• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2012

NDAHEN ÇMIMET NE LETERSI- ÇMIMIN E MADH E FITON VISAR ZHITI

December 20, 2012 by dgreca

Shkrimtari Visar Zhiti është nderuar dje, me Çmimin e Madh të Letërsisë për vitin 2011. Ky çmimi i është dhënë zotit Zhiti nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë për vitin 2011. Zhiti është vlerësuar për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik, që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij. Kreu i MTKRS, Bumçi, duke dhënë çmimin e karrierës është shprehur se në të vërtetë ky është çmimi i jetës që i jepet një kalorësi të fjalës së lirë si Visar Zhiti. Sipas ministrit Bumçi, shkrimtari Visar Zhiti sjell kontribut me vlera të qenësishme në Letërsinë Shqipe.
Më tej, gjatë një mbrëmjeje mbresëlënëse letraro-artistike, ka vijuar ndarja e çmimeve të tjera për personalitete të shquara të Letërësisë sonë kombëtare.
Juria e Çmimeve kombëtare të Letërsisë, e përbërë nga: Amik Kasoruho kryetar dhe anëtarët Sali Bashota, Eqerem Basha, Ali Aliu, Arjan Leka, Mimoza Hysa dhe Gentian Çoçoli, evidentoi vërtetë bartësit e vlerave më të mëdha të letërsisë sonë. Siç u shpreh kreu i kësaj jurie prestigjioze, shkrimtari i shquar Amik Kasuroho, “në këtë eveniment gëzohen jo vetëm ata që marrin çmimet, por ndjen kënaqësi të veçantë edhe ai që i jep ato”. Pasi evidenton punën dhe përkushtimin e anëtarëve të jurisë, Kasoruho tha se, me votim të fshehtë janë shpallur fitues të çmimeve kombëtare të Letërsisë 2011 ata që sollën prurje dhe vlera të reja të Letërsisë Shqipe.
Çast vërtetë emocionant ishte marrja e çmimit “Petro Marko” për vitin 2011 nga shkrimtari Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, i vlerësuar për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe. Duke aluduar për ndarjen e këtyre çmimeve në prag të thashemenajës së madhe për Apokalipsin e ditës së sotme, Zija Çela tha se, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” është ai i dhimbjes njerëzore. Në këtë ceremoni mes miqsh, shkrimtarë dhe artistë, ai apeloi që të kujtohemi më shumë për modelet e gjalla, siç konsideroi ai kritikun e mirënjohur Ali Aliu.
Në këtë panteon vlerash, një vend të veçantë zë Çmimi “Faik Konica” 2011 që iu dha studiuesit Shaban Sinani, për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë Shqipe. Duke dhënë këtë çmim Prof. Dr. Ardian Marashi, drejtor i QSA tha se, Shaban Sinani, përveçse me Camajn e madh, Kadarenë e Dritëro Agollin është bashkudhëtar dhe i lidhur ngushtësisht me kodikët e Shqipërisë dhe me Historinë e hebrenjve.
Më tej, çmimi prestigjioz “Migjeni” iu dha shkrimtarit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe. Anëtari i Jurisë, Arian Leka tha se, ky poet sjell modele të reja dhe nivel të spikatur letrar.
Për kontribute e modele të tilla u vlerësuan Moikom Zeqo me Çmimin “Mitrush Kuteli” për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar; poetit Rudian Zekthi me Çmimin “Lasgush Poradeci” për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurrjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare, si dhe shkrimtari Ruzhdi Gole me Çmimin “At Donat Kurti” për librin “Kureshtja për t’u rritur”, duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të Letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.
Çmimi “Gjergj Fishta” 2011 iu dha shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave. Ndërsa, përkthyesit Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli u nderuan me Çmimin “Fan Noli” për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në Gjuhën Shqipe.
Juria e ngritur nga MTKRS vlerësoi gjithashtu me Çmimin “Jusuf Vrioni” përkthyesin e njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumë çmuar të përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të Letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturën franceze.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë për vitin 2011 që u organizua mbrëmë në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë u shndrrua kështu në një manifestim të gjerë kulturor me pjesëmarrjen e qindra shkrimtarëve më të shquar nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, nga hapësira mbarëshqiptare.

Ali Podrimja dekorohet me Urdhërin “Nderi i kombit”

Poeti Ali Podrimja i ndarë nga jeta pak muaj më parë, me kërkesë të ministrit të TKRS-së zotit Aldo Bumçi u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin e lartë “Nderi i kombit”. Dekorata e lartë iu dha Gentian Saliut, nipit të poetit të madh, nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë.

Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letësisë

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Visar Zhiti, për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij.

Çmimi “Petro Marko” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe.

Çmimi “Mitrush Kuteli” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar.

Çmimi “Lasgush Poradeci” 2011
I jepet poetit Rudian Zekthi për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurrjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare.

Çmimi “Faik Konica” 2011

I jepet studiuesit Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë shqipe.

Çmimi “Gjergj Fishta” 2011
I jepet shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave.

Çmimi “Fan Noli” 2011
I jepet përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga Letërsia e huaj, në Gjuhën Shqipe.

Çmimi “Jusuf Vrioni” 2011

I jepet përkthyesit të njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturë franceze.

Çmimi “At Donat Kurti” 2011
I jepet shkrimtarit Ruzhdi Gole me librin “Kureshtja për t’u rritur”, duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të Letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.

Çmimi “Migjeni” 2011

I jepet shkrimtarit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe.(Kortezi RD)

Filed Under: Kulture Tagged With: fiton Cmimin e Madh, Visar Zhiti

Azem Bejtë Galica, jeta dhe lufta e një Legjende

December 20, 2012 by dgreca

Nga Gani Qarri/

Azem Bejta u lind më 1889 në një familje të varfër në fshatin Galicë të Drenicës. Edhe i ati Bejtë Galica ishte një atdhetar i flakët i cili tërë kohën do ta kalonte në luftëra të pareshtura për çlirim nga sunduesit e vjetër dhe shpëtimin e vendit nga pushtuesit e rinj. Ndaj,që nga viti 1870 e deri më 1906,një pjesë të jetës së tij edhe ai do ta kalonte nëpër burgjet e kohës, gjatë sundimit të perandorisë turke.Azemi ishte djali i tretë nga pesë vëllezërit, i cili erdhi në jetë pas martesës së dytë të Bejtës. Shtëpia në të cilën ai u lind , do të digjej e rrënohej disa herë nga pushtuesit turq e sllav,dhe në vendin ku Azem Galica u burrërua,pas përflakjesh e shkatërrimesh të një pas njëshme ajo më nuk do të ekzistonte. Ndaj,kjo edhe do ta bënte Azem Bejtën që ti urrente përgjithmonë pushtuesit e të gjitha ngjyrave, kundër të cilëve ai luftoi gjatë gjithë jetës.

Trimëritë e tij do të fillonin qysh në moshën 11 vjeçare,i cili sa herë vizitonte dajat në fshatin Selac, dëgjonte rrëfime të frikshme nga më të ndryshmet për një kriminel serb që u bënte shumë zullume shqiptarëve dhe i gjithë fshati frikësohej prej tij.

Trimi ynë pasi që do ta përcillte me sy disa herë, një ditë derisa ai kalonte përskaj shtëpisë së dajave, e kishte njohur këtë bandit të tmerrshëm, ndaj edhe pse ishte fëmijë vetëm 11 vjeçar,derisa të tjerët kur qëllonin jashtë iknin dhe strukeshin qosheve që të mos takonin atë as me sy, Azem Bejta pa asnjë droje,do të merrte pushkën e dajës të varur në mur dhe për dritare do ta plagoste rëndë kriminelin.

Por, sikur mos të mjaftonte varfëria dhe rritja me plot vështirësi nëpër të cilat kalonte ai dhe familja e tij e vendosur në një shtëpi të vogël të fshatit Galicë, atij përveç skamjes së madhe, do ti binte edhe një barrë tjetër më e rëndë nga momenti i luftimeve të zhvilluara kundër forcave turke më 1906,kur do ti vritej i ati dhe digjej shtëpia, nga sunduesit shekullor otoman.

Ndaj qysh në betejat e njohura të udhëhequra nga trimi Isa Buletini e Idriz Seferi të cilat u zhvilluan më 1910, kundër sunduesve turq në grykat e Kaçanikut dhe të Carralevës, do të merrte pjesë edhe Azem Bejta, lufta e të cilit nuk do të përfundonte aty, por do të zgjaste e zgjerohej edhe kundër pushtuesve të rinj sllav për 12 vite me radhë, qysh nga vërshimi i tyre më 1912 e deri në rënien e tij heroike më 1924 si njëri ndër luftëtarët më të denjë të çështjes sonë kombëtare në këto anë.

Azem Galica ishte dhe mbeti njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj shqiptar të shekullit XX i cili qëndroi fort dhe me vendosmëri të paparë kundër të gjithë pushtuesve të tokave shqiptare duke u ngritur në piedestalin e trimërisë si hero i një përpjekje të drejtë dhe të domosdoshme për mbrojtjen me pushkë në dorë të vendit dhe popullit të tij me një të kaluar plot sakrifica dhe tragjedi gjithëkombëtare, të cilat neve si komb,ku më shumë e ku më pak,për fat të keq, na përcjellin edhe sot.

 

 

Sundimi i të ashtuquajturës, Serbia e parë
(1912-1915)

 

Që nga fillimi i vërshimeve sllave në trojet tona etnike,kur edhe do të fillonin luftimet në Merdare ,si njëra nga pjesët e kufirit që ndante trojet shqiptare me Serbinë, në këto beteja të përgjakshme do të merrte pjesë edhe Azem Galica, me ç`rast,në përpjekjet për pengimin e marshimit të pushtuesve serb në Kosovë, do të binin mijëra luftëtar nga i gjithë vendi. Atë kohë edhe pse shqiptarëve nuk u mungonte trimëria për luftë dhe vullneti për ruajtjen e vendit ,u mungonin armët dhe municionet të cilat nuk i kishin që ta mbronin me sukses atdheun e tyre.

 

Madje edhe ato pakë armë të cilat kishin mundur ti grumbullonin kryengritësit tanë dikur, për të luftuar kundër Perandorisë turke, me një vendim të Fuqive të Mëdha, do tu merreshin gati të gjitha,duke i lënë shqiptarët në momentet më të liga para kërcënimit për okupim nga fqinjët hegjemonist, pa mbrojtje dhe duarthatë mu para fillimit të sulmeve serbe mbi Kosovë.

 

Sikur mos të mjaftonte as kjo, menjëherë pas pushtimit të Kosovës nga serbo-malazezët, okupatorët e rinj filluan një fushat të egër shfarosëse kundër shqiptarëve e sidomos në vitet 1913-1914,tmerri serb do të arrinte kulmin e egërsisë së një pushtuesi të paskrupullt dhe skajshmërishtë barbar,i cili do të niste me ndalimin e gjuhës, traditave, veshjes kombëtare, kthimin me dhunë të shqiptarëve në fenë sllavo-ortodokse, vrasjet në masë, djegiet e shtëpive, pasurisë dhe njerëzve të gjallë, duke organizuar edhe kampe të vdekjes, apo përqendrimi siç quheshin në një variant më të but të fjalës, ku tuboheshin me dhunë dhe vdisnin nën torturat më ç`njerëzore mijëra shqiptar të pafajshëm autokton.

Okupatorët brutal dhe të egër serbo-malazez me programet e tyre asimiluese,gjatë përpjekjeve të tyre antinjerëzore për zhbërjen e etnisë sonë kombëtare në Kosovë, nuk kërkonin vetëm ndërrimin e besimit fetar me forcë nga mysliman e katolik, në sllavo-ortodoks, por ata bënin gjithandej trojeve tona edhe sllavizimin e dhunshëm të emërtimeve në të gjitha vendbanimet shqiptare-fshatra dhe qytete, imponimin e veshjeve serbo-malazeze sipas zonave ku ata sundonin si dhe serbizimin e emrave dhe mbiemrave tanë, me synim për asimilimin e plotë të banorëve autokton shqiptar,në vatrat e tyre shekullore.

Të gjitha këto kryheshin përmes dhunës së egër, e cila zhvillohej e pa penguar mbi kombin tonë,nga pushtuesit sllav,para syve të gjithë Botës. Praktikimi i terrorit dhe torturave vdekjeprurëse nga xhandarmëria dhe ushtria serbo-malazeze, do të arrinte kulmin në Rrafsh të Dukagjinit, ku të gjithë ata shqiptar që nuk pranonin kthimin në sllavo-ortodoks, ndryshimin e veshjes kombëtare dhe sllavizimin e emrave dhe mbiemrave personal e familjar të tyre, shpoheshin në bajoneta të ushtrisë,digjeshin në zjarre të gjallë,dhe nguleshin nëpër hunj gardhi, gjithandej për frikësimin dhe detyrimin e tyre, që të hiqnin dorë njëherë e përgjithmonë nga kombi, gjuha dhe traditat e tyre.

Këtij gjenocidi të pa parë përveç operacioneve të rënda ndëshkimore nga regjimi shumë i ashpër ushtarak,me të madhe do ti kontribuonin  përkrahësit dhe frymëzuesit kryesor të kësaj fushate shkombëtarizuese në troje tona si mitropoliti serb i Pejës Gavrillo Bozhiq dhe ministri i arsimit dhe çështjeve fetare malazeze Mirko Mijushkoviq.

Ndaj,vetëm gjatë periudhës së egër dy-vjeçare 1912-1913,do të vriteshin dhe shpërnguleshin rreth 120 mijë pjesëtar të kombit tonë,digjeshin mijëra shtëpi dhe rrafshoheshin me tokë qindra fshatra shqiptare.

Duke pasur parasysh vuajtjet biblike të shqiptarëve, me të drejtë ato kohëra të rënda për kombin,në gjuhën e popullit njiheshin si Vitet e Kiametit në Kosovë! (“Gjurmime albanologjike”- seria e shkencave historike I. 1971, fq.353,Prishtinë,1972.)
Nga shkaqe të tilla,në këto vite të errëta për popullin  dhe vendin tonë të pushtuar,do të shpërthenin kryengritje të njëpasnjëshme kudo,por më të theksuara ishin ato në rajonin e Drenicës, ku pas një luftimi të ashpër në fshatin Mikushnicë në pranverën e vitit 1913,do të vritej edhe vëllai i Shotës, Dani (Ramadani) si pjesëtar i grupit të Azem Galicës, si dhe burgosej Azem Bejta.

Ai, për vuajtjen e dënimit u dërgua në kampin e Runikut, ku pas shumë torturave mbytjeve dhe tmerreve që ndodhnin aty mbi shqiptarët çdo ditë, familjarët e të burgosurve do të sulmonin kampin, për lirimin e bijve të tyre të cilët vdisnin nën torturat çnjerëzore të pushtuesve serb.

Kështu që ushtria dhe xhandarmëria pushtuese serbe duke zënë shkak nga ky sulm,në shenjë hakmarrje,do ti rreshtonin të gjithë të burgosurit shqiptar të cilët mbaheshin në atë kamp përqendrimi për ti pushkatuar,me ç`rast Azem Bejta do të arrinte që përmes plumbave të pushtuesit të arratisej.

Megjithatë në përpjekjet e tij për strehim pas ikjes nga kampi,ai do të hetohej nga një bashkëpunëtor shqiptar i xhandarmërisë serbe e cila do të vihej në ndjekje të tij,derisa ai i lodhur dhe pa armë e ushqim,do të plagosej dhe kapej në Malet e Drenicës.(Bedri Tahiri, libri ” Azem Bejtë Galica” 1995 Shkëndija Prishtinë)

 

Pas arrestimit të tij, xhandarmëria serbe do ti merrte edhe dy vëllezërit e mëdhenj të Azem Galicës, në shtëpinë e tyre ku ata gjendeshin, dhe në vitin 1913, nga frika e arratisjes së sërishme të Azem Galicës, nuk do ti burgoste më në Kosovë,por që të tre do ti dërgonte në burgun e njohur për siguri të lartë ,dhe më të rëndin e kohës, në Pozharevc të Serbisë.

 

Ikja nga Burgu

 

Por,Azem Bejta ishte ai Ujku i Vjetër, për të cilin nuk kishin rëndësi vetëm hekurat e “kafazit” që do ta rrethonin këtë Luan, as vendi ku ai do të mbahej i mbyllur, por vendimtare për të ishte Zotësia e rrallë njerëzore që ai posedonte dhe trimëria e pashembullt që i kishte dhuruar natyra e cila i mundësonte atij arratisjen nga kazamatet serbe, sado thellë që mund të ishin ato edhe në Serbi, siç ishte Pozharevci i cili gjendet fare afër kryeqytetit serb-Beogradit.

 

Ndaj,pas dy vjetësh torturimi, Azem Bejta me dy vëllezërit e burgosur kishin arritur ta shpërthenin edhe burgun e sigurisë së lartë të Pozharevcit në zemër të Serbisë,kur Azemi në një natë të pranverës së vitit 1915 pas vuajtjeve të rënda e të pa durueshme, do ta tregonte edhe një herë veten, duke befasuar rojet famëkeqe ,thyer dyert e hekurta të burgut në Pozharevc dhe mposhtë pushkët e xhandarmërisë kriminale serbe,e cila atyre do t`u vihej prapa në ndjekje,përgjatë gjithë Serbisë, deri në Kosovën e pushtuar të cilën me zjarr e me hekur, atëkohë e mbanin nën okupim.

 

Madje edhe pse Azem Bejta me dy vëllezërit e tij ndodheshin në vend të huaj dhe të panjohur për ta, me gjithë errësirën e natës, mbikëqyrjen e rreptë të rojeve të burgut, dhe kujdesit të ngritur në shkallën më të lart të sigurisë,destinuar me vendime të veçanta dhe ndër më të rreptat për mbikëqyrje të përhershme dhe në detaje të çdo lëvizje, sidomos të Azem Bejtës, i cili konsiderohej dhe trajtohej si i burgosuri më i rrezikshëm jo vetëm në Pozharevc, por nga të gjithë të burgosurit e asaj kohe që mbante të mbyllur në burgje- Serbia, përkundër të gjitha këtyre masave të veçanta , do të arrinte që bashkë me vëllezërit të arratisej edhe nga ky burg famëkeq edhe pse ndodhej gati në fund të Serbisë.

 

Ai edhe pse i burgosur, i mbajtur ditë dhe natë nën vëzhgim, nën masat më të rrepta të trajtimit,kishte arritur që ti dorëzonte rojet e burgut, tu merrte armët dhe municionin e atyre që për dy vite me radhë e kishin rrahur dhe torturuar barbarisht duke e mbajtur të lidhur në burg dhe pas disa dit udhëtimesh dhe kalimit të qindra kilometrave këmbë, arave të zbuluara dhe maleve të pa njohura të Serbisë, të etur e të uritur dhe të lodhur për vdekje nga ndjekjet e pareshtura dhe udhëtimi i gjatë do të arrinin të ktheheshin në Kosovën e pushtuar dhe Drenicën e tyre të djegur, “shëndosh e mirë”.

Ndaj,me të arritur në Vendlindje, Azem Bejta do të formonte çetat çlirimtare ,eliminonte spiunët- shqipfolës që për ato dy vite të mospranisë së çetave kryengritëse në ato anë, pa asnjë droje për ndëshkim-kishin trashur bashkëpunimin me pushtuesin dhe do të fillonte luftën e hapur kundër xhandarmërisë dhe ushtrisë pushtuese serbe, duke arritur me çetat e tij kreshnike që të çlironin shumë fshatra dhe vendbanime në Drenicë e më tej dhe krijonin edhe një “shtet” të lirë të quajtur Arbëria e Vogël në zemër të Kosovës. Ai gjatë shtegtimeve të tij luftarake,që para burgosjes së tij, nga një vend në tjetrin-nëpër Drenicë ,kishte njohur edhe Shotën me të cilën pas arratisjes nga burgu në vitin 1915, do të martoheshin pa ndonjë dasmë e shpenzime, sipas kushteve të luftës dhe vetëm me disa krisje pushkësh të cilat paralajmëronin bashkimin e tyre dhe të armëve të lirisë,kundër armikut të përbashkët, lufta dhe përpjekjet heroike të të cilëve, nga ajo kohë deri në vdekje më nuk do të pushonin.

 

Djegia e Shtëpisë së Azem Galicës.

 

Që nga arratisja e Azemit nga burgu i Pozharevcit, dhe krijimit të çetës së tij, nga frika e konfrontimeve me kryengritësit shqiptare, xhandarmëria serbe për një kohë kishte pezulluar në heshtje ndjekjen e luftëtarëve kombëtar. Por me të dëgjuar për martesën e Azemit dhe Shote Galicës, me shpresën se ky ishte momenti i duhur që t`a zinin heroin tonë në befasi,vetëm disa ditë pas martesës,ushtar dhe xhandar serb ndërmorën një ekspeditë të ashpër për kapjen e tij.

 

Ndaj,shtëpia e Azem Galicës, shpejt u gjet e rrethuar, kurse në luftimet e rrepta që do të shpërthenin në befasi,u detyruan të merrnin pjesë edhe nëna e Azemit Sherifja si dhe nusja e sapo ardhur Shote Galica, të cilat do të luftonin me ushtarë dhe xhandar të Serbisë deri në orët e vona të mbrëmjes, kur forcat pushtuese serbe të cilat territ të natës  i`a kishin frikën si paralajmërimit të vdekjes, do të tërhiqeshin me bishtin ndër vegë nga fshati Galicë.

 

Por nga përvoja e hidhur me okupatorët e vendit, Azemi dhe bashkëluftëtarët e tij,e dinin se me arritjen e mëngjesit, forcat pushtuese do të ktheheshin përsëri në vendin e krimit, ndaj për tu shpëtuar masakrave serbe, ishin shtrënguar që të gjithë familjarët, përfshi edhe nënën dhe motrën e tij, të largoheshin nga shtëpia.

 

Kështu që Azem Galica, mori me vete nusen e tij Shotën e cila do të vishej në rroba burrash, vente mbi kokë plisin e bardhë kombëtar dhe kapte pushkën e lirisë për të mos iu ndarë më kurrë luftës deri në fund të jetës së saj, si dhe vëllain e vogël 14 vjeçar Ademin për t`iu bashkuar çetës në mal,kurse nëna e Azemit me të bijën do të strehoheshin për rreth pesë vite me radhë tek farefisi,të afërm dhe të njohur gjithandej Drenicës, duke kaluar nga fshati në fshat, pasi që kishin mbetur pa plëng as shtëpi,të djegura dhe shkatërruara nga forcat pushtuese serbe të cilat që të nesërmen kishin zbarkuar sërish me përforcime të reja në Galicë,për të djegur deri në themel shtëpinë e Azemit dhe plaçkitur çdo gjë të mundshme me të cilën paramendohej mbijetesa dhe rikthimi i tyre aty.

 

Ndaj,Azemi, Shota dhe Ademi i ri,me të zbardhur mëngjesi, do ta shihnin me dhembje nga malet ku ata ishin strehuar se si digjej shtëpia e tyre dhe plaçkiteshin edhe ato pak gjëra që ata kishin pasur, nga xhandarët dhe ushtarët e pushtuesit serb, të cilët për t`ua pamundësuar atyre kthimin do ti rrënonin edhe muret e mbetura të shtëpisë deri në themel.

Mjerisht, Azem Bejta dhe pjesëtarët e familjes së tij,kurrë nuk do të arrinin të rehatoheshin më aty, nga lufta në luftë e deri në rënien e tyre për liri, pa mundur ti gëzohen më asnjëherë si duhet vendlindjes së tyre të shtrenjtë dhe fshatit ku ata dikur kishin shtëpinë.

 

Sundimi Austro-Hungarez dhe bullgar në Kosovë (1915-1918)

Në vitin 1916, forcat pushtuese serbosllave do të thyheshin me turp dhe kapitullonin pa asnjë kusht para ushtrisë Austro-Hungareze, e cila do ti përzinte ato nga Kosova dhe trojet e pushtuara shqiptare. Por edhe pas ardhjes së austro-hungarezëve, një pjesë e tokave tona do të pushtohej nga ushtria bullgare, kurse pjesa tjetër nga Austro-Hungaria,me ç`rast Kosova do të ndahej në dy pjesë dhe sundohej prapë nga dy regjime të huaja.

Në ato troje që do të binin nën sundimin austro-hungarezë, shqiptarët do gëzonin shumicën e të drejtave të tyre kombëtare,ku do të hapeshin edhe shkollat në gjuhën shqipe dhe vendosej administrata vendore në to, të cilat gjatë pushtimit serbo-malazez që nga viti 1912 deri më 1915, të gjitha ishin të ndaluara.

Kurse pjesa e trojeve shqiptare të mbetura nën sundimin bullgar nuk i kishin këto të drejta, për ç`shkak, jo rrallë do të konfrontohej, Azem Bejta dhe Shaban Polluzha me këta pushtues.

 

Megjithëse  edhe Austro-Hungaria do të përpiqej për ç`armatosjen e çetave shqiptare, Azem Bejta, gjatë asaj kohe, problemet kryesore  do t`i kishte me pushtuesit bullgar, i cili në pranverën e vitit 1917,edhe pse gjendej vetëm me Shotën dhe vëllain 16-17 vjeçar Ademin,do të zhvillonin luftime të rrepta me xhandarmërinë pushtuese bullgare në fshatin Obri të Drenicës,ku do të vriteshin disa bullgar, por do plagosej edhe Azemi si dhe vëllai i tij i vogël,Ademi.

 

 

Bashkimi i çetave kryengritëse të Drenicës

 

Gjendja e vështirë e shqiptarëve nën pushtimin bullgar dhe qëndrimet e xhandarmërisë Austro-Hungareze për çarmatosjen me çdo kusht të kryengritësve të cilët nuk pranonin ti dorëzonin armët, detyruan Azem Bejtën që në vitin 1917, të takohej në malet e Radishevës me udhëheqësin e çetave të Drenicës veriore Shaqir Smakën me të cilin do të arrinin ujdinë për bashkimin e çetave të tyre.

Por,pas pak kohësh ata do të rrethoheshin nga xhandarmëria austro-hungareze,me ç`rast do të vritej Shaqir Smaka, ndaj, Azem Bejta edhe pse i ri dhe vetëm në moshën 28 vjeçare, do të emërohej udhëheqës i çetave çlirimtare.

 

 

Ngritja e Flamurit Kombëtar në Pejë

 

Duke parë lëvizjet ushtarake dhe politike që zhvilloheshin në përfundim të Luftës së Parë Botërore,kur tanimë ishte e sigurt se Austro-Hungaria po humbiste luftën dhe ushtria e saj pritej të tërhiqej nga trojet tona,komanda çetnike e qeverisë së Serbisë që në vjeshtën e vitit 1917, së pari në Sanxhak e më vonë në pranverën e vitit 1918 do ta dërgonte edhe në brendësi të Kosovës, deri në Dukagjin e Pejë,udhëheqësin çetnik Kosta Millovanoviqin-“Peçancin” me qëllim të përgatitjes së terrenit për ripushtimin e Kosovës nga Serbia.

Ndaj si i lindur në Deçan,Kosta Millovanoviq, fillimisht do të deklarohej me djallëzi dhe rrejshëm se gjoja kishte ardhur që të arrinte një marrëveshje me fqinjët shqiptar me të cilët ishte “rritur” dhe Azem Bejtën e çetën e tij,për luftë të përbashkët kundër forcave austro-hungareze dhe bullgare,duke shpërndarë premtime boshe,se kinse edhe pas çlirimit të Kosovës nga Austro-Hungaria dhe ushtria pushtuese bullgare, Serbia nuk do ta sulmonte, por përkundrazi ,ajo do ta pranonte mëvetësinë e saj dhe t`u njihte shqiptarëve pavarësinë ?!…..

 

Mirëpo, qysh nga gjysma e tetorit të vitit 1918, sapo luftëtarët e çetës së Azem Bejtës, në mes të Pejës dhe Runikut do të zinin rreth 1000 ushtar Austro-Hungarez -rob, çlironin Pejën me rrethinë dhe ngritnin Flamurin Kombëtar Shqiptar në Bashkinë e Pejës ,ku  Azem Galica dhe luftëtarët e tij do të brohoriteshin dhe përshëndeteshin në mënyrë frenetike nga shumë banorë të Pejës me rrethinë,  menjëherë do të ndryshonte edhe qëndrimi i këtij çetniku mashtrues.

 

Azem Bejta nga fundi i tetorit të vitit 1918, të 1000 ushtarët e zënë Austro-Hungarez, do ti përcillte për në Mitrovicë,ku kishin arritur forcat franceze , për t`ua dorëzuar atyre robërit e luftës.

Ndaj, sipas shënimeve të dr. Mehmet Rukiqit, gjenerali francezë Bashle si udhëheqës i atyre forcave, përveç përshëndetjes drejtuar shqiptarëve, dhe mirënjohjes ndaj luftëtarëve kryengritës për trimëri, ai Azem Bejtën do ta nderonte edhe me një shpat-lufte, si falënderim për heroizmat e tij.

 

Por, fatkeqësisht gëzimi e hareja si dhe këngët e vallja kombëtare,që pas disa vitesh prapë zhvilloheshin në liri në trojet tona të rënduara me shumë pushtime edhe kësaj radhe, siç u kishte ndodhë shpesh herë – shqiptarëve të pa fat,nuk do të zgjasnin shumë, pasi që forcat franceze u bënë shqiptarëve edhe një tradhti të madhe, kur pas hapjes së rrugës nga ushtria e tyre, prapa saj vinte -“bisht” e ngjitur, si hija e zezë e vdekjes ushtria serbe me bajonetat e saj të mprehta për vazhdimin e masakrimit të shqiptarëve dhe ripushtimin e Kosovës edhe një herë.

 

Kush ishte Kosta Millovanoviq “Peqanci”:

 

Sipas shënimeve biografike, në disa webseite-interneti,thuhet se ai në vitin 1879, ishte lindur në Deçan dhe rritur në Gurakoc të Burimit(Istogut) i cili nga viti 1892,do të shkonte në Serbi, ku në moshën 21 vjeçare do të ftohej për kryerjen e shërbimit ushtarak atje.

Kurse,në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20,ai do të aktivizohej në të ashtuquajturat grupe të komitëve çetnike-serbe, të cilat bënin luftë diversante dhe kishin për detyrë vrasjen e figurave të njohura shqiptare në Rrethinat e Kumanovës, Shkupit dhe trojeve tjera shqiptare të ish Dardanisë.

Në këtë mënyrë,përmes dërgimit të grupeve çetnike të ashtuquajtura “komitë” Serbia synonte rritjen e ndikimit të saj në terren,pasi që perandoria turke kishte filluar tërheqjet e pjesshme nga territore të ndryshme në Ballkan, dhe ajo pretendonte pushtimin me forcë të trojeve shqiptare edhe në këto anë.

Ndaj,për shërbime të tilla, në vitin 1904, atij do ti epej titulli “Vojvodë”i çetnikëve.

Kjo kishte shtyrë komandën e tyre që në vitin 1910, kur luftërat tona kombëtare do të merrnin hov, dhe trojet e Dardanisë kishin nisur kryengritjet e
tyre të fuqishme për çlirim, Kosta Millovanoviq të dërgohej edhe njëherë në territoret e banuara me shqiptar në rrethinat e Shkupit dhe të Kumanovës, për krijimin e bazave serbe, në territoret që do të çliroheshin nga shqiptarët, në mënyrë që atje të përgatiste grupe luftëtarësh dhe logjistikën e nevojshme për invadimet e ardhshme të Serbisë të cilat do të pasonin gjatë vitit 1912.

 

Kurse, me fillimin e luftës së parë ballkanike,ai do të mobilizohej në armatën e tretë serbe për të luftuar kundër shqiptarëve në Merdare dhe Betejën e Kumanovës, si dhe do të merrte pjesë në okupimin e Rrafshit të Dukagjinit,më tepër me premtime për të drejta të barabarta të shqiptarëve dhe lirin e tyre se sa me ndonjë luftë të fortë, të cilit do ti dilnin në ndihmë edhe banorët e pakët serbo-malazezë ku për fat të keq nuk i mungonin as të njohurit dhe kumbarët shqipfolës, sidomos në rrethinat prej nga ai vinte.

Ndërsa pas shpërthimit të luftës së parë botërore,Kosta Millovanoviq do të shkonte në frontin e Selanikut si ushtar i Serbisë, për tu ngritur në gradën e togerit atje,ku udhëhiqte një divizion.

Ndërsa, pas humbjes së luftës nga ana e Serbisë,të cilës në ikje nga forcat Austro-Hungareze dhe ato bullgare, nuk mundi ti shpëtonte as ndihma, ruse,franceze dhe angleze,ushtria serbe me të gjithë 125 mijë pjesëtarët e saj në ikje e sipër nga këto forca në vitin 1915,do të tërhiqej përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt bregdetit.

Ndaj nga komanda e ushtrisë serbe, Kosta Millovanoviq do të zgjidhej si udhëheqës për tërheqjen e një Divizioni të ushtarëve serb,përmes Shqipërisë në drejtim të detit Adriatik, prej nga do të barteshin me anijet ruse dhe franceze së pari në ishullin Korfuz për tu vendosur më vonë në frontin e Selanikut( Wikipedia-Kosta Millovanoviq -peqanac)

Tërheqja e ushtrisë serbe bëhej në marrëveshje me Esat Toptanin dhe ndihmën e përkrahësve të tij, pasi që Kosta Millovanoviq (Peqanci)jo vetëm se e njihte mentalitetin e shqiptarëve, por ai e fliste edhe gjuhën shqipe mirë.

Tërheqja përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të zgjaste nga nëntori i vitit 1915 deri në Janar të vitit 1916(Wikipedia- “Milan Nediq”)

Në verën e vitit 1916,sipas porosisë së komandës çetnike, ai do të shkonte në rajonin e Toplicës,gjoja për të ndihmuar në organizimin e kryengritjes guerile dhe luftuar kundër ushtrisë bullgare e cila atë kohë kishte pushtuar disa pjesë të banuara me serbë pranë kufirit me Bullgarinë.

Në Toplicë dhe rrethinë, ai do të qëndronte deri nga fundi i vitit 1917,kur do ta tradhtonte edhe bashkë-organizatorin e atjeshëm të luftimeve,Kosta Vojinoviqin i cili i kishte filluar që më parë luftimet me bullgarët në ato anë.Por, me gjithë pritjet e mëdha, përveç ndonjë aksioni të pa qëndrueshëm dhe disa djegieve e shkatërrimeve, pas të cilave tërhiqej shpejt me përkrahësit e tij,Kosta Millovanoviqi, jo vetëm se nuk do të ndihmonte, por ai edhe do ta sabotonte keq luftën e udhëheqësit vendor Kosta Vojinoviq si dhe do të humbiste shumicën e betejave dhe gati të gjithë ushtarët e tij në luftime me bullgarët në rrethinat e Toplicës.

Madje, pas zgjerimit të ofensivës bullgare nga Nishi në drejtim të Leskovcit dhe gjithë hapësirat e Toplicës,atij nuk do ti mbetej  më vend askund, përveç se me rreth 100 pasuesit e mbijetuar të tij, në pranverën e vitit 1917, me arsyetimin se dëshironte t`a pushtonte Sanxhakun, Rrafshin e Dukagjinit dhe Pejën,të largohej përfundimisht nga luftimet në ato anë, duke lënë të vetmuar ish bashkëluftëtarin dhe bashkë-organizatorin e kryengritjes guerile, Kosta Vojinoviq në gjysmën e aksionit të nisur bashkë kundër bullgarëve, mu në momentin kur udhëheqësi vendor Kosta Vojinoviq, do të binte nën rrethim, i cili edhe do të vritej nga bullgarët.(bënte vetëvrasje-sipas serbëve). (Wikipedia-“Kosta Millovanoviq-Peqanac” )

Pas formimit të mbretërisë serbo-kroato-sllovene më 1 Dhjetor të vitit 1918, ai do ti shërbente një kohë kësaj qeverie në shuarjen e kryengritjeve shqiptare në Kosovë deri nga viti 1923?..

Tradhti të njëjta dhe të ngjashme ai do të bënte gjatë gjithë jetës së tij, të cilat nuk do të pushonin as gjatë luftës së dytë botërore,pasi që sa herë dështonte në aksionet e nisura, ai kërkonte ndonjë palë më të fuqishme për të hyrë në shërbim të saj.

Ai në këtë kohë së pari ishte afruar me të ashtuquajturën “qeveri e shpëtimit kombëtar” të kryeministrit serb Millan Nediq,  29 gusht të vitit 1941- 4 tetor të vitit 1944, nën pushtimin gjerman,por para se ti afrohej atij ai  , do tu ofrohej edhe gjermanëve për luftimin e partizanëve,por që pas një kohe të shkurtër edhe gjermanët do ta përzinin nga radhët e tyre.

Pas këtyre aventurave ai do ta provonte një aventurë tjetër edhe më të rrezikshme, duke u përpjekur që  përmes shërbimeve që u ofronte gjermanëve ta vriste edhe Drazha Mihajloviqin,për të zënë vendin e tij dhe bërë udhëheqësi i vetëm i të gjithë çetnikëve të Serbisë.

Por pas dështimit të kësaj tentative i përbuzur nga gjermanët dhe qeveria e Milan Nediqit e cila pas rreth 5 muaj edhe ajo do të binte,Kosta Millovanoviq do të mblidhte rreth 100 pasuesit e mbetur të tij,të cilët të shumtën e rasteve, nuk e kaluan këtë numër asnjëherë, dhe një shumë të madhe parash prej 700.000 marka gjermane në ari, që ai atëkohë posedonte,tani për t`iu bashkuar forcave të Drazha Mihajloviqit.

Mirëpo për shkak të përpjekjeve që Kosta Millovanoviq kishte bërë për vrasjen e Drazha Mihajlit, ky i fundit do ti dërgonte tre oficer të tij, kinse për ta pranuar Kosta Millovanoviqin,me urdhër për marrjen e parave dhe vrasjen e tij, i cili edhe do të pushkatohej me urdhrin e Drazha Mihajloviqit, nga të dërguarit e Drazhës në fund – Maj, të vitit 1944, afër vendit të quajtur Soko-banje, në Serbi.

Por ti qasemi edhe një herë, kthimit të tij në Kosovë;

Pasi që Kosta Millovanoviq,i cili veten do ta quante(Peqanci) sipas qytetit të Pejës me arsyetimin se gjoja vinte nga andej,e që për fat të keq edhe disa shqipfolës me dëshirë e quajnë edhe sot (peqanac) megjithëse mbiemri i tij, ishte Millovanoviq, një kohë kishte qëndruar në Serbi dhe duke mos pasur sukses në luftime,tani ishte ofruar në anën e Austro-Hungarezëve, për të luftuar kundër forcave bullgare,i cili sipas shënimeve të biografisë së tij në wikipedia, kishte arritur që në tetor të vitit 1917, disa nga trupat e tij çetnike ti infiltronte në forcat Austro-Hungareze, infiltrim ky, të cilin ai si çetnik i rryer që ishte, duhet ta ketë përdorur edhe për kthimin në Kosovë, në pranverën e vitit 1918, që të përgatiste terrenin, për riokupimin e saj nga Serbia.

Kurse pas okupimit, për një kohë bukur të gjatë, ai do të përpiqej që ti shuante kryengritjet shqiptare në Kosovë,të cilave deri në vitin 1924 do tu printe Azem Galica.

Ishte koha kur Austro-Hungaria gjendej para tërheqjes kurse forcat franceze sapo kishin mbërri në kufijtë e Kosovës,marshimin e të cilave përpiqej me shumë mjeshtri ta shfrytëzonte Serbia, për depërtimin e saj në Vendin tonë. Ndaj, kryengritësit shqiptar,me gjithë premtimet serbe e franceze,që me kohë kishin dëshmuar vendosmërinë e tyre për luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës, që nga fillimi i tentimeve të para për pushtimin e saj.

Ndaj oficerët serb duke njohur trimëritë e Azem Galicës,ishin munduar që  prezencën e forcave franceze t`a përdornin edhe si garantues për premtimet e tyre, kinse Azem Bejtën ata do ta bënin “Vojvodë” (udhëheqës) të Kosovës,nëse ai do të pranonte pushtimin e saj nga Serbia.

Por,Azem Bejta i dëshpëruar nga tradhtia e francezëve dhe pabesit sllave të cilat nuk njihnin fund as kufij,do tu përgjigjej prerë dhe i vendosur të dy palëve se hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë,në çfarëdo mënyre qoftë,nënkuptonte luftë për shqiptarët,dhe ata ishin të vendosur që sundimin e askujt, kurrë më të mos e njihnin as pranonin mbi atdheun e tyre të shtrenjtë.

Madje për tu par edhe më qartë qëllimet e okupatorëve sllav,me të arritur të ushtrisë serbe pas asaj franceze në Mitrovicë, do të urdhërohej shkarkimi i kryetarit të saj shqiptar,Ibrahim Deva,dhe vendosja e një sllavi me emrin Jovan Kotorr në vend të tij.

Mirëpo,Azem Bejta, do tu përcillte një ultimatum qeveritarëve serb, që brenda 24 orësh të rikthehej ish kryetari  i saj shqiptar në Mitrovicë,ose ai do ta niste luftën me ta.

Mjerisht,ky ishte vetëm fillimi i keq i një periudhe të errët që atëbotë i përgatitej Kosovës dhe trojeve tjera nën pushtim,kur me të marrë lajmin se forcat serbe pas atyre franceze, kishin arrit deri në Mitrovicë,i trimëruar nga kjo informatë, udhëheqësi kriminel i çetnikëve serb, Kosta Millovanoviq (Peqanci) jo vetëm se do ta mohonte lirin e Kosovës, por ai do ta urdhëronte edhe ndihmësin e tij,për heqjen me forcë të Flamurit Shqiptar nga Ndërtesa e bashkisë së Pejës, të cilin e kishte vënë Azem Galica, me ç`rast do të vinte deri tek gjakderdhja në mes të luftëtarëve shqiptarë dhe çetnikëve serb, ku do të vritej ndihmësi i Kosta “Peqancit” por edhe vëllai i Shote Galicës, Rexhepi, në mbrojtje të Flamurit Kombëtar.

Kthimi i Kosta Millovanoviqit- Peqancit në Kosovë dhe rrafsh të Dukagjinit, për të cilin siç u cek më lartë, thuhet se ishte i lindur në Deçan dhe rritur në Gurakoc të Burimit (Istogut) me pretendime për ripushtimin e Kosovës dhe hakmarrjen ndaj shqiptarëve, për gjoja se, ata dikur ia paskan vrarë të atin, i kishte shqetësuar pa masë të gjithë shqiptarët e këtyre trojeve.

Ndaj,duke parë se tokat tona po ripushtoheshin përsëri nga sllavët, populli shqiptar në masë të madhe do ti bashkohej luftës së Azem Bejtës, kështu që në fillim të vitit 1919, ai udhëhiqte disa mijëra luftëtar, i cili në bashkëpunim me Sadik Ramën, falë edhe ndihmës së Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës me seli në Shkodër, që furnizonte kryengritësit me armatim e municion, do të organizonin një kryengritje të fuqishme, duke çliruar pjesën më të madhe të Rrafshit të Dukagjinit.

Ndaj, në shenjë hakmarrje ndaj tij, në vitin 1920, xhandarmëria serbe, e nxitur edhe nga naçellniku i Mitrovicës, (Jovan Kotorri),do ti pushkatonte nënën dhe motrën e Azem Galicës,me të cilin Jovan Kotorri, kishte hesape të vjetra që kur Azem Bejta e kishte përzënë nga zyra dhe urdhëruar shkarkimin e tij brenda 24 orësh për rivendosjen e kryetarit shqiptar në Mitrovicë.

Ndaj për shpagimin e vrasjes së Nënës dhe Motrës së Azem Galicës,pa kaluar shumë kohë, Shota me të vëllain do ta nxirrnin Jovan Kotorrin nga shtëpia, midis qytetit të Mitrovicës para hundëve të rojeve serbe që kujdeseshin për të, dhe vrisnin kriminelin serb, gruan dhe asistenten e tij të cilat jo vetëm se ndihmonin dhe merrnin pjesë në organizimin e vrasjeve por edhe bënin propagandë çetnike, për shfarosjen në masë të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera nën pushtim.

Ndaj, rezistenca për çlirimin kombëtar të Kosovës dhe kryengritjet e armatosura të shqiptarëve,nuk do të pushonin asnjëherë dhe për asnjë çast,derisa do të zgjasnin pushtimet. Kryengritjes së Azem Bejtës iu përgjigjën shumë luftëtarë jo vetëm nga Drenica por edhe nga të gjitha trojet tjera të cilët përveç luftimit të pushtuesit,kishin për detyrë t`u kundërviheshin edhe shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve për në Turqi,ta luftonin kolonizimin e Kosovës me sllav të ardhur nga Serbia e Mali i Zi dhe pengonin asimilimin e pjesëtarëve të kombit tonë nën pushtimin e serb.

Serbia,në mënyrë që ti kontrollonte më lehtë shqiptarët, do të provonte që ti merrte me dhunë djemtë e tyre në ushtri, por Azem Bejta me bashkëluftëtarët e tij i kishte ftuar me kohë të rinjtë shqiptar që tu bashkoheshin çetave çlirimtare, dhe të mos u përgjigjeshin ftesave për shërbim në ushtrinë pushtuese sllave.

Ndaj ai dhe bashkëluftëtarët e tij do të përcilleshin këmba këmbës nga forcat e okupatorit, kështu që në muajin shkurt të vitit 1920,çeta e Azem Bejtës do të rrethohej nga rreth 500-600,forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe në fshatin Gradicë të Drenicës me ç`rast do të zhvilloheshin luftime të ashpra, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, ku luftëtarët shqiptar,përveç se do të arrinin të vrisnin rreth 30 ushtar dhe xhandar të pushtuesit,ata do ta qanin edhe rrethimin serb, duke tërhequr një pjesëtar të vrarë të çetës dhe disa bashkëluftëtar të plagosur në luftimet e zhvilluara.

Krijimi i “Arbërisë së Vogël”

Pas një qëndrese mbi 5 vjeçare dhe luftimeve të pareshtura që me arratisjen e tij nga burgu i Pozharevcit në vitin 1915, Azem Bejta me çetën shqiptare, në qershorin e vitit 1920 do ti detyronte forcat pushtuese serbe,të lidhnin një marrëveshje për krijimin e shtetit të tij, sipas të ashtuquajturës “Marrëveshje mbi Zonat e Lira”

Kështu që,nga bisedimet në mes të forcave pushtuese serbe dhe çetës së Azem Bejtës, do të arrihej që të formohej një “shtet” i lirë në Drenicë,i cili atëbotë u quajt “Arbëria e Vogël” si shteti i parë i këtij lloji në rajon i cili për ushtri kishte çetën me luftëtar shqiptar për mbrojtjen nga ndërhyrjet e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe në territorin e lirë të “Arbërisë”.

Aktiviteti luftarak i Azem Galicës,Bajram Currit e Hasan Prishtinës dhe kryengritësve tjerë shqiptar,kishte bërë që në atë kohë, nga 9 nëntori i vitit 1921, me vendimin e Fuqive të Mëdha, të krijohej edhe një zonë e lirë për shqiptarët nën pushtim e cila do të quhej “Zona neutrale e Junikut”.

Ajo përfshinte disa fshatra përreth si Brovinën, Ponoshecin ,Mulliqin Shishmanin, Babajn e Bokës,Popcin, Kosharen etj, hapësirë e cila shtrihej nga Qafa e Morinës e deri në grykë të Deçanit.

“Zona neutrale e Junikut” do të ekzistonte deri në muajin shkurt të vitit 1923,kur sipas kujtimeve të Hajriz Demakut ish luftëtar dhe anëtar i moçëm i “Lëvizjes nacional demokratike shqiptare”,me nënshkrimin e Cana Beg Kryeziut në Beograd, si përfaqësues i atëhershëm i Shqipërisë, kjo zonë do ti epej Serbisë,për ruajtjen e së cilës gjatë gjithë kohës kishte luftuar edhe Azem Bejta me çetën e tij.

Edhe “Arbëria e Vogël” në fillim do të shtrihej në gjithë territorin e komunës së Prekazit duke përfshi mbi 10 fshatra përreth, por që kohë pas kohe, sidomos kur çeta e Azem Bejtës duhej ti vinte në ndihmë  “Zonës neutrale të Junikut”e cila mbijetoi për tri vjet, nga sulmet e shpeshta që organizonte ushtria dhe xhandarmëria serbe edhe shteti i Azem Bejtës, përgjatë kësaj periudhe nga qershori i vitit 1920 deri nga fillimi i vitit 1924,do të ngushtohej në tri fshatrat e fundit: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.

Ndaj, siç kishte vepruar gjithmonë për fitim kohe dhe tradhti, Serbia edhe marrëveshjen për krijimin e “Arbërisë së Vogël” do ta shfrytëzonte për vrasjen e udhëheqësve të dalluar të çetave kryengritëse me të holla e mashtrim, si dhe ngushtimin e këtij “Shteti të Lirë” pak nga pak,qoftë edhe përmes zaptimit nga lagja në lagje e fshati në fshat deri te vrasja e Azem Bejtës më 1924,dhe shuarja e tërësishme e Arbërisë.

Shqiptarët e pezmatuar sidomos pas rënies së “Zonës neutrale të Junikut” me nënshkrimin e përfaqësuesit të qeveris shqiptare dhe bashkëpunimit të saj me Serbinë, mblodhën forcat e tyre nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe në Qershor të vitit 1924,nisën nga Kruma një kryengritje duke marrë Tiranën dhe rrëzuar Ahmet Zogun, me ç`rast ai do të ikte në mbretërinë atëhershme jugosllave.

Por as Serbia, gjatë asaj kohe nuk do të rrinte duarkryq, ajo pas një viti e gjysmë të shuarjes së “Zonës neutrale të Junikut” dhe mbi katër vitesh ekzistence të Arbërisë së Vogël,në fillim të muajit korrik të vitit 1924,ushtria dhe xhandarmëria pushtuese e saj, do të grumbullonte forca të mëdha nga garnizoni ushtarak serb në Shkup dhe qytetet brenda Serbisë,me armatime të rënda dhe topa modern luftarak, së pari në Mitrovicë,ku do të mobilizoheshin edhe shumë xhandar dhe kolon serbo- malazez duke propaganduar se gjoja ushtarët e grumbulluar të tyre, do të dërgoheshin në kufi me Shqipërinë,për shkak të gjendjes së paqëndrueshme atje ,pas rrëzimit të qeveris së Ahmet Zogut në qershorin e atij viti.

Por, marshimi i ushtrisë pushtuese serbe,i filluar natën nga Mitrovica në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Vojtesh, do të kthehej në drejtim të Galicës dhe “Arbëris së Vogël” duke rrethuar pas mesnatës të tri fshatrat ende të lira, Galicën, Lubavecin dhe Mikushnicën.

Serbia kishte dërguar atje mbi 1000 trupat e saj më të stërvitura dhe më të mirë-përgatitura si dhe oficerët më të zot për luftime,me qëllim të shuarjes definitive si të Arbërisë së Vogël, ashtu edhe të lëvizjes kryengritëse të shqiptarëve në përgjithësi.

Megjithëse sulmet serbe do të fillonin herët, që para agut të mëngjesit,me të gjitha llojet e armatimeve të rënda dhe nga të gjitha anët duke u munduar që ti zinin luftëtarët e Azem Bejtës në befasi,përkundër dëmtimeve nga topat e ushtrisë pushtuese serbe, Azem Bejta me disa nga bashkëluftëtarët e tij, do të arrinte që ta qante rrethimin e hekurt trepalësh të cilin e kishte vënë ushtria, xhandarmëria dhe vullnetarët serbo-malazez.

Por, për fatin e keq të shqiptarëve, lëvizjes së tyre kryengritëse dhe vetë Azem Bejtës, gjatë qarjes së rrethimit kur ata tanimë ndodheshin pranë fshatit Mikushnicë, një plumb i armikut do ta qëllonte në xhepin e lëkurtë të fishekëve rezervë, të cilin Azem Galica e mbante të lidhur në brez, me ç`rast do të eksplodonte duke i shkaktuar dëmtime të rënda në boshtin kurrizor dhe bërë të pa lëvizshëm gjithë trupin e tij.

Megjithatë, përkundër vrasjes dhe plagosjes së shumë bashkëluftëtarëve të Azem Galicës, ashtu siç edhe ishin betuar, Shota me luftëtarët e mbetur, do të arrinin që ta tërhiqnin Azem Bejtën e plagosur,për të mos lejuar që ai të binte në duart e pushtuesve sllavë, i gjallë as i vdekur të cilin përkohësisht do ta vendosnin në kullat e Sadik Ramës së Gjurgjevikut, me shpresë që në momentin e parë të mundshëm, ta dërgonin për shërim në Shqipëri.

Mirëpo, gjendja e tij sa vinte e keqësohej dhe pas 10 ditësh vuajtje, ai do të mundej nga plagët e rënda që kishin dëmtuar pjesët më vitale të trupit të tij,kështu që më 25 Korrik të vitit 1924, heroi i kombit-Azem Bejta do të mbyllte sytë përgjithmonë.

Ndaj,trupi i tij i pa jetë, me ndihmën e disa litarëve do të lëshohej në thellësitë e një shpellë të fshehtë të cilin edhe përkundër shumë përpjekjesh nuk do të mund ta gjenin asnjëherë forcat pushtuese serbe.

Madje edhe pas vdekjes së Azem Bejtës,nuk do të shuhej as çeta çlirimtare e tij,të cilën për më tepër se dy vjet me radhë,do ta udhëhiqte Shote Galica, deri në sëmurjen e saj, dhe vdekjen e shumë bashkëluftëtarëve të mbetur pa municion e armatim,ngase pas rikthimit të tij në pushtet, Ahmet Zogut do ti ndalonte ato rreptësishtë për kryengritësit shqiptar nën okupim.

Ndaj,shkëlqimi i veprës dhe historisë së luftërave çlirimtare që udhëhoqi Azem Bejta, me gjithë përpjekjet e bashkëpunëtorëve jo të paktë të okupatorit serb dhe pasardhësve të tyre, për njollosjen e heroizmave të tij,veprat e tij për atdheun dhe kombin nuk u tjetërsuan asnjëherë dhe u ruajtën të pastra e të papërlyera deri në ditët tona. Kështu që me arsye dhe plot të drejtë, fjalët aq domethënëse të tij ,drejtuar spiunëve dhe tradhtarëve të kombit qysh në atë kohë,do të ktheheshin nga rapsodët në këngë, të cilat edhe sot japin fuqishëm dhe me zë këtë porosi:

“Azem Bejta ka pas thanë,

Burrë i mirë kush donë me kanë,

Punëve t’kçia hyzmet s’u ban,

Se vjen dita e i bjen pishman”.

———————————————————–

Burimet:

1. Wikipedia

2.www.dardania webmaster “Azem Galica” 17 Maj 2011

3. Bedri Tahiri “Azem Bejtë Galica” botuar më 1995 Shkëndija,Prishtinë.

4. “Gjurmime albanologjike”-seria e shkencave historike I.1971,fq.335. Prishtinë,1972

5 Bedri Tahiri “Azem Bejta dhe lëvizja kaqake gjatë viteve 1915-1918″ Zëri i Kosovës 28 qershor 2011.

6 . (http://www.mergimtari.ch/AzemGalica/SHOTA1.jpg)

7. Dr. Mehmet Rukiqi, Si negocioi Azem Galica me serbët për pavarësinë e Kosovës.

Gani Qarri, Nxjerr nga libri “Vrasje Idealesh”

Filed Under: Histori Tagged With: azem galica, Gani Qarri

NË AUTOSTRADËN E DY VEPRAVE TË SHKRIMTARIT DHE STUDJUESIT ARIAN KADIU

December 20, 2012 by dgreca

Esse- Nga Lutfi HANKU/

studjues, shkrimtar/

Më tërhoqën vëmendjen veprat e fundit shkencore, enciklopedike  të shkrimtarit dhe studjuesit prof.dr. Arian Kadiut, “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël” dhe “100 vjet Pavarësi, 100 figura dibranësh”. Shkrimtari i talentuar ka lindur në lagjen Dublec të Peshkopisë së Dibrës. Filloi që të shkruajë  që në moshën shkollore i përkushtuar dhe me bindje  optiimiste për t’u bërë shkrimtar.

Mosha e njomë i ngjalli kureshtjen  për të zbuluar të fshehtat e magjishme të botës së tij dhe, duke ndjerë rritjen e ndijimeve poetike. Më vonë në botën krijuese  shpërthejnë si  vjollca aromatike, metafora mes subjekteve që filloi t’i hedhë në letër imazhet e përftuara.

Në fëmijëri botoi në gazetën “Pionieri”. Në shkollën e mesme pedagogjike ka botuar shkrime kritike. Ato vlerësoheshin nga mësuesit e shkollës dhe shokët e shoqet. Në maturë shkroi hartimin më të bukur, që mësuesit e letërsisë e paraqisnin në maturat e mëvonshme si model që duhej ndjekur.

Pas përfundimit të pedagogjikes, punoi mësues në të gjitha hallkat e sistemit arsimor. Detyrën e mësuesit e ushtroi në shkollat 8-vjeçare të Grevës e Melanit, në shkollën e mesme të Kastriotit, dhe mësues i jashtëm në pedagogjiken e qytetit të Peshkopisë. Ai mbaroi Universitetin në degën e gjuhë-letërsisë

Bashkë me Universitetin kreu njëherësh një kurs dy vjeçar gazetarie. Punoi 3 vjet gazetar dhe redaktor në gazetës “Mësuesi”.

Gjyshi i tij ka shërbyer “Kadi” në Peshkopi, një burrë që përmendet ende për urtësi, mençuri natyrale dhe si falësh gjaqesh.

Babai i tij ishte intelektual. Disa vite studjoi në Itali, në Napoli. .Zotëronte italishten letrare. Nëna e tij ishte bijë e fisit Hajdaraga,  me origjinë nga fisi Gropaj, bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Jetonin në Dibër të Madhe.

Bashkëpunoi me gazetën “Studenti” dhe ishte edhe redaktor i saj. Botonte në gazetën “Rinia” dhe tek “Mësuesi” ku mori emër. Shkrimet e tij, kryesisht arsimore e sociale, reportazhe e përshkrime, transmetoheshin nga Radio -Tirana.

Në Tiranë, me grupe të rinjsh intelektualë, lexonin edhe letërsi “dekadente”. Edhe Ariani u etiketua “modernist”, kur u zhvillua Konferenca e talenteve të reja në Korçë. Bashkë me pak të tjerë e kritikuan në raportin e saj dhe e dërguan në Peshkopi, ku punoi në Shtëpinë e Pionierit dhe në Kabinetiin Pedagogjik.

Më 1990 filloi punën  shkencore në Institutin e Studimeve Pedagogjike në Tiranë, si specialist kombëtar i letërsisë. Më 2005 si u largua nga Instituti ka dhënë leksione në Fakultetin e Infermierisë, në UT. Pas gradave “kandidat i shkencave”, “Doktor i shkencave” (1991,1994), më 2004 iu dha grada shkencore “Mjeshtër kërkimesh” (prof.ass), më 2007 iu dha titulli shkencor “Profesor”. Ai është kryeredaktor i revistës “Univers” dhe sekretar kolegjumi i revistës “Mjekësia dhe infermieria bashkëkohore”. Gjithashtu është aktiv për probleme të reformës arsimore dhe letërsisë.

Në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, Ariani u nderua nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë me titullin “Qytetar Nderi”.

2.

Në gjithë këto vite ai nuk e ka ndërprerë për asnjë çast veprimtarinë krijuese e atë shkencore dhe është i pranishëm edhe në faqet e shtypit. Deri tani me emrin e profesorit  rezatojnë 32 vepra artistike, shkencore dhe tekste shkollore: 10 botime shkencore, 12 vepra të letërsisë artistike dhe 10 tekste shkollore për arsimin parauniversitar dhe për atë pasuniversitar.

Nga librat studimorë shkencor po veçoj dy të tillë: ‘’Midis alternativave: shkolla private (jo publike)’’, i pari i këtij lloji në vendin tonë dhe  studimi tjetër ‘’Adoleshentët dhe tranzicioni’’, për të cilat është shkruar jo edhe në shtypin pedagogjik dhe kanë gjetur aplikim në shkollat tona, në Shqipëri.

Në librin tjetër ‘’Hape portën e artë të leximit’’ buron mesazhi i bukur e bashkëkohor se të lexuarit është gur themeli për suksesin e fëmijës në shkollë e madje gjatë gjithë jetës së tij. Pa fituar aftësinë për të ditur të lexojë mirë, të njohë teknikat bashkëkohore, etj, mundësinë për realizimin e vetvetes dhe për arritjen e suksesit profesional, pa dyshin që ata e lanë më të pakët.

.         Nga letërsia artistike po veçojmë:

Romani fantastiko – shkencor “Pas takimit me alienët” është një vepër tipike për nxënësit, ku tregohet për aventurat e një shkollari në botën reale fëminore dhe në atë të krijuar nga shkrimtari. Ky roman fanastiko-shkencor është shumë tërheqës, sepse autori e çon heroin e tij  në aventura mjaft interesante që të ngjallin kureshtje me befasirat e këndshme. Ky është edhe mendimi i lexuesve që u adresohet.

Përralla-novelë “Aventurat e pabesueshme të Batos” është një vepër artistike, fantastike, shkencore, e dallueshme nga vepra e tjera të këtij lloji. Përralla-novelë që në fillim na befason me gjetjen e bukur: ajo përshkruan aventurat e një djali me fletë, që quhet Bato. Kështu ai është me fletë nën  sqetulla dhe “trimëritë” e tij janë kaq të mëdha sa edhe zgjuarësia e tij, që shpalosen kapitull pas kapitulli.

Vëllimi ‘’Trishtimi i blertë’’ përmban 4 novela për moshën e rritur shkollore. Tematika e tyre është e njëjtë: atdhedashuria, pra dashuria për Atdheun dhe mbrojten e trojeve amtare. Janë domethënëse edhe titujt e vetë novelave  si: ‘’Zambakët e liqenit’’, ‘’Guri i vashës’’, ‘’Grushti i fundit’’ dhe ‘’Buzëqeshja e Kosovës bleron edhe gurin’’. Dy novelat e para e marrin subjektin nga legjendat e Dibrës, e treta për marrëdhënimet me fqinjët dhe e katërta nga Kosova.

Disa botime të tij (rreth 8) bëjnë pjesë në listën e rekomandimeve të MASH për leximet jashtëklase. Këtu nuk po përmend edhe faktin se disa tregime të tij janë përfshirë në tekstet shkollore.

Nga tekstet shkollore po përmendim:‘’Gjuha 4’’, ‘’Gjuha shqipe 6’’ dhe ‘’Gjuha shqipe 8’’

Është autor e bashkëautor në 3 tekste ahkollore, që MASH i rekomandon të pëdoren në shkolla si tekste alternative. Këto tekste janë ‘’Gjuha shqipe 4’’, ‘’Gjuha shqipe 6’’ dhe ‘’Gjuha shqipe 8’ të cilat aktualisht përdoren në shkollat tona. Tekstet dallohen nga këto veçori:

Nga studimi i tekstit dhe ballafaqimi me programin, del se janë marrë parasysh dhe janë realizuar linjat dhe nënlinjat që përbëlnë fushat e studimit.

Materiali letrar është i larmishëm, i përshtatshëm  për moshën që i adresohet dhe i zgjedhur mirë e me kujdes të veçantë, duke marrë letërsinë më të mirë si nga arritjet artistike, ashtu edhe nga mesazhi që përcjellë.

          Nuk po ndalem në tekstet universitare që janë në përdorim në Fakultete, sikurse janë ‘’Sociologjia’’ për Fakultetin e Infermierisë të UT dhe as në tekstin ‘’Sociologjia e arsimimit’, për kandidatët e studimeve  master në disa universitete

Nga kopshti i tij krijues mbinë 450 shkrime me materiale problemore,  me përshkrime e reportazhe në organe të ndryshme, duke fituar edhe çmime në gazetari.

Si mësues dhe lexues më rrëmbeu magjia e dashurisë për shkrimtarin, për këmbënguljen  që materializon vullnetet e idealet e dibranëve dhe lexuesve u lumturoi vetëdijen e adhurimin e krijuesit fisnik.

Sa mirë! Ariani zgjoi historinë e tejshekujve, e cila ndjehet e shkruar në veprën monografike “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”. Ajo jehon si buçimë sinfonike me nota patriotike në shkronjat e alfabetit tonë kombëtar. Nga një vepër “enciklopedike”, e vlerësuar nga kritika, buron dashuria, malli i shkruar, bota e personazheve historikë, karaktere të veçanta dibre me virtyte, ndiesi, impresione, duke e tjerrur  prozën në vitalitetin e krahinës e qxtetit të Dibrës e etur për liri. Autori ka kërkuar me pasion shkrimtari heronj me potencë, udhëheqës me role historike, që janë skalitur e veshur me tipare të thjeshta popullore dhe me urtësi mençurie, gra e burra të gjendur në kuvende e luftra.

Janë plazmuar në breza emrat e dibranëve: Skënderbeu i 25 betejave në Dibër, Iljaz Pashë Dibra  (kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)., Sheh Mustafa i Zerqanit, Said Najdeni, (hapi shkollën e parë shqipe), Baba Fejzë Bulqiza, Vehbi Agolli (kryetar i Pleqësisë në qeverinë e Vlorës, 1912), Selim Rusi (mbrojti Kuvendin e Dibrës), Tefik Jegeni (pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit), Eqerem Cami, Sherif Langu, Hafëz Raif Kadiu, Xhemal Mullai (Dibra), Xhelal Mullai, Ramiz Daci, Haxhi Ismet Dibra, Abdurrahman Dibra, Faik Shatku, Haki Sharofi, Edip Tërshana, Haki Stërmilli, Abdi Haxhiu dhe një listë e gjatë e njerëzve patriotë e ardhetarë të njohur tej e më tej se krahina e Dibrës.

3.

Brezi i autorit  i ka të lexuara ngjarjet dhe të dëgjuara, ndaj e ka lakuar mirë, sa dhe qyteti i Dibrës të duket personazh i gjallë vigan që mbijeton, lufton, bën kuvende, (madje edhe kongrese), bën dasma, lind fëmijë e tund djepat e vazhdimit të jetës.

Duket mjeshtria e pjekur e Arianit, pasioni, duke e përkëdhelur e  ledhatuar fjalën, për t’i dhënë shije mendimit që të rrëmbejë lexuesin. Kjo e vesh veprën në formë me ëmbëlsinë e të shkruarit dhe me origjinalitetin e krijuesit të Dibrës së Madhe.

Prof.dr. Ariani u ka dhënë përgjigje gjithë pyetjeve për të njohur lexuesit, kryesisht me Dibrën e Madhe. Por idealja nuk ka limit.

Ndonëse burimet antike nuk janë të mjaftuesheme, provohet se diibranët prejardhjen e tyre e kanë nga fisi Ilir i penestëve, në cep të Ilirisë. Pikpamjen që toka e Penestisë duhet kërkuar në trevën e Dibrës, pranohet nga studjuesit. Këtë e pranon edhe shkrimtari bizantin Akropoliti. Pohohet se penestët kanë banuar  në luginën e Drinit të Zi që në vitet 170-169 p.e.r. Mehdi Frashëri në historinë e lashtë të Shqipërisë shkruan: “Penestia-ky fis banonte gjithë Valatin e Sipërm të Matit dhe të Drinit të Zi. Kryeqytetii tyre ka qenë  Uskana, Dibra e Vjetër”.

Lexues i dashur. Lexoni A. Kadiun nga fq. 74-83 “Një vështrim ndryshe nga historiografia tradicionale” që të kuptoni thellësinë e analizës historike të tezës së tij shkencore.

Duke qenë bir i Dibrës së Madhe në origjinë, askush tjetër nuk do ta derdhte djersën  e tij pa pasur hovet e shpirtit të ndezur zjarr nga dashuria  për dibranët. (Sa nder!)

Ndaj vepra e dashuirisë e  kapi autorin me duart e mistikes, edhe dy herë të tjera më parë, deri sa botoi veprën panteon me bagazh të ndriçëm vlerash historike-shkencore, si etnografike, onomastike, etnologjike, etnokulturore e të tjera të popullarizuara.  Rroftë dashuria e shkrimtarit!.

Gazeta “Illyria” në SHBA, ndër të tjera shkruajti: “…sa e sa ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike si për Dibrën, ashtu edhe për Shqipërinë, fillimin e përfundimin e kanë pasur në Dibër dhe si protagonistë kanë qenë dibranët…”

Luheshin fatet e kombit si në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Kuvendi i Dibrës u hap në livadhet e Qernanëjcës së blertë. Dibranët mes shamive të kuqe, sikur kishin formuar flamurin kombëtar. Sheherlinjve u lexohej lumturia, kur takonin burrat  delegatë, që vinin edhe nga Shkodra, Tirana, Elbasani, Mati. Kuvendit iu dërguan mesazhe edhe nga Gjakova, Gucia, Prizreni. Përshëndetën shumë personalitete të dëgjuar.

U paraqitën këto kërkesa:

– Bashkimi i gjithë shqiptarëve pa dallim feje.

– Lëvrimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe.

– Hapja e shkollave dhe mësimi të zhvillohet në gjuhën amtare.

Me këto kërkesa Kuvendi provonte ekzistencën e kombit dhe hidheshin bazat e shtetit.

Kësisoj, në fund të shekullit 19-të u organizuan Kuvende në Dibër të Madhe për ruajtjen e tërësisë tokësore shqiptare. U mblodh ajka e Dibrës, kur asaj po i shkëputeshin edhe fushat e Kosovës,  Çermenika e Dibra e Madhe.

Në 9 korrik 1908 dibranët përkrahën kryengritjen e repartit ushtarak të xhenjos që drejtohej nga oficeri shqiptar Ahmet Njazi Beu. Në shkurt 1909 plasi në Dibër kryengritja tjetër kundër  marrjes ushtarë dhe mbledhjes së taksave.

Xhonturqit organizuan Kongresin e Dibrës që të qetësonin gjendjen. Në të vërtetë Kongresi nuk i pati sukseset që priste Stambolli. Në këtë Kongres famëmadh u sanksionuan kërkesat që të çonin në fitoren e autonomisë. Rëndësi iu kushtua edhe çështjes së mësimit të gjuhës shqipe. Është e padiskutueshme se në Kongresin e Manastirit u fol e u diskutua për gjuhën shqipe dhe u përcaktua alfabeti që duhej të përdorej, por në Dibër u kërkua futja e mësimit të gjuhës shqipe edhe në shkollat shtetërore. Këto dy Kongrese kanë vlera kombëtare të njëjta.

Të gjitha zërat e kësaj vepre në unison përbëjnë një vlerë  njerëzore dhe shkencore që ka arritur të dritëzojë  prof.dr. Arian Kadiu.

Në autostradën e shkronjave janë kopsitur shekujt e vuajtjes e mjerimit nën robëri. Autori ka vështruar me kompetencë ndjesitë e ngjarjeve, krejt ndryshe nga një pjesë e historianëve tanë. Ata i paraqesin ndeshjet me pushtuesit apo ngjarjet, por mendimi i tyre vetiak nuk del gjëkundi duke ia lënë ta gjejë lexuesi. Ndërsa prof. A. Kadiu e shpreh, e shtjellon mendimin, i jep jetë  e bindje duke mbajtur pozicion të pranueshëm shkencor, larg subjektivizmit.

Sido, duke qenë shkrimtar e “tradhëton” nga një herë “historianin” dhe mishëron personazhet historikë dhe hyn në botën e virtyteve e vlerave volitive  të karaktereve të heronjve.

4.

Analizën më të plotë e me përgjegjësi profesionale e ka bërë prof. dr. akademiku Gjovalin Shkurtaj, i cili e quan veprën e Arianit “Enciklopedi historike, shoqërore dhe etnokulturore”. Ai trajton vlerat e kësaj vepre me 650 faqe dhe është përshëndetur dhe vlerësuar me dinjitet mjaft pozitivisht nga historiani prof.dr. Muharrem Dezhgiu, juristi Kujtim Osmani, prof.dr. Gazmend Shpuza, studjuesi Nexhat Myftiu, studjuesi dhe poeti Namik Selmani etj.

Shpirti i tij krijues në botën e artit, sapo botoi, në prag të festës  jubilare  librin “100 vjet pavarësi, 100 figura dibranësh”, e pritur mjaft mirë e që dëshmoi  dashurinë e shkrimtarit. Edhe këtu buzëqeshja e tij përzgjodhi 100 personazhe që me vetëdijen demokrate të autorit e meritojnë të jenë në një libër, sepse autori nuk dremit me ëndërra apo mbi sirtarët e ndërgjegjies së plagosur nga sistemi monist.

Veprat zgjojnë vlerat e mëdha të kombit, të origjinës së Dibrës, me kryetarin e Pleqësisë së Vlorës 1912 (Haxhi Vehbi Dibra–Agolli), nënkryetarin e saj një tjetër dibran (Dom Nikollë Kaçorri), me Heroin Kombëtar dhe kryegjeneralin  e lirisë shqiptare, Gjergj Kastriotin, me të cilin autori dritëron kombin, – të gjithë nga Dibra, – dhe qindra personalitete idealistë, patriotë, luftëtarë, politikanë, shkrimtarë, profesorë, gazetarë, mjekë, artistë, mësues, mistikë atdhetarë. Kësisoj edhe në këtë vepër shkëlqen vetëdija kombëtare dhe e përjetësisë së personaliteteve historikë me individualitete fisnikësh, që kanë të përbashkët: atdheun. kombin dashurinë, bukën, barutin, fëmijën, lirinë, shkollën.

Këto personalitete dibre, me veti fisnike mblidhen në muzeun e kujtesës, me një Korab vlerash,  vitale dhe historia zbukurohet , Dibra ringjallet dhe lexuesve u rrinë pranë.

Përzgjedhja e autorit dhe simpatia e tij nuk fshihen, sepse duken ndiesitë e pavyshkura që shpërthejnë gjurmëve metaforike të ringjalljes, me karakteret e ndryshimeve, temperamenteve dhe cilësive volitive. Të pastër i gatuan luftëtarët shqiptarë, prandaj për ta u hapën portat e librave! Rrofshin shkrimtarët që mbledhin vlerat e kombit dhe pasurojnë ushtrinë e fisnikërisë me bukurinë shqiptare të karaktereve të larmishme dibrane me të gjitha vizionet intelektuale, duke gjelbëruar për këtë 100 vjetor fjalën e shkruar shqipe!

Krijuesi i botës së artit të shkruar ka ndiesi të veçanta që, kur ndërgjegjësohet, e përjeton realitetin e ngjarjes dhe e hedh në letër me emocione e frymëzim, larg pompozitteti të fjalës dhe me pastërtinë e gjuhës. Kështu Ariani mbledh mençurinë e trimërinë e Dibrës si në një muze magjik, ku personazhet prezantojnë tek lexuesi profilin e lirisë e të dijeve. Marrshimi në botën e studjuesit  dhe krijuesit jehon dhe skanohet nga autori duke u veshur me       mençuri dhe humanizëm. Dibra e meriton një botim të tillë për 100 figura dibrane, prandaj e falenderoj autorin, prof.dr. Arian Kadiun. Mes tyre janë edhe Josif Bagëri, Lulzim Basha,, Shefki Shatku, Ismet Bellova, Eqerem Cami, Iljaz Pasha, Fiqiri Dine, Abdurrahman Dibra, Elez Isufi, Nikollë Kaçorri, Faik Ballanca, Niazi Kosovrasti, Agim Krajka, Sherif Langu, Hoxhë Muglica, Sulejman Pitarka, Haki Stërmilli, Haki Sharofi, Natasha Shehu, Edip Tërshana, Adivije Sharofi etj.

Edhe Dibrës sonë i duken plagët  e brengave të zgalemëve që e munduan dhe e mundojnë me klane e mure gjaku, mure ndarës fataliteti të historisë në trupin tonë dhe më tokën tonë. Kujtdo i troket me dhimbje në kujtesë brenga e shpirtit. E vret akoma ajo, sepse “Shqipëria është ndarë për gjysëm me Drinin” (L.Poradeci). Në këtë fatalitet të rëndë e të hidhur, profesori ynë  ka ditur të çmojë vlerat e personaliteteve, të cilëve nuk u tretet            ashti, as truri dhe gjaku i kombit tonë në shekuj. Prandaj nuk derdhet copa-copa dashuria  për komb e flamur, se Ariani, me dy veprat si dy binjakë i ka sjellë për të dëgjuar himnin epik të demokracisë, si magjinë e
shpirtit atdhetar për t’u miqësuar me figurat e 100 dibranëve, me të cilët do të ndihet zëri poetik i fjalës, si një ideal demokratik, si dy libra motra që këndojnë për komb e flamur.

 

Prof.dr. Arian Kadiu ka botuar e janë në qarkullim këto vepra, libra e tekste shkollore:

 

      LETËRSI ARTISTIKE:

1. “Takimi i parë” (novelë e tregime, Tiranë.1972,  f. 113).

2. “ Pse dridhej harku i violinës” (tregime, 1974, f.100)

3. “Pendimi i arushit pa bisht”  (pjesë për kukulla, 1975. Çmimi i dytë në konkursin Kombetar të 30 vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

4. “ Një ndodhi në det” (tregime, 1977, f.82)

5. “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (tregime, 1978, f. 75)

6. “Arushi pa bisht” (përralla, 2001, f. 55).

7. “Aventurat e pabesueshme të Batos”  (novelë-përrallë, 2002, f. 60. Çmimi i parë në Konkursin e shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë)

8. “ Lumturi e tredhur” (novela, 2002,  f.135)

9. “Trishtimi i blertë”  (novela për adoleshentë, 2003, f.68)

10. “Stina e pestë” (poezi, 2003, f.100).

11. “Pas takimit me alienët” (roman, 2004, f. 142).

12. “Kur dremiste Sahati i Tiranës” (roman, 2011, f. 350).

 

BOTIME  SHKENCORE:

13. “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”, (monografi psikosociale, çmimi  i dytë në konkursin e shpallur nga AIITC, Tiranë, 2010. 650 faqe).

14. “Dibra e Madhe” (monografi, 2003, 344 faqe).

15.  “Adoleshentët dhe tranzicioni” (studim, 2000, f. 150)

16. “Teknika e recitimit” (guide, Prishtinë, 2001, f. 86)

17. “Teknika e recitimit” (me dy pjesë, 2001, f.70)

18. “Punët me shkrim, qortimi dhe vlerësimi i tyre”  (studim- guide, 2002, f. 107)

19. “Midis alternativave: shkolla private- jopublike”  (monografi, 2002, f. 192).

20. “Mësuesi i Strugës” (monografi, Strugë, 2009, f. 150)

21. “Hape portën e artë të leximit” (guide, 2004, f. 120)

22. “100 vjet pavarësi, 100 figura dibranësh), 2012, f.316)

.

TEKSTE SHKOLLORE:

23. “Letërsia dhe gjuha shqipe 11” për shkollën e mesme të përgjithshme, (bashkëautor) Tiranë, 2010.

24.  “Sociologjia”, (tekst për Fakultetin e Infermierisë, UT, 2009, f. 194).

25.  “Gjuha shqipe 4” (tekst shkollor, 2007,2008, 2009, f. 240)

26. “Gjuha shqipe 6”  (Tiranë, 2009,  f. 280))

27.  “Leximi letrar 8” (tekst shkollor, Tiranë me 12 vjet ribotime, nga 1993, 2008,, f. 270).

28. “Leximi letrar” (Shtëpia botuese “Erik”, 2006, f. 240)

29. “Leximi letrar 8 “ Prishtinë, (2003, -2006, 2007, f. 272)

30. “Leximi letrar 5” për shkollat e pakicave kombëtare, (1995, f. 259)

31. “Gjuha shqipe 8” (2009, f.256)

32,. “Sociologjia e arsimimit” për master, (Tiranë, 2011,  f.200)

***

Libra të shkrimtarit Lutfi Hanku:

 

–      “Nëpër gjurmët e heroit”, 1974, (monografi)

–      “Nazmi Rushiti”, 1980  (roman)

–      “Kaçaku”, 2000 (monografi)

–      “Drita e shpirtit”, 2002  (novelë historike)

–      “Erdhi Caushi”,  2006  (roman)

–      “Marsi i vrarë”, 2010, (vepër historiko-letrare)

–      “Loti rebel”, 2012,  (roman)

–      Është autori i tre filmave dokumrntarë, me temë për heronjtë e Dibrës.

–      Është autori i rreth 100 tregimeve botuar në tre përmbledhje me tiutllin  “Tregime të ndryshme”

–      Pas vitit 1993 ka shkruar e janë botuar me dhjetra redaktime letrare dhe reçensa, për botime të autorëve nga të gjitha viset e Shqipërisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian kadiu, Lutfi Hanku

NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËT

December 20, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG),  (Committee To Protect Journalists),  një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç’prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar.   Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord.   Këto tre vende që sipas KMG,  janë vendet më të këqia për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve.  Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stambollë, se “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare’’.  Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012.   Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.

Duke vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ”Gazetarët janë dëshmitarë”.  ”Kur vriten gazetarët”, tha ai, ”mundësia për të mësuar se ç’po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare.”   Ai përmendi Sirinë si shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend.   Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ”on-line”, ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie.  Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët  “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend.  Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ”qytetar-gazetarë”, të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre.   Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut.  Gjithashtu sipas raportit, ”dhunë e jashtzakonshme”,  është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin.  Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër — duke shfaqur shqetsimet e tij serioze — çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë  themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë  ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët.  Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit.  Por në fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli,  “nëqoftse shumica e popullit   beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi,  edhe nëqoftse e ndalon ligji, por nëqoftse  opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të përsekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë’’.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje vit vdekjeprures, per gazetaret

Globe Institute of Technology një mundësi studimi dhe suksesi për komunitetin Shqipëtar në New York

December 20, 2012 by dgreca

Nga:Adrian Tahiri M.Sc./*

 Kolegji Globe Institute of Technology është themeluar në vitin 1985 dhe ka një eksperiencë 27 vjeçare në fushën e arsimit të lartë. Eksperienca e gjatë ka shërbyer për të ngritur një institucion arsimor dhe cilësor, që ofron një model edukimi që ju përgjigjet kërkesave të tregut.

Globe Institute of Technology është një kolegj i akredituar nga Bordi i Antarëve të Këshllit të Universiteteve dhe Komisioni i Arsmit të Shtetit të New York-ut, i cili ofron programin e  Diplomës, Asocimeve dhe Çertifikatave qe mbartin kredite, të gjitha të regjistruara në Departamentin e Arsimit të Shtetit të New York-ut. Misioni i Globe konsiston në sigurimin e arsimimit të studentëve nga kultura të ndryshme për t`i përgatitur ata për një fillim kariere të suksesshme. Globe synon të krijojë një mjedis mësimdhënie ku mbizotëron respekti dhe toleranca reciproke, e mbështëtur nga një staf dhe fakultet i dedikuar. Ne Globe ndërlidhen ngushtë me njëra-tjetrën dimensioni teorik me atë praktik, në mënyrë që ata që diplomohen në Globe të jenë të aftë të përshtaten, të orinetohen dhe të kenë sukses në dinamikat komplekse të tregut të lirë. Kjo realizohet nëpërmjet internshipeve të ndryshme në fushat e studimeve përkatëse, praktikës apo duke marrë pjese në programin e Shtetit Federal “Work Study”.

Duke filluar nga viti 2000 e në vazhdim Globe ka mirëpritur në gjirin e vet rreth 1000 studentë shqiptar, një pjesë e mirë e të cilëve jane diplomuar me rezultate shumë të mira dhe janë punësuar në kompani prestigjoze në shtetin e New York-ut dhe në shtete të tjera të SHBA-ve. Globe ka shërbyer si një portë hyrëse për studentët shqiptar në komunitetin amerikan, si nëpërmjet ofrimit të mundësisë për të mësuar gjuhën angleze ashtu edhe të kualifikimit të tyre në përshtatje me kërkesat e tregut.  Gjithashtu Kolegji Globe ka qënë një derë e hapur edhe për ata Shqipëtarë të kulifikuar të cilët janë punësuar pranë këtij kolëgji si pjesë e stafit akademik apo atij administrativ.

Për më tepër Globe në mbështetje të komunitetit shqiptar në datën 17 Nëntor 2012 organizoi një ceremoni festive me rastin e 100 Vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, duke mbledhur së bashku studentët që janë diplomuar në këtë kolegj, ata që janë ende duke studiuar aty dhe shumë shqiptarë të tjerë për të festuar së bashku këtë ditë të madhe të popullit Shqipëtar.

Pse duhet të zgjidhni Globe:

Studimet universitare nuk përbëjnë vetëm nje ambicie personale për një formim solid akademik, por ato kanë një impakt thelbësor në karrierën e gjithësecilit dhe në vendosjen e kontakteve të gjera sociale dhe intelektuale. Rrjedhimisht zgjedhja e një kolegji është një vendim i rëndësishëm, i cili duhet të mbështetet në një vlerësim të kujdeshëm dhe kritik. Globe ofron një sërë avantazhesh për studentët që duan të jenë pjesë e këtij kolegji:

 Diverisiteti i madh i programeve të Diplomave, Asocimeve dhe Certifikatave- Globe ofron programe akademike në fushën e biznesit, ekonomisë, teknologjisë, mjekësisë, hoteleri turizëm, drejtësisë, menaxhimit të sporteve etj, duke u dhënë studentëve oportunitetin të përvetësojnë njohuri dhe aftësi në përshtatje me kërkesat e tregut. Gjithashtu Globe ofron një program shumë të mirë për të mësuar gjuhën angleze “English as Second Language”(ESL).

Stafi cilësor pedagogjik– Në Globe japin mësim pedagogë me përvojë që kanë kryer studimet në universitete prestigjoze, të pajisur me kualifikime pasuniveristare dhe që janë profesionistë në fushat e tyre të specializimit.

Fokusi tek studentët- Globe kujdeset duke i njohur studentët në emër, duke u ofruar atyre klasa të përmasave të vogla. Raporti i ulët student për fakultet është një tregues i mesimdhëies akademike të fokusuar. Gjthashtu stafi i Globe përbehet nga një staf shumë gjuhë folësh gjë që shërben per orientimin dhe zgjidhjen e problemeve që studentët mund të kenë.

Financimi– Një nga parimet e kolegjit Globe është se çdo individi duhet ti jepet mundësia për arsimim, pavarsisht mundësive të tyre financiare. Pjesa më e madhe e studentëve në Globe përfitojnë ndihmë financiare dhe kanë të mbuluara kostot e shkollimit të tyre. Tek Globe ju do të gjeni informacion për një kombinim të Grandeve të Shtetit Federal, Grandeve të Shtetit të New York-ut, Bursave që ofrohen nga kolegji apo kredive lehtësuese.

Punësimi pranë Globe– Paralelisht me ndjekjen e studimeve universitare studentëve u ofrohet mundësia e punësimit pranë globe duke u bëre pjesë e programit Federal “Work Study”.

Bibloteka dhe literatura akademike- Tek kolegji Globe studnetët kanë në dispozicion të tyre një biblotekë të pasur me literature akademike të fushave të ndryshme. Gjithashtu biblioteka ju jep mundësi studentëve të eksplorojnë online mbi 100,000 libra të llojeve të ndryshme.

Programi i mësimdhenies i përshtatshëm dhe fleksibël- Studentët mund të ndjekin klasat në përputhje me axhendën kohore të tyre. Klasat janë të disponueshme paradite, mbasdite dhe në fundjavë.

Programe akademike në përshtaje me nevojat e studentëve– Për të gjithë ata studentët të cilët duan të kryejnë studimet e tyre sa më shpejt në mënyrë që të jenë gati për tregun e punës, Globe ofron programe, të cilat mund të kryhen në një kohë më të shkurtër krahasuar me pjesën më të madhe të programeve të universiteteve tradicionale.

Jetë e gjallë studentore– Tek Globe ju do të gjeni një jetë të pasur me aktivitete sociale, përfshirë programet sportive. Globe është në Divizioni 1 pjesë e NJCAA në Futboll, Basketboll dhe Volejboll,  për vajza dhe për djem.

Vendodhja e Univeristetit– Vendodhja e kolegjit është një avantazh me shumë për studentët. Në qëndër të Manhattan disa blloqe larg Time Square, Teatrove të Broadway, etj, Globe është lehtësisht i aksesueshëm dhe në të njëjtën kohë qëndra e nevojave tuaja.

Në kuadër të të gjitha aspekteve të përmendura më sipër Kolegji Globe Institute of Technology përbën një zgjedhje të mirë për të vazhduar studimet tuaja në një mjedis akademik, intelektual, social, stimulues e tërheqës për të qenë partnerë e bashkëpunëtorë në një rrugë të gjatë akademike e profesionale.

Së fundmi, të dashur bashkëatdhetarë, lexues të gazetës prestigjoze Dielli me lejoni që në emër të Globe Institute of Technology t`ju uroj Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2013.

*Adrian Tahiri M.Sc.

Përgjegjës për marrëdhëniet e

Komunitetit Shqipëtar me Kolegjin

Kordinator për Marrëdhëniet, Studentët

Ndërkombëtarë & Rajonalë

Zyra e Rekrutimeve

Filed Under: Kulture Tagged With: Adrian Tahiri, dhe suksesi, Institut of Tecnologjy, mundesi studimi, per shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT