
Aleksandër Çipa/
Poetët e bëjnë kohën e tyre dhe paskëtaj, fjala e tyre mbetet në pakohësi. Xhevahir Spahiu është poet me kohën e vet në gjithëkohësinë e sotme dhe të ardhme. Për këtë arsye, ai e ka lënë vargun e vet “Koka ime çuditem me ty!”
Lëndesa e njëçastshme e shëndetit, ia la fjalën të fuqishme dhe aq të papeshueshme, edhe pse jeta e fizikshme rrjedh ende në shtatin e tij.
Poeti i rrallë i asosacionit të shpërthimit, të energjizmit dhe vrullit, lirizmit dhe ritmit me lidhje në shpirt dhe liri në zemër, përherë do të na mbledhë me poezinë e vet.
Një mbrëmje të tillë, aq të bukur e me sqimë, e organizoi këtë fundjavë miku i tij poet, oxhakndezuri i “Poeteka”, Arian Leka.
Në murret e asaj salle, ishin printuar foto-portrete të Xhevahirit dhe poezi të printuara nga librat e tij.
Disa fasha elegante muzike, ia vishnin kadifeshëm fjalët e poezive që interpretonin natyrshëm dy aktorë. Poezi të zgjedhura me elegancë dhe tone të fuqishme kuptimësie, të sjella në një lexim të kujdesshëm aktrimi, dhe që peshonin në veshët dhe ndërgjegjen e të pranishmëve, si artefakte sfidante poetike. Si të tilla na erdhën në veshët dhe psiqikën tonë, duke na rikonfirmuar se mbesin në shkëlqim, qysh nga koha në fillim dhe sot në kohën vijuese.
Xhevahiri, përmes shkrepëtimave poetike të fjalës së vet, të krijon një ndiesi mistike, si shenjime të Zotshme në kohën e çdo të gjalli.