
Kastriot Fetahu/
Nuk e di pse sa herë dëgjoj apo shkruaj fjalën “Vatra” më sillet në mendimin tim një principatë, si principatat e Arbërisë, një principatë shpirtërore që qëndron si urë lidhëse e këtij vendi të bekuar që jetojmë dhe trojeve shqiptare në disa shtete, si principatë e Kastriotëve, sepse ajo bashkon të gjithë zërin shqiptar me qytetërimin perëndimor edhe pse një oqean larg.
Emblema e saj është shqiptaria. Në historinë e shqiptarëve, “Vatra” — Federata Panshqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeluar më 1912 në Boston— përfaqëson më shumë sesa një organizatë atdhetare: ajo është një vetëdije kolektive në mërgatë, një urë shpirtërore, politike dhe kulturore midis shqiptarëve të trojeve amtare dhe ShBA-së.
Vatra rezultoi si institucion i memorizimit kombëtar dhe veprimit historik, duke luajtur një rol filozofik në trinomin Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë përmes idealit të lirisë dhe të bashkimit.
Në kohën kur kombi shqiptar përjetonte krizën e shpërbërjes osmane dhe rrezikun e copëtimit nga fuqitë ballkanike, Vatra u shfaq si një varkë shpëtimi. A nuk e shpëtoi botën tonë varka e Noes? Nga këndvështrimi filozofik, ajo nuk ishte vetëm një strukturë e organizuar, por një akt i ndërgjegjësimit të njeriut shqiptar për të kapërcyer ndarjen mes atdheut dhe mërgimit. Ajo mishëroi një koncept të zgjeruar të atdheut: atdheu është çdo hapësirë ku ndjenja e lirisë dhe identitetit jeton. Në këtë kuptim, Vatra funksionoi si një urë midis atdheut fizik dhe atdheut shpirtëror.
Kur themi Atdhe nënkuptojmë Shqipëri e Kosovë me të njëjtën mbështetje. Këtë e treguan dekadat e vonshme të shekullit XX, kur shqiptarët e Kosovës përballeshin me represionin serb dhe kërkonin mbështetje ndërkombëtare, Vatra mbeti një zë i fuqishëm në Washington për të drejtat e tyre. Përmes lobimit, publikimeve, organizimeve dhe protestave, ajo ndërtoi një urë që lidhi çështjen kosovare me ndërgjegjen amerikane.
A thua se gjenerali Wesley Clark ishte rastësisht një mik i madh i kombit tonë? Në këtë mënyrë, Kosova, edhe pse e ndarë gjeografikisht dhe historikisht nga Shqipëria, gjeti përmes Vatrës një zë të fuqishën për të artikuluar kërkesat për liri dhe pavarësi.
Në një deklaratë të vitit 1998, Federata shkruante:
“Një padrejtësi historike nuk shërohet me heshtje; ajo kërkon zëra, kërkon guxim, kërkon veprim.” Vatra mbetet simbol i ndërgjegjes kombëtare dhe universale, duke dëshmuar se kombësia shqiptare nuk është thjesht një fakt gjeografik, por një akt i vazhdueshëm frymëmarrjeje historike, kulturore dhe filozofike.
Kur studentja Hannah Arendt trokiti në derën e zyrës së profesorit të filozofisë, Martin Heideger, të dy filozofë të nivelit botëror, midis të tjerash ajo i thotë:”Profesor, më mëso si të mendoj”. Dhe duket sikur edhe Vatra ka bërë “Martin Heideger” për çeshtje të rëndësishme kombëtare me popullin shqiptar në trojet e tij. Një nga hallkat më të fuqishme të rolit lidhës të Vatrës u bë dhe gazeta “Dielli”. Botimi i përmuajshëm i saj shërbeu si dëshmi ekzistence e prosperiteti për vizionin largpamës të vatrës.
Një ndër sukseset më të mëdha ishte arritja që Presidenti Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), të mos e pranonte copëtimin e Shqipërisë. Presidenti Willson, një mik i madh i shqiptarëve edhe për arsyen e thjeshtë se Fan Noli, student Harvardi kishte miq disa njerëz në rrethin miqësor të presidentit Willson. Lobimi, ky mekanizëm i kohëve moderne ishte pjesë e qëllimeve të Vatrës në çështje kaq madhore.
Vatra me radion “Zëri i Amerikës” përcoi shpresë në vitet më të errëta të diktaturës në Shqipëri. Kur ne e kishim harruar botën e qytetëruar, ishte ajo që nuk na harroi ne. Në vitin 1963 Presidenti Xhon Kenedi në sheshin para bashkisë së Berlinit perëndimor deklaroi – “Unë jam një berlinez”, ndërsa jehona e atij sheshi mbërriti edhe tek ne. Ishte e njëjtë sikur të thoshte se jam edhe një shqiptar, pasi berlinezi përfaqësonte edhe pjesën e munguar, lindjen komuniste, në atë meting madhështor. Ne luftuam armikun e gabuar dhe nderuam mikun e gabuar, në ato kohëra dhe përsëri qytetërimi nuk na harroi…
Fan Noli, një nga themeluesit e Vatrës, shkruante:
“S’ka fe më të madhe, s’ka ideal më të lartë, se sa të shpëtosh kombin nga humbja.” Në këtë frymë, Vatra u bë mburojë për kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Faik Konica, një shtyllë kryesore e Vatrës, në krijimin e saj pohonte:
“Pa kulturë nuk ka komb, dhe pa komb nuk ka liri.”
Në një apel të Vatrës të vitit 1919, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, theksohet:
“Shqiptarët e Kosovës nuk janë ndarë kurrë shpirtërisht nga trungu amtar; çdo përpjekje për t’i ndarë është një fyerje ndaj natyrës dhe historisë.”
Fan Noli, në një shkrim të tij, parashikonte:
“Kosova është plagë e gjallë që do të kërkojë një epokë të drejtësisë për t’u shëruar.” Ky parashikim gjeti përmbushje pjesërisht me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 2008, procese ku ndikimi i mërgatës dhe i Vatrës ishte i fuqishëm. Në rrjedhën historike, Vatra i ndërtoi urat me ShBA-të jo vetëm për interesa kombëtare, por mbi baza të përbashkëta vlerash: demokraci, liri dhe të drejta të njeriut.
Në një dokument programatik të vitit 1920, thuhet: “Ne, bijtë e një kombi të vogël, gjejmë mbështetje te një komb i madh, sepse idealet tona janë të njëjta: liria, drejtësia dhe përparimi.” Themeluesit e saj, figura të njohura si Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe të tjerë, ishin mendjeformues dhe udhëheqës shpirtërorë, e të njëjtën gjë shohim dhe sot nga pasardhësit e tyre Elmi Berisha, gazeta Dielli me editorialistin Sokol Paja dhe figura të tjera të saj.
Në mendimin vatran, ekzistojnë dy nocione të atdheut: “atdheu i vendit” dhe “atdheu i shpirtit”Në këtë të fundit, shqiptarët në Amerikë përjetonin lidhjen me vendlindjen si një thirrje të brendshme, një mision historik për ruajtjen e identitetit dhe për afirmimin e kombit në arenën ndërkombëtare. Në marrëdhënien midis shqiptarëve dhe ShBA-së, Vatra veproi si një ndërmjetës moral. Ajo ndërtoi një identitet hibrid: shqiptar për nga rrënjët, amerikan për nga parimet.
Ky dualitet ndihmoi në afirmimin e çështjes shqiptare si çështje universale e të drejtave njerëzore dhe të vetëvendosjes.
Në një botë të globalizuar, ku identitetet shpesh treten ose komercializohen, Vatra është një shembull se si ruhet dhe transmetohet trashëgimia kulturore, duke u përshtatur me kohën pa ju arratisur thelbit. Sa reale më vijnë fjalët e gjeneralit të famshëm të luftës së dytë botërore, George Patton, i lindur jo më larg se 15 milje prej këtu, në Bedford, kur tha :”Një ushtar i vërtetë duhet të vdesë vetëm me një mënyrë, nga plumbi i fundit i betejës së fundit në luftën e fundit. Dhe beteja jonë e fundit nuk ka mbaruar na thotë Noli, Kosova është shqiptare.
Ndaj Vatra është një metaforë e ndërlidhjes shpirtërore të një kombi në mërgim me tokën amë dhe trojet shqiptare jashtë saj. Ajo është një urë që bashkon jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe idealet shqiptare me parimet universale të botës perëndimore.
Si një vepër historike dhe filozofike e gjallë, Vatra na mëson se bashkimi i vërtetë nuk është vetëm fizik, ai është bashkim i idealeve, i kujtimeve, i shpresave dhe i ëndrrave të një populli që refuzon të harrohet.
Ndonjëherë më duket se Vatra është një vepër monumentale, është bredhi i Krishtlindjes kombëtare dhe dega e Bostonit, si dritat e atij bredhi.