Serbia të pranojë realitetin se Lugina e Preshevës është pjesë e Trojeve të Arbrit, jo koloni, por fqinja e saj /
Shoqata “Trojet e Arbrit” dënon heqjen e lapidarit të lirisë nga sheshi i Preshevës, si një atak i Serbisë ndaj qenies sonë kombëtare, që përbën provën e radhës të ushtrimit të dhunës e të terrorit në këtë pjese të dhembshme të kombit tonë.
Serbia vazhdon me politikën ekspansioniste edhe pas formimit të principatës së saj, me ndihmën e Rusisë dhe Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe me mbështetjen e tyre zaptoi Sanxhakun e Nishit, i banuar kryesisht me shqiptarë, të cilin me hekur e zjarr e ktheu në tokë serbe. Politika e saj ekspansioniste kulmoi më 1912, kur pushtoi Vilajetin e Kosovës, në kuadër të të cilit ishte edhe Lugina e Preshevës si dhe Vilajetin e Manastirit. Mirëpo, këtë herë ajo ndeshi në qëndresën e fortë të shqiptarëve të këtyre trojeve, me gjithë shpërnguljet dhe kolonizimin e tyre.
Edhe akti barbar i saj i fundit dëshmon qartë se Serbia nuk po heq dorë nga pjesa e mbetur e Projektit të saj famëkeq shovinist. Edhe përkundër leksionit që mori ajo nga popujt e pushtuar në ish-Jugosllavi, kur ata dhe Kosova fituan lirinë falë edhe ndihmesës së forcave të NATO-s me SHBA-në në krye. Më pas, Serbia gjithë energjinë e përqendroi për copëtimin e Kosovës së sotme dhe çrrënjosjen e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Ajo nuk po heq dorë nga logjika e pushtuesit sipas maksimës të saj absurde se ”Serbi është deri atje ku ka qoftë edhe një serb, duke iu referuar historisë së saj të sajuar dhe injoron faktin se populli serb është ardhacak e pushtues në trojet arbërore.
Lugina e Preshevës dhe Trojet Lindore mbrojtën qenien e tyre kombëtare, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u përballën trimërisht me forcat shumëfish më të mëdha ushtarake komuniste serbe, bullgare e maqedonase në vjeshtë të vitit 1944 që nga Shkupi deri në Bujanoc e Kitkë, në një luftë ballësore, e cila përbën epopenë e rrallë në historinë e popullit tonë. Luftëtarët trima të Luginës sfiduan ushtrinë serbe edhe në Luftën e UÇPMB-në në vitin 2000, kur dëshmuan me gjakun e tyre se kjo pjesë e Trojeve të Arbrit nuk e duron robërinë e huaj. Këtë qëndresë e ka simbolizuar Lapidari i hequr përdhunisht që lëndon rëndë ndjenjat e çdo shqiptari, kudo që gjendet ai. Preshevarët duhet të krenohen me të kaluarën e tyre, ata janë fitues moralë, ata e meritojnë ta gëzojnë lirinë e ëndërruar.
Shoqata jonë kërkon nga qeveria e Serbisë që sa më parë të demilitarizojë Luginën e Preshevës, si një parakusht të lirisë individuale dhe kolektive, të hiqet dorë nga persekutimet, përndjekjet dhe të gjitha llojet e shtetit policor. Garantues dhe mbikëqyrës të zbatimit të saj të jenë SHBA-të, BE-ja dhe Shqipëria. Ky është parakushti për krijimin e stabilitetit dhe të sigurisë së njerëzve atje.
Kërkojmë nga Shqipëria, Kosova dhe subjekti politik i Luginës së Preshevës të angazhohen për zbatimin e reciprocitetit të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sikurse për serbët në Kosovë. Kjo do të thoshte që Lugina të njohë një zhvillim ekonomik dhe siguri sociale sikurse regjionet tjera në Serbi, t’u garantohet shqiptarëve e drejta arsimimit në gjuhën shqipe, përfshirë edhe arsimimin sipëror, duke hapur urgjentisht disa fakultete në Preshevë e Bujanoc, si bërthama të Universitetit të ardhshëm. Njëkohësisht shqiptarëve në Luginë t’u njihet e drejta e zhvillimit kulturor, përfshirë Bibliotekën Kombëtare,Teatrin kombëtar, mediet etj.
Shoqata jonë kërkon edhe një herë nga Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë, qeveritarët shqiptarë në Maqedoni dhe nga subjektet politike në Luginë të Preshevës, që të insistojnë për zbatimin e reciprocitetit për tekstet e historisë, gjuhës shqipe, muzikës e gjeografisë për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, Luginë të Preshevës, sikurse e gëzojnë këtë të drejtë nxënësit serbë në Kosovë dhe ata maqedonas në Shqipëri.
Shoqata jonë kërkon nga qeveria e Kosovës t’ua lehtësojë qarkullimin e lirë shqiptarëve të Luginës në Kosovë, të heqë kartelat e gjelbra për vozitësit e Luginës. Këtë e ka obligim moral e kombëtar.
Subjekti politik i Luginës duhet të qëndrojë në nivelin e detyrës, sepse ka vullnetin e zgjedhësve, të ruajë unitetin e të flasë me një gjuhë, te mos bjerë pre e intrigave të huaja. Këtë e kanë detyrë nga dëshmorët e kombit, të gjithë të rënët për liri.
Shoqata “Trojet e Arbrit”, Prishtinë.
Prof.Dr.Muhamet Shatri,kryetar dhe koordinator për Kosovë,
Mr.Nue Oroshi,nënkryetar dhe koordinator për Evropën Perëndimore
Prof.Dr. Ramiz Abdyli,koordinator për Trojet Lindore,
Mentor Quku,koordinator për Shqipëri,
Tomë Mrijaj,koordinator për Amerikën Veriore