• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

SHQIPERIA VLERESON GJYKATEN E HAGES, KRITIKON ASHPER SERBINE

April 11, 2013 by dgreca

Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha shprehu vlerësimin e Shqipërisë për Gjykatën e Hagës, si edhe të gjitha gjykatat e tjera ndërkombëtare, si për ruajtjen e paanshmërisë, ashtu edhe për dhënien e drejtësisë.

Në debatin tematik të Asamblesë së Përgjithshme me temë “Roli i Drejtësisë Penale Ndërkombëtare për Pajtim”, Hoxha tha se “për ne, vënia në dyshim e meritave të Gjykatës, në përmbushje të çfarëdo agjende të caktuar politike, është një lexim i shtrembëruar i rolit të Asamblesë së Përgjithshme; në rastin më të mirë është një vlerësim i pavërtetë i punës së Gjykatës, mbështetur në një vendim të pabazuar dhe, në rastin më të keq, përbën një kërcënim të madh për vazhdimin e procesit të pajtimit në rajon. Rajoni ynë nuk ka nevojë për këtë dhe ne nuk jemi pjesë e këtij skenari”.

Shqipëria iu bashkua deklaratës së BE-së, të dhënë dje, vijoi Hoxha duke shtuar se “më duhet ta them qartë dhe me zë të lartë se ne dënojmë në tërësi mënyrën se si është ndërtuar ky debat”.

“Së pari, ne shprehim rezerva të forta për motivet e tij reale, të cilat, siç është deklaruar gjerësisht e në mënyrë të hapur nga vetë kryetari i Asamblesë së Përgjithshme (Vuk Jeremiq), kudo ku ka pasur mundësi të shprehet, kanë për qëllim të veçojnë një gjykatë të veçantë, atë të Hagës, me një synim të deklaruar për të përdorur këtë aktivitet, si dhe vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të denigruar punën e kësaj gjykate dhe trashëgiminë e saj dhe për të vënë në pikëpyetje politikisht vendimet e saj”, tha Hoxha.

Sipas tij “nuk janë për t’u çuditur deklaratat e djeshme të presidentit të Serbisë, i cili përsëriti shumëllojshmërinë e akuzave, së pari kundër gjithçkaje që Gjykata ka bërë deri tani e po ashtu, kundër pothuajse të gjithë jo serbëve në rajon”.

“Së dyti, vështirë të gjesh tjetër aktivitet të ngjashëm të OKB-së, të organizuar në fshehtësi të tillë dhe me një mungesë totale të transparencës. Lista e të ftuarve, e panjohur për OKB-në deri në ditën e fundit, është absolutisht e diskutueshme, por për fat të keq, zëri i viktimave, ata për të cilët kërkohet të bëhet drejtësia, është përjashtuar. Siç edhe druhej se lista e të ftuarve do të ishte një zgjedhje e synuar, shumica dërrmuese e ndërhyrjeve të dy sesioneve të pasdites nuk qe, as më shumë e as më pak, një sulm entuziast ndaj Gjykatës së Hagës”, vijoi Hoxha.

Megjithatë, Hoxha veçoi një nga panelistët e djeshëm, Janine Clark, e cila në një ndërhyrje të balancuar, ftohu mendjet histerike për të ashtuquajturin trafik të organeve në Kosovë, e që me shumë gjasa është një ndër arsyet e vërteta të këtij aktiviteti. Ajo theksoi një përfundim të thjeshtë, por thelbësor: Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se në këtë çështje nuk kishte asgjë për të hetuar: nuk kishte prova, nuk kishte dëshmitarë, nuk kishte kufoma, nuk kishte asnjë pistë hetimi. Ka ende vetëm hamendësime e mbi atë bazë, tonelata propagandë.

“Së treti, duke këmbëngulur me kokëfortësi për të zgjedhur dhe për të ruajtur një datë me një domethënie të veçantë historike në rajon, kryetari i Asamblesë zgjodhi të lundrojë në ujëra të errëta. Ne mendojmë se kjo qasje është aq e gabuar, e padëshiruar dhe në dëm të Gjykatës dhe punës së saj, sa edhe të imazhit dhe rolit të zyrës së kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Tema e diskutimit është interesante dhe e rëndësishme, por mënyra se si u organizua e bën aktivitetin të njëanshëm dhe të paekuilibruar”, tha më tej Hoxha.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ban Ki-Mun, Ferit Hoxha, Gjykates se Hages, kritika Serbise, vleresim

100 VJET NGA GJENOCIDI I USHTRISË DHE XHANDARMËRISË MALAZESE NË LUG TË BARANIT

April 11, 2013 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/

FOTO-Arkiv- Nga e majta: Ambasadori amerikan William Walker, akademik Mark Krasniqi dhe Harry Bajraktari, në vizitë presidentit të Kosovës Dr. IBrahim Rugovës, Prishtinë 2003./

Njëqind vjet më parë ushtria e Malit të Zi nën udhëheqjen e kriminelit Sava Llazareviq, i quajtur në popull Savë Batarja, në muajn prill të vitit 1913, në Lug të Baranit te Pejes dhe në pjesët tjera të Dukagjinit te Kosoves, bëri  terror të rëndë fizik e psikologjik të përmasave gjenocidiale. Pas okupimit  nga Serbia dhe Mali i  Zi në vitin 1912, Kosova nga pushtuesit u nda në zona të interesit. Mali i Zi mori pjesën më të madhe të Dukagjinit ( kufiri malazezo- serb  kapej nga burimi i Drinit të Bardhë dhe kalohej deri në rrjedhën e lumit Erenik në Dri dhe ngjitej pastaj nga ana e djathtë e Erenikut drejt Bogiqes), ndërsa pjesën tjetër të Kosovës, Serbia. Si pasojë e dhunës, qindra familje shqiptare iu kapën maleve të ashpra plot borë, duke lënë pas gra, fëmijë e pleq të vdekur, si dhe shtëpi të djegura dhe të shkatërruara.

Krimet masive filluan në fundin e dimrit të vitit 1912, me ardhjen e Avro Cemoviqit, komandant i ushtrisë së Malit të Zi. Qeveria e Kral Nikollës në këtë kohë lëshoi një ultimatum ku ftoi tërë popullatën e Lugut të Baranit të braktis kombin dhe të konvertohej në fenë ortodokse. Në këtë kontekst dëshiroj të përmend një citat të Dr. Zekeria Canës, lidhur me këtë ngjarje: ” Më 5 prill 1913 Sava Llazareviq me forcën e tij doli në Kryshec të Lugut të Baranit, mblodhi popullin, kërkoi të shkonte drejt në kishën ortodokse për t’ u kryqëzuar dhe kur askush nuk iu bind urdhërit të tij, pushkatoi 12 fshatarë. Në fshatin Kpuz vrau edhe 8 të tjerë, kurse në Dobërdol, Myftar Elezi u masakrua me bojanetë.  Ekzekutimet vazhduan edhe në fshatrat tjera të Lugut të Baranit”. Në valën e këtij terrori, Sava Llazareviq, pasi i kishte detyruar të hapnin vetë varret, pushkatoi 14 fshatarë të Baranit të Epërm.

Urdhërin e autoriteteve malaziase për ndërrimin e kombësisë dhe fesë e kishte refuzuar në mënyrë të prerë edhe Bajraktari i Vranocit, duke u përkujtuar atyre se kjo “ishte punë që s’ bëhej kurrë”  dhe se nderi është mbi të gjitha. Pas refuzimit, krimineli Sava Llazareviq urdhëron Bajraktarin që gjithë Bajrakun e tij ta tubonte: gra, burra e fëmijë dhe t’i dërgonte për t’ u konvertuar dhe pagëzuar në njërën nga kishat ortodokse në Pejë. I ndodhur ngusht, kur popullata shqiptare s’ kishte armë për t’ u mbrojtur, Bajraktari i Vranocit, autoriteteve malaziase u thotë se ” territori i tij është i madh dhe nuk ka mundësi ta tubojë popullin për tri ditë, siç theksohej në ultimatum.

Mirëpo,nën kërcënim të vazhdueshëm të vrasjeve masive të fshatarëve të Lugut të Baranit- popullata shqiptare e kësaj pjese të Dukagjinit u nis për në Pejë, ku te Ura e Gurit, i pritnin xhelatët- ushtria dhe xhandarmëria malazeze, si dhe priftërinjtë ortodoksë që kur të kalonte turma shqiptare ta stërpiknin atë me “ujë të bekuar”. Kësaj mase që po lëvizte drejt qytetit të Pejës u prinin Sali Bajraktari dhe Arif Halili, burra të guximshëm me ndjenjën e thellë kombëtare. Pas shumë provokimesh, gjatë rrugës, nga banorët serbë e malazezë, kjo masë e madhe shqiptare arriti tek Ura e Gurit. Mbi urë ushtria malazeze, të riut Zenel Bajraktarit i fut dhunshëm në duar flamurin malazes, duke e detyruar atë që ta puthte dhe ta mbështillte rreth ballit. Mirpo, i riu nga Vranoci, në vend se ta zbatonte urdhërin, ai e hedh flamurin në tokë dhe, me të dyja këmbët, aq sa kishte fuqi e shkelmon dhe e bën copë mbi copë. Pas këtij akti heroik, xhandarmëria filloi ta kërkonte Zenelin, ndërkohë që para bojanetave të forcave malaziase doli Sali Bajraktari, i cili me një vendosmëri të prerë u thotë” Unë jam organizator dhe unë përgjigjem për këtë popull të pafajshëm- nuk ndërrojmë kurrë as komb as fe”.  Pas këtij qëndrimi stoik, xhandarmëria ekzekutoi menjëherë Sali Bajraktarin e Vranocit dhe Arif Halilin nga Poçesta, të cilët më guxim kundërshtuan politikën gjenocidiale të Kral Nikollës, kundër popullit shqiptar. Pas 87 vitesh u zbuluan vorret ku preheshin trupat e tyre te pushkatuar nga forcat malazese. Ky akt heroik dhe aktet tjera të ngjashme në Lug të Baranit- dhe mbarë Dukagjinin, bënë që të dështojë skenari i turpshëm i Podgoricës. Edhe pas kësaj drame, krimet e ushtrisë malazeze mbi popullatën shqiptare vazhduan bashkë me ushtrinë serbe në gjithë Kosovën. Ky është një tregim i shkurtër i kësaj tragjedie të ndodhur para 100 vjetësh. Drama e tragjedi të tilla brenda kësaj distance kohore, Kosova ka përjetuar në vazhdimësi nga politika fashiste serbo-malazese.

Kjo ngjarje përshkruhet më së miri në vargjet e kësaj kënge:

 

Haj medet për Lug të Baranit,

n’ kam asht çue Savë Llazari,

Savë Batarja në kam asht çue,

Don shqiptarëve fenë me u ndërrue,

N’ Baran të Epërm, Sava asht shkue…

… Katërmdhet’ burra i ka bashkue,

në Shpat të Baranit na i ka çue,

i ka shtie vorret vetë me i marue,

të katërmdhetit i ka pushkatue.

Kqyr tash Sava çka ka punu

Ai me topa paska gjue,

Në Vranoc gjylet na i kanë shkue,

Krejt Vranoci asht tmerrue,

Janë ndal burrat, janë besatue

Mandej rrugën e kanë fillue

Këtij populli kush i prini?

Sal Bajraktari, Arif Halili…

Nuk po donë në kish me hi

“Bajraktar thonë me na pri

në të zezën Pejë po donë me hi”.

Nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova,  në Vranoc dhe në Pejë, në vitin 2003 u përkujtua 90 vjetori i gjenocidit malazes mbi popullatën e Lugut të Baranit. Në shënimin e këtij përvjetori të  kësaj ngjarje të tmerrshme, morën pjesë mbi 5000 vete nga të gjitha anët e Kosovës, si dhe ambasadori amerikan William Walker, që popullit tonë i kujtohet për fjalët e thëna në Reçak, në janar të vitit 1999, ku vrasjen dhe masakrimin e 45 shqiptarëve  nga policia dhe ushtria serbe e cilësoi si vepër kundër njerëzimit.

Shtrohet pyetja, ku ndodhemi sot si komb, 100 vjet pas kësaj ngjarje mizore në Lug të Baranit?

Pas shumë përplasjeve dhe fustrimeve njëshekullore, me lehtësi mund të konstatojmë se shqiptarët asnjëherë s’ kanë qenë në pozitë më të mirë politike e kombëtare, të orientuar thelbësisht nga Evropa dhe SHBA. Sot Shqipëria është në NATO  dhe kandidate për t’ u bërë anëtare e plotë me të drejta të barabarta me vendet e Bashkësisë Evropiane. Në anën tjetër, Kosova, e cila deri në vitin 1999 ishte e robëruar, fitoi lirinë, ndërsa më 2008 u bë shtet i pavarur dhe sovran, e sigurt për të ardhme evropiane dhe në rrugë për të hyrë në NATO. Mendoj se Tirana dhe Prishtina  duhet të punojnë më shumë për një pozicion më të fortë politik e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi. Prandaj sot shqiptarët ndodhën krejt ndryshe nga e kaluara e tyre e hidhur historike, duke i hapur vetes  perspektivë, mirëqenie sociale, forcim të demokracisë në frymën evropiane, euro-atlantike, në një hapësirë të përbashkët, me kufij të hapur integrues. Sot, 100 vjet pas, shqiptarët ndodhen të grumbulluar në një komb dhe në dy shtete, me një numër shumëfish më të madh të banorëve dhe me një potencial më të madh intelektual e kreativ për ta çuar kombin drejt një zhvillimi e integrimi evropian. Në rrethana tjera gjeo- politike, shqiptarët mund të jetojnë në një shtet të vetëm etnik. Jam i sigurt se koha po lëviz në anën tonë.

Të gjithë e dimë se pa mbështetjen e SHBA-ve ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Pra, shumë mrrekulli ndodhen për shqiptarët në këtë relacion miqësie me Washingtonin. Dhe mu për këtë arsye, shqiptarët kanë një dashuri të thellë ndaj Amerikës, tash e 100 vjet. Ky shtet i fuqishëm na ka mbështetur në ditët më të vështira të ekzistencës sonë, kur të tjerët përpiqeshin të na fshinin nga Ballkani. Në vendosjen e lidhjeve dhe forcimin e kësaj miqësie me SHBA, merita më e madhe u takon shqiptarëve të Amerikës, si më parë, ashtu edhe sot.

Në fund të këtij shkrimi, dua të them një konstatim : Ne, kurdoherë, si sot ashtu edhe në të arshshmen, duhet të përkujtojmë sakrificën e popullit tonë për liri dhe kjo sakrificë duhet të jetë motiv i vazhdueshëm që të ecim përpara si komb dhe në asnjë mënyrë të mos lejojmë që tragjeditë e së kaluarës të na kthehen.

* Harry Bajraktari

New York

10 Prill 2013

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria

 

Filed Under: Histori Tagged With: genocidi, harry bajraktari, i ushtrise dhe xhamdarmerise, mazeze, ne Lug te Baranit

Në Michigan përkujtohet 102 Vjetori i Kryengritjes së Malësisë

April 11, 2013 by dgreca

Nga Pjeter Jaku/

Para se të vinim te mbrëmja

Në Bibkliotekën e Kishës së Shën Palit, e cila  dalngadalë po merr profilin e një biblioteke funksionale me shtimin e rafteve dhe fondin e librave, Don Fran Kola kishte thirr një drekë në nderim të mysafirve të ardhur për Kryengritjen e Malësisë. Veç të ftuarve kryesorë, tëcilët  do përmenden në këtë shkrim për pjesën e  aktivitetit kryesor, kishte edhe aktivistë të njohur nga komuniteti shqiptar në Michigan, si Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Michigan, Ekrem Bardha, Kryetari i Degës së Vatres për Michiganin, Pishtari i Demokracisë Alfons Grishaj,Kryetari i Shoqates “ Malësia e Madhe” Pashko Gjokaj, aktivistë të njohur Julian Çefa, Kujtim Qafa, Toni Jynçaj, Donika Bardha, bisnesmeni Paulo Shkreli, Mondi Rakaj, Petrit Doda etj. Gjatë drekës biseda u përqendrua në problemet e komunitetit si dhe në ato të vendit prej nga vijmë. Forma bashkëbiseduese  qe më shumë afër  njëdialogu të Ambasadorit me të pranishmit, i cili mori pyetje dhe sugjerime nga Dr. Gjon Buçaj, Kryetari Ballit, Adriatik Alimadhi, Don Fran Kola, Konsulli i Nderit Ekrem Bardha, Kujtim Qafa, Alfons Grishaj, Donika Bardha e ndonjë tjetër.

Mbrëmja festive

Të dielen me  07 Prill 2013, në Sallën “ Gjergj Kastrioti” të Qendrsë së Shën Palit, nga ora 7:00 Pm deri afer ores 01:00 Am u përkujtua 102 Vjetori i Kryengritjes së Malësisë, një nga ngjarjet më të njohura të historisë tonë. Mbrëmja festive nëpërkujtim të kësaj ngjarje ishte nën kujdesin e Shoqatës  Patriotike-Atdhetare “ Malësia e Madhe” dhe Këshilli i Kishës së Shën Palit. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryetari i Shoqatës, Pashko Gjokaj, pasi më parë kishin hyrë flamurtarët, në krye të të cilëve printe veteranii njohur Vasel Ujkaj, pas   hymneve të flamujve Shqiptar dhe Amerikan, që u interpretua nga e njohura Ermelinda Paparisto, dhe pas mbajtejes së një minuti heshtjeje në kujtim të rënëve në këtë betejë.

Mbrëmjen përkujtimore e nderonin me pjesëmarrjen e tyre: Ambasadori i Shqipërisë në Amerikë, Gilbert Galanxhi me zonjen e tij si dhe  atashetë ushtarak Albert Mullai dhe Everest Haxhi, Konsulli i Përgjithshëm në Amerikë, Dritan Mishta me zonjen e tij, Kryetari i Federatës Panshqiptare “ Vatra”, Dr. Gjon Buçaj me zonjën e tij, Kryetari Ballit Kombëtar Shqiptar, njëkohëshëm Zevendës Ministër i Transporteve të Republikës së Shqipëris, Adriatik Alimadhi me një ekip të partisë së tij, etj… Nga përsonalitetet  amerikane ishin Majori i qyetit Sterling Heights dhe menxheri i Shelby Township.

Pas fjalës së mirësardhjes përshëndeti Don Fran Kola, famullitar i Kishës së Shën Palit dhe , Dom Ndue Gjergji nga Kisha katolike “ Zoja Pajtore” në Michigan. Don Fran Kolaj pasi falenderoi pjesëmarrsit  në përkujtim të kësaj ngjarje historike dhe bekoi darken, ndër të tjera tha:

“Nuk janë malet e vrazhda, as jeta e vështirë, që e bëjnë malësorin në veçanti, e shqiptarin, në përgjithësi, guximtar e të fortë. Jane virtytet e Nderit,Burrerise,Beses,Urtise,Drejtesise,Bujarise, Trimërisë dhe Mikpritjes, që ia forcon zemrën, ia mbush syrin me shkëndija e shpirtin me guxim, aq sa të mos i trembet asnjë armiku, asnjë rreziku, as luftës, as gjakut, as vdekjes! Pra, jane virtytet qe ia mbajnë njeriut moralin lart ne çdo rast;e bëjnë krenar,e nxitin t’i besoj vetes dhe t’i beje ballëçdo së keqeje.”

Gërshetimi i programit muzikë dhe përshendetje ishte realizim i bukur, sidomos me vallet e fëmijeve interpretuar mjeshtrisht prej tyre nga puna e koreografes së njohur, Joli Paparisto. Fjalën kryesore për këtë ngjarje historike e mbajti Lekë Camaj, malësor përndryshe me banim e  punë në Kosovë, një nga shqiptarët e nderuar në lidhje me çeshtjen e Kosovës, të cilin serbët e kishin pasur gjithëmonë në shenjester.

Ai i dhuroi Shoqatës “ Malësia e Madhe” një  vepër arti ( pikturë), ku ishin portretet e Dedë Gjo Lulit dhe Kolës ( të birit), realizuar sipas një fotoje të Marubit.Takimin e përshendetën Ambasadori Galanxhi, Kryetari i “Vatrës” Dr. Buçaj, Kryetar i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, Majori i qytetit Sterliung HTS, menaxheri iShelby Twp.

Simon Sinishtaj recitoi një fragment nga “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës, ndërsa në fund folën edhe Lulash Palushaj e Rrok Doka Junçaj. Përkujtimi i ngjarjeve të tilla, sidomos për brezin e ri,është me të vërtetë arritje e edukimt atdhetar në  diasporë, kjo më së shumëti meritë e qendrave fetare dhe veçanërisht qendres së Shën Palit, e cila ka marrë rolin kryesor në këtë fushë të rëndësishme. Nuk ka asnjë aktivitet, duke përfshirë edhe dasmat e ditëlindjet, aktivitetet kulturore, ngjarjet historike, deri tek takimet në dukje jo të kësaj rëndësie, që në këtë qendër të mungoi Flamuri, kënga patriotike, vallja e bukur shqiptare e deri tek pijet e gatimet tradicionale të një cilësie shumë të mirë.

    ***

Fjala përshëndetëse e Ambasadorit të  Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gilbert Galanxhi

 I nderuar z. Pashko Gjokaj

President i shoqatës shqiptaro-amerikane “Malësia e Madhe”

I nderuar Don Fran Kolaj

Drejtues i komunitetit katolik të Kishës së Shën Palit

I nderuar z. Ekrem Bardha

Konsull i Përgjithshëm Nderi i R.Sh. në Michigan

Të nderuar pjesëmarrës dhe të ftuar,

Motra dhe Vëllezër,

Ju sjell përshëndetjet më të përzemërta dhe vlerësimet më të larta

të qeverisë shqiptare dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme të sapoemëruar

z. Aldo Bumçi, për punën e palodhur dhe përkushtimin

shembullor në ruajtjen e historisë, traditave, gjuhës e kulturës sonë

të lashtë.

Gjithashtu, më lejoni t’ju falenderoj nga zemra për mundësinë që

më krijuat mua dhe bashkëshortes time, si dhe stafit të

Ambasadës, për të marrë pjesë në këtë ceremoni përkujtimore,

mbresëlënëse dhe kuptimplotë, në përvjetorin e 102-të të

Kryengritjes së Malësisë së Madhe – djepit dhe kështjellës së

shpirtit liridashës të kombit shqiptar.

Ashtu siç është cilësuar nga shumë studiues, patriotë e shtetarë,

Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte preludi i Pavarësisë, ishte

kushtrimi mbarë-shqiptar i brezave liridashës për t’i dhënë fund një

herë e mirë pushtimit dhe zgjedhës otomane; sa bukur e ka

përshkruar At Gjergj Fishta këtë kushtrim:

“Se me sodit emni i Zotit,

Ç’ka jemi nipa t’Gjergj Kastrioitit,

E shqiptarë që i thom na vetit,

Ma duva nuk i mbajmë mbretit”.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot ne përkujtojmë me nderim të thellë emra fort të ndritur që i

dhanë jetë, gjak e motiv Kryengritjes; përkujtojmë Dedë Gjo Lulin,

Mehmet Shpendin e Isa Boletinin, Çun Muçën e Baca Kurtin, Ndue

Gjonin e Hilë Mosin, Risto Siliqin e Luigj Gurakuqin, e shumë e

shumë të tjerë që me pushkë e penë gdhendën historinë e lirisë;

nderojmë Grudën e Hotin, Kastratin e Shkrelin, Plavën e Gucinë,

Kelmendin e Tuzin, Shkodrën e Nën-Shkodrën, që ndezën

shkëndijën e lirisë për gjithë Shqipërinë.

Lavdi të përjetshme të gjithë këtyre emrave pishtarë për Lirinë e

Pavarësinë e Kombit Shqiptar!

Në 24 mars 1911, burrat e burrneshat e Malësisë së Madhe ndezën

shpresën e shqiptarëve që Flamuri i Kastriotit të valëvitej sërish i

lirë mbi çdo oxhak shqiptar; që gjuha jonë e lashtë dhe e bukur

shqipe të flitej e shkruhej në çdo cep të trojeve shqiptare; që një nga

popujt më të lashtë të Ballkanit, populli shqiptar, të kishte shtetin e

vet, të lirë e të pavarur.

Historia dëshmoi se përpjekja titanike e filluar në 24 mars 1911 i

dha zemër gjithë trojeve shqiptare, që njëra pas tjetrës bashkuan

zërin, mendjet, pushkët e gjakun, për të kurorëzuar në 28 nëntor

1912 shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Për të ndeuar historinë, më lejoni të falenderoj Kishën Katolike

Shqiptare për kontributin dhe rolin e pamohueshëm historik në

dobi të kësaj kryengritjeje, por edhe të pavarësisë së Shqipërisë në

tërësi. Mendjet e ndritura dhe patriote të klerikëve katolikë

shqiptarë të kohës, me vetëdije e largpamësi, me qartësi politike dhe

diplomaci bashkëkohore, arritën të ngrihen mbi interesat e një

grupimi fetar për t’i dhënë jetë idealit shumë-shekullor të mbarë

kombit shqiptar që kurrësesi nuk mund të hiqej nga kujtesa

kombëtare shqiptare, idealit që jetonte për çdo shqiptar në Heroin

tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në sallën e të cilit

edhe sot jemi mbledhur.

Të nderuar pjesëmarrës,

Historia ka treguar dhe vazhdon të tregojë se shqiptarët kurrë nuk

kanë bërë as edhe një luftë të vetme pushtuese; në të kundërt, ndër

shekuj kanë luftuar vetëm për lirinë dhe nderin e tyre. Nuk është e

rastit që Zoti e bekoi kombin shqiptar me Nënë Terezën, nënën

shenjtore shqiptare që e nderon mbarë njerëzimi. Ndër shekuj kemi

pasur dhe vazhdojmë të kemi heronj, të shpatës, pushkës e penës,

por mbi të gjitha, të fjalës së Zotit.

Vëllezër e Motra,

Jemi krenarë që jemi shqiptarë, sepse kemi me Çfarë dhe me Kë të

krenohemi. Sot, të mbledhur këtu në këtë sallë të shenjtë, me

mijëra kilometra larg trojeve shqiptare, në këtë vend të bekuar që

quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi që të gjithë

dëshmitarë se dashurinë për Atdheun e mbajmë të gjallë, se

zakonet, gjuhën, traditat e kulturën shqiptare kemi ditur ta

përcjellim nga njeri brez tek tjetri, se patriotizmin shqiptar dimë ta

mbajmë gjithmonë ndezur dhe do ta trashëgojmë tek brezat që do

vijnë, në trojet shqiptare, por edhe kudo ku shqiptarët jetojnë e

punojnë.

Zoti ju bekoftë!

Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diasporën

shqiptare që jeton e punon këtu!

I përjetshëm qoftë emri dhe kujtimi i Heronjve të Kryengitjes së

Malësisë së Madhe!

Ju faleminderit.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 102 vjetori, i Kryengritjes se malesise, ne Michigan, Pjeter Jaku

TE PERNDJEKURIT KERKOJNE KOALICION TE FORCVE TE DJATHTA ME FRYMEN E RE DEMOKRATIKE

April 11, 2013 by dgreca

Deklaratë e të përndjekurve politikë/

Ne, përfaqësuesit e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Shoqatës së të Përndjekurve Kulakë të Shqipërisë, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë “Musine Kokalari”, Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë “Osman Kazazi” të mbledhur sot, më datën 10 prill 2013, pasi shqyrtuam situatën politike në të cilën po kalon vendi ynë, dolëm me përfundimet e mëposhtme:

1. Në kuadrin e fushatës elektorale, që sapo ka filluar, duke ndjerrë rrezikun e propagandës denigruese të forcave të majta, u bëjmë thirrje partive të koalicionit të forcave të djathta të udhëhequra nga Partia Demokratike dhe drejtuesve të Partisë Fryma e Re Demokratike, të hedhin pas krahëve mosmarëveshjet e deri tanishme dhe të bashkohen në një koalicion të vetëm, për një fitore të bujshme të së djathtës shqiptare, në shërbim të demokracisë dhe integrimit europian të vendit.

2. U bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë të bashkohen me këtë koalicion të madh të forcave të djathta, në të mirë të kombit dhe të atdheut.

Nënshkruar

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve                Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të

Politikë Demokratë të Shqipërisë                                       Përndjekurve  Politikë

Simon   Mirakaj                                                 Besim   Ndregjoni

 

Shoqata e të Burgosurve politikë                               Shoqata e të Përndjekurve Politikë

të Shqipërisë                                                         Kulakë të Shqipërisë

Tanush   Kaso                                                             Vllas   Arapi

 

Shoqata e të Përndjekurve Politikë                           Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të

“Musine Kokalari”                                                       Përndjekurve Politikë

Agim   Musta                                                                   Adem   Hallçi

 

Shoqata e të Përndjekurve Politikë

“Osman Kazazi”

Ylli Kondi

SHENIM I DIELLIT: Kjo eshte deklarata e grupimeve te te perndjekureve politike. E dergoi per Diellin z. RESHAT KRIPA

Filed Under: Kronike Tagged With: Deklarata e te perndjekurve politike, i frontit te djathte, koalicion, me FRPD

Thoma Nassi: Mbesa: U la në hije se i bëri himn mbretit Zog

April 11, 2013 by dgreca

Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Federata “Vatra” organizoi me 11 prill aktivitetin “Banda muzikore ‘Vatra’, bërthama e lindjes së QFKFA” në ora 11:00, në ambientet e QKMBM/

Nga Fatmira Nikolli/

E pres me gëzim këtë aktiv itet për stërgjyshin tim. E kanë lënë shumë kohë në harresë, vetëm sepse ai i bëri një himn mbretit Zog”. Kështu shprehet në një prononcim për “GSH”, Shpresa Stefani Nassi, pinjolle e Thoma Nassit, njeriu që themeloi bandën e parë muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. Sot, ky personalitet do të dekorohet nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me titullin “Për shërbime të shquara” në një aktivitet të posaçëm. E pyetur nëse ruan në shtëpi ndonjë objekt të themeluesit të bandës, znj. Nassi përgjigjet negativisht. “Unë e kam dëgjuar shumë vonë emrin e tij. Ime më nuk fliste për të, sepse ai kishte bërë një himn për Zogun dhe nuk e donin në kohën e komunizmit”, tregon ajo. Sipas Shpresës, ndonëse vlerat e Thoma Nassit kanë qenë të mëdha, në diktaturë emri i tij nuk qe fort i dashur. “Vetëm në vitin 1975, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të kohës ka bërë një aktivitet përkujtimor për të, por që nuk pati jehonë. Në këtë takim pat marrë pjesë im atë, por ai ka vdekur tashmë dhe nuk di t’iu them më shumë”, – shprehet me keqardhje Shpresa, që vetëm para disa vitesh ka zbuluar rrënjët e saja. Ajo shton se nuk ka foto të paraardhësit, as objekte të tijat, madje nuk ka as rrëfime të gjyshërve për Thoma Nassin. Në statusin e pasardhëses ajo do të mbajë një fjalë të shkurtër, vetëm për të falenderuar që emri i të parit të saj po del nga arkivat, pasi sipas Shpresës, ne kemi nevojë për kujtesë dhe për emra të tillë. “Stërgjyshi im, Thoma Nassi, nuk e mori kurrë atë që meritonte. Aktiviteti i sotëm le të shërbejë për diçka: t’ia përngjallë emrin e harruar dhe ta bëjë të njohur tek të rinjtë, meqë për shumë kohë u shua”, përfundon zonja Stefani-Nassi.
Himni 
Por cila është historia e himnit të famshëm? Muzikologu Vaso Tole, sqaron se Thoma Nassi e shkroi atë në vitin 1925. “Në fillim mbante emrin ‘Marshi i kryetarit’ dhe në vitin 1928 kur Shqipëria u shpall mbretëri, ‘himni’ ishte gati. Nassi e pat shkruar kur Zogu ishte president”, – sqaron Tole. Ai shton se vlen të theksohet fakti që bërja atij marshi himn mbretëror, u përdor nga Zogu si një mjet kulturor për të evidentuar trashëgiminë e tij mbretërore. “Për të mos qenë i detyruar që të rrëzojë himnin kombëtar, e mbajti si atë muzikë dedikuar atij si himn mbretëror. Është e rëndësishme të theksohet se himni mbretëror nuk parashikohej në asnjë dokument ligjor, por pranohej dhe luhej si i tillë në Shqipëri”, deklaron Tole. Muzikologu tregon për “GSH” se Zogu kishte miqësi të afërt me Thoma Nassin sepse banda “Vatra” mbas 5 vitesh qëndrimi në Korçë 1920-1925, u soll në Tiranë nga Zogu, për ta bërë atë bandë presidenciale të shtetit shqiptar. “Është ky momenti që Nassi shkroi ‘Marshin e kryetarit’ dhe është po ashtu edhe çasti i institucionalizimit të të parit formacion muzikor me status shtetëror qendror. Mbasi u bë bandë presidenciale dhe me shpalljen e Shqipërisë mbretëri, banda ‘Vatra’ u bë bandë mbretërore”, tregon Vaso Tole. Sipas muzikologut, djali i Thoma Nassit, Alberti, më 1944 vritet në frontin e luftës kundër pushtuesve gjermanë, si pjesë e ushtrisë amerikane.

Aktiviteti /

Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Federata “Vatra” organizojnë sot aktivitetin “Banda muzikore ‘Vatra’, bërthama e lindjes së QFKFA” në ora 11:00, në ambientet e QKMBM. Qëllimi i këtij aktiviteti është nxjerrja në pah dhe rëndësia e krijimit të bandës “Vatra” si pararendëse e bandës kombëtare të shtetit shqiptar dhe Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura të RSH. Me këtë rast do të çelet një ekspozitë me fotografi të kësaj bande dhe të tjerave muzikore në Shqipëri. Më tej, mbahet një “Akademi Përkujtimore”, ku përshëndesin kryetari i federatës, Dr. Gjon Buçaj dhe mbesa e Thomas Nassit, znj. Shpresa Stefani- Nassi, në emër të familjarëve dhe shoqatës “Dardha”. Ceremonia do të vijojë me dekorimin për themeluesin dhe drejtuesin e bandës “Vatra”, z.Thomas Nassi dhe bandës muzikore “Vatra”, nga ministri i Mbrojtjes. Për nder të Nassit do të mbajnë kumtesa, Prof. Ethim Dodona, Frederik Stamati, Koço Gjipali dhe Ariola Prifti. Programi parashikon edhe një Mini-koncert të Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura.

Kompozitori

Thomas Gregor Nassi ishte instrumentist, dirigjent dhe kompozitor, një ndër themeluesit e jetës koncertore dhe të edukimit muzikor në Shqipëri. Lindi në Dardhë të Korçës më 23 mars 1892. Familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 6 maj 1910 në bordin e anijes “Patris”. Nga viti 1916 deri në vitin 1918 vazhdoi studimet në Konservatorin e Muzikës, New England në Boston, Massaçusetts, duke u diplomuar në veglën e flautit. Gjatë asaj kohe, ai interpretoi me orkestrën simfonike të Bostonit si flautist dhe dirigjent ansamblesh. Krahas saj mori pjesë aktive në interpretimin e muzikës liturgjike për Kishën Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1916 organizoi korin e parë të Katedrales Saint George, në jug të Bostonit, Massaçusetts; në vitin 1917 organizoi korin e Kishës Ortodokse, në Natick, Massachusetts. Në shtator të vitit 1917, ai organizoi dhe themeloi bandën parë shqiptare-amerikane “Vatra” në Worcester, Massaçusetts. Në vitin 1918, hyri në ushtrinë amerikane dhe u bë lideri i një bande ushtarake, në kampin Devens, Massaçusetts. Më 15 gusht 1918 ai bëri kërkesë për t’u bërë zyrtarisht qytetar i Shteteve të Bashkuara, në kampin Devens dhe profesioni i tij aty ishte “Ushtar Muzikant”. Thomas Nassi u bë zyrtarisht qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 20 shtator 1919. Në vitin 1918 ai u martua me Olympia Berishi Tsika, një këngëtare e talentuar, e cila emigroi në vitin 1916 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po nga fshati Dardhë. Djali i tyre Albert P. Nassi lindi në Masaçusets, më 26 tetor 1919 dhe vajza e tyre Madeline J. Nassi lindi po në Massaçusetts, në tetor 1920. Thoma Nassi lirohet nga ushtria amerikane në vitin 1920 dhe po në atë vit ai së bashku me bandën “Vatra” vjen në Shqipëri për të mbështetur “Luftën e Vlorës”. Bashkë me të vjen dhe familja e tij: bashkëshortja Olimpia dhe dy fëmijët e tij. Pas fitores së “Luftës së Vlorës”, banda “Vatra” udhëtoi në gjithë Shqipërinë e Jugut dhe u vendos në Korçë në vitet 1920-1925 dhe në Tiranë më 1926. Thomas dhe Olimpia Nassi organizuan sistemin shkollor të muzikës në Shqipëri dhe jetën muzikore të Korçës. Fëmija i tyre i tretë, Carmen Nassi A, lindi në Korçë, Shqipëri, në vitin 1923. Thomas Nassi u largua familjarisht nga Shqipëria në vitin 1926. Ata mbërritën në Portin e NeW York-ut, në bordin e anijes SS Duilio, më 23 maj 1926. Në vitin 1930, familja jetoi në Massaçusetts, aty ku Thomas Nassi krijoi edhe “Shkollën e Muzikës Nassi”. Vdiq në Orleans, Massaçusetts, më 24 dhjetor 1964 dhe u varros në varrezat e Orleans, pranë gruas së tij Olimpia dhe djalit Albert, rënë në betejë si pjesëtar i ushtrisë amerikane, gjatë Luftës së II-të Botërore.(Kortezi:Gazeta Shqiptare. Shkrimi u dergua per Diellin)

Filed Under: Kulture Tagged With: banda e vatres, Fatmira Nikolli, Thoma Nassi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT