• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

VATRA: “Një jetë të tërë, në shërbim të Kombit”!

April 29, 2013 by dgreca

*Punimet e KUVENDIT TE VATRES ne raportimin e gazetarit BEQIR SINA/

– Shoqata PanShqiptare VATRA mbajti Kuvendin e saj në Nju Jork – Kryetar i ri u zgjodhë Dr. GJON BUCAJ/

YONKERS NEW YORK : Hapja e Kuvendit të Fderatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, u bë nëpërmjet një përshëndetje të posaçme të derguar nga Kryetari i Nderit, i kësaj shoqate shqiptare, fatlume, zoti Agim Karagjozi,  i cili, është tërhequr për asrye të forta shëndetësore. Zoti Agim Karagjozi, gjithashtu është shpall kryetar nderi i përjetshëm i Vatrës, titull, që deri tani i është dhënë vetëm të ndjerit Anthony Athanas.

   Në këtë Kuvend, morën pjesë dhjetra delegatë, dhe mysafirë të nderuar dashamirë të Vatrës, nga Nju Jorku, dhe zona e “Tri Shteteve”, Detrioiti, Uashingtoni, Florida, Bostoni e të tjerë. Kuvend i 27 prill 2013, në Yonkers New York, u mbajt 20 vjetë mbasi inxhinier Agim Karagjozi u zgjodhë kryetar, detyrë të cilën e kreu me një vullnet dhe përkushtim të pashoqë, deri në dorëheqje. 

     Mbas zgjedhjes së Komisionit prej tre vetësh, për verifikimin e kredencialeve të delegatëve, Kryetari i Kuvendit të Vatrës, u votua zoti Asllan Bushati, sekretar u zgjodhën Mondi Rakaj dhe Naze Veliu, të cilët ndoqën dhe procedurën e këtij Kuvendi në bazë të Kanunores së shoqatës VATRA.

      Më pasë u kënduan Hymnet kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtaria e mirënjohur Merita Halili, lujtur në firsamonik nga mjeshtri i fisarmonikës Raif Hyseni. Kurse, udhëheqësi i këtij Kuvendi, kryetari i saj, zoti Aslan Bushati, kërkojë që me një minutë heshtje të pranishmit të nderonin të gjithë të rënët e Kombit amerikan dhe të Shqipërisë.

     Ministri i Diasporës së Kosovës, zoti Ibrahim Makolli, duke i uruar punë të mbarë këtij Kuvendi, tha se Vatra ishte adresa e vetme që u drejtuan shqiptarët, prej kolonive të para dhe ishte institucioni i vetëm shqiptarë në botë që mbajti gjallë frymën kombëtare., Sot ne kemi nderin të kujtojmë të gjithë atat Vatranë, veprimtarë dhe aktivistë të çështjes tonë kombëtare, që nuk janë më në mesin tonë. Të kujtojmë, dy kolosët e Vatrës, Nolin e Konicën, të cilët më mirë se secili tjetër shqiptarë, e jetësuan thënjën në praktikë të rilindasve tanë, “Një jetë të tërë në shërbim të Kombit”.

     “Vatra dhe vatranët e vunë një jetë në shërbim të kombit, theksoi në fjalën e tij ministri Makolli dhe prandaj ne sot duke iu faleminderuar gjithë këtij kontributi të madh, kemi shënuar 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptarë, dhe kemi shënuar  gjithashtu edhe 14- vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 5 vjetorin e pavarësisë së saj.

     Në fund zoti Makolli ka shtuar se Vatra paraqet një pjesë të realizmit të idealit të vatranëve, të atyre të cilëve asnjëherë nuk pushuan në drejtim të realizmit të idealit të tyre kombëtar, rilindasëve tanë dhe Lidhjes Shqiptare të Prizerenit – me lejtmotivin e tyre: ” Një Komb dhe një Qëndrim”.

    Asambleisti i parë dhe i vetëm shqiptarë në Amerikë, zoti Mark Gjonaj, duke përshëndetur Kuvendin e Vatrës, urojë që Vatra të punojë mbas këtyre 100 vjetëve edhe për një jetëgjatësi tjetër 100 vjeçare.

     “Unë, tha zoti Gjonaj si shqiptarë dhe si një Vatran i mirë, e kam përkrahur dhe do të përkrah Vatarën për rolin dhe kontributin e saj, në vite për çështjen tonë kombëtare, dhe kërkojë nga ju të gjithë vatranët që së bashku me ne të mendojmë seriozisht për të ardhmen e Vatrës, për vazhduar veprën e atyre burrave dhe grave që u dedikuan gjatë gjithë kësa kohe për Kombin tonë”.

    “Vatra me vite të tëra u shëndërrua me të vërtet në një “Vatër zjarri” u shpreh në fjalën përshëndetëse, Ambasadori Bekim Sjediu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, atë të përpjekjeve të mëdha dhe të parreshtura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që bënë shqiptarët, prej themelimit të saj. Ajo, u gjend në ditët më të vështira për kombin tonë, atëhere kur mungonte shteti shqiptarë, dhe udheheqësit e parë të saj Noli, Konica, Peci, Koçi, Vasili, Çerkezi, e shumë të tjerë, i prinë çështjes tonë, në SHBA”

    Ambasdori Sejdiu, vuri në pah se Vatra qëndron sot si simbol i përpjekjeve të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i dalë zot shqiptarëve në trojet e tyre dhe atdheun e tyre. Për më tepër, tha ai, Vatra, vazhdon të mbetet një shtyllë, që ka edhe një simbolik të veçantë, përsa i përket përpjekjeve të shqiptarëve të Amerikës, për t’i ruajtur vlerat e traditat tona kombëtare në diasporë.

      ” Duke shfrytëzuar rastin, tha Sejdiu, i bëjë thirrje Vatrës, dhe nëpërmjet saj në këtë Kuvend edhe organizatave të tjera, në SHBA, që veprimtarinë e tyre, le t’a përqendrojnë tash e tutje, tek brezat e ri, shqiptaro – amerikanët e rinjë, ata që bartin tek këta virtytet dhe vlerat tona kombëtare, ata që bartin edhe atë përkrhajen e madhe, që i erdhi kombit shqiptarë, në ditët më të vështira nga përtej Atlantikut, dhe këndej – qoftë nga shqiptaro amerikanët, edhe nga SHBA, nga ky vend i madh dhe mik i madh i Kosovës dhe Shqipërisë, ” ka përfundur fjalën e tij – përshëndetëse ambasadori Bekim Sjediu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork.

      Kuvendin e Vatrës e përshëndeti edhe Konsulli i Përgjithëshëm i Shqipërisë në Nju Jork, zoti Dritan Mishto, i cili tha se “Ato thinjat e juaja mbi kokë, janë energjia dhe puna e madhe që keni bërë ju dhe të gjithë vatranët prej themelimit të saj – I dëshirojë punë të mbarë këtij Kuvendi të madh dhe suksese në të ardhmen, tha zoti Mishto.

     Zoti Hafiz Shala, një veprimtari i njohur, dhe anëtari i Bordit të Drejtorëve të Lidhejs Qytetare Shqiptaro Amerikane -LQSHA, e quajti përvilegj dhe nder, që ai po e përshëndetëte në këtë Kuvend të shoqatës Vatra, në emër të LQSHA, lobit të parë shqiptarë në Amerikë, dhe të vetëmit dedikuar çështjes kombëtare dhe presidentit të saj Joe Dioguardit, si u shpreh ai.

    Zoti Idriz Lamaj lexoi një mesazh nga z. Mal Berisha, Anëtar Nderi i Vatrës, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Londër, autor i botimit mbi jetën dhe veprën e Amerikanit “Charles Telford Erickson, mik i madh i shqiptarëve”. Kuvendin e Vatrës e përshëndeti gjithashtu edhe  nga Shoqata Kombi në Massachusetts, zoti Artu Vrekaj, iniciatori për krijimin e degës së Vatrës në këtë shtet.

      Kuvendin e Shoqatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, e përshëndeti edhe Mayori i Qarkut të Yonkersit, zoti Mike Spano, dhe asambleistia e Nju Jorkut, Shelley Mayer, dhe miku i madh i shqiptarëve në kongresin Amerikan, Eliot Engël.

      Seanca e parë e Kuvendit të Vatrës, vazhdoi punën e saj me leximi i mesazheve përshëndetëse:  Dega Washington DC, Znj. Merita Bajraktari-McCormack( u lexua në mungesë), Dega Michigan, z. Alfons Grishaj; Dega Hudson Valley, z. Elmi Berisha; Dega South Florida, z. Kolec Ndoja, Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu; Dega Queens, NY, dr. Skender Myrtezani; Dega South Westchester, NY, z. Nick Markolaj; Dega Neëburgh, NY, dr Nexhat Kalici.

 Më pasë u lexua  raporti i kryetarit dorëheqës, Dr. Gjon Buçaj

      Një Raport mbi gjëndjen financiare u mbajtë nga Arkëtari i deritanishëm, z. Deni Blloshmi ndërsa Raporti i tjetër i përgjithëshëm, u mbajt nga Kryetari i Fondacionit “Vatra Foundation, Inc.”, Dr. N. Kalici. Kurse, Raporti i Fondit të Studentave “Vatra Educational Foundation” u mbajt nga z. Mithat Gashi dhe Raporti i i Editorit të gazetës “Dielli”, z. Dalip Greca, mbylli punën e Seancës së parë.

 Seanca e dytë:

      Me shpalljen e dy kandidaturave, atë të kryetarit të dorëhequr, dr Gjon Buçaj, dhe oponetit të tij – Nick Markolaj, kryetar i degës së Westcheterit, u shpalosën pikpamjet e tyre për Vatrën, dhe u folë gjerësiht  për të ardhmen e Vatrës, në kushtet e një zhvillimi dhe përparimit të saj bashkëkohor, me qëllim që Vatra të forcohet edhe me shumë, duke ia besuar të ardhmen e saj, brezit të ri, të shkolluar dhe edukuar në SHBA, intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve në diasporë.,

     Rradhët e Vatrës u tha në Kuvend, duhet të mbushen me të rinjët shqiptarë në Amerikë, që duke ndjekur rrugën e vatranëve, të vjetër, të cilët duhet të jenë në krye të saj dhe flakadani i Vatrës 100 vjeçare. kësaj shoqate që lindi pak më parë se pavarësia e Shqipërisë.

       Kreu i Vatranëve në veri të Nju Jorkut, zoti Markola, bëri një prezantim jashtëzakonisht të shkëlqyer për projektin e tij, për të ardhëmen e Vatrës, me titull “Vatra nesër – VATRA Tomorrow ” nëpërmjet një video projeksioni, interesat,  duke marrë me vete një respekt dhe mirënjohje të thellë nga të gjithë delegatët e Kuvendit, por, edhe nga vetë kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili e përgëzojë Markolën, për idetë e tija për të ardhmen e Vatrës.

       Markola, tha se “në rrethanat e reja, ku kërkohet një ritëm i ri pune në përshtatje me kohën tekonologjinë dhe mënyrën e re të organizmit, për ta gjallëruar Federatën Panshqiptare “Vatra”, pikësë pari duhet për të shtuar me anëtarë të rinj dhe për të ngritur edhe më shumë degë nëpër shtete të Amerikës e Kanada, rritur anë finanaciere dhe duhet futur një frymë e re”, tha Markola.

 Më pasë u kalua në diskutimet e kryetarëve të degëve dhe anëtarve të Vatrës, të cilët dhanë dhe disa propozime per ndryshimet në Kanunoren e Vatrës.

     Në seancën e dytë të këtij Kuvendi nisi proceduar për zgjedhjen e kryetarit të ri, i cili u propozua vetë-kandidim. Me “tërheqjen” në momentin e fundit të votimit, nga Nick Markola,  Dr Gjon Buçaj, u shpall Kryetari i ardhëshëm i Federatës PanShqiptare Vatra nga Kryetari i Kuvendit të Vatrës, zoti Asllan Bushati, në mes duratrokitjeve.

       Me këtë rast Kuvendi i Vatrës, vlerësoi kontributin e dr. Gjon Buçaj, i cili realisht ka qenë një ndihmës i afërt i kryetarit Karagjozi, dhe ka kryer disa vite detyrën e nën/kryetarit të Vatrës, dhe është treguar i palodhur dhe i përkushtuar. Në këtë mynyrë Kuvendi i Vatrës, votoi unanimisht dr. Gjon Buçajn si kryetar të Vatrës, deri në Kuvendin e ardhshëm..

          Kryetari i ri Dr. Gjon Bucaj, i cili është kryetari i parë në historinë e Vatrës, i besimit katolik, vuri në dukje “vlerën e lartë të urtësisë dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të zotit Agim Karagjozi, në udhëheqjen e Vatrës”, dhe falënderoi atë dhe të gjithë vatranët për besimin që i dhanë, duke e ngarkuar me drejtimin e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm. “I vetëdijshëm për përgjegjësinë e rëndë të kësaj detyre” shtoi ai, ” e pranoj duke u mbështetur në besimin e të gjithë Vatranëve se do të punojmë edhe më shumë së bashku “.

      Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës,  në lokalin e bukur Lighthouse Restaurant – në City Island Avenue, Bronx, NY, u shtrua një darkë. Gjatë darkës u dhanë çmimet “AËARD OF MERIT” disa vatranëve, të dalluar për merita në 30 vitet e fundit.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, raport per Kuvendine vatres

KUVENDI I VATRËS U DHA FUND SUKSESSHËM PUNIMEVE

April 28, 2013 by dgreca

Ishte nje Kuvend model, ku spikati kultura dhe normat demokratike. Per postin e kryetarit konkuruan dr. Gjon Bucaj dhe kryetari i deges Westchester(South), Nick Markola/

Në shtunën me 27 prill 2013 në mjediset e hotelit Royal Regency në Yonkers, New York  zhvilloi suksesshëm punumet Kuvendi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Përveç delegatëve të zgjedhur në mënyrë demokratike sipas Kanunores së Vatrës nga vetë degët, sipas raportit një delegate për dhjetë anëtarë: dega  e Washingtonit, Michiganit, Hudson Valley, South Florida, Jacksonville Florida, Westchester South-NY, Queens, Newburgh, NY, dhe përfaqësues nga Bronx e Brooklyn-NY. Këtij numri iu bashkëngjitën edhe 16 delegatë të zgjedhur nga Këshilli i Vatrës.

Në Kuvend kanë marrë pjesë edhe Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës z. Ibrahim Makolli i shoqëruar nga drejtori për investimet në Diasporë, Naim Dedushaj, Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë z. Dritan Mishto, Konsulli i përgjithshëm i Kosovës z. Bekim Sejdiu, anëtari i Asamblesë të Shtetit të New Yorkut, z. Mark Gjonaj. Kuvendin e Vatrës e ka nderuar edhe miku i shqiptarëve Kongresisti Eliot Engel.

Kuvendin e ka hapur kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj. Ai u ka uruar mirëseardhjen delegatëve dhe të ftuarëve dhe ka propozuar si drejtues të Kuvendit z. Asllan Bushati, i cili u aprovua me votim të hapur nga salla. Pas atij momenti kryetari Buçaj, sipas Kanunores së Vatrës paraqiti dorëheqjen e tij si kryetar dhe dorëheqjen e Këshillit drejtues. Z. Bushati, kërkoi nga të pranishmit zgjdhjen e dy ndihmësve për drejtimin e kuvendit. Me propozim dhe miratim nga salla u zgjodhën juristja Nazo Veliu nga New Yorku dhe biznesmeni nga Detroiti, njëkohësisht sekretar i degës së Michiganit Mondi Rakaj.

Këngëtarja e njohur Merita Halili e shoqëruar nga Raif  Hyseni interpretuan Hymnin Kombëtar Amerikan dhe atë shqiptar. Pjesmarrësit nderuan me një minut heshtje dëshmorët e Kombit.

Kuvendin e kanë përshëndetur; Kongresisti Eliot Engell,ansambleisti i shtetit të New Yorkut Mark Gjonaj,  Ministri Ibrahim Makolli, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë Dritan Mishto, konsulli i përgjithshëm Bekim Sejdiu, përfaqësuesi i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane Hafiz Shala.

Chairmani i Kuvendit, z. Bushati ka paraqitur dhe u ka dhënë nga katër minuta kohë për të përshëndetur Kuvendin dhe për të prezantuar aktivitetin e degëve të Vatrës, kryetarëve ; Alfons Grishaj për Michigan,Kolec Ndoja për South Florida,  Edward Buçaj për Washington, Elmi Berisha për Hudson Valley, Adriatik Spahiu për Jacksonville, Nick Markola për Westchester South dhe degëve në Queens dhe Newburgh.

Studiuesi Idriz Lamaj ka percjelle nje pershendetje nje pershendetje nga ambasadori i Shqiperise ne Londer, anetar nderi i Federates Vatra, njekohesisht autor i librit “Charls Telford Erickson-Jeta dhe vepra per Shqiperine dhe ne Shqiperi”, qe do te promovohet nga VATRA me 4 maj 2013 ne Royal Regency Hotel.

Kuvendi i Vatrës ka vazhduar punimet me paraqitjen e raporteve nga kryetari i dorëhequr Gjon Buçaj, arkëtari Danny Blloshmi, kryetari i Fondit të Vatrës dr. Nexhat Kaliqi, presidenti i Fondit të Studentëve Mithat Gashi dhe editori i Diellit Dalip Greca.

Më pas u kalua në diskutime të lira rreth raporteve, ku paraqitën mendimet e tyre zotërinjët Lek Mirakaj, Zef Balaj, Chris Kirka, Naser Çobaj. Z. Bashkim Musabelliu paraqiti disa mendime e propozime per ndryshime ne Kanunore, gje qe u la per t’u diskutuar nga udheheqja e re.

Pas një pushimi dhe kokteilit në mjediset e hotelit, është kaluar në zgjedhje. Me votim të hapur  është zgjedhur sekretaria për verifikimin e mandateve e përbërë nga zotërinjët: Adriatik Spahiu, Danny Blloshmi dhe Marian Cubi. Nënëkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj paraqiti listën e delegatëve të zgjedhur.Sekretaria i propozoi Chairmanit, që delegatët e degëve të reja, të cilët nuk plotësonin kohëanëtarësimin në Vatër prej dy vitesh, sa ç’e kërkon Kanunorja, për t’u quajtur delegatë të ligjshëm duhej të votoheshin nga Kuvendi. Kryetari e hodhi propozimin në votim dhe u pranua.

Më pas Kryetari i kuvendit propozoi kalimin në zgjedhjen e kryetari. Nëse do të kishte dy a më shumë kandidatë, votimi do të bëhej i fshehtë, nëse vetëm një, votim i hapur. Kryetari i dorëhequr, z. Gjon Buçaj deklaroi rikandidimin e tij. Më pas ishtë kryetari i degës së South Westchestër, z. Nick Markolaj, që deklaroi kandidimin për postin e kryetarit.

Kandidati i ri, z. Markola, për 22 minuta ka paraqitur projektin e tij për Vatrën e nesërme, strukturën e re organizative dhe funksionimin e saj. Projekti i tij u duartrokit, ndërkohë që pati edhe oponencë e diskutime nga salla, përfshi edhe kandidatin Gjon Buçaj.

Para votimit, kandidati Markolaj, duke vlerësuar faktorin bashkues, si garanci për ecjen përpara të Vatrës, shtrirjen e saj mundësisht në të gjithë shtetet e Amerikës, duke vlerësuar edhe kontributin e dr. Buçajt për riorganizimin dhe ngritjen e  tetë degëve të reja, u dorëhoq. Salla e Kuvendit e shpërbelu zotin Markolaj me duartrokitje. Po ashtu edhe dr. Buçaj e falenderoi për aktin kandidatin. Gjithësesi kandidatura e z. Markolaj, si përfaqësues i brezit të ri, të lindur në Amerikë, tregoi vizionin e brezit të ri për Vatrën e nesërme.

Ktyetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u rizgjodh dr. Gjon Buçaj, i cili do të zgjedhë bordin e ri drejtues; dy nënkryetarët, sekretarin, arkëtarin dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Në mbrëmjen e së shtunës të 27 prillit, në restorantin piktoresk Light House të bashkatdhetarit Mark Gjonaj, anës oqeanit, u shtrua darka për delegatët dhe mysafirët, ku mori pjesë edhe Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli me bashkëpunëtorë, konsulli i përgjithshëm i Kosovës Bekim Sejdiu, ndihmësi i tij Fatmir Zajmi e të tjerë.Po ashtu ishin ftuar edhe familje të vatranëve që nuk jetojnë më, por që kanë dhënë kontribut të shquar në të shkuarën për Vatrën.

Gjatë darkës, Vatra nderoi Post Mortum me “Award of Merit”; Nexhmije Zaimi, Dr.Hamdi Uruçi, Dr. Edward Licho, Xhevat Kallajxhiu, Ing. Mahmoud Tsungu, Ramiz Dani, Arif  Neza, Abdulla Kaloshi,Petraq Ktona, Ymer Doda  dhe Rexhep Kumbarçe.

Po ashtu u nderuan me “Award of Merit”,  Ish editori i Diellit, Anton Çefa vatranët: Mustafë Elezi, Musli Mulosmanaj, Jonuz Ndreu, Hajdar Tonuzi, Tonin Mirakaj dhe Vasel Ujkaj.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Kuvendi i Vatres, u dha fund punimeve

Kategoria e pare! Lushnja kampione pret festen e titullit.

April 28, 2013 by Administrator

Lushnja-Naftëtari 2-1
GOLAT: E.Korreshi 24′, Metushi 32′/ Alushi 86′
LUSHNJA: Spaho, Sula (Dabulla 46′), Stojkoviç, H.Korreshi, Bizhyti, Topi, Gjyla, E.Korreshi, Çela, Metushi (Kulli 46′), Canka. Trajner: A.Bano
NAFTËTARI: Mema, Hoxha, Daci (Gega 46′), Kaja, Hodaj, A.Gega, Alushi, Çela, Koroveshi, Zylyftari (Azizaj 46′), Olatunji (Marini 75′). Trajner: E.Koxhaj
KARTONË TË VERDHË: Stojkoviç 44′, Dabulla 89′
GJYQTARË: H.Llapica (Vlorë), N.Bregasi, E.Velo (Durrës)
VËZHGUES: E.Kalimeri (Tiranë)
DELEGAT: D.Bastari (Tiranë)

Pasi siguroi dy javë më parë ngjitjen në Superiore, Lushnja u shpall dje matematikisht edhe kampione e Kategorisë së Parë, dy javë nga përfundimi i kampionatit. Verdhejeshilët fituan dje 2-1 ndaj Naftëtarit në Kavajë dhe tashmë kanë nisur festën, e cila do kulmojë më 11 maj në sfidën e fundit të sezonit ndaj Partizanit, kur do të ngrenë edhe trofeun. E gjithë merita shkon për shkollën lushnjare të futbollit, që nga trajneri Bano deri te kapiteni Çela. Lushnja e Sefës, Gogonit, Banos e tjerëve mbetet një emblemë e Superiores. Ekipi ka në gjirin e vet edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit deri tani, Mikel Canka, i cili është shumë pranë fitimit të “Këpucës së Artë”. Dje nuk arriti të shënonte.
Ndeshja – Lushnja ka hyrë në fushën e blertë me bindjen se do ta mundte Naftëtarin, që e ka prerë zyrtarisht biletën për në Kategorinë e Dytë. Loja ka nisur me dëshirën e verdhejeshilëve për të shënuar sa më shpejt. Rastet vijojnë njëri pas tjetrit dhe goli vjen vetëm në minutën e 24-t, kur Erlind Korreshi në hyrje të zonës lëshon një predhë të vërtetë duke e kaluar Lushnjën në avantazh. Miqtë pavarësisht dëshirës, nuk mundën dot të çanin mesfushën lushnjare ku kapiteni Gentian Çela si dikur në rininë e tij dirigjon në mënyrë perfekte lojën. Presioni lushnjar sjell edhe golin e dytë të shënuar nga Metushi, që fotokopjon Korreshin. Metushi godet nga jashtë zone dhe gjen rrjetën e Memës. Të dy trajnerët e nisin me nga dy ndërrime fraksionin e dytë. Bano fut në lojë edhe Dabullën. Ndryshe nga 45 minutat e para, miqtë reagojnë më mirë dhe Alushi e Gega duken sikur ndryshojnë manovrën sulmuese të miqve. Nga ana e tyre, lushnjarët të qetë se fitorja nuk u rrezikohej dot nga kundërshtari, mundohen të nxjerrin para portës golashënuesin Canka. Në fakt, lojtari arriti të dilte disa herë i lirë, por nuk ishte dita e tij. Kjo u pa qartë kur një prej goditjeve të tij u ndalua nga shtylla traversale. Dhe, kur lojës po i vinte fundi, 19-vjeçari Alushi i miqve kryen një veprim të bukur në zonë dhe shënon. Minutat e mbetura nuk sjellin asgjë dhe Lushnja fiton 2-1.

Bano: Merita është e të gjithëve
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Lushnjës, Artan Bano u shpreh: “Ishte një fitore e merituar, të cilën nuk e diskutuam për asnjë moment. Kjo fitore na shpall kampionë. Për këtë sukses kanë kontribuar dhe kanë meritë të gjithë, që nga kryetari i Bashkisë së Lushnjës, donatorët, fansat tanë të zjarrtë dhe lojtarët. Ndihem i lumtur që munda të kontribuoj në rikthimin e Lushnjës në Superiore. Nuk më mbetet tjetër veçse t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuan për këtë ekip. Para së gjithash, lojtarët tanë janë sjellë më shumë se profesionistë të vërtetë. Festën e vërtetë do ta zhvillojmë më 11 maj, kur do luajmë me Partizanin. Ia vlen që tifozët tanë të gëzojnë përballë një tjetër emri të madh, atij të Partizanit”.

Çela: Fitoi shkolla lushnjare
Kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela, ka një arsye më shumë për të festuar dhe u ndjerë më se i lumtur. “Sigurisht që ndihem i lumtur. Para së gjithash bëmë detyrën, duke e rikthyer Lushnjën në Superiore dhe tani u shpallëm edhe kampionë. Nëse shihni formacionin, kuptoni se grupi është ‘Made in Lushnja’ që nga porta deri te trajneri Artan Bano. Këtë e çmoj si fitoren më të madhe, shkollën lushnjare. Megjithatë, meritë kanë të gjithë lojtarët, trajneri Bano, bashkia dhe donatorët. Sigurisht që një falënderim i madh shkon për të gjithë tifozët e kësaj skuadre dhe veçanërisht për ‘Ultrasit Lagunar’. Pa ata kjo Lushnjë kurrë nuk do të ishte rikthyer në Superiore, apo të fitonte titullin kampion”.
FERIZ FERIZAJ

Filed Under: Featured

Peters: Besoj se është e rëndësishme që të vendoset zbatimi i ligjit!

April 28, 2013 by dgreca

Zgjedhjet e 23 Qershorit, lidhjet e mira të Shqipërisë me SHBA, dhe vizat në qendër të bisedës mes  Kongresmenit amerikan, Demokrati i Michiganit, Gary Peters dhe ambasadorit të Shqipërisë në Washington, Gilbert Galanxhi,/

Nga BEQIR SINA, New York/

Kongresmeni Peters mbi ngjarjet e fundit në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shqiptar, përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,” beson se kjo është e rëndësishme që të vendoset zbatimi i ligjit, i cili është për t’u ndjekur për të ruajtur legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

Washington, DC – Kongresmeni amerikan, Demokrati i Michiganit, Gary Peters u takua me ambasadorin e Shqipërisë në Washington, zotin Gilbert Galanxhi, për të diskutuar zgjedhjet e ardhshme në Shqiperi dhe çështjen e vizave të qytetarve shqiptarë, për me shumë hyrje në SHBA, për ata që kërkojnë të udhëtojnë nga Shqipëria për në SHBA.

Në këtë bisedë thuhet se ka pasur edhe një vlersim i marrdhënieve të shklëqyera shqiptaro-amerikane dhe sidomos të ngritjes së nivelit të tyre këto dekadat e fundit, të cilat kanë në qendër të bisedemive mes Kongresistit amerikanë Gary C. Peters dhe Ambasadorit të Shqipërisë në Uashington, zotit Gilbert Galanxhi.

Çka në një intervistë për shtypin shqiptarë e ka pranuar më parë edhe vetë Ambasadorii i Shqipërisë në Uashington, zotit Gilbert Galanxhi, kur ka deklaruar se:” Mendoj se përkufizimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik reflekton saktë realitetin e marrëdhënieve aktuale midis Tiranës dhe Uashingtonit. Unë mund të flas për këto dy vitet e fundit që unë drejtoj Ambasadën, gjatë të cilave intensiteti dhe cilësia e bashkëpunimit shumëplanësh është në nivele shumë të larta. Mund të them se ‘pjesën e luanit’ e zë bashkëpunimi shumë i ngushtë, i përditshëm, korrekt dhe dashamirës me Departamentin e Shtetit, dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë ekipin që trajton marrëdhëniet me Shqipërinë. Por, ju siguroj se me të njëjtin intensitet dhe cilësi bashkëpunohet me Kongresin Amerikan, me Departamentin e Mbrojtjes, atë të Drejtësisë, të Sigurisë, etj.”

 

Kurase, dje zyra e Kongresmenit demokrat nga Michigani Gary Piters, njofton se në një bised që ka pasur ai në Uashington me Ambasadorii i Shqipërisë zotin Gilbert Galanxhi është diskutuar gjerësisht rreth një temë që ka interes shumë të madh për shqiptarët, siç është ajo lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-së, pra lehtësimi i regjimit të vizave.

Në fokus të kësaj bisede kanë qenë sipas dekleratës edhe zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri, ku dy bashkëbiseduesit si pohoi edhe vetë Ambasadori Galanxhi për gazetën Bota Sot, kishin gjetur mirëkuptim të plotë.

Në dekleratën e tij për shtyp kongresisti demokrat Gary Piters, thotë se me Ambasadoriin e Shqipërisë në Uashington, zotin Gilbert Galanxhi, ata diskutuan mbi ngjarjet e fundit në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shqiptar, përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka qenë e kontestuar për shkak se një zyrtar i mbështetur nga një parti, e cila e braktisi qeverinë për opozitën u zëvendësua nga Parlamenti.

Kongresmeni Peters thekson në dekleratë se ai beson se kjo është e rëndësishme që të vendoset zbatimi i ligjit, i cili është për t’u ndjekur për të ruajtur legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

Kongresmeni amerikan Gary Peters – thotë në dekleratë se Ambasadori Galanxhi gjithashtu kërkoi mbështetje për vizat afat-gjatë, në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë drejt SHBA, pra hyrjen me viza disa vjeçare.

Kongresmeni Peters, në dekleratë mbështet përpjekjet për të lehtësuar tregtinë legjitime dhe të udhëtimeve me viza Shqipërinë, dhe do të punojë me aleatët në Kongres drejt këtij qëllimi.

Për vizat afat-gjatë, viza hyrjeje në SHBA, ai thotë se do të inkurajojë më shumë vizita në Shqipëri dhe të lejojë qytetarëve shqiptarë vizita të komuniteteve shqiptare në SHBA, për të vizituar anëtarët e familjeve për një periudhë të zgjatur kohe, me sa më pak vështirësi që të jetë e mundur.

Kongresmeni Peters shprehu falënderimet e tij Ambasadorit Galanxhi për miqësinë e tij të vazhdueshme dhe diskutimin e tyre të sinqertë të këtyre çështjeve të rëndësishme. Ata u zotuan të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku për të mbështetur marrëdhëniet shumë të mira amerikano-shqiptare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Peters dhe Shqiperia

PLANETI KOMB-Sofra Poetike e Diellit

April 28, 2013 by dgreca

Poezi nga IDAJET JAHAJ, Vlorë/

 

MBIJETESE/

 

E shtypën shekujt, po s’u shua,/

E tkurrën kohrat, po s’u dha;/

I shkuan flakët, s’u shkrumbua,/

I fruy murlani, po s’u tha./

Në dimrat mijëravjeçarë/

Në palcën e thellë e ruajti farë,/

E si feniks i vërtet’

Bulëzoi nga palca e vet.

 

Komb-feniks i vërtetë

Që vetveten rilindi

Çdo pesëqind vjet…

 

 

KOHET E KOMBIT TIM

 

Si i ndau kështu

kohët e kombit tim

natyra mëmë –

kështu si?

 

Të shkuara në varg

pambarim

si sumbullat

në tepsi.

 

Më të shumtat – të zeza,

si dënesa

por me jetë –

shkurtësi.

 

Të bardhat – të pakta,

si urata,

po me pa –

vdekësi…

 

 

VITI QEN

 

1913-ta-qen!

Kafshoi kombin në mes.

Ndau:

gjysmën e dheut,

gjysmën e gjuhës,

gjysmën e gjakut,

gjysmën e qiellit.

 

Prej njëqind vjetësh –

borë urrejtjeje,

stuhi vullkanesh,

stinë tërmetesh;

 

Gjaku pikoi

nga thelbi i zemrës,

Loti pikoi

nga syri i diellit,

por, më në fund,

shpresa ndriti

në kupë të qiellit

e u ul

si diell i urtë

në sofrën e BASHKIMIT.

 

 

 

“KODRA E DIELLIT”

(Toponim, Kosovë)

 

Dielli aty

s’ perëndoi

e s’perëndon

kurrë.

 

Që tej –

në Pellazgji –

hijeshon

si burrë…

 

 

Ç’TË THEMI MË PËR SKËNDERBEUN?

 

Me shpatë cacu qiejt

e shkroi: ARBERI!

 

Pastaj shpatën e nguli

në dheun e ylltë

e gjëmoi:

– Mbillini ulli,

mbillini ulli,

mbillini ulli!

 

E gjëmimi jehoi

shpateve të shekujve,

në përjetësi.

 

 

 

MALI I SKËNDERBEUT

 

Nuk mjaftoi një varr

për emrin e tij,

u desh edhe një mal

për të rënduar

në përjetësi.

 

 

ISMAIL QEMALI

 

Ai erdhi në një çast

udhëkryq të kombit,

të qenies,

e të mosqenies

së tij.

 

Perëndia

me dorën e tij

në dritë të flamurit

i dha rrotullimin e përjetshëm

planetit SHQIPËRI.

 

 

PLANETI KOMB

 

Pati edhe kombe,

të mëdhenj, të mëdhenj,

plot diell e kaltërsi.

 

Dhëmbi i peshkut të madh

i cacu më dy!

 

Pati edhe një komb

të vooogël, të vogël,

plot rreze, yjësi,

në një pikëz të planetit,

si zemër e tij,

thërrime, qiri,

dritë, pellazgji.

 

E ndanë më katërsh,

e ndanë më tri!

 

Kaq gjak,

kaq gjak

të ëmbël

paske pasur

SHQIPËRI?!…

 

 

GONXHJA HYJNORE

– Nënë Terezës –

 

Fytyra – plot rrudha –

bukë hyjnore,

 

Flakë Jezusi,

Globi në shami.

 

Kurrizi-kërrusur

mbi shpirtësi,

 

Planetin e leu

me mirësi;

Dhe i thoshin GONXHE,

Dhe i thoshin BOJAXHI!

 

Dhe i thoshin GONXHE,

e lokes Shqipëri.

 

 

AKOMA, AKOMA

Ç’TI JAPESH BOTES?

 

I dhe botës,

Strategun e lashtësisë – Pirron,

Mburojën e Krishtërimit – Skënderbeun,

Mësuesin e Kopernikut – Tomeun.

 

… Shekspirianin tronditës – Moisiun,

Genin rrezatues – Migjenin,

Cilindrin e artë të mendjes – Çabejn,

Klasikun e gjallë – Kadarenë…

 

Akoma, akoma,

kombi im i vogël,

ç’ti japësh botës

si dritë, rreze?

 

Ah, po

edhe NËNËN e saj –

TEREZËN,

 

 

HYJNORE

Java ka shtatë ditë,

Ylberi ka shtatë ngjyra,

Pentagrami ka shtatë nota,

Bota ka shtatë mrekulli,

Arusha e madhe ka shtatë yje,

Arusha e vogël ka shtatë yje,

 

Shqipja ka shtatë zanore –

SHTATA – hyjnore.

 

 

ISMAIL KADARESË

 

Hamall i madh i halleve të Kombit,

Lavdi i jep e merr prej tij lavdi;

Dritë pikon art’ i tij nëpër mote

E si drita nëpër botë përhapet fjal’ e Tij.

 

Eskilët rrallë kanë ardhur në këtë botë

e kometat në qiell janë dukur gjithashtu,

Vepr’ e Ismailit këtë mesazh na thotë

për kombin e tokën që e lindi këtu.

 

Ky Eskil modern kudo ku shkoi e vete,

si Eskili i moçëm

Atdheun bart me vete.

 

 

 

ALITERACION YJESH

 

“Migjeni –

më gjeni

një tjetër fëmijë –

Mbigjenì –

si ky.

 

“Kadare, –

ka … darë e ar,

radar…

me fluturat fjali

e avionët-fjalë…

 

“Dritëro Agolli –

Dritë…

dhe “agoi”

dhe

“diellin” e mbolli”,

e që kurrë s’perëndon.

 

“Naimi” –

është yti,

është imi

i shqipes agimi,

i tokës gëzimi,

ndrudhëzë dielli

prej qielli.

 

“Nënë TEREZA” –

– ëndë

dhe rreze

e planetit –

beze…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Idajet Jahaj, Planeti Komb, poezi, Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT