Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me një total prej 152 vitesh burgim për 9 persona, pjesë e një grupi që rekrutonin dhe dërgonin shtetas shqiptarë për të marrë pjesë në luftimet në Lindjen e Mesme.
Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e tjera ligj-zbatuese, ka siguruar prova të mjaftueshme se të pandehurit, kryesisht në vitin 2013, kanë bindur dhe dërguar në Siri qytetarë të ndryshëm shqiptarë, me qëllim bashkimin e tyre me grupet radikale të armatosura që veprojnë në atë zonë.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda, i akuzon të pandehurit për veprat penale, ”Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit”; ”Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe ”Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.
Bazuar në materialet hetimore dhe shqyrtimit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda deklaron se është e provuar që të akuzuarit janë përgjegjës për konsumimin e veprave penale dhe kërkon dënimin: Genc Balla, të dënohet me 20 vjet burgim; Gert Pashai me 20 vjet burgim; Bujar Hysa me 20 vjet burgim; Erjon Reçi me 15 vjet burgim; Verdi Morava me 15 vjet burgim; Astrit Tola me 15 vjet burgim; Edmond Balla me 15 vjet burgim; Fadil Muslimani me 15 vjet burgim; Zeqir Ymeri me 17 vjet burgim. (I pandehuri i Ymeri akuzohet, krahas veprave më sipër, edhe për “Prodhimi dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake)