Sokol Paja/
New York, 12 Dhjetor 2023 -Në Selinë Qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra u ekspozuan veshje kombëtare të krahinave të Zymit të Hasit, Tropojës, Dukagjinit e Zadrimës nën kujdesin e koleksionistes Lajde Kolgjeraj e cila koleksionon 843 veshje kombëtare. Si pjesë e aktivitetit kulturor në bashkëpunim u ekspozuan edhe piktura me motive tradicionale kombëtare të piktores Valdete Berisha. Në emër të Vatrës përshëndeti shkrimtari Mëhill Velaj i cili theksoi rëndësinë e veshjeve kombëtare në trashëgiminë tonë kulturore. “Për Vatrën dhe gjithë diasporen shqiptare në SHBA jam këtu për të shprehur respektin dhe admirimin tim të thellë për ju. Ju jeni fryma dhe forca e komunitetit tonë larg atdheut. Përkushtimi juaj për promovimin e kulturës, identitetit dhe solidaritetit shqiptar është frymëzues për ne. Në këtë vend të largët, ju jeni mbrojtësit e trashëgimisë sonë duke e përhapur dhe e ndërthurur atë me kulturën dhe shoqërinë e re në të cilën jetoni. Me përpjekjet tuaja, po formohen ura të forta të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës midis komuniteteve, duke ndihmuar në ndërtimin e një jete të përbashkët dhe të pasur në përvojat dhe vlerat shqiptare. Ju e vazhdoni këtë udhëtim të lavdishëm të shpërndarjes së dijes, kulturës dhe dashurisë për atdhenë në çdo hapsirë dhe në çdo moment. Jeni mrekulli dhe jemi krenarë që kemi një diaspore të tillë guximtarësh dhe të përkushtuar për çështjen kombëtare” tha ndër të tjera në fjalën e saj koleksionistja Lajde Kolgjeraj.