• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

Reagim nga “Trojet e Arbrit”: LUGINA E PRESHEVES, PJESE E TROJEVE TE ARBERIT

February 9, 2013 by dgreca

Serbia të pranojë realitetin se Lugina e Preshevës është pjesë e Trojeve të Arbrit, jo koloni, por fqinja e saj /

Shoqata “Trojet e Arbrit” dënon heqjen e lapidarit të lirisë nga sheshi i Preshevës, si një atak i Serbisë ndaj qenies sonë kombëtare, që përbën provën e radhës të ushtrimit të dhunës e të terrorit në këtë pjese të dhembshme të kombit tonë.
Serbia vazhdon me politikën ekspansioniste edhe pas formimit të principatës së saj, me ndihmën e Rusisë dhe Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe me mbështetjen e tyre zaptoi Sanxhakun e Nishit, i banuar kryesisht me shqiptarë, të cilin me hekur e zjarr e ktheu në tokë serbe. Politika e saj ekspansioniste kulmoi më 1912, kur pushtoi Vilajetin e Kosovës, në kuadër të të cilit ishte edhe Lugina e Preshevës si dhe Vilajetin e Manastirit. Mirëpo, këtë herë ajo ndeshi në qëndresën e fortë të shqiptarëve të këtyre trojeve, me gjithë shpërnguljet dhe kolonizimin e tyre.
Edhe akti barbar i saj i fundit dëshmon qartë se Serbia nuk po heq dorë nga pjesa e mbetur e Projektit të saj famëkeq shovinist. Edhe përkundër leksionit që mori ajo nga popujt e pushtuar në ish-Jugosllavi, kur ata dhe Kosova fituan lirinë falë edhe ndihmesës së forcave të NATO-s me SHBA-në në krye. Më pas, Serbia gjithë energjinë e përqendroi për copëtimin e Kosovës së sotme dhe çrrënjosjen e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Ajo nuk po heq dorë nga logjika e pushtuesit sipas maksimës të saj absurde se ”Serbi është deri atje ku ka qoftë edhe një serb, duke iu referuar historisë së saj të sajuar dhe injoron faktin se populli serb është ardhacak e pushtues në trojet arbërore.
Lugina e Preshevës dhe Trojet Lindore mbrojtën qenien e tyre kombëtare, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u përballën trimërisht me forcat shumëfish më të mëdha ushtarake komuniste serbe, bullgare e maqedonase në vjeshtë të vitit 1944 që nga Shkupi deri në Bujanoc e Kitkë, në një luftë ballësore, e cila përbën epopenë e rrallë në historinë e popullit tonë. Luftëtarët trima të Luginës sfiduan ushtrinë serbe edhe në Luftën e UÇPMB-në në vitin 2000, kur dëshmuan me gjakun e tyre se kjo pjesë e Trojeve të Arbrit nuk e duron robërinë e huaj. Këtë qëndresë e ka simbolizuar Lapidari i hequr përdhunisht që lëndon rëndë ndjenjat e çdo shqiptari, kudo që gjendet ai. Preshevarët duhet të krenohen me të kaluarën e tyre, ata janë fitues moralë, ata e meritojnë ta gëzojnë lirinë e ëndërruar.
Shoqata jonë kërkon nga qeveria e Serbisë që sa më parë të demilitarizojë Luginën e Preshevës, si një parakusht të lirisë individuale dhe kolektive, të hiqet dorë nga persekutimet, përndjekjet dhe të gjitha llojet e shtetit policor. Garantues dhe mbikëqyrës të zbatimit të saj të jenë SHBA-të, BE-ja dhe Shqipëria. Ky është parakushti për krijimin e stabilitetit dhe të sigurisë së njerëzve atje.
Kërkojmë nga Shqipëria, Kosova dhe subjekti politik i Luginës së Preshevës të angazhohen për zbatimin e reciprocitetit të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sikurse për serbët në Kosovë. Kjo do të thoshte që Lugina të njohë një zhvillim ekonomik dhe siguri sociale sikurse regjionet tjera në Serbi, t’u garantohet shqiptarëve e drejta arsimimit në gjuhën shqipe, përfshirë edhe arsimimin sipëror, duke hapur urgjentisht disa fakultete në Preshevë e Bujanoc, si bërthama të Universitetit të ardhshëm. Njëkohësisht shqiptarëve në Luginë t’u njihet e drejta e zhvillimit kulturor, përfshirë Bibliotekën Kombëtare,Teatrin kombëtar, mediet etj.
Shoqata jonë kërkon edhe një herë nga Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë, qeveritarët shqiptarë në Maqedoni dhe nga subjektet politike në Luginë të Preshevës, që të insistojnë për zbatimin e reciprocitetit për tekstet e historisë, gjuhës shqipe, muzikës e gjeografisë për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, Luginë të Preshevës, sikurse e gëzojnë këtë të drejtë nxënësit serbë në Kosovë dhe ata maqedonas në Shqipëri.
Shoqata jonë kërkon nga qeveria e Kosovës t’ua lehtësojë qarkullimin e lirë shqiptarëve të Luginës në Kosovë, të heqë kartelat e gjelbra për vozitësit e Luginës. Këtë e ka obligim moral e kombëtar.
Subjekti politik i Luginës duhet të qëndrojë në nivelin e detyrës, sepse ka vullnetin e zgjedhësve, të ruajë unitetin e të flasë me një gjuhë, te mos bjerë pre e intrigave të huaja. Këtë e kanë detyrë nga dëshmorët e kombit, të gjithë të rënët për liri.

Shoqata “Trojet e Arbrit”, Prishtinë.

Prof.Dr.Muhamet Shatri,kryetar dhe koordinator për Kosovë,
Mr.Nue Oroshi,nënkryetar dhe koordinator për Evropën Perëndimore
Prof.Dr. Ramiz Abdyli,koordinator për Trojet Lindore,
Mentor Quku,koordinator për Shqipëri,
Tomë Mrijaj,koordinator për Amerikën Veriore

Filed Under: Opinion Tagged With: e Lapidarit, reagim per heqjen, trojet e Arberit

PRESIDENTI OBAMA SHPREH BESIMIN E TIJ FETAR

February 9, 2013 by dgreca

Frank Shkreli/

Të ënjten në Washington u mbajtë ceremonia e përvitshme e ”Mengjesit Kombëtar të Lutjeve”, ku përveç Presidentit Obama,  zevendës Presidentit Biden dhe ku përveç anëtarëve të Kongresit Amerikan ishin ftuar mbi tre mijë pjesëmarrës, udhëheqës dhe autoritetete në fushë të ndryshme nga e mabrë bota.   Është këjo një mbledhje që e organizojnë anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve — të cilët rregullisht takohen në Kongres njëherë në javë për lutje.   Këtë traditë e ka filluar ish-Presidenti Dwight Eisenhower dhe për çdo vit presidenti amerikan në detyrë, që së bashku me udhëheqsit më të lartë të vendit nuk ka munguar kurrë nga pjesëmarrja në këtë takim, ku gjithashtu, ftohen dhe marrin pjesë, jo vetëm personalitete politike dhe fetare, por edhe personalitete të dalluara në fushë të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, nga e mbarë bota.   Ky takim është një rast për Presidentin amerikan dhe për pjesëmarrës të tjerë që të shprehin besimin e tyre fetar  dhe për të reflektuar mbi çështje shpirtërore, por edhe politike, për veten dhe për vendin e tyre.   ”Këjo ceremoni është domethënse”,  u tha të pranishëmve Presidenti Obama, është e rëndësishme  ”për ne — si komb dhe si popull — pasi që çdo vit për 61 vjet tani këjo traditë e mrekullueshme lutjesh ka vazhduar.   Mbajtja e përvjetshme e kësaj ceremonie fletë shumë për ne, sepse vit pas viti, në kohë triumfësh dhe në kohë tragjedishë,  në paqë dhe në kriza, ne mblidhemi së bashku, jo si Demokratë e Republikanë, por si vëllëzër e motra, si fëmijë të Perendisë.   Çdo vit, megjithë problemet dhe peripecitë e jetës sonë të përditshme, ne caktojmë një mengjes për tu mbledhur si komunitet i bashkuar në lutje”, tha Presidenti Obama.

Ai u tha të pranishëmve se i bëri përshtypje leximi gjatë ceremonisë nga teksti i Librit të Shënjtë drejtuar Hebrejve, se,  ”Pa besim është e pamundur që të kënaqim Perendinë, sepse kushdo që vjen para Tij, duhet të besoj se Ai ekziston dhe se Ai i shpërblen ata që kërkojnë ndihmën e Tij…jo vetëm për një moment, ose për një ditë, por për çdo moment dhe për çdo ditë”,të jetës sonë, tha presidenti amerikan, Barak Obama.

Presidenti Obama u tha pjesmarrësve në Mengjesin Kombëtar të Lutjeve se, ”Si të Krishterë, ne besojmë në duartë e gozhduara të Jezu Krishtit.   Por aq shumë amerikanë të tjerë të cilët përqafojnë dhe besojnë në fetë e tyre –si myslimanët dhe hebrejtë, hindët dhe sikët – si dhe të gjithë Amerikanët që besojnë  por edhe ata që nuk besojnë — kanë një besim të thellë dhe të palënkundshëm në kombin e vet.”

Kohët e fundit, tha Presidenti Obama, pata rastin të reflektoja mbi fuqinë dhe forcën e besimit, duke folur për inaugurimin e tij të dytë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë të cilit ai vendosi dorën dhe u betua mbi dy Bibla që ishin përdorur nga dy Amerikanë të mëdhej, atë të Presidentit Abraham Lincoln dhe Biblën e Martin Luter Kingut,  udhëheqsit të të drejtave civile në Amerikë — besimi i të cilëve, sipas Z. Obama, bën jehonë edhe sot.   Ishte e pamundur, tha ai, që me atë rast solemn të mos mendoja për këta dy burra dhe se si të dy këta — në kohë krize e tragjedie si edhe në periudha të pasigurta për kombin tonë, ata i këthyen sytë tek Bibla për të kërkuar ndihmë dhe për të mësuar nga fjala e Zotit — ashtu siç kanë bërë, ç’prej fillimit të këtij kombi, aq shumë presidentë, predikatorë, ligjvenës, juristë e të tjerë.

Duke folur për Dr. Luter King-un, Presidenti amerikan tha se ”ne e dimë se Dr. Kng-u, në Bibël gjënte forcën, në Bibël ai gjënte bindjen dhe në fjalët e Zotit ai zbulonte të vërtetën mbi dinjitetin e njeriut, nga i cili ai nuk hoqi kurrë dorë.  ” Edhe Presidenti Lincoln, tha Z. Obama kishte momente të tilla, ”pasi e kishte parë vendin e tij të ndarë e të përçarë, në një luftë që kishte këthyer vëllain kundër vëllait, dhe familjet kundër njëta tjetrës — këjo tha ai ishte një barrë e rëndë për cilindo president”, duke shtuar se, ”në sytë e presidentit Lincoln, forca e besimit ishte një shënjë përvujtëshmërie që bën të mundur të njohim kufizimet tona dhe si pasojë ai mundi të shikonte imazhin e Perendisë edhe në radhët e atyre të cilët ishin kundërshtarë të tij të vendosur”, shtoi Presidenti Obama.

 

”Në një demokraci kaq e madhe e kaq e ndryshme si këjo e jona”, vazhdoi ai, ”ne përballemi me lloj lloj opinionesh.”,  ‘’Por’’ shtoi ai, ”detyra jonë si udhëheqës në qeveri, ose në biznes dhe si predikues të besimit fetar — është që të kalojmë ditët tona me zemër dhe mendje të hapur, duke kërkuar të vërtetën që ekziston edhe në një opinionin e një kundërshtari, për të bërë të mundur pajtimin e mendimeve dhe arritjen e marrveshjeve që të rezultojnë  — që ne si komb dhe si popull të marrim masa dhe veprime konkrete për zgjidhgjen e problemeve, me të cilat përballemi si komb.”

Duke përfunduar fjalimin e tij të ënjtën para nja 3000 vetave nga Amerika dhe bota,  të cilët morën pjesë në Mengjesin Kombëtar të Lutjeve, Presidenti Obama  tha, ‘’le të mbështetemi në  vendosmërinë tonë e cila bazohet në besimin tonë fetar. Le ti lutemi Zotit që te jemi të denjë i bekimeve të shumëta që Ai i ka dhënë kombit tonë.   Më lejoni gjithashtu që tu them se ne të cilët jemi në pozita të fuqishme dhe me influencë duhet të jemi ndër ata më me përvujtëshmëri.  Dhe le ti premtojnë Zotit  dhe njëri tjetrit, çdo ditë ndërkohë që dielli lind në Amerikë, se ai diell lind  mbi një popull që përpiqet që ta bëjë këtë bashkim të kombit tonë edhe më të fortë e më të fuqishëm.’’

Pas së cilës, Senatori republikan dhe nën-kryetari i ceremonisë, Z. Jeff Sessions, i cili shpeshëherë  është përplasur me Presidentin Obama për çeshtje të shumëta politike dhe ekonomike, e mbylli ceremoninë duke thenë, në një frymë mirëkuptimi se, “ne jemi një komb”, me një president.  “Faleminderit që jeni presidenti  i im.  Falemidnerit që jeni presidenti i ynë”, përfundoi  Senatori republikan Jeff Sessions.

Filed Under: Opinion Tagged With: besimin fetar, Frank shkreli, Presidenti Obama, shpreh

NEW YORKU SHPALLE GJENDJEN E JASHTZAKONSHME

February 8, 2013 by dgreca

NGA BEQIR SINA/

NEW YORK : Kryeqeveritari i shtetit të New Yorkut, Andrew Cuomo shpalli këtë passdite menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme për shtetin e New Yorkut, për shkak të dëborës, shiut, erës dhe ngricës që ka kalpuar pothuajse gjithë vendin. Sot pas dite, i gjithë Bregdeti Lindor është i mbuluar nga në një shtresë e përzier e dëborës dhe akullit të ngrirë, thanë stacionet televizive.  Rrjeti rajonal i transportit – MTA, në New York, tha se i ka marrë në përgjigje të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonëshme të gjitha masat, për të “luftuar” stuhinë në përgjigje të parashikimit të motit të ashpër dhe sidomos në uljen e madhe të temperaturave (që kan shkatuar ngrijen e tubacioneve dhe kallove elektrike). Vende vende erërat e forta dhe akumulimin e borës në linja të cilat parashikohen të jenë më shumë se një hap apo më shumë janë gati të mbyllen.

Thirrje u bëhet që konsumatorët – përdoruesit e treneve dhe autobusve në qytet dhe linjat jashtë qytetit duhet të jenë vëmendeshëm që nga përkeqësimi i pritëshëm i motit mund të kërkojë nesër e pasnesër, edhe pezullimin e disa linjave kryesore të autobusve urban dhe interurban, të rajonit të metrosë së qytetit të New Yorkut, por dhe lëvizjet e trenave të udhëtarëve, jashtë qytetit.

“Ne jemi duke marrë këto masa mbas parashikimit të motit dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonëshme, tejet seriozisht dhe kemi filluar qysh sot pas dite përgatitjet në tërë zonën e shërbimit MTA shumë përpara mbërritjes së stuhisë,” tha zoti Thomas F. Prendergast, Drejtor Ekzekutiv i Përkohshëm i MTA. “Nëse kushtet e motit të kërkojnë, masa të tjera suplementare, ekziston mundësia që ne do të pezullojmë edhe disa shërbime, të tjera në metron e qytetit të New Yorkut, autobusve urban ose linjat e gjata të trenave të udhëtarëve për të siguruar sigurinë të gjithë udhëtarët tanë.”
Governatori Cuomo siguroi të gjithë se megjithë masat e marra në New York, ai pret që MTA të mbetet më operative në të gjithë kalimin e kësaj stuhie duke shtuar se: “Kjo është një stuhi nga mëtë të rëndat e këtij dimrit, por kjo nuk është aspak si stuhia Sandy vitin e kaluar, kur ne kemi qenë në gjendje të keqe – kjo është shumë më relative.”

Ndërkohë, që sot ( e premte) gjatë gjithë ditës Enti i Shërbimi Kombëtar i Motit dhe metereologët amerikan thënë se nesër ( e shtunë dhe të dielën) mbi territorin e Bregdetit Lindorë : New York, Connecticut, Maine, Massachusetts, New Hampshire, Vermont dhe Rhode Island në verilindje të SHBA-ve, do të ketë sipas tyre një stuhi të fortë, e cila do të shoqërohet me rënie të dëdorës, që sipas parashikimeve nuk është parë gjatë 35 viteve të fundit, njoftoi sot në mëngjes Shërbimi Meteorologjik Kombëtar amerikan.

Simbas këtij shërbimi vendet që do të preken më shumë janë pjesët malore të New Yorkut, Connecticut, Pennsylvania dhe Bostonit ku pritet të bie deri në 60 cm dëborë.

Qysh tani shtet janë përgatitur duke marrë të gjitha masat në pritje të kësaj stuhie kalimtare. Deri tani është ndërprerë puna e disa aeroporteve të mëdhenj, të këtyre shteteve duke përfshirë ato të, New Jersey, New York-ut, Çikagos dhe Bostonit, e të tjera, ku për shkak të stuhisë janë anulluar deri tani të paktën më shumë se 1000 fluturime.

Për këtë arsye në Massachusetts, është ndëprerë lëvizja e transpoprtit automobilistik dhe atij hekurudhor, dhe disa shkolla janë mbyllur..Banorët e shteteve verilindore kanë filluar tashmë të blejnë ushqime, ujë, elektrikë dore, dhe karburant për të furnizuar automjetet e tyre deri sa të kaloi stuhia.Në Boston, Providence, Connecticut e Pennsylvania në disa zona rurale dhe qytete të tjera umbyllen të gjitha shkollat.

Msa të jashtëzakonëshme janë marrë nga qyteti i New Yorkut. Për herë të parë që çdo qytetari i është dërguar në telefonin celular një mesazh me tekst ku thuhet: “Emergent – Urgjencë – Alert – Kujdes ! Përgatitutuni të shmangi udhëtimet e panevojshme në rrugët e qytetit, sidomos ato jashtë sajë – Kontrolloni në çdo moment në radio dhe televizionin tuaj kanalin – News Weather Station – NWS” Kjo është bërë për shkak se Shërbimi Kombëtar i Motit po punon me kompanitë e telefonave celular Cellphone për të shpërndarë këto mesazhe tek të gjithë qytetarët e saj.

Simbas Shërbimit Meteorologjik Kombëtar amerikan, thuhet se dëbora ka filluar me një intensitet të ulët, qysh sot heret në mëngjes dhe ka vazhduar edhe këtë pas dite, ka mbledhur zyrtarët lokal dhe qeveritarë në bashkëpunimet me autoritetet vendore, q?7 janë janë duke marrë këtë stuhi si shumë seriozisht.

Vetë kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg dhe stafi i tij vizituan gadishmërië në qytetin e New Yorkut . Ata viztuanDepartamentet e Mirëmbajtjes së Rrugëve të qytetit, dhe kontrolluan gadishmërinë e tyre për të parë nga afër mejetet e motorizuar për pastrimin të objekteve të kanalizimeve dhe atyre për pastrimin e dëborës,

Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg u dkelaroi gazetarëve se : “Ne jemi të gatshëm për të përballuar këtë stuhi dëbore dhe kemi në dispozicion 250.000 tonkripë, të cilat do të shpërndahen dhe hidhen nëpër rrugët e qytetit me anë të 350 shpërndarsve të kripës dhe kemi në gatshëmëri për t’u vënë në në punë qysh sot të 1.800 kamionëve të pastrimit të dëborës. ”
Aktualisht, thuhet se në New York zyrtarët shtetërorë, dhe ata vendorë janë duke kërkuar nga njujorkezët për të shmangur udhëtimet, të cilat ata i quajnë të panevojshme . Kjo masë duhet të aplikohet sidomos në zonat bregdetare në Brooklyn, Queens dhe Long Beach zona ku parashihet se do të ketë një rritje jonormale të dallgëve të detit deri në 3-5 metra lartësi – e cila është një alternativ për një përmbytje të mundur.

Në New York pritet të bie deri në 60 cm dëborë, e cila do të pasohet nga një rënie e shiut nesër si dhe uljen e temperaturës me ngrirjen e dëborës. Rënja dëborës gjatë natës mund të mbërrijë të bjerë me intensitet të madh, diku deri në mëngjes nesër . Shërbimi Meteorologjik Kombëtar amerikan parashikonë se do të ketë në qytetin e New Yorkut dëborë deri 4-8 inç

Kurse erërat nga Lindja dhe Verilindja do të jenë nga 20-25mph në 50 mph drejtë një vale të lartë me hënën e plotë, që do të shkaktojë përmbytje të zakonëshme bregdetare në Long Island Sound dhe zonës ndërmjet Long Island dhe Eastern Long Island .

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, gjendje e jashtzakonshme, New York

NJE SHANS EDHE PER GREQINE

February 8, 2013 by dgreca

NGA ARDIAN TANA/ Kryetar i shoqatës “Çamëria”/

Prej disa javësh në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar rezoluta për çështjen çame nga deputetët e PDIU-së, zotërinjtë Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Tashmë ajo ndodhet në Komisionin e Jashtëm, ku janë caktuar edhe relatorët, në pritje të diskutimit dhe më pas kalimit të saj për votim. Kjo rezolutë është për ne, shqiptarët e Çamërisë, një dokument i rëndësishëm, mbi të gjitha moral.
Spastrimi etnik i Çamërisë ka qenë një ëndërr e kahershme greke, e lindur thuajse që në formimin e shtetit grek. Famëkeqja teori e “Megali Idesë” u propagandua nga Kryeministri grek i kohës, Jani Koletis, që në vitin e largët 1840 dhe grekët nuk kanë reshtur së renduri pas saj. Të nisura rreth viteve ‘80 të shekullit XIX, fushatat spastruese mbi shqiptarët e Çamërisë u intensifikuan veçanërisht në vitin 1913, duke kulmuar me masakrën e përroit të Selanit, ku u masakruan 72 krerë të Çamërisë (në mars të këtij viti mbushen 100 vjet nga kjo ngjarje). Më tej qeveria greke u mundua me çdo mënyrë t’i përzërë shqiptarët, qoftë me dhunë dhe vrasje, qoftë me akte ligjore dhe reforma agrare, për t’u hequr tokën dhe bazën ekonomike.
Një rast fatlum për grekët ishte Traktati i Lozanës i vitit 1923, i cili krijoi mundësinë e shkëmbimit të popullsisë. Përgjatë tri viteve, 1923-1926, mijëra shqiptarë, jo vetëm të Çamërisë, por edhe të viseve të tjera shqiptare nën Greqi, u shpërngulën forcërisht. Akti i fundit i tragjedisë u luajt në vitet 1944-1945, në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore. Kur bota luftonte mbi nazizmin, shovinistët grekë, të udhëhequr nga gjenerali famëkeq Napoleon Zervas, kishin gjetur rastin më të mirë për të kryer aktin e fundit të spastrimit etnik dhe shpërnguljen përfundimtare të popullsisë myslimane të Çamërisë.
Masakrat e shovinistëve grekë mbi shqiptarët e Çamërisë janë të dokumentuara nga vetë historianët grekë të kohës, por edhe nga autorë të huaj, duke i përshkruar ato si shprehje flagrante të spastrimit etnik. (Madje kohët e fundit dëshmitë e këtij gjenocidi janë diskutuar dhe debatuar edhe nga studiues dhe akademikë seriozë grekë në emisione televizive në Greqi.
Historiani grek Spiro Muselimi, në librin “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë 1974, midis të tjerave shkruan: “…. N. Zerva krenohet për mizoritë e tij, duke i shkruar një miku më 1956: ‘Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha’”.
Ja çfarë shkruan studiuesja greko-gjermane Georgia Kretsi: “Më 27 qershor 1944 forcat e Divizionit 10 të EDES-it, të komanduara nga Kamaras, me miratim edhe të forcave gjermane që po tërhiqeshin, hynë në Paramithi. EDES – proklamoi se të gjithë çamët myslimanë do të jenë të lirë e nuk do të keqtrajtohen dhe se pronat e tyre do të mbrohen. Krejtësisht në mënyrë të pabesë filluan spastrimin brutal etnik. Vetëm në këtë qytet mbi 300 çamë myslimanë, njerëz të pafajshëm, kryesisht gra e fëmijë, gjetën vdekjen”.
Anglezi M. Mazower, në “Inside Hitler’s Greece 1941-1944″ (London 1993), midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke të Zervës me pushtuesit nazistë. “…Në Athinë anëtarët e EDES-it, të komanduar nga Zerva, hynë në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend dhe për më tepër, për të pastruar Greqinë nga elementët komunistë. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e EDES-it mbanin lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit”.
Mijëra të vrarët dhe të vdekurit udhës së eksodit të detyruar presin dhe kërkojnë drejtësi.
Miratimi i rezolutës është për ne, shqiptarët e Çamërisë, por edhe për çdo shqiptar të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare, mbi të gjitha është një hap drejt institucionalizimit të kësaj çështjeje, i vendosjes në vend të padrejtësive të luajtura mbi kurrizin tonë shekullin e kaluar. Amaneti i prindërve tanë, dëshira e të mbijetuarve të tragjedisë, këmbëngulja e pasardhësve të tyre, janë një motiv i fortë, thirrje për t’u dëgjuar nga çdo deputet, politikan e shtetar i këtij vendi.
Ka ardhur koha që politika shqiptare të unifikojë qëndrimet, të flasë me një zë për këtë çështje. Jemi në 100-vjetorin e Traktatit të Londrës, i cili na ndau ne shqiptarëve mes pesë shtetesh. Të vendosur më shumë se kurrë, duhet të ngremë fort zërin për të drejtën tonë të pamohueshme: kthimin në Çamëri.
Partitë politike shqiptare, të mëdha e të vogla, në masë të madhe e kanë përfshirë në programin e tyre çështjen çame. Tani kanë rastin më të mirë të tregojnë seriozitetin dhe angazhimin e tyre ndaj çështjes kombëtare duke e votuar rezolutën.
Shoqata patriotike “Çamëria”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi në lidhje me rezolutën për Çamërinë. Janë kontaktuar dhe kanë dhënë mbështetje intelektualë dhe politikanë, shoqata brenda dhe jashtë vendit, individë të njohur dhe njerëz të thjeshtë. Prej javësh media ka pasqyruar mjaft aktivitete të kryera për këtë qëllim. Synohet mbi të gjitha të bëhet e njohur historia e krahinës dhe popullsisë së saj fisnike, vlerat dhe trashëgimia kulturore, si pjesë e qenësishme e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Për ne miratimi i Rezolutës nuk është dhe s’mund të jetë thjesht akti i ngritjes së kartonëve të gjelbër. Ai është thellësisht një akt i ndërgjegjes kombëtare të çdo deputeti, të çdo shqiptari, kudo ku jeton, shprehje e ndjeshmërisë ndaj të drejtave themelore të njeriut.
Rezoluta synon gjithashtu t’i japë më tepër dinjitet vetë politikës dhe shtetit shqiptar, i cili deri më tash ka qenë krejt i pazëshëm në raportet dypalëshe mes tij dhe Greqisë. Në çdo rast Shqipëria ka përmbushur kërkesat e Greqisë (shpesh të pavend e të pabaza), ndërsa nuk ka kërkuar asnjëherë prej saj të respektohet parimi i reciprocitetit për zgjidhjen edhe të çështjes çame.
Për paradoks, u desh kjo rezolutë të mësohej nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore se Ligji i Luftës mes dy vendeve është ende në fuqi. U desh kjo rezolutë të tregohej se në Greqi, sot e kësaj dite, gëlojnë neonazistë, pasardhës të atyre që kryen krimet më çnjerëzore mbi shqiptarët e Çamërisë, që guxojnë të na shantazhojnë edhe sot.
Rezoluta në thelb kërkon rikonsiderimin dhe riformatimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në bazat e respektit të ndërsjellë, si një parakusht për të pasur marrëdhënie vërtet miqësore dhe të sinqerta. Zgjidhja e çështjes çame do të ishte, në radhë të parë, në dobi të vetë Greqisë (duke rivitalizuar një territor të pasur e mjaft të çmuar), por edhe për të rritur standardet demokratike në shtetin fqinj.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Rezoluta per camerine, shans edhe per Greqine

SHQIPTARI GJYKOHET PËR 2 VJEDHJE BANKASH NË NJU XHERSI

February 8, 2013 by dgreca

Akuzat për të cilat u vetëdeklarua fajtorë Mazari mund të ndëshkohet me një dënim maksimal prej 25 vjet burg dhe një gjobë prej 250.000 dollarë.Vendimi për dënimin është caktuar që të jepet në 20 maj 2013. Por atë e pret dhe një dënim 25 vjecar në Shqipëri për vrasje/

…Më 7 shkurt 2013 një raport nga Prokuroria njofton se Shpend Mazari ka pranuar vjedhjen në dy degë të bankës TD në Passaic dhe në Bergen.Ja njoftimi:
Newark, NJ – Një shtetas shqiptar, i cili jetonte në Clifton, NJ, ka pranuar në gjykatë federale sot (7 shkurt 2013) se ka grabitur dy degë te bankës TD. Ai ka qenë i armatosur. Prokurori Paul Fishman njoftoi se: Shpend Mazari, 30 vjeç, i njohur edhe si “Arlind Hyseni” dhe “Luie Belushi,” u deklarua fajtor për të dy akuzat e grabitjes të degëve të Bankës TD. Një vjedhje ndodhi në 2 nëntor 2011, në Clifton, Passaic County, NJ dhe tjera më 30 dhjetor 2011, në Bergen County në Wallington, NJ.
Mazari u deklarua fajtor para Gjykatës nga gjyqtari Salas Esther. Në seancën e tij të pranimit të fajit, ai pranoi se Arlind Hyseni është emri i tij i vërtetë. Ai u arrestua më 28 shkurt 2012, në New York City.
Sipas dokumenteve të paraqitura në këtë rast dhe deklaratat e bëra në gjykatë se vjedhja është bërë në këto rrethana:
Më 2 nëntor 2011, Mazari, i maskuar me një kapelë bejsbolli dhe me një maskë që mbulon pjesën e poshtme të fytyrës së tij, hyri i armatosur me një pistoletë në një dege banke TD në Clifton. Me armë në dorë ai urdhëroi kërcënushem dy punonjësit e bankësqë të vendosnin dollarët një qese najloni të errët.Ata iu bindën.
Mazari la bankën me 286.000 dollarë. Më 30 dhjetor 2011, Mazari hyrë në një degë të Bankës TD në Wallington menjëherë pasi ajo u hap.Ketë herë ishte maskuar me një maskë të skiatorëve dhe pistoletën e kishte në dorë. Ai përsëri urdhëroi punonjësit e bankës kërcënushëm që t’I dorëzonin dollarët. Këtë herë ai mori 182.000 dollarë.
Akuzat për të cilat u vetëdeklarua fajtorë Mazari mund të ndëshkohet me një dënim maksimal prej 25 vjet burg dhe një gjobë prej 250.000 dollarë.Vendimi për dënimin është caktuar që të jepet në 20 maj 2013.
Mazari ishte i kërkuar nga Interpoli për një vrasje  në 2004 në Shqipëri. Ai ishte dënuar në mungesë me 25 vjet.

Prokurori ka kërkuar që fillimisht Nazari duhet të shlyejë detyrimet që ka ndaj SHBA-së, pra të kryejë dënimin dhe të paguaj Shumën e detyruar në këtë shtet, pastaj të shkojë të vuaj dënimin për vrasje në Shqipëri.(Korresp i Diellit- Lajmi u shkrua ne baze te raportit te Gjykates.

Filed Under: Kronike Tagged With: bankash, denohet, dy vjedhje, NJ, Shpend Mazari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT