• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

DEKLARATË E KATËR SHOQATAVE SHQIPTARE TË BASHKATDHËTARËVE NGA MALI I ZI NË SHBA

January 27, 2013 by dgreca

Shoqata”Ana e Malit” ne new York,, Fondacioni “Plave-Guci” New York, Shoqata Atdhetare “Kraja” New York dhe Shoqata “Ulqini” ne Chikago deklarojne:

Reagojmë ashpër ndaj aktit të fundit shovenist të autoriteteve të Beogradit me rastin e heqjes me forcë të pllakës përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e qytetit shqiptar të Preshevës. Ky akt dëshmon edhe një herë racismin e tërbuar të politikës zyrtare të Serbisë e cila ka për qëllim zhdukjen e elementit autokton shqiptar në Luginën e Preshevës,respektivisht në Kosovën Lindore.Mënyra e heqjes së lapidarit të Martirëve të lirisë,gjithashtu dëshmon edhe ate se Qeveria e Beogradit njeh vetëm rrugën e dhunës në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me ç’rast vërteton se Serbia vazhdon të jenë gjithnjë faktor destabilizues në rajon.

Ne do të përkrahim gjithmonë aspiratat liridashëse të vëllezërve dhe motrave tona të një gjaku e gjuhe dhe cënimi i të drejtave të tyre kombëtare është njëheri cënim i të drejtave të të gjithë shqiptarëve.

SHOQATA SHQIPTARO AMERIKANE “ANA E MALIT” – New York

FONDACIONI PLAVË -GUCI – New York

SHOQATA ATDHETARE “KRAJA” – New York

SHOQATA “ULQINI” – Chicago

26 Janar 2013

Filed Under: Featured Tagged With: Ana e malit, deklarate, Kraja, Palve e Guci, Ulqini

Arti i Zeni Ballazhit: Imazh i 100 vjetorit të shtetit shqiptar

January 27, 2013 by dgreca

Nga Peter Tase (United States)

Zeni Ballazhi u lind, më 1975, në Kërçovë, Maqedoni. Në qershor 1998 mbaron studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë. Më13 qershor 2000 merr titullin Magjistër i Arteve me titull pune “Pa titull”, nëFakultetin e Arteve pranë Universitetit të Prishtinës. Më 18 nëntor 2000 mbaron studimet për disa disa muaj në Kolegjin Nacional të Arteve të Oslos, Norvegji. Në vitin 2009 emërohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, si Drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka punuar si drejtor artistik (skenograf) në disa filma dhe shfaqje profesionale, në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe në Norvegji. Ka marrë mbi 15 çmime dhe medalje në Kosovë dhe nga institucione të tjera në rajon.

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit tëpavarësisë sëShtetit Shqiptar, Zeni Ballazhi nderohet me Medaljen e Mirënjohjes, nga Presidenti i Shqipërisë. Ballazhi ështëautori i stemës sëdizenjuar me rastin e 100 vjetorit të formimit tëshetit Shqiptar. Fruti i punës së tij artistike do tëvendoset denjësisht nëanalet e historisë sëkombit shqiptar. Me rastin e marrjes së kësaj dekorate, Ballazhi shprehu kenaqësinëpër këtëvlerësim përpara presidentit të republikës. Nuk ka asnjë dyshim se krijimtaria e tij do tëpasurohet akoma më shumë. Gjatë dy dekadave tëfundit Zeni Ballazhi ka marrë pjesënë mbi 30 ekspozita kolektive nështete të ndryshme tëbotës, dhe ka realizuar tre ekpozita personale në Kosovëdhe Maqedoni, si dhe ka shërbyer si kurator në11 ekspozita të ndryshme nëEuropë. Zeni Ballazhi, ka qenëdrejtor artistik i shumë filmave, komedive dhe shfaqjeve teatrore. Për herëtë parë, ky artist i mirëfilltë flet për shtypin shqiptar nëpërmjet kësaj interviste.

NË Ç’FARË MOSHE E KENI BËRË VIZATIMIN APO SKICEN E PARË DHE SI E KENI FILLUAR PROFESIONIN E ARTISTIT?

Në shumicën e rasteve artistët e vërtetë lindin artistë. Kam bërë shumë skica sa që nuk më kujtohet e para, por më kujtohet vetëm si fëmijë, ndoshta ka qenë prishja e fotografive familjare të bëra gjatë viteve të hershme (bardhë e zi) duke i ngjyrosur fytyrat me tush dhe duke i kthyer në një imazh ashtu si unë dëshiroja të jenë, ndoshta edhe qesharake apo ashtu të dëmtuara. Por kan qenë edhe momentet kur kam filluar vijat e para të hedhura në letër pa e kuptuar se çfare bëj por gradualisht duke hyrë në moshë më të madhe kam filluar të kuptoj se çfare po bëj. Si vazhdimësi kohore identiteti im vërehet në çdo paraqitje të eksperiencës time.

SI KA QENË ATMOSFERA ARTISTIKE GJATË VITETE KUR KENI STUDJUAR NË AKADEMINË E ARTEVE TË BUKURA NË TIRANË, MË 1998? Ç’FARË JU KA BËRË MË SHUMË PËRSHTYPJE GJATË VITETE STUDIMORE NË KRYEQYTETIN E SHQIPËRISË?

Shqiptarët në përgjithësi edhe nga vende tjera të Ballkanit kanë përjetuar konflikte të ndryshme politike, historike, sociale etj. Në vitin 1993 jam pranuar për të ndjekur studimet në Shqipëri, atje ishin prezente pasojat e regjimit komunist si dhe një situatë tepër e çoroditur nga aspekti social. Kolera ishte një sëmundje që kishte kapluar shumicën e territorit të Shqipërisë, ishte një situatë ku për mua pati ndikuar shumë në kreativitetin artistik, ishte koha e ndryshimeve pozitive, optimist për një të ardhme më të mirë, për dikë edhe largimi nga vendi ishte zgjidhja më e mirë. Në 1997 lufta civile kundër çështjeve piramidale dhe 1998 vrasjet e disa personaliteteve politike, një përjetim i tmerrshëm gjatë këtyre viteve ku në të njejtin vit marr diplomën për kryerjen e Fakultetitv të Arteve të Bukura në Tiranë dhe fitoj të drejtën e studimeve pasdiplomike për magjistraturën në Universitetin e Prishtinës pranë Fakultetit të Arteve Figurative. Filloj lufta në Kosovë. Përjetuam çnjerëzimin nga masakrat dhe dëbimet. Shumë vende i hapën dyert për strehim, por Shqipëria ishte vendstrehimi shpirtëror.

KUSH KA QENË PRIRJA KRYSORE ARTISTIKE E JUAJ GJATË STUDIMEVE TUAJA PËR MAGJISTËR NË PRISHTINË?

Duke u nisur nga rezultatet që pata gjatë studimeve vendosa të vazhdoj studimet pasuniversitare në ndonjë Universitet jasht vendit por në mungesë të kushteve financiare dhe në mungesë të magjistraturës në Akademinë e Arteve në Tiranë u detyrova të vazhdoj më tej dhe të fitoj të drejtën e studimeve për magjistraturë në Universitetin e Prishtinës. Viti 2000 ishte viti i pasluftës, viti i diplomimit në Magjistraturë. Një vit plot optimizëm për pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2001 filloi lufta në Maqedoni, një përjetim dhe ndikim tjetër në jetën time pasi që unë jam lindur në Kërçovë. Pas gjithë kësaj në vitet 2002 – 2011 fillon dalja në skenë e veprave, ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një histori e shkurtër për të dhënë idenë se çfarë ndikimi kan pasur konfliktet në përgjithësi në Ballkan për punën time kreative në përgjithësi, ku do të thoja në aspektin profesional mjaft pozitive sepse në veprat e mia paraqitet ky ndikim sipas kohës dhe realitetit të jetuar, ku këto vepra tani kanë mundësi t’i shohin edhe të tjerët, e sidomos ata që nuk i kanë përjetuar. Le të përjetojnë pak nga e kaluara e hidhur, sepse sot përjetojmë një luftë teknologjike e llojit modern, do të thoja një “Teknologji sociale”. Një kujtesë tjetër sociale e cila sot kontribuon dukshëm në punën tonë artistike.

CILËT PIKTORË JU PELQEJNË MË SHUMË DHE SA KANË NDIKUAR ATA NË FORMIMIN TUAJ SI ARTIST I PËRMASAVE BOTËRORE?

Ndikimi është vetëm realiteti i jetuar nëpër kohë të ndryshme. Eksperienca dhe vepra është formimi i një artisti. Çdo piktor i mirë apo i keq është i ndikuar nga realiteti që e rrethon. Nuk ka art të mirë, të keq apo të parëndësishëm, kushedi çfarë mbiemri ti vëmë kësaj prapë është art, si ç’do emocion i mirë apo i keq është prapë emocion. Për mua më e rëndësishme është që të kuptojmë, çmojmë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin të jemi sa më profesional në punën që bëjmë që të reflektojmë bindshëm në çdo vend dhe njëri nga qëllimet është që të pranojme artet sa të jemi të aftë të marrim pjesën tonë në rrafshin e diskutimit bashkëkohor që “bëhet sot në botë” dhe le të vazhdojmë të ushqehemi me ndjenja dhe të reflektojmë të gjithë artistët dhe e vetmja matje për ne të jetë realizimi artistik.

CILAT JANË DISA NGA TEKNIKAT QË DËSHIRONI TË PËRDORNI NË PUNIMET TUAJA ARTISTIKE?

Teknika më e mirë për përdorim në veprat artistike është idea. Në ideologji bashkëpunojnë; vullneti, mendimi dhe ndjenja, si triadë, për të ndërtuar dhe për të themeluar një praktikë artistike, e cila është përherë një komunikim ndërmjet hapsirës dhe realitetit, që i kundërvihet realitetit mohues të jetës së përditshme. Nisem nga kjo vetëdije duke pranuar të punoj nëpërmjet gjuhës specifike të artit, por edhe duke u përpjekur që ta reklamojë këtë specificitet si projekt të transformimit të realitetit, duke e nënkuptuar artin si model të sjelljes alternative. Koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, si rezultat i intensitetit të veçantë për filozofinë dhe artin bashkëkohorë kërkohen mënyra më të reja për te reflektuar ndaj këtij realiteti që e jetojmë me intensitet. Prandaj veprat janë një art i frymëzuar nga takime me gjëra të zakonshme që të bëjnë për vehte dhe për vlerat e tyre të mundëshme dhe për lidhjen asociative për të cilën aludojnë. Është një fryme e re, një eksperiencë e mbledhur nga të gjitha ecejaket nëpër botën e artit bashkëkohor, pikërisht në atë fushë krejtësisht jo të përkrahur nga shumica e atyre artistëve që artin e konsiderojnë si zanat. Arti në thelb përbën një zbulim. Afirmimi i kësaj praktike të re alternative të këtyre punimeve do të na mundësoj të kuptojmë se arti nuk është thjeshtë zanat por në thelb përbën një zbulim. Kurse koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, për një kërkesë më të madhe gjatë eksperimentimit në artet vizuale dhe nëpërmjet tyre për të komunikuar me imazhe më të reja dhe më cilësore.

SA SHTETE KENI VIZITUAR DHE CILI VEND JU PËLQEN ME SHUMË?

Vizitat e mia janë më shumë profesionale se sa private. Jam pjesëmarrës në ekspozita kolektive me karakter ndërkombëtarë, bienale, workshope, udhëtime kuratoriale, festivale teatrore dhe festivale të filmave. Nga ajo që kam vizituar, të gjitha vendet kanë një karakteristikë në vehte e sidomos në pëlqimin pamor. Përveç këtyre më pëlqen të vizitoj ato vende të cilat ende nuk i kam vizituar, do të thoja ndoshta një planet tjetër. Veprat e mia kanë shkuar deri në malet Kaukaze. E kam sprovuar veten me vepra të ndryshme vizuale si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art. Nëpërmjet artit kërkoj që të rindërtoj shpirtërisht unitetin e njeriut, t’i rijap atij energji dhe tension, për të transformuar raportin tim me botën. Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë. Në këtë moment shoqëria modelohet dhe vetmodelohet në ndërgjegjësimin progresiv që publiku përfiton nëpërmjet dialogut me artistin. Në veprimet dhe në debate futen nivele të ndryshme, natyra, vdekja, ekonomia, me qëllim që të rikthehet uniteti i një kulture të ndarë në specializimet e saj të larmishme ashtu siç jeton shoqëria e ndarë në klasa.

CILAT JANË DISA NGA EXPOZITAT MË TË RËNDËSISHME QË KENI BËRËE GJATË GJITHË KARIERËS SUAJ?

Çdo ekspozitë e ka rëndësinë e vet, do të veçoja ato ekspozita të cilat nuk kemi mundur t’i realizojmë. Ku në një të ardhme të afërt besojmë dhe shpresojmë që do t’i realizojmë, gjithmonë duke u bazuar në eksperiencë dhe në kreativitet. Jam evidentuar në shumë fusha të arteve kontemporane, siç përmenda edhe më lart, kam qenë kurator i disa ekspozitave konceptuale, skenograf në disa filma profesional, pjesemarrës nëshumë ekspozita kolektive në vend dhe jasht vendit. Arti që preferoj është arti profesional kontemporan. Në shumë vepra, materialet po fitojnë një intensitet të ri, po shpërbehen në pika të reja ndjesore referimi ku: “Arti kërkon sytë, intelektin, dëshirat, por ai është gjithnjë i lidhur me trupin”. Për natyrë arti është subversiv, ai vë në pikëpyetje realitete të konsoliduara shqetëson tradita të rrënjosura dhe kështu krijon rregulla te reja gjuhësore, njëkohësisht artistike dhe shoqërore.

CFARE KENI NE PLAN PER TE ARDHMEN, ME Ç’FARË PROJEKTI JENI DUKE U MARË AKTUALISHT?

Prezantimi i artit shqiptarë në arenën ndërkombëtare është prioritet për të ardhmen tonë artistike. Personalisht pas fitores time në Konkursin Kombëtar për logon e “100 Vjet Pavarësi” si dhe shumë shpërblimeve e sukseseve të mia, aktualisht jam në parapërgaditje të një ekspozite në maj të këtij viti si pjesmarrës në Budapest, përgaditja e disa dizajnimeve si: libra, monografi pllakata etj, si dhe skenografi Teatri dhe filmi, janë shumë projekte profesionale të cilat mendoj se ia vlen për një të ardhme të afërt. Jemi në përgatitje edhe të Festivalit të 5-të Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAkt 2013” këtu jam menaxher artistik.Është një rrugë e gjatë e cila na premton origjinalitet dhe risi pambarim.

SI MENDONI PER RRETHIN E ARTISTEVE NË PRISHTINË, CILËT JANË AKTUALISHT DISA NGA ARTISTËT ME NJOHUR TË KOSOVËS, DHE ME CILIN PREJ TYRE KENI PUNUAR NË PROJEKTE TE PERBASHKETA?

Ne kemi mjaft artistë të mirë të cilët kanë reflektuar bindshëm në arenën ndërkombëtare e sidomos nga gjeneratat e reja ku edhe jetojnë jasht vendit. Bashkëpunim të mirë kam pasur edhe me shumë artistë ndërkombëtar, si kurator kam organizuar ekspozita të përbashkta ndërkombëtare edhe në Kosovë. nRaporti dhe komunikimi rreth artistve të huaj është më profesional dhe me i frytshëm se sa me ato vendor për arsye se arti vendor vlerësohet në mënyrë shumë profesionale nga kritika ndërkombëtare. Sipas mendimit tim problemi qëndron këtu se tek ne nuk ka kritikë të mirëfilltë të artit në përgjithësi dhe nuk ka bashkëpunim ndërmjet vetë artistëve. Janë të paktë ata artistë të cilët kanëraporte të mira me artistë vendor. Mendoj që edhe tek ne tani është bërë një zgjidhje, dhe jemi tëbindur se arti nuk është një çështje shijeje të përgjithshme, por një çështje zgjidhjeje personale. Zgjidhja kërkon kurajo dhe vendosmëri, ndërsa shija mbetet përherë e papërcaktuar dhe e pavendosur. Arti që flet në këtë nivel është një instrument që ndërgjegjëson për bashkëshoqërimet historike, që bën të ngjasin plot gjera, që ngre emocione që kërkojnë vlerësim, arti i cili nuk i drejtohet ndërgjegjes së transfiguruar metafizike, por jeton në kushtet e ekzistencës tokësore dhe prandaj na provokon që t’i shohim gjërat në një mënyre të re.

Ju faleminderit për intervistën!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Peter Tase, Zebi Bllazhi

AVOKATJA SHQIPTARE JU INFORMON PER RREGULLAT E REJA TE EMIGRACIONIT

January 26, 2013 by dgreca

REFORMA TË REJA EMIGRACIONI PËR EMIGRANTË TË MARTUAR ME QYTETARE AMERIKANE/

 NGA DEA SHKUPI-Avokate/

Në 3 Janar 2013, Departamenti i Sigurimit të Shtetit publikoi rregulla të reja që duke filluar nga data 4 Mars 2013, do ti lejojnë njerëzit që kanë hyrë në SHBA pa inspektim (ose që nuk mund të rregullojnë status për arsye të tjera) të aplikojnë me formën I-601A “Waiver of Inadmissibility”. Ky aplikim është për faljen e prezencës ilegale në SHBA, e cila është një nga arsyet e refuzimit të green card. Kur këto aplikime do të aprovohen, këta emigrantë do kenë mundësi të marrin vizat (ose green cards) jashtë shtetit. Qeveria amerikane dhe Departamenti i Shtetit kanë pasur si qëllim të evitojnë ndarjet që do shkaktoheshin si rezultat i largimit të emigrantëve për muaj dhe ndoshta vite midis emigrantëve dhe të afërmve të tyre që janë qytetarë amerikanë.

Me anë të reformave të reja emigrantët do të kenë mundësi të sigurojnë se aplikimet i janë aprovuar përpara se të largohen nga SHBA. Ata do intervistohen jashtë shtetit nëpër ambasada në vendet e tyre, dhe do të kthehen tek familjet e tyre në Amerikë brenda disa ditësh.

Më poshtë janë disa pyetje dhe përgjigje që kanë të bëjnë me komplikacionet që mund të dalin si pasojë e këtyre  rregullave të reja:

 

Kush ka të drejtë të aplikojë më format I-601A?

 

Në mënyrë që të kualifikohet për këtë lloj aplikimi, personi duhet të jetë të paktën 17 vjeç, dhe të jetë përfituesi (beneficiary) i një aplikimi të aprovuar I-130 si i afërm i një qytetari amerikan.

Të afërmit që hyjnë në këtë kategori janë bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët e qytetarëve Amerikanë. Në mënyrë që dikush të konsiderohet “prind”, djali ose vajza që e sponsorizon duhet të ketë mbushur 21 vjeç.

Ligji kërkon që aplikanti duhet të demonstrojë se i afërmi i tij do të kalojë vuajtje ekstreme “extreme hardship” në qoftë se aplikanti do të largohej nga Amerika. Të afërmit mund të jenë bashkëshortë ose prindër që janë qytetarë amerikanë ose rezidentë të përhershëm(me green card). Sidoqoftë, një person që ka vetëm një prind ose bashkëshort me green card, sado që mund të aplikojë për lejen I-601 jashtë Amerikës, nuk mund të aplikojë për I-601A nga brenda Amerikës.

Personat që janë në kategoritë e kufizuara fmailjare apo të bazuar në viza pune nuk kualifikohen për këto leje të përkohshme, megjithëse USCIS ka indikuar se ky program mund të zgjerohet në të ardhmen.

 

Për çfarë baze refuzimi të green card mund të përdoret aplikimi I-601A?

 

Aplikimi I-601A përdoret vetëm për të kërkuar falje për prezencën ilegale në SHBA. Aplikantët të cilëve u ndalohet hyrja në Amerikë për 3 ose 10 vjet nga moment i daljes, mund të aplikojnë. Personi që ka një ndalesë të përhershme nuk mund të aplikojë me këtë formë derisa të kenë kaluar 10 vjet jashtë Amerikës.

Personat që janë të papranueshëm nën një tjetër pikë të ligjit ( për shembull mashtrim ndaj oficerëve të emigracionit, dënim kriminal, etj.) gjithashtu nuk mund të aplikojnë për këtë leje.

Po në qoftë se një person është jashtë SHBA dhe ka një takim për një vizë në një ambasadë jashtë SHBA?

Këta persona nuk kanë të drejtë të aplikojnë me formën I-601A.

Po nëse një person ndodhet tani nën procedura të emigracionit ose ka një urdhër final për largimin nga SHBA?

Këta persona mund të aplikojnë me formën I-601A vetëm në qoftë se procesi gjyqesor i tyre mbyllet në mënyrë administrative dhe nuk hapet sërish brenda kohës që dorezohet aplikimi për lejen tek USCIS.

Personat që ndodhen në procedurat e largimit që kanë aplikuar për atë që quhet Deferred Action (DACA), mund të applikojnë me formën I-601A mbasi USCIS të ketë aprovuar aplikimin e tyre DACA, por vetëm nëse i plotësojnë kushtet e tjera dhe procedurat penale ndaj tyre janë mbyllur në mënyrë administrative.

Në qoftë se USCIS e aprovon I-601A për një person që ndodhet në procedura gjyqesore, atëherë ky person duhet të kërkojë mbylljen e çështjes nga gjykata e emigracionit. Çështja duhet mbyllur përpara se ky person të niset për në intervistën në ambasadën amerikane jashtë SHBA-së. Në qoftë se personi nuk e bën mbylljen e çështjes, atëherë kjo mund të krijojë një pengesë ndaj marrjes së vizës dhe kthimit në SHBA.

Personat që kanë urdhra finale për largim nga Amerika, nuk janë të kualifikuar të marrin pjesë në këtë program. Sidoqoftë në qoftë se ata arrijnë të rihapin çështjen e tyre, atëherë ata mund të aplikojnë.

A është e mundur që të falet taxa e qeverisë prej $585 për aplikimin I-601A ose për shenjat e gishtave $85.

Jo.

A ka mundësi të shpejtohet ky aplikim?

Zakonisht jo, por aplikantët mund të kërkojnë proces të përshpejtuar në qoftë se i mbushin kushtet e USCIS.

Në përgjithësi, USCIS merr rreth 4-6 muaj për të procesuar një aplikim I-601. Me reformat e reja pritet që numri i aplikimeve I-601A të jetë me mijëra, kështu që koha e procesimit do rritet.

Në qoftë se një aplikim I-601A nuk pranohet, a ka mundësi për ta apeluar vendimin?

Jo.

Sidoqoftë, megjithëse nuk ka apel të një mospranimi të I-601A, është e mundur të aplikosh sërish pas këtij refuzimi.

Departamenti i Sigurimit të Shtetit u shpreh si më poshtë:

“ Në qoftë se aplikimi I-601A i një personi nuk pranohet ose tërhiqet, ky person mund të aplikojë sërish me një formë të re I-601A sipas rregullave të kësaj procedure. Çështja e aplikantit duhet që të jetë akoma pezull me DOS, dhe aplikanti duhet të njoftojë DOS se ai ka ndërmend të aplikojë përsëri. Në rastin e tërheqjes së një aplikimi nga aplikanti, USCIS nuk ka për ti kthyer mbrapsht paratë sepse ka marre hapa tashmë për gjykimin e kësaj çështje.”

“Nga ana tjetër, një person që tërheq mbrapsht aplikimin e tij I-601A, ose të cilit ky aplikim nuk ju pranua, mund të aplikojë me një formë I-601 tek USCIS Lockbox, pasi ky person ka bërë një intervistë për vizë dhe DOS ka vendosur se ky person është i papranueshëm. Në qoftë se baza për papranueshmërinë e këtij personi është një bazë që mund të falet, atëherë ky person mund të aplikojë me formën I-601 bashkë me dokumentat mbështetëse dhe prova që ai kualifikohet për këtë leje dhe për vizë…”

“I kujtojmë aplikantëve dhe avokatëve të tyre se ata mund të korrigjojnë gabime që kanë bërë në një formë I-601A duke dërguar dokumenta të reja para se të jetë marrë një vendim në çështjen e tyre. USCIS do të konsiderojë të gjithë dokumentat para se të marrë vendim.”

A mundet një person që plotëson një aplikim I-601A të vihet në procedura largimi nga SHBA?

Megjithëse USCIS thotë se “nuk parashikon të fillojë procedura kthimi ndaj atyre aplikantëve të cilëve nuk u pranohen aplikimet”, rezervon të drejtën për ti hapur këto procedura në qoftë se personi në fjalë është një nga ata që konsiderohen prioritet – domethënë në qoftë se ky person ka një histori kriminale, është dënuar për mashtrim, ose përbën një rrezik ndaj sigurimit të shtetit ose atij publik.”

“DHS e kujton dhe njëherë publikun se aprovimi i një aplikimi I-601A se vetmi pa marrë green card, nuk i jep aplikantit një status të ligjshëm në Amerikë dhe nuk do ta mbrojë atë nga grumbullimi i kohës në prezencë ilegale. Gjithashtu aprovimi i këtij aplikimi nuk e autorizon alienin të hyjë në Amerikë pa vizë ose tjetër dokument të përshtatshëm; nuk i jep benefite të tjera si autorizim punë, etj; dhe nuk i ofron mbrojtje alienit ndaj procesit të largimit nga Amerika.”

  

 Cilat janë shanset që një aplikim I-601A të aprovohet?

 

Kjo sigurisht varet nga faktet e çështjes tuaj, dhe sa mirë e keni dokumentuar aplikimin I-601A në mënyrë që të tregoni se i afërmi juaj që është qytetar amerikan do të vuante jashtë mase në rast se emigranti do të largohej nga Amerika. Mos dorëzoni vetëm 5-6 dokumenta dhe prisni t’ju aprovohet çështja. Në këto lloj aplikimesh është e domosdoshme që avokati juaj të dijë bazat legale për të treguar se ekziston “extreme hardship”.

“Extreme hardship” mund të jetë vuajtje financiare, emocionale, mjekesore, etj. Ndoshta dhe një kombinim i këtyre faktorëve.

Vitin e kaluar, USCIS refuzoi 34% të rasteve, ose pak më shumë se një në tre aplikime I-601.

Personat që janë martuar tani shpejt, zakonisht nuk i këshillohet që të dërgojnë këtë aplikim. Sidoqoftë, shanset e tyre për aprovim rriten kur ata kanë fëmijë dhe blejnë shtëpi.

Gjithashtu, shumë persona të cilëve i është refuzuar aplikimi I-601, kanë aplikuar vetë ose kanë përdorur shërbimet e dikujt që nuk është i kualifikuar. Kjo nuk është ide e mirë.

Gjithsesi këto reforma pritet që të ndikojnë në jetën e mijëra emigrantëve që kanë vite që jetojnë në Amerikë dhe kanë frikë të bëjnë diçka për të rregulluar statusit ilegal. Këto reforma do t’i japin shansin mijëra çifteve që të vazhdojnë përpara me jetën e tyre pa frikë se do të ndahen për një kohë të gjatë.

JU MUND TE DERGONI EDHE PYETJE PER AVOKATEN SHQIPTARE DHEV AJO DO T’JU PERGJIGJET PERMES DIELLIT(gazetadielli@gmail.com)

PER HOLLESI I TELEFONONI DEA SHKUPIT. Tel (212) 729-4984

Adresa: 325 Broadway

Suite 503

New York, NY 10007

dshkupi@gmail.com

 

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: avokatja, Dea Shkupi, ju informon

1991- KUR RA KOMUNIZMI NE SHQIPERI

January 26, 2013 by dgreca

–      Kujtimet e një zyrtari të lartë amerikan – kur ra komunizmi në Shqipëri – vizita e parë e Amerikanëve në Shqipëri

 –1991 : “Çfarë mund të bëjnë Amerikanët për të ndihmuar shqiptarët tash për tash?” Nëna Tereze : “Merrni shqiptarët në punë – Merrni ata në punë – “Get Them Jobs. Get Them Jobs” mbasi :”Shqiptarët janë të zotët e punës – dhe duke punuar ata e dinë të ndihmojnë vetveten”/

 –Ne Foto: Nënë Tereza në një avion ushtarak amerikan, duke bekuar dërgesën e parë të ndihmave ushqimore në Shqipëri./

 Nga Beqir SINA/

BENSONHURST BROOKLYN , NY : “Kam pasur privilegjin të shërbejnë si administrator asistent i Byrosë së Evropës, kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, thotë në kujtimet tij zoti Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit. Sepse, thekson ai :”Shërbeva në kohën e vendeve ish komuniste në rilindjen e tyre, që edhe ato të bëheshin ashtu si kombet të lira, vendet e Europës Qendrore dhe të bëheshin edhe ato të Europës Lindore (EQL), të cilat, në atë periudhë ndryshimesh ishin në rrugën e përfituesve të ndihmës, së shumtë nga Perendimi dhe veçanërishtë asaj nga Shtetet e Bashkuara”..

Republika Çeke, kujton ai ishte e para që bëri thirrje për ndihmë por “jo tregtare,ndihmë politike”, po ashtu edhe Polonia ishte e shtyrë nnga SHBA, për të lëvizur më shpejt në ndihmën e privatizimit, si dhe bizneset e vogla, ashtu si Hungaria që ishte e gatëshme në të gjithë vendin, për ndryshime ku sipërmarrësit vjedhurazi i kishin fshehur ish-pasuritë e tyre, gjatë viteve të komunizmit.

Sipas zotit Adelman një nga zyrtarët më të lart, amerikan për të ndihmuar vendet që po kalonin rënjen e komunizimit, dhe ndrrimin e sistemeve pas rënjes së Murit të Berlinit, thuhet se:” Ne(SHBA) ishim në gjendje për të ndihmuar këto vende sa më shpejt dhe me efikasitet për shkak të legjislacionit të ri,- që vendosën menjëherë këto vende për të tërhequr ndihma nga Perendimi dhe ngaqë e prisnim ndryshimin e sistemeve”.

Dhe kështu Mbështetja për Demokracinë Europiane Lindore, në SHBA, kaloi nëpërmjet një akti ligjor që u quajt, Akti i 1990, i cili na lejonte për të shkruar vetë, sipas sistemit tonë të strukturuar të prokurimit; dhe na dha mundësinë për të punuar me lehtësi me institucione private. Për të ndarë edhe një shumë të madhe parash për të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke eleminuar kështu sipas vendeve edhe atë çka ato e përcaktonin si funksionale dhe duke na lejuar ne, për të shpërndarë paratë bazuar në performancë, në vende- vende dhe sa më drejtë”.

Mirëpo, thotë Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit, në një shkrim të tij “Kujtesa ime e artë e këtyre viteve është nga Shqipëria, një vend të vogël prej më pak se 3 milion njerëz, që kishin qenë të sunduar nga diktatori i egër stalinist më i fundit në kampin socialist, Enver Hoxha. Kur unë dhe Ekipi i parë i USAID-it kemi shkuar atje, në vitin 1991. Ne u “hapëm syt”, shqiptarëve se si të shkonin drejt hapjes së tregut të lirë e privat, dhe e përqëndruam ndihmën tonë duke ndihmuar në radhë të parë spitalet, që ishin në gjendje të mjerueshme,

. Për shpërndarjen e ndihmave na duheshin e automjetet. Atje gjetëm vetëm 200 makina në të gjithë vendin, dhe një infrastrukturë të rrënuar totalisht. Në Tiranë, edhe një hotel që mburreshin komunistët, në kryeqytetin e Shqipërisë, dhe që e ofron për mysafirët e huaj – nuk kishte as ujë të nxehtë as drita as ushqim. Gjetëm burgjet përplot me të burgosurve politikë, të interrnuarit në kampe që ankoheshin ende në rradhët e bukës ose edhe e linin “bukë dhe ujë” vetëm për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”, së bashku me fëmijët e tyre, të cilët thonin si kishte qenë i vetmi ushqim për për tre ose katër dekada që i kishte mabjtur gjallë”.

Në kujtimet e tij zoti Adelman, thotë se ka parë me syt e tij vizitën historike të ish Skretarit të Shettiti James Baker në Tiranë. “Kur James Baker – Sekretar i Shtetit, në atë kohë shkoi për të vizituar Shqipërinë, ai arriti në në Tiranë, në verën e vitit 1991. Më shumë se 500.000 shqiptarë brohorisnin si të ” çmendur” USA- USA- Baker! Baker!”. Dhe shton, ne Amerikanëve na bëri shumë përshtypje, sesi në “Në një vend që kishte qenë i shtypur plotësisht për një gjysmë shekulli, ku Shtetet e Bashkuara ishin “mitizuar” nga propaganda komuniste tek njerëzit në Shqipëri, si të mishëruarit djallit (imerialistët amerikan)- “armiqët’ më të rrezikshëm të Shqipërisë socialiste, ai(James Baker – Sekretar i Shtetit, në atë kohë ) u prit si një hero.”

Unë, thotë ai për vete u befasova kur pash me syt e mi se se 40 për qind e shqiptarëve flisnin një gjuhë të huaj – përfshirë edhe anglisht, dhe se një emër popullor për fëmijët ishte edhe emri Wilson. Mabsi kuptova se nuk harrohej ajo çfarë ka bërë për Shqipërinë presidenti i SHBA Woodrow Wilson. Pra, edhe më skeptikët e dëshirës së lindur të njerëzimit për liri dhe demokraci, e kishin kuptuar mesazhin që po përcillte SHBA, në Shqipëri”.

Kur ish presidenti i parë demokrat i sapo zgjedhur, Prof.Dr. Sali Berisha, u pyet nga zyrtarët e lartë Amerikan, se si SHBA mund të ndihmojnë më mirë, Shqipërinë në ato momente, ai u përgjigj: “Ne kemi një zemër demokratike dhe një mendje demokratike që janë të mbërthyer në një trup bolshevik për gati gjysmë shekulli por që syt i kemi pasur gjithmonë nga Perendimi dhe SHBA”.

Nëna Tereze : “Merrni shqiptarët në punë – Merrni ata në punë “Get Them Jobs. Get Them Jobs” ”

Ajo që unë kujtoj më dashuri nga Shqipëria, e viteve 1991, është se jam u takuar me shqiptarët më të mrekullueshm, si ikona shqiptare Nënë Tereza. Ishte rasti i parë për t’u takuar me një njeri të shejtë që kishte shkuar në Shqipëri, për të ndihmuar fëmijët shqiptar në ato vite- Ajo kishte hapur një shtëpi bamirësie në Tiranë, me infermieret dhe kujdestarët e Shoqatës “Nëna Tereze”. Unë për herë të parë eci përkrah Nënë Terezes dhe Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson, ndërkohë që Nëna Tereze me ” dukej se kurrë nuk ndalej në lëvizjet e saj”, ajo në tokën e prindërve të saj me “dukej se ishte shumë më gjallë kur vinte puna për të ndihmuar njerëzit e gjakut të saj “.

Në shkrimin e tij zoti Adelman sqaron se Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson, dhe unë ishim në Shqipëri verën e viti 1991 për të ndjekur nga afër të caktuar nga Qeveria amerikane, udhëtimin në Tiranë të Sekretarit të Shtetit James Baker, dhe për të hartuar programet e asistencës të Qeverisë Amerikane që do të iu përgjigjëshin nevojave shqiptarë dhe dëshiratve të tyre” në atë periudhë tranzicioni..

Nuk më harrohet kurrë thotë, ai se ndërsa ishim duke ecur me Nënë Terezën, në pistën e aeroportiti të Tiranës, unë e pyeta Nëna Terezen : “Çfarë mund të bëjmë ne Amerikanët për të ndihmuar shqiptarët tash për tash?”

Ajo qëndroi dhe mu kthye dhe me shikim nga lart( nga qielli – Zoti) dhe më pa mua drejt në sy, duke mu përgjigjur me plot zemër: ” “Merrni shqiptarët në punë – Merrni ata në punë – “Get Them Jobs. Get Them Jobs” “. “Ajo qëndroi përsëri përpara meje në mënyrë të qartë dhe me një zemërgjerësi, duke më thënë se :”Shqiptarët janë të zotët e punës – dhe duke punuar ata e dinë të ndihmojnë vetveten”.

Mungesa e ushqimit në Shqipëri kishte arritur nivele të krizës, në atë kohë. Në përgjigje, të asaj i menjëhershëm dhe që nuk priste kohë ishte fakti që ushtria amerikane filloi nga shpërndarja në ushqime – gjysmëgati për të ngrënë – sipas një plani qeveritar të USAID Meals Ready to Eat (MREs). Aeroplani i parë amerikan i ngarkuar me Meals Ready to Eat (MREs), në Shqipëri, u ul në një pistën me “gunga”, bar dhe me fshatarë që kullosinin në fushën fqinj, delet, dhitë dhe lopët .

Kurse, Nënë Tereza, u bashkua me qindra shqiptarë të tjerë që po presin avionin ushtarak në këtë aeroport të vogël. Kur aeroplani ndaloi në fund të pistës, piloti, dhe ekuipazhi me komandën ushtarake doli nga kabina, shqiptarët brohoritën USA – USA dhe nxituan drejt aeroplanit. Ata ngelen të habitur sidomos kur për herë të parë panë një aeroplan amerikan dhe për herë të parë panë se piloti ishte një 20-vjeçarë.

Nënë Tereza u ndal dhe të gjithë njerëzi u rreshtuan pas saj – përfshirë, pilotin, ekuipazhin dhe komandën ushtarake, Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson dhe unë me zyrtarët e tjerë pas saj, :”Kur Nëna Tereze, nisi e kreu bekimin e saj – duke filluar me shpërndarjen tespihe dhe lutjen tek Jesusi duke bërë kryq” . Ajo hipi nëpërmjet shkallve në aeroplan, u ngjit mbi ndihmat duke qëndruar mbi to duke dhe nisi përsër “duke mbajtur duart lart ne dëgjuam lutjet e saj, teksa ajo mbylli sytë dhe i bekoi – ndihmën për popullin shqiptarë”.

Shqipëri, thotë në kujtimet e tij ish – Administratori asistent i Byrosë së Evropës, kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, zoti Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit. edhe një herë, më kujtojë atë sesi :”Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë njerëzit që të u kthehen tek ëndrrat dhe shpresat e tyre që ato të bëhen në realitet, Departamenti i Shtetit dhe ushtria amerikane mund të punojnë së bashku, për të ndihmuar njerëzit në nevojë në mbarë botën”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, kur ra Komunizmi, Mother Teresa, ne Shqiperi, Nene Tereza

HANA DINE-BAJRAKTARI, BRENGA E NJË MOTRE

January 26, 2013 by dgreca

Që nga viti 1946 “shëtiti, familiarisht të gjitha kampet e internimit nga ai i Beratit, fabrikes tullave (Tiranë), Valiasit, Turanit, Tepelenës dhe së fundi Savrës, Gjazës edhe Grabianit. Në këto kampe provoi punën e rëndë e poshtëruese që në moshë të njomë./

 NGA DINE DINE-/

 Me 15 Janar u largua nga kio jetë një prej atyre grave qe, per ata qe e njohën nga afër e jetuan me të, la nje brengë e nje trishtim qe vetem koha mund ta shlyej sadopak. Lindur ne Maqellareë të Dibrës ne nje familje te njohur patriotike që tërë jetën ia kushtuan kombit, ajo do të vuante pasojat duke i paguar një harac të rëndë. Gjyshi i saj Dine bej Maqellara luftoj heroikisht kundër Sërbëve, Bullgarëve, Malazezëve, Maqedonasve me një përkushtim atdhetar që e përjetësoi në histori. Edhe populli që është dëshmitari më i pagabueshëm, i këndoi këngë nga më të ndryshmet për mos ta lënë që emrin e tij ta mbulonte pluhuri i harresës.

Po citoj vetëm dy vargje, që për mungesë njohurish nuk janë përmendur në librat për familjen Dine.

Dine beg Maqellara

Kush i del përpara

Bakllava me arra……..

Babai i saj Fiqri Dine, vazhdoi bashkë me të vëllezërit Dilaver, Hasan, Esat e Fuat Dine, denjësisht rrugën e të atit. Kjo ishte edhe arsyeja që shtëpia e Dineve në Maqellarë u bë shkrumb e hi tre herë rradhazi nga Sërbët, Bullgarët dhe së fundi Italianët ( gjenerali Diaz) të cilët i propozuan t’ia paguanin shtëpinë tre fish me flori, vetëm e vetëm që të bënte një farë kompromisi, gjë që u rrefuzua kategorikisht.

Shkurtimisht, bija e ish Kryeministit që iu kundërvu edhe regimit komunist, me të gjitha fuqitë, sigurisht që do të vuante pasojat. Pasoja që do të shkaktonin plagë që as melhemi kohë s’do t’i shëronte plotësisht. Në Vlashuk, në lulen e rinisë ,në moshën 24 vjec , një sasi e madhe dheu bie mbi trupin e djaloshit Skënder Dine, vellait të Hanes,duke e lënë pa jetë. Pas kësaj fatkeqësie një atak ne zemër i merr  jetën të ëmës, Rukies që s’mundi ta durojë dhimbjen e “lofkës së nanës”. Më pas i ati në emigracion. Pas tij vëllai tjetër Mithati po në emigracion. Para dy muajsh, gjithashtu mbylli sytë vëllai tjetër Xhelali, gjë kjo që e dërrmoi plotësisht edhe u bë shkak edhe për vdekjen e saj të parakohëshme .

Që nga viti 1946 “shëtiti, familiarisht të gjitha kampet e internimit nga ai i Beratit, fabrikes tullave (Tiranë), Valiasit, Turanit, Tepelenës dhe së fundi Savrës, Gjazës edhe Grabianit. Në këto kampe provoi punën e rëndë e poshtëruese që në moshë të njomë.

Në internim martohet me të birin e patriotit e nacionalistit të njohur Muharem Bajraktari, Gencin, me të cilin pati dy djem e një vajze. Edhe Genci familjarisht përjetoj si rrallëkush në Shqipëri, kampet e punës dhe burgjet nën regjimin komunist.

Ashtu si pak njerës, Genci e Hana të dy burrë e grua qëndruan me dinjitet e stoicizëm deri në këto momente që shkruajmë këto pak rreshta në kujtim të tyre.

Nuk qenë të pakët burrat e gratë që u sakrifikuan nën sundimin shovinist Sërbo-Sllav të Enver Hoxhës, por gratë, vecanërisht paguan një harac të jashtëzakonshëm.

Të detyruara me punë cnjerëzore, e në këto kushte të përkushtuara të rrisin e të edukojnë fëmijë me dinjitet në rrethana anormale, ato janë heroina të vërteta.

Nga vetë natyra, Hana ishte një altruiste e rrallë. Ata që jetuan pranë saj e në të njejtat kushte e që e njohën nga afër në derte e halle, në vështirësi e në ato gëzimet e pakta, s’mund të harrojnë lehtë devotshmërinë e saj ndaj të afërmit, shokëve e miqve kudo që ndodheshin e kudo që e kerkonte nevoja.

Dëshira e saj për t’u sakrifikuar e për të bëre vetëm të mira ishte një ndjenjë e lindur. Një shëmbull vetëm sa për ilustrim: disa muaj pasi hyra në burg më vdiq nëna. Duke e ndjerë thellë humbjen e nënës, ajo m’u bë një nënë e dytë. Si rrallëkush më ndoqi hap pas hapi në burgjet e Spacit, Torovicës, Qafë Barit e së fundi në atë të Tiranës. Tani që ajo s’gjëndet midis nesh, ndjej një dhimbje e kam një plagë në shpirt që s’më le të qetë edhe për një cast, që asnjëhere s’munda që mirësinë e saj t’ia shpërbleja me një farë përkushtimi që e meritonte si askush tjetër.

Kjo pra ishte Hana, vajza e xhaxhait, ose me mirë të them motra ime ,që tërë jetën u sakrifikua pa u ankuar një herë. Në heshtje ajo tërë kohën gëlltiste fatkëqesitë, mungesat, varfërinë, privimet që jeta ia kish sjellë me bollëk. Pa ekzagjerim, jeta e saj mund të krahasohet me një simfoni plot ngjyra e nuanca të trishta që zgjati jo pak, por plot 45 vjet. Jeta e saj dhe e të tjerëve që pershkuan të njejtin kalvar, qe një dramë makabre, që ua kalon edhe tragjedive të famëshme të antikitetit. Një jetë e mbushur me trishtim e dhimbje. Një jetë që  e detyroi të përballontë me dinjitet e krenari verfërinë e tejskajëshme padrejtësinë më elementare, përbuzjen e thellë, dhimbjet e padurueshme, humbjet e njëpasnjëshme, por që gjithsesi, qëndruan në këmbë pa u lëkundur.

Gjithmonë në heshtje e me burrëri ajo sfidoi të keqen e privimet. Ajo do të jetë shëmbull i nënave, motrave, shoqeve që jetuan një jetë që u dhuroi vetëm fatkeqsi e dhimbje, por që e sfiduan krenarisht. Kështu e dhimsur e njëkohësisht burrërore, me një sens humori që shpesh shfaqej e ndriconte edhe në errësirën e plotë, tepër e ndjeshme, nganjëherë si fëmi, e dashur, e ndershme, e papërtuar, e dhënë pas të gjithve: kështu do të kujtohet edhe nga vëllezërit Tomor e Sazan e kështu do të mbahet mend ajo edhe nga bashkëshorti e famijët e saj, dhimbjen e të cilëve nuk jam në gjëndje ta shpreh në këtë shkrim.

Ndonëse me shumë vonesë, me këtë rast dua të falenderoj me shpirt zonjën Fatbardha Mulleti ( Saraci) për dedikimin që u ka bërë këtyre martireve me librat e suksesshëm që ajo i titullon “DHIMBJE”.

Hana Dine u nda nga kio botë per të gjetur qetësinë e amshuar në paqe. E rrethuar nga miq, shokë, e dashamirës që ishin të panumërt , e respektuar dhe e nderuar nga të gjithë. Lutemi me gjthë zemër   që shpirti i saj  të gjejë paqen, që aq shumë iu nevoit në ketë jetë.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: brenga e nje motre, Dine Dine, Hana Dine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT