Lozanë, më 28 nëntor 1917
Fan Nolit
imi dhe i dashur mik,
Besoj se është detyra ime t’ju parashtroj konsideratat që vijojnë, duke ju lutur që t’i kushtoni një vëmendje dashamirëse.
Shpresa jonë më e madhe për të arritur në realizimin e aspiratave tona të ligjshme qëndron në mbështetjen që populli i madh amerikan, i hyrë në luftë pa ndjekur qëllimet egoiste, do të mund t’i sillte çështjes sonë të drejtë e të shenjtë.
Fuqitë evropiane kanë interpretët e tyre në Ballkan që mund t’i çonin ato drejt vendimeve që bien në kundërshtim me pikëpamjet tona, ato kanë dhe traktate të hershme midis tyre dhe shteteve ballkanike, disa me serbët dhe grekët venizelistë, dhe të tjerët me bullgarët dhe grekët e Mbretit Konstantin.
Është për të shpresuar që qeveritë evropiane, të shtyra nga përrenjtë e gjakut të derdhur gjatë luftës së tanishme monstruoze, e cila në një pjesë të madhe i detyrohet disa vendimeve të padrejta e me interesa të caktuara të marra në konferencat e mëparshme (Berlin, Londër, Bukuresht), në kongresin e ardhshëm të mos vlerësojë më si bazën më të lartë të rezolutave të tyre interesin; dhe për të arritur që të vendosin një paqe të qëndrueshme, ato do t’i japin çdo shteti ballkanik atë që i takon dhe që ato të mos favorizojnë një shtet ballkanik në dëm të tjetrit.
Megjithatë, në qoftë se do të mund të kemi mbështetjen dhe mbrojtjen e popullit të madh amerikan, në qoftë se ne do t’ia dalim ta bindim për të gjitha vendet e banuara nga një shumicë shqiptare që përbëjnë trashëgiminë tonë të ligjshme; në qoftë se ne do t’ia bëjmë të qartë se të gjitha argumentet e fqinjëve tanë, që dëshirojnë të na i mohojnë nga lakmia, nuk janë të justifikuara dhe se statistikat që ata botojnë janë false; në qoftë se arrijmë të bindim se vetëm sepse jemi të dobët dhe pa mbrojtës, që të drejtat tona më të ligjshme janë shkelur me këmbë nga më të fortët, nuk ka asnjë dyshim që ky popull trim, i mbrujtur me kristianizëm dhe drejtësi, do të prekej dhe do të merrte me zemër detyrën për të na mbrojtur dhe të shtynte qeverinë e saj për një qëndrim në favor të rivendikimeve tona të drejta kombëtare.
Në qoftë se kjo mbështetje amerikane do të mund të na sigurohej, padrejtësitë që do të na diktoheshin kundër nesh, qoftë nga lakmia e fqinjëve tanë, qoftë nga interesat e të tjerëve, do të ishin evituar.
Por, për t’i siguruar Shqipërisë së shkretë një mbështetje kaq të fortë, kaq efikase dhe kaq të dobishme për të drejtat tona siç mund të ishte mbështetja amerikane, do të duhej një punë shumë serioze, shumë e studjuar dhe e aplikuar me zgjuarësi. A është bërë një e tillë?
Do të isha i verbër, i padrejtë dhe mosmirënjohës, në qoftë se do të mohoja përpjekjet e mëdha të bëra për çështjen kombëtare nga shqiptarët e Amerikës.
Mjafton të përmendim mitingun pro Albania të Bostonit më 1915, aktiviteti i palodhur dhe pjellor i Rev. Fan Nolit, botimet në anglisht të patriotëve tanë Dako e Çekrezi, puna e bërë nga të gjitha degët e “Vatrës” dhe shoqëri të tjera shqiptare dhe shtypi shqiptar i Amerikës, për të mbajtur dhe intensifikuar flakën patriotike të shqiptarëve të Amerikës dhe shumën e fundit të parave të shqiptarëve të Amerikës, për të qenë i justifikuar për të bërtitur me të gjithë forcën e mushkërive dhe me gjithë vrullin që vjen nga thellësitë e zemrës: “Rrofshin shqiptarët e Amerikës, pa të cilët ne nuk do të kishim bërë përshtypjen më të trishtueshme në luftrat politike me popujt ballkanikë.
Por si mund të mos shpreh hidhërimin tim të madh kur shikoj që një albanofil kaq i çmuar si zoti Crane të ketë arritur në përfundimin se është më mirë për shqiptarët që t’i nënshtrohen një protektorati të huaj?
Si mund të mos jem kaq i mërzitur kur shoh se amerikanët e tjerë albanofilë kanë nevojë të luten nga z. Konica dhe unë për të manifestuar simpatitë e tyre për vendin tonë fatkeq? Si mund të mos jem shumë i hidhëruar kur shoh z. Dako t’i shkruajë z. Cale që pa Rev. Fan Nolin shuma do të kishte arritur në 10 000 dollarë, dhe z. Kol Tromara t’i shkruajë po të njëjtit që pa z. Dako shuma do të kishte arritur në më shumë se 10 000 dollarë?
Opinioni jo i këndshëm që ka për ne albanofili i madh z. Crane dhe indiferenca e albanofilëve të tjerë amerikanë që kanë nevojë për lutjet e z. Konica dhe timen për të na ndihmuar, ashtu si dhe shuma e vogël e përftuar nga kuotizacioni, a mos ndoshta duhet t’i atribuohen ndarjeve, zënkave dhe grindjeve që ekzistojnë midis patriotëve që banojnë në Amerikë?
Nuk kam absolutisht asnjë të drejtë të ndërhyj dhe të prononcohem mbi këto zënka, por nuk hezitoj aspak t’u them të gjithëve që ka ende kohë t’i kthehemi e të riparojmë të keqen e bërë atdheut nga ndarjet e brendshme.
Në qoftë se në fund të këtyre ngjarjeve Shqipëria do të copëtohet dhe do të jetë e paaftë të jetojë, ose me një pavarësi jo të plotë, do të merrja me vete në varr, ndoshta së afërmi, një dhimbje të madhe, por pasojat e urryera të cilat shfaqen për ju, që jeni ende të rinj, do të jenë me të vërtetë mizore.
Midis ballkanikëve të tjerë, ju do të jeni të fundit, të nënçmuar nga ata dhe skllevërit e vetëm midis gjithë të tjerëve. Grekët, serbët dhe bullgarët do të tallen me ju dhe do t’ju përdorin si pleh për të përmirësuar fushat e tyre politike kombëtare.
Do të ishte një turp i pashlyer për ne dhe brezin tonë që pretendojmë megjithatë të jemi më i vjetri nga popujt ballkanikë dhe më i guximshmi nga të gjithë.
Heroi ynë i pavdekshëm, Skënderbeu, nuk ishte i madh vetëm nga fitoret e shkëlqyera ushtarake mbi turqit por edhe nga fitoret që ai dinte të korrte kundër prirjeve të këqija që kishte në vetvete. Ai dinte t’ua linte përfitimet të tjerëve, ai dinte t’i mblidhte njerëzit rreth vetes së tij dhe, mbi të gjitha, dinte të falte. Ai diti të falë nipin e tij ndonëse ky e preu në besë. Ai nuk i hodhi litarin në fyt Golemit por diti ta falë, duke e futur në rrugë të mbarë, çka është një ligj për të cilin shqiptarëve iu është ndaluar që ta përmendim sado pak!
Oh, që jemi kaq të vegjël mikroskopikë dhe të padenjë përpara të parëve tanë të lavdishëm, virtytet e të cilëve i ngremë në qiell dhe pasardhësit e të cilëve duam të jemi!
Ju lutem në gjunjë dhe ju betohem në emër të atdheut tonë fatkeq, i copëtuar dhe i gjakosur, faleni njëri-tjetrin.
Mblidhuni pra në një trup të vetëm. Thirreni të vijë tek ju z. Dako, Grameno, Çekrezi dhe çdo patriot tjetër që ka mendime të ndryshme. Ju nuk do të jeni veçse më të fuqishëm. Thirrini ata, merruni vesh dhe të jeni në një mendje për çdo gjë gjatë kësaj periudhe tepër kritike dhe serioze që po kalojmë, duke u betuar të gjithë mbi portretin e Skënderbeut.
Jam i bindur se, duke u bërë kjo, albanofilët e Amerikës, që i dinë ngjarjet tuaja, do të rigjejnë dëshirën dhe zellin për të na ndihmuar.
Ju dini të bëni në Amerikë propagandë dobiprurëse për Shqipërinë dhe dini gjithashtu të merreni vesh me komitetin e përfaqësuesve tuaj në Europë, në mënyrë që të jetë i aftë dhe me të vërtetë i vlefshëm që t’i përgjigjet me shërbime reale në përputhje me sakrificën e bërë.
Ju do t’i bëni shërbime të mëdha atdheut.
AQSH, F. Koleksioni i Shoqërive Shqiptare në Zvicër, V. 1919, D. 6/1, fl. 93-103.