• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

NJOFTIM I KRYETARIT TE VATRES

February 26, 2013 by dgreca

Të dashtun antarë të Këshillit te VATRES,/

këtë të shtunë me 2 mars 2012, n’orën 1:30 mbas dreke, do të mblidhet Këshilli Drejtues i Vatrës, për të fillue veprimtarinë pergatitore për Kuvendin e Përgjithshëm.

Tue marrë parasyshë randësinë e mbledhjes, lutem të mos mungoni. Ata që nuk mund të jenë prezent, duhet të lajmrojnë dhe mundfësisht të ngarkojnë nji antar që do të jetë prezent me i perfaqsue.

Kuptohet se kryetarët e degëve të largëta nuk mund të vijnë, por do të integrojmë në diskutime porositë e z. Kolec Ndoja, kryetar i degës së Floridës së Jugut, me të cilat bashkangjitet edhe znj. Merita B. McCormack, kryetare e degës Washington DC. Do të trajtojmë në të njejtën mënyrë edhe porosina të tjera që mund të na vijnë deri ditën e mbledhjes,qofshin nga Michigan-i ose Jacksonville-i.

Pres të shifemi ditën e shtun në m,bledhje.

Përzemërsisht,

Gjon Buçaj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjon Bucaj, Kryetari i Vatres, Njoftim

ZGJEDHJET NË ITALI DHE KRAHASIMI ME 23 QERSHORIN – NË SHQIPËRI MUNGON NJË GRILLO

February 26, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Rezultati definitiv i zgjedhjeve në Itali tashmë ka dalë: Dhoma e deputetëve PD e Pier Luigi Berssanit 29.53% – Il Polo della Liberta e Silvio Berlusconit 29.13%, ndërkohë që me këtë përqindje ku avantazhi apo disavantazhi i humbjes apo fitores është vetëm 0.4%, Ligji Elektoral është i tillë sa “fituesit” i jep 200 vende më tepër në parlament!!! Pra me këtë difirencë 0.4% Berssani fiton 340 vende, ndërsa Berlusconi 124, kur si për PD dhe për Polo della Liberta kanë votuar nga 10 milionë votues. Dhe kanë mjaftuar vetëm rreth 75 mijë vota që rezultati, në bazë të Ligjit elektoral aktual italian, të pasqyrohet në mënyrë të tillë absurde. Sot në mëngjes dëgjova Francesco Rutelli-in tek RAI UNO, i cili e cilësoi këtë ligj diçka të përafërt me ligjin mesjetar “Porcellum”, pra që ligjëron padrejtësinë. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim me Rutellin.

Ndërsa fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve ishte Beppe Grillo me 25.55 %, Movimento 5 Stelle (Lëvizja e 5 Yjeve), që ka marrë votbesimin e rreth 9 milionë italianëve, një revolucion i vërtetë. Grillo që përdori rrjetet online dhe sheshet e Italisë, sfidoi politikën aktuale. Analistët e krahasuan me Berluscon-in kur hyri në politikë më 1994. Jo tamam. Sepse Silvio Berlusconi fitoi mandat për kryeministër të Italisë, pra erdhi në atë kohë për të qeverisur Italinë. Ndërsa Beppe Grillo vjen për ta shkundur politikën italiane. Grillo me profesion aktor komik, aktivist, blogger, ndryshe nga Berlusconi, është përdorues i mirë i internetit. Që kur themeloi MoVimento 5 Stelle, më 2009, ai vendosi në qendër të vëmendjes, shqetësimet e jetës të përditëshme të qytetarit, që ka të bëjë me ujin, plehrat, gjelbërimin, mbështetjen e shtresës vulnerabile, pastaj vendosi në qendër të kritikave shpenzimet katastrofale të politikanëve, që gëlltisin miliarda, duke i parë ata edhe si shkaktarë të krizës.

Senatore a vita, senatori i përjeshtshëm dhe kryeministri i Italisë Mario Monti, nga ana e tij dështoi me 10,54% të votave, sepse u tregua në një farë mase si “djali plangprishës”. Pa marrë parasysh kreditin e tij si teknicien, ai humbi kreditin e moralit në politikë. Italianët nuk pëlqyen as raportin e përulur që krijoi ai me Gjermaninë, me zonjën Merkel. E cilësuan fyes, dhe u ndjenë të prekur në identitetin dhe sedrën e tyre kombëtare. Mjafton të kujtojmë spektaklin e showman-it më të famshëm që ka sot Italia Fiorellos “Il più grande spettacolo dopo il weekend”, që dha RAI UNO midis nëntorit dhe dhjetorit 2011.

Tani mbetet të shohim si do të reagojë Grillo! Sepse në Senat qendra e majtë ka një maxhorancë relative! Ndërkohë që Grillo ka fituar sepse iu kundërvu pikërisht stilit të gjithë politikës italiane, pra Grillo synon reformë të thellë, të paparë kurrë më parë! Që vështirë se e premton sot Italia me psikozën e krizës, ku objektiv kryesor është dalja prej saj. Por shtypi pranë qendrës të djathtë ka vënë re se bashkëshortja e dytë e Beppe Grillos, me origjinë iraniane, pëlqen jetën e lluksit, plazhet e shtrenjta në Kenia dhe peliçet e veshjet e rafinuara, “gjëra që i urrejnë militantët e pesë yjeve”.

Duke krahasuar me siatuatën në Shqipëri, mjerisht nuk kemi asnjë figurë që të krahasohet me Grillo-n e Italisë. Sepse po të bësh një analizë të hollë, aktorët e politikës shqiptare janë pjesë e së tërës, në kuptimin, se vijnë nga dy partitë kryesore, pasi kanë patur probleme me krerët e partisë.

Mesa po shohim, fushata në Shqipëri po fokusohet tek fitorja, si fitore personale, për të patur pushtet, për të mbajtur pushtetin, por jo në të mirë të shtetit të së drejtës, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fushata në Shqipëri është fokusuar në premtime, dhe shqiptarët deri më sot janë të ngopur me premtime boshe. Askush nuk flet për integritetin e klasës politike, pisllëku i së cilës rrezikon sistemin sepse kemi degjenerim të sistemit të drejtësisë, nepotizëm, uzurpim të pushtetit të katërt dhe kulmi arrin se politika po fut duart edhe në rrjetet sociale, sidomos në Facebook, duke ngushtuar gjithnjë e më tepër hapësirën e lirisë për t’u shprehur, një hapësirë që Beppe Grillo e përdori me shumë përparësi.

Të mos flasim pastaj për militantët që kanë fituar poste, të cilët sot janë kthyer në Cerberus-a, e keni parasysh atë qenin me shumë kokë të mitologjisë, sepse gjatë këtyre 22 viteve tranzicion është bërë luftë ndaj meritokracisë për të mbajtur si modus vivendi – e lulëzimin e jetës të klaneve brënda partive, si shprehje e tribalitetit të politikës.

Një diçka tjetër e rëndësishme kur krahasojmë pjesëmarrjen në votime. Në Itali në këto zgjedhje pati një pjesëmarrje rreth 75 %, që do të thotë se në 4 italianë vetëm një nuk ka votuar, ndërsa në Shqipëri, pjesëmarrja në votim le shumë për të dëshiruar, pasi mbizotëron abstenimi. Abstenimi vjen sepse populli nuk beson tek kjo klasë politike, por edhe sepse nuk ka gjeneratorë që ta venë në lëvizje, pasi shoqëria civile ka rol zero, gjithnjë si derivat i politikës. Nëse kemi parasysh se në Shqipëri nuk votojnë gjysma e shqiptarëve, atëhere llogaritet se rezultatet që marrin partitë, qoftë si fitues, në parim nuk e kanë maxhorancën e popullit.

Kjo situatë duket e pashpresë, por kur kemi parasysh thënien se “shpresa vdes e fundit”, le të shpresojmë në një zgjim të shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, mungon Grillo, ne Shqiperi, zgjedhjet italiane

KRYEMINISTRI ANGLEZ, DISRAEL: JAM KRENAR QE JAM NE JANINE, KRYEQYTETIN SHQIPTAR

February 26, 2013 by dgreca

Nga: ROBERT ELSIE/

Karizmatiku   Benjamin Disraeli (1804-1881) kujtohet si një nga figurat më të gjalla të   politikës britanike në shekullin XIX. Ai ka qenë dy herë kryeministër gjatë   mbretërimit të mbretëreshës Viktoria. Robert Elsie, shkruan se ai njihet   gjithashtu edhe si një autor i njohur dhe shumë i lexuar i prozës viktoriane.   Në moshën djaloshare, Disraeli ndërmori një tur të madh në Mesdhe dhe në   Lindjen e Mesme, gjoja për arsye shëndetësore. Udhëtimi i tij zgjati 17 muaj   (nga muaji qershor 1830 deri në tetor 1831). Ai kaloi në Spanjë, Maltë,   Shqipëri, Greqi dhe Lindjen e Mesme, e kjo ka rezultuar të jetë një nga   përvojat më formuese të viteve të tij të hershme dhe një nga kujtimet më të   bukura të jetës së tij në tërësi. Albanologu ka botuar në sajtin e vet një   letër që Disraeli i shkruan të atit nga Preveza.   Nga Korfuzi, Disraeli dhe dy shokët e tij që udhëtonin, shkuan në Artë dhe   Janinë, atëherë kryeqyteti i Shqipërisë së jugut nën sundimin otoman, të   cilin Lord Bajroni e kishte vizituar në ditët e Ali Pashë Tepelenës   (1741-1822), të ashtuquajturit luani i Janinës. Preteksti zyrtar i Disraelit   për udhëtim në malet e egra të Shqipërisë ishte për t’i çuar një letër nga   veziri i madh, Frederick Adam, Guvernatorit britanik të ishujve jonianë. Nga   Preveza, ai shkruante se “unë kurrë nuk do ta harroj efektin e muezinit,   me zërin e tij të pasur, të lartë dhe solemn, duke bërë thirrje që ne të   adhurojmë Zotin në mes të gjithë kësaj kërdie të njeriut.   Ai qe mahnitur veçanërisht me kostumet shqiptare. Pjesa më e madhe e asaj që   Disraeli pa e përjetoi në Shqipërinë jugore u përdorur në novelën për   Skënderbeun “Ngritja e Iskander-it”, të cilën e shkroi në Bath dy   vjet pas turneut shqiptar. Letra e tij nga Shqipëria, rrëfen magjinë e   udhëtimit, pjesë të së cilës po botojmë më poshtë.   Letra   Ati im i dashur!   I shkrova Ralph nga Malta, dhe për ju nga Korfuzi, dhe i lashë letrat që t’ju   përcillen me pakon e tetorit. Megjithatë, pa dyshim ju i keni marrë letrat e   mia nga burime të tjera. E kam përmendur në letrën që të dërgova, se ka   mundësi t’i bëj një vizitë Vezirit të madh në lagjet e tij në Janinë,   kryeqyteti i Shqipërisë.   Ajo çfarë atëherë ishte e mundshme, tani është bërë e sigurt. Ne kemi   lundruar nga Korfuzi për në Janinë, ku kemi gjetur një mik mikpritës dhe të   këndshëm tek Konsulli i Përgjithshëm, Z.Meyer, për të cilin z.Frederick Adam   më kishte dhënë një letër shumë të ngrohtë. Ai është një zotëri i shkollës së   vjetër, i cili ka lëvizur në sfera të mira dhe ka përvojë të madhe   diplomatike në Lindje. Insiston që ne të darkojmë me të çdo mbrëmje dhe ajo   që është akoma edhe më e mrekullueshme, është se ka një kuzhinë shumë të   mirë, në këtë tokë të egër anarkie.   Meqë lëvizjet e Madhërisë së tij ishin shumë të pasigurta, ne nuk humbëm kohë   në udhëtimin tonë për në Janinë. Lundruam deri në Salora (i përmend këto   vende, sepse ju do të jeni në gjendje të gjeni rrugën time në hartat tuaja),   dhe në mëngjes, me një kompani prej gjashtë kalorësish, të gjithë të   armatosur, u vendosëm jashtë Artës, ku gjetëm strehim të përgatitur për ne,   në një shtëpi që i përkiste konsullatës.   Arta, dikur një qytet po aq i bukur sa edhe gjendja e saj, është kthyer në   rrënoja, rrugët janë të gjitha të rrafshuara me tokën, dhe me përjashtim të   shtëpisë së konsullatës, që është rindërtuar më pas, nuk ke asgjë tjetër.   Këtu për herë të parë kam dëgjuar nga Myftiu i minares, që ka një zë të pasur   dhe të fuqishëm. Të nesërmen në mëngjes i bëmë vizitë në Kalio Bejt,   Guvernatorit, dikur një nga fisnikët shqiptarë më të pasur e tani, më i   fuqishmi.   Ai ishte një burrë i pashëm, njeri madhështor, por jo i rëndë apo i   ‘shurdhër’. Përkundrazi, ishte i butë, siç është përshkruar nga miqtë e tij   me të cilët ka qenë në burg në Rusi, ku gjithsesi është trajtuar me   konsideratë të madhe, siç vetë ai na tha. Ishte jashtëzakonisht i sjellshëm   dhe nuk donte të na linte të niseshim, duke këmbëngulur dhe duke na bërë një   nder të pazakontë.   Janina   Me vështirësi ne ikëm, u zhvendosëm jashtë Artës, me truproja shqiptare që na   mbronin me eskortë. Gjithsej ishin gjashtë e në krye dy shqiptarë që e   drejtonin eskortën. Të gjithë këta shqiptarë janë të armatosur deri në dhëmbë,   me pistoleta dhe armë, me zbukurime luksi dhe ndonjëherë krejtësisht të lara   me argjend.   … Mendoj se kam pirë shumë. Shihja zjarrin e druve që digjeshin dhe mendoja   Bradenhamin, e ndërkaq pyesja veten nëse ishte e vërtetë se isha në mal me   një shef shqiptar. Më tej, mblodha supet, shkova në shtrat dhe u zgjova pa   dhimbje koke…   Në fund të fushës, mbështetur menjëherë pas maleve të larta dhe afër një   liqeni të bukur, ne papritmas iu vërsulëm qytetit të Janinës. Relievi na e   kishte fshehur pamjen e tij për një kohë të gjatë. Në distancë prej aty ku   ndodheshim, ky qytet, që dikur edhe pse jo më i madhi, ka qenë një nga më të   begatat dhe të shkëlqyerat zotërime turke. Turqia duket ende dominuese, por   kur hymë në qytet, pamë se shkatërrimin që kishim lënë pas, do e kishim edhe   përpara.   Vazhduam nëpër një rrugë dredha-dredha. Kishte shtëpi të rrënuara, xhami që   në këmbë kishin vetëm minaren, rrugë krejtësisht të rrafshuara, – por këto   s’ishin asgjë.   Pamë milje të tëra zonash të shkatërruara; si të ishin një mori karkalecash,   kishin fuqinë t’i shkrinin, si veprat e njeriut, edhe ato të Perëndisë. Zemra   e madhe e qytetit ishte një det shkatërrimi. Harqe dhe shtylla, të izoluara   dhe të shpartalluara. Pazari i madh, që vetë dukej si një qytet të vogël, ishte   djegur vetëm pak muaj më herët.   Është e kotë që unë të përpiqem të përcjell për ju të gjitha ato që kam parë   dhe ndjerë gjatë këtyre javëve të mrekullueshme. Kur unë dilja të shëtisja,   ndiqesha nga një turmë e madhe, kur ndaloja për të blerë ndonjë gjë, isha   gjithnjë i rrethuar nga njerëz. Sado të përpiqem t’jua përcjell gjithë idenë   që kam, mbi Pashatë, mbi agallarët, dhe të gjithë të tjerët që kam takuar, me   të cilët kam tymosur cigare apo kam pirë kafe, është e vështirë t’ia dal.   Por nuk mund të harrojmë një gjë shumë të rëndësishme: Pritjen që u bë në   kalanë e Ali Pashës, që ishte restauruar nga dëmtimet që pësoi në rrethimet e   njëpasnjëshme. Ajo është ende e banueshme dhe të krijon shumë idenë e një   objekti të madh, të vjetër e shumë të vyer. Ndërsa kalonim portat e kalasë, e   kemi gjetur veten në një numër të madh rrugësh të vogla, si ato të kullave   apo ndonjë kështjellë tjetër të vjetër, të gjitha plot jetë.   Pastaj kemi ardhur në një vend të madh, ku gjendet pallati. Ne nxituam nëpër   gjykata dhe korridore, plot me roje dhe shefa. Pamë çdo lloj specieje të   popullsisë turke, sepse në këto vende një kokë bën gjithçka, dhe ne me   ndarjen tonë të punës, inteligjencën dhe deputetët përgjegjës, nuk e kemi   idenë e punës së një kryeministri turk.   Salla ishte e madhe, e ndërtuar nga Ali Pasha me qëllim që të nxinte tapetin   më të madh të bërë ndonjëherë, që i takonte dhomës së shefit në Versajë, dhe   iu shit atij gjatë kohës së Revolucionit…   Ju lutem, më shkruani rregullisht, se herët ose vonë, unë do t’i marr të   gjitha letrat tuaja dhe do ju shkruaj. Meqë nuk kam asnjë mënyrë të sigurt që   ta nis këtë letër menjëherë për në Angli, mbase do ta mbaj në portofol derisa   të shkoj në Napoli, dhe t’jua dërgoj nëpërmjet z. Dawkins.   Me shumë dashuri për ju të gjithë,   Më i dashuri juaj,   B.D.   Prevezë, 25 tetor, 1830   *Albanolog

Filed Under: Histori Tagged With: Janina kryeqytet shqiptar, kryeministri anglez, Robert Elsie

Zakoni i skllavërisë

February 25, 2013 by dgreca

Nga Faik KONICA/

Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës. – “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët. “Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.

Botuar ne DIELLI, më 1923

Filed Under: Kulture Tagged With: Faik Konica, Zakoni i Skllaverise

Një përgjigje modeste për Z.Schmitt!

February 25, 2013 by dgreca

I dashur Z.Oliver Jens Schmitt/

Vendosa të shpenzoj pak nga koha ime “e shtrenjtë” duke ju shkruar juve,sepse prej ca kohësh tashmë,jam një dëshmitar i pandërgjegjshëm i sulmit tuaj të veçantë zvicerian ndaj vendit,historisë dhe popullit tim.

Ju duhet të dini Z.Schmitt,se edhe pse unë nuk mund të konsiderohem një historian,sidoqoftë,duke qenë një shqiptar,unë jam mëse i ndërgjegjshëm për origjinën,historinë dhe paraardhësit e mi të lavdishëm.

Pra unë jam vetëm një shqiptar,i cili përveç detyrimeve të tija ditore,punës etj,ka të nevojshme që të përballi këndvështrimet e tij me persona si ju,sikur unë dhe ne shqiptarët,të mos kishim gjëra më të rëndësishme për të bërë në jetë!

Dhe për t’ua thënë ndershmërisht,unë kam mënyra shumë më të mira për t’a kaluar kohën time,sesa të lexoj esetë apo librat tuaj,të cilët ju me aq “dashamirësi” na dedikoni neve shqiptarëve.

Por meqë ju nuk dini t’a ndalni punën tuaj,e cila konsiston kryesisht në “dhurimin” e “mrekullive” tuaja në lidhje me origjinën dhe historinë tonë,atëherë unë e ndjej veten të detyruar t’ju përgjigjem.

Kjo sepse me ju gjërat qëndrojnë në një pozicion më të ndryshëm se me çështje të tjera të hapura me fqinjët tanë grekë,serbë apo çfarëdo qofshin.

Ju bëni pjesë në atë lloj perëndimorësh,të cilët kanë bindjen se nëse dhe kur ata thonë diçka,ne shqiptarët e prapambetur dhe malësorë duhet vetëm t’ju duartrokasim dhe të marrim për të mirëqenë çfarëdolloj gjëje që del nga goja juaj “gënjeshtare” dhe mendja juaj e ligë.

Ne akoma nuk jemi aq të zhvilluar,po keni të drejtë e ne po ashtu jemi mjaft mbrapa Europës dhe vendlindjes suaj Zvicrës në shumë aspekte.

Ne jemi prapa Perëndimit për nga mënyra sesi ne sillemi me vendin tonë,me vetveten,tokën tonë,me ligjin,korrupsionin e me krimin që herë pas here trondit shoqërinë tonë.

Nuk them kurrësesi se kjo gjë është e pavërtetë!

Por meqë ju nuk përfaqësoni BE-në,OKB-në apo ndonjë Organizatë Jofitimprurëse,meqë ju nuk i jepni asgjë përveç llumit të qelbur vendit tim (ai llum që ju po përpiqeni me çdo kusht të hidhni mbi historinë tonë)…atëherë unë kam gjithë të drejtën,që të marr ca kohë për të thënë gjithçka ndjej.

Tani juve do dëgjoni nesë ju jeni një burrë që i qëndron pohimeve të tij,do dëgjoni një shqiptar i cili i thotë me zë të lartë JO provokimeve të tuaja banale.

Pata dëgjuar dikur,se patët marrë mundimin të flisnit për Gjergj Kastriotin dhe duhet të them se ajo çfarë më erdhi në veshë,më ngriti mua dhe çdo bashkatdhetar timit,nervat pa masë,por ca kohë më pas ju pashë dhe dëgjova juve personalisht të tërhiqeshit nga disa prej pohimeve tuaja duke mohuar të keni pas thënë se Skënderbeu nuk ka qenë shqiptar.

Sepse në këtë rast unë mund t’ju them,se kushdo të ishte përpjekur që të mbështeste teza të tilla,ai do ishte po ashtu i aftë të pohonte se Luigji i XIV nuk ka qenë francez,por italian dhe që Jul Çezari nuk ka qenë perandor romak,por një udhëheqës barbar gjermanik.

Po qe se ju dhe çdo fallsifikues i historisë së të tjerëve,gjeni një evidencë të vetme TË VËRTETË që Gjergj Kastrioti të ketë qenë tjetër gjë përveçse arbër-shqiptar,atëherë unë do të jem i pari që t’ju përshëndes.

Nëse ai,përveç gjuhës së nënës (shqipes),ka folur edhe greqisht,serbisht,italisht apo latinisht,kjo gjë neve vetëm sa na fakton inteligjencën dhe kapacitetin e lartë të trurit të tij dhe për më tepër,siç e dimë,gjuhët e shkruajtura në atë periudhë,kanë qenë pikërisht ato që sapo përmenda më sipër.

Nëse Lidhja e Lezhës dhe princërit shqiptarë që aty morën pjesë,nuk ishin shqiptarë,ju lutem zoti historian,na i paraqisni argumentet tuaj!

Por meqë të tilla fakte nuk ekzistojnë,atëherë juve u duhet t’i shpikni ato!

Meqë shqiptarët e Greqisë,Arvanitët dhe shqiptarët që pas pushtimit turk u larguan për në Itali,quhen akoma sot e kësaj dite Arbëreshë,atëherë argumentet tuaja dhe të tjerëve si ju,janë të lindur të vdekur.

Por duke ardhur tek e tashmja,dëgjoj sërish që “hobby” juaj i preferuar i lidhur pakthyeshmërisht me shkatërrimin e themeleve të historisë sonë,ka dhënë frytet e tij më të reja.

Pra kështu lexoj diçka,me qëllim që të shoh me sytë e mi,se çfarë shkruani kësaj rradhe për ne.

E njëjta gjë si gjithmonë.

Ndoshta nuk i keni bërë mirë detyrat e shtëpisë zoti Schmitt?

Ndonjë copy-paste nga librat serbë,grekë e maqedonas?

“Kush kopjon,kalon klasën”-themi me humor neve në Shqipëri,pra edhe ju kështu i “siguroni” titujt e doktoraturat,duke na e nxirë historinë neve me tezat më të fëlliqura të qarqeve më shoviniste të fqinjëve tanë më duket!

Sepse po qe se kushdo shkon të bëjë një bisedë miqësore me këdo historian serb,grek apo turk,atëherë do të dëgjoheshin të njëjtat gjepura për ne shqiptarët.

Jam shumë “i kënaqur” që në sytë apo të paktën syzet tuaja RACISTE,ne shqiptarët nuk konsiderohet të kemi “bisht” apo që hamë fëmijë e gjëra të tilla.

Sepse juve jeni një RACIST zoti Schmitt,e ç’ke me të që jeni i tillë!

Pranojeni këtë gjë dhe unë do të jem i pari që të mos jua çaj më kokën me kundërshtitë e mija.

Paskëtaj shpirti im do jetë mëse i qetë,sepse unë do t’a di që kundërshtari im/ynë,ai i cili jeton për të na diskretituar historinë dhe vendin tonë,ai është veç një racist tjetër, i cili ka gjetur qëllimin e jetës së tij të parëndësishme,në urrejtjen ndaj shqiptarëve!

Kjo së fundi është një shenjë shumë e mirë,sepse sipas idesë sime kjo domethënë se ne shqiptarët jemi aq të rëndësishëm,saqë shumë njerëz,si juve e jo vetëm shovinistët e fqinjëve tanë,për këtë arsye na urrejnë neve kaq thellësisht!

Jepi Schmitt,na urre me të gjithë forcën!-Mish e dhjam do na bëhet!

Se mos je i pari ti që na urren e me siguri nuk do jesh i fundit që e bën këtë gjë more birbo!

Tani përsa i përket këndvështrimeve të tua,ti që pretendon se ne s’jemi as ilirë,se s’kemi fare histori të provuar,se s’kemi gjuhë,jo,jo,jo…….dhe jo!

S’na the asnjë gjë të re mor djalë!

Asnjë gjë prej gjëje!

Bëhu cazë më krijues o njeri,se ndryshe do biesh në të njëjtën retorikë të të tjerëve para teje.

Ke dëgjuar ndonjëherë për Naçartanian përpara gati 170 viteve,për Megali Idean,për Ilia Grashaninin,për Vaso Çubrilloviçin dhe planin e tij për përzënien dhe zhdukjen e shqiptarëve,për Millosheviçin dhe për dhjetëra-mijëra shqiptarë të vrarë brutalisht,therur,përdhunuar dhe të larguar me forcë nga toka e shtëpitë e tyre,të çuar drejt vdekjes në kampe shfarosjeje apo të dënuar me ekzil të përjetshëm në shkretëtirat e Anadollit?

Më shumë se 10 mijë shqiptarë të vrarë vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë (Reçaku të kujton gjë more?),ata janë vetëm një pjesë e vogël e së vërtetës shqiptare që ti e urren dhe përçmon aq shumë!

A e di ti se sipas vetë burimeve serbe,vetëm përgjatë periudhës 1912-1913,në të gjithë territoret e pushtuara shqiptare,serbët kanë vrarë mbi 120.000 mijë shqiptarë?

E këtë nuk po e them unë,por Kosta Novakoviç,politikan e gazetar serb i atëhershëm.

Dhe s’kam fare ndërmend t’i hyj më thellë historisë sonë të turbulluar,me qëllim që të sjell fakte para syve tuaj RACISTË!

Millosheviçi ishte veçse i fundit që tentoi të shfaroste rracën tonë dhe siç ju duhet t’a dini,ai nuk ia doli t’a realizonte këtë plan djallëzor,çfarë mëkati se ju vetë do të kishit qenë shumë i lumtur në atë eventualitet!

Gjithë këto gjëra kanë ndodhur,sepse fqinjët tanë,vazhdimisht kanë mohuar historinë dhe prezencën tonë në këto troje.

Ju po ashtu pretendoni të dini se asnjë shtet shqiptar nuk ka ekzistuar para vitit 1912-ë.

Sidomos gjatë Mesjetës thoni ju,nuk ka pasur asnjë shtet apo principatë shqiptare.

Po Principata e Arbërit?

Ke dëgjuar ndonjëherë për të mor burrë?

E themeluar në vitin 1190-ë nga archon-i Progon,i pasuar nga djemtë e tij Dhimitri dhe Gjini.

Shtet që ekzistoi deri në vitin 1255-ën.Sunduesit e të cilit quheshin “princeps Arbanorum” nga burimet perëndimore të asaj kohe.

Por sigurisht,ju jeni më i zgjuar se dëshmitarët okularë të asaj periudhe të largët dhe ju nuk keni nevojë dhe dëshirë të dëgjoni se ç’kanë thënë e shkruar ata,sepse ju keni një ide të parafiksuar në kokë për të rrënuar themelet e tokës dhe kombit tim.

Aspak e rëndësishme t’ju flas për princërit dhe familjet e mëdha arbërore të Gropajve,Zahariajve,Balshajve,Kastriotëve,Shpatajve (të cilt siç dihet kontrollonin dhe qytetin e Artës),Topiajt dhe Muzakajt e shumë të tjerë.

Keni dëgjuar ndonjëherë ndokënd të palënë nga trutë,që të kontestojë origjinën e tyre arbërore-shqiptare?

Ana Komnena që flet për arbërit këtu e dhjetë shekuj më parë,ju kujton gjë?

Pastaj si mund t’a dinit juve përbërjen etnike të një çfarëdo qyteti arbëror të mesjetës,ndërkohë që biznatinë,anzhuinë,serbë,bullgarë,grekë e turq vinin  e shkonin si pushtues dhe ishte normale që kasta sunduese të ishte e tyrja kurse popullsia e gjerë nën shtypje,të ishte gjithmonë vetëm arbërore vendase.Kjo gjë njëlloj si në Italinë e kohërave të errëta,ku kasta përbëhej nga Longobardët gjermanikë pushtuese e populli nga pasuesit e romakëve,apo si në Spanjë dikur,kur kastën e bënin Visigotët nordikë dhe popullsia vendase qëndronte gjerësisht nën ta e përbëhej nga popullsia ibero-romake.

Por duke e lënë pas Mesjetën dhe duke kaluar tek pjesa juaj e preferuar,pra tek origjina jonë “e kontestuar” ilire,këtu ju hidheni natyralisht në llogoren e atyre të cilët pa asnjëlloj prove të vërtetë,mëtojnë të na fshijnë çdo lidhje tonën me këtë tokë.

Nuk ka asgjë që të na thotë se shqiptarët rrjedhin nga ilirët-thoni ju!

Tani ore zotëri,pa më thoni ju se nga vijmë neve atëherë?

Sepse mesa di unë,përveç hunëve,avarëve,sllavëve të jugut,turqve,bullgaro-turqve,kumanëve,ostrogotëve dhe kushedi se çfarë tjetër,sido që të jetë nuk asnjë provë tjetër për ndonjë migrim të madh në trojet ku jetojnë sot shqiptarët.

Unë sinqerisht nuk mendoj se ne jemi hunë,serbë apo sllavë!

Ostrogotë jo që jo!

Ne nuk flasim as sllavisht,turqisht apo gjermanisht.

Ne flasim një gjuhë indo-europiane,siç ka demonstruar mbi një shekull më parë Franz Bopp-i.

Tani meqë neve nuk kemi rënë nga retë,asnjë “shi shqiptarësh” nuk ka rënë ndonjëherë mbi këtë rajon dhe meqë neve me siguri nuk vijmë nga ndonjë tjetër planet…atëherë i dashur Schmitt neve këtu jemi në tokën tonë!

Pikërisht kështu,kaq e lehtë është!

S’ka fare nevojë t’ju them,që qindra fjalë të përbashkëta jo-latine në gjuhët moderne Shqipe dhe Rumune,fjalori ynë i përbashkët para-latin,këto gjëra pra,të çojnë në përfundimin se të paktën ky gadishull të cilin tani e quajnë Ballkan,ai është dhe vendlindja jona ngahera.

Po ashtu vite më parë gjuhëtarët kanë provuar se fjalët latine në gjuhën shqipe kanë tendecën që të jenë shumë të lashta dhe ato tingëllojnë si nga shekulli i parë pas Krishtit.

Këto huazime nga gjuha e pushtuesve romakë,shërbejnë si një provë e madhe për faktin që gjatë asaj kohe,neve ishim KËTU në këto troje.

Fjalë të tjera latine që janë zhvilluar me kohën dhe të cilat ekzistojnë sot vetëm në gjuhën shqipe dhe jo në gjuhët moderne neo-latine,pra frëngjisht,italisht,spanjisht,portugalisht apo rumanisht,tregojnë se gjuha shqipe,20 shekuj më parë,u influencua shumë nga gjuha e romakëve.

Po ashtu disa fjalë me origjinë greke në shqipen e sotme,është shpjeguar të jenë huazime tepër të lashta.

Tani vetëm për pak debat…..si mund të m’a shpjegoni ju zotëri emrin e mbretit ilir Bardylis??????????

Përpiqu pak t’a bësh këtë gjë në greqisht ose serbisht ose edhe në gjermanishten tënde po deshe!

Ja që s’mundesh zotëri!

Do të thotë në shqip Yll i Bardhë!

Siç Lychnid (Ohri i sotëm) do të thotë ka mundësi Liqen,apo siç lumit Drin mund t’i vijë emri nga fjala Ndrin e lumit tjetër Bunë mund t’i vijë nga fjala Bunon,pra buron lumi,siç edhe ndodh kur ai buron nga liqeni i Shkodrës.

Si edhe deti Jon,mund të ketë kuptimin I Joni,ashtu siç dhe romakët i thoshin gjithë Mesdheut Mare Nostrum.

Ne dimë që Liburnët kanë qenë lundërtarë të zotë ose që gjatë kohës së mbretërimit të Teutës,anijet e saj ishin të famshme për piraterinë e tyre dhe dominimin mbi detet Adriatik dhe Jon.

Ose Pirro i Epirit,ky “burrë” që mundi romakët!

Të na thuash se ka ndonjë fakt vetëm që mund të tregojë se shqiptarët ndoshta kanë jetuar andej nga veriu i sotëm shqiptar,ky është një fallsitet tjetër i madh,në mos një gënjeshtër e qelbur.

Çfarë ishin epirotët për grekët e lashtë?Vetëm barbarë,si dhe ilirët dhe maqedonasit.

Pra të paktën ata,në mos kanë qenë thjesht ilirë,ata grekë nuk kanë qenë.

Nuk ka nevojë t’iu ofroj më fakte zoti Schmitt.

Ju keni një ide në trurin tuaj dhe atë me plot zell po e zhvilloni ditë pas dite.

E kjo ideja juaj,konsiston në tentativën për të zhbërë identitetin tonë!

Në mënyrë që të përhapni helmin tuaj,ju përdorni edhe osmanët (pushtues të butë e të urtë,të cilët nuk shfarosën,detyruan të asimilohen e emigrojnë me forcë arbëreshët) dhe kur ju mbeteni pa argumente,ju mbështeteni tek Enveri,tek diktatura e tij që na paska diktuar shkrimin e historisë shqiptare.

Jo zotëri,po ia fusni kot!

Neve kemi pasur histori para tij dhe padyshim që do kemi edhe pas tij.

Historia jonë ka filluar mijëra vite më parë dhe neve jemi ilirë ose ndoshta një përzjerje iliro-dako-trake.

Por neve jetojmë në një tokë që është vetëm E JONA!

Ne flasim një gjuhë që vjen nga ilirishtja ose iliro-trakishtja ose pse jo dhe gjuha mesape (siç e dimë edhe emri i qytetit puljez-italian të Brindizit,vjen nga një fjalë e lashtë mesape-ilire,pra fjala Brina-Briri dhe çdo fjalë tjetër e shpjeguar mesape është e lidhur me gjuhën shqipe).

Edhe fjala më e rëndësishme e mbetur nga gjuha antike Frigase,është e lidhur me shqipen…Bekos-Bukë!

Pra?

Ju ore zotëri mund të jeni racist,ju keni të drejtën të mos na pëlqeni ne shqiptarët,por para se të “studioni” historinë dhe vazhdimësinë tonë në këto troje,ju më mirë përkushtojuni vazhdimësisë së ndonjë populli tjetër më pranë jush.

Si francezët me origjinë të përzjerë mes galësh,romakësh,frankësh e normanësh.

Si spanjollët me origjinë të ngatërruar mes iberësh,romakësh,suevësh,vandalësh,visigotësh e arabësh.

Si anglezët me origjinë tek keltët,piktët,romakët,anglët,saksonët,danezët e deri tek normanët.

Siç e shihni,ne shqiptarët jemi shumë më të thjeshtë për nga origjina se shumë të tjerë.

Për çfarë arsye e kundërshtoni kaq shumë TË VËRTETËN tonë atëherë?

E në fund..,si i bëhet që kaq shumë zvicerianë na kundërshtojnë ne shqiptarët në një mënyrë apo tjetrën?

Karla del Ponte,e vetmja prokurore e Hagës,e cila bëri gjithçka me qëllim që të shpërndante fajin e krimeve të luftërave në ish-Jugosllavi,mes agresorëve (serbët) dhe viktimave (shqiptarët,kroatët,boshnjakët dhe sllovenët),sikur të mos kishte qenë Millosheviçi dhe ushtria e paraushtarakët e tij,ata që vranë e sulmuan civilët gjatë atyre luftërave.

Më pas zoti Dick Marty dhe ofendimet e tij për nderin tonë shqiptar dhe luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës ndaj Arkanit dhe Millosheviçit.

Një luftë që gjeti mbështetjen e gjithë botës së qytetëruar (jo të tuajën me siguri) dhe që në fund çliroi popullin e atij vendi nga Millosheviçi dhe planet e tij shfarosëse.

Pastaj na shfaqet ky zviceriani tjetër nga asgjëja dhe pretendon të dijë histori veshkash,trafiqesh e gjithçka tjetër.

Ai s’ka as edhe një provë,por ai ka gojën e tij të madhe dhe ai e di që mund të gjejë mbështetje tek racizmi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve,që ndjejnë shumë njerëz si ai vetë dhe ju zotëri.

Më pas është rradha juaj.

Tani zotëri,meqë unë e di se urrejtja ndaj njerëzve të mi shqiptarëve,është e krahasueshme vetëm me urrejtjen ndaj hebrenjve…atëherë unë mund të them diçka tjetër e më pas do e mbyll.

Hebrenjtë siç e dini…u fshinë nga faqja e dheut në të gjithë Europën nga nazistët dhe bashkëpuntorët e tyre…përveç dy vendeve,njëri prej tyre Danimarka dhe tjetri Shqipëria.

Pas Luftës së Dytë Botërore,në vendin tim numri i hebrenjve ishte shumëfishuar në krahasim me atë të paraluftës.

Dhe nazistët e pushtuan edhe Shqipërinë,por askush në vendin tim nuk i tradhëtoi hebrenjtë.

Ndërkohë…në botën e civilizuar,siç unë dhe të tjerë e dimë,mundet ende të jenë të fshehura brenda bankave tuaja zviceriane,fondet dhe shumat marramendëse që burojnë nga puna skllavëruese e hebrenjve nën zgjedhën naziste,ashtu si dhe nga pronat e tyre e deri tek dhëmbet e artë që atyre u ishin shkulur nga gjermanët para se ata të hynin forcërisht në dhomat e gazit për të shkuar më pas në krematoret e kampeve të shfarosjes.

Ndonjë nga këto banka mund të jetë edhe pranë shtëpisë suaj!

Pse nuk shqetësoheni sadopak për këtë gjë,në vend që “të humbni kohën” duke shpikur histori fallse kundër popullit tonë?

Shihni punën tuaj zotëri,neve mund të merremi vetë me punët tona siç kemi bërë përgjatë mijëra viteve dhe ju jeni veç një nga të shumtët në listën e e atyre që na urrejnë e që përpiqen të na e mohojnë ekzistencën dhe historinë!

Si edhe hebrenjtë…neve po ashtu ekzistojmë,ky është problemi që ju keni me ne.

Ju pëlqen juve apo jo,ky është realiteti.

Elvi Sidheri.Tiranë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elvi Sidheri, oliver jens, Schmitt

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT