• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

LETER DREJTUAR Z. JOSEPH DHE ZONJES SHIRLEY DIOGUARDI

May 26, 2013 by dgreca

Shumë i nderuari z. Joseph DioGardi,/

shumë e nderuara z. Shirley Cloyes DioGardi/

E kam lexuar mëse tri herë me kujdes letrën tuaj, z. Shirley Cloyes DioGardi, në rolin e Këshilltares për çështje të Ballkanit, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, Nënkomiteti mbi Evropën, Evro-Azinë dhe Rreziqeve të Reja, për të cilën gjë Ju dhe LQSHA-ja e keni meritën e denjë, sepse Ju e mbroni me përkushtim të veçantë raportin tuaj. “Marrëveshja” e nënshkruar në Bruksel/EU, e ndihmuar nga SHBA-ja, nënpërkujdesin e Baroneshës Ashton, nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me 19/20 Maj të vitit 2013, si vazhdim i Projekt-marrëveshjes së dates 19/20 prill të vitit 2013 prej 15 pikash, e cila ka filluar nga rundi i shtatë i dialogut Kosovë-Serbi, po në Bruksel, me 19/20 Mars të këtij viti, tani ajo i ka nënshkrimet e dy anshme, Thaçi-Daçiq. Këtë “marrëveshje” Ju e jepni me intervistën e Faton Bislimit “Politika e kompromisit po e vë në rrezik të ardhmen e Kosovës”, sepse pikat e saj ia dhanë mundësinë Serbisë që futet në bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa i shpërbërë strukturat paralele në Kosovën veriore dhe pa e njohur aspak sovranitetin e Kosovës. Baronesha Ashton i thotë kësaj “marrëveshje” në një bisedë për shtyp se kjo “është një pazar i madh”, ndërsa analisti dhe publicisti nga Prishtina, Shkelzen Gashi, me 20 maj 2013 për “Evro-Asinë” i thotë në intervistën e tij, se Kosova është në pragun e shpalljes së një “Republika serbska” në veriun e saj. Shikoni për këtë më mirë në: http://www.eurasia-rivista.org/intervista-a-shkelzen-gashi/19453.

Me këtë “Marrëveshje” Kosova nuk e zgjidhë konfliktin serbo-shqiptar mbi sovranitetin e saj dhe nuk është e lejuar që të bëjë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, ku, siç thuani Ju me të drejtë, zonja Shirley Cloyes DioGardi, pesë anëtarë të BE (Spanja, Greqia, Rumania, Slovakia dhe Qiproja) ende nuk e kanë njohur sovranitetin e Kosovës. Kjo është e qartë se ne nuk kemi bërë asnjë përpjekje për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare dhe kjo gjë nuk ka qenë as në agjentën e shteteve kryesore dhe të SHBA-së, por jemi vrarë e vriteshim pa pushim në kuptimin e politikës gjakpirëse kolonialiste serbomadhe shtetërore dhe kishëtare, sepse ishim nxitur kështu nga shtetet e mëdha të bënim një luftë për të drejta të barabarta civile dhe njerëzore, për shumicën e popullsisë shqiptare brenda ndarjeve të krahinës dhe të rebublikave të Jugosllavisë, e jo të synonim zgjidhjen e çështjes kombëtare në tërësi, në bazë të të drejtave legjitime e autoktone të shqiptarëve të të gjitha trevave, të banuara nga shqiptarët.

Shqipëria londineze është një pjesë e vogël e tokave shqiptare. Ajo qeveriset edhe sot gabimisht. Serbia ka ndjekur dhe po ndjekë kurdoherë qëllimin e saj të përhershëm për një “Serbi të madhe”. Kosovës i është stopuar “lufta çlirimtare” në të ashtuquajturën “Kosovë veriore”, për të mbledhur paramiltarët serbë që kanë vrarë e prerë në Kosovë, aty është pikërisht Tepça, dhe janë bërë gjithnjë manovrimet e tyre të pandalura për të njëjtat qëllime. Paramilitarët serbë janë mbledhur 14 vite me rradhë për t`u shpallur “të shpërblyer”, pikërisht këtyre ditëve, me miliona Euro nga Evropa, si “përpjekje për pastrim etnik dhe persekutim të shqiptarëve të Kosovës”, të shpallur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg/Francë, dhe të publikuar në Londër, nga gazeta britanike “Daily Mail”, me 3 Maj 2013.

Kjo nuk do shpjegim më qartë se sa ky shpjegim, që secili njeri normal i shoqërisë njerëzore e kupton çka dëshiron me të vërtetë Evropa, e cila ka vite të tëra apo shekuj që e ndëgjon një çmenduri të tillë dhe i duartroket kësaj politike të rrejshme shtetërore e kishëtare serbe! Pra, çështja kombëtare shqiptare nuk ka gjasa të zgjidhet drejtë, aq më pak në këtë pjesë të trojeve dardane që e mbanë emrin “Kosova-Kosovo”, varianti që pretendohet për shumë kohë nga historiografia e rrejshmë serbe dhe ndërkombëtare, sepse Evropa është e krijuar dhe përbëhet nga tri blloqe të mëdha: 1) Anglo-gjermanët; 2) Latinët dhe 3) Sllavët. Nga shetet latine e kemi Italinë, Francën, Rumaninë, Spanjën dhe Portugalinë, që të gjitha janë kthyer kundër nesh, me përjashtim të Italisë, që është pjesërisht pro-sllave. Ndërsa, sa u përket “shteteve sllave”, në krye të cilave është Rusia, pastaj të gjitha të tjerat, me përjashtim të Kroacisë e Sllovenisë, pjesërisht të çekisë e Polonisë, dihet se janë të mobilizuara kundër nesh.

Një shembull po e nxjerrim nga “Veçernje Novosti”, në të cilën, këtyre ditëve, Kisha Ortodokse Ruse dhe kryepatriarku rus Kiril, thotë se “Nuk duhet të kthehet shpina nga Kosova. Ky vend i shenjtë, nuk bën të humbet”. Nga kjo gjë kuptojmë shumë. Këto shtete janë të motivuara me një politikë antishqiptare, rregullisht dhe pandërprerë. çështja shqiptare është e ndarë në copa-copa. Ajo është futur në një çorrsokak të pafund, ku kryet e saj e mbajnë ortodoksët, me Anglinë në kokë, Fancën, Spanjën dhe Rusinë, dhe me shtetet e tjera të ashtuquajtura “sllave”, që e kanë vjedhur nga shqiptarët katolicizmin ortodoks dhe me te duan tërësisht të na shkatërrojnë. Sepse, na kanë regjistruar si “islamist” dhe “fundametalistë”, të cilën e kemi të futur si “pykë” kundër nesh e midis nesh, sepse nuk jemi fare të këtillë.

Serbia, me Akademinë e “Shkencave” Serbe dhe Kishën Ortodokse Serbe (KOS), që e do Kosovën për vete, ashtu siç dëshmohet ajo, dhe këndon rregullisht këngë paranoide për te, e në anën tjetër e do edhe Evropën dhe dëshiron që ta ketë krejtësisht për vetvete. Këtë e dëshmon prej të gjitha luftërave të saj. çështja shqiptare nuk është zgjidhur drejt, ajo ka kaluar prej “luftës çlirimtare” të Kosovës, në “betejën e Fushëkosovës” që prej vitit 1389, sa e sa shekuj më parë, që është “ngopur” me klithjet histerike nga opiumi i nacionalizmit serb “o do ta fitojmë Kosovën, o do të zhdukemi”. Nuk e di shkenca botërore dhe shkenca evropiane se Serbia ka ditur të vrapojë qindra shekuj përpara dhe të manipuloj masat e gjëra të Evropës dhe Botës në mënyrë flagrante me të ashtuquajturën “fushëbetejë serbe të Kosovës”; me prijësat e fryrë “serb” të të gjitha periudhave të mëvonshme, për të “fituar” pjesën më të rëndësishme të Kosovës me xehe, minerale e pasuri të tjera të nëntokës, që kurrë nuk e kanë pasur. Kështu, enklavat serbe në Komunat e reja serbe në Kosovë ndahen në vetvete dhe përfundimisht formojnë “Associacionin e komunave serbe”, që ka si prapavijë krijimin e “rebublikës serbe” në Kosovë dhe fitoren e luftës së saj. Kjo është luftë stërzgjatur për 14 vjet, me miratimin e kontributin francez, pra vendosjen e Kontigjentit të KFOR-it francez në veri të Kosovës dhe në mesin e aleatëve të NATOS, të molepsur në propagandë anti-shqiptare të kohës dhe nga frika e përhapjes së kryengritjes në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore. Lufta mbrojtëse në këto vise të nënshtruara nga gjenocidi i paparë anti-shqiptar ishte projekt i mirëfilltë i LNçVSHJ-së, që nga periudha e udhëheqjes së saj nga Jusuf Gëvalla. Enklavat sebe të paramilitarëve anë e mbanë Kosovës po forcoheshin kështu dhe këto “kushte të volitshme” i kishin vetëm në verinë e Kosovës, ku udhëhiqen nga Serbia dhe nuk i prekte dora e jonë. Atje e kanë pasur ata “djepin” e vërtetë dhe ne nuk kemi guxuar prej botës, KFOR-it, EULEX-it, etj. të kundërshtohemi me ta…

“Pavarësia e Kosovës” pra ka ardhur si “derivat” nga “KSA e Kosovës” dhe nga “lufta çlirimtare” në Kosovë, që stopohet në “Kosovën veriore” dhe futen francesët, dhe vie me të vërtete Ahtisari me “devizat marrëdhënieve ndërkombëtare” (14 dokumente), siç i thekson 3 herë radhazi Sheradin Berisha (shiko faqen e tij: http://www.pashtriku.org), deri te marrëveshja e Thaçit-Daçiqit, që është konkluzivisht humbje e Kosovës në politikë nga lufta e pakryer, apo, thënë më shqip bosnjëzimi i Kosovës, pas deklarimit të shpërblimit “të heronjëve” serbë dhe kryemilitantit-Patriarkut të madh serb-IRINEJ nga ana e Anglisë, apo deklarata (për ne e papritur!) e Zëvëndëspresidentit Joe Biden, se “serbët duhet tu këndojnë lavde serbëve pas Brukselit,… se ai e njeh historinë serbe”, etj, që nuk është aspak “histori e mirëfilltë” e serbëve, por pseudohistori, por që kthehet në “histori” me dhunë e me çdo kusht prej “betejës së Fushëkosovës” deri në Bruksel, gjë që kurrsesi nuk të pajtohemi!!

Kërkoj falje shumë prej Jush; kërkoj falje shumë prej popullit amerikan dhe kërkoj falje prej nënave tuaja të shpërdara në tërë Ameriken, por duhet t`i themi Zotërisë, NE dhe JU, se e ka vendin e një Zëvendëspresidenti të Amerikës, dhe nuk ka arësye të citojë thënien e James Joycet “historia është ankth i madh nga i cili përpiqem të zgjohen”, pasi në artikullin e tij të dhënë në gazetën “Epoka e Re”, e datës 19.05.2013, të transmetuar nga “Kurir”, ka dëshmuar se ai “e ka origjinën irlandeze”; se në qershor të këtij viti “Irlanda e ka presidencën e Unionit”; dhe “jemi popull krenar, ashtu si ju serbët”; se “serbët dhe irlandezët janë shumë të ngjashëm”; se “nuk ka Evropë stabile pa Serbinë në të”;se “fascinohet me betejën e Kosovës, këngët epike serbe dhe heronjtë si Kopiliqi“, se e ka vizituar “dy herë Manastirin e Deçanit”, etj. etj. që po e them edhe një herë, janë pseudohistori serbe dhe angleze, me rrena të kulluara si ato dhe se ai mund të shikojë sado pak nga faqja e ime e internetit (Webseite), nëse i gjëndet ndonjë përkthyes, qoftë edhe nga Ju, zonja e zotërinj të LQSHA-së, sepse është dobësi për një Zëdhënëspresindent të SHBA-së të bëjë deklarata të tilla në opinionin e gjërë., kur duhet vetë t`a mësojë historinë!…

Kam bërë një provë që të shpjegoj këtë çështje. Të mos harrohen artikujt e mi në vazhdime, studimet historike, me titullin përkatës “Armiqtë më të rrezikshëm të shqiptarëve gjatë rënies së perandorisë bizantine” apo ato “Kombi shqiptar, serbët dhe serbia” etj. që janë në faqen time, por ju keni mundësi ti shikoni rradhas dhe të nxirrni andej të vërtetën për serbët, pasi ju i keni përkthyesit më të mirë. Ai le të më kuptojë dhe Ju nga LQSHA-ja, që po detyrohem t`i pohoj këto gjëra, pasi është fjala për Zëvëndëspresidentin e SHBA-së, që ka kreun e politikës botërore dhe shqiptarët i ka përkahës të politikës së tyre…

Bashkëpunimi i serbëve dhe bashkërenditja e deklaratave sllavo-ortodokse serbe, me tërë botën ortodokse, pjesërisht të krishterë, së bashku me islamistët sunit, për zvogëlimin e “fitores” së shqiptarëve, deri në shpartallimin apo zhdukjen graduale të tyre, të cilët na bëjnë të përsëritim thënien e Martin Luther King: “Padrejtësia kudo që ndodhë, është kërcënim i drejtësisë në të gjithë botën”, dhe kjo ndodhë për herë të fundit në Bruksel, apo siç na e dëshmon Zëvëndës-presidenti i SHBA-së, nëpër deklaratat e tija të mirëfillta pro-serbe!!…

Kjo mjafton. Po i kthehemi edhe njëherë luftës sonë çlirimtare. Mua nuk më është dhënë rasti as mundësia fare të paraqitem si oficer i lartë i UçK-së, që prej vitit 1997 e deri në kohën tonë. Tërë kohën isha i detyruar të përballem me jetë a vdekje; kërcënimeve dhe përpjekjeve për likuidimin fizik nga radhet e kombit shqiptar, përkundër aftësive të mëdha ushtarke që i kam pasur, për të shpëtuar shpirtin në këtë vijë. Megjithate, nuk kam pushur, duke u përpjekur të punoj, sidomos pas “fatkeqësisë” së madhe të datës 01 korrik 2005. Pas kësaj “fatkeqësie”, unë u detyrova që t`i kthehem shkencës për të luftuar pseudoshkencën, sepse nuk më lanë burrat e botës asnjë hapësirë të lirë që të merrem me detyrat e mia politike. Kulmi u arrit midis viteve 2005-2010, sa isha duke u përpëlitur me çdo kusht për të lëvizur krahun e djathtë, tmerrësisht të paralizuar; gojën dhe fytyrën të shtembëruar po aq tmerrësisht në anën e majtë; tri unazave të kurrizit të plasura dhe dy prej tyre në qafë; tri brinjë të thyera, që unë i lash ashtu të ngjiteshin, sepse sëmundjen e diabetisit e kisha me vete, para fatkeqësisë; krahas infarkteve të zemrës që nuk më morën në jetën tjetër dhe mezi arrita të shpëtoj dikur prej mjekëve…

Tani, nuk do të flas më tepër për “fatkeqesinë” time. Në këtë periudhë kam një dëshirë sublime, që nuk kam mundur t`a largoj: t`ia sqaroj botës çka është shkencë dhe çka nuk është shkencë, pra pseudoshkencë, prej “fillimit të Serbisë” në fund të perandorisë bizantine, kur janë “shpikur serbët” duke marrë me “vete” pjesërisht ilirët e të tjerë vendas të Ilirisë së atëhershme, të cilën nuk e kanë gjetur “të lirë”, prej Kostandinit të Madh e këndej, e të cilët nuk janë harruar për atë kohë. Sado që e thonë “me gojën e mbushur” pseudoshkecëtarët, se “ilirët janë zhdukur” e që “e fshehin” cilën gjuhë e kanë folur ata, ne-shqiptarët e sotëm, jemi bij të ilirëve, nipër të pellazgëve, të thirrur më parë arbër, apo në latinisht albanë. Pra, jemi bijtë e tyre dhe shqipen kurdoherë e flasim, njësoj dhe vazhdimisht. Kjo është gjuha e ilirëve! Nuk ka më tjetër!…

Prandaj m`u nevojit të lexoja qindra vepra të mëdha, që nga fillimi i botës e deri më sot, e cila më ndihmoj të kthehem në jetë, siç kam qenë përpara, deri në korrik të këtij viti (2013), por vetëm pasi është nënshkruar marrëveshja e Brukselit, dhe janë shpalur “të shpërblyer” me miliona Euro paramilitarët serbë të Kosovës. Kryemilitanti ortodoks i Serbisë, Patriarkun e madh, IRINEJ, e “shoh” kurdoherë t`ia “puthin” duart njerëzit më të denjë të Përëndimit, pra të Anglisë dhe pjesërisht të Francës, pa e llogaritur se ne e e mbajmë mend para, gjatë dhe pas luftës, si kriminel të urryer serb! Nuk e kemi harruar OSBE-në që e ka “financiuar” kriminelin e njohur serb, ARKANIN, me mija Euro, që të eksekutojë qindra shqiptarë!….

Dhe prandaj nuk ka si ngritet në këmbë sot kombi shqiptar. Gjendja reale e jona është e mjeruar. Ai është i vetmi komb që nuk e ka të zgjidhur çështjen kombëtare dhe është i copëtuar në 6 shtete: Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri. Rreth e më rreth ai rrethohet me armiqtë më të urryer, që sulen të gjithë mbi shqiptarët, i cili vetë prihet nga disa “njerëz” që janë të njohur si “përçarës” të tij, pra djemtë e UDB-istëve të djeshëm; të KGB-istëve të djeshëm; të Sigurimit grek apo vetëm shqipfolës dhe jo shqiptarë!…

Autokracia apo pseudokracia e sotme botërore mbi ne është katastrofale; korrupsioni i botës është lëshuar mbi ne, duke llogaritur korrupsionet shqipfolëse të atyre që janë “ngritur” përmes “luftës çlirimtare”, i cili është mësuar tashmë me shitblerjet e pasurisë sonë legjitime për etjet e tilla të botës dhe të kundërshtarëve tanë. Ne po përpëlitemi më tutje!…

Në këtë kuptim dalin edhe të atillë që janë “të dokumentuar” si “luftëtarë” të “çlirimit të Kosovës” si Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, zoti Agim çeku, i cili, në një intervistë të dhënë për gazetën serbe të Beogradit “Nedenljik”, të datës 18 prill 2013, ka thënë ekskluzivisht se ai “e mbështetë idenë e një Jugosllavije të Re” (shikoni ju lutem këtë intervistë në faqen e internetit: http://www.pressonline.rs/18/04/2013/info/politika/269715/agim-ceku-podrzavam-ideju-nove-jugoslavije-.html). Shqiptarët gjoja të “çliruar” në Kosovë; ata banorë të vuajtur të Malësisë së Madhe, që kanë mbetur nga shpopullimi i dhunshëm i Malit të Zi; ata që janë ende të robëruar në Serbinë e vjetër (Presheva, Bujanovci dhe Medvegja); ata që poashtu thonë se janë “çliruar” në Maqedoni, banorët e të ashtuquajturës Iliridë; shqiptarët që janë okupuar tërësisht të Epirit të Jugut, në çamërinë- duhet me të vërtetë të çlirohen dhe të bashkohen në një Shqipëri të re, të ristrukturuar, natyrale dhe etnike shqiptare në Ballkan, nëse nuk i harrojnë sllavët dhe serbët idenë e tyre neokoloniale për një “jugosllavi të re”; dhe përpiqen kështu të ristrukturojnë “Serbinë e Madhe”, si ëndërr të vjetër serbe, nën të cilën nuk duhet të jetojnë shqiptarët. Ata dallojnë nga serbët si nata me ditë. Serbët janë fallsifikatorë të historisë; janë okupatorë të tmerrshëm të vendit tonë; të shpopullimit tërësisht të Kosovës veriore jashtë Kosovës, në Tregun e Ri (Novi Pazar) e deri në Nish(Njësh, qyteti i parë-shqip). Janë “vrapues” të shpejtë nëpër botë; të “shpikin” të gjitha ato rrena të paskupullta, dhe t`i shesin si “histori”…

Ju lutem, ju lutem, ju lutem, nëse Ju keni mundësi, intervenoni te pikat më të larta të vendosjes, që serbët tashmë të Kosovës veriore të mos e implementojnë një tjetër “republika serpsa” në Kosovë dhe as “automominë maksimale”, sepse përndryshe do të jemi të detyruar të bëjmë çmos për të mundësuar bashkimin legal e të natyrshëm të gjitha trojeve shqiptare jashtë Shqipërisë me shtetin amë-Shqipërinë, pra bashkim me Shqipërinë natyrale dhe etnike, që do t`ua vështirësojë edhe më shumë punën dhe pozitën gjeo-politike maft shteteve më të përparuara të Evropës dhe Botës.

Ju lutem shumë JUVE dhe jam me ndjenja të mirësjelljes për JUVE,

dhe mbetem me përshëndetje të mirëfillta-

i juaji, Brahim AVDYLI

http://www.brahimavdyli.ch/një-letër-e-veçantë/

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ibrahim Avdyli, Joe DioGuardi, Shirley DioGuardi

MYRVETE MEHMETI, MJESHTRI E FJALËS SË SHKRUAR

May 26, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Myrvete Mehmeti është krijuese letrare dhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtaëve në Norvegji. Ka lindur në Mitrovicë të Republikës së Kosovës.Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Si shumë shqiptarë edhe Myrvete Mehmeti mori udhën e mërgimit. Jetoi në Slloveni, pastaj në Austri, Holandë dhe Gjermani. Dhjetë vitet e fundit jeton në Norvegji. Është marrë me përkthime nga gjuha shqipe, boshnjake dhe gjermane në gjuhën norvegjeze.
Ka botuar librat me poezi ” Aty ku janë të ngujuara lumnitë”(2010) dhe “Kuajt e mjegullës” (2012).
Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë u nderua me cmimin ”Kosovë Rexhë Balaj” , të cilin e jep komuniteti shqiptarë i Malmes në Suedi.
Poezitë e saja janë përfshirë edhe në antologjitë:
«Lotët e virgjër» (Antologji për nënën) nga Fatmir Terziu,
“Një shekull dritë – 100 poetë, 100 poezi” nga Hasan Qyqalla,
”Zjarrë i pashuar” (shqip-rumanisht) nga Baki Ymeri dhe në
“Thesarin Kombëtar” që del së shpejti në Suedi nën redaktimin e Prof. Fetah Bahtirit.

LADY NORVEGJEZE*

Ti e bërë statujë të presësh,
me dorën strehë dielli
mbi bregoren e liqenit të njelmët!
Kë prisje vajzë deti?
Ørnuf Bast një burrë i rrahur nga jeta
psherëtinte: – Dyveke bijë, Dyveke…!
-nën ujëra të qeta fshihen apokalypset e vogla.
Ti këndoje një serenatë
dhe ç’të bëje tjetër më mirë
ku hëna binte e plotë mbi qytet bojë ari
e qentë mend bëheshin ujq,
hijet mend bëheshin njerëz.
Po ti si kishe frikë si orkanin Barbara
dhe përmbysjen e anijes ”Dictatori”
në Virginia Beach!
)*Norwegian Lady statues

 

NUK DITKE
Kërkon të më përdoret dore
një ëndërr, si vashëz e mitur
flokë erë, bregut të lumit Piedra

O fytyrë, mërtisur kujtimesh
zhytur gërshërësh të ujëra
Ti nuk ditke as të thërrasësh.

 

PUSHTOHEN QARQET
Në ndërrim motesh
ndezën të gjithë shandanët.
Dirigjohen flakët
e dy mijë e dyqind
fijesh shkrepëse!
Përdridhet tymi në vals
veshur në kostume lëkure
e shurdhëri Betoveni.
Janë nisur kalorësit e natës
vijnë vetmuar si zefiri.
Marsi në akrep të vonuar
afrohet
burimi i agut varë
rrëke…
Një etje trumcaku
pi strehëve nota që pikojnë,
prej pllaka gramafoni.
Pushtohen qarqet, pushtohen;
gërryerje rrathëve të jetës
diapazonit zë një gur
mullirit mbi një lumë.

(A)KE
Andej e këtej ikëm.
Ëndërrt: çfarë mbeti këtu
prej dy siluetash zemërake?!
Ujori, derdhë me shtambë
të pirën e detit në breg.
Rrumbullak më e madhe
bota në të ecur poet.

 

Poet poeti

Vështrim ti hedhësh
fjalë e Tij, përkujton Atë dhe majin!
Për vargun thukët pikon penda ar
prekë faqesh e pa shfaqura e kohës.
u mata t’u them, c’ka thënë poeti:
”Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë,
në shkretëtirë
…”.. e dinë
bërë pikë uji mbi gjithë këtë det epigrafi
zë s’më nxori vargu
Poeti shkoi poet me shkronje të vogël
e sa për dhembje bërtiti fjala
sa maja e lapsit thyhet
Si More Vdes Poeti, Si?!
i linduri flakëve të gushtit ’42
edhe i heshtur vazhdon e fletë
fletë …

P.s. Shenim i autores për botuesin/përkthyesin: – Titulli i kësaj poezie është lënë qëllimisht me shkronja të vogla!

BIE SHI

Atë vit vashat
thurnin kurora
cila mund ishte më e bukur
Ajo hoqi lule nga flokët
i la mbi një gur
stina mos plakej
Prapë erdhi prilli
dhe shi bie…
Sytë e engjëjve
qajnë vetëm
në tokë

 

 
SHIRAT MELODIK
Lëviz përtueshëm
kopeja e mjegullave të bardha
drejt muzgut të harrimit
derdhet violina paganine
në shira melodik
Mos i lëvizni retë
retë mos i lëvizni
e dua në heshtje
harkut të Robin-it
flokun e eshkët të vajzës
sa të nxjerr nën lëkure
dhe një pendël
për fletët e akullta

 

 

 

ORA E IKJES
Perëndo
i pa lindur si dielli
mbi zinxhirin e gurët
ku ti hap e mbyll
kalldrëmet vetë zhgënjimi
e koha bohemiane
s’rrotullon me asgjë
klesidrën e njëjtës grua

GURI I ZI
Para se
qenkam mysliman
isha krishterë,
po më tutje,.. tutje
isha edhe pagan…
Kaq afër dielli e yjesh
jam vetëm Ilir;
i lirë prej ndasive fetare,
dialektore,
partiake,
kufitare…
Po ti,
më quaj Shqiptar
dhe më jep nder
besimin tim
të ruaj si të parin
në Gurin e Zi të Shkodrës

RROTULL KOHE
..akrepi orës në njësh;
të errëta rrugët
më rreken nëpër këmbë
të marrë në thua
të grindem me dikë…
Ora gjashtë!
Diçka e munguar
fshehur botës i rri
e verdha e syrit reflekton
zgjidh gjarpërimin e horizontit.
Dielli orën dymbëdhjetë
marramendës mbi gozhdë;
shfletohen romane
vetëm fletët e pëlqyera.
Në orën pesëmbëdhjetë
flokët kërthinja shelgu
thurin fustanin e liqejtë;
shtegton mjellmë kënga e jetës,
mbushen sytë e tharë të vjeshtës
mbi fletët e kapërcyera
era e mbrëmjes shfletësore
të pa lexuarës së librit.
Pres.., e pres
rënien e dhimbshme të kambanave
shtyn dikush kohën me gisht
për një orë…

 

TANGO
Koktej gjumi e zgjimi
dua a s’dua
të shkelim rrugës
që tangoje lulëzon
Në bel mbaj
vallëzimin e fundit
si të parin pikturës lëvizëse
këndojnë taket kallëzimtare
të gruas vetmuar
joshës kostum i zi burri
Ngase nuk është ajo
rruga që e nis
që e tremb
ndalon…
E njohë këtë grua
doresh më del
gjallë më tradhton
sikur vdekur

 

KUR TË KËNDOJ NUK DI
Ç’është pranvera
Nëse nën hije qerpikësh
nuk shuajnë etje zogjtë
në qeska të murrme liqenet!
Vegjët brigjeve endin me erë deti
oborreve të ëndrrave
të humburit
sa kot të kërkojnë valëve
frymën që ka bari i malit
dhe kroi i kaprojve.
Zhvidhos degët e ndërthura
si roletët e pranverës
mund të gjeje një varg apo dy
këngën e natyrshme të zogjëve…

 

KËRKOJENI
Kërkojmë njeriun
kërkoni..
Njeriun pas xhamash të zinj syzash
me këpucët e veshjet e tij
pozon me stil urban
në rubrikat gazetë e përditshme.
Por prapë kërkojeni,kerkojeni njeriun…
Prej gjumit letargjik zgjojeni!

A E DI
Asnjëri se di
këngën e fshehur
të Atlantidës
Lëviz flladi perdeve
vagëllimë mëngjesore
vala han bregun
nëpër fije harpe
vijnë erërat
ndërrohen
mbi pentagram…
Deti nesër do t’ i përkund
të gjitha lëkundjet e kuptimta
ndërmjet brigjesh, pa ditur se
..se bënë shurdhërinë e botës
kjo qetësi e shprishur
prej këngës

ZGJIDH E MERR
Me vjen peshk i artë
të vallëzoj me algët,
muzikën e pa kënduar valësh
këndoja solo duet
as dënim as falje
zgjidh e merr
merr e zgjidh

 
SIKUR NË KTHIM
E kaluara
rrinë në shuplakë
që jep jeta
shkruar në linjën e zemrës.
Nisma e saj vijëzore ndërmjet
gishtit tregues dhe të mesëm
busulla ime
kusarit tim
në ndjekje pas tij
Kë quajmë egoizëm
lexo të pa harruarat
gërryer në linja të dorës
të pashkruarat e të ardhmet nesër do t’i dimë
mbaj në grusht çarçafët e purpurta të muzgjeve
si frymën rëniet ngrihen
labirinteve vizatuar bjeshkëve
ndiq shkëndijën përkujtimit përtej
ku për jetën s’kam thirrur
për dashuri mund thërrisja
ndjenjën tundim kusarësh
ikjesh sikur në kthim
kthimesh sikur në ikje
hap e mbyll një libër
ndrydh e shtrydh një frymëzim

 

HESHTUR

Sythësh
në kupola të blerta
i fle pranvera
kësaj zonesy.
I pa puthur poleni
rri nëpër buzë dimri
trishtimi i lexohet djalëror
dashuria fshehur vajzërisht
shfleton gjuhët e botës
dhe fjalor nuk ka
pranvera kështu vjen
e pa këputur, e ndjerë
mbledh flokët e vet të bujshme
mbështjell gruan
mbi veshjen intime
të heshtur të virgjër

 

PO UNË
Kur të vija
si fëmija pranë djepit
kërkon nënë, ngarend
vrapon peizazheve sa një troh malli
qepallës kërkon lindjet e reja varreve
gërmadhave ringjalljet e mëdha
oxhaqeve plagën e moçme
buzëqeshje të gjej
që ëmbëlson fytyrën
e fëmijëve të rritur pa lodra
me ëndrra pleqëroje në sy
në sy pyesin…
Po unë…
..kaq gjatë isha këtu
vend kujtimesh

 

NJOLLA AJRI
Mos u bëj gjurmë
netëve të bardha
këmbët mbathur kujtimesh
gërvishtin pikturat e mugëta
Do të fle një herë
dhe fërshëllima e uritur e zogjve
nuk do të gjejmë
as një grusht dallëndyshe
largësisë t’i prishet kuptimi
për disa njolla ajri

NJË MIKES
Më mirë pyet
ç’është koha
ku zë veten rrotull saj
hije vetëm e pëshpërimë
t’i thosha gruas në pritje
hijeshi është çlirimi
hijedritë drithërima që teptis fytyrën
kur hijohen çarçafët si letër e djegur
Kjo kohë duhet zhveshur
të fërgëlli mëndafsh
këmbësh zbathur të gruas
si hije ëndërr zgjuar shpurë te vetja
dhe vetë e dytë bëhet e gjitha
tersi falshëm falet në duar e pastra

 

GËZOF EMRASH
E madhe po më vjen
paraqitja e brendshme
pamjes dhe dukjes së çelur
më e vogël objektivisht
pika më largët
krijova për ta dashur
ta përthekoja me duar
sikur me sy
Po më vjen të them me piskamë
je përsëritje e madhe botës
për të ndje veçantë
Vishe timen heshtje
bëje gëzof emrash
që kurrë s’të thirra
bëje fjalë po deshe

 

Filed Under: Kulture Tagged With: mjeshtria e te shkruarit, Myrvete Mehmeti, Shaban Cakolli

“SI TË SHKRUAJMË SHQIP”, NJË LIBËR I DOMOSDOSHËM PËR SHKOLLAT SHQIPTARE

May 25, 2013 by dgreca

Libri me autor,  prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as., vjen në këtë botim të përmirësuar, si rrjedhojë e kërkesave për të, pas tërheqjes së shpejtë të dy botimeve të mëparshme, më 2008 dhe 2012./

 Shkruan: Dr. Anila Kananaj, në Qendrën e Studimeve Albanologjike-Tiranë/

Gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë rreshtur kurrë së shkruari e së foluri për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shkrimore të saj, si një element përbashkues identifikues, i domosdoshëm për të gjithë shqiptarët, veçanërisht në këtë kohë të tranzicionit të kulturës shqiptare. Me këtë qëllim parësor bashkohet edhe libri “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj –akad. as. Ai u përurua më 15 mars 2013, në një takim me studentët e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, organizuar nga  Zyra e Karrierës së këtij Fakulteti, në kuadër të përgatitjes sa më të mirë të studentëve për një punë të suksesshme.

Ky libër, në fakt, vjen në këtë botim të përmirësuar, si rrjedhojë e kërkesave për të, pas tërheqjes së shpejtë të dy botimeve të mëparshme, më 2008 dhe 2012. Autori e ka “latuar e lëmuar” librin, duke u mbështetur edhe në këshillat e mendimet e shprehura për të, nga lexuesit dhe kryesisht pedagogët, që zgjodhën të përdornin dy botimet e mëparshme të tij, si bazë për ligjëratat dhe seminaret me studentët, në universitetet shqiptare, publike ose jo.

“Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik) është hartuar me një penë tërheqëse dhe profesionale, nga profesor Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar i pasionuar e i palodhur për gjuhën shqipe. Libri ka në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e përvetësimit të bazave të shqipes, si nga studentët, dhe profesionistët e rinj shqiptarë të specialiteteve të ndryshme. Nevoja bëhet edhe më e ngutshme po të merret parasysh se këta të rinj ndjehen të papërgatitur për t’i qëndruar ndikimit dhe presionit të vazhdueshëm të gjuhëve të huaja, sidomos të anglishtes, italishtes e greqishtes. Në 310 faqe të tij, teksti  në fjalë jep njohuri themelore: për hartimin,  redaktimin, gatitjen e punimit shkencor, shkrimin e recensioneve, raporteve shkencore, rekomandimeve, cv-ve dhe shkrimeve të tjera profesionale. Por ai jep edhe njohuri bazë për drejtshkrimin e shqipes. Vlen të theksohet aspekti zbatues i këtij libri, që do të thotë se studentët mësohen si të shkruajnë sa më mirë shqip, nga përvoja e gjatë e një prej studiuesve dhe njohësve më të mirë të gjuhës shqipe.

Njohuritë teoriko-formuese, të dhëna në tetë kapituj të këtij libri, shoqërohen gjithandej me shembuj të shumtë të karakterit shkrimor, por edhe teknik. Shumë ndihmues në këtë drejtim është edhe treguesi i fjalëve të huaja, që mund të zëvendësohen plotësisht ose pjesërisht, si dhe shqipërimi i një sërë prapashtesash të huaja, të dhëna në fund të lëndës së trajtuar. Rëndësi i është kushtuar edhe zgjedhjes së fjalëve dhe termave të ligjërimeve specifike për profesione të ndryshme. Me këtë libër, autori synon të ndreqë dhe shumë pasaktësi e ngatërresa të panevojshme në përdorimin e termave të ndryshëm. Përmendim këtu vetëm një prej ilustrimeve të dhëna nga profesor Shkurtaj. Është fjala për përdorimin e termit shqipfolës, në vend të termit shqiptar. Me të drejtë, autori sqaron se, në rastin e bashkësive shqiptare në trojet kompakte ballkanike, ka “shqiptarë, universitete shqiptare dhe flitet shqip; pra, ka bashkësi shqiptare dhe jo shqipfolëse”.

Serioziteti i këtij botimi dëshmohet dhe nga gjuhëtarët e njohur, që kanë bërë recensimin e tij: prof. dr. Tefë Topalli e prof. prof. dr. Valter Memisha. Një recension të gjerë për këtë libër ka shkruar edhe prof. dr. Ali Jashari, dekan i Fakultetit të Mësuesisë, në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”. Ndër të tjera, ai shprehet se “ky libër u vjen në ndihmë të gjithë atyre, që duan të rregullojnë penën për të shkruar “shqip, thjesht, bukur, qartë dhe lehtë, sepse vetëm kështu i bëjmë nder vetes dhe kombit tonë”. Më tej, prof. dr. Jashari vazhdon: “Madje, veç të mira do të kishte futja e një lënde mësimi, me titull “Si të shkruajmë shqip”. Ky libër është dhe një gjedhe për t’u ndjekur nga gjithë hartuesit e teksteve shkollore…”. Vlerësim të lartë, për librin e profesor Gjovalin Shkurtajt, jep edhe prof. dr. Avni Presheva, titullar i logjikës në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ky autor këshillon që “ai libër duhet të përfshihet në programin mësimor të të gjitha shkollave të larta të hapësirave shqiptare, brenda e jashtë Shqipërisë”.

Bashkohemi me këto e të tjera vlerësime, të shprehura për këtë libër, i cili ndryshon shumë nga përkthimet shabllon të bëra nga gjuhët e tjera, për nevojat e mësimdhënies së lëndës “Shkrim akademik”, në universitet. Vërtet lënda e shkrimit akademik mësohet në të gjitha universitetet botërore sot, por secili mëson të shkruajë në gjuhën e vet. Siç dihet, çdo gjuhë ka rregullat dhe specifikat e veta, të cilat nuk mund t’u montohen gjuhëve të tjera. Pikërisht këto lloj përkthimesh përbëjnë dhe një prej faktorëve dëmtues të gjuhës shqipe në kohën e tanishme. Këtu nuk është fjala thjesht për përdorimin e pikave ose të presjeve, a të ë-ve, siç tentohet të mendohet shpeshherë, në këto raste. Ajo që përbën vërtet shqetësim, është ruajtja e strukturës morfologjike e sintaksore të shqipes, gjë të cilës profesor Shkurtaj i kushton vëmendje të veçantë, në librin e tij.

Me pak fjalë, në radhë të parë, duhet të mendojmë shqip, të shkruajmë shqip dhe qartë. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të bëhemi profesionistë të vërtetë, pavarësisht se cilës fushë i përkasim. Nuk mund të kemi kurrë juristë, psikologë, mësues etj. të suksesshëm, nëse flitet një një gjuhë, e cila është gjysma shqip e gjysma në ndonjë gjuhë tjetër.

Veçanërisht në këtë kohë, kur shumë familje emigrantësh po kthehen në atdhe dhe po i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat dhe universitetet shqiptare, ndihet domosdoshmëria e një lënde me karakter të përgjithshëm formues, për shkrimin profesional shqip, në përputhje me strukturat morfologjike-sintaksore dhe rregullat drejtshkrimore të gjuhës së sotme shqipe. Dhe ato, botimi “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i  prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as. i plotëson më së miri. Ai përbën një libër pune të përshtatshëm për mësimdhënien e lëndës së Shkrimit akademik dhe të Kulturës së gjuhës, por edhe për të gjithë korrektorët dhe redaktorët e rinj të gjuhës shqipe, për studentët universitarë e pasuniversitarë dhe për mësuesit e gjuhës shqipe, në të gjitha hapësirat, ku shqipja flitet dhe mësohet, gjuhë amtare.

Tiranë, 23 maj 2013

 (Kontaktet me autorin e librit: shkurtajg@yahoo.com; Tel: 0035542367126; Celulari: 068 632 4785 e 069 663 0713)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: anila Kananaj, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, Si te shkruajme shqip

JA PERSE NUK E PRANOJMË ZBULIMIN E PLLAKËS PËRKUJTIMORE PËR HEBRENJTË E KOSOVËS

May 25, 2013 by dgreca

Reagim i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ndaj“Javës së tolerancës në Kosovë” për pllakën përkujtimore “Hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet naziste të ekzekutimit gjatë Holokaustit”/

Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Luginë së Preshevës, dhe Çamerisë janë muslimanë, katolikë, të krishterë ortodoksë, dhe hebrenj që kanë jetuar pranë njëri tjetrit në harmoni me shekuj të tërë. Prandaj Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane mbështet çdo iniciativë që sjell në vëmendjen ndërkombëtare historinë e gjatë të tolerancës ndërfetare tek shqiptarët.

Megjithatë, ne nuk e pranojmë zbulimin e pllakës përkujtimore gjatë “Javës së Tolerancës” në Prishtinë e cila përkujton “Hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet naziste të ekzekutimit gjatë Holokaustit” sepse kjo e shtrembëron të vërtetën mbi atë që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Historia shqiptare është e veçantë: çdo hebre që jetonte në Shqipëri apo që kërkoi strehim aty gjatë Holokaustit u shpëtua. Përderisa gjashtë milionë hebrenj u shfarosën, mijëra hebrenj u shpëtuan për shkak të besës – kodi i nderit që i kërkon çdo shqiptari të mbrojë jetën e çdokujt që kërkon strehim – pa marrë parasysh fenë, ngjyrën, etninë, apo gjininë, edhe nëse kjo nënkupton sakrifikimin e jetës. Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj. Shpëtimi i hebrenjve nuk mund të ketë ndodhur pa ndihmën e shqiptarëve që jetonin jashtë shtetit sovran të Shqipërisë në Kosovën e pushtuar nga nazistët dhe serbët. Kjo është pllaka që është dashur të jetë ngritur në Prishtinë me 23 maj.

Teksti i pllakës fillon me deklaratën se “Ky është vendi ku ka qëndruar sinagoga e fundit e Kosovës deri më 1963.” Kjo gjithashtu fsheh faktet historike. Kosova u sundua nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri më 1966 nga Aleksander Ranković, një zyrtar komunist serb që shtypi shumicën shqiptare të Kosovës dhe i cili shkatërroi arkitekturën historike shqiptare, duke përfshirë edhe sinagogën.

Së fundmi, meqënëse Izraeli ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është e parakohshme të thuhet ashtu sikur thotë programi zyrtar për ngjarjen se “Pllaka është gjithashtu shenjë e mirënjohjes për miqësinë e përjetshme mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit.” Është pikërisht Izraeli që duhet të artikulojë mirënjohjen e tij për rolin e veçantë që shqiptarët luajtën në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, dhe pastaj ti bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe popujve të tjerë demokratikë që e kanë njohur Kosovën si shtet sovran.( Kontaktoni: Shirley Cloyes DioGuardi)

Filed Under: Featured Tagged With: Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ne Prishtine, nuk pasqyron realitetin, per hebrenjet, pllaka perkujtimore

SIMPOZIUM NE NEW YORK: KOSTANDINI I MADH DARDAN, PERANDORI ROMAK QE NDRYSHOI BOTEN

May 25, 2013 by dgreca

KISHA KATOLIKE SHQIPTARE “ZOJA E SHKODRES” NE NEW YORK ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR :”Konstandini i Madh Dardan, Perandori Romak që ndryshoi botën”/

Me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos,në nder të ilirit Konstantinit i Madh, Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” organizon Simpozium shkencor :”Konstandini i Madh Dardan, Perandori Romak që ndryshoi botën”. Veprimtaria shoqerohet me Koktejl.

Më 1 qershor 2013
Duke filluar në ora 6:30 pas dite

Në Qendrën “Nëna Tereze”
361 West Hartsdale Avenue
Harsdale, New York 10530

Kumtuesë:

Prof. Shinasi Rama: “Letra e Konstantinit: Një kthesë kritike në historinë e Romës”
Prof. Gjon F. Ivezaj: “Edikti i Milanos – Dokumenti i Perandorit ilir Konstandini që ndryshoi historinë e Perëndimit”
Hyrja: F a l a s

Për informata telefononi 914-761-3523 ose 718-654-2302

 

Filed Under: Featured Tagged With: dardan, e Kostandinit te madh, Kisha Katolike, per 1700 vjetorin, Simpozium, Zoaj e Shkodres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT