Faton Bislimi/
Asnjëherë dhe për asnjë moment nuk kam pasë as edhe dyshimin më të vogël se Kosovës tonë përkrahja më e sinqertë i vije nga Washington, DC. Nuk ka deklaratë apo prononcim publik apo edhe privat nëpër takime me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë që nuk e kam potencuar po të njejtin qëndrim. E dij, shpeshëherë, disa miqëve tanë evropianë edhe ka mundur t’i ngelet hatri, por janë faktet historike ato që na e bëjnë të kjartë si kristali se Kosova ka fituar vetëm atëherë kur ka qenë përkrah me SHBA-të. Fatkeqësisht, Evropa (me përjashtim të pak shteteve brenda saj) ka dështuar historikisht në trajtimin e drejtë të cështjes shqiptare në Ballkan.
Edhe sot, Kosova e ka rastin që të zë trenin e fundit, realisht vagonin e fundit, për të mos thënë edhe ulësen e fundit në trenin që për locomotive ka Washingtonin. Nuk ka argument më të fuqishëm që e dëshmon këtë sesa një krahasim shumë gjakftohtë i dy letrave me rëndësi të jashtëzakonshme që krerët e Kosovës kanë marrë nga SHBA-të e Evropa në lidhje me dialogun me Serbinë.
E para, nga Presidenti i SHBA-ve Joe Biden, e prillit 2021, e potencon shumë kjartë se “marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënjeve në mes Kosovës e Serbisë duhet të përqëndrohet në njohjen reciproke.”
E dyta, nga Presidenti Macron i Francës dhe Kancelari Scholtz i Gjermanisë, e gushtit 2022, e potencon vetëm “gatishmërinë për vendime të vështira dhe progres në dialog,” pa përmendur askund njohjen reciproke. Tutje, kjo letër, bën edhe një shkarje tjetër nga interesi madhor kombëtar i Kosovës – ngase në të theksohet se dy këshilltarët për marrëdhënje me jashtë të dy liderëve evropianë po ofrohen si mbështetje shtesë ndaj Lajcakut dhe vizitën e tyre e bëjnë vetëm me Lajcakun e jo edhe me Escobar-in amerikan.
Prandaj, them edhe njëherë se e kemi rastin e fundit që t’i sjellim vendit zgjidhjen e duhur dhe ta përmbyllim këtë proces të stërzgjatur të dialogut me Serbinë vetëm nën lidershipin amerikan. E aty, në Shtëpinë e Bardhë e kemi një njeri që e njeh Kosovën dhe kauzën tonë kombëtare. E kemi një president që ka lidhje direkte me Kosovën edhe nga e kaluara e tij si Senator i SHBA-ve për dekada të tëra. Mandati i tij përfundon edhe dy vite thuajse. Kushdo që nesër vjen në Shtëpinë e Bardhë nuk e do e ketë lidhjen me Kosovën e as njohuritë për të sikur që i ka Presidenti Biden sot.
Ky momentum duhet shfrytëzuar nga Prishtina zyrtare dhe e gjithë klasa jonë politike. Dialogu është cështje kombëtare e Kosovës e jo vec e një qeverije apo aq më pak e një partije. Marrëdhënjet tona me SHBA-të duhet sforcuar tutje.
Me cka mundemi e dijmë, ne do vazhdojmë misionin tonë në këtë drejtim, bashkë me miqët tanë në Capitol Hill, ngase Republika e Kosovës është projekt i përjetshëm, e kapricot tona politike vetëm se oscilime kohore të interesave shpeshëherë mediokre. Sot e përmot, angazhimi im mbetet në interes të shtetit, për kauzën kombëtare, e vetëm në miqësi permanente (e përnjëmend ashtu) me SHBA-të. Javët në vijim do jenë kruciale, e ne do jemi aty ku duhet, me ata që s’na lanë në baltë asnjëherë – në Washington, DC!