• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET…

February 28, 2013 by dgreca

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET… 

 

– duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane -/

 Nga Visar ZHITI*/

 …ndërsa po të nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa)ngritur gjatë festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, Presidentit  Wilson,  që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e  mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti, aq sa ç’është sot, prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.

Vështrimi m’u fiksua tek cilindri amerikan mbi kryet e shtatores, s’e di pse. Diktatori ynë, krahas borsalinës, kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit. Absurditet dhe marrëzi vrastare, thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Wilsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita.                                                               

Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mëndësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na copërlonin të huajt, po ia bënim vetes.

Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhëmbjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “The Freedom House”, me president z. Muç Xhepa, (bashkarisht falenderoj dhe ata që mundësuan ardhjen dhe ndejtjen time, z. Zef Balaj, bashkëvuajtësin tim z. Esat Coku, znj Engjelushe e Jatiar Luzaj dhe familjen Seferi), ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta nga që kam qënë dënuar për metaforat. Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar. Vërtet ka patur bëma dhe ndodhi të atillë paradoksale në një kohë aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një Muri Berlini tashmë të shëmbur, kur nisi sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore. Erdhën si çlirimtarë duke sjellë robëri më të rëndë. Duke përshtatur përdhunshëm një doktrinë gjysmake, utopi mizore, që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri, në fakt që të ruanin sundimin e tyre, socializmin real të njeriut të ri, pa virtytet vetanake dhe të përhershme. Nuk po lejohej asgjë, as fantazia, ishin rrëmbyer pronat dhe mundësitë, madje as jetën e as vdekjen nuk i kishe të tuat, por të shtetëzuara nga ai revolucion i paqartë, çapraz. Dhe më përpara se të hapnin universitete, hapën burgje. Dhe u shndërrruam në burgun më të madh, duke qenë vendi më i vogël në të gjithë perandorinë komuniste.

Si nëpër nënkatet qerthullore të ferrit, hidheshin rregullisht kundështarë e disidentë e viktima e dënoheshin dhe ide e besime, por dhe libra e lexues të tyre, biblioteka, po, po ngrehina bibliotekash dhe ato të teatrove bashkë me dramat, festivale këngësh, peizazhe dhe piktorë të tyre, le më pastaj që janë dënuar dhe varret. Të vdekurit e mëdhenj donin t’i vdisnin ende më shumë. Ja, poetit Gjergj Fishta, “Homeri i fundit” në Ballkan, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Një kundërshtar si ai s’duhej të kishte kohën e pas vdekjes, duhej të zhbëhej për komunistët. Dhe kështu bënë dhe me të tjerë, të gjithë të pushkatuarit, të shuarit burgjeve s’duhej të kishin varre.

Ndërkohë diktatura kultivonte inteligjencien e saj, ku bënin pjesë dhe shkrimtarë dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat e armëve apo fermat, teksa komplotonte ta zëvëndësonte Zotin me veten e vet, për rrjedhojë dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive dhe klerikët i burgoste ose dhe më keq. Dhuna permanente në fund të fundit ushtrohej po me inteligjencë, jo vetëm me policë, me kundërkulturë kundër kulturës, me shërbimet perfekte të mediokritetit ideokracisë dhe sistemit totalitar.

Në tempullin e kujtesës/

…duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.

Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka patur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin.                                     Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.

Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd, u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.

“Shqipëria që shtypej”

…megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma.

Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Coku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafë-Bar, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej.

Në një farë mënyre ne të gjithë jemi si pas vdekjes. (*  Fjala e shkrimtarit Visar Zhiti ne Gjyqin e New Yorkut, mbajtur me 18 shkurt ne Royal Recency. Te plote do ta lexoni ne Diellin e radhshem ne print)

Filed Under: Featured Tagged With: duke dale nga burgologjia, Kujtesa dhe Liria, mes dy statujave amerikane, Visar Zhiti

PËR DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS, WATERBURY- KRYETAR NDERI PËR BASHKINË, NJË SHQIPTAR I KOSOVËS

February 28, 2013 by dgreca

Ngritja e Flamurit të Kosovës në shtizën e lart para Bashkisë së qytetit Waterbury, u krye nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu/

Beqir Sina, New York/
WATERBURY CT – Më 25 shkurt 2013, komuniteti shqiptaro-amerikan festoi me të gjitha solemnitet zyrtare, pavarësinë e Kosovës. Për të nderuar pavarësinë e Kosovës, zyra e Kryetarit të Bashkisë së qytetit Waterbury, në Connecticut – Konektikët, i dorzojë titullin e nderit “Kryetar Bashkie për këtë ditë” – një gjeneral brigade në pension, Eddi Zyko, i cili është shqiptarë nga Korça – dhe familja e tij emigroi në SHBA, njëqind vjet më parë.
Komuniteti shqiptar i Waterbury, është dominuar nga shqiptarët që kan emigruar nga Shqipëria, Mali i Zi, Luginën e Preshevës dhe nga Maqedonia dhe të Kosovës. Ata përbëjnë me 17 .000 shqiptarë rreth 15 për qind të popullsisë, së këtij qyteti të vogël të shtetit federal Connecticut , i cili ka 112.000 banorë. (Pra, shqiptarët, tash përfaqësojnë më shumë se 15 për qind të popullsisë, së këtij qyteti të vogël të shtetit federal Connecticut . Sipas Census 2010 vlerësohet se Waterbury ka 25.476 italianë, 23.354 hispanikët,19.400 afrikano-amerikanët, ka rreth 17.000 shqiptarë dhe 12.514 irlandezë në Waterbury. )

Ky komunitet i kushton një rëndësi të veçantë të gjitha festave dhe ngjarjeve tona kombëtare

Ashtu si e kan traditë për të festuar pavarësinë e Shqipërisë, për 100 vjet, tash pesë vjetë e fundit ky komunitet po nderon edhe feston me të njëjtin solemnitet pavarësinë e Kosovës dhe kësaj rradhe ata u mblodhën për të festuar ditëlindjen e saj të pestë të shtetit më të ri.
Ajo që është bërë tashmë një traditë për qytetin e Waterbury, është se ky komunitet me zyrën e Bashkisë së qytetit, ka bërë këto pesë vjet edhe Kosovën me dorzimin e titullit të nderit “Kryetari i Ditës” një individi nga bashkësia e tij, ndër shumëllojshmërinë etnike të këtij qyteti, i dalluar nga tradita dhe tolerancën ebashkëjetesn fetare, racore e gjinore në këtë qytet.
Shqiptarët, në Waterbury pavarësisht nëse ata vijnë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi apo Luginën e Preshevës, Çamëria, ata e konsiderojnë njëri-tjetrin si vëllezër, flasin të njëjtën gjuhë, kanë të njëtat traditat dhe janë të gjakut të njëjtë.
Një veprimtare e këtij komuniteti Mimoza Rizvani, thotë ” në qytetin Waterbury të Connecticut – SHBA, ditën e hënë 25 shkurt u zhvillua një ceremoni vërtet e bukur dhe që do të mbetet gjatë në mëndjen e komunitetit shqiptarë me rastin e 5 – Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.”
Ajo thotë se Shqiptaro – Amerikani, Gjeneral Brigade në pension Edi Zykaj, një ushtarak kariere në Forcat e Armatosuara të ushtrisë amerikane, i cili ku ka patur një karierë të shkëlqyer duke shërbyer në ushtrinë Amerikane, dhe duke merituar gradën gjeneral brigade, ndërkohë që tash është jurist dhe general në reservë për ushtrinë Amerikane, u paraqitë në ceremoninë e rastit në Bashkinë e qytetit të Waterbury me uniformen e gjeneralit .…

“Kjo ishte shumë kuptimplote, shtoi znj. Rizavani, për të nderuar shqiptarët e Amerikës, për kontributin që ata dhanë me dekada për Shqipërinë, Kosovën edhe për të respektuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ushtrinë e saj dhe presidentët e saj në rolin vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës .
Kurse, shprehja e tij në fjalën e përshëndetjes, gjatë marrjes së titullit të nderit “Mayor of the Day” se ; “Kam lindur në Amerikë, jam nga Korça por ndjehem si shqiptarë nga Prishtina, Shkupi, Ulqini, Tirana e Çamëria ” ishte dhe mbetet simbol i asaj se ne shqiptarët kudo ndjehemi si vëllezër të të njëtit gjak, pavaresisht se nga jemi apo nga kan ardhur dhe ku jetojmë”.
Solemnitetin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës e bënë edhe më të bukur dhe për t’u mbajtur mend gjatë edhe pjesmarrja e dy përfaqësuesve të kongresit të Connecticut, Viktor Cuevas dhe Llarry Butler, sikurse morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit vendor në Waterbury me në krye Majorin e qytetit zotin Neil O’Leary.
Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës me në krye Ambasadorin Bekim Sejdiu Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, konsullin e Kosovës z. Fatmir Zajmi dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqipëtare nga komuniteti i New Yorkut, New Jersey dhe Connecticut .

Ambasadori Bekim Sejdiu, mbajti fjalën kryesore duke u shprehur se “unë ndjehem dhe jam sot ambassador në mes të ambasadoreve ”
Më tej ai i bëri gjatë fjalës së tij një vlerësim të posaçëm komunitetit shqiptarë, në Amerikë, për gjithë atë kontributin e madh që shqiptarët kan bërë dhe japin në komunitet duke ruajtuar dhe zhvilluar vlerat më të mira të popullit shqiptarë, dhe ndihmuar vendlindjen tonë.
Në sallën qendrore të bashkisë së qytetit të Waterbury, artistët e komunitetit shqiptarë në Amerikë, të ftuar në këtë solemnitet sollën një atmosferë me të vërtet atdhedashurie dhe respekti për historin dhe luftën për liri e pavarësi në shekuj të shqiptarëve.
Ndërkaq, për të treguar integrimin e plotë të shqiptarve në jetën amerikane para zyrtarve të lart të qytetit dhe dhjetra pjesmarrsëve, Shefi e Departamentit të Matematikës në shkollën e mesme Crosby Highschool zoti. M. Beshi, solli në vëmendje të, të pranishmeve një shëmbull shumë të veçantë. Ai tha se “Nga rreth 1500 studentë ne Crosby Highschool, studentët shqiptar janë rreth 130 dhe nga 10 studentët më të mirë të shkollës 6 prej tyre jan shqiptar.” pohoi zoti Beshi.

Ceremoninë solmne me rastin e 5 – Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e përshëndeti me këtë rast dhe vet Kryetari i Bashkisë së qytetit Waterbury zoti O’Leary, i cili në fjalën e tij përshëndeti ngrohtesisht dhe vleresoi me nota maksimale integrimin dhe kontributin që jep komuniteti shqipëtar në Waterbury, duke shtuar se “Nuk është aspak sekret fakti – tha ai – se ndër 18,325 studentë që ka Waterbury në dhjetë më të mirëve gjashtë prej tyre sot janë shqiptar – Kjo tregon theksoi kreu i Bashkisë zoti O’Leary, se shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e këtij qyteti dhe ne jemi krenare me ju shqiptarët”.
Programin e ceremonisë së kremtimit të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës në sallën e Bashkisë së qytetit e shoqëroi edhe një program i pasur artistik. Recitimi i Yulias së vogël pesë vjeçare nga Kruja me thirmmën se ….” E dua Kosovën e dua Shqiperine e dua flamurin e dua fort Çamërinë ” ngjalli shumë mallë dhe atdhedashuri për vendin tonë, tha znj. Mimoza Rizvani.
Znj. Rizvani, na tha se ceremonin e përshëndetën edhe veprimtarët veteran të këtij komuniteti J. Kulla e M Gjini , si edhe pati presantimet e e bukura të Alvitrit , Dines dhe Faikut, duke patur si simbolikë të saj këshillat e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut :”për të qenë të fortë duhet të jemi të bashkuar”
Loja e artistëve aktorit dhe producentiti Xhevat Limani, aktorit Shaban Lajçi e rapsodit Tom Gjergji nga Grupi muzikor ‘Bashkimi Kombëtar”, krijuan më të vërtet atmosfere atdhetare dhe artistike tha Mimoza Rizvani.

Kurse me këtë rast vizita e delagacionit të Kosnullatës së Përgjithshëme të Kosovës vazhdoi në objektin e Shoqatës Atdhetare Hasan Prishtina për shkollën shqipe atje dhurar nga Ministria e Diasporës u bë dhe shpërndarja e librave për nxënësit e shkollës shqipe nga përfaqësuesit e Kosovës Ambasadori Bekim Sejdiu Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, dhe konsulli i Kosovës z. Fatmir Zajmi
Në fund thotë ajo se edhe organizatorët e ceremonisë së kremtimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Bashkinë e qytetit të Waterbury, zotërinjët, F. Rizvani, F Kuka Y.Hasani dhe P. Qeta , përfaqësues edhe të “Unionit shqiptaro amerikan për zhvillimet në Ballkan ” shprehën falenederimet për bashkëpunimin dhe kënaqësinë e të qenit bashke si vëllezër në këtë festë të bukur mbarë shqiptarë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bekim Sejdiu, Beqir Sina, pavaresia e Kosoves, Waterbury

DENONCIMI I RASTEVE TË SHTETËSIVE NË MAQEDONI

February 28, 2013 by dgreca

Programi Unik Shqiptar-PUSH, paraqet para opinionit rastin e radhës të mohimit të shtetësisë së Maqedonisë znj.Naxhie Osmani e cila ka lindur në vitin 1967 në Çair të Shkupit dhe jeton në fshatin Bukoviç që i përket Komunës së Shkupit. Edhe pse ka lindur në Shkup dhe është banore e kryeqytetit zonja Naxhie nuk ka shtetësi të Maqedonisë, ndërsa bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët janë shtetas të Maqedonisë. Ajo pasi ka parashtruar kërkesë për shtetësi i është mohuar në vitin 1997.

Për fat të keq për kategorinë e këtyre shqiptarëve që u mohohet shtetësia e Maqedonisë pa të drejtë nuk janë interesuar asnjëherë partitë, deputet dhe ministrat shqiptar të cilët çirren për patriotizmin e madh folklorit. PUSH sqaron opinionin se ne si organizatë do të bëjmë ç’është e mundur që zërin e këtyre njerëzve të thjeshtë të dëgjohet deri në instancat më të larta të Organizatave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku Republika e Maqedonisë ka firmosur Konventat.

Ne shprehim shqetësimin edhe njëherë se në heshtje po bëhet ç’regjistrimi i shqiptarëve të lindur, të shkolluar dhe që jetojnë në Maqedoni, në vendin e etërve të tyre. Kjo po bëhet për të ulur sa më shumë numrin e vërtetë të shqiptarëve në këtë republikë multietnike. Për fat të keq asnjë parti politike nuk po interesohet dhe të reagojë për këtë fenomen me përmasa tragjike për qytetarët të etnisë shqiptare.

Në zyrën tonë vijnë përditë 2-3 njerëz që pyesin, marrin këshilla rreth problemeve me shtetësitë, për fat të keq janë njerëz që i përkasin kategorisë së thjeshtë, punëtorë të cilët s’kanë asnjë lidhje me politikën, numri i kësaj kategoria është shumë i madh.

Edhe njëherë PUSH tërheq vëmendje në lidhje për përfitimin e shtetësisë së Maqedonisë, të gjithë atyre njerëzve që u është mohuar e drejta e shtetësisë pa të drejtë, të sjellin fotokopjet e vendimeve për refuzimin nga ana MPB në zyrën e Programit Unik Shqiptar që ndodhen në qytetin e Tetovës.

Kryetari

Teuta Kamberi–Llalla

Programi Unik Shqiptar

Maqedoni, 28.02.2013

Filed Under: Kronike Tagged With: Levizja Push, Teuta Llalla

AMBASADA E KOSOVES NE WASHINGTON DHA PRITJE PER 5 VJETORIN E PAVARESISE

February 28, 2013 by dgreca

Eliot Engel: Shpresa ime është se në vitet e ardhshme marrëdhëniet e SHBA me Kosovën do të jenë edhe më të mira se më parë.” /

Nga Beqir SINA/

WASHINGTON D.C: – Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, organizoi mbrëmjen e 26 shkurtit një pritje me rastin e përvjetorit të pestë të pavarësisë së Kosovës në Uashington. Pritja u mbajt nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili, i cili mbulonë edhe Kanadanë në cilësinë e ambasadorit jo-rezident, Xhavit Gashi, atasheu i parë ushtarak për ambasadën Kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendes ambasadori Jetish Jashari, dhe diplomatja Gjeneza Budima.

Solemniteti i rastiti u zhvillua në një sallat e hotelit “Four Session’s “, ku morën pjesë qindra shqiptarë të ardhur nga mbarë Amerika, si dhe kongresmenë e zyrtarë të lart të Departamentit të Shtetit, lider dhe veprimtarë të dalluar të komunitetit, përfaqësues të medias dhe studentë që mësojnë në shkollat amerikane, si dhe një grup zëdhënsish nga qeveria Kosovës, të cilët po njihen me përvojën amerikane.

Në pritjen solmne e dhënë nga Ambasada e Kosovës në Washington të martën në mbrëmje në kremtim të pesëvjetorit të pavarësisë në mesin e zyrtarëve amerikanë, kishte ardhur për t’ja uruar pavarësinë e Kosovës dhe folur në emër të qeverisë amerikane, diplomati i njohur Jonathan Moore, drejtor i Zyrës së Punëve të Jashtme për Evropën Juglindore dhe Qendrore, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në këtë pritje morën pjesë edhe dhjetra ambasador dhe përfaqësues të korit diplomatik në kryeqytetin amerikan, ateshet ushtarak, dhe ish i dërguari i posaçëm SHBA-ve, për çështjen e Kosovës në bisedimet e udhëhequra nga “Treshja” ambasadori Frank G.Wisner, Jr si dhe Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës në New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, konsullja Valëza Uruçi dhe e shumë shqiptaro-amerikanë nga shtete të ndryshme të SHBA-ës.

Anëtarit i kongresit amerikan, Eliot Engel, demokrat nga New York-u, kryetar Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomes së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, njëhereshit kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe ish diplomati James Hooper eksperti i njohur amerikan, nga Grupi për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politika dhe ambasadori Uilliam Uolker, ish kreu i misionit të verifikimit të OSBE-së në Kosovë, njeriu që raportoi i pari masakrën famëkeqe të Racakut.

Ceremonia solmne e cila filloi me intonimin e himneve kombëtare të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shoqërua me fjalën e rastit nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili, i cili mbulonë edhe Kanadanë në cilësinë e ambasadorit jo-rezident

Duke thënë se është një nder dhe kënaqësi e vërtetë e tij, Ambasadori Ismaili, ka shprehur gëzimin për këtë festë, që për herë të parë si Ambasador i Kosovës në Uashington, ai po shënonë këtu në Shtetet e Bashkuara, 5 vjetorin për Kosovën si komb i pavarur e sovran.

Shtatorin e kaluar Kosova shënoi fundin formal të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së saj, përmendi gjatë fjalës së tij zoti Ismaili. Dhe, duke e përfunduar atë në një kohë të përshtatshëme, përpara afatit të saj në konfirmim me atë se Kosova, tash i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj – sipas kërkesave të grupit ndërkombëtar, të udhëhequr nga Plani për Kosovën e marrë nga Paketa e ish Presidentit Ahtisari, që rekomandonte një paketë gjithëpërfshirëse, për statusin final të Kosovës; si shtet të pavarur dhe shtet multietnik, ku mbrojtja e të drejtave të njeriut, të jetë mbi baza etnike dhe fetare, çka janë në thelbin e saj – ka nënvizuar ai.
Më pasë në fjalën e tij shefi i ambasadës së Kosovës, tha që deri tash Kosova ka arritur numrin e 98 njohjeve dhe është duke punuar me të gjitha vendet në çdo kontinent në të kuptuarit në kontekstin e Kosovës, të rritjes së numërit të njohjve. Kështu që ne presim, tha ai të shohim rezultatin e kësaj pune me njohjet e tjera duke pasur një qasje në javët e muajët e ardhshme, të këtij viti.
Ambasadori Ismaili, i quajti këto pesë vjetë pavarësi, momente të mëdha festimesh për të kërkuar më shumë dhe për të patur një përkushtim më të madh, duke mos harruar asnjëherë punën dhe sakrificat që janë bërë për liri dhe pavarësi, luftën për çlirimin e Kosovës.
“Festimet e ketij pesë vejtori, theksojë ambasadori Ismaili janë gjithashtu një moment i madh për të çuar Kosovën më përpara për rrugën përparimit, dhe të zhvillimit të saj, sidomos në pjesëmarrjen e plotë në të gjitha strukturat ndërkombëtare dhe të Integrimit Euro-Atlantik, të cilat janë prioritetet kryesore për të gjithë ne. Ndërkohë, që në kuadrin e BE-së, ne presim që sa më shpejt të jetë të futemi në listën e bardhë të Shengenit dhe me nëshkrimin e Asocim Stabilizimit do të vazhdojmë rrugën tonë drejt BE-së.” tha zoti Ismaili.
Një rëndësi gjatë fjalës së tij ambasadori i Kosovës, zoti Akan Ismaili i kushtojë konfirmit nga NATO të të gjitha kapaciteteve të plota operacionale, si dhe implementimin e konkluzioneve të Sektorit të Sigurisë, të cilat theksoi ai janë duke u zhvilluar në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara, dhe do të na ndihmojnë në ndërtimin e lidhjeve më të forta me NATO-n. Në mënyrë për të bërë Kosovën dhe forcat e saj të mbrojtjes FSK-ën, si garantuese të paqes dhe sigurisë rajonale dhe t’i shohim ato krah për krah me forcat amerikane dhe aleatët e tjerë, sa herë që të jetë e nevojshme në shërbimet e tyre.
Në emër të qeverisë amerikane, foli me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, diplomati i njohur Jonathan Moore, drejtor i Zyrës së Punëve të Jashtme për Evropën Juglindore dhe Qendrore, në Departamentin Amerikan të Shtetit, solli disa kujtime të paharruar nëpërmjet gazetës shqiptaro amerikane Illyria, kur ai ishte takuar për herë të parë në periudhën e pasviteve ’90 me Presidentin e parë të Kosovës të njderin Ibrahim Rugova.

Më pasë ai lexojë letrën zyrtare që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama uroi Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kurse, anëtari i kongresit amerikan, Eliot Engel, demokrat nga New York-u, kryetar Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomes së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, njëhereshit kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, mik i dëshmuar i shqiptarëve, konfirmojë edhe një herë atë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë dhe do të mbeten miku më i mirë i Kosovës. “Ne do të vazhdojmë për të promovuar lidhjet e shkëlqyera, që kemi në mes njëri tjetrit dhe do të ndihmojmë Kosovës për zhvillimin e saj, dhe ruajtjen e sovarnitetit territorial të saj – Me një miqësi në rritje në mes të dy kombeve dhe popujve tanë, kjo është shpresa ime se në vitet e ardhshme do të jetë edhe më i mirë se pesë vitet më parë.” tha kongresisti Eliot Engel.

Filed Under: Kronike Tagged With: Akan Ismaili, ambasada e Kosoves, Beqir Sina, Eliot Engel, Washington

NJË ZË NGA FERRI I ENVER HOXHËS

February 28, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi shkrimtari, poeti dhe vuajtësi i burgjeve të regjimit komunist shqiptar, Zoti Visar Zhiti zhvilloi aktivitete këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë New Yorkun dhe Washingtonin, në kuadër të promovimit të dy librave të tij të fundit, ”Rrugët e Ferrit” dhe ”Ferri i Çarë”, një dëshmi okulare e jetës në dy kampet famkeqe të Shqipërisë, Spaç dhe Qafë Bar.   Aty ku torturat, interrogimet, dëshprimi, uria dhe mizori të tjera çnjerëzore, ishin vetëm disa prej tmereve që përshkonin jetën e e përditshme të kundërshtarëve të burgosur politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.   Njëri prej këtyre të burgosurve ishte edhe shkrimtari i njohur Z. Visar Zhiti.

Sipas të dhënave që më dërgoi Mustafa Xhepa i organizatës shqiptaro-amerikane, Shtëpia e Lirisë, si koordinuese e vizitës,  Zoti Zhiti pati një agjendë të ngjeshur në Washington ku zhvilloi takime zyrtare, përfshirë edhe takimin në Departmentin amerikan te Shtetit, me Z. Christopher Carver, i cili mbulon Shqipërinë.  Sipas të dhënave, në takimin me Z. Zhiti  zyrtari amerikan shprehi interesimin e tij për trajtimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë nga qeveria shqiptare.   Gjatë takimit me vizitorin nga Shqipëria,  Zoti Carver, ndër të tjera, nënvijoi gjithashtu edhe interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri,  duke thënë se Amerika në përgjithësi ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në atë vend.   Zoti Zhiti foli mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri duke shprehur optimizmin e tij për të ardhmen e vendit. Gjatë qendrimit në kryeqytetin amerikan, shkrimtari dhe vuajtësi i tmereve të gulagut komunist shqiptar, bëri edhe një vizitë në Bibliotekën e Kongresit amerikan ku e priti Z. Grant Harris, Drejtor për Evropën i këtij institucioni të njohur amerikan.

Si i ishpërndjekur i regjimit komunist, Zoti Zhiti nuk kishte si të mos shkonte tek memorialin në Washington kushtuar  viktimave të komunizmit në botë si dhe në muzeumin Laogai, ku ekspozohen krimet e regjimit komunist në Kinë. Aty Zoti Zhiti u takua me Drejtorin e muzeut, Zotin Harry Wu, vizitë këjo e cilësuar si një ”takim mes dy vëllëzërve”, pasi edhe ai vet është një ish i bugosur politik.    Zoti Zhiti vizitën e tij në Washington e përfundoi — siç është traditë me personalitetet shqiptare që vizitojnë kryeqytetin amerikan — me një intervistë tek Zëri i Amerikës.   Pyetjes  së Zërit të Amerikës në lidhje me trajtimin e ish të burgosurve  në Shqipëri , ai  u përgjigj duke thënë  se megjithëse “janë bërë shumë”  për të ndihmuar ish të burgosurit,  ”shoqëria shqiptare duhej të ishte më e ndejshme në këtë drejtim”, dhe se Shqipërisë i mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të rehabilitimit moral, shoqëror dhe financiar”,  të  tyre, shtoi Zoti Zhiti.   Por, ai me megjithëse i vuajtur  si edhe shumë  të tjerë,  me një butësi  dhe pa zemërim as inat   rrëfei  —  atë që më duket se ishte një frustrim i tij se si gjatë viteve pas rënjes së komunizmit e madje edhe sot se — ”gjithmonë mbi krye kishte, një shef, një të dikurshëm që ka urdhëruar dikurë, edhe tani po kështu.”   .  Zëri i Zotit Xhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi për të gjithë.  Është një zë që në thelb  i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material,  me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe  “shefave të dikurshëm” të regjimit komunist  e të cilët ende japin  “urdhëra”.

Zoti Zhiti tha për Zërin e Amerikës se shoqëria shqiptare  dhe shteti, pasi ai me të drejtë ai tha se ”shoqëria dhe shteti janë pjellë e njëra tjetrës,”  i kanë borxh kësaj shtrese, duke venë në dukje se “shoqëria shqiptare ka përfituar shumë nga puna e të burgosurve, nga puna e pa paguar e të burgosurve”, theksoi ai, duke nënvijuar se, “të gjitha veprat e rëndësishme në Shqipërinë dikatoriale i kanë themelet në punën dhe djerësën e ish të burgosurve politikë.   Janë kockat dhe gjaku i tyre në to…boll të bëheshin akcionerë në vepra që edhe sot janë rentabël, këjo do ishte një mënyrë dëmshpërblimi”, shtoi ai, duke përmendur si shembull aeroportin e Rinasit, ”që ka filluar nga të burgosurit, e kanë bërë ata” , tha ai, duke shtuar se madje aty nuk ka asnjë pllakë për dokumentuar këtë fakt të hidhur.  Zëri i Zotit Xhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi.  Është një zë që i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe shty

Me qetësinë e tij shpirtërore, me fjalët e tija të buta dhe pa zemërim e as inat, ai të detyron   t’i   kushtohet vëmëndje deklaratave dhe kujtimeve të tija si dhe të ish të burgosurve të tjerë si At Zef Pllumi e shumë të tjerë,  të cilët  janë përpjekur dhe po përpiqen të  hedhin dritë mbi ato ngjarje e epizode, megjithëse të dhimëshme, të atij kapitulli të errët të historisë shqiptare.  Është e rëndësishme për të mësuar nga ato përvoja të rënda, si individë dhe si shoqëri,  me shpresë që  të mos përsëriten më, dhe ndoshta eventualisht për të bër të mundur heqjen e kësaj barre të rëndë  që ende rëndon mbi ndërgjegjen e kombit shqiptar.    Kujtimet e këtyre heronjve të kombit dhe librat e tyre janë një frymëzim dhe ofrojnë mundësinë e një reflektimi mbi vet natyrën njerëzore, si dhe mbi luftën midis të mirës dhe të keqës.   Këto, jo vetëm që përshkruajnë tmeret e një sistemi anti-njerëzor, si ai i regjimit komunist në Shqipëri, por ata  në të njëjtën kohë nderojnë viktimat e pafajshme të atij sistemi famkeq, me të cilët ata kanë ndarë të njëjtin fat në birucat e atij sistemi.   Besoj se synimi  i Zotit Zhiti dhe i veprave të autorëve të tjerë ish të burgosur është i të njëjtës rëndësi me objektivin për të informuar ne të gjallët që kemi pasur fatin të mos jetojmë nën atë sistem, dhe gjithashtu që nga përshkrimi  i  këtyre përvojave,  brezat e ardhëshëm të mësojnë nga këto  vepra mbi vuajtjet, kurajon dhe qendresën e pa imagjinueshme të shumë  bijve dhe bijave më të mirë të kombit, shumë prej të cilëve nuk patën fatin për të shënuar kujtimet e tyre, pasi  shumica ose u pushkatuan pa gjyq ose vdiqen nepër kampet e përqendrimit, e të cilëve as varri nuk u dihet.

Librat e Zotit Zhiti dhe të ish burgosurve të tjerë shqiptarë si vepra e njohur e At Zef Pllumit, Rrno për me Tregue, janë dëshmi dhe deponime të mbijetuarve të kampeve më të këqia të përqendrimit që ka njohur bota, ato të Shqipërisë komuniste. Ata ishin  ”dëshmitarë të atij shekulli”, dhe siç ka thënë  ish i burgosur  rus,  Dmitry Likhachev, ”është detyra  jonë  njerëzore për të thënë të vërtetën për atë periudhë”.

Në librin e autorit  amerikan Harold B. Segel me titull , The Walls Behind the Curtain, ose Muret pas Perdes, paraqiten  punimet dhe veprat e një numër shkrimtarësh e poetësh  evropianë  të  burgosur gjatë komunizmit.   Ndër ta janë emërat e shkrimtarëve më të mëdhej të Evropës Lindore, si Vaclav Havel, Adam Kuchnik, Eva Kanturkova, Paul Goma, Milovan Djilas, Tibor  Dery e të tjerë.  Është doemethënës fakti se në këtë listë shkrimtarësh të njohur nga Evropa të cilët kanë bërë histori me veprat e tyre,  autori  në këtë libër  për lexuesin amerikan, ka përfshirë edhe  shkrimtarin  dhe poetin shqiptar Visar Zhitin, si një shembull i një personi që e ndienë për detyrë njerëzore për të shkruar dhe për të  treguar të vërtetën për atë periudhë —  por dhe si  simbol  i qëndresës këmbëngulëse dhe i vullnetit të pashtershëm  të shpirtit të shqiptarit për liri e demokraci,  vlera dhe parime këto, për të cilat shumë  dhanë jetën në kampet e përqendrimit  anë e mbanë Shqipërisë dhe Evropës Lindore.

Zoti Zhiti, meriton përgëzimet e të gjithëve për kurajon dhe qëndresën e tij morale si individ dhe si shkrimtar, ndaj një regjimi shpirt-thyes.    Njëkohësisht meriton falenderimet tona për kujtimet e tija nga ajo periudhë e zezë e historisë shqiptare, pasi kujtime të tilla po zhduken dalngadalë me qëllim e pa qëllim, nga një shoqëri që  në mos e krijoi gulagun shqiptar, atëherë të pakën e toleroi.  Është një zë nga ajo e kaluar e trishtueshme e gulagut  shqiptar që duhet të dëgjohet jo vetëm nga  shoqëria shqiptare, por edhe nga bota e qytëruar, si një obligim ndaj të gjallëve dhe ndaj të  vdekurve.

NE FOTO: Zoti Zhiti pranë përmendores  në Washington kushtuar  viktimave të komunizmit botëror

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje ze nga ferri i Enver Hoxhes, Visar Zhiti

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT