• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

NJË THËNIE ME DOMETHËNIE E MESIÇIT

April 14, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

“Marrëveshja për Konfederatën Jugosllave do të jetë e mundshme vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb.”
Kjo është thënie e Stipe Mesiçit, e shqiptuar në dhjetor të vitit 1990, të cilën e kam shënuar saktësisht atëherë dhe e sjell këtu fjalë për fjalë, gërmë për gërmë, pikë për pikë e presje për presje. Para se të kem zgjeruar vetë thënien e Mesiçit, do kthyer në zhvillimet e mëvonshme të derisotme.

Stipe Mesiç në atë kohë ishte nënpresident dhe pak ditë më vonë do të fillonte detyrën e presidentit të Jugosllavisë, i fundit para shpërbërjes së federatës. Më herët ai kishte qenë gjyqtar, kryetar bashkie, nënkryetar i parlamentit krotat, kryeministër i Kroacisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kroacinë e pavarur do të ishte kryetar i parlamentit, kryetar i Partisë së Kroacisë së Pavarur, më vonë Partisë së Popullit. Pas vdekjes së Tuxhmanit do të ishte dy mandate (10 vjet) president i Kroacisë, duke qenë gjatë gjithë kohës në krye të sondazheve si politikani më popullor i Kroacisë.

Domethënia kuptimplotë e thënies së Mesiçit, saktësia e përkufizimit që Mesiçi ia bën nacionalizmit serb, mjerisht u provua dhe u vërtetua në gjithë periudhën e mëvonshme deri në çastin kur unë jam duke i hedhur këto radhë.

Mesiç i thoshte fjalët e mësipërme në përgjigje të interesimit të gazetarëve nëse ishte e mundur që Jugosllavia të mbijetonte duke u shndërruar në konfederatë, pra në një bashkim të republikave të pavarura, një projekt ky që tashmë tingëllonte vetëm si nostalgji utopistësh të sëmurë.

Qysh në vitet e fundit të jetës të Titos ishte pranuar botërisht se Jugosllavia ishte brejtur në themel nga përplasja mes nacionalizmit serb dhe nacionalizmave republikane. Në kundërpërgjigje të nacionalizmit serb pranohej se ishte ngjallur nacionalizmi sidomos në udhëheqjet e republikave, në elitat e tyre, në intelektualët dhe në masën e rinisë. Kur Mesiç e shqiptonte thënien e lartshënuar, Millosheviçi kishte rreth dy vjet në krye të Serbisë, ia kishte hequr në mars 1989 autonominë Kosovës, duke prishur përfundimisht baraspeshat e konfederatës të krijuara nga Tito. Revanshi nacionalist serb me në krye Millosheviçin ndaj pjesëtarëve të tjerë të federatës kishte nisur pikërisht në Gazimestan më 28 qershor 1989, në shënimin e 600 vjetorit të humbjes së Betejës së Kosovës përballë Osmanëve, me pjesëmarrjen e 1 milion serbëve. Aty kishte lindur edhe sllogani i hedhur nga Millosheviçi se ku ka serbë i thonë Serbi, aty kishte filluar maratona e trenave plot nacionalistë serbë nëpër gjithë territorin e federatës, kishte filluar mbushja e stadiumeve, e shesheve me tubime nga ato që mund të jenë parë vetëm tek fashistët e Musolinit dhe nazistët e Hitlerit në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930.

E pra, çdo logjikë normale, do të thoshte se orekset e nacionalizmit serb, duke pasur nën zotërimin e tyre një hapësirë sa rreth 40% e sipërfaqes së Jugosllavisë, do të ndiheshin të kënaqura.

Mbretëria Serbe, më vonë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, pastaj Mbretëria Jugosllave e, në fund, Republika Federative Jugosllave, siç provoi koha, ishte një gjeopolitikë e sajuar, ishte një krijesë artificiale e Evropës së Vjetër, në trysninë dhe për hatrin e Rusisë. Kjo miniperandori do të ushqente idenë e Serbisë së Madhe dhe nacionalizmin përkatës, me orekse të pangopshme. Kjo do të sillte dukurinë famëkeqe të “ballkanizimit”, do të sillte serbocentrizmin në trajtimin e rajonit nga ana e Evropës dhe bashkisë ndërkombëtare, pra vënien e interesave serbe në qendër të vëmendjes në dem të interesave të fqinjëve të tyre, madje duke i flijuar këto interesa.

E arnuar si mos më keq nga pjesë të mbetura të Perandorisë Austro-Hungareze, qytetarët e të cilës e ndienin evropianë, si dhe me pjesë të mbetura të Perandorisë Otomane, sajesa artificiale e krijuar nga dy Frankenshtajnë -Evropa e Vjetër dhe Rusia, do të ishte një koniunkturë dyshekullore në duart e serbëve, e financuar nga Lindja dhe Perëndimi. Edhe në periudhën e Titos, serbët arrinin të mbajnë në duart e tyre forcat e armatosura, pra ushtrinë, policinë, shërbimet inteligjente. Në fund të viteve 1980 ata kishin në duart e tyre makinerinë jugosllave të luftës, një nga më të shtrenjtat e kohës. Kjo makineri pothuaj gjatë gjithë viteve 1990 do të përdorej kundër kombeve fqinje- kryesisht kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Kroatët – 12 shekuj katolikë, ndër ta Mesiçi, e ndienin dhe e ndiejnë veten evropianë dhe vendin e tyre Evropë gjatë gjithë kohës, aq sa serbët – 11 shekuj ortodoksë e ndienin dhe e ndiejnë veten shumë më afër rusëve dhe Rusisë. Kjo kundërthënie kaq e pazgjidhshme do të ishte në qendër të shpërbërjes përfundimtare të federatës së mbisunduar nga serbët. Pamundësia për marrëveshje me serbët do të ishte dhe do të jetë në qendër të destabilitetit që ende vazhdon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht, nacionalizmi më i fuqishëm, i përftuar si pasojë e drejtpërdrejtë e nacionalizmit serb, do të ishte nacionalizmi kroat, i cili do ta gjente veten tek Franjo Tuxhmani, presidenti i çlirimit të Kroacisë dhe konsolidimit të saj shtetëror. Duke folur për presidentin nacionalist kroat Tuxhman, Mesiç thotë se ai ishte ‘udhëhequr nga ideja se kur Millosheviçi rrëmbente një pjesë të Bosnjës, atëherë edhe Kroacia duhej ta rrëmbente një pjesë të saj.

Kroacia do të ndeshej e para me makinerinë serbe të luftës dhe do të shndërrohej në shkollë edhe për disa nga komandantët dhe luftëtarët e shquar shqiptarë, në krye të luftës për liri disa vite më vonë në Kosovë.

Nacionalizmi shqiptar, në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të figuronte si nacionalizmi më i goditur, si gjatë gati një shekulli në Jugosllavi, ashtu edhe gjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri. Në Jugosllavi u ushtrua genocid sistematik ndaj çdo shfaqjeje të nacionalizmit shqiptar. Për këtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, u përdorën edhe partizanët e Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Fat do të ishte që nacionalizmi shqiptar i ditëve tona do të formulohej nga Ibrahim Rugova, me prejardhje të mirëfilltë nacionaliste shqiptare, Rugovës i ishin vrarë nga partizanët serbo-malazezë gjyshi Rrustemi dhe babai Uka, me të cilin nuk u pa kurrë dhe nuk e njohu kurrë, sepse e la në barkun e nënës. Rugova do të zgjidhte rrugën paqësore të kundërshtimit ndaj serbomëdhenjve dhe do të përcaktohej për Kosovën e pavarur dhe sovrane, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbi bazën e këtij vizioni, oreksi i nacionalizmit shqiptar do të ndjehej i përmbushur me konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me realizimin e statusit shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët e Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës e të tjerë, të cilëve t’iu njihen të drejtat e pakicave kombëtare, sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian.

Antonomia midis kroatëve dhe serbëve, siç e pamë, do të ishte një antonimi e plotë. Ndonëse sllavë të jugut, ata përbënin dy kultura të ndryshme, e para vinte si kulturë dhe qytetërim i mirëfilltë evropian, e dyta vinte nga përvoja bizantine dhe postbizantine (otomane), pra përfaqësonte kulturën më të sofistikuar aziatike.

I njëjti këndvështrim vlen për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Serbisë dhe shqiptarëve. Kjo u provua edhe gjatë dy shekujve të fundit. U provua edhe gjatë dy-tre dekadave të fundit sidomos në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Në të njëjtin këndvështrim do parë edhe situata aktuale e përpjekjeve të Brukselit për të bindur Serbinë të nënshkruajë me Kosovën një marrëveshje të hartuar nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje i detyron të dyja palët barabar t’i përmbahen fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, duke respektuar ndërsjelltas pavarësinë dhe sovranitetin, çka është në të mirë të të dy vendeve, përkatësisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në tërësi e veçanërisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë e në Serbi.

Zyrtarët dhe analistët evropianë dhe perëndimorë pranuan se Beogradi nuk e nënshkruan marrëveshjen për shkak të presionit të kishës ortodokse serbe dhe të nacionalistëve serbë. Kështu pranohet se nacionalizmi serb është nacionalizëm i frymëzimit fetar. Ndërkohë që dihet se nacionalizmi me frymëzim fetar është një ndër rreziqet më të mëdha të kohës sonë. Pra, këtë nacionalizëm e udhëheq dogma fetare. E udhëheq edhe dogma e përpunuar nga shkenca serbe. Dihen platformat e prodhuara nga kjo akademi, sidomos në dëm të shqiptarëve. Dihen edhe elaboratet famëkeqe të Cubrilloviqit, Andriqit e të tjerëve, analistët perëndimorë edhe sot citojnë thënien e një ish kryeministri serb, Vlladan Gjoergjeviqit se shqiptarët “kanë bisht si majmunët dhe kur i zë nata në pyll, ngjiten në pemë, e lidhin bishtin në degë dhe flenë”.

Në fakt, në fuqi në Beograd janë pikërisht dy parti nacionaliste. Partia e Sheshelit – nacionaliste e djathtë, ka presidentin e Serbisë, ndërsa partia e Millosheviçit, nacionaliste e majtë, ka kryeministrin e Serbisë, repsektivisht Nikoliqin dhe Daçiqin.

Mjerisht, asgjë nuk pritet nga këto parti të damkës së vjetër, aq sa nuk pritet nga një parti si ajo e Tadiçit, tashmë e Gjilasit. Asgjë nuk pritet as nga brezi më i ri i politikanëve të Serbisë, ndër të cilët, Vuk Jeremiq, i njohur si krahu i djathtë i Tadiçit.

Jeremiç, i datëlindjes 1975, me shkollim kryesisht perëndimor, në periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ka lobuar kundër njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë, Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut, Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi, Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri, Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo, në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane , në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë, Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit, Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega, Antonio Saka, Álvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo. Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër i Jashtëm i Serbisë.

Jeremiç, natyrisht, nuk ka si të krenohet me faktin se ai i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jepte mendimin ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë “një precedent”, sepse gjykata dha vendimin bumerang për Jeremiçin dhe Serbinë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i cënon ligjet ndërkombëtare.

Ishte hera e parë që një deklaratë pavarësia dërgohej në gjykatë. Dhe gjykata e shpalli opinionin e saj më 22 korrik 2010. Me një votim 10 me 4, ajo deklaroi se “deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk e shkeli ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, (1)sepse ligji ndërkombëtar nuk përmban ndalim të deklarimit të pavarësisë, (2) deklarata e pavarësisë nuk e shkeli as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa kjo nuk e përshkruan statusin përfundimtar të Kosovës, (3) as vetë Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes vendimin për statusin përfundimtar.”

Në vend që Jeremiçi dhe vetë qeveria e Tadiçit të jepnin dorëheqjen e menjëhershme për këtë humbje të rëndë, atyre iu hodh varka e shpëtimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare me Rezolutën për Kosovën të 9 shtatorit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutë që ia linte Bashkimit Evropian pajtimin e palëve, pra Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e mënyrës së zbatimit të planit Ahtisari, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe ishte bazuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Me përkrahjen e Rusisë, Kinës, shumicës së vendeve në zhvillim dhe një numri të vendeve perëndimore, i kundërshtuar nga vendet kryesore perëndimore, Jeremiç arrit të zgjidhet kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, detyrë të cilën e filloi në shtator të vitit 2012. I pyetur se a do të lejonte anëtarësimin e OKBsë në Kosovë gjatë mandatit të tij në OKB, Jeremiç deklaroi se pa kaluar mbi trupin e tij Kosova kurrë nuk do të anëtarësohet në OKB.

Serb nga babai, boshnjak nga nëna, ortodoks nga babai, mysliman nga nëna, Jeremiç duket se e vuan çmendurisht dyzimin e tij, saqë nuk njeh skrupuj në shërbimet ndaj projekteve të çmendura nacionaliste për Serbinë e Madhe.

Pak muaj pasi ka filluar detyrën në Pallatin e Qelqtë, Jeremiç ka futur në përmbyllje të koncertit të Vitit të Ri në Kombet e Bashkuara këngën e paraqitur si ‘Marshi i Madh i Paqes’, i kënduar nga kori serb ‘Viva Vox’, i cili ishte në fakt një himn serb, i titulluar ‘Marshi për në Lumin Drina’ i kënduar nga ultranacionalistët serbë gjatë luftërave të viteve 1990. Më 15 janar Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës Veriore postonte një letër të hapur në ueb-faqen e vet për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në të përfshiheshin nënshkrimet e liderëve të Institutit për Hulumtimin e Gjenocidit, të Këshillit Konsultativ për Bosnje dhe Hercegovinën dhe të Institutit Boshnjako-Amerikan për Gjenocid dhe Qendrës Edukative. Në letër thuhej: “Koncerti ishte një ofendim skandaloz i viktimave të gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, sepse orkestra interpretoi këngën famëkeqe dhe nacionaliste serbe ‘Marshi në lumin Drina’. Gjenocidi që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Zepa, si dhe në pjesë të tjera të Bosnje e Hercegovinës, është kryer nga agresorët serbë, të cilët këndonin këtë këngë, derisa kryenin dhunimet, vrasjet dhe bënin spastrimin etnik të popullatës joserbe.” Sapo mori vesh të vërtetën për këngën e futur kontrabandë nga Mesiçi, e cila nuk ishte as në listën e programit zyrtar, nxiti zëdhënësin e Ban Ki Munit që të shprehte keqardhjen.

Por skandali më i madh i Jeremiçit në Kombet e Bashkuara është organizimi këto ditë i debatit për rolin e Tribunalit të Hagës, ku praktikisht Jeremiçi, Nikoliqi e Mërkiqi vënë Hagën në bankën e të akuzuarit, ku madje Nikoliqi e konsideron inkuzicion Gjykatën Ndërkombëtare kundër Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Njerëzimit në ish Jugosllavi. Nuk ka pranuar të marrë pjesë presidenti i Tribunalit Theodor Meron, i cili e ka kritikuar debatin duke thënë se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”.Debati do të bojktohej nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet kryesore perëndimore.

Të nesërmen pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i ditës së djeshme për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në një polemikë “çekuilibruar” dhe “nxitëse” e përsëriste edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker: “Debati ishte një mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm punën e Tribunalit të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të Bashkuara. Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin parasysh përpjekjet për të sulmuar Tribunalin e Hagës.

Fakte të tilla nuk mund të mos përforcojnë bindjen se nacionalizmi serb është i vetmi nacionalizëm revanshist në rajon e më gjerë. Të gjithë nacionalizmat e tjerë i kanë përmbushur ose përkufizuar kënaqshëm objektivat e tyre. I vetmi nacionalizëm që nuk mund të parashikohet as në synimet, as në mjetet, as në skrupujt është nacionalizmi serb.

Rruga e integrimit të Serbisë dhe të serbëve në Evropë dhe në Perëndim është një formë e drejtë edhe për paqësimin dhe përparimin afatgjatë të rajonit e të kontinentit. Kjo nuk do të thotë që integrimi me çdo kusht i tyre t’i vonojë apo t’i mbajë peng si deri sot fqinjtë e tyre. Fakti është se Serbia, nëpërmjet Republikës Serbe, po e mban të paralizuar Bosnjën, duke ia mohur çdo perspektivë asaj. Fakti është se Serbia, nëpërmjet pranisë së saj të shtrirë në formë metastazash, po e mban gjithnjë e më të paralizuar Kosovën. Një autonomi e veriut të Kosovës do të ishte rrënim i Kosovës.

Me rastin e refuzimit nga Beogradi të nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Brukseli për fqinjësinë me Kosovën, shumë analistë dhe zyrtarë perëndimorë shfaqën mendimin se Serbia mund ta nënshkruajë marrëveshjen vetëm nën diktat dhe se këtë diktat nuk mund ta ushtrojë Bashkimi Evropian, mund ta ushtrojnë vetëm Shtetet e Bashkuara, prandaj procesin duhet të marrin në dorë Shtetet e Bashkuara.

Shumë analistë, ndërkohë, me të drejtë, shprehen se Serbia nuk është serioze në zbatimin e marrëveshjeve, edhe kur i nënshkruan ato, ashtu si ka ndodhur me marrëveshjet e pjesëshme të nënshkruara me Kosovën, ndonëse atje Kosovën e ka katandisur si mos më keq, me fusnotë.

Prandaj është e domosdoshme që Serbisë, përfundimisht, t’i vihet kusht sine qua non njohja e Kosovës së pavarur dhe sovrane, si pikënisje kryesore për hapat e mëtejshëm integrues të Serbisë në Evropë dhe në Perëndim, sepse çdo marrëveshje është e mundshme, siç thotë Mesiçi “vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosva, me domethenie, nje thenie e Mesicit, Serbia, Skender Bucpapaj

IN MEMORY OF MY DEAR PROFESSOR BETTY

April 13, 2013 by dgreca

By ROZI THEOHARI/

“The only secret people keep/
is immortality”/
Emily Dickinson/

You wrote your name on the blackboard:/
—Elizabeth Williams—/
The first day of our Multicultural Society course./
Introducing yourself to the class—unexpectedly/
You gazed at me:/
– Who are you?/
– An Albanian… – All my students are brave and prepared. Are you!?/
– I hope, I struggle, Dr. Williams!/
– Call me Betty…everybody!/

x x x

In this way…our friendship began
With my presentations –making a show
Of Albanian life, customs, traditions, weddings, deaths,
The beauty of nature and my people’s spirit.
Listening to me,
Seated near the window, as you usually did,
Your smiling face –your big black, smart eyes
Sent me a light –a light that never dies.
My dear professor Betty,
You evaluated me with an “A+”
Saying: “I want to see Albania!”
“Yes, my compassionate friend…we could!”

x x x

Year after year meeting in euphoria
At North Shore Community College
Reading each other our poems,
Making choices, challenges—dramatically
You wrote some verses for Albania
Hoping: “I want to visit Albania!”

But you took another path—to darkness
Turning-out-the-light-of-your-life.
In silence I pray. For your upheld faith.
For your angels’ love filling your being…

Someday, when I will go to my country,
I will walk your spirit over the snowy mountains
And around fields with multicolor flowers
Reciting your verses for Albania—
Amazingly—every spring
A myriad of blue petals of
“Lule mos me harro”—( Forget-me-nots)
Will fly up, in the sky
To find you in heaven
My beloved friend,
My unforgotten Betty Williams.

Filed Under: Kulture, Sofra Poetike Tagged With: In Memory, of my dear, Proffesor Betty, Rozi Theohari

ELEMENTI ILIR SI NJË PRANI AKTIVE NË JETËN E QYTETEVE

April 13, 2013 by dgreca

Ilirët prandaj janë në rajon që nga indo-evropianet si dhe vendbanime të hershme/

NGA GËZIM LLOJDIA*/

Autorë italianë në fund të viteve ‘ 70’ u tërheq vëmendje vendi i vogël i Ballkanit përtej detit Adriatik. Punimi i tyre shkencor i ka bazuar të dhënat nga raportimet e një numri institucionesh të shtetit të vogël ballkanik përkarshi shtetit me formën e çizmes.

Punimi shkencor i përket vitit 1978,ndërsa autorët e këtij studimi janë autorë italian si:Giorgio Valussi-Pio Nodari, Antonello Biagini, Sergio Rinaldi Tufi, në “Enciklopedia Italiana – IV Appendice (1978)ku kanë sjell një panoramë të përgjithshme të Shqipërisë të këtyre viteve. Autorët italianë duke bërë prezantimin e të gjithë materialit, që kanë pasur në dispozicion nuk kanë lënë pa përfshirë edhe fushën e arkeologjisë.

-Për gati tridhjetë vjet thonë ata, arkeologët shqiptarë janë mjaft aktive, jo vetëm në lidhje me gërmimet dhe gjetjet e tyre, por edhe në studimet dhe të dhënat e interpretimit. Autorët italianë kanë qenë të interesuar veçanërisht me problemet e historisë dhe veçanërisht studimi i tyre përfshinë ilirët,ku shihen si paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve.

Duke folur për vendbanimet e hershme si dhe kohë-popullimin e tyre ,autorët italianë thonë se:Më e vjetër e njohur deri më tani është këneta e Maliqit (rrethi i Korçës):Më tej autorët citojnë se: kasollet drejtkëndëshe të periudhës së vonë neolitike (gjysma e parë e mijëvjeçarit të 3-të p.e.s) dhe Eneolitike vendbanimeve në liqen, përkatësisht në Maliq, Maliq I dhe II.

Vendi ka qenë i banuar pa ndërprerje edhe gjatë Epokës së Bronzit. Maliqi 1 fazë e ndërmjetme mes I dhe II është dhënë nga qyteti i Kamenik (rrethi i Korçës).

Punimi cek fshatrat e Trenit dhe Cakran,me një nekropolit të mesëm, ku mosha e përcaktuar tumulari i bronzit dhe në fund në Pazhok në Elbasan dhe Vajzë në Vlorë janë qendra para-historike të tjera të mëdha,thonë ata.

Të marra së bashku, këto kumtojnë dëshmitë (tumë, qeramike, etj). Karakteristikat e qytetërimit ilir të Epokës së Hekurit, duhet futur në kompleksin më të madh kulturor në Ballkan.

Ilirët prandaj janë në rajon që nga indo-evropianet si dhe vendbanime të hershme. Gjatë epokës së hekurit, qytetërimi ilir është zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme. Shembujt kryesore janë bërë dhe janë tregues në nekropolet,tumat: p.sh. Ato të luginës së Matit, u atribuohet fisit luftarak te Pirusti, apo thjeshtë i Korçës, i atribuohet Dassaretit, dhe sidomos nga fortesa të vendosura në pikat strategjike, të tilla si ato të Gajtan, Trenit, Rosuje, me mure të tipit “shumë i madh” ose “pellazgjike”në blloqe të mëdha të parregullta. Këto fortesa lulëzojë veçanërisht në shekullin 7-5 p.e.s. (Mund të flasim për një fazë të parë të Epokës së Hekurit në rajon), vendbanimet aktuale janë ende të thjeshta si fshatra ruralë. Gërmimet të rëndësishme në nekropolin e varrosur në luginën e Matit:veshje dhe te tjerat përfshijnë veçanërisht armë ,stoli hekuri dhe bronzi.

Kolonit greke

Autorët italianë përmendin në këtë punim kolonitë greke për të cilat duhet thënë se u zhvilluan mbi një tokë pellazgjike .

Që nga fundi i shekullit të 5 p.e.s, shkruajnë autorët italianë kolonitë greke të futur në bregdetin jug të vendit: Epidamnit-Dyrrhachion, Apolonia, Butrinti, Orichon. Ata kanë mjaft monumente të shquara: muret, portat dhe kullat, tempuj, teatro (Butrinti), shtëpi zbukuruar me mozaikë të një lloji (të ngjashme me ato të Pella janë të përfaqësuara në Dyrrhachion shekullin e 4-3), (tumë,varrezat e nekropolit në Apoloni dëshmojnë për praninë e ndikimeve ilire në mjedisin e kolonizimit grek).

Në të njëjtën kohë, në fiset ilire (për të cilat ne tani mund të flasim për një fazë të dytë të Epokës së Hekurit) ka një shtysë të re me shfaqjen e jetës urbane, në të cilat qytetet janë pikat e referencës për njësi etnografike rurale. Prania e monumenteve të rëndësishme (shekulli i 3 si qyteti Amantia, kamare portiku në Dimal, teatër Bylis, strehim varg kolonash të Antigonesë, mure, varret monumentale në shkëmb Selcë ,Lissus, Finiqi) Materialet e gjetura (qeramikë lokale dhe të importuara, mallra metali, materiale ndërtimi), dëshmitë nga industria e verës dhe komerciale (të Shkodrës dhe Lissus), japin imazhin e një kompanie zhvillimit (ekonomi e bazuar) dhe në marrëdhënie të mira me kolonitë në jug. Llojet e qeramikës së gjetur, onomastikë e vërtetuar në mbishkrime etj, zbulojnë elementin ilir si një prani aktive në jetën e këtyre qyteteve. Periudha e zhvillimit të qytetërimit ilir zgjat deri në shekullin e 2,ku gjeti formën më të lulëzuar (rreth 335-230) e “mbretërive”,ndër të cilat më të famshme është Genthius.

Pushtimi romak

Autorët italianë kanë cituar në këtë punim të mirëfilltë shkencor edhe pushtimin romak.

Pas pushtimit romak ka vazhduar me prosperitetin e qyteteve bregdetare, që edhe në moshën perandorake janë pasuruar me monumente të reja. Duhet të përmendim këtu këto monumente: burim monumental në Apoloni, banja dhe amfiteatri në Dyrrhachium, rinovimi i teatrit në Butrint.

Edhe në rajone të brendshme, romakët zgjerojë sferën e tyre të influencës, megjithatë, duke u përqendruar me aktivitetin ekonomik në disa qendra të mëdha të tilla si ato në rajonin e Elbasanit:(Skampini, Belësh). Kolonët italianë janë përqendruar në Dyrrhachium, Bylis, Butrint, Shkodër. Një rrugëkalim i madh, është Via Egnatia, çon nga Apolonia dhe Dyrrhachium në Edesa. Përkundër gjithë kësaj, duket se romanizimi ka qenë në tërësi më pak i thellë se gjetkë Shuma e mbishkrimeve të gjetura tregon një penetrim relativisht të kufizuar të gjuhës latine.

*Master.Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

 

Filed Under: Kulture Tagged With: aktive, elementi ilir, Gezimm Llojdia, si nje prani

EDHE LEVIZJA ÇAME U SHNDERRUA NE PARTI POLITIKE

April 13, 2013 by dgreca

DEKLARATË PËR SHTYP E PARTISË “ALEANCA POPULLORE”/

· Lëvizja Çame kthehet në parti politike dhe rregjistrohet ne KQZ

· Grupimi prej prej 12 Partish, Shoqatash dhe grupe të tjera interesi do të quhet Aleanca Popullore.

· Aleanca Popullore e bindur në suksesin elektoral për shkak të mbështetjes së gjerë që gëzon.

· Aleanca Popullore nuk tërhiqet nga kërkesa për Votim Unanim në Parlamentin e Shqipërisë të Rezolutës për Çështjen Çame

· Aleanca Popullore shpall kandidatin për deputet në Qarkun e Tiranës, Doktor Arjan Hamiti.

· Slogani i Aleancës Popullore për zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit është: “Voto për Veten Tënde”

Një grupim prej 12 Partish, Shoqatash dhe grupe të tjera interesi të bashkuara nën drejtimin e Lëvizjes Came, marrin jetë tashmë në një parti të vetme me emrin “Aleanca Popullore”. Kryetar i Partisë Aleanca Popullore është z. Artur Dojaka.

Aleanca Popullore është tashmë një parti politike e rregjistruar në KQZ që në thelbin e vet ka mbrojtjen dhe promovimin e Cështjes Kombëtare dhe në vecanti Cështjen Came.

Të zhgënjyër nga vorbullat politike që nuk japin rezultate konkrete, duke mos dashur të humbim më kohë të vlefshme politike, Ne marrim sot përsipër fatet tona.

Të ndërgjegjshëm për kohën ku jetojmë, të vetëdijshëm për instrumentat kombëtar e ndërkombëtar në dispozicion, vijmë sot jo si demagogët e rradhës por si një forcë e aksionit politik dhe forcë e arritjeve politike.

Në kordinim të plotë me faktorin politik ndërkombëtar, duke vlerësuar këshillat e tyre të vlefshme dhe ndjer mbështetjen e tyre e plotë, ndihemi sot më të plotë se kurrë.

Duke mos humbur kohë në gjetjen e indetitetit tonë kahjeve të politikës shqiptare por duke pasur si vet kahje, Shqipërin.

Me një mbështetje shumë të gjerë, së pari në komunitetin Cam, e të bashkuar pa asnjë paragjykim më të gjithë ata që Atdheun kanë të parin, Aleanca Popullore shpall sot nisjen e fushatës së vet elektorale më synimin e vetëm, Fitorën në zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit.

Në një kohë kur Kombi vjen gjithmon mbrapa interesave politik, kur Cështja Came nuk po njeh asnjë përparim, kur vet Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit të Shqipërisë krijon konfuzion duke e vënë shqiptarin e thjesht në pozicionin e tij më të vështire.

Konfuzion i paprecent në historinë e politikës moderne; vet Institucioni i Parlamentit është i paqartë nëse këmi një rezolutë të aprovuar për Cështjen Came apo jo.

Nëse dinjiteti ynë Kombëtar ka arritur në atë pikë fundore të tijën sa për tju shmangur përgjegjësive të momentin kërkojmë të ringjallim rezoluta të dështuara;

Kur Politika sot nuk ka kurajo qytetare që në një vendim unanim të pranoj me zë të lartë një realitet që ka të bëj me thelbin e konceptit të Kombit Shqiptar.

Sigurojmë sot mbarë opinionin publik shqiptar që Aleanca Popullore nuk tërhiqet nga kërkesa për Votim Unanim në Parlamentin e Shqipërisë të Rezolutës për Cështjen Came.

Në një kohë që na ndalojnë në kufi për shkak të vendlindjes, kur nuk gëzojmë dot të drejtën universale të pronës apo kur nuk vendosim një tufë lule në varrin e të parëve tanë kemi gjithë të drejtën legjitime për të ngritur zërin dhe për të kërkuar të drejtën tonë.

Flasim për Camërinë por nuk mund ta prekim atë. Folën shumë për Camërinë por vetëm sa e përdorën atë.

Do ti kërkojmë cdo Cami që sot e ndjen veten të papërfillur, të papërfaqësuar të bëhet pjesë e jona, do të shkojmë këto ditë te ato anëtarë të komunitetit tonë që nuk i bëri kush pjesë të vendimarrjes dhe i la jashtë cdo benefiti politik e social.

Do të dëgjojmë cdo zë, cdo ankesë, cdo shqiptar që ka sot një ide apo dëshirë.

Aleanca Popullore do të ndërtoj marrëveshje me këdo që në thelbin e përpjekjeve të veta ka Shqipërinë.

Aleanca Popullore shpalli në takimin e sotëm kandidatin për deputet për Qarkun e Tiranës, Doktor Arjan Hamiti.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Levizja came, parti politike

BERISHA: QEVERIA ESHTE GATI TE KRIJOJE KUSHTE PER VOTIMIN E EMIGRANTEVE NE AMBASADA

April 13, 2013 by dgreca

Gënjeshtra është ves dhe është një ves i keq i burrit. Urdhëro të biem dakord. I kemi që të gjithë në lista, një për një. Që të gjithë janë në listat e votimit. Qeveria merr përsipër, kudo që janë ata, me shpejtësi të instalojë teknologjinë më moderne, të votojnë online, në ambasada, të votojnë kudo që janë, të votojnë të lirë. Mos ki frikë nga vota e tyre!

***

“Ne zotohemi se gjatë katër viteve që vijnë do të 3-fishojmë grantet për projektet tuaja, në mënyrë që ju të prosperoni, të ndërtoni kopshtet, serat, bahçet tuaja dhe të ecni të sigurt drejt një mirëqenie më të mirë; në mënyrë që ju të zhvilloni potencialet turistike të zonave tuaja të mrekullueshme”

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Hotolisht – Frare, në rrethin e Librazhdit, financim i qeverisë shqiptare dhe Fondit të OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), me vlerë 146 milionë lekë.

Segmenti rrugor Hotolisht – Frare, me gjatësi 6.2 kilometër, tashmë është zgjeruar dhe pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë kanalizimet e ujërave të bardha, mure mbajtës, vepra arti, si dhe sinjalistikën e nevojshme vertikale dhe horizontale. Pjesë e këtij projekti është ndërtimi i trotuarit pranë shkollës së fshatit dhe urës së re. Kjo rrugë u lehtëson transportin 1500 banorëve të kësaj zone, u krijon mundësi atyre të lidhen me Përrenjasin, Librazhdin dhe Elbasanin. Kjo zonë është e njohur për pasuri minerare kromi dhe ndërtimi i rrugës lehtëson ndjeshëm aktivitetin e shfrytëzimit të minierave, por edhe transportin e mineralit. Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë të veçantë për vreshtarinë.

Në këto vite, në rrethin e Librazhdit janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 100 kilometër rrugë, 23 shkolla e kopshte, 15 ujësjellës e kanalizime, 17 qendra shëndetësore e ambulanca; mbi 2 milionë dollarë subvencione në pemëtari, vreshta, ullinj, sera; mbi 2 miliardë lekë janë investuar në sistemin e energjisë elektrike. Gjithashtu, po punohet në ndërtimin e 6 HEC-ve në këtë zonë.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të kësaj zone, u shpreh se “për ne, nga dita e parë e ardhjes në pushtet e deri më sot, Shqipëria rurale e zhvilluar, fshati shqiptar i zhvilluar përbëjnë kushtin më themelor të një Shqipërie të zhvilluar, të një Shqipërie evropiane”.

“Në katër vitet që vijnë, – tha Kryeministri, – ne do të finalizojmë të gjithë infrastrukturën tuaj. Ne jemi zotuar që çdo fshat të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Ne qëndrojmë para barazisë së qytetarëve shqiptarë. Ne besojmë se kudo që ata jetojnë duhet të gëzojnë shërbime dinjitoze, shërbime cilësore. Kjo është arsyeja që gjatë këtyre viteve, 60 përqind të të gjitha investimeve ne i kemi investuar në fshatin shqiptar, në Shqipërinë rurale”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur banorë të komunës Hotolisht,

zoti nënkryetar i Parlamentit,

zoti ministër,

zotërinj deputetë,

zotërinj qeveritarë vendorë,

Së pari, përshëndetjet e mia më të përzemërta banorëve të Hotolishtit. Dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, prej 6.2 kilometrash, investim 146 milionë lekë, rrugë nga e cila përfitojnë 1500 banorë të kësaj zone. Me këtë rrugë, kjo zonë fiton një dalje të shpejtë, të pamundimshme në rrugën kombëtare dhe afrohet me Librazhdin, Elbasanin dhe Tiranën. Kjo rrugë i shtohet edhe 100 kilometrave rrugë të tjera që ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në rrethin e Librazhdit. Për ne, nga dita e parë e ardhjes në pushtet e deri me sot, Shqipëria rurale e zhvilluar, fshati shqiptar i zhvilluar përbëjnë kushtin më themelor të një Shqipërie të zhvilluar, të një Shqipërie evropiane.

Vëllezër e motra,

Bazuar në këtë parim, gjatë këtyre viteve, ne kemi investuar në Shqipërinë rurale, kemi ndërtuar e rindërtuar 8000 kilometra rrugë të saj, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1000 shkolla, mbi 318 sisteme kanalizimesh dhe ujësjellësish. Unë ju siguroj se kjo rrugë do të shkojë e do të vazhdojë deri sa banorët e Librazhdit të mund të dalin atje lart, në malet me dëborë, në resorte të mëdha turistike. Zoti kryetar, jam këtu për të dhënë fjalën e së bashku do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të komuniteteve të komunës tuaj. Në këtë hark kohor, nga 2007 e deri më sot, me skemën e granteve ne kemi financuar projektet e 42 mijë fermerëve. Ne zotohemi se gjatë katër viteve që vijnë do të 3-fishojmë grantet për projektet tuaja, në mënyrë që ju të prosperoni, të ndërtoni kopshtet, serat, bahçet tuaja dhe të ecni të sigurt drejt një mirëqenie më të mirë; në mënyrë që ju të zhvilloni potencialet turistike të zonave tuaja të mrekullueshme.

Vëllezër e motra,

Në qoftë se deklaroj se ne do të 3-fishojmë grantet, unë ju garantoj se ndihma direkte për bujqësinë, për projektet në blegtori, në pemëtari, në sera, në bletari dhe në të gjitha fushat e kësaj sfere të rëndësishme do të jenë shumë më të mëdha, sepse marrja e statusit të vendit kandidat do të thotë mbështetje e fuqishme për fermerët shqiptarë nga fondet direkt të Komisionit Evropian, do të thotë shumëfishim i mbështetjes për ju, në të gjitha drejtimet. Në katër vitet që vijnë ne do të finalizojmë të gjithë infrastrukturën tuaj. Ne jemi zotuar që çdo fshat të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Ne qëndrojmë para barazisë së qytetarëve shqiptarë. Ne besojmë se kudo që ata jetojnë duhet të gëzojnë shërbime dinjitoze, shërbime cilësore. Kjo është arsyeja që gjatë këtyre viteve, 60 përqind të të gjitha investimeve ne i kemi investuar në fshatin shqiptar, në Shqipërinë rurale. Ne konstatojmë me kënaqësi të madhe pasionin e fermerëve për të punuar tokën e tyre, për të përfituar prej saj. Kudo që kalojmë, sado që ne bëjmë, ata bëjmë shumë më tepër se ne. Ne përpiqemi t’i lehtësojmë ata.

Vëllezër e motra,

Kjo është alternativa jonë. Ajo bazohet në problemet më kryesore që ju shqetësojnë ju dhe ato nuk janë të pakta. Ne do bëjmë gjithçka që ju të nxirrni fitimin më të madh të mundshëm nga pronat tuaja, nga tokat tuaja. Katërvjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjeçari i sistemit më modern të vaditjes në rajon dhe më gjerë. Këto janë premtimet, së bashku me rritjen e vazhdueshme të pensioneve për të moshuarit në Shqipërinë rurale dhe kudo që janë.

Normale është të shtroni pyetjen- pse nuk janë bërë këto deri më tani? Në vitin 2005 nga 18 300 kilometra rrugë që kishte Shqipëria, kishte të asfaltuara gjithsej vetëm 2430 kilometra. Unë ju garantoj se shumica dërmuese e rretheve të Shqipërisë nuk kishin qoftë edhe një metër linear rrugë të asfaltuar, përveç akseve kombëtare. Kur ne nisëm këtë projekt, opozita u tall dhe tha se këto rrugë nuk ekzistojnë në Shqipëri. Nuk ekzistonin për ta, sepse ata ju dhe jo vetëm ju, shumicën dërmuese të fshatrave të Shqipërisë, të Shqipërisë verilindore dhe juglindore i kishin shpallur si zonat e asgjësë, si zona ku nuk duhej investuar dhe nuk ke pse investon.

Ndryshe është koncepti ynë – kudo duhet investuar. Ne kemi tokë të mrekullueshme, plot ujë, plot dritë, plotë diell dhe kemi njerëz punëtorë. Ne do të bëjmë gjithçka që të mbjellin në të katër anët e saj dru frutorë, të mbjellin perime, të mbarështojnë blegtorinë, të rrisim mirëqenien e atyre që jetojnë në fshat. Ndaj dhe ju keni shumë arsye të besoni se kudo që të shkoni do të ndjeni angazhimin tonë për infrastrukturën.

Pak vite më parë fshatit shqiptar i priteshin dritat 16 orë në ditë. Sot, absolutisht, fshati nuk ka asnjë dallim me qytetin e Shqipërisë. Por ka një problem, përsëri, sepse ju korrentin nuk e keni të cilësisë që duhet. E keni me parametra më të ulët, për shkak të rrjetit. Unë ju jap fjalën se katër vitet që vijnë rrjeti në çdo fshat do të ndërtohet i njëjtë me atë të qytetit. Ne duam që ju të keni të njëjtat shërbime. Në të gjitha shkollat e fshatrave shqiptarë sot ka internet dhe kabinete informatike. Ka mbi 1000 qendra që japin internet falas. Sigurisht, që duhet të ketë. Pse fëmijët tuaj të mos lundrojnë në internet në shkollat e tyre. Ne i mbajmë qytetarët të barabartë përpara ligjit. Kemi rindërtuar dhe do të rindërtojmë çdo shkollë. Kanë mbetur edhe disa qindra, por deri më sot kemi rindërtuar dhe ndërtuar 1302 shkolla në mbarë vendin.

Cila është alternativa tjetër? Alternativa e mashtrimit, alternativa e mohimit. I them zotit Rama se gënjeshtra është dobësia më e madhe e burrit dhe gënjen vetëm burri që ka frikë nga vetja e tij. Dy janë alternativat e tij, gënjeshtër dhe mohim. Mohim, mohim dhe vetëm mohim. Nihilizmi është doktrina e asgjësë. Ai që mohon, harron se duke mohuar Shqipërinë reale dhe duke shpallur Shqipërinë e gënjeshtërt, shpall të gënjeshtërt mundin, djersën, sakrificën tuaj; shpall të gënjeshtër lumenjtë e djersës që derdhën qindra e mijëra shqiptarë në vendet përreth për të ndihmuar familjet e tyre; shpall të gënjeshtër anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; shpall të gënjeshtër heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë për shqiptarët.

Çfarë bërë ti zotëri këto tetë vite? Këto tetë vite ti bëre vetëm një gjë, bëre gjithçka për të bllokuar, por, fatmirësisht, anëtarësimin në NATO se bllokove dot; fatmirësisht, nuk bllokove dot lëvizjen e lirë të shqiptarëve, ndonëse bërë gjithçka për tua hequr këtë mundësi. Ti bllokove tre ligjet që kërkojnë 3/5. I bllokove, por dita e gjykimit po vjen, 23 qershori po vjen. Vëllezër, duhet ta dini se me atë bllokim ka bllokuar qindra e qindra milionë euro për shqiptarët. Jo për qeverinë, por për qytetarët shqiptarë. Investimet private të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë investime që punësojnë qytetarët. Mbështetja për investime publike e Komisionit Evropian është për rrugë, ujësjellës, kanalizime, vaditje, për shkolla, për kopshte. I bllokove vetëm për ligësinë e shpirtit tënden. Mendove se në qoftë se merrej statusi, Berisha do të merrte kredi më të mëdha. Berisha bëri gjithçka, qeveria e tij bëri çdo gjë dhe statusi u rekomandua për Shqipërinë nga Komisioni Evropian, me kusht që të votohen tre ligje. Dua t’i them se me bllokimin e ligjeve ke bërë një akt të shëmtuar, ke shkelmuar një interes jetik të çdo qytetari shqiptar, të fëmijëve, të të rinjve, të burrave, të grave, të pensionistëve.

Vëllezër,

Janë me dhjetëra e mijëra emigrantë shqiptarë që vetëm për shkak të mosmarrjes së statusit nuk u njihet pensioni në vendet ku punojnë. Ndërkohë, po qe se Shqipëria do të kishte statusin, të gjithë ata do të gëzonin pensionet dhe kohën e pensioneve siç e meritojnë.

Edhe njëherë i them, gënjeshtra është dobësia më ekstreme e burrit. E dëgjoja një natë, ishte në Milano, u thoshte emigrantëve – nuk deshi Berisha që të votonit ju.

Të dashur miq, po i them nga këtu, para jush, – nuk deshe ti dhe në qoftë se ti ke kthyer mendje, urdhëro ditën e hënë të biem dakord që çdo emigrant, në Itali, në Greqi dhe kudo që ndodhet, në Evropë dhe në botë, të votojë për vendin e tij, të votojë për zgjedhjet e 23 qershorit.

Gënjeshtra është ves dhe është një ves i keq i burrit. Urdhëro të biem dakord. I kemi që të gjithë në lista, një për një. Që të gjithë janë në listat e votimit. Qeveria merr përsipër, kudo që janë ata, me shpejtësi të instalojë teknologjinë më moderne, të votojnë online, në ambasada, të votojnë kudo që janë, të votojnë të lirë. Mos ki frikë nga vota e tyre!

Le ta lëmë atë në mashtrimet e tij, në kënaqësinë e ligësinë që i krijon atij bllokimi. Le të vazhdojmë ne ndryshimin. Ne jemi ndryshimi, vëllezër. Ndryshimi është kjo rrugë; ndryshimi është çdo investim; ndryshimi është lëvizja e lirë e shqiptarëve në Evropë; ndryshimi janë rrugët e ndërtuara, shkollat e rindërtuara dhe të ndërtuara rishtazi, ujësjellësit, kanalizimet; ndryshimi janë fermat që prosperojnë gjithnjë e më shumë; ndryshimi është prodhimi që rritet çdo ditë e më shumë.

Ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara, të shndërrojmë 23 qershorin ditën e ngadhënjimit të programit të Shqipërisë së zhvilluar, të votojmë për vazhdimin e ndryshimit, të votojmë për Shqipërinë e zhvilluar, të votojmë për Shqipërinë evropiane.

Gëzuar rrugën dhe faleminderit për pritjen”.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: gati per votimin e emigranteve, Kryeministri Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT