• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

Nuk mund të preket dinjiteti i askujt!

January 29, 2013 by dgreca

Ne foto, nga e majta ne te djathte: Ish ambasadori amerikan ne Shqiperi ne vitet e para te demokracise, W. Rajerson, Ekrem Bardha, Kujtim Qafa dhe Gjeto Ivezaj, te cilet ndihmuan ne demokratizimin e Shqiperise ne vitin 1992. Foto e marre nga celebrimi i 100 Vjetorit te Pavaresise ne Ambasaden Shqiptare ne Washington me 11 Dhjetor 2012/

 Shkruar nga: Gjeto Ivezaj/

Po bëhët afro një vit që futen pengesa, kur bëhet fjalë për krijimin e një përfaqësimi dinjitoz të komunitetit shqiptar në Detroit, saqë kohët e fundit Don Fran Kola i afrohet një propozimi dinjitoz, duke “larguar” nga vetja, dmth Kisha, disa përgjegjësi që i ka mbuluar prej vitesh. Në mungesë të organizimit shtetror të emigrantve , gjegjësisht në aktivitetet patriotike dhe kombëtare, pasi punët dhe sherbimet e tjera funksionojne me ligjet e vendit ku jetojme e punojmë.

Eshtë kjo pikërisht fusha ma abuzive ku shqiptaret ne emigrim mundohen me qit në pah ato vlera që deshirojnë t’i kenë, por në fakt nuk i kanë. Pamundësia e të rënit në sy të “përsonalitetit” të tyre, mundohen të ulin dhe të fyejnë dinjitetin dhe mundësinë që kanë pasë e kanë të tjerët, që kanë bërë një emër të mirë, falë punës së tyre të mirë.

Përpiqemi t’i ndjekim dhe suportojmë, me mundësitë tona, mediat që ka komuniteti ynë, në gjuhën tonë. Kjo për shumë arsye, por më së pari për të mbajtë e ruajt gjuhën, traditat dhe vyrtytet me te larta te njohura dhe vlerësuara prej shumë studiuseve të huaj.

E bash pikërisht këtu, drejtuesit e mediave nuk duhet të bienë në cënimin e dinjitetit të askujt, për asnjë lloj interesi, sidomos kur duan të dalin në ballë të kombtarzmit disa përsona që nuk kanë bërë kurrë me shumë se disa darka e dreka falas, edhe pse kanë afro dy dekada në këtë komunitet, duke i pasë mundësitë me u duk, para se të kritikojnë në formën me vulgare punët e të tjerëve. Nuk është as në nderin e tyre, por as të mediave që ua hapin rrugën, duke ulë shumë vlerat profesionale të një bisede, nga e cila duhet mësuar e jo përçarë, siç mundohen të bëjnë në jo pak raste.

Kush më mirë se aktivisti dhe biznesmeni i njohur Ekrem Bardha mundet me ndihmuar, ashtu siç edhe ka ndihmuar, në problemet e komunitetit shqiptar të Detroitit. Prej vitesh e dekadash ai ka pasë dhe ka kontakte me Senatin e Kongresin Amerikan, me shumë përsonalitete të këtij vendi, ku ne ndjehemi me mirë se askund, duke u pritur nga disa Presidentë e duke u ftuar familjarisht në shtëpitë e tyre. Jam i binsdur se ata, të cilët sot flasin dhe mundohen me lobu në shtetin amë me hek Ekremin prej Konsull Nderi, nuk munden me i pasë arritjet e tij të një dite, edhe sikur të shtrojnë një mijë darka falas, edhe sikur t’i marrin edhe njëmijë mirënjohje shoqatash kulturore e të bëjnë darka dekorimesh, siç i kanë bërë deri më sot.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ekrem bardha, Gjeto Ivezaj

Rikthim në kraterin e ferrit

January 29, 2013 by dgreca

Mos të pafsha më kurrë shkretëtirë e mbetur Shkretë!/

Nga Bedri Blloshmi/

Me kërkesën e z.Agron Tufa, drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, u nisëm për të vizituar burgun e Spaçit. Nuk kisha asnjë lloj dëshire për të shkelur përsëri në këtë humnerë, këtë krater, këtë gropë të rrejpur pa asnjë lloj bimësie, pas asnjë lloj krijese të gjallë, ku edhe egërsirave apo kaçakëve nuk u pëlqen as të kalojnë e jo më të jetojnë. Në këtë anë këtu edhe uji i pakët që rrjedh nga grykat e galerive apo maja e kodrës së djegur ka një ngjyrë të kuqerreme i cili ngjan si të jetë gjak që rrjedh nga një trup i plagosur, që rënkon pa pushim.

Z.Agron Tufa, gjatë bisedës më pyeste herë pas here: “- Hë Bedri, si të duket ky udhëtim? Çfarë të bën më shumë përshtypje?” “- Asgjë nuk më bën përshtypje. Nuk është hera e parë që shkel pa pranga në duar në këtë humbëtirë të mbetur shkretë.”edhe ju Z.Agron këtë rrugë e keni shkelur që kur ishte fëmijë, me trasta në krahë, me opinga të grisura, me barkun bosh e me një ndjenjë frike tek shkonit të takonje babanë e tuaj. Sapo lamë autostradën, rruga më tej gjarpëronte përgjatë një përroi që zhdukej poshtë majave të maleve të rrjepura. Me vete kishim dhe një kameraman, që shikonte nga brenda xhamit të makinës këtë vend të çuditshëm, i cili vetëm shkrepte aparatin, psherëtinte e psherëtinte me vete, duke shikuar here nga unë e here nga përroi i thellë që si dukej fundi.

-Më falni zoti Blloshmi e zoti Tufa, por nga po na çoni këtej? Nuk besoj se nga kjo anë që po shkojmë ka jetesë? Kush mund të jetojë në këto shkrepa? Mos jemi gabim? – na pyeti kameramani ndërsa vazhdonte të shkrepte aparatin.

-Ne po shkojmë atje ku kemi qenë të mbyllur e rrethuar me tela me gjemba e gryka mitralozi, – iu përgjigja unë, – por edhe nëse e kemi gabim, kjo rrugë të çon o në Qaf Bari ose në burgun e Gurthit, këto rrugë janë vetëm rrugë burgu.

Pa e kuptuar sa kishim udhëtuar, në një moment shoferi më pyeti: – Z,Blloshmi, këtu nga do të shkojmë, se janë dy rrugë? Të thashë një herë si rruga poshtë edhe kjo sipër të çojnë në një burg por ne do kalojmë sipër këtu është burgu për të cilën jemi nisur ta vizitojmë.

-Mbaj sipër, – i them përsëri unë – ja, arritëm pas kësaj kthese do të shohim godinat që na presin me gojë hapur se galeritë nuk duken, janë në përrua. Çdo gjë është shkatërruar, por megjithatë gërmadhat janë. Ja, i sheh këto -vazhdova t’i shpjegoj, mbasi ecëm gati 300 u afruam unë fillova të tregoj ja kjo godina komanda, këtu, ka qenë porta e hekurt, këtu fusha e qymyrit, kjo gërmadha këtu, ka qenë një dhomë ku bënin spiunët “takim special”,këtu ka qenë mensa, këtu kanë qenë birucat, këtu depoja e veshmbathjeve, kjo është fusha që rreshtoheshim kur donin të arrestonin sërish një të dënuar. Këtu u arrestua Xhelal Koprencka kur prokurori thirri gjithë inat e turivarur, duke tundur dorën e shtrirë drejt nga ne në fushë: “Xhelal Koprencka, në emër të popullit arrestohesh!”, pa mbaruar fjalën prokurori policët e mbërthyen me pranga ndërsa Xhelali iu përgjigj: “Jo në emër të popullit, por në emër të armiqve të popullit po më arreston!”.

Kur kaluam përpara pallateve vazhdova të tregoj: Ky pallat ishte plot me të dënuar të cilët punonin në galeri. Kjo është dhoma ku kam jetuar për pesë vjet me radhë. Shiko mbi derë akoma është parrulla me thënien e diktatorit, ja shiko gjithë andej ka parrulla.Në këtë dhomë flinin 51-52 të dënuar e në çdo dhomë krevatet ishin me tre kate, të bëra me hekura të salduara. Kjo gërmadha përpara nesh ka qenë banjoja, ndërsa tarraca përdorej për të bërë apelin tri herë në ditë. Këtu rrinim me orë të tëra në shi e dëborë duke pritur of. rojes për të na numëruar. Kjo gërmadha tjetër këtu ka qenë depo që përdorej nga ne për të lënë çizmet e grisura të llastikut që kundërmonin era djersë e rrobat e grira nga acidi, që vinin po aq erë të keqe sa çizmet, të lagura nga djersa dhe uji që kullonte fillim e mbarim të galerisë. Ja dhe zona e dytë, ajo në kodër e njoh mire atë zone atje kam punuar 5 vjet pa shkëputje, aty temperature ishte 45 –47 gradë. Lart fare, zona e pare e tretë dhe e katërta dhe kjo këtu poshtë fare quhej zona e pestë. Në këto zona punohej me tri turne. Në çdo turne kishte: brigadën e armatorëve, brigadën e sipërfaqes ku çdo brigadë kishte mbi 48 të dënuar veç brigades që nxirrte vagonat. Kur nuk arrinim të bënim normën, polici na lidhte pas një shtylle për 6-7 orë rresht e cila ndodhej atje tej, në kodër pranë barangës së tij. Shumë herë na lidhnin në hekuart e duarve edhe një rrotë vagoni e cila nuk takonte në tokë peshonte vetëm në duart e prangosura. Kishte raste që mbasi të linin lidhur në kodër, deri sa të dënuarit e tjerë të dilnin nga galeria në fund të turrnit kur brigada zbriste për të shkuar në fjetore, na zbrisnin të lidhur e më pas na fusnin në birucë. Në mëngjes të nxirrnin e na çonin prapë në punë. E sheh këtë pallatin tjetër? Ky ishte pallati i ”papaunësisë„ ishte i mbushur plot me pleq sakatë, me një dorë apo me një sy, dhe ata që ishin me raport mjeku. Kishte dhe të dënuar të cilët kishin dalë nga fiqiri prej torturave në hetuesi, thënë troç: i kishin çmendur dhe, të gjithë këta i fusnin çdo ditë në një sallë dhe u çanin kokën 4-5 orë duke lexuar dokrrat e përrallat e diktatorit. Tani të lutem mos më pyet më, se po ndihem keq. Pse çfar po ndjen? Të lutem ma thuaj. Unë habitem kur kujtoj se gjithë ajo dhunë psikologjike, gjithë ai presion, birucat, riarestimet, vrasjet në galeri, vrasjet nga ushtarët, pushkatimet.Shpesh here humbnim shpresën sa here futeshe operative në kamp të gjithë ne dridheshim nga tmerri se dinim që diçka do të ndodhte, ja tani si vjen koha çdo gjë është zhdukur e shkatërrua e kanë mbetur vetëm gërmadha.

Por kamerani prapë vazhdonte: – Po ndonjë rast vrasjeje, a të kujtohet?

-Po, – iu përgjigja unë, – disa raste. Ikim dhe flasim rrugës në makinë se nuk mund të qëndroj më këtu. M’u zgjuan shumë kujtime të tmerrshme që më kallin datën e drithërrojnë shpirtin, ikim ikim çfarë kërkon më shumë të dish. E gjithë pllaja ku jemi ne vetë rënkon e pëshpërin e janë shpirtrat që s’kanë gjetur asnjëher ashtue s’kanë për të gjetur qetësi.

Z.Agron vetëm shikonte i heshtur e thithte cigaren me ngut. Me bishtin e cigares së përfunduar ndizte tjetrën mendushëm ndërsa shtëllungat e tymit ngjiteshin e shpërndaheshin ngadalë kush e di se ku duke humbur ashtu siç u harruan e anashkaluan krimet 50 vjeçare të terroristëve komunistë, duke mohuar gjithë atë gjak të derdhur e gjithë ato sakrifica pa iu nënshtruar e pa u futur në strehën e çadrës së tyre gjakatare. E sot, bijtë e vrasësve të djeshëm sundojnë vendin duke u pasuruar e mbrojtur baballarët e tyre. Edhe kjo është “Demokraci”! Ndërsa me mijëra nëna shamizeza përsërisin legjendën e qyqes duke vajtuar kodër më kodër e përrua më përrua me lot në sy, me shkop në dorë e të kërrusura nga pesha e halleve dhe dhimbjes së përjetshme. Ato rënkojnë e shpresojnë për djemtë, vllezërit, baballarët e tyre që edhe të vdekur e të zhdukur i kërkojnë e i kërkojnë duke psherëtirë…

Mos të pafsha më kurrë shkretëtirë e mbetur Shkretë!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bedri Blloshmi, Burgu i Spacit

NE SOFREN E DIELLIT- URAN KOSTRECI-SONETE

January 29, 2013 by dgreca

  MIT’HAT FRASHËRI/

 Nga kreu i Dangëllis dalloj me mall/

Pullazë e Frashërllinjve  dhe teqenë/

Samin’ prej bronxi, Abdylë e Naim benë,/

Po, ti, Mit’hat, pse nuk je, aty, vallë?/

 Ti, Lumo, u prive  burrave të rrallë,/

Në Manastir, e bëre alfabenë;/

N’Europë, Ti, e mbrojte mëmëdhenë,/

Të gjuhës shqipe shpuzë, mbajte gjallë./

 

Ti, n’Vlor’ me Ismail  ngrite  flamurë;/

Makutve fqinjë, maskën, ua çore/

Dhe çamët  muhaxhir  në  mbrojtje i more./

 

I Ajkës  Kombit, prijs, o Lumo, o burrë,

Që nga  të kuqtë u shave, t’hodhën gurë,

Ti, ngel  profet. Medet, s’ke  një shtatore!

 

 

          SAFET BUTKA

 

N’Atdhe u ktheve o Safet  shkollari

Me dituri  europe i pajisur.

I mbolle dije  n’mendje çdo  shqiptari

E afsh për komb  çdo shpirti të molisur.

 

Kur hasmi u dynd,  revoltë u çove  i pari

Në burgje larg u pate degëdisur

Në krye  çetash, Safet  kumandari

Me armë n’dorë, qylaf  shkab- qëndisur,

 

I re pushtuesit, egër,  më çdo  ças,

Po skota  ku  Dushani  prijës qe

Të ra  me pushkë, o Safet, nga pas.

 

Ti, kur tradhtinë e të kuqve pe,

Një çast me ankth e brengë e plot  maras

The: – Jo vllavrasje! – e vetes tënde i re.

 

 

           ABAZ KUPI

 

Kur besa e lidh’ në Mukje, u shkel nga djaj,

Kjo tradhëti nga Bazi u dënua;

Të kuqtë Atdhen’ përçanë, e  krodhën në vaj,

Abazin  shanë e  vetë u fryn’ pallua.

 

Medet,  Kosova shkjaut iu dorëzua

Po kuqot festë  bënë  e berihaj.

Që n’Durrës, luftoi Bazi, u harrua.

Përmendej lufta, jo  kush i priu asaj.

 

Po trimat që ranë, atje, për lirinë,

Jetim, në varre, ngelën si mjeranë …

Ata me gjeneralin  kan’ lavdinë,

 

Siç ka  ky me ata që pas, i vanë.

Abazi më shtat’ prill nderoi  Shqiprinë.

Heronjve  u priu, plumb derdhi mbi dushmanë.

 

            LEF NOSI

 

Tek shoh, tani, shtatoren tënde ngritur

Përlotur them-Mirse na vjen, Lef  Nosi!

Po sikur po më dukesh i mërzitur!

Zemruar je me ne? Pash Zotin, mos!

 

Se ne, gjitmon, kush je e kemi ditur

Po ishim aq në hall e në kaos,

Sa gjallë gjer më sot qysh kemi mbritur;

T’i n’Vlorë flamurë e ngrite e bëre çmos

 

I mbrojte t’shenjtat firma:amanenë:

Le libra, arshiva, le filatelinë;

U rreke me Antonë e Mehdi benë

 

Ta nxirrje nga humnera Shqipërinë,

Po djajtë e kuq, o Lef, kokën ta prenë

E s’dijmë as kockat ku i ke, as hinë.

 

 

      NACIONALISTI I MERGUAR

 

Kur dimri  i pleqërisë … të mbërtheu,

E le  mërgatën  dhe si shpend  në erë

Drejt  çerdhes  fluturove  edhe njëherë …

Te vatra e lashtë të thërriste … dheu!

 

Sa  ja pe  malet, shpirti ngazëlleu;

Dikur  atje  për shkabën  me dy krerë

Luftove me Safetin  sy-sqifterë

Të sprapsje  atë yll që vendin  gjak e ngjeu.

 

Brengosur  Shqipërinë e vatrën gjete!

Po s’di pse flaka e vatrës të kujtoi

Kolonjën e qëmoçme e të sëmboi.

 

– Ah, Zot! – psher’tive e kokën e mbështete

   Te  shiltja, ne oxhaku e ashtu … mbete;

   At’çast një shkëndij’vatre… fluturoi.

 

 

 

 

        LUFTËTARI I LIRISË

           (Diversanti)

 

O, ti, ushtar i  lashtë që altar

Flamurin  pate e  faleshe  mbi të

Kur shum’kërthinj  gogsisnin në shullë!

Ti, që për komb u hodhe  shpesh në zjarr.

 

E predha “hëngre” si peshqesh qyqar,

Po lavde  kurrë s’lype  për këtë,

Si nuk  u tha,  o plak, për ty një gjë ?

Se për Atdheun’ kur dreqi … e pat marrë

 

Ti, pushkën  more e kaptove  kufinë.

Kaçak u fute  atje kur  ishte zi.

Në mal, në terr, në  borë e suferinë

 

U ndoqe  nga koshadhe e polici.

Mes plumbave e çave  shpesh  pusinë

Përzhitur flakësh, komit për Liri!

 

        KËNETA E VLOCISHTIT

 

Je thar’ nga  skllevër o kënetë e zezë

E shumë aty  u groposën gjallë!

Moçal  që katandise  në varrezë,

U mpikse  me gjak  robi  e me kokallë.

 

Ç’nur  paske, o Vloçisht, këtë  mëngjes

O fush’që pjell  panxhar, ndonëse  jo rrallë

Çukitin  kocka, plisave, ca  shpezë!

Po kur turistë vijnë, u thuhet  vallë

 

Që robër t’fjalës lirë at’moçalishte

Me thonj e thanë  uritur  e cullak;

Gjiht’baltë e duke hequr … osh  kërbishte

 

Llucë anash  hidhnin, zhytur  në batak;

Gjakosur nga shushunja e kallamishte,

Nga t’rojeve  goditje  me dajak! …

 

 

 

              PENËS

 

Kur  dielli u err n’agim të avenirit

Dhe jeta  varej mu në fije t’perit

Prej ftohmës, prej urisë, prej  zinxhirit;

Nën ankthin e kërbaçit  të kapterit

 

E të  hafijes  Judë  syvampirit;

Kur gjendesha  pa mbrojtje midis tmerrit

E mendja  ish  në pragun e delirit,

Veç pena më dha  forcë t’i bëj  ball ferrit.

 

S’më  la  në baltë! N’atë  burg  mizor,

Me penë e sfidova  tiraninë.

Midis betonit  akull në dhjetor

 

Sa mbyllte roja i kuq  me dryn  qelinë,

N’at varr të gjallësh, un’me laps në  dorë

I thurja komunizmit telendinë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nga Uran Kostreci, Sofra e Diellit, Sonete

KRYEMINISTRI BERISHA:FLAMURI SHQIPTAR, NE BE-DESHIRE E SHQIPTAREVE

January 29, 2013 by dgreca

Kryeministri Sali Berisha vlerëson se referendumi për të kaluar tri ligjet e bllokuara nga e majta, është çelësi i sigurt për marrjen e statusit të vendit kandidat. Këtë argument ai e nxjerr nga mbështetja që i kanë dhënë propozimit të tij për referendum për tri ligjet e integrimit në BE, pasi sipas të dhënave të fcb-së, kërkesa e tij është shikuar nga mbi 150 mijë veta, është mbështetur me komente nga 2200 vetë dhe është kundërshtuar vetëm nga 143 komentues. “Së pari dua t’ju shpreh mirënjohjen me te thelle per mbeshtetjen tuaj te fuqishme, ne rrjetin tone social, te idese se thirrjes se referendumit per miratimin e tre ligjeve qe kerkohen nga BE qe Shqiperia te marre statusin e vendit kandidat per anetare ne BE.
Nga dita e shtune ne dreke gjer sot ne mengjes, statusi per referendumin (sipas insights te tij) u pa nga mbi 154 mije vete, u komentua nga mbi 2200 anetare te rrjetit tone, gjeti mbeshtetjen me masive dhe vetem 143 vete paten reagim negativ ndaj tij. Mbeshtetja juaj e fuqishme buron nga deshira juaj legjitime per te pare flamurin tone kombetar te valevitet sa me shpejt ne seline e BE-se, siç valevitet ne seline e NATO-s ne Bruksel”, shkruan Berisha në fcb.

Filed Under: Opinion Tagged With: Flauri shqiptar, Kryeministri Berisha, ne BE, Referendumi

IRANI SHPALL ARMIQ ZERIN E AMERIKES DHE BBC

January 29, 2013 by dgreca

-”Çdo qeveri që nuk duron kritikat e botuara, meriton të  bjerë.”-Tomas Xheferson/

Ne Foto: Fotot e gazetarëve iranianë të arrestuar — marrë nga portali i organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij/

Nga Frank Shkreli/

Mediat ndërkombëtare dhe organizatat për mbrojtjen e gazetarëve njoftuan të djelën për arrestime të reja gazetarësh në Iran, përfshirë edhe korrespondentët e Zërit të Amerikës dhe BBC-së, dy enteve të mëdha të lajmeve ndërkombëtare, të akuzuar për bashkpunim me media të huaja në gjuhën persisht dhe për lidhje, me ato që Irani cilëson, si grupe dhe media ”kundër-revolucionare”, që sipas autoriteteve iraniane bashkpunojnë me kundërshtarët e regjimit.Regjimi i Teheranit i konsideron entet ndërkombëtare të lajmeve, siç janë Zëri i Amerikës dhe BBC-ja, si organizata armiqësore. Lajmet bëjnë të ditur se shumë iranianë dëgjojnë dhe shikojnë programet radio-televizive në gjuhën persishte të Zërit të Amerikës dhe të BBC-së. Sipas lajmeve të bazuara në burimet nga Irani, thuhet se të pakën 14 gazetarë që punojnë për media të ndryshme reformiste të Iranit u arrestuan të shtunën dhe të djelën dhe janë lëshuar fletë-arrestime edhe për disa të tjerë.

Në një njoftim për media, të titulluar Djela e Zezë, organizata franceze Korrespondentët pa Kufij, thotë se udhëheqsi suprem i Iranit, Ali Khamenei po e shton luftën kundër gazetarëve, duke cituar Sekretarin e Përgjithëshëm Chistophe Deloire se në Iran, ”Persekutimi i gazetarëve po intensifikohet nga dita ditë. Irani ende nuk ka dalur nga periudha e terrorit që filloi pas zgjedhjeve të kundërshtuara për president në vitin 2009, dhe tani pesë muaj para zgjedhjeve të ardhëshme në Qershor të 2013-ës — autoritetet iraniane po dërgojnë një paralajmërim të qartë se gazetarëve dhe medias do t’i mbyllet goja.” Organizata për mbrojtjen e gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij, bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë gazetarëve që tani mbahen në burgjet e Iranit. Autoritetet duhet që u japin fund menjëherë këtyre valëve arrestimesh, qëllimi i vetëm i të cilave është që të sigurojë stabilitetin e regjimit dhe mbijetesën e tij. Përpjekje të tilla janë të destinuara të dështojnë, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate. Prokurori i Përgjithëshëm i Iranit Gholam Hossin Mohseni Ejehi citohte të ketë thënë me kërcënim gjatë një konferencë shtypi me 21 janar se, ” më kanë ra në dorë informacione të besueshme se disa gazetarë në Iran janë duke bashkpunuar me perendimorët dhe me kundër-revolucionarët jashtë vendit.”

Edhe organizata tjetër e njohur për mbrojtjen e gazetarëve anë e mbanë botës, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qendër në Nju Jork, reagoi ashpër ndaj arrestimeve të gazetarëve në Iran duke cituar drejtorin e kesaj organizate për Lindjen e Mesme, Sherif Mansour se,  ”Me këtë valë arrestimesh duket se autoritetet iraniane po përpiqen, që në mënyrë paraprake, të heshtin median e pavarur para zgjedhjeve presidenciale të Qershorit.”  Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve iraniane, që të, ”lirojnë të gjithë gazetarët e burgosur dhe të ndalojnë njëherë e mirë përpjekjet e vazhdueshme që përdoren për të cilësuar kritikët e regjimit si armiqë të shtetit.”

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Irani është në vendin e dytë si vendi më i keq për burgosjen e gazetarëve, në të njëjtën ligë me Turqinë dhe Kinën.

Iran has taken a hard line on journalists and bloggers in recent years, following the crackdown on the massive protests that took place over the disputed 2009 election.

Humbja e lirisë së medias dhe e gazetarit për të kryer detyrën e vet një vend, është humbje e lirisë së shtypit në çdo vend.    Sulmet kundër gazetarëve në Iran, Turqi, Kinë, Rusi dhe gjetkë duhet të jenë një shqetësim për të gjithë ata që besojnë jo vetëm në lirinë e shtypit por edhe në paqë e demokraci.   Dihet se gjatë historisë ishin diktatorët të cilët nuk besonin në lirinë e askujt — as të lirisë personale as të lirisë së shtypit — ata të cilët shkaktuan gjencide dhe vrasje të miliona njerëzve. Ata kryesorët dihen: Hitleri thuhet të ketë vrarë rret 14-milionë vetë Stalini ia ka kaluar këtij duke vrarë mbi 20-milionë, Mao Tse Tungu ndoshta edhe më shumë se Stalini, pastaj Pol Poti dhe ”stalinët” e vegjël komunistë si Ennver Hoxha i ynë, dhe diktatorët e të gjitha ngjyrave anë e mbanë botës.   Prandaj promovimi dhe mbrojtja e lirisë së shtypit kudo në botë, është promovim i demokracisë dhe si rrjedhim është promovim i paqës në botë, pasi historikisht janë shtetet diktatoriale ato që kërcënojnë paqën dhe demokracinë në botë.

Fillozofi dhe teoristi moral dhe politik britanik i 1880-ave, Xhon Stuart Mill ka thënë se, ”nëqoftse i gjithë njerëzimi do të ishte i të njëjtit opinion, me përjashtim të një personi, njerëzimi nuk do të ishte më i justifikuar të heshtë atë person,  se sa të heshtë të gjithë njerëzimin”.   Për më tepër, Xhon Stuart Mill, ka thënë se ”Nëqoftse heshtim një opinion, të gjithë e dimë se, jemi duke heshtur të vërtetën”, dhe se ”një opinion i gabuar mund të ketë në vetvete një të vërtetë të vogël, që është e nevojshme për të zbuluar të vërtetën në terësi.”

Pa marrë parasyshë se për cilin shtet, qeveri ose regjim bëhet fjalë, kur vjen puna tek liria e shtypit ose mohimi i kësaj lirie, sipas Tomas Xhefersonit, autorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara,  ”Çdo qeveri që nuk duron kritikat e botuara, meriton të  bjerë.”  Kjo thënje e Xhefersonit i përshtatet regjimit tiranik të Iranit dhe gjithë regjimeve diktatoriale të cilat nuk durojnë kritikat nga shtypi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: kritika Iranit, prova me mejmun, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT