Policia e Kosovës e ka shoqëruar për në gjykatë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti. “Në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në mëngjes policia ka shkuar në banesën ku jeton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe e ka shoqëruar atë në polici”, ka thënë ajo.
Tash për tash, nuk janë bërë të ditura arsyet pse është shoqëruar në polici Ymeri.Një numër deputetësh dhe aktivistë të kësaj partie politike, kohët e fundit janë përballur me ligjin, qoftë për shkak tët sjelljeve të tyre ne Kuvendin e Kosovës dhe përdorimit të gazit lotsjellës, apo për shkak të protestave në rrugë të cilat në disa raste përfunduan edhe në dhunë dhe përplasje me policinë.
Policia e Kosovës përmes një komunikate me shkrim, ka deklaruar se “urdhëresa e nxjerrë në muajin shkurt të këtij viti, ka specifikuar detyrimin për policinë, që të pandehurin V.Y me datën 02.03.2016, në ora 09:30, ta dërgojë në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Gjykatën Themelore”.
DEKLARATA E VETEVENDOSJES
Arrestohet Kryetari Visar Ymeri
Në mëngjesin e ditës së mërkurë, data 2 mars 2016, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë arrestuar në banesën e tij kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymerin.
Visar Ymeri është arrestuar edhe pse gëzon imunitet, si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai është dërguar me forcë në gjykatë, ku është i thirrur si dëshmitar.
Arrestimi i kryetarit të subjektit më të madh opozitar vjen pas qindra arrestimesh të aktivistëve e deputetëve të Lëvizjes në gjashtë muajt e fundit.
Arsyet e kësaj përndjekje mesjetare janë tërësisht politike, duke qenë se për gjashtë muaj me radhë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur të bllokojë marrëveshjet e dëmshme për vendin, atë për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin”.
Të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përfshirë këtu kryetarin Visar Ymeri, shefin e grupit parlamentar Glauk Konjufca apo sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, nuk janë njerëz që arratisen prej Kosovës për t’i ikur drejtësisë, siç bëjnë zyrtarët e lartë të partive në pushtet.
Të gjithë ne jemi të arrestueshëm, ndryshe nga kriminelët dhe multimilionerët e PDK-së dhe LDK-së që janë të paprekshëm. Por nuk do të vijmë vetë në gjyqet politike të urdhëruara nga pushteti. Do të vazhdojmë rezistencën deri sa ta shpërfaqim krejt dhunën policore dhe shumëstandartësinë gjyqësore të këtij pushteti me karakteristika totalitare.
2 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Kosovari says
Nuk e kuptoj përse Vetëvendosja nuk e thotë të vërtetetën për këtë rast.
Sipas RTK Imeri është shoqëruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për seancën për shkak të konfliktit, që në vitin 2012 ai pati me deputetin PDK-së Bekim Haxhiu.
Imeri akuzohet, së bashku me deputetin e Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ish-deputetin Florin Krasniqi dhe shoferin Besart Bujupi kanë sulmuar Haxhiun, i cilit me këtë rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta.
Imerin Prokuroria e ka akuzuar që më 29 qershor të vitit 2012, gjatë pauzes në Kuvendin e Kosovës me të lartpërmendurit kanë sulmuar Haxhiun.
Deri më tani janë mbajtur më shumë se 15 seanca për këtë ngjarje, ndërsa Imeri nuk ishte paraqitur në asnjë.