gjuhën dhe identitetin e tyre kudo ku ata jetojnë e punojnë nëpër botë, por ta trashëgojnë edhe ata si një amanet që duhet mbajtur gjallë.
Siç e thamë më lart ky manifestim kishte edhe mbështetjen e institucioneve vendore dhe qëndrore, ku duhet të vlerësohet Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi z. Fatmir Gjeka, Komuna e Ulqinit me kryetarin Omer Bajraktari, Organizata Turistike e Ulqinit me drejtorin e saj Gëzim Hajdinaga, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi me kryetarin Faik Nika, Shoqata “Ulqini” në Nju Jork, si dhe Teatri “Teuta” në Ulqin me në krye Munib Abazin.
Unë e ndjej për detyrë që të përgëzoj në këtë shkrim kolegët e mi të medias, për pasqyrimin e kësaj feste madhështore, Televizionin “Teuta” në Ulqin, Televizioni RTSH Shkodra me gazetarin dhe moderatorin e mirënjohur Marjo Gjini, si dhe operatorin Medin Guri, të cilat përcollën emocionet e këtij spektakli, duke sjellë nëpërmjet këngëvë dhe humorit, jo vetëm freskinë e detit, por edhe performancen e artistëve që i dhanë vlera këtij organizimi kaq të bukur.
U ndala tek organizimi i këtij aktiviteti që dalngadalë po krijon traditë, tek organizatorët dhe sponsorët e tij, por natyrisht asnjë sukses nuk do të ishte arritur pa artistë të mrekullueshëm vendas, shkodranë e deri në Diasporë, që natyrisht janë të kësaj origjine dhe botës të kësaj kënge kaq të bukur shqiptare.
Të mrekullueshëm u ngjiten në skenë dhe po kaq të mrekullueshëm performuan në këtë natë magjike në Ulqinin e lashtë këngëtarët: Gëzim Nika, Hajro Ceka, Gjylie Pelinku, Nexhat Kaleziq, Eliza Markiq, Icko Hasanga, Elisabeta Marku, Lulka Merkulaj, Elvira Fierza, Ramazan Islami, Samir Veliqi, Shtjefen Ujkaj, shoqëruar nga instrumentistët e talentuar Nazmi Islami, Ardit Seferi dhe Ardit Nika, si dhe Grupi “Akustik Bend” me Jonuz Muharremin. Këtij “Bendi” iu bashkëngjit një nga fizarmonicistët e parë në Ulqin, Dino Milla.
Me këngët e tyre të bukura ata sollën me shumë dashuri dhe emocion në zemrat e publikut mallin për vendlindjen. Të gjitha këngët u interpretuan live, një performancë që i dha akoma më shumë vlera këtij spektakli.
Restorant “Lamiga”, i cili kishte hapur krahët e mikpritjes dhe që kishte shtruar sofrën bujare të kësaj mbrëmje, kërkonte dhe një buzëqeshje, kërkonte një humor, të cilin me performancen e tyre ia sollën humoristët e mrekullueshëm të grupit “Gaz e maraz” Gac Kodrina dhe Qazim Çela.
Çdo aktivitet i këtij niveli ka gjithmonë përkujdesjen e dashamirësve që kontibuojnë larg interesave financiare, por që i lidhin me krenarinë kombëtare. Kështu meritojnë respekt sponsorët e këtij aktiviteti; Firma “Repex”, me president Jakup Gjeloshin, Restorant “Lamiga”, Akademinë Multi Funksionale “Afrodra” me presidente Aferdita Ferracaku, Grupi Muzikor “Ceka”, si dhe Jehona e Shkodrës me producent Xhelal Halili.
Këtë ngjarje që i kalon përmasat e një shfaqeje, unë e përjetova me shumë emocion, mbajta shënime dhe i hodha në këtë shkrim, ku pasqyrova jo vetëm punën e palodhur të organizatorëve, sponsorëve, por edhe të pjesëmarrësve, aristëve e spektatorëve.
Në gjithë këtë gamë kaq të bukur e shumë ngjyrëshe të “Diaspora në vendlindje” si një penelatë erdhi në këtë tabllo artistike moderatorja e talentuar Dafina Teliqi, e cila me shumë emocion tha se të moderosh aktivitete është gjithmonë kënaqsi.
Kjo mbrëmje që sfidoi këtë gusht të nxehtë do të mbetet në kujtesen e organizatorëve e artistëve, por veçanërisht e spektatorëve, pasi ata nuk ishin vetëm banorët e Ulqinit, por edhe bijtë e bijat, nipërit e mbesat e tyre, të cilët kishin ardhur të festojnë së bashku në këtë qytet të mrekullueshëm.
Kjo festë tregoj edhe njëherë se Shoqata “Ana e Malit” dhe Shoqata “Kraja” po mbajnë gjallë jeten e këtij komuniteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikur të ishin në trojet e veta, për çka jo vetëm si gazetar, por edhe me origjinë nga kjo krahinë, gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj për punën e lavdërueshme e të jashtëzakonshme që ata bëjnë për vendin e tyre.
Festa vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, ku performancat e këngëtarëve të mrekullueshëm Gëzim Nika, Hajro Ceka, Elisabeta Marku dhe Elvira Fierza nuk u mjaftauan me skenën e përgatitur, por u shkrinë me publikun, duke interpretuar në një skenë të madhe.
Kjo skenë e madhe i bëri bashkë artistët dhe spektatorët, të cilë kënduan e vallzuan së bashku, duke i dhënë kësaj feste një atmosferë të jashtëzakonshme.
Gusht 2022