
Behar Gjoka/
Portreti i shkrimtarit, individuale dhe i rrethanave që e mbruajtën, të kalvarit detyrues për të shtegtuar jashtë atdheut, si dhe të përmasave dhe shenjave moderne, që ka mishëruar në veprat, letrare dhe shkencore, gdhendet në fjalët e Arshi Pipës: Martin Camaj është intelektuali tipik eurolindor, që, për arsye politike, lë atdheun e vet dhe endet nga një vend në tjetrin…(në librin Contemporary Albanian Literature, Country of Pablicition, USA, 1991), që zbulojnë thelbin e kësaj figure. Jeta dhe vepra e gjerë gjuhësore, letrare dhe albanologjike, e Martin Camajt ngërthen në vetvete, si njësi e ndërthurur dhëniemarrje të ndërsjelltë, shenjat unike dhe komplekse. Uniciteti i veprës letrare dhe gjuhësore, buron nga kreativiteti, të teksteve të autorit që rrok matricat e modernitetit, kurse kualiteti vetanak lidhet me lavrimin e gegnishtes dhe, sidomos me shqiptimin letrar modern, në morinë e zhanreve dhe llojeve letrarë, që ka lavruar. Përkundër vatrave ligjërimore, kompleksiteti shpërfaqet në fatin e mbrapshtë të veprës, e cilaka munguar në kohën shkrimore, dhe vjen në komunikim me lexuesin e Shqipërisë, kryesisht në kohën e amshimit, pra pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit. Bashkëlidhja organike e unikes, sendërtuar në tekstet letrare dhe shkencore, me situatën e ndërlikuar të trajtimit të veprës së gjerë shkrimore, përbën thelbin e përvojës së autorit, që e përveçon nga autorët e bashkëkohësisë.
Duke marrë në shqyrtim tekstet e zhanreve të ligjëruara, tashmë si rilexim, vihet re se Camaj bart dimensionin e dyfishtë, sepse nga njëra është shkrimtar i rëndësishëm, që gjuhën dhe letërsinë shqipe, i ngërthen dhe materializon në të gjitha aspektet, po kaq është një autor i veçanësisë, si poet dhe prozator që eksperimenton në secilën situatë ligjërimi. Dukuria e ndërlikuar, letrare dhe gjuhësore, si dhe rrethanat e përveçme të shkrimit, të variantit të gegnishtes dhe të mishërimit të ngjyresave të modernes në letërsi, në rrethanat e përjashtimit të tyre, e vështirësojnë komunikimin me tekstet letrare dhe shkencore. Dobia e rikthimit të përvojës shkrimore, si tekste letrare, gjuhësore dhe albanologjike, ndërkaq e kapërcen “vështirësinë” e zmadhuar të receptimit të veprës letrare, nëse lexohet pa paragjykimin e nevojës me e “përditësuar”, me e përkthy nga shqipja në shqip. Ligjërata ka në fokus të dyja anët e medaljes:
Larminë e ligjërimit gjuhësor dhe letrar, si dhe trajtimin nga studimet e shqipes.
Pranëvënia e laryshisë së zhanreve dhe llojeve letrare, gjedhet narrative dhe poetike, të sendërtuara në materien letrare, ndonëse e përthekuar me situatën e receptimit, përtej parathënieve dhe kumtesave të organizuara në veprimtari përkujtimore, që megjithëtë letraren e kanë në fokus anësor, është shtegu për të hyrë në marrëdhënie me këtë dukuri të letërsisë shqipe bashkëkohore. Depërtimi i analizës dhe shqyrtimeve, prapa mbulojës së pazakontë gjuhësore dhe letrare, si dhe dobia e receptimit të teksteve, bazohet:
1- Në larminë e shqiptimit gjuhësor dhe kahjet e ligjërimit letrar.
2- Në laryshinë e llojeve letrarë dhe zhanret tipike dhe atipike.
3- Mungesa e komunikimit me lexuesin e letrave shqipe.
4- Shanset e hapura për receptimin e teksteve, që përbëjnë një pasuri gjuhësore dhe një përvojë letrare të njëmendtë.
Faktologjia e shkrimit letrar, pavarësisht kohës dhe tipologjisë së përfunduar artistikisht, po kaq pavarësisht ligjërimit të gegnishtes dhe në një masë më të vogël të arbërishtes, por edhe si kahje konvergimi me ligjërimin e njësuar, në tanësinë e vetë, të ligjërimit letrar, ofron një situatë të veçantë:
Tekstet letrare shkruar në gegnishte që mbizotëron në krijimtarinë e autorit, ndërkaq janë pjesë e sistemit të shqipes, krahas ndonjë teksti në prozë shkruar në arbërisht. Gegnishtja si kumt dhe komunikim, si shenjë letrare e projektuar me vetëdije, dëshmohen shenjat estetike moderne, në librat me poezi, prozë dhe dramatikë. Mirëpo, në rastin e teksteve të Camajt, si një shenjëzim letrar dhe gjuhësor, vlen mendimi i Italo Kalvinos, kur thotë: Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antikorpe që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës, (2000: 98, në librin Leksione amerikane). Kjo ide, thelbësore për të ndjerë “shpirtin” e gjallë të gjuhës, si gjuhë e letrësisë dhe gjuhë e autorit, e cila gati-gati lidhet me trysninë që ushtrohet sot e gjithë ditën nga gjuhët e huaja, mbi gjuhën shqipe, e po kaq edhe trysnia e gjuhës së njësuar mbi variantet dhe të folmet e ndryshme të gjuhës shqipe.
Veçanësia e shqiptimit letrar modern, përplotëson dimensionin e shkrimtarit, e rrokshme në tekstet shkrimore, por që shqiptohen në një nivel më të ngritur estetik, në përmbledhjet Nema, Buelli, Palimpsest, që i përkasin periudhës së mbrame të shkrimit të poezisë. Në trashigiminë letrare të autorit, një vend të veçantë zë madrigal Dranja, një vepër unike e letrave shqipe, një model i ndërthurjes së poezisë me prozën, të letërsisë me muzikën, e cila shpalon prirjen modern. Kahje të mishërimit të këtillë estetik, përshkojnë edhe prozën, novelat dhe në mënyrë të veçantë, kahjet e ligjërimit modern, spikaten në romanet Karpa dhe Rrathë, që përfaqësojnë dy tekste të lavrimit të zhanrit të hapur të prozës së gjatë. Përthekimi i absurdes dhe modernes në dramatikë, te tekstet, Lojë mbasdreke dhe Kandili i argjendit, vjen e plotë në rrafshet e modernitetit, e cila habitshëm vendoset në ngjyresat e dramatizimit, siç shkruan Sh. Sinanit: … të cilat janë më shumë tekste të dramatizuara për receptimin vetjak përmes leximit, se vepra të shkruara të t’u vënë në skenë, (2011: 132, në librin Camaj i paskajuar). Më tepër flitet me hamendje dhe larg logjikës së dramatikës, si gjini unike që nuk ka të bëjë me dramatizimin e “heroikes së realizmit socialist”. Vënia në skenë e dramës Kandili i argjendit, nga teatri Migjeni në Shkodër, nxori në pah shenja të kolizionit dramatik, të karakterizimit të personazheve, si dhe sublimoi faktin se tekstet e Camajt, jetësohen vetëm se në skenë, sepse janë konceptuar dhe strukturuar si tekste të mirëfillta dramatike.
Të mbërrimet gjuhësore dhe letrare, si dijetar dhe shkrimtar, si gjuhëtar dhe albanolog, të Martin Camajt, ndërkaq lidhen organikisht me morinë e zhanreve, si lavrues i të tre gjinive letrare, por edhe i morisë së llojeve dhe nënllojeve letrare. Në mes tjerash, Tzvetan Todorov, te Poetika e prozës, si një gjendje e riformësimit të zhanreve të ndryshëm letrarë, pati shkruar: Për fatin e keq të logjikës, zhanret nuk shfaqen me qëllimin e vetëm për të ilustruar mundësitë që ofron teoriaë Një zhanër i ri krijohet rreth një elementi që nuk është i detyrueshëm në zhanrin e vjetër: të dy i kodojnë (I bëjnë të detyrueshëm) elemente asimetrike (2000: 10).
Kjo situatë e përveçme, jo pak e ndërlikuar në aspektin teorik, të ndërthurjes së prozës me poezinë, gjë që është e shpërfaqur në tekstit Djella, që ndërkaq përfaqëson një roman tipik, ku megjithatë janë integruar poezi, që pasojnë kapitujt ndarës të prozës së gjatë. Realiteti letrar, si pozicion rrëfimor, në sendërtimin e prozëshkrimit, dhe si un-I poetik, që mundëson poezitë, shqiptohet nga autori-rrëfimtar, që shpaloset në dy gjendje letrare. Martin Camaj, si lëvrues i spikatur i poezisë, i prozës, me tregimin, novelën dhe romanin, ku shpesh bashkëlidhi poezinë me prozën, por edhe si dramaturg, ndërkaq zbulon prirjet e shkrimit me dy tipe zhanresh:
– Zhanre klasike dhe moderne, si poezia proza me tipet përfaqësuese.
– Zhanre atipike (të cilat janë pjesë e lëvrimit të letërsisë si eksperiment i përfunduar).
Zhanret tipike, shoqëruar me vlera estetike, i përkasin periudhës së parë të krijimtarisë letrare, për të hyrë në situatën e kërkimit, e sprovës dhe eksperimenteve letrare. Nëse në tipologjinë e parë, pra pavarësisht tipologjisë klasike apo moderne, përfshihen vëllimet e para me poezi ku mishërimi artistik me këto ngjyresa estetike, që përkojnë me periudhën e parë të shkrimit letrar. Kjo situatë e lavrimit klasik është e rrokshme edhe në disa prej prozave, të tregimit dhe novelës, që ndërkaq bartin tipare të zhanreve, ku vihet re se eksperimenti nuk është parësor, krahasuar me tipologjinë e zhanreve dhe të teksteve të mëvonshme. Pjesa fillimtare e veprës letrare, mbizotërohet nga poezia, ndërkaq ka gjetur trajtime të gjera, madje në shumicën e vetë është përcaktuar shenjimi i vlerave përfaqësuese të saj, ku është theksuar fuqia e poezisë së autorit. Prandaj, në këtë trajtesë që ka në qendër veprën letrare, sidomos aspektin e lëvrimit të zhanreve, do hedhim një vështrim më të thelluar, të shenjave letrare, ku kërkimi eksperimental, është element parësor. Në këtë tipologji, të zhanreve atipike, pra të zhanreve të riformuluara nga shkrimtari, të cilët burojnë nga realizimi i eksperimentit, do të përveçohen:
A – Romani Djella, ka si shenjë eksperimentale, pranëvënie e prozës me poezinë, ndonëse të dyja tipologjitë, janë të identifikuara, si prani dhe shenjë estetike. Në secilin episod të romanit, kemi pjesën në prozë dhe në fund janë vendosur poezitë, që janë pjesë e ditarit të mësuesit, pra të rrëfimtarit, që kryen funksionin edhe të un-it poetik. Kjo rrethanë, e një përmbysje ligjërimore, në një kuptim “zbulon” aspiratat e autorit, që endet midis poezisë dhe prozës, madje teksti përçon një prani autobiografike, që aspiron të hedh autorin në shtegtimin e letërsisë, në të dy binarët, në poezi dhe prozë.
B – Përmbledhjet Nema, Buelli, sidomos Palimpsest, përfaqësojnë nivelin më të të ngritur të ligjërimit poetik. Fillesat e lavrimit të poezisë ndryshe, me vëllimin Njeriu për vete dhe të tjerë, ku ndeshim pjekurinë dhe braktisjen e poetikës klasike. Megjithatë, Nema, Buelli dhe Palimpsest, janë tekste atipike dhe moderne, si atmosferë poetike, botëperceptimit dhe shprehësi, të cilat vijnë dhe shpërfaqen në periudhën e fundit të shkrimit letrar.
C – Dranja, vepra unike e Camajt, e përcjellur si receptim unik nga ana e studimeve letrare, si kryevepra e shkrimtarit, ndërkaq është teksit më përfaqësues i zhanrit atipik, të sendërgjuar si një vatër eksperimentale. Situata e pazakontë, mbase e zhanrit pa zhanër, me gjasë, e zhanrit të ri, që së pari zhbën zhanret klasike, së dyti, edhe ribën një zhanër të ri, shënon rebusin e universit letrar të endur prej shkrimtarit, që përfaqëson gurin më të çmuar të letrave shqipe, të harkut të bashkëkohësisë. Pohimi i bërë nga shkrimtari hedh dritë të qartë: Dranja, ndonëse nuk ashtë në vargje si madrigal tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si i tillë i kundërvihet trajtave tjera letrare, përdorë deri më sot në gjuhën shqipe, (2000: 468 në librin Lirika, Dukagjini, Pejë).
Dranja, si tekst dhe atmosferë, frymë dhe shprehësi letrare dhe gjuhësore, dëshmi e rrugës eksperimentale, është gjithçka e ëndrrës së Camajt, si zhguall i gjuhës dhe magji e materies letrare të ngjizur në një tekst të vetëm, për botën e madhe të letrave shqipe. Me rëndësi të veçantë, në qasjen ndaj pjesës së zhanreve atipike, që parësor ka sprovën eksperimentale, pra të krijimtarisë letrare të autorit, që përfaqëson thelbin e dukurisë letrare të autorit, është situatë e ligjërimit unik.
-Ikja e detyruar e autorit nga Shqipëria, për shkak të rrethanave politike, solli një situatë të pazakontë për shkrimtarin, e sidomos për komunikimin me veprën, gjuhësore dhe letrare. Rrethana absurde, e mungesës së krijimtarisë së autorit, në hapësirën e Shqipërisë, e vendos lexuesin dhe studiuesin e saj, në një marrëdhënie të ndërlikuar të tekstit dhe kontekstit. Dikotomia e një marrëdhënie të ndërliksur të veprës letrare të shkrimtarit me lexueshmërinë, me receptimin dhe përthithjen e vlerave estetike, evidentohet:
Së pari: nga moria e teksteve letrare shkruar në variantin e gegnishtes, si kahje konverguese me gjuhën e njësuar, por edhe ndonjë teksti të realizuar në arbërisht, që përkojnë me shenjat estetike modern.
Së dyti: konteksti i kohës së shkrimit, e veçmas largësia nga atdheu, bëjnë që vepra gjuhësore dhe letrare, studimore dhe albanologjike, për shumë kohë të jetë dhe, ka rrezik që të mbetet jashtë rrjedhave letrare, të trungut të shqipes. Fati i veprës, letrare dhe gjuhësore, vijon të mbetet në zgrip ekzsitencial, ndonëse me dy mundësi funksionimi:
-Të përfshihet në vatrën e hierarkisë zyrtare, që pati përjashtuar Fishtën, Koliqin, Kutelin apo autorët bashkëkohorë, si Pipa, Pashku, Trebeshina dhe vetë Camajn, pavarësisht dallimeve dhe nuancave të ndryshme në ligjërimin gjuhësor dhe letrar.
-Të ndikojë në shpërbërjen e hierarkisë së realizmit socialist, falë faktit që sistemi i shqipes, ekziston në marrëdhënien përplotësuese dhe konverguese, unitet dhe diversitet, siç e pati theksuar Eë Çabej, më herët.
Tekstet letrare, të shkruara në variantet e gegnishtes dhe arbërishtes, ende sot e gjithë ditën, vijojnë që të jenë horizont pritje, për të patur një hapësirë reale perceptimi, pa pengime dhe paragjykime. Konteksti, specifik gjuhësor, që lidhet me përjashtimin e gegnishtes, ende sot e gjithë ditën mbetet një pengesë serioze për lexuesin, për leximin dhe receptimin e kësaj përvoje të shkrimit letrar. Tekstet në gegnisht, pavarësisht kahjeve konverguese, ende gjallojnë si “ujëdhesa” të shkëputura. Sugjerimi i Të Së Eliot: … përderia flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi për bazë të njëjtën culture me atë që prodhoi letërsia e së kaluarës, dëshirojmë t’I ruajmë dy gjëra, një krenari për atë që ka arritur letërsia dhe një besim në atë që mund të arrijmë në të ardhmen, (1982: 155, në librin Ese të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë). Ikja prej atdheut, përpos vetëdijes gjuhësore dhe letrare, është shkasi kryesor, që vepra letrare e Camajt, nuk ka lidhje me realizmin socialistë Vetëdija e gjuhës shqipe, bëri që në veprën letrare të ndeshim të shqiptuar tezën e atdhedashurisë, si një prani estetike. Më herët Arshi Pipa, njëri ndër njohësit dhe interpretuesit e teksteve të autorit shkruan: Që me vëllimin e tij të parë me poezi, Camaj angazhohet me një temë, atdheun e vet, i cili do të jetë fokusi i gjithë prodhimit të tij letrar, në librin Contemporary Albanian Literature. Teza atdhetare, shkon kah adhurimi i vendlindjes, i shenjave të atdheut, i mallit për gegnishten. Pra zhgualli i shqipes, variant i gegnishtes, ishte copa e atdheut, që mori me vete, ngado që shkeli. Nga ana tjetër, leximi dhe receptimi i trashëgimisë letrare, varësisht teksteve dhe konteksteve, që mundësuan dhe penguan komunikimin me lexuesin, është një proces i hapur, që megjithatë do të duhet të thellohet me argumente shkencore. Për të kuptuar rrafshet e përvojës shkrimore të Camajt, vjen pohimi i Ardian Klosit: Vepra e një jete me produktivitet të pazakontë mund të ndahet në veprim letrar, veprim filologjik, veprim kulturorë Ndërsa të parit i rri kurorë mbi krye poezia, veprimi filologjik përshkohet fund e krye nga rezistenca gjuhësore, shprehur në ruajtjen e gegnishtes letrare për brezat më të rinj, (1996: 3, në tekstin Parathënia e vëllimit të parë). Në këto përfundime, skalitet figura dhe misioni i Martin Camajt, me gjasë i trashëgimisë gjuhësore dhe letrare, që hedh një paralele të pandashme, aktin letrar, të një niveli modern, me aktin gjuhësor, të rijetësimit të gegnishtes, të variantit që promovoi gjuhën e shkruar shqipe, qysh me Mesharin e Gjon Buzukut, të pranisë në diakroni dhe sinkroni, si një variant që gjallon sot e gjithë ditën. Tekstet e Camajt, shkruhen në emigrim, rrethanë e përveçme që ka zgjeruar kontaktet e shkrimtarit me letërsinë europiane, po jo se i përkasin letërsisë së diasporës, që duket më tepër si një verrigë e shpikur, e studimeve letrare, të tipit të parathënieve. Përsa i përket rrafsheve të receptimit të veprave letrare, pavarësisht ligjërimit në gegnishte, si dhe të varianteve të ndryshme në shkrimin e poezive, vlen të sillet në vëmendje ideja e T. Todorov: Njohjes së letërsisë vazhdimisht i kanosen dy rreziqe të kundërta; ose ndërtohet një teori koherente, por shterpë; ose kënaqemi së përshkruari disa “fakte” duke kujtuar se çdo gur i vogël do të hyjë në punë për të ngritur ndërtesën e madhe të shkencës (2000: 109 te libri Poetika e prozës). Rrethana e shkrimit në emigrim, si dhe në variantin e gegnishtes, pra në gjuhën shqipe dhe që në kohën shkrimore lexohet nga pak lexues, gjë që nuk do të thotë që të mbetet përjetësisht në ekzil, si materie letrare, aq më pak të përcaktohet si rast përjashtim, pra si letërsi e diasporës. Në mungesë të lexuesit dhe mungestar në klimën letrare të kohës, kontekstet jashtëletrare, janë paravënë si pengesë e teksteve letrare, madje kanë vënë në zgrip vlerën e teksteve. Megjithatë, në këtë situatë mjegullësie, ka vlerë sugjerimi i Milan Kunderës: Nuk mund të kuptohet arti sidomos ai modern, nëse nuk kuptohet se imagjinata është vlerë (2001: 61). Ky pohim i bërë në librin Arti i romanit, që jep shkas për të hamendësuar mbi qasjet e deritanishme, ndaj veprës letrare të Camajtë Fati i veprës letrare, të munguar pëson kthesë me botimin e kolanës së teksteve letrare, me dhjetë vëllime, në vitin 2010. Në botimin e parë, shoqërohet me një paraqitje të Ardian Klosit, ndërsa në botimin e dytë, kemi të pranishme vetëm në vëllimin e parë katër parathënie, hyrje e shkurtër nga filologu Bardhyl Demiraj, që pasohet nga parathënia e gjatë e Ismail Kadaresë, që vijon me parathënie botimit të parë të Ernest Koliqit, botuar në Shejzat, Romë, 1958, dhe në fund parathënia e vetë shkrimtarit, e shkruar në vitin 1991, ku dy tekstet e fundit marrin në analizë romanin Djella. Megjithatë, hetimi i vlerave, gjuhësore dhe letrare, të Martin Camajt, është një proces i hapur, që në fakt me botimin e teksteve letrare, ka krijuar hapësirë reale për ta lexuar dhe vlerësuar si shenjë estetike. Në këtë rrethanë, vlen ideja e Ceneth Clark, theksuar në librin Qytetërimi: Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve, (2020: 63). Leximi dhe “zbulimi” i veprës letrare, si proces receptimi, ka dy anë të së njëjtës medalje, shkrimin në gegnishten bashkëkohore, si dhe lavrimin e letërsisë moderne Nëse njëri nga këto krahë, pra rrafshi gjuhësor, si ngjyresë e gjuhës së autorit dhe letërsisë, e lëmë në hije, vetiu kemi lënë në udhëkryq edhe shenjat letrare, të cilat janë ngjizur me anë të variantit të gegnishtes. Njohja empirike apo e thelluar, në këtë bashkëlidhni të gjuhës së letërsisë me variantin e gegnishtes bashkëkohore, derdhur në ngjyresat moderne, është akti që ruan ekuilibrin, e mbi të gjitha mundëson receptimin e teksteve, në atë formë ekzistenciale.