Nata ndërmjet 14 dhe 15 korrikut të 2012 kishte qenë e kobshme për shqiptaro-zviceranin Vigan Morina. Festa e ditëlindjes së 23-të me shoqëri dhe me vëllezër kishte përfunduar në tragjedi./
Nga Sevdai Tahiri/
Vigan Morina ishte viktimë e therjes me thikë nga i dyshuari irakian, Shiwan M., i cili kishte plagosur rëndë edhe vëllain tjetër, Visarin, në afërsi të lokalit të njohur të natës në Cyrih “Kaufleuten”, pas një zënke mes tyre.Viganit iu shua ëndrra që të bëhet një oficer i ushtrisë zvicerane.
Rreth një vit e gjysmë më vonë rasti ende nuk ka marrë epilogun, duke shtuar edhe më shumë dhimbjen mbi supet e prindërve të Viganit.
Ata nuk e kanë lehtë të përshkruajnë dhimbjen për humbjen e djalit të madh të tyre. Shpesh i kaplon heshtja nga mungesa e fjalëve. Atyre iu duket si sot të ketë ndodhur nata e kobshme ndërmjet 14 dhe 15 korrikut, kur djali i tyre nuk u kthye më nga ditëlindja.
Babai dhe nëna e Viganit mbahen të fortë, edhe pse herë pas here nuk mund t’u rezistojnë lotëve nga mërzia, por krenarë me djalin e tyre që u la kujtime të mira dhe shumë respekt në rrethin ku ishte rritur dhe shkolluar. «Dhimbja nga kjo vdekje e pakuptimtë është shumë më e madhe sesa të kishte ndodhur në ndonjë aksident, apo nga ndonjë sëmundje e rëndë. Është e papërshkrueshme dhimbja: e dërgon djalin për të festuar ditëlindjen, ndërsa të kthehet në arkivol», shprehet babai Ismet Morina.
Familja Morina kishte shpresuar që procesi gjyqësor do të fillonte në fillim të janarit të këtij viti dhe, sipas tyre, është e paqartë pse duhet të shtyhet edhe më shumë, kur gjithçka është sqaruar me rastin e therjes për vdekje të djalit të tyre. Ismet Morina, babai i Viganit, i cili kishte migruar para më shumë 20 vjetëve në Zvicër, kërkon ballëhapur drejtësi për djalin e madh. «Unë ndoshta nuk do të kisha pasur të drejtë të kërkoj me ngulm drejtësi sikur po e kërkoj tani nëse djali im i ndjerë do të ishte marrë me drogë apo do të ishte me dosje kriminale», thotë në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch Ismet Morina.
“Pak jemi vonuar, ngase procesi gjyqësor kundër vrasësit të Viganit është shumë i qartë dhe kur ka ndodhur rasti i kobshëm kanë qenë shtatë dëshmitarë brenda dhe jashtë diskotekës. Nëse po ndodh për shkak të gjendjes psikike të vrasësit apo është penduar, këto çështje i takojnë ekspertizës psikiatrike”, shprehet i mërzitur Ismeti. Kisha përshtypjen se do t’i shihja më të qetësuar prindërit e Viganit nëse do t’i takoja pasi do të merrte fund epilogu gjyqësor në rastin e djalit të tyre.
Vrasësi i ka qëlluar të dy djemtë, fati deshi që Visari të shpëtonte
“Si prind i djalit të vrarë me siguri kërkoj që vrasësi të marrë dënimin maksimal, ngase vrasja në tentativë ka ndodhur edhe mbi djalin tjetër, Visarin, i cili ka pasur fat, ngase është dërguar me kohë në spital dhe është intervenuar me kohë për t’ia ndalur gjakderdhjen e madhe”, thotë Morina. Ismeti, i cili kishte kryer 3 vjet të Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, që e kishte ndërprerë kur kishte ikur për Zvicër, nuk ka dashur t’i përzihet gjyqësisë zvicerane, por thotë se ka të drejtë si prind të kërkojë që vrasësi të marrë dënimin maksimal, ndërsa avokati i viktimës, David Gibor, ka kërkuar burgim të përjetshëm.
Karakteristikat e veprës penale të kryer mbi Viganin, sipas prokurorit Michael Scherrer, janë në proporcion me dënimin 20 vjet burgim. Prindi i i Viganit, djaloshit i cili ishte viktimë e një vrasje të pakuptimtë, pos dhimbjes, po përjeton edhe zemërimin për faktin se dorasin nga Iraku e ndihmuan shqiptarët. “Shivanin e ndihmuan edhe një shqiptar dhe një turk. Shivani vjen i përgatitur me thikë pas gjysmë ore. Shtrohet pyetja, prej nga i erdhi brisku vrasësit, kush e solli në vendin e kobshëm për t’ia marrë jetën djalit”, tregon i zemëruar babai i Viganit.
Policia kishte ndërhyrë dhe dy grupet e të rinjve ishin marrë vesh që mos bëhet ndonjë raport policor, por sipas prindërve, Vigani ishte tradhtuar dhe pas gjysmë ore ishte kthyer dorasi për hakmarrje. Policia, sipas prindërve të Viganit, duhet të kishte informacione për dosjen kriminale të dorasit. “Do të kërkoj që edhe dy ndihmësit e therësit të marrin dënimin e merituar, ngase ata ishin përfshirë në krim”, thotë babai i Viganit.
Vigani do të bëhej oficer në ushtrinë zvicerane
Me qindra kartolina ngushëllimi kanë ardhur në adresë të familjes Morina. Por, fjalët e mira dhe ngushëllimet që i ka marrë familja nuk kanë qenë lehtësim për dhimbjen që po bart një e vit e gjysmë familja Morina. «Kishte kryer shërbimin ushtarak, pastaj ishte pranuar si nënoficer për të filluar shkollën ushtarake në Chur. Madje e mbante briskun si dhuratë nga ministri i Mbrojtjes, Ueli Maurer”, tregon krenar babai i Viganit, Ismet Morina.
Babai ende e kujton pritjen që kishte përjetuar nga shokët e Viganit. “Sa kartolina ka pranuar për ngushëllime nuk e keni idenë. Këtë respekt e kishte fituar vetë Vigani, jo unë”, thotë ai.
Dy vëllezërit ishin shumë të afërt me Viganin. Ata janë këshilluar më shumë nga vëllai i madh, Vigani, sesa nga prindërit e tyre. “Ishte për lakmi kur tre djemtë ishin aq të dëgjueshëm me njëri-tjetrin”, harron për një çast mërzinë nëna e Viganit që vazhdimisht ishte e përlotur.
Ishte i pashmangshëm zemërimi kundër familjes së dorasit që nuk kishte bërë përpjekje serioze për kërkim falje ndaj familjes Morina që kishte humbur më të dashurin e tyre. “Tani as që dua ta shoh. Këtë do ta dëshiroja vetëm kur të merret vendimi gjyqësor”, tha Morina. Vëllai i dorasit kishte provuar t’i kërkonte falje familjes së Viganit, por kjo e kishte zemëruar edhe më shumë familje Morina. «Një kartolinë me dy reshta nuk paraqet për mua kërkim falje. Ishte jo e dinjitetshme për familjen tonë. Nuk kam mundur fare ta lexoj. Nuk është mirë të iket nga faji“.
Nga dita e kobshme po bëhej shumë e rëndë të përkujtohet datëlindja e Viganit që ishte bërë edhe ditë e vdekjes së tij. Shokët e Viganit kanë organizuar që për ditëlindjen të shkojnë më 15 korrik në Kosovë, te varri i Viganit, që ishte varrosur në vendin e lindjes, në Topanicë të Kamenicës.
Visari i plagosur po i kthehet normalitetit
Ismet Morina ka cituar një shok të Viganit, i cili thotë se: “Ne mund ta harrojmë Viganin, por ai nuk po na harron dhe kujtimi për të gjithmonë mbetet me ne”. Visari ishte ai që më së shumti kishte përjetuar nga kjo tragjedi në familje. Visarit i është dashur kohë t`i rikthehet normalitetit, jo vetëm nga humbja e dhimbshme e vëllait, po edhe për shkak të plagëve që ka marrë nga therja që kishte pësuar atë natë. “Jam tejet i kënaqur me mirëkuptimin që ka treguar punëdhënësi i Visarit. Ai po merret me sport dhe i është kthyer normalitetit. Pasuria më e madhe për mua kanë qenë fëmijët e mi. Kuptojeni, nuk është e lehtë”, thotë i zhgënjyer Morina, duke porositur prindërit për kujdes maksimal të fëmijëve të tyre.
«Shoqëria e pastër, e mirë dhe me kulturë nuk sjell probleme“, porosit prindërit babai i Viganit. „Paramendo të jenë 7 deri 8 shokë dhe të ndodhë para syve të ta therin shokun për vdekje, kjo është tepër e rëndë“, thotë në fund Morina, duke porositur edhe një herë të rinjtë që festimet t’i bëjnë me familje. Vrasja e Viganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhembjeje edhe te shokët e tij.
Vrasja e ndodhur më 15 korrik 2012 pati bërë jehonë të madhe në qytetin e Cyrihut e më gjerë. Me atë rast ishte mbajtur edhe një marsh përkujtimor dhe protestues në vendin e krimit, ku kishin marrë pjesë qindra persona.
Procesi kundër therësit me thikë dhe ndihmësve të tij do të mbahet më 24 qershor. Janë të vogla shanset që Shivan të dënohet edhe me masën ndëshkuese të izolimit. Sipas ekspertizës psikiatrike, ai nuk paraqet rrezikshmëri të lartë për rrethin ose rrezik të përsëritjes së veprës (recidivizëm).