• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

Faruk Myrtaj, sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale

January 23, 2013 by dgreca

Shenime per librat/

Nga: Aleko Likaj /France/

Vështrim për një roman që të emocionon deri në tepri, dhe që çdo emigrant e bën që të ndjehet krenarë në vendin ku jeton, punon, e ndërton jetën e tij./

Ikje dhe Atdhe, janë dy“shtyllat” ku shkrimtari Faruk Myrtaj i vendos ngjarjet në romanin e tij të fundit, i cili tashmë është në librari, i gatshëm për të shkuar tek lexuesi. Një hapsirë e velur dhe e endur njëkohësisht midis të dyjave, me pak ngjyrë e ankth pëlhure prej Penelope. Përcillen  kujtime dhe përjetimet e një njeriu, për shkaqe që nuk janë aspak të varura prej tij, endet në këtë qerthull, midis vetë ikjes si një proces natyral dhe atdheut, ashtu si një barkë në detin e tallazitur, e cila, pas shumë mundimesh e betejash me forcat e natyrës, zë dhé, duke dalë në breg, që do ti bëhet pastaj të ikurit, një Atdhe tjetër. Në kuptimin më të gjërë të fjalës. Për ikjet është shkruar vazhdimisht. Natyrisht do të shkruhet përsëri. Ballkanasit, por edhe italianët, më pak nga Europa Lindore, dhe ndoshta nga një vend tjetër i këtij pellgu, ikjen, apo mërgimin, siç jemi mësuar ne ta emërtojmë, e përjetojnë si dramë, si plagë shpirtërore, por që në fakt, s’është gjë tjetër, veçse një emocion. Ikjet në përgjithësi nuk janë drama. Janë “aksioma”, ku njeriu guxon që të kërkojë dhe të vendosë një realitet krejt të ri, duke menduar se do ta përballoj më mirë jetën e tij. Dhe lëvizjet demografike gjatë gjithë ekzistencës së botës, kanë ndodhur për shkaqe nga më të ndryshme, duke filluar nga luftërat, sëmundjet epidemike, mungesat e ushqimeve, por edhe në sensin tjetër, ku njeriu, individi, i çfarëdo shkalle shoqerore qoftë, ndjen që i mungon liria, në të shprehur, por edhe në mendimin se si i perjeton gjërat ai në mjedisin që e rrethon. Në këtë rastin e fundit, shoqëria ku ai po jeton, është dhe mbahet peng i politikave të mbrapshta që prekin individin, duke e trajtuar atë thjesht si numër, a shifër arithmetike, që do ti shërbejë pastaj ligjvënësve për një votë më shumë, në ndrimin e kuajve të pushtetit. Edhe pse duket sikur këto ndodhin vetëm  në shoqëritë totalitare, koha po tregon se edhe në demokracite e brishta si kjo e jona, ndodh.Ndodh.Nuk e di pse, se, në baladat për mërgimin, këngët, rapsoditë, krijimet poetike të autorëve anonimë popullorë, që në fakt  janë një vlerë, një thesar i patjetërsueshëm dhe i padiskutueshëm  i folklorit  tonë, ka shumë dhimbje, mall dhe lot. Një dramë e vërtetë në kufijtë e tragjedisë. Dhe legjendës njëkohësisht. Të paktën kështu i përjetojmë dhe sot. Duket si një lloj pengu a marazi për të ikurit e shumtë të kësaj bote, të afërmit tanë, miku apo shoku. Kështu na konstrukturohet përpara syve ngrehina e ikjes, si një kompleks dhimbje, e hatashme, si një humbje që nuk zevendsohet kurrë. “Iksh e marrësh dhenë“, duan të namatisin dikë, kur ky me sjelljet e tij, qëndrimin, raportet midis njerërzve, dashakeqesinë, bëhet problematik. Po ku të iki? Prapa maleve thoshin nënat e gjyshet tona… Iksh, iksh…..ikje ikje. Por njerëzit sot nuk ikin për shkaqe që i mendonin, ato të urtat e të mirat tona, edhe pse nomatisnin aq ashpërsisht në kuptimin figurativ. Kurrkush nuk i thotë sot që “iksh e marrësh malet“ njeriut që e ka një hall, a brengë, një dramë brenda tij që bie ndesh me realitetin ku jeton. Është një zgjedhje krejtësisht individuale, si një ëndërr për shpëtim, për një jetë më të mirë. Eshtë në fund të fundit një provë. Një provë qendrese. Ikja për të ikurit nuk është kurrfargjëje, përveçse “Varka e Noes“, figurativisht. Natyrisht, ai që mbetet pas është Atdheu. Atje ku na ka rënur koka, thotë një nga  rilindasit tanë. Është ky që me fije të padukshme të mban lidhur me përjetimet, dashuritë për njerëzit, kujtimet, së bashku me nostalgjitë. Kur themi, atdheu, nënkuptojmë  kombin. Esteti Ernest Reman ka thënë: “kombi është një frymë, një parim shpirtëror“. “Balta e gjaku“, e përkufizon një shkrimtar shqiptar i ditëve të sotme. Është pikërisht ky që të trazon gjumin e natës, në momentin e parë, që i ikuri e ka lënë nga pas.  U ndodh të gjithëve. Dhe s’ka se si, që të mos krijojë vuajtje, brengë, plagë në shpirt. Eshtë pikërisht kjo, që ne sot kemi një trashëgimi të shkëlqyer në folklor, në arte dhe letërsi. Atdheu tërheq si një magnet, dhe të ikurit në këto kohë moderne që po përjetojmë sot, vendosin lidhjet, sapo kanë cekur “bregun tjetër”, në një realitet krejt të ri. Nuk është aspak rastësi që këtë lloj statusi e mardhëniesh me kombin, shqiptarët e kanë saksionuar e fiksuar edhe në himnin kombëtar, ku thuhet: Se zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe/ Por Shqipëria do të rrojë/ Për të, për të luftojmë ne.

Tepër sinjifikative. Befasuese, me një dashuri e përkushtim deri në sublim. Këtu shqiptarët nuk të falin.Ndërkohë që sot në shekullin e ri distancat shuhen. Bëhen inekzistente, deri në tepri. Interneti dhe lundrimi në të, që për hir të realitetit të merr kohë. Të vjedh. Por edhe antenat që ta sjellin afër në ekrane, edhe pse nganjëherë të mbajnë rrob të surrogatove që përgatisin stacionet në këtë shoqëri konsumi alla shqiptarëshe. Gjithësesi pas kësaj rrokoapuje, Atdheu qendron, ashtu si një motiv, real, me dimensione si një fortesë, krejtësisht i pastërt, e fluoreshent.

Po pse ndodh?

Shkaqet dhe arsyet ne i thamë më sipër. Por shkrimtari Myrtaj në romanin e tij “Atdhe tjetër”  në një stil kafkian, jo nga forma, por nga nënteksi, ritmi e metafora, që në rastin tonë konkret është e shfaqet tepër fuqishëm e sjell mjeshtërisht këtë raport midis ikje dhe atdheut.

I njohur në prozën shqiptare në keto tre dekadat e fundit, me tregimet e tij, që për mua gjithmonë të zgjojnë mendime, për shkak të mesazheve qytetare që përcjellin ato, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastërt, e krejtësisht figurative, me tharm dhe elokuencë, ku ndjehet një intonacion i fuqishëm folku i zonës ku ka lindur dhe jetuar vite më parë, autori të befason sërish. Pa dyshim që Faruk Myrtaj është tashmë nga prozatorët e tregimtarët tanë më të mirë në fushën e letrave tona shqipe .Më duket se është sprova e dytë në roman, e Myrtajt, dhe në këtë gjini, vjen e shpërvilet po aq mjeshtërisht si në tregim. Ka të njëjtat ngjyra, në stil, dhe në mënyrën e të rrëfyerit e kompozimit, që e dallon krijimin e tij nga plot autorë të tjerë.

Më kish ndodhur të udhëtoja me atë tren lokal, por ishim mësuar me të,  s’kish pse na dukej i çuditshëm. I çuditshëm po më dukej më vonë, pasi dikush që vizitoi vendlindjen time vërejti se ky tren ecte aq ngadalë sa mund të zbrisje prej vagonit të fundit, të ndizje cigarin te një këmbësor dhe të hipje sërish.Kjo situatë ka gjendje . E vizatuar nën një ndriçim gati surealist, dhe e nënvizuar që në fillimin e librit, të duket sikur të merr përdore dhe të fut menjëherë në rrjedhën e romanit: “Atdhe tjetër“. Është jeta dhe fati i një intelektuali, në rastin konkret, që përjeton irealen në një shoqëri me demokraci tepër të brishtë si ajo e jona, që e bën atë të jetë gjithmonë në udhëkryqe, dhe që në shumicën e rasteve nuk të nxjerrin kurrkund, nuk të jep shpresë dhe liri. domosdoshërisht të kërkuara për një normalitet shoqëror.

Njeriu shkon drejt mbylljes, sapo pushon së kërkuari, por hijen e palirisë e ndjenë kur i kufizohet hapësira.Pohon çiltërsisht personazhi kryesor i romanit të Myrtajt. Dhe pas kësaj natyrisht merr edhe vendimin, që është i barazvlershëm me ikjen, që në fakt mban brenda asaj dhimbjen, dashurinë  dhe mallin për të afërmit, miqtë e raportet me ta, ambjentin…është vetë atdheu brenda atij përjetimi, që gjithësesi, të krijon një stres, a nostalgji.

Njeriu tashmë e ka  bërë zgjidhjen…por vjen në ndihmë poeti:“…Do duhet të lësh gjithçka që ke dashur më shumë, kjo është shigjeta që harku i ekzilit godet së pari…”

Realitetet nuk janë gjithmonë ato që gjithkush i paramendon. Këtë përjeton edhe personazhi i Myrtajt, ku i duhet të përballet jo vetëm një mori problemesh, që nga akomodimi, kurset, ecejaket nëpër zyra deri tek sigurimi i një pune për të jetuar. Pikërisht, ky është momenti i streseve që në një retrospektivë e bën emigrantin ta vuaj ikjen, si një dramë, a si një kujtim i ndërprerë i mbetur në një celuloid filmi që nuk do ta shoh më…kemi lënë aq shumë gjëra…Lamë prindërit, miqtë, po ndërrojmë gjuhën, dhe, po të lemë edhe cigarin…duket se mbetemi pa gjë…Thotë ai, ndërsa përballja me realitetin e ri do ta vejë tashmë me sfida krejt të reja. Por ajo që do ta shoqërojë të ikurin gjatë gjithë atij fillimi të vështirë, është brenga që ka lënë nga pas. Nëna…..letrat e saj që i shuajnë mallin e djalit të ikur, kthehet në një lejtmotiv. Pastaj fotografitë që emigrantët marrin me vete… janë penelatat plot nngjyra që autori e mban mjeshtërisht lexuesin e tij brenda dramës së personazheve të tij.

Emigrimi s’është gjë e re në historinë e botës, por është plagë e re në kujtesën e vendit tim të mbyllur. Por njeriu e gjen një forcë, nuk qaravitet, e shpërvjel mjeshtërisht dimensionin e tij. Personazhi i Faruk Myrtajt, nuk është aspak disfatist, madje i përgjegjshëm për gjithçkah realizon e krijon me punën e tij, atje në mjedisin tjetër me njerëz krejt të rrinj e të huaj, që do ti ketë këtej e tutje shok e miq të rrinj.

Emigracioni është veç një copë herë e shkurtër e kësaj ikjeje të papushimtë, të cilës i isha dorëzuar prej kohësh, ikje që po arrija ta përshkoja përgjatë një mbylljesysh në terr, brenda kësaj hapësire të limituar, si në një sjfaqje filmi me shpejtësi drite në një ushtrim ëndërritjeje.

Personazhet e kurbetit Pepe, Kliti, Tina-Piktorja, Mesuesi Greg, Paulina, madje për këtë të fundit autori shkruan se, ajo nuk ekziston më, por letrat bankare e bëjnë të pranishme përballë personazhit e familjes së tij. Tinën,  rasti e kishte sjellë që të njihej në Tiranë. Pikërisht kjo  do ti thoshte dhjetë vjet më vonë “Paske ikur edhe ti?!”, Myrtaj i jep dhe i përshkruan me ngrohtësi me nota lirike e realiste, në të gjithë dimensionin e veprës, pa bërë aspak dallime midis bashkombasve të tij, edhe ata të ikur, me të njëjtën dramë, shkaqe e arsye, për një jetë krejt të ndryshme. Autori vizaton dhe jep pasazhe interesante. Personazhi i tij kalon nëpër dilema kafkiane. Ngjashmëria me personazhet e tij mbase konsiderohej si bindjeje qytetare, në të përditshmen e thjeshtë të jetës së një emigranti, i cili duhet që të mendojë, të veprojë, të përjetojë, të mari vendime e të flasë në një gjuhë tjetër. Kjo është një dilemë që ta shpalosë krejt ndryshe realiteti i ri. Dhe këtu ka një sinqertë të veçantë… nëse bëj mëkat kur pyes: – thotë autori me gojën e personazhit – në a thua vetëm një gjuhë tjetër, ajo e mëmës, ekziston që njeriu të ndjejë e të shfrejë lëndimin e vërtetë? Edhe moskuptimin a keqkuptimin shkaktuar në gjuhë tjetër? Nuk pyesja, s’kërkoja përgjigje. Më qè shndërruar në mjegull gjithçka, ku kolovitesha si fëmijë që të ardhmen e pret fëmijërisht, pa asnjë rè në qiellin e syrit. S’kish pse vrisja mendjen, as të shpjegohesha. Për asgjë, në asnjë gjuhë…

Eshtë gjithmonë i  mundimshëm, por edhe i lodhshëm, natyralizimi, fizik e shpirtëror. Faruk Myrtaj duket sikur me finesë e art, të merr përdore dhe të shëtit pastaj nëpër faqe plot histori qendrese e përballimi, ku tregohet se si individi i ardhur, i ikuri nga atdheu i tij, ze vend me punë e sakrificë, larg çdo dyshimi se dikush mund që ti kufizojë lirinë e tij. Madje kjo e fundit, respektohet, nderohet dhe mbrohet jo vetëm me ligj. Dhe ai kupton shpejt tashmë diferencën, dhe mrekullohet njëkohësisht që ka gjetur dhe prekur ëndërën, pikërisht atë që i mungonte në atdhe. Atë që i a kishin uzurpuar dhe i keqpërdorën njerëz të cilët i a devijuan atdheun nga shinat e demokracisë. Por gjithmonë njeriu, i ikuri e ka një sy dhe një vesh nga pas. Shpreh keqardhjen, edhe pse ai është dhe ka hyrë në rrjedha të tjera, të përditësuara: S’ është e lehtë të mbetesh burrë shteti në atë vend… (…në vendin e qeverisur prej tij, njerëzit vazhdojnë të ikin…)Por dashurinë për dheun që e lindi nuk mund nuk mund që ti a pengoj kurkush. As që mendohet. Ndaj thotë: Poeti e bën atdheun prej fjale, kudo ku është. Dhe, sidomos atë dheun tonë, mund ta duash më shumë kur je larg, për të mund të bësh më shumë prej larg tij; se po të jesh atje brenda ta shkoqin trupin çika-çika dhe shpirtin vrerë ta bëjnë…Le që, këto histori ndodhin në tërë botën.

Heroin e romanit të Myrtajt, e mrekullon pamja që një prej  emigrantëve  shfaq në rrugë: mban gjithnjë dy flamuj me vehte: flamurin e vendit nga ka ardhur dhe të NorthLandit, ku rrojnë bashkë me atë! Natyrisht kjo është edhe rruga që i a rezervon e ardhmja edhe atij. Dhe nuk është aspak e gjatë…

Por kjo e ka një kulm të figurshëm, që në pamjen e parë duket shumë domethënës dhe njëkohësisht shprehës, kur mbrin në shtëpi ftesa për të qenë vëzhgues i zgjedhjeve në qytetin dhe në vendin ( Atdhe) e tij të ri. Ai i beson lirisë…“Atdhe tjetër” i shkrimtarit Faruk Myrtaj, është në fakt një rrëfim biblik për të ikurit në të gjithë dimensionin e saj të vërtetë. Një poemë. Metafora e tyre ndjehet e fuqishme në faqet e librit. Autori nënvizon fuqishëm idenë  se kjo masë e të ikurve, që është kthyer në një refren të përdittshëm i kësaj bote “rrezaton” së fundmi tek dykuptueshmëria e nocionit Atdhe, që në fund të fundit, përfshin edhe të lënin pas. E figurshme. Të ikurit e duan atdheun, jo ashtu siç e lanë. Sepse… Ai atdhe ka qenë imi, shumë më pak se ç’më është sot ky këtu…!

Pa dyshim, që romani i Myrtajt, është një nga krijimet më të mira të këtyre viteve të fundit në letërsinë tonë shqipe, i cili trajton fatin e individit në shoqërinë tonë post-komuniste, i cili përballet me një tranzicion tej të zgjatur. Problemet e mprehta shoqërore, që përzihet me reminishencat e së kaluarës, mungesa e lirisë, baltosja, kaosi psikologjik, dhe pasiguria, bëjnë që individi nuk mund të përballet, qoftë edhe “heroikisht” me mjedisin e sëmurë, në një shoqëri që lëngon nga mungesa e hapsirave më elementare. I dhënë artistikisht e me kulturë, ai sjell mjeshtërisht mesazhe për një jetë të paqme, shumë dashuri, besim, dhe sinqeritet njerëzor.

“Atdhe tjetër“ është në fakt një përjetim me shume emocion, që mund ta bëjnë veçse shkrimtarë të fuqishëm dhe me përvojë. Faruk Myrtaj, me një shqetësim e nerv qytetar, e ka sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale, duke i thënë të gjitha të vërtetat, si një artist. Dhe këtu, në këtë pikë, ka qenë dhe mbetet i veçantë.(Kortezi Sofra letrare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleko Likaj, Atdheu tjeter, Faruk Myrtaj

Shpirti i Isuf Luzajt, endur mes rreshtave …

January 23, 2013 by dgreca

Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së tij (1913 – 2013)/

Nga Zyba Hysen Hysa/

Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë në lidhje me shkrimin e librit “Sharrajt në jetën e kombit”, ka dalë në pah edhe emri i Isuf Luzajt, si një ndër patriotët e devotshëm që veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare e ka nisur që në bangat e shkollës së mesme në Shkodër e më pastaj deri sa dha frymën e fundit.

Që kur më ra në dorë libri “Filozofia e bukurisë”, më pas “Përtej të mirës e të ligës”, “ Glorja e çmendjes”… të gjitha ato libra që kanë pasur fatin të botohen, nuk ka bisedë mes miqsh dhe krijuesish që të mos shpalos adhurimin tim për veprën e tij dhe me mundësitë e mia shpirtërore jam përpjekur që të ndikoj sado pak në institucionet shqiptare për të financuar në botimin e plotë të veprës (rreth 120 vepra) së të veçantit, që siç tha Z. Elaham Sharra në një bisedë se: “Isuf Luzaj, duke lëmë mënjanë politikën e të flasim të drejtën, nuk pati fatin e shumicës së shqiptarëve që ikin jashtë shtetit dhe ‘humbën’, ai bëri emër dhe këtë emër e bëri në Amerikë”

Shpesh në debate, shpalosen mendime të ndryshme për Isuf Luzajn. Më trondit ky fakt, ndaj mendoj se këto kanë qenë dhe janë qëllime dashakeqe të njerëzve antikombëtarë, që familjet patriote në Vlorë t’i vendosin përballë njëra – tjetrës, pra të krijojnë përçarje për të sunduar më lehtë. Unë nuk kam pse zgjatem për madhështinë e familjes Sharraj në kontributin për çështjen kombëtare, se diçka kam thënë (nuk kam arritur të them shumëçka, aq sa e meritojnë, kurrë nuk do të ketë penë ta përshkruajë), por një gjë shihet qartë, se në këtë familje, Isuf Luzaj hynte e dilte si në shtëpinë e kombit e ndaj dhe goditet kjo figurë me një “gur” që vret këtë bashkëpunim patriotik në Vlorë. Unë kurrë nuk do nxirrja nga goja ime, aq më pak nga mendja ime ndonjë fjalë ndryshe për shenjtërinë e veprimtarisë patriotike të Sharrajve, por nëse do hesht për Isuf Luzajn, do të thotë që unë jam shumë fytyrëshe, këtë nuk e pranoj kurrën e kurrës, ndaj duke folur hapur, duhet që të zbardhim hijet e së kaluarës, ato hije që na çuan në keqkuptime, mëri, vëllavrasje, përçarje deri në thelb.  Unë mendoj, që e kaluara jonë nuk ka qenë bardhë e zi, por nuk ka qenë edhe vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë, se siç tha një ditë z. Shemsi Rrapaj se “Isufi, këtu në Vlorë, për fat të keq, interpretohet bardhë e zi, por nuk ka argumente për ato që fliten, Isufi është intelektual brilant i shkallës së lartë nga më të rrallët”

Të kesh ide ndryshe nga tjerët është më se normale e të kesh kundërshti për to nga të tjerët, përsëri është më se normale, por e rëndësishme është që këto ide të nxisin iniciativën individuale për t’i vënë në jetë, se siç thekson Isuf Luzaj në librin “Rindërtimi i tipareve shpirtërore” në faqen 52 “Janë burra vetëm ata që e lëvrojnë vetë vijën e ugarit të tyre” dhe më poshtë shton: “Poet ose filozof, apostul ose artist, ki besim në veten tënde dhe mos ndiq rrugë të huaja, mos e var vullnetin tënd prej vullnetesh të tjera, mos e lidh dhe mos u ngatërro me hije që errësojnë, as mos kërko mbrojtje nga të tjerët, sepse ajo mbrojtje të përul. Nga ata që dinë më shumë, mëso pa i imituar, nga ata që japin më shumë, largohu, mos kërko kurrë. Në qofsh i aftë të realizosh idealin tënd, nuk të nevojitet asnjë diçka potente; asgjë, askush nuk të bën të zotin për të realizuar ëndrrën tënde, duaj, duaj, me këmbëngulje, me të gjithë mendjen tënde e me të gjithë zemrën tënde…”

Të mendosh se Isuf Luzaj shkonte deri në antagonizëm me personat që e kundërshtonin në idetë që shpaloste ai, është absurde, por gjithashtu nuk e mendoj Isuf Luzajn të mos kishte kurajë të shpaloste idetë e tij dhe të luftonte për t’i vënë ato në jetë, por unë dal në përfundim se: Isuf Luzin pak e kuptuan e shumë pak e mbështetën, ai nuk ishte vetëm nacionalist që i përkiste vetëm organizatës së Ballit Kombëtar, se në fillim kjo organizatë u krijua mbarëkombëtare, më pas denigroi në parti politike e unë sikur kam qënë aty, e mendoj Isuf Luzajn, për kushtet në të cilat ishte vendi ynë, të ishte prijësi i popullit tonë, se idealet e tij i kapërcenin bindjet politike, ai ishte patriot dhe kërkonte bashkimin kombëtar. Një veteran, Serri Petanaj në opinionin e tij për Isuf Luzajn tha: “Unë e kam parë dhe dëgjuar vetë Isuf Luzaj, kur erdhi një herë në Llakatund, mblodhi popullin dhe u foli: “Të bashkohemi rreth  organizatës së Ballit Kombëtar, si e vetmja organizatë që do na çojë në marrjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike, se komunistet kanë rrugën ruso – serbe dhe kurrë nuk do na lejojnë të bashkojmë kombin tonë’. Unë isha rreth 12 – 13 vjeç, por nuk kisha dëgjuar njeri orator si ai, ai fliste pa letër dhe të bënte për vete me fjalët që thoshte”. Pra Ai është i gjithë shqiptarëve, ndaj atë nuk e përmendin as të majtët, as të djathtët e sotëm, se si të majtët, si të djathtët e pse e kanë të shkruar në kushtetutë që do të luftojnë për bashkimin tonë kombëtar, nuk kanë as më të voglën ide dhe nuk kanë asnjë projekt për këtë bashkim,nuk kanë trokitur në asnjë organizatë apo shtet në botë qw t’i paraqesin me shkrim platformën e Bashkimit tonë kombëtar, përveç se shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare të popullit për të siguruar një kolltuk për vete. Ai ishte një njeri iluminist dhe si i tillë kurrë nuk mund të ishte tiran, diktator, ndaj e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh për realizimin e idealit të lartë që i vuri vetes për çështjen kombëtare, e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh, për të realizuar idealin e madh të Bashkimit tonë kombëtar, (kjo është normale), është absurde për mua,të besoj akuzave që dashakeqët i zhveshin nga vetja dhe kërkojnë t’ia veshin Isuf Luzajt, por sa ditët kalojnë, sa vitet rendin, Ishuf Luzaj po del më në dritë dhe lum ai që di të përfitojë nga veprat e tij dritë pa fikura, se kam lexuar disa libra tij dhe unë që shkruaj, di të njoh fisnikun nga krimineli, hajduti… se kriminelët shkruajnë vetëm për ato prapësi, ndërsa Ai flet për Kombin, për  te bukuren, te pastrën, për dritën, te mirën, për fisniken dhe nuk e bën njeriun absolut të keq, por me te mirat e te ligat e tij. Meritë është e atyre që mendojnë veprojnë dhe jetojnë përtej të mirës dhe të ligës.  Unë kurrë nuk do ta besoja se Isuf Luzajt do t’i shkonin për shtat epitetet e pabaza që i kanë vënë ndër vite. Mendoj se ka ardhur koha, që të mos merremi më me fjalët “e lopçarëve”, apo me të atyre që kurrë nuk e arritën dot lartësinë e tij për ta parë në sy, por i ka bezdisur hija e tij prej drite, prej një drite që sa vinte e shkëlqente më shumë, prej një drite që sa vite shkojnë, aq me shumë ndrit.

Isuf Luzaj dallohet edhe pas kaq vjetësh që ka ndërruar jetë e njihet përmes shkrimeve të tij, po kush mund ta shikojë e ta dallojë shpirtin e tij? Sigurisht ata që kanë sy të shohin përmes të vërtetës dhe të lexojnë edhe përmes rreshtave të krijimtarisë së tij, se në bardhësinë mes rreshtave shtrihet shpirti i tij prej një mendimtari, luftëtari, poeti dhe filozofi nga më të rrallët që ka pasur Shqipëria.

Të përmendësh Isuf Luzajn, është nder, është privilegj, është vlerë për atë që e përmend, se ai nuk ka nevojë për fjalët tona për t’u ndriçuar, se ai ndriçoi në një shtet aq të madh sa është Amerika, ne na duhet ta shfletomë e të mësojmë prej tij, se vepra e tij janë drita e së ardhmes sonë, janë udha e bashkimit tonë si komb.

Gjetja e së drejtës përherë dhemb, por nuk ka dhimbje më të bukur se ajo që shkakton zbulimi dhe thënia e së vërtetës, ajo ngjan me dhembjet e lindjes, që më pas nëna provon kënaqësinë më të bukur të jetës, kur merr foshnjën në prehër dhe e vendos për herë të parë në gji. Ndaj është e vështirë të kërkosh të vërtetën, ajo është një perlë që për fat të keq gjendet në thellësi, sa më shumë mundim, aq më shumë shkëlqim i falim jetës, kohës, shoqërisë, së ardhmes…

Shumë kanë shkruar për Isuf Luzajn, shumë më shumë do të shkruajnë, por të kërkosh deri fijet e rrënjëve të tij, do të thotë, se ke bërë pjesë të shpirtit dhe mendjes kauzën e tij, atë kauzë që e ushqeu me dritë shpirti dhe mendjeje, me luftë, sakrificë, vetmi, dhembje malli për familjen, plisat, gurët dhe drurët e këtij vendi që e rriti dhe që e ushqeu me një dashuri sublime, deri në antagonizëm të thellë mendimesh dhe veprimesh me antikombëtarët e sot duket si në dritë të diellit se cili kishte pasur të drejtë dhe se idealet e Isuf Luzajt për bashkimin e Kombit tonë, janë dhe sot e kësaj dite më se të ndritura, ndaj t’i njohim dhe të luftojmë për t’i vënë në jetë, ato që ai nuk mundi t’i realizonte prej përndjekjes nga diktatura komuniste.

Në një studim të kryer më 28 prill 2012 publikuar tek “Diaspora shqiptare, ndër të tjera shkruhet: “Ndoshta dikush do të hapë e të pasurojë në të ardhmen një bibliotekë, galeri apo muze, që do ta ketë zili edhe simotrat e trojeve shqiptare! Pale, kur të bashkëngjiten arkivat e bibliotekat e Vatrës, të dijetarëve Fan S. Noli e Faik Konica me shokë, të nobelistëve Nanë Tereza e Ferid Murati, të shkencëtarit e artistit fotograf me famë botërore Gjon Mili, kineastit Sten Dragoti, të studiuesit dhe autorëve të disa librave me vlera të veçanta, Prof. Petër Prifti e Xhevat Kallajxhi, Prof. Nikolla Cako, Prof. Isuf Luzaj, Prof. Rexhep Krasniqi, studiuesit e arkivistit të pasionuar Idriz Lamaj, koleksionistit Bekim Lajci e Sait Kryeziu, Nexhat Peshkopia, Hasan Dosti, Qerim Panariti, Gaqo Goga, Halim Begeja,Shaqir Gjoka, Dr. Nuci Kota, Tonon Mirakaj dhe nga shumë patriotë të tjerë, të bisnesmenëve bujarë të Atdheut të kahershëm e gjer te më i riu Richard Lukaj, vëllezërit Bitici, studio “Iliria”, të Shoqatave, institucioneve e individëve të shumtë. Gjithçka do të jetë e vlefshme dhe në përkushtim të rritjes shpirtërore, krenarisë e identitetit të gjithë popullit e Kombit Shqiptar”.

Siç e shohim, Isuf Luzaj nuk ka nevojë për vlerësimin që i bëj unë, apo dikush tjetër, ai është i vlerësuar dhe i vendosur në radhën e ndritur të kokave që i kanë dhënë këtij vendi mundin dhe mendjen, që i kanë falur Kombit shpirtin, si të vetmen pasuri të pavdekshme që ka njeriu e këtë shpirt ai e ka shpalosur mes rreshtave të librave dhe të bëmave në dobi të çështjes kombëtare. Ne na mbetet për detyrë ta njohim veprën dhe të frymëzohemi prej saj për të nxitur brenda vetes ide përparimtare që na zgjojnë dëshirën për veprim në dobi të çështjes kombëtare, për të cilën jetoi, punoi, luftoi dhe shkroi Prof. Dr. Isuf Luzaj. Kush nuk ka në gji mirësinë dhe dëlirësinë, se  siç thotë vetë Isuf Luzaj “Të fluturojmë lart, përtej të mirës dhe të ligës dhe të hyjmë në një sferë mbinjerëzore ideale në të cilën njeriu jeton i zhveshur nga të gjitha pasionet, veset dhe ethet e mishit dhe të gjakut…” (Përtej të mirës dhe të ligës),  nuk besoj se ka dritë të mjaftueshme për të dalluar veprën e Isuf Luzajt e aq më pak për ta bërë pronë të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Luzaj, Zyba Hysa

DEKORIMI I OFICERËVE JUGOSLLAVE PJESË E TURPIT TONË KOMBËTAR

January 23, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Dëshmitë e vetë historiografisë së shtetit amë shqiptar,e kanë përcaktuar qartë rolin e madh të të dërguarve të Beogradit për krijimin e Partisë Komuniste shqiptare në Tiranë.Ky rol.në ato momente ka qenë tejet determinant po të kemi parasysh se komunizmi si doktrinë ishte fare i panjohur dhe për më tej,ai nuk mund t’i shkonte për shtat konstitucionit moral të popullit tonë. Po të kemi parasysh se në vitet 1939-1940, në Shqipëri,Kosovë e Maqedoninë shqiptare,po rritej së tepërmi rezistenca nacionaliste për t’i ofruar si zgjidhje të vetme kombit tonë,kufijtë etnike të tij,atëherë do të bindemi plotësisht se “ndihma” e ardhur nga Beogradi nuk ishte as vëllazërore dhe as e sinqertë siç donin ta paraqsinin komunistët shqiptarë të atyre viteve.Shqiptarët kishin edhe një impresion të fuqishëm,për të mos i hapur dyert kanat për komunizmin.Ky impresion lidhej sidomos me sulmin gjerman kundër Beogradit (prill 1941) me ç’rast në trevat të Kosovës e Maqedonisë shqiptare,u rikthyen ëndrra e vjetër e Shqipërisë  etnike.Duam apo s’duam të kujtojmë sot,unë mendoj se shqiptarët në krejt trojet etnike tona,përpara se të dëgjonin përallat komuniste,ishin të vendosur të luftonin për të vënë në jetë,padrejtësitë prej të cilave ende kullonte gjaku i ngohtë.Ndërkaq,disa prej ideatorëve dhe udhëheqësve të parë të grupeve komuniste në Shqipëri,ishin futur në rrugë pa krye,duke dashur të mirrnin flamurin e shpëtimtarit të kombit.Ata kryen në vitin 1941 disa takime por në vend që të bashkoheshin për të shpalosur alternativa,grindeshin për të ndarë karriket dhe për më tepër,nuk kishin vizione të qarta se ç’far duhej të banin në ato momente.Tepër saktësisht përshkruhet kjo situatë e komunistëve shqiptarë në vitin 1941 në një raport të hollësishëm që Koço Tashko i ka dërguar në vjeshtën e vitit 1942,kryesis së Kominternit ku pos të tjerave shprehet ; “Nga ana tjetër isha koshient se shokët e propozuar prej meje nga tërë grupet, sado të sakrifikuar për çështjen dhe të pakursyer në punët,s’kishin përgaditjen politike të duhur për të qenë anëtarë të Komitetit Qendror (këtë fakt ma kishte cilësuar edhe shoku Miladin) domethënë për të kuptuar problemet politike dhe ekonomike të Shqipërisë… Këto të meta kryesore të tyre shpresoja të menjanoheshin deri sa të mblidhje Kongresi i Partisë,prej qenies si instruktorë të dy shokëve jugosllav, Miladin e Dushan.Me pak fjalë gjithë përgjegjësinë ua dorëzova këtyre dy shokëve (sado që skisha asnjë ide të së kaluarës së tyre) vetëm duke u bazuar në rekomandimin e Komitetit Qendror për Kosovë e metohi, të Partisë Komuniste Jugosllave”.(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë, Fondi 14 , dosja 5 , fleta 4 ).

Nga ky dokument autentik i njërit prej krerëve kryesorë komunis në Shqipëri,në vitet 1940- 1944,merret lehtë me mend se marëdhëniet ndërmjet komunistëve të shtetit amë dhe atyre të Beogradit nuk mund të egzistonin si marëdhënie partneriteti,apo vëllezërore.Këto marëdhënie do të konceptoheshin që në fillim si marëdhënie vasaliteti,ku të parët,sllavët do të dirigjonin gjithë “bëmat” e komunizmit në Shqipëri,ndërsa të dytët,komunistët e servilosur shqiptarë do të përpeliteshin nëpër labirintet e politikave serbosllave,duke shitur nderin e tyre,vetëm e vetëm për një copë karrige të përgjakur kur të “çlirohej” Shqipëria. Komunistët sllav,duke parandjerë rrezikun e rritjes së lëvizjes nacionaliste shqiptare,lëvizje e cila që në fillim u shtri në krejt kufijtë etnike tona, ndërhyri energjikisht në lëvizjen komuniste,së paku për të dominuar këte e mandej, në saje të dredhive të vjetra serbosllave të niste në trojet shqiptare luftën e egër vëllavrasëse.Kështu,në verën e vitit 1942,ata hodhën në nismën e tyre,në Kosovë,një trakt ku i bëhej thirrje popullit shqiptar këtu, të rrëmbente armët për të luftuar kundër armikut të përbashkët,fashizmit.Ustallarët e Beogradit jo se donin lirinë e Kosovës, sepse po ta kishin dashur sigurisht ata do të kishin lejuar shqiptarët në trojet etnike të tyre,të paktën të jetonin pa ate kalvar vuajtjesh.Por ata kërkonin të ngrihej krye kundër fashizmit për të ruajtur të pandryshuar statukuonë e organizmit të kufijve pas vitit të mbrapshtë 1913.Ndonëse proklamata e shpërndarë në Kosovë,kishte poshtë edhe nënshkrimin e Partisë Komuniste shqiptare,ajo mirrej vesh menjëherë se ishte gatuar në guzhinën e Beogradit,me ç’rast edhe mungonin fjalët se çdo të bëhej të nesërmen me fatin e popullit shqiptar në Kosovë.

Kjo pozitë e mjerueshme e komunistëve të shtetit amë,të cilët,vinin në rend të ditës parrullat e tyre internacionaliste dhe harronin vuajtjet prej tre deceniesh,të vëllezërve të tyre prej gjaku,dëshmohen vetë prej dokunetave të tyre,pikërisht në vitin 1942,komunistët e tiranës ishin të detyruar të dëshmonin se ; “Për shqiptarët e Kosovës që përbëjnë 50-65 përqind të popullsisë së atjeshme si dhe dy të tretat e popullsisë së Shqipërisë së Vjetër (kufijt e vitit 1913) Partia e jonë ka heshtur sistematikisht duke thënë (fjalët e shokut Miladin) se kjo çështje s’na përket neve por i përket Partisë Komuniste Jugosllave”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 14,dosja 5, fleta 11 ).

Edhe në vitet 1943-1944,bashkëpunimi i klikës komuniste tëTiranës me atë të Beogradit,do të ishte determinant,sidomos në veprimet e atyre të parëve ndaj nacionalistëve shqiptarë.Diku e kam thënë krejt haptas mendimin tim se Mukja ishte shpresa e mbrame e shqiptarëve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në luftën kundra okupatorit.Por pikërisht pse mbante me vete këtë shans të madh historik,Mukja u sabotua dhe anatemua për pesë decenie me radhë nga histriografia shqiptare. Post – Mukja,do të përbënte ndër faqet më të dhimbshme të popullit shqiptar,i cili,ndonëse i coptuar në vitin 1913,ndonëse i sulmuar e kërcënuar dhe zhdukur prej grekërve,sllavëve e bullgarëve, tanimë provonte edhe thikën e ngulur tinëz në shpinë prej vëllaut me nanë.Pa dashur të sjell në këto radhë,gjëmën e madhe e tragjike të luftës vëllavrasëse në Shqipëri,në vitet 1943-1945, unë mundet natyrisht të pohoj se krejt idetë dhe organizimet e kësaj lufte kanë qenë të ideuara në Beograd,ndërsa Miladini e Dushani,ishin veç zbatuesit e urdhërave të padronëve të tyre. Sidomos në ndjekjen ndaj nacionalistëve të shquar shqiptar,dora serbosllave do të shtrihej ngado.Prej asaj dore tradhëtare, ranë në fushën e nderit trima të mëdhenj të kombit shqiptar. Dhe një pjesë e tyre duke parandjerë thikën pas shpine sllavoshqiptar,luftuan me armë në dorë kundra tyre, duke u shndruar në simbole të përjetshme të nacionalizmit shqiptar. Në krejt këtë maskaradë,nuk kanë munguar as idelogjizimi i skajshëm bolshevik dhe as veprimet e fshehta serbosllave për t’i quajtur këta burra ( që sot përbëjnë krenari kombëtare) si bashkëpuntor me okupatorin,sipas parimit paradoksal : O me ne, O kundra nesh !.

Në vitin 1945,klika komuniste e Tiranës,duke iu përmbajtur tërësisht udhëzimeve të beogradit, nisi të konstruktojë modelet e para të diktaturës komuniste,modele të cilat,do të quheshin të veçanta në krejt Evropën Lindore,për nga egërsia me të cilën u zbatuan.Ndër këto modele famëkeqe, mund të përmendim shkurt vetëm njërin,ate të përndjekjeve të krejt kundërshtarëve politik të tyre, familjarisht nëpër burgje apo kampe përqëndrimi sipas modeleve të huazuara nga Stalini.Mijërat e nacionalistëve shqiptarë,u drejtoheshin në vitin 1945 togave të zeza të pushkatimit, burgjeve apo kampeve të punës për të vetmin “faj” se kishin luftuar për lirinë e Shqipërisë si edhe për kufijtë etnike të saj.Dhe përballë kësaj tragjedie të re shqiptare,duhej diçka butaforike,duhej diçka për ti dhënë botës komuniste të kuptonte se qeveria shqiptare nuk kishte mendjen vetëm për punë të zeza.Dhe pikërisht në këto momente aq të dhimbshme për krejt kombin tonë,kjo qeveri, enkas për të dhjetëfishuar tragjedinë shqiptare, zgjodhi pikërisht procedurën e dekorimit të dhjetra oficerëve serbosllav të cilët sigurisht ishin vrarë duke luftuar kundër forcave nacionaliste shqiptare. Me këtë akt të shëmtuar ,si turp kombëtar,klika komuniste e shtetit amë,kërkonte gjithashtu të thoshte fjalën e vet, lidhur me qëndrimin e saj pro idesë së Beogradit për tu integruar në republikë të shtatë të krijesës jugosllave. Kësisoj më 5 shtator 1945,në ish pallatin mbretëror në Tiranë,u zhvillua një ceremoni tejet pompoz, me pjesmarrjen e krejt qeverisë shqiptare si edhe përfaqsuesive diplomatike dhe forcave aleate në kryeqytet.Me tone oratorike,Omer Nishani,në cilësinë e kryetarit të Këshillit Antifashist,lexoi vendimin e këtij Këshilli numër 117 , datë 5 shtator 1945 : “Në bazë të propozimit të kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe Komandant I Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare ;Duke marrë parasysh se shumë personalitete të huaja të vendeve aleate gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit t’onë kanë kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet në Luftën e popullit shqiptar qoftë brenda në Shqipëri krah për krah me ushtrinë tonë, qoftë jashtë Shqipërisë dhe për të shfaqur mirënjohjen e për t’a shërbyer e nderuar veprimtarinë e tyre në dobi t’Atdheut e të popullit shqiptar.

Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, Vendosi Të dekorohen me dekoratat e shënuara për sejcilin,personat që përmenden në listën që vijon :

Gjeneral Ivan Milutinoviç,me Urdhër “Heroi Kombëtar”, Lolo Ribar,me urdhërin “Heroi Kombëtar”,Ramiz Sadiku,me Urdhërin “Heroi Kombëtar,Ivan Ribar,me Urdhërin e “Flamurit”, Eduard Kardelj,me Urdhërin e “Flamurit”,Bllazho Jovanoviç,me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”,Radovan Zagoviç me Urdhërin e “Flamurit,dëshmori Miladin Popoviç,me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”.Dushan Mugosha,me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”.

Me urdhërin e “Yllit Partizan Klasi i I” dhe me medaljen e Trimërisë Brigadier E.F.Davies. Me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “, Gjeneral-Lejtnant Arso Jovanoviç, Aleksander Rankoviç, Milan Gjilas,Petko Dapçeviç,Breigadier T.Churchuill,Kolonel Velimir Stoiniç,Lejtnant-Kolonel, Palmer,Major Ivanov Konstantin,Kapiten Thomas Stefan.

Me Urdhërin e “Yllit Partizan i klasit të II” dhe me medaljen e “Kujtimit” ; Kolonel Vojo Todoroviç. Me urdhërin e “Yllit Partizan i klasit të II” dhe me “Medaljen e Trimërisë” ; Major Savo Stonjou,W.V.G.Smith. Me Urdhërin “Partizan i klasit të II”, Gjeneral,Terziç Velimir, colonel Kiler Peter,Kolonel,Obrat Cicmil,Nenkolonel,Mijat Vuletiç,G.W.Seymour,Major J.K.H. Shaw, Major, M.J.Fornton, Major, V.Robinson, Kapiten Northop, Kapiten J.M.Lyon,Toger John O’Keefe.

Me Urdhërin “Ylli Partizan i klasit të III” ; Major Timochek Teodor,Major Viktor Bobol,Kapiten Miazi Dizdareviç,Toger Nick Cooky,Kaporal George Routsis. Me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit” ; Bije Vokshi, Dëshmor, Hajdar Dushi, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Vaso Strugari, Mikel popoviç”. ( Gazeta “Bashkimi “ Tiranë më 6 shtator 1945 ).

Ndërsa kreu i klikës komuniste të Tiranës,Enver Hoxha,do të deklaronte solemnisht në atë mbrëmje se ; ”Të gjithë këta oficerë që u dekoruan,na kanë ndihmuar me shpirt, në përpjekjet tona për çlirim”. Shërbetori i zellshëm i sllavokomunistëve,falenderonte kështu mësuesit e tij nga beogradi për kontributin e madh të tyre në përpjekjet sllave për shuarjen e rracës shqiptare. Me këtë mesazh ai gjithashtu donte të siguronte padronët e vet se do të ishte kurdoherë rob i politikave shovene serbosllave.

Si mund të dekoroheshin oficerë të lartë jugosllav kur vetëm në vitet 1944-1945 në territoret e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare u vranë,u burgosën,dhe u shperngulën më shumë se 50 mijë shqiptarë etnik të pafajshëm ? si mund t’i shpërndaheshin dekorata atyre që pos të tjerave, nuk lane pëllëmbë toke shqiptare pa e përgjakur me gjak shqiptari ? si mund të dekoroheshin ata të cilët populli i ynë i konsideroi dhe i konsideron pushtues të tokave shqiptare ? Si mund të përgëzoheshin këta kriminelë të zakonshëm lufte,kur pikërisht në ato momente në malet shqiptare,endeshin dhjetra e dhjetra heronj nacionalistë,të cilët,falnin pranverat e tyre për kufijtë tanë etnik ?.

Përballë këtyre pyetjeve,mund të hamendësosh shumë përgjigje.Por përgjigjja e parë që të vjen ndër mend është pikërisht ajo se klika komuniste e Tiranës,në vitin 1945,e fryrë prej përallave të internacionalizmit proletar,duke dekoruar vrasësit e popullit të vet,merrte mbi vete barrën e rëndë të një turpi kombëtar.E përbaltuar në pozitat mjerane ku e futi çorba serbosllave,kjo klikë po I bënte nderet dhe shërbimet e para Beogradit duke dëshmuar sigurisht antishqiptarizmin e vet, me të drejtë duke pranuar dhe njohur pushtimin e tokave shqiptare të Kosovës, Preshevës Bujanovcit e Medvegjes, të Maqedonisë shqiptare nga serbosllavët. Koha dëshmon tradhëtitë komuniste shqiptare tanimë i mbetet qeverisë së djathtë shqiptare dhe Institutit për Krimet e Komunizmit që të gjithë të dekoruarit, ti zhvleftësoi dhe dënojë.Krimit dhe tradhëtisë duhet shartuar nga rrënjët.(Ne Foto:Diktatori Enver Hoxha me Miladin Popovicin)

Bern-Zvicër

Filed Under: Opinion Tagged With: dekorimi i oficereve jugosllave, Eugjen Shehu, turp kombetar

TAKIMI ME AKADEMIKUN MARK KRASNIQI NE TIRANE

January 23, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.

Kisha kohë pa e takuar prof. Mark Krasniqin-Akademik, njërin ndër figurat e njohura dhe të shquara të arsimit, kulturës, shkencës e politikës në Kosovë. Prandaj ndjeva kënaqësi të veçantë, kur mora një ftesë nga kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mertur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), se në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, do të organizohej një koncert dhe manifestim masiv, në Pallatin e Kongreseve të kryeqytetit Tiranë. Ndër të tjera, aty shënohej se do të ishte pjesëmarrës edhe prof. M.Krasniqi.

Ende pa nisur shfaqja, hyra në sallën e stërmadhe, që gumëzhinte si “koshere” bletësh. Nga radhët e mezit, drejtpërdrejt me skenën, ku diku afër e kisha të caktuar edhe unë vendin, e vërejta të ulur atë, bashkë me një mik të tij, nga Gjakova, Gjokë Gecin. U përshëndeta me prof. Mark Krasniqin me përzemërsi dhe iu luta një personi që të na fotografonte, për ta patur shenjë kujtimi. Ndërkaq, edhe më pas gjeta rastin të bisedonim bashkë, sigurisht jo gjerësisht. Më  erdhi shumë mirë që, megjithëse në moshën mbi 92-vjeçare, gëzonte shëndet të qendrueshëm, mbahej i fortë dhe kishte kujtesë të admirueshme. Këtë gjë e vërejta edhe  kur ai u shfaqi dashamirësi gjithë njerëzve të shumtë, të cilët vinin ta takonin dhe ta respektonin. Bile, pati nga ata nikajmërturas, që ia treguan shtëpinë dhe iu lutën që, pas shfaqjes, të shkonin në familjen e tyre.

Në bisedë e sipër, por dhe  kur u ndamë aty, pasi nisi shfaqja “e zjarrtë”, e titulluar “Nata e Nikaj-Mërturit”, në vijim të disa veprimtarive të tilla, solla në kujtesë njohjen tonë. Ishin vitet ’70-të e 80-të të shekullit të kaluar, kur në kryeqytetun Tiranë, por dhe në rrethe të vendit, u organizuan veprimtari masive, konferenca, simpoziume e kongrese shkencore. Ato ishin për çështje të historisë e gjuhësisë, kulturës, etnografisë, arkeologjisë e tjerë. Megjithëse dihen vështirësitë e kohës për lidhjet me Kosovën e robëruar nga rregjimi serb, në ato merrnin pjesë edhe studiues e shkencëtarë shqiptarë prej saj. Një ndër ata, padyshim, ishte edhe prof. Mark Krasniqi. Ai nuk vinte këtu, në “shtetin amë”,  si një një “vizitor” i thjeshtë, por edhe lexonte punime të thelluara shkencore.

Një ndër udhëtimet e tij në Tiranë, por dhe në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ishte ai i marsit të vitit 1980. Në qytetin më verior alpin, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë, kishte përgatitur një sesion shkencor, me rastin e 55-vjetorit të vrasjes së “Heroit të Popullit”, “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri. Në udhëtimin, nga kryeqyteti për atje, pasi kisha për të lexuar një temë për figurën e tij në këngët popullore, arrita në Fushë-Arrës dhe aty u ndalëm pak për të pushuar. E dija që, në përbërje të grupit nga Prishtina, ishin Ali Hadri, Zekeria Cana e një tjetër. E pyeta prof. Markun, pak me shaka: “Për ku jeni nisur kështu, profesor,  apo për në sesionin shkencor, kushtuar B.Currit?” Aty për aty, ai m’u përgjigj me një shprehje popullore, duke e anashkaluar shpjegimin e saktë: “Jo, po, me që i kisha opingat veshur, mendova dhe unë të dal një herë në Malësi”. Në fakt, meqenëse e ka origjinën nga krahina e Nikaj-Mërturit dhe larguar shumë kohë të parët që andej, ai ma shfaqi dëshirën se donte t’i njihte të afërmit e tij, atje. Kur arritëm në qytetin “B.Curri”, sigurisht, këtë gjë ua thashë drejtuesve të partisë e shtetit të asaj kohe. Me sa kuptova, një ndër arsyet, se përse nuk donin ta lejonin të shkonte për vizitë tek ata prof. Marku, ishte varfëria e tejskajshme në atë krahinë. Ndërsa përgjigja  e pëligjia, për atë, ishte se: “Rruga është e prishur dhe nuk mund të kalohet për andej!?”

Megjithëse nuk mori pjesë në sesionin shkencor, të organizuar në qytetin “B.Curri”, pasi nuk e kishte “lejën” nga organet jugosllave,prof. Mark Krasniqi erdhi me ne në fshatin e bukur Valbonë. Aty hëngrëm një drekë së bashku, ku dhe u kënduan këngë popullore. Por pati edhe një recitim, nga rapsodi i mirënjohur vendës, Sokol Arifi. Në vargjet e tij, me përmbajtje të theksuar atdhetare, ai përmendëte edhe të këqijat e regjimit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, të ftuarit kosovarë  u ndjenë ca “ngusht” dhe, për të mos i venë ata në pozitë të vështirë, raspsodi nuk vazhdoi më gjatë, me recitime të tilla. Megjithatë, e pashë që prof., Markut i shëndritën sytë, kur i dëgjoi ato vargje rapsodike, të cilat e shprehnin realitetin e vertetë e të dhimbshëm historik të shqiptarëve, nën pushtimin e huaj serb.

Në vitet pasardhëse, kam lexuar shpesh për  studimet, botimet e pjesëmarrjet në detyrat dhe veprimatritë e ndryshme, nga Akademiku Mark Krasniqi. Sigurisht, si atëherë dhe tani, jam ndjerë krenar për këtë bashkëkrahinas e  atdhetar të mirë, i cili jetën e tij të gjatë e ka venë në shërbim të arsimit, shkencës e kulturës kombëtare shqiptare. Prandaj, si unë, por dhe të gjithë ata, që e takuan e biseduan këto ditë me të në Tiranë, i uruan nga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi dhe krijimtari sa më të frytshme, për të mirën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në darkën, që u shtrua nga Shoqata “Nikaj-Mërtur” për të ftuarit dhe artistët amatorë, përsëri u përshëndeta me Akademikun e shquar Mark Krasniqi. Bile, me ftesën edhe të Gjokë Vukajt, që e filmonte tërë veprimatrinë, shkuam e i takuam gotat me atë dhe kolegë të tij nga Kosova, unë dhe kryetari i Shoqatës, Av. Gjin Niklekaj. Sigurisht, për këtë gjë, ai na falënderoi dhe u ndamë përzemërsisht.

2.

Mark Krasniqi  lindi më 19 tetor 1920, në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kolaj), në afërsi të Pejës, në Kosovë. Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Në vitet 1941-1943,  vazhdoi studimet e larta për letërsi, në Universitetin e Padovës së Italisë. Ndërsa më tej, studioi për gjeografi dhe etnografi, në Universitetin e Beogradit (1946-1959). Nisi të shkruajë që herët në shtyp. Kështu, në vitet 1945-1946, ishte redaktor i gazetës “Rilindja”, në Prizren, së bashku me Esad Mekulin e Omer Çekrezin.  Në tri vitet vazhduese, punoi në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe, në Radio-Beogradi. Në vazhdimësi, gjatë viteve 1950-1961, ishte asistent dhe pastaj bashkëpunëtor shkencor, në Akademinë e Shkencave të Serbisë. Ngjarje më rendësi për të ishte marrja e diplomës, në Beograd, më 1950 dhe pastaj mbrojtja e doktoraturës, në Universitetin e Lubjanës, më 1960.

Për aftësitë e tij pedagogjike e shkencore, në periudhën 1961-1981 ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, kur shteti serbo-komunist e largoi nga puna arsimore e pedagogjike. Disa herë ka shërbyer dekan dhe prodekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, në Prishtinë. Gjithashtu, është ngarkuar me detyra të larta, si: zëvendëskryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka marrë pjesë dhe ka lexuar punime të tij në shumë kongrese, konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombetare, ku janë diskutuar çështje të traditave, gjuhës letrare kombëtare, historisë, etnografisë, folklorit shqiptar e tjerë.

Përveç punës pedaogjike e shkencore, detyrave drejtuese dhe veprimtarive të tjera, ka hartuar e botuar rreth 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollorë. Prof. M.Krasniqi është autor i disa vëllimeve me poezi, si për të rritur e fëmijë, ndër të cilët veçojmë librin për të vegjëlit, “Posta e porositur”. Po kështu, ka shqipëruar, nga serbishtja e sllovenishtja, disa romane e përmbledhje me poezi

…Me përvojën e gjatë shumëvjeçare dhe shërbimet e çmuara, q ë i ka bërë popullit tonë, për të cilat folëm shkrutimisht më lart, prof.Mark Krasniqi-Akademik, është jo vetëm krenari e natyrshme për banorët e krahinës së prejardhjes, pra Nikaj-Merturit, por edhe për vendlindjen, mbarë Kosovën e Shqipërinë dhe, më tej, për të gjitha trojet amtare e diasporën tonë shqiptare.(Ne Foto: Nga e majta: M.Krasniqi e M.Gecaj (Tiranë, 18 janar 2013)

Tiranë, 22 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: me mark Krasniqin, Murat Gecaj, Takimi, Tirane

NË VIJIM TË NJË SHKRIMI: SË PARI, BASHKIMI SHPIRTËROR I SHQIPTARËVE!

January 23, 2013 by dgreca

Nga  Skënder Zogaj/publicist e poet, Fushë-Kosovë/

I nderuari shok e mik, si-vëlla Murat Gecaj!/

E lexova me kënaqësi  skicën , “Së pari, bashkimi shpirtëror i shqiptarëve” dhe e pëlqeva fort mendimin e urtë e të mençur, përkitazi me temën e bashkimit kombëtar.

Siç  vërejmë dendur, disa individë, grupe e qarqe “patriotësh” ,“të zjarrmshëm”, asaj po i fryjnë me afsh patetik, përmes fjalësh të mëdha. Por nuk kryejnë  asnjë veprim  konkret, për të dëshmuar se vërtet ata janë për bashkimin kombëtar dhe se ia kanë anën kësaj pune, jo vetëm për ta shprehur, por edhe për ta “krehur”, të paktën, duke dëshmuar më bindshëm, se kanë ndonjëfarë projekti konkret për ta realizuar atë.

Përkundrazi, me plot gojën, për bashkim kombëtar po shfaqen individë dhe grupe që, më së paku, do të duhej të paraqiteshin, sepse nuk janë ata, që mund të flasin në emër të popullit! Bile, nuk mund të flasin as në emër të ndonjë shtrese të tij, ngase nuk e kanë asnjë meritë të veçantë, që është e domosdoshme, kur dikush i jep të drejtë vetes të dalë dhe të shprehë aspirata të përmasës kombëtare.

Prandaj, i dashur Murat, bukur e ke thënë, nuk duhen kapërcyer shkallët “me hop” ose “me vrap”, sepse “e thyen qafën” e bie në gropë!

Bashkimi shpirtëror është ajo, që na duhet sot, kur “dikush i bie thumbit e një tjetër patkonit”! Sepse kemi jetuar për shumë kohë të ndarë e të përçarë, anëve të ndryshme të botës dhe nën trysninë e njëmijëenjë faktorëve, që na e kanë rrudhur mendjen dhe shpirtin. Kështu që kemi aq shumë zbrazëti shpirtërore, sa që, nganjëherë, duke i analizuar disa faktorë, them se na duhet kohë tepër e gjatë, që të mund të funksionojmë përbashkësisht.

Nuk besoj se mund të kemi bashkim kombëtar cilësor në kushtet aktuale, kur Shqipëria dhe Kosova janë të ngërthyera nga “patriotizmi” i rrejshëm. Po them kështu sepse,  i madh është numri i të ashtuquajturve “patriotë”, të cilët janë të përfshirë në krime dhe korrupsion, drogë e prostitucion, hajni dhe mashtrime.

Ata janë “patriotët” e paditurisë,  primitivizmit e kontrabandës, që bëjnë argatin e rrjetave të ndryshme mafioze. Pastaj, të yshtura prej tyre, dalin shesheve të mbështjellur me flamurin kuq e zi dhe bërtasin për bashkimin kombëtar! Është një skenë aq e trishtueshme, sa që shqiptarëve të ndershëm e të vërtetë, ua zgjojnë neverinë dhe i bëjnë të ikin dhe të fshihem, që të mos i shohin e dëgjojnë këto “sorra të larme”, duke krrokatur, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Intelektrualët shqiptarë, atdhetarët e ditur, të pastër e të ditur, nuk do të duhej të bien pre e këtyre koluareve, por do të duhej të punojnë seriozisht, pa asnjë fjalë, në shembullin e veprimit të vendeve të tjera, si Gjermania, fjala vjen.

Vetëm një javë para se të rrënohej “Muri i Berlinit”, gjermanët thonin se: “Muri është i paprekshëm edhe për 100 vjet!” E, në fakt, i kishin përgatitur të gjitha “veglat” e nevojshme. Kështu, sa çel e mbyll sytë, e realizuan qëllimin e tyre, pa asnjë fjalë e miting, pa u mbështjellur me flamuj dhe pa u çjerrë rrugëve! Si para, ashtu edhe pas rrënimit të Murit, gjermanët e bënë në heshtje bashkimin e tyre kombëtar…

Pra, mik i dashur, jam me ty dhe shfrytëzoj rastin që të të falënderoj shumë nga zemra, për shkrimin kuptimplotë: “Së, pari bashkimi shpirtëror i shqiptarëve”. Le të shpresojmë, të gjithë së bashku!…

Përshëndetjet më të përzemërta dhe me  shumë respekt!

Fushë-Kosovë, 20 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkim shpirteror, Fushe-Kosove, Skender Zogu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT