(PJESA E PARË)
NDUE BACAJ
Foto nga Konferenca e Paqës në Paris
Data 11 nëntor 1918 , shënoi (zyrtarisht) fundin e Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj aleatët, fituese të luftës, SHBA-ja, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, thirrën Konferencën e Paqës në Paris, e cila filloi punimet zyrtarisht me 18 janar 1919, në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, për të caktuar kushtet e paqës me Gjermaninë dhe aleatët e saj. Një çeshtje e ndërlikuar ishte ajo e Shqipërisë. Nga fundi i luftës, Franca kishte pushtuar krahinën e Korçës, kurse Italia pjesë të tjera të vendit. Konferenca e ambasadorëve në Londër me 1913 ia kishte shkëputur Shqipërisë gjysmën e territorit dhe popullsisë së saj. Pas kësaj, Traktati i fshehtë i Londres (1915) midis Italisë dhe Aleatëve u kishte premtuar Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi, një pjesë të mirë të territorit të tkurrur të Shqipërisë. Një tjetër traktat i fshehtë, Marrëveshja Tittoni-Venizellos midis Italisë dhe Greqisë me 1919, do t’i jepte goditjen përfundimtare coptimit të Shqipërisë (së njohur nga konferenca e ambasadorëve në Londer me 1913). Në këtë mënyrë, në Versajë Greqia pretendoi për territore të tjera në Shqipërinë Jugore, Serbia në Veri, kurse Italia portin e Vlorës me rrethinat. U bë një debat i madh nëse duhej njohur një shtet i vogël e autonom apo ta ndanin atë midis fqinjëve ballkanik. Shqiptarëve tani u duhej të luftonin më shumë se kurr për mbijetesën e tyre si komb….1. Në konferencë morën pjesë gjithësei diplomatë nga 32 vende dhe kombësi. Konferenca ishte e dominuar nga kryeministri francez Georges Clemenceau, kryeministri britanik David Lloyd George, presidenti i SHBA Woodrow Wilson dhe kryeministri italian Vittorio Emanuele Orlando. Konferenca kishte si qellim të parë vendosjen e kushteve të paqës për Fuqitë Qëndrore të mundura, Gjermani, Austro-Hungari e etj. Vendimet kryesore të Konferencës rezultojnë në pesë traktate që riorganizuan hartat e Evropës dhe pjesëve të Azisë, Afrikës dhe Ishujve të Paqësorit, si dhe vendosën “gjoba” financiare (dëmshperblime) për vendet humbëse si Gjermania, Austro-Hungaria etjerë, të cilat si humbëse të luftës nuk kishin zë në diskutimet e Konferencës… Gjithashtu këtu mori “udhë” krijimi i Lidhjes së Kombeve… Katërmbëdhjetë Pikat e deklaruara nga presidenti i SHBA Woodrow Wilson u bënë baza e negociatave dhe vendimeve të Konferencës. Katër përfaqësuesit e ”mëdhenj” do të takoheshin joformalisht 145 herë dhe do të merrnin të gjitha vendimet kryesore përpara se të ratifikoheshin zyrtarisht nga konferenca… Me 28 qershor të vitit 1919, pesë vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, u nënshkrua Traktati i Versajës duke i dhënë fund kësaj Lufte. Konferenca e Paqës e Parisit, e njohur ndryshe edhe si Konferenca e Paqes e Versajës , e cila Gjermanisë me aleatët e saj, në nenin 231, i vendosi të gjithë fajin për luftën.2. Traktati i nënshkruar (me 28 qershor të vitit 1919)…. mori pjesë nga territori i Gjermanisë, i Austrisë dhe aleatëve të tyre, Bullgarisë e Turqisë, dhe krijoi shtete të “rinj”: Poloninë, Çekosllavakinë dhe Jugosllavinë. Ai krijoi edhe Lidhjen e Kombeve për t’i dhënë shtytje bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për të siguruar paqën….3. Pasi u arritë traktati me republikën Gjermane me 28 qershor 1919, e njëjta gjë u bë edhe me aleatët e ish perendorisë së Gjermanisë: Austrinë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Në shtator të 1919, Austria nënshkroi traktatin e Shën Germenit, ndërkohë që dy muaj më vonë Bullgaria nënshkroi atë të Novilit. Për shkak të kryengritjes që ndodhi në Hungari, ky vend nënshkroi traktatin e Trianonit në janar të 1920; dhe për shkak të problemeve edhe më të mëdha të Lindjes së Afërt. Turqia nënshkroi në gusht 1920, traktatin e Savres. Këto traktate u nëshkruan nën mbikqyrjen e Këshillit të Përgjithshëm të fuqive të mëdha, i cili përbëhej nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu këto traktate iu diktuan vendeve të vogla të Ballkanit. Nuk është e nevojshme të përmendet se fuqitë e mëdha mbajtën anën e Serbisë, Greqisë dhe Rumanisë, vende të cilat përfituan në territore kundrejt Austrisë, Hungarisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Turqisë….4. Më konkretisht, Konferenca e Paqes kishte dalë me pesë traktate: Traktatin e Versajës me Gjermaninë, Traktatin e Saint-Germain me Austrinë për Italinë, Traktati i Neuilly me Bullgarinë që u njoh pavarur, Traktati i Sèvres me Turqinë e cila u zhvesh nga të gjitha tokat arabe dhe nga sovraniteti ndaj ngushticave (Bosforit dhe Danardeleve) dhe Traktati i Trianonit me Hungarinë e detyruar të heqë dorë Galicia për t’ia dhënë Polonisë dhe Rumanisë rajonin e Transilvanisë. Në veçanti, Traktati i Versajës me Gjermaninë vendosi: të heqë dorë nga territoret e mëdha koloniale; t’ia japë Alsace dhe Lorraine Francës; të zvogëlojë ushtrinë e saj në 100 000 veta; t’ua paguajë të gjitha dëmet e luftës vendeve fituese dhe Belgjikës; t’ua kalojë aleatëve materialet e ndërtimit të anijeve, materialet hekurudhore dhe industriale, plus furnizimin e qymyrit për dhjetë vjet…. Traktati i Saint-Germain me Austrinë: Në praktikë, Austria u detyrua që Italisë t’ia dorëzonte Trentinon, Alto Adigen, Istrian dhe Pellgun e Epërme të Ishujve. Në vend të perandorisë së vjetër austro-hungareze u formuan republikat e Austrisë, Hungarisë, Çekosllovakisë dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Ndërsa në Detin Baltik, në territoret që dikur i përkisnin Rusisë (pasi i mbante të pushtuara, N.B.), u krijuan shtetet e reja të pavarura të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.5. Serbia e Mali i Zi, megjithse mbanin troje etnike shqiptare të pushtuara që më 1912, ato kërkonin edhe veriun e Shqipërisë, e sidomos Shkodrën. Ndërsa Greqia donte Gjirokastrën dhe Korçën, ndërkaq, Italia e donte Vlorën me rrethinë… Pra, më 1919, Shqipëria e cunguar rrezikonte ndarjen tjetër apo edhe zhbërjen. Fati deshi që presidenti amerikan Woodrow Wilson insistoi në parimin e vetëvendosjes së popujve, me çka përmbyten vendimet që janë marrë më 1915 gjatë Traktatit të Fshehtë të Londrës… Në këtë qëndrim pozitiv të palës amerikane, rol me rëndësi ka luajtur mërgata shqiptare në SHBA me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën….6. Gjithashtu Presidenti Uillson do të refuzonte kategorikisht të firmoste Traktatin e Paqës, derisa garantoi të drejten e Shqipërisë për vetqeverisje.7. Në skenën botërore kishte dalë SHBA-ja, fuqia e re që kishte qenë vendimtare në fitimin e luftës nga aleatet. Pikërisht tek kjo, ishin mbështetur shpresat e Shqipërisë për garantimin e kufijve të saj (të pakten të vitit 1913). Jugosllavia e porsa krijuar dhe Greqia kishin ngritur një serë pretendimesh dhe nuk ishte çudi që kufijtë e 1913 të rrudheshin edhe më shumë. Aq më tepër, që Italia e cila kishte pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj, ishte e bindur për të mos i lëshuar ato. Delegacioni amerikan, me ndërhyrjen edhe të Vatikanit, kishte marrë përsipër mbrojtjen e Shqipërisë. Por dukej se edhe ai vete nuk ishte shumë i qartë. Për të pasur një tablo të plotë, delegacioni i kryesuar nga Presidenti Willson ngarkoi konsullin e SHBA-se në Torino, zotin Jozef Haven të bënte një vizite në Shqipëri. Me letrën e rekomandimit ne xhep dhe me një mandat të Konferencës ëe Paqës, Haven zbriti në Vlore më 1919. Qeveria e Tiranës kishte caktuar për ta shoqëruar, Tefik Mborjen, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe ish Ambasador i Shqipërisë në Romë. Mborja, i cili kishte pasur miqësi edhe më parë me Havenin, kreu një punë të mrekullueshme. Me të mbërritur në Vlorë, Haven hodhi poshtë ftesën e Gjeneral Piacentinit, komandantit italian të qytetit për të qëndruar tek ai. U vendos në shtëpinë e patriotit Qazim Kokoshi dhe më pas në shtëpinë e poetit Ali Asllani. Ai ra në kontakt me parinë e qytetit, e cila e bindi se nëse Italia nuk tërhiqej me dëshirë nga Vlora, problemi do të shkonte në ndeshje të armatosur. Haven mbeti i befasuar nga niveli i intelektualeve vlonjate. Në italisht dhe anglisht, ata i ofruan atij një tablo të panjohur, por mjaft dinjitoze të vendit të tyre. Ai u befasua sidomos kur një delegacion i grave të qytetit e siguroi në italisht, se ato do të luftonin bashkë me burrat nëse bëhej fjalë për të çliruar Vlorën. Konsulli u nis nga Vlora dhe Durrësi si dhe në Tepelenë, ku më të mbërritur, filloi një demonstratë e madhe pro SHBA-së, të cilën ushtria italiane, që mbante qytetin nuk mund ta ndalonte. Haven thotë se ai asnjëherë nuk kishte parë kaq shumë flamuj të SHBA-së, të valëviteshin me entuziazëm në erë. Nga Tepelena kaloi në Gjirokastër, ku Kryetari i Bashkisë Javer Hurshiti, bashkë me Jorgji Meksin dhe Thoma Papapanon, i bënë një pritje madhështore. Ai ishte në shtëpinë e Kryetarit të Bashkisë, kur e lajmëruan se jashtë ishte mbledhur gjithë populli i qytetit për ta përshëndetur. Një delegacion, i përberë nga ish emigrante në SHBA, erdhi për t’i sjellë mjaft dhurata dhe për ta përshëndetur në anglisht. Ai nuk kishte mbaruar ende me ta, kur një tjetër delegacion, i kryesuar nga Lame Kareco dhe Eftim Cako i kërkoi takim dhe i deklaruan se Gjirokastra është tokë greke dhe dëshira e popullsisë se saj është një bashkim i shpejtë me Athinën. Kjo dergatë provokoi mërinë e popullit të mbledhur përpara shtëpisë se Kryetarit të Bashkisë dhe konsulli u bë dëshmitar i një mërie kolektive, që desh përfundoi me vrasjen e delegateve pro greke. Në Përmet, Leskovik dhe Kolonjë, konsulli amerikan u prit me nderime dhe me kërkesën që këto qytete të mbeteshin nën kontrollin e qeverisë së Tiranës. Problemi më i madh që në Korçë ku despoti Jakov dhe një elbasanas i quajtur Efem i bënë thirrje të gjithë të krishterëve të demonstrojnë për një bashkim me Greqinë. Por Haveni u vendos në shtëpinë e një misionari amerikan, të quajtur Kenedi, që e njihte mjaft mirë qytetin. Kenedi e siguroi atë se Korça është thjeshtë shqiptare dhe ketë ja konfirmoi edhe Komandanti i trupave franceze të qytetit. Një konfirmim me të zjarrte mori edhe nga komandanti francez në Pogradec, majori Mortier. Francezi i tha se gjithë popullsia aty ishte shqiptare dhe se shqiptarët janë një popullsi e mrekullueshme, aq sa atij i vinte keq që nuk ishte shqiptar. Pas një vizite po kaq të suksesshme në Vuno dhe Delvine, ku u prit nga Leonidha Frasheri, Jozef Haven përpiloi pjesën e parë të raportit, atë për kufijtë e Jugut. Materiali u dërgua me urgjence në Ambasadën amerikane në Romë dhe që këtej, brenda javës u vendos mbi tavolinën e punës së Uillsonit në Versaje.
Haven vazhdoi vizitën e tij në Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Krujë ku gjeti po atë entuziazëm. Ai shoqërohej kudo nga Tefik Mborja, që duket se luajti një rol kyç. Raporti përfundimtar u hartua një muaj më pas dhe ishte vendimtar për qëndrimin amerikan. Uillsoni nuk pranoi asnjë korrigjim në kurriz të kufijve të Shqipërisë dhe u ngarkua Lidhja e Kombeve të përcaktonte kufijtë fizike të saj…8. Vlenë të shënohet se në pallatin historik u bë vetëm nënshkrimi i traktatit të parë, ndërsa negociatat u zhvilluan në Quai d’Orsay në Paris, gjithashtu, megjithëse Konferenca e Paqës vijoj punimet me intervale deri me 21 janar 1920, procesi formal i paqës nuk përfundoi në të vërtetë deri në korrik 1923, kur u nënshkrua Traktati Lozanës.9. Konferenca e Paqës do t’i njihte Shqipërisë ligjimitetin e vetqeverisjes si komb, Brenda kufijve të përcaktuar me 1913, dhe urdhëroi kombet fqinjë të tërhiqeshin në këta kufij…10. “Presidenti Uillson bëri më shumë se kushdo për pavarësinë e Shqipërisë”. Sa cinike tingëllon deklerata e regjimit komunist ateist shqiptar 65 vjet më vonë se: “Qeveria sovjetike , me në krye Leninin , ishte e vetmja që vertet e mbështeti dhe e mbrojti kombin e shtypur… Kur në të vertet ishte Presidenti amerikan Uillson, aleati i besueshëm i popullit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave kombëtare” (Nalb. 1984, 3:25).11.
SHQIPTARËT DHE KONFERENCA E PAQËS NË PARIS !
REFERENCAT:
1.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.404, Tiranë 1995.
2.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.
3.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.406, Tiranë 1995, Gazeta “Liria, nr.2, dhjetor 1987.
4.Ferdinand Schevill, BALLKANI, Historia dhe Qytetrimi, fq.407-408, sh.b. Uegen, Tiranë, 2002.
5. https://www.voal.ch/18-janar-1919-ne-paris-filloi-konferenca-e-paqes/multimedia/dossier/.
6.https://telegrafi.com/viti-1919-konferenca-e-padrejtesive/
7.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.
9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.
10.Gazeta “Liria, nr.2, dhjetor 1987..
11.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.406-407.