Prof. dr. Begzad Baliu/
Po të bëhet tipologjia e jetës shkencore e një studiuesi, sigurisht do të mund të shihni disa rrafshe të punës së tij, madje rrafshe të profilit horizontal dhe rrafshe të shikimit vertikal, rrafshe të përmasave drejtvizore dhe antirrafshe të zbritjes së tyre drejt zhvendosjes së tezave të tij në fushë të dijes; përmasa prerjesh shumëdimensionale dhe afri tangentiale të disa prej dijeve bashkëkohore; natyre të kërkimit dhe ndërtimit të studiuesit si kërkues dhe si transmetues i arritjeve të reja; kërkues i të dhënave të të nxënit dhe analist e sintetist i dijeve të mëhershme dhe reflektues i dijeve që pasvinë.
Profesor Bahtijar Kryeziu ju takon atyre profesorëve, e edukatorëve emblematikë, si dhe studiuesve të cilët jetën prej ligjëruesi dhe punën prej hulumtuesi e ka përvijuar, kur në formatin komplementar të zhvillimit të tyre, e kur në marrëdhëniet e përkimeve të ndërvarura. Në qoftë se zhvillimet e tij akademike janë kushtëzuar në të shumtën e rasteve prej institucioneve ku ka punuar, angazhimet e tij prej hulumtuesi i kanë tejkaluar disa herë arritjet shkencore të kohës dhe janë bërë pjesë integruese e albanologjisë.
Nuk është e rastit që punën prej profesori universitar e ka përmbyllur me tekste normative për studentët si dhe studime të karakterit didaktik e të gjuhës së zbatuar, ndërsa kërkimet prej studiuesi brenda specializimit të ngushtë në fushë të onomastikës, ku ka diplomuar, magjistruar e doktoruar, shkojnë përtej rrafshit normativ dhe bëhen sinteza të rëndësishme të onomastikës të dijes kombëtare dhe ballkanike.
Përzgjedhja si referencë: veprat leksikografike
Vepra më e re e Profesor Bahtijar Kryeziut është një përmbledhje kryesisht recensionesh nga fusha e filologjisë, në radhë të parë të gjuhës, po edhe të letërsisë e të edukimit. Një vëllim si ky nuk do të merrte shqyrtimin tonë sikur të ishte një vepër e zakonshme shkrimesh të rastit. Përkundrazi, fjala është për një vëllim që përvijon gjithë punën e autorit të saj në fushë të leximit të teksteve gjuhësore, letrare e pedagogjike. Një vepër si kjo sikur na e krijon përfytyrimin e autorit për së paku tre përbërës: formimin shkencore të tij, raportin e tij ndaj bashkëkohësve dhe së fundi angazhimin e tij në përcjelljen e botimeve të kohës, disa prej të cilave, sikur e kam theksuar edhe më parë, janë jo gjithmonë të përzgjedhura.
Pjesa e parë e këtij vëllimi hapet me vlerësimet recensionale, diskutimet, parathëniet a hyrjet në disa vepra nga fusha e leksikografisë. Fjala është për tekstet që janë shkruar apo ju prijnë vëllimeve leksikografike të Profesor Gjovalin Shkurtajt, “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” (2021); Ali Jasharit, “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”, (2020), me bashkëpunëtor B. Kryeziun; Ali Jasharit, Bahtijar Kryeziut, Olger Brames, “Fjalor i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe”, (2021); Abdullah Zymberi, “Fjalor popullor – me rreth 20 000 fjalë” (2014); Qemal Murati “Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës” (2018); Begzad Baliut, Faton Krasniqit, “Kërkime në fjalësin e veprës letrare të BeqirMusliut”, (2021); Begzad Baliut, “Dy dorëshkrime të Emanuel Krajinoviqit” (2022); Ragip Kçikut, “Fjalor i termave dhe i noci¬¬oneve lin¬guistike” (2009); Begzad Baliu, Bahtijar Kryeziu, Petrit Kotrri, “Fjalor i veprës letrare të Martin Camajt” (2021); Begzad Baliu, Bahtijar Kryeziu, “Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit” (2021) etj.
Prej leximit të tyre, ndërkaq, perceptimi për veprat del shumë më i hapur. Paraqitja e tyre nuk është një shpërfaqje e thjeshtë për lexuesit e parë, po për studiuesit e thelluar. Kërkimi në Fjalorin e Profesor Gjovalin Shkurtajt është një kërkim, një analizë dhe një sintezë e karakterit fonetik, morfologjik, leksikor, semantik, etimologjik, onomastik e frazeologjik, në njërën anë dhe analizë e sintezë e pasurisë së korpusit të madh të atij fjalësi të pasur të krahinës etnografike – Malësia e Madhe e Shqipërisë së Veriut. Megjithëse Profesor Shkurtaj veprën e tij e ka hapur me një parathënie gjithëpërfshirëse, studimi i Profesor Kryeziut mund të vendosej si një hyrje tipologjike brenda këtij vëllimi dhe të ishte me interes për përdoruesit e tij në kontekstin leksikografik, strukturor (morfologjik e sintaksor) dhe atë semantik.
Po kaq me interes janë edhe tekstet për dy fjalorët e homonimisë: “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe” (2020) dhe “Fjalor i homonimeve leksikore në gjuhën shqipe” (2021), e që, derisa në të parin është bashkëpunëtor, në këtë të dytin edhe bashkautor. Brenda këtyre dy fjalorëve ai ka bërë kërkime dhe sinteza të karakterit morfo-leksikor dhe madje ka përfshirë edhe një tekst të Profesor Jani Thomajt, i cili, më parë se karakter recensional, ka karakter dëshmie të autorit të saj. Në vlerësimet e tij Profesor Kryeziu ka sjellë një pamje të strukturave morfologjike: emra, mbiemra, përemra, folje, si dhe çiftet homonimike të pjesëve të tjera të ligjëratës: ndajfolje, lidhëza, pjesëza, parafjalë e pasthirrma, të cilat “janë një prurje e rëndësishme për të zënë vendin e tyre në një fjalës normativ të mbarë shqipes, ngjashëm me ata të gjuhëve të mëdha”. Veçori domethënëse e tekstit të dytë është paraqitja e pasqyrës së kësaj lënde fjalësh (homonimeve) sipas rendit alfabetik dhe njësive leksikore e të dendurisë (frekuencës) së tyre.
Janë me interes brenda këtyre shqyrtimeve të fjalorëve edhe dy tekste me interes: Fjalori i Abdullah Zymberit, “Fjalor popullor – me rreth 20 000 fjalë” (2014) dhe fjalori i Qemal Muratit “Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës”, (2018). Profesori Abdullah Zymberi shquhet për kërkimet e tij në terren prej rreth pesë dekadash, studiues i cili një jetë të tërë e ka kaluar andej nga nuk kanë shkelur shumë studiues të mëparshëm, shumë bashkëkohës të tij dhe shumë studiues të mëvonshëm. Ai mblodhi me përkushtim leksik të Kosovës, duke vënë theksin në leksikun blegtoral e bujqësor, por u shqua për mbledhjen e leksikut sidomos në zonat rurale të shqiptarëve në Mal të Zi. Do të kujtohet gjatë për përpjekjet e tij të palëkundura që të shkojë shtëpi për shtëpi dhe të vjelë gojë më gojë jo vetëm nga meshkujt (një praktikë kjo e theksuar e mbledhësve të trashëgimisë sonë në Kosovë), po edhe nga gratë. Kam dëgjuar shumë herë kujtimet e tij për atë përkushtim, ato përpjekje dhe sfidat që e ndiqnin nga sigurimi serb, por si për habinë time, dhimbja e tij përmbyllej me “krehjen” e pafundme që i bënë recensentët vëllimit të tij të parë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me shënimet shpesh arbitrare: “kjo fjalë dihet”, “kjo shprehje është e parëndësishme tashmë”, “kjo fjalë është turke”, ndonëse në gjuhën shqipe kishte marrë një ridimensionim tjetër semantik etj. Vëllimi i fundit i tij leksikor “Fjalor popullor – me rreth 20 000 fjalë” (2014), është një punë e bërë prej vitesh për të mos thënë prej dekadash, prej murgu për të përfshirë në një vëllim gjithë thesarin e tij prej leksikografi.
Ndryshe ka ndodhur me autorin tjetër Profesor Qemal Murati, i cili veprën e tij “Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës” (2018) e ka kurorëzuar nga kërkimet e tij në terren, si punonjës i Institutit Albanologjik, por në një pjesë të madhe të saj ka përfshirë leksikun popullor të mbledhur nga bashkëkohësit e tij dhe të mbetura në Arkivin e këtij institucioni, nga mbledhës të përkushtuar në pesë dekadat e fundit dhe të botuara në shtypin ditor e shkencor etj.
Nëse shënimi për fjalorët me të cilët hapet ky vëllim ju takojnë kryesisht atyre normativ dhe të trashëgimisë popullore, dy vlerësimet e radhës merren me dy vëllime të një natyre tjetër. Fjalën e kemi për veprën e Begzad Baliut, “Dy dorëshkrime të Emanuel Krajinoviqit” (2022), të vitit 1961, të cilat autori i kishte gjetur në arkivin personal të Profesor Idriz Ajetit dhe pasi ka bërë përshkrimin e kujdesshëm, solli në një vëllim edhe tekstin e plotë të skanuar si dhe një studim mjaft shterues për vlerat morfo-leksikore e semantike të fjalorthëve dygjuhësh shqip-serbokroatisht dhe serbokroatisht-shqipe. Ky botim është një nga të rrallët që plotëson ndjeshëm leksikografinë historike të shqipes, jo vetëm për shkak se ky dorëshkrim është përgatitur rreth shtatë dekada më parë, por sepse ky fjalor dygjuhësh është mbështetur kryesisht në të folmen e Kosovës.
Me mjaft interes në këtë rrjedhë është edhe vlerësimi për fjalorin e studiuesit Ragip Kçiku, “Fjalor i termave dhe i noci¬¬oneve lin¬guistike” (2009), për të cilin është theksuar interesi i botimit të tij në interes të terminologjisë së shqipes në një kohë që terminologjia e të gjitha fushave po zë vend gjithnjë e më shumë nga gjuha angleze dhe jo vetëm ajo,
Pjesa e parë e këtij vëllimi, i cili vë në teh të punës leksikografinë, përkatësisht botimet e saj, përmbyllet me shënimet e gjera për tri vëllime, në të cilat roli i tij prej bashkautori, redaktori a recensuesi është dukshëm i rëndësishëm, për të mos thënë parësor. Fjala është për veprat e bashkautorëve Begzad Baliut, Faton Krasniqit, “Kërkime në fjalësin e veprës letrare të Beqir Musliut” (2021); Begzad Baliu, Bahtijar Kryeziu, Petrit Kotrri, “Fjalor i veprës letrare të Martin Camajt” (2021), Begzad Baliu, Bahtijar Kryeziu, “Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit”, (2021) etj.
Veprat në fjalë i bashkon jo vetëm përkushtimi i autorëve ndaj leksikografisë, por edhe synimi i tyre që për herë të parë në leksikografinë shqiptare të sjellin fjalorë mjaft të vëllimshëm të shkrimtarëve të përzgjedhur të letërsisë. Në radhë të parë këtu kemi fjalorin e veprës letrare të shkrimtarit Ymer Elshanit, i cili përfaqëson njërin prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë për fëmijë. Më tej vjen një autor po kaq i përzgjedhur i letërsisë bashkëkohore, prijës i letërsisë moderne në Kosovë, Beqir Musliu. Prej poezisë, prozës dhe dramës së tij është përzgjedhur fjalësi i tij ndërsa në parathënien shkencore që e hap vëllimin, jo rastësisht është konstatuar se shkrimtari Beqir Musliu, si asnjë tjetër bashkëkohës i tij, e ka pasuruar leksikografinë shqiptare me fjalë dialektore të qytetit të Gjilanit, e ka sjellë një thesar të pasur fjalësh nga ligjërimi artistik i teksteve orientale e oksidentale dhe, si rrallë shkrimtarë të tjerë, e ka përdorur gjithanshëm ligjërimin në teatër në letrat shqipe, duke i dhënë asaj përmasa të reja semantike. Së fundi, në këtë seri është përzgjedhur leksiku i poezisë, prozës dhe dramave të shkrimtarit e studiuesit Martin Camaj, i cili me ligjërimin artistik në veprën e tij e ka ridimensionuar fjalën shqipe (qoftë ajo bashkëkohore, dialektore apo historike) dhe e ka resemantizuar atë në vargun artistik si asnjë shkrimtarë tjetër. Si i tillë ky leksik ka marrë vlera të veçanta artistike.
Ndoshta me këtë rast është me rendis të theksohet edhe një veçori e përgatitjes së këtyre vëllimeve. Në vëllimin e parë (Fjalësit të Ymer Elshanit) i është kushtuar rëndësi leksikut për fëmijë, leksikut dialektor, neologjizmave apo fjalëve të cilat brenda strukturës gramatikore kanë marrë trajta të reja, fjalëve të cilat brenda një togfjalëshi kanë sjellë vlera të caktuara artistike e semantike të vargut poetik.
Në vëllimin e dytë (Fjalësit të Beqir Musliut) kemi një kërkim dhe një përzgjedhje të një natyre më tjetër. Kërkimi është përqendruar fillimisht në leksikun dialektor të qytetit të Gjilanit me rrethinë, pastaj në neologjizma dhe sidomos togfjalësh të pafundmë, në terminologjinë e literaturës orientale dhe oksidentale dhe së fundi në terminologjinë e teatrit. Krijimtaria moderne e tij në poezi, në prozë e në dramë i kanë dhënë mundësi Beqir Musliut të sjellë fjalë të vjetra në një ridimensionimi tjetër semantik, të krijojë togfjalësha të panjohur në letrat shqipe, si dhe të sjellë edhe neologjizma të rij në letrat shqipe. Megjithëse një pjesë e leksikut të tij mbase kishin nevojë për një shpjegim, kjo nuk u bë me arsye se kufiri ndërmjet leksikut dialektor e atij të krijuar ka një kufi të papërfillshëm. Le të thuhet këtu se përzgjedhja e leksikut të Beqir Musliut nuk është shumë i thelluar. Qëllimi i autorëve të këtij vëllimi nuk ishte vjelja e plotë e leksikut të tij, por i leksikut karakteristik të veprës së tij.
Vëllimi i tretë (Fjalësi i Martin Camajt) ka një qasje, jo vetëm më të hapur, po edhe më të thelluar, për të mos thënë vjelja e leksikut të veprës letrare të Martin Camajt ka karakter letrar e dialektor, semantik e ligjërimor, sinkronik e diakronik. Nuk është e rastit që fjalësi i tij i poezisë, prozës dhe dramës është parë si njësi më vete dhe në tekstin pasues të tij janë bërë shpjegime, jo vetëm të karakterit gramatikor, po edhe dialektor, historik e etimologjik. Martin Camaj i njohur si shkrimtar i një gjuhe të gdhendur, ishte njohës dhe studiues i madh i veprave klasike në gjuhësinë shqiptare të shekujve XV-XIX, i leksikut historik të tyre, i pasurisë leksikore të dialektit të gegërishtes dhe sidomos i pasurisë leksikore të arbëreshëve të Italisë. Martin Camaj ishte studiues i pazakonshëm i strukturave gramatikore të shqipes, prandaj nuk është e rastit që gjuha e krijimtarisë letrare të tij ishte gjuhë e përmasave të mëdha ligjërimore dhe semantike në letërsinë shqipe. Proza e shkurtër, madje, më parë se poezia, u bë shkalla më e lartë e Majës së Ajsbergut në kulturën e komunikimit, monumenti i ligjërimit artistik në veprën letrare të tij. Nuk është e rastit prandaj pse në këtë vëllim leksikor të përzgjedhur mund të vërehen tri rrafshe të kërkimit të tij: leksiku përfaqësues i veprës së tij – me synim neologjizmat dhe strukturat e reja fjalëformuese; leksiku dialektor – me synim ridimensionimin i këtyre fjalëve brenda tekstit letrar, dhe leksiku historik – përkatësisht përmbajtja etimologjike i tij.
Le të thuhet në këtë rast se, kontributet e Profesor Bahtijar Kryeziut në kurorëzimin e tyre është qoftë i ndërmjetshëm, duke i parë ato në rolin e redaktorit a recensentit (Fjalësi i Beqir Musliut), qoftë në formën e drejtpërdrejtë si bashkautor i tyre (Fjalësi i veprës letrare të Ymer Elshanit dhe Martin Camajt). Në këtë rrjedhë do theksuar edhe faktin tjetër se autori, redaktori a recensuesi i këtyre veprave, Profesor Bahtijar Kryeziu, vazhdon të merret me kërkime, redaktime e recensione të kësaj natyre. Njëri prej tyre në proces është vëllimi i madh “Fjalori i përrallës shqipe”, në të cilin po punohet në bashkautorësi edhe me kolegë të tjerë.
Veprat e përzgjedhura në fushë të onomastikës
Nëse jetën arsimore dhe shkencore të Profesor Bahtijar Kryeziut e kanë përvijuar dy fusha: mësimdhënia dhe kërkimet shkencore, kontributet shkencore të tij gjithashtu shquhen në dy rrafshe kryesore: onomastika dhe leksikografia. Ai ka diplomuar, magjistruar e doktoruar në fushë të onomastikës, por kontributet në fushë të leksikografisë gjithashtu po shquhen gjithnjë e më shumë. Nuk është e rastit që edhe vlerësimet e tij në këto dy rrafshe dalin në pah edhe në këtë vëllim.
Pjesën e dytë të këtij vëllimi e përbëjnë tekstet për vlerësimet e bërë ndër vite kushtuar veprave në fushë të onomastikës të studiuesve: Akademik Gjovalin Shkurtajt, “Onomastikë dhe etnolinguistikë” (2015); Begzad Baliut, “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës” (2006); Begzad Baliut, “Onomastikë dhe identitet” (2012); Rexhep Doçit, “Onomastika e Drenicës I”, (2005); Qemal Muratit, “Fjalor toponomastik i tërthoreve shqiptare të Maqedonisë”, (2008); Halit Sylejmani – Maliqit, “Onomastika e Busavatës” (2008); si dhe autorecensionit për veprën e tij “Fjalor emrash “modernë” te shqiptarët sot” (2023).
Kontributeve të tij në këtë fushë i prin vlerësimi shterues për librin e dialektologut, sociolinguistit, standardologut, kulturologut, onomasticientit e leksikologut të shquar Profesor Gjovalin Shkurtajt, “Onomastikë dhe etnolinguistikë” (2015). Ligjëruesi që disa dekada me radhë ka njohur fondin e trashëgimisë së gjuhës shqipe me theks të veçantë leksikun dialektor të hapësirës shqiptare, duke përfshirë këtu edhe atë të arbëreshëve të Italisë, studiuesi i përkushtuar i teksteve të vjetra, me synim leksikun historik, si dhe studiuesi që ka bërë hulumtime pothuajse në çdo cep të hartës etnike, nuk është e rastit që një ditë të sjellë edhe një sintezë të jashtëzakonshme në fushë të onomastikës. Dhe, ta sjellë gati si asnjë tjetër: antroponiminë e patroniminë, mikrotoponiminë e ojkoniminë; antroponiminë e toponiminë e teksteve popullore dhe antroponiminë e toponiminë e teksteve letrare (shembulli i romanit të Rexhep Qosjes).
Mbështetur në këtë trashëgimi të ligjërimit popullor e të shkruar, e materiale shpirtërore, Profesor Kryeziu ka identifikuar gjetjet e Profesor Shkurtajt në strukturën fonetike e gramatikore të antroponimeve, emrat e vendeve dhe emrat e njerëzve, si trajta vijimësie, bigëzimi e ndikimi; ka dëshmuar për rëndësinë e onomastikës në historinë e popullit e të kulturës shqiptare; ka veçuar rëndësinë e përmbajtjes kuptimore dhe gramatikore të toponimisë shqiptare, si një prej aspekteve që dëshmojnë homogjenitetin shekullor të saj; natyrën historike, gjeografike, etno-kulturore dhe shpirtërore të etnonimisë shqiptare: Albania / Shqipëria, arbën / arbër – shqiptar; Gegëria, Toskëria, duke e parë këtë edhe brenda hapësirës arbëreshe; trajtat popullore dhe zyrtare të antroponimisë dhe patronimisë shqiptare; prirjet sociolinguistike të emrave të farefisnisë; emrat e kafshëve në nomenklaturën e onomastikës shqiptare etj.
Në vazhdim të vëllimit janë botuar dy analiza për të mos thënë më saktë përsiatje mbi dy veprat tona: “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës” (2006), si dhe “Onomastikë dhe identitet” (2012). E para është një përmbledhje kryekëput për punën e bërë nga Këshilli për standardizimin e Onomastikës së Kosovës gjatë viteve 1999-2006, ndërsa e dyta një përmbledhje artikujsh shkencorë të lexuar ndër konferenca shkencore. Në vëllimin e parë janë botuar artikuj me karakter shkencorë, kulturorë, analitikë e pse jo, edhe politikë, për kohën. Ata janë artikuj të një përpjekjeje të një grupi studiuesish profesionistë të kësaj fushe, për të sendërtuar idealet e brezit të shekullit XX: që në tokat etnike shqiptare, në gjuhën shqipe të flasin jo vetëm qytetarët e saj, po edhe institucionet politike, shkencore e arsimore, jo vetëm emrat e njerëzve po edhe emrat e vendeve. Nëse synimet e disa prej tyre qenë realizuar në fillim të shekullit XX, në gjysmën e saj të dytë pati filluar të realizohet edhe synimi i dytë: albanizimi i antroponimeve në Shqipëri e pak më vonë (në vitet e ’70-ta) edhe në Kosovë. Koha është që shqip të flasin edhe emrat e vendeve në Kosovë e Maqedoni dhe koha është, por jo gjithnjë politikanët dhe intelektualët, ndryshe nga luftëtarët, ditën të gjenden në betejën e tyre profesionale. Në rrethet shkencore ashtu sikur në qarqet politike nuk munguan nostalgjikët, e kjo do të thotë, nuk munguan studiuesit, të cilët toponiminë e sidomos ojkoniminë e shihnin vetëm si shenjë gjuhësore, po jo edhe sociolinguistike e kulturore. Studiuesit si ata nuk ishin të informuar me parimet ndërkombëtare të përdorimit të tyre, si dhe përvojën e shteteve me demokraci planetare.
Në këto rrethana Komisioni shtetëror, komisionet komunale si dhe individët që i përkrahen ata me fjalën dhe mendimin shkencor e kulturor, nuk arritën ta kryejnë misionin e tyre, në radhë të parë, për të vendosur emrat e ri për qytetet me emra tipik të administratës serbe të shekullit XX, si: Gllogovc (Besianë), Podujevë (Besianë) etj., ose emrat e vendbanimeve të emërtuara me Mitin e Kosovës, të cilat nxitën disa luftëra dhe u bënë sinonim i krimit serb në Kosovë: Kaliçan (Istog), Serbovec (Zveçan), Milloshevë, Llazarevë e Obiliq (Obiliq), Devet Jugoviq e Orlloviq (Prishtinë), Gjeneral Jankoviq (Hani i Elezit) etj. Vështirë të besohet që studiuesit, intelektualët dhe shtetëbërësit në Kosovë, pas luftës, kishin detyrë më të rëndësishme se sa pastrimin e Kosovës nga referencat mitike, politike e ideologjike serbe. E kanë bërë këtë kolegët e tyre në Lindje e në Perëndim, në Rusi e në Amerikë. Është në natyrën e të gjithë popujve dhe të të gjitha shoqërive që të identifikojnë kohën e tyre me veshjen dhe ushqimin, jetën dhe kulturën, prandaj edhe me antroponiminë e toponiminë. Për fat të keq brezi ynë në këtë rast nuk e dha provimin.
Në veprën e parë ashtu si edhe në vëllimin e dytë kemi edhe tekste të cilat e tejkalojnë natyrën e kërkimit për gjendjen e sotme në fushë të studimit të onomastikës, duke e parë atë edhe në kontekst historik dhe etimologjik, në kontekstin ballkanik dhe në kontekstin krahasues, në raportet e shkruara dhe ato dokumentare; për konceptet shkencore të Profesor Çabejt dhe bashkëkohësit e tij, për etnoniminë shqiptare e ojkoniminë e saj në botimet enciklopedike etj.
Tri vlerësimet për tri veprat e Profesor Rexhep Doçit, Qemal Muratit dhe Halit Sylejmani – Maliqit, sikur përplotësojnë njëra tjetrën. E para, vepër shkencore monografike për krahinën etnografike të Drenicës, e dyta një fjalor i përzgjedhur për mikrotoponiminë dhe sidomos ojkoniminë e Maqedonisë dhe e treta një vepër modeste për mikrotoponiminë e fshatit Busavatë të Kamenicës, sikur janë përzgjedhur për të dëshmuar për rëndësinë e metodologjisë së kërkimit shkencor në këtë fushë. Vepra e Profesor Rexhep Doçit është një vepër e modelit të kërkimit gjatë gjithë shekullit XX në Kosovë (metoda e kërkimit historikografik e shkollës së Jovan Cvijiçit) dhe model i pothuajse të gjitha botimeve të kësaj natyre, të cilat në studimet e magjistraturës dhe doktoratës i kanë udhëhequr mentorët Prof. dr. Idriz Ajeti dhe Prof. dr. Latif Mulaku; vepra e Qemal Muratit është një kërkim tjetër i bërë në një hapësirë etnike shqiptare, asaj të Maqedonisë së Veirut, dhe e treta, vepra e Halit Sylejmani – Maliqit, punë modeste, por shumë e përkushtuar e një mësuesi shembullor në një vendbanim ku e ka bërë një jetë të tërë.
Duke e mbyllur vlerësimin për veprën e Prof. Rexhep Doçit, Profesor Bahtijar Kryeziu konstaton: “vepra (mono¬grafike) “Onomastika e Drenicës” ofron një lëndë shumë të pasur e autentike dhe, si e tillë, përveç dobisë që mund t`i sjellë gjuhësisë e shkencave të tjera si një mbështetje e mirë për hulumtime të mëtejshme, mund të ndihmojë edhe për hartimin e një fjalori onomastik të Kosovës ose të trevave mbarëshqiptare”. Le të thuhet se një konstatim si ky vlen edhe për veprën e Halit Sylejmani – Maliqit në njërën anë dhe Fjalorthin e Qemal Muratit. E para i jep modelin e sintezës, ndërsa e treta modelin e përkushtimit. Kërkimi i Sylejmanit dhe serioziteti i Doçit, me Fjalorthin e Muratit do ta bënin një pasuri të madhe të popullit shqiptar, jo vetëm në kontekstin gjuhësor po edhe etnik e kulturor, material e shpirtëror, historik e sedentar në Maqedoni.
Ky vëllim tekstesh të zgjedhura recensionale, hyrëse e parathënëse, për disa vepra të botuara gjatë më shumë se një dekade, përmbyllet me një autorecension për veprën e tij Fjalor emrash “modernë” te shqiptarët sot, (2023). Dhe është mirë që e ka bërë këtë. Vepra e tij e fundit sjell një kërkim dhe sintezë të re në studimet shqiptare. Në këtë kohë mungese të politikave gjuhësore, kulturore dhe madje politike për të krijuar një korpus emrash në nomenklaturën e sistemit etnik të shqiptarëve, reagimi përkatësisht hulumtimi i Profesor Bahtijar Kryeziut në sistemin e emërtimit të fëmijëve shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit, paraqet një kontribut të rëndësishëm edhe për studimet gjuhësore shqiptare. “Fjalor emrash “modernë” te shqiptarët sot” (2023), është vepër e shqetësimeve të tij dhe e shqetësimeve intelektuale e kombëtare sot, vepër e vërejtjeve për kujdesin që do të duhej ta kemi për antroponiminë e shekullit XXI dhe vepër e vërejtjeve për moskujdesin që kemi gjatë emërtimit të fëmijëve; vepër e gjyshit pasionant dhe specialistit të fushës që kujdeset jo vetëm për emrat e nipave dhe të mbesave të tij, po për të gjithë nipat dhe mbesat e botës shqiptare. Universi intelektual dhe përgatitja shkencore tij këtu bashkohen në një projekt dhe me një qëllim të vetëm. Në plan të parë ato funksionojnë si analiza komplementare, ndërsa në plan të fundit si sinteza dhe mesazhe për bashkëkohësit. Si e tillë, kjo vepër, si rrallë vepra të tjera të kësaj natyre, përplotëson kërkesat shkencore dhe porosinë bashkëkohore qytetare.
Pasfjala
Pa dashur që këtij vëllimi t’i japim vlerat e ndonjë sinteze a monografie të caktuar, mund të themi se përmbledhja e Profesor Bahtijar Kryeziut “Vepra përfaqësuese në fushën e leksikografisë dhe onomastikës”, sjellë një korpus të pasur tekstesh për bibliografinë shkencore të tij dhe për dijen kërkimore në jetën tonë shkencore. Ajo është përzgjedhje veprash dhe përzgjedhje tekstesh në interes të lexuesit akademik dhe lexuesit të specializuar. Ajo na shërben për të përzgjedhur tekstet e caktuara për lexim po edhe për të kuptuar peshën e tyre në jetën shkencore. Le ta përmbyllim edhe fjalën tonë se shumë herë pesha e vlerësimeve të tij është përcaktuar edhe nga pesha e vlerave të veprave të cilat i ka bërë objekt studimi.
Prishtinë, nëntor 2023
(Prof. dr. Begzad Baliu, PARATHËNIE e librit të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut, Vepra përfaqësuese në fushën e leksikografisë dhe onomastikës, Prishtinë, 2023, f. 276)