• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

NJË “HAJMALI” QË PUNËVE TONA, DO T’U SILLTE MBARËSI?

July 13, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues! Për ta shkruar këtë vështrim, gjithsesi se patëm një “provokim”, i cili na erdhi nga një biznesmen turk, me prejardhje shqiptare, Ahmet Dursun, që jeton dhe vepron në kryeqendrën e Shqipërisë londineze prej para 16 vjetësh. Në motin kur u botua i ashtuquajtur Fjalor enciklopedik maqedonas, ai aq shumë qe i zemëruar, saqë në një gazetë të Tiranës botoi një shkrim, sa simpatik, po aq edhe provokues, ku, pos të tjerash, kishte thurur edhe këtë paragraf “…, akademikët maqedonas arritën, me disa rreshta, të zgjojnë historianët shqiptarë nga një përgjumje të vdekurish…,” dhe më tutje “…, keni parë a dëgjuar që ndonjë historian të udhëtojë bashkë me studentët e tij në qytetin ku u ndërtua kështjella e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe respektivisht në Manastir…, apo të shohë zbulimet arkeologjike ilire në qytetin e Ohrit?! Keni parë një historian të ftojë studentët e tij për të kaluar së bashku një natë të vetme në Bllacë…, aty pranë hekurudhës, ashtu si qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës?! Keni parë një historian, t’u bëjë thirrje studentëve të tij ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës të vizitojnë shtëpinë e saj në Shkup?! Nuk kam parë dhe as nuk kam dëgjuar!”, thotë në fund z. Ahmet Dursun.

Ne, që shkruajmë këto rreshta, do bëjmë përpjekje që shkrimit të z. Dursun, të mos i shtojmë e as të mos i heqim as një pikë a presje, thjesht do të themi se ai e ka qëlluar në shenjë. Neve që na ka zaptuar katrahura sot e gjithë ditën e Perëndisë na mbetet që pa “vullnetin” tonë, “…, të flasim shqip, të flemë shqip, të flasim jerm, të pëshpëritim qosheve shqip, të pështyjmë shqip, të fyejmë njëri-tjetrin shqip, të sëmuremi shqip, të (mos) sfidohemi shqip, të kurohemi shqip, të bëjmë seks shqip, të urrejmë shqip, të fantazojmë shqip, të shumohemi shqip, të emocionohemi shqip, të çoroditemi shqip, të inatosemi “arnavutçe”, të marrëzohemi shqip, të dëshpërohemi e të mpakemi shqip, të bëjmë politikë shqip, të bëjmë turizëm shqip, të synetohemi shqip, të luajmë kumar shqip, të ëndërrojmë shqip, të moralizojmë shqip, të premtojmë shqip, të rebelohemi shqip, të çmendohemi shqip, të vishemi shqip, të harrojmë shqip, të filozofojmë shqip, të bëjmë analiza, vështrime, kolumna dhe editoriale boshe shqip, të rrugëtojmë shqip, të (a) socializohemi shqip, dhe… së fundi, ngandonjëherë fare dhe fare pak të sikletosemi a të shqetësohemi shqip sa u përket punëve që nuk na bëjnë…”!??

Lexuesi im i nderuar me plot të drejtë mund thotë se të gjitha këto veprime gjithsesi se do t’i bëjmë shqip, nga fakti se “toptan”  jemi shqiptarë. Po edhe unë, dua s’dua, do pajtohem me këtë konstatim, por ama në më jepet e drejta edhe unë do parashtroj pyetjen: Sa ne, vërtet, rezonojmë shqip, sa bëjmë analiza shqip, sa shkruajmë shqip, sa mençurohemi shqip, sa ndërgjegjësohemi shqip, sa tolerohemi shqip, sa mëshirohemi shqip, sa bëjmë ndryshime shqip, sa vetëndëshkohemi, sa vetëkritikohemi shqip, sa sugjerojmë shqip, sa (nuk) bëhemi fener ndriçues shqip, e të tjera koncepte a nocione gjithmonë dhe gjithmonë shqip dhe vetëm shqiptarçe.

Nga sa lexuat më sipër, kushedi për të satën herë përmenda fjalën SHQIP (kjo fjalë sa e bukur, aq edhe humane), andaj le të më lejohet t’i referohem konceptit, arsimi shqip. Ju, të nderuar lexues pa tarafe (të revistës SHENJA), a mund të më thoni se nga shkon arsimi shqip. Pa më thoni, ç’drejtim ka zgjedhur kjo veprimtari shoqërore, qoftë ai fillor, i mesëm…, gjimnazor, profesional, artistik a edhe universitar!? A mos vallë, kështu siç e menaxhojmë, nuk e shembim përdhe…, a nuk e kontrabandojmë e kriminalizojmë, po edhe e anatemojmë. Pa më thoni, të nderuar mësimdhënës, prindër dhe ju që ndërtoni politikën e arsimit shqip, mos vallë nuk doni të hetoni provat e pakontestueshme sa i përket zbehjes së vlerave arsimore, zbehjes së edukimit të fëmijëve tanë, qofshin ata të përfshirë në shkollat fillore nëntëvjeçare, të mesme a ato universitare! Pa më thoni, a mos vallë neve na mungon kultura e kontrollit, kultura e përgjegjësisë, a edhe ajo e ndëshkueshmërisë…, apo jemi të etur për bashibozllëk…, për atë “kulturën” e ashtuquajtur vetëkënaqësi kolektive! Dashamirësit e arsimit thonë se kjo veprimtari, sa e shenjtë dhe po aq humane, në oborrin e saj nuk duron prezencën e armikut të popullit, nuk duron prezencën e “lolove”, a njerëzve të vetëshpallur (pseudo) intelektualë, (pseudo) pedagogë, (pseudo) doktorë shkencash, diversantë, dezertorë e tjerë!

Kësaj veprimtarie nuk i duhen mësues me njohuri “virane”, nuk i duhen mësues kampesh të diktatorëve, nuk i duhen mësues me asi njohuri të cunguara, që nuk janë as për nxënës, as për “dynja” e më pak për “ahiret”!…, nuk i duhen njerëz që u mungon lidhja organike me të, nuk i duhen njerëz që nuk janë të mishëruar me të, nuk i duhen njerëz që do të “prodhojnë diploma për (gjysmë) analfabetë”, nuk i duhen njerëz që dalin nga listat e aktivistëve politikë gjithsesi të papunësuar, nuk i duhen njerëz që do të tregtojnë me të, nuk i duhen njerëz që do t’ia vënë kazmën e… Tekefundit, arsimit shqip, sot e gjithë ditën e Perëndisë, i duhen profesionistë, njerëz mendjendritur, vetëkritikë, njerëz të përgjegjshëm, njerëz të cilët këtë zallamahi do ta luftojnë pa mëshirë dhe nëse duhet edhe barbarisht. Për këtë dhe arsye të tjera, çdonjëri nga ne detyrimisht duhet të ngritë shqetësimin kolektiv a individual. Ndryshe nuk bën.

Ky Sazani, që më “rri mbi kokë”, pos tjerash, më tha: “…, ti xhaxhi, a nuk ke durimin, guximin dhe takatin, të thuash edhe ndonjë llaf për politikën shqiptare, për ata politikanë me paterica si dhe për filozofinë e politikëbërjes së tyre të mbrapshtë”!?? Po ç’të të them, or qerrata, kur më mungojnë fjalët shqip. Ç’të të them për ata, kur të gjithë e dimë se punët nuk i kanë në terezi, ç’të them për logjikën dhe moralin e politikëbërjes sonë të sëmurë…, për politikën tonë që nuk kurohet dot kollaj, për politikën që kurrën e kurrës nuk ka marrë vaksinë kundër tërbimit a fruthit, ç’të them për politikën tonë që nuk përjashton njerëzit të cilët janë “futur” në të për të bërë biznes, për politikanët që u “futën” aty me qëllim që të dalin nga anonimiteti provincial a katundaresk, për politikanët të cilët para se të zinin vend në të, zëvendësuan opingat me “këpucët e sheshta”, për ata që ndryshuan karakterin dhe origjinën, për ata që krijuan klimë paradoksale, për ata që u bënë skllevër të korrupsionit, për ata që në çdo “mexhlis katundesh” mëtojnë të “zbërthejnë” komplekset e tyre. Në instancë të fundit, arsimi dhe politikëbërja jonë, kështu, siç konceptohen, siç llafoset a edhe shkruhen (shqip), nuk ka gjasa të kondicionohen  sot, nesër a në një kohë të ardhme. Këto dy nocione (shqip dhe politika) aq shumë të “përfolura” gjithqysh se kanë nevojë për një “hajmali” që do t’u ngjitet në qafë, vetëm e vetëm që të mos marrin mësysh. Mitro Çelo nga Tirana, dikur në një shkrim, kishte parashtruar këtë barsoletë: “Para një ruleti, të kazinosë, qëndrojnë dy mesoburra kumarxhinj. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? I pari parashtron pyetjen: Sa herë në javë bën seks me gruan? Katër herë. Tjetri thotë: Unë një herë më pak. Pasi mblodhën numrat, vendosën 7-tën. Zari qëndroi te zeroja. Do të kishim fituar po të mos kishim gënjyer”! Të nderuar lexues, do të më ndjeni nëse edhe unë në këtë “shkarravinë” ju gënjeva.

Është një shprehje proverbiale ku, pos tjerash, thuhet: “…, kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”! A ka ky nënqiell burrë zakoni që do të godasë në kokë katrahurën, papërgjegjësinë, injorancën, hipokrizinë, arrogancën, korrupsionin a edhe fjalën tonë të shtrembëruar….? Nëse s’ka, atëherë ky vështrimi im gazetaresk le të jetë llaf bosh dhe kurrgjë tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, nje hajmai

NJЁ NGA NJЁ PO BIEN LISAT

July 13, 2013 by dgreca

Gjeografia e humanizmit të Musa Koshenës nga Dukati e meriton këtë lule mirënjohjeje /

Nga Albert R. HABAZAJ/ studiues/

 Kur ikën nga jeta një njeri, na dhemb të gjithëve. Kur ikën një njeri i mirë u dhemb dhe zogjve. Kur rrëzohet një lis i lartë e hijerëndë i dhemb dhe malit. Nga Thilpati i Dukatit ra një lis, po ai qëndron përsëri në këmbë me emrin dhe veprimet e mira që bëri në shtatëdhjetë e shtatë vite, mbi këtë tokë me histori. 77 vjeçari nuk u thye e nuk u shkul dot nga erërat e rrebeshet për gjysëm shekulli, kur vjen e merr për dore, urtë e butë e pa bërë zë, e pakthyeshmja vdekje. Kur ka një jetë me furtunë, por tërësisht të pasur me vlera e virtyte, një plaku të pastër shpirti i shkon në qiej të pastër. Një uratë e tillë njerëzore quhet Musa Koshena, nga Dukati i Labërisë së Vlorës, i cili, ka pesë vjet që shlodhet, më në fund, pranë të tijve.

Ishte djali i madh i nacionalistit Maliq Koshena, i atij burri krahine të nderuar e të respektuar; sepse nderonte e respektonte traditat, doket e zakonet e mira shqiptare; sepse vëllait i thoshte vëlla e mikut mik; sepse e donte dhe çmonte sa jetën LIRINЁ. Atij, ndoshta më saktë se çdokujt tjetër, i shkonte vargu i këngës: “Ne mikut i themi hajde / po zot shtëpie s’e bëjmë”. Ai qe luftëtar për liri, kundër shovinistëve grekë më 1913 – ën, në Llogora, tok me të kunatën Sado Koshenën me emër në histori. Ka qënë në Kuvendin e Barçallasë, trim i epopesë së Njëzetës, mik i Avni Rustemit e Halim Xhelo Tërbaçit, adhuronte Fan Nolin, qe mik me elitën e vendit…Të premten e zezë të 7 prillit, kur retë e murme të fashizmit mbuluan qiellin shqiptar, ai e fali një gjak që kishte në Dukat, bëri pajtimin, për të qënë një trup i vetëm e të shporrej pushtuesi jashtë sinorëve tanë, të hiqej qafe nga kufiri që na lanë të parët si gjën më të shënjtë. Bëhet organizator dhe drejtues i rezistencës së 7 prillit, tok me Sheme Sadikun, Ahmet Mëhillin, Imer Bodon etj. Më shkurt 1943, ka qënë pjesëmarrës në aksionin e Selenicës, drejtuar nga antifashisti i orëve të para Hysni Kapo, që në atë kohë ishte një figurë popullore e respektuar. Maliqi qe organizator i forcave nacionaliste, tok me Hysni Lepenicën, që zotëronte trimëri, zgjuarsi, autoritet dhe atdhetarizëm. Për këtë, ai u ndëshkua keq. Burgu do të bëhej “streha” e tij, po shqiponja s’jetonte dot në kafaz.

M. Koshena  kishte lindur për liri, jetoi për liri, luftoi për liri e nuk do ta duronte  haurin e errët e të blinduar. Maliqi luftoi kundër pushtuesit për liri, por e nëpërkëmbën kanibalisht hienat e shkretëtirës. As varri s’iu gjet. Sa qe gjallë, Musai u bë vazhduesi më i mirë i vlerave të babait. Një jetë të tërë kaloi mbushur me furtunë politico – sociale shpirti i tij, që qe vëlla me hajmali me prillin e pranverës. Po të kërkosh të vizatosh karakterin e tij, del një personazh që mishëron veçori thelbësore morale e psikike të larta, ku spikat vullneti i fortë, qëndresa e burrëria, këmbëngulja e madhe dhe vendosmëria, mirësia njerëzore dhe respekti për jetën e lirë. Musa Koshena qe njeri i thjeshtë, i mirë, pa vese, me kulturë, me një dituri të pabujshme, të padukshme, por, menjëherë të evidentueshme në komunikim me të. Ai qe një copë shkëmb, vërvitur në shkulmet e dallgëve të tërbuara të Detit të Egër. Unë, para tetë vjetësh, pas një pune kërkimore, krahasuese, studimore, verifikuese e ballafaquese botova monografinë “Një shkëlqim i trishtuar”, kushtuar figurës interesante dhe dinjitoze të Maliq Koshenës. Njerëz të ndryshëm për të të kanë mendime të ndryshme, por për karakterin, burrërinë, gjykimin dhe për respektin popullor që gëzonte, askush nuk mund të flas keq, sado i indoktrinuar errësisht e  vogëlsisht me politikën në thonjëza komuniste. Disa gjallesa, apo më saktë 2- 3 frymorë, që në fakt përmbajnë peshë specifike në komunitet sa 0.75 e  një personi, më kanë akuzuar dhe mua që kam shkruar për një ballist dhe paskesha qenë shitur te “Ballistët” e Dukatit dhe të Lepenicës për nja 30 a 300 aspra, a’smë kujtohet, se sa, ata, si duket, e ditkan më mirë, se unë s’di gjë. Jaderi ku e ulin veten me fëlliqësirat e pavërteta në këtë botë e në atë botë. Dhe për mendimin tim, ka njerëz të keq ose njerëz të mirë. Nuk ka popull të keq. Popujt janë vetëm të mirë. E pra, në Dukat, unë kam dëgjuar këngën, që këndohet dhe  sot e kësaj dite: “Ku këndon pushka dhe pena?!/ Komandant Maliq Koshena!” Populli e këndon, jo unë. Ec, e merruni popullin e Dukatit, po ua mbajti, u them atyre dy kulufëve paemër, që përdorin emrin e një homogjeni të qyqarit në individualitet, se Dukati s’pyet për perandori e qeveri, për sulltanër e shejtanër, po e shkele në kallo; s’ka nge të merret me liliputër Dukati, “gjysm’ e Misirit”, i shpërfill indiferendshëm asnjëgjërat, se vetë koha i harron natyrshëm. Unë shkruaj, interpretoj, mbush fletë të bardha me reflekse drite e burrërie, që burojnë nga gurra e traditës së mirë, e cilësive burrërore të “veqilit të shtëpisë së tij, të mëhallës së tij dhe të fshatit të tij, nga zotësia, besnikëria dhe bujaria e patriotit Maliq Koshena.  Fati më ndihmoi t’i njihja shumë mirë djalin e madh, të paharruarin Musa Koshena.

Për atë burrë nga Dukati, kisha dëgjuar fjalë me respekt. Më dukej si një lis tragjik. Rasti e pruri të punoja në Dukat. Njoha njerëz, vende, ngjarje, fakte. Më turbulloheshin fletëzat e historisë e përsëri ravijëzoheshin qartas. Tetor 1997 qe kur trokita në shtëpinë e vjetër por të pastër të bujarit Musa Koshena…Një burrë i gjatë si bredh Paliske, i hollë si shufër dyfeku, hap lehtë si kaproll mali, seroz, i vëmëndshëm, me mend e tolerant, me një shkop në dorë, që e mbante më tepër për hir të zakonit, jo s’e i hynte në punë…Dukej si një copë shkëmb nga  masivi prerë. Me dashamirësi më çeli portën dhe në sofrën e mikpritjes së tij më shtroi kafe, raki, siç e ka tradita labe dhe zemrën e madhe siç e ka fisniku.

Miku im i vyer dhe po aq i respektuar, mësuesi i dukat, i paharruari Azis Gjoni, që më shoqëronte në misionin tim historiografik ma lehtësonte dhe ma bënte kollaj realizimin e misionit të thjeshtë atdhetar. E pastë me sheqer dheun ku prehet i qetë, se mjalt e dituri nxorri nga goja sa qe gjallë Aziz Gjoni! Po kështu, miku im, me zemër në dorë e aq i mirësjellshëm, Qani Shakaj, që më fali aq shumë besim. U jam mirënjohës atyre. U them gjithmonë faleminderit edhe Qani Mëhillit, Lirim Nezhës, Sherif Tavës, Zaho Peçulit, Rrahman Gjipalit, Çezar Koshenës, Xhemil Seferit, mendimtarit Gëzim Llojdia, mandelës së Vlorës Petrit Velaj, kushëririt tim Elmas Rodaku, patjetër dhe punëmadhit e zemërgjerit të pabujshëm, Ferjat Mëhilli. Të gjithëve u jam mirënjohës!…

I ritheksova vetes detyrën të grumbulloja materialet, gjithshka, kudo, nga çdokush, të shkruaja të vërtetën, ashtu si qe, aq sa qe, pa të tepërta, pa të mangëta, me përgjegjësi.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, kisha botuar të parën monografi timen “Hysni Lepenica”, e cila u mirëprit pothuaj kudo, nga të majtë e të djathtë, sepse deviza ime ka qënë, është dhe do të jetë: Partia ime – kombi. Politika ime – Shqipëria. E kisha dhe fatmirësisht e kam këtë siguri. Sigurisht dhe në të ardhmen.

Dukati më shtroi si meze rakie zemrën me sinqeritet, kështu që u mbusha me frymë të kthjellët atdhetarie dhe nisa të dritëroj me devocion një fletëz tjetër historie. Musa Koshena është patrioti që shkriu jetën,familjen e pasurinë për lirinë. Në Dukat m’i çelën portat e kaltra të shpirtit e të kujtesës sa e sa burra me thinja të mençura, miq të heroit të librit tim, intelektualë, veprimtarë me një barrë mend e dy hejbe dashamirësi. Sa qe gjallë, me xha Musain pata shumë letërkëmbime, shumë takime respektore dhe miqësinë me të e ruaj, sidomos tani, që ai më mungon, si diçka të shenjtë. Kur po punoja për “Shkëlqimin e trishtuar”, xha Musai më thoshte: “Nuk e di kur është vrarë babai? Ku i ka eshtrat? Hirin? Pse e vranë? Pse? Ç’bëri kundër Dukatit? Ç’bëri kundër Atdheut? Pse?”

Në një letër, nisur nga Dukati, më 10. 04. 2002, xha Musai më shkruan, midis të tjerash:

… “Për kujtesë do ta përsërisja: Mos u mundo t’i thurësh areole që nuk meriton, do të ishte shërbim i më i keq që do t’i bëje emrit të tij, dhe mua s’do më vinte mirë.

Për ta konkretizuar këtë të fundit, dhe me pak banalitet, ngaqë njihet sot dhe në shkrime, miqësisht të shprehem: Kur e qanin  një të vdekur dy gra labe, u krijua natyrshëm kjo situatë: E para i thurte shumë lëvdata si: “bilbil, jastrit, luan, etj. E dyta, mbasi mbaroi e para, filloi me këto fjalë: “Motra ime, moj Xhane,/ mos e qaj lart e përdhe,/ po qaje ashtu siç qe, shtëpi m…e prag hale…”.O njerëz të mirë! Ky është mesazhi njerëzor, që vjen nga një njeri pa komplekse, i vërtetë, i respektuar e i nderuar në Dukat. Ai u bë model i njeriut që do mirëkuptim e vëllazërim. Asnjëherë s’duhet të grindemi, thoshte ai, jemi pak, duhet të duhemi shumë me njëri – tjetrin. Çfarë do të ndajmë? Çfarë do të marrim me vete? Po s’deshëm ne njëri – tjetrin, s’mund të na dojë kurrë bota. S’i hapet barku shumë jo, na kthen kurrizin e shikon punën e saj, ecën përpara. Gjeografia e humanizmit të atij njeriu të veçantë, tokësor e të çuditshëm, u mësua më së miri sidomos ditën e përcjelljes së tij. Mbushur Thilpati e Dukati me njerëz kokëulur nga dhembja, që iku një njeri i mirë nga jeta. Në 17 vjetët e demokracisë, që xha Musai jetoi, nuk u pa urrejtje në sytë, në fjalën e shpirtin e atij burri.

Vetëm buzëqeshje e dashamirësi i lexohej në tërë qenien e tij. Kënaqej, kur shikonte harmoni midis njerëzve. Këto janë vlera, virtyte, cilësi të larta që rrallëkush i gëzon. Foli në atë homazh ing. Mustafa Dedenika, kryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Dukati, për të paharruarin fjalëmbël, që dinte dhe gjuhë të huaja dhe shkruante vjersha; foli dhe Bujar Deromemaj, për atë lis, që s’u thye e s’u shkul nga erërat, për atë njeri që vendlindjen e tij e donte më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë, për Musa Koshenën, që shpirti i këngëzonte në Dukat: “Diva janë burrat, zana janë gratë”.

Ka ngelur si thënie për t’u dhënë kurajo njerëzve, tek përballen me vështirësitë, që vërshojnë me turbullirë të murme  e të egër në çdo kohë: “O njeri, shtërngo dhëmbët, mblidh mendjen e të mos ia bësh  o, kur të të vijë dita, vdis si Musa Koshena!”

Në Dukat,  emri  Musa Koshena  lexohet dhe kuptohet ndryshe: Mirëkuptim e Vëllazërim.

Në këtë kohë të trazuar, (për dreq e për mend të kokës, njëkohësisht), kërkohet ta duam shumë çiltër e vëllazërisht njëri – tjetrin, të jemi të qetë, punëtorë, të pazhurmshëm e veprues të vlerësuar nga ata, që janë shumë më mirë se ne, t’i hapim krahun njëri – tjetrit, kur duhet, e bashkarisht të ecim përpara drejt qytetërimit dinjitoz. Jemi kokërriza rëre në këtë kozmos e duhet të jemi lastarë  të globalizmit, të ndihemi në shoqërinë e informacionit e teknologjive të reja, për ta përmirësuar jetën e jo për ta alabakizuar atë. Gjërat e liga, që kanë ndodhur, mos të na përsëriten më. Boll, se padrejtësisht u qëlluam me pëllëmbë me njëri – tjetrin, – më thoshte i ndjeri xha Musa, sa herë.

Ai sot prehet pranë  së shoqes, Sofisë, që i iku 39 vjeçe, pranë vëllait Isuf, pranë dy nipërve e djalit kërthi, se bomba këputi dy djemtë e Isufit dhe 10 vjeçarin e Musait. Atje ka Minon  me halle e burrëneshë, ka Hyson, ka Pelivanin e Ardianin, si dy filiza që ranë  aq brishtë. Ka Marinelën, ka Valterin, ka Fitoren, që iku si një frymëmarrje e freskët dhe aq.

Kaloi halle të rënda e probleme të mëdha. Edhe të vëllezërit.- Kështu flisnin njerëzit, në përcjelljen e tij me zë të vogël. – Po ata i kaluan hallet me gra. Ai u u helmua nga hidhërimet, po goja, fjala dhe shpirti i tij nxorri vetëm mjalt. Prapë ai ka plot, ka tre djem e një vajzë.

Ka plot. S’numërohen dot njerëzit e tij sa shumë janë. – Jetë të vështirë, dhe me Zotin, dhe me Robin, – psherëtinin plakat e rënda të Dukatit  atë ditë me diell të plotë tek i jepej lamtumira fisnikut të Thilpatit. – Zoti i mori gruan dhe një djalë. Robi – burgjeve, pa të drejtën më të vogël.

Si lule  fati xha Musait   po i  lë kujtim respektor këtë epitaf:

 S’jemi personazhe nga “Iliada” e Homerit,

S’kemi bërë bëma gjeniale, këngë a heroizma.

Vdekja jote më tonditi sa rrathët e Ferrit’

M’u errën sytë të tmerruar, sikur erdhi kataklizma.

 U pikëllova, o i bardhi xha Musa, ndoshta më shumë

Se pikëllimi i Akilit nga vdekja e Patroklit,

Lotët që më ranë shikimin ma zunë

Edhe pse këtë njeri të mirë, s’e njohën gjithë të mirët e globit…

Gjeografia e humanizmit të Musa Koshenës e meriton këtë lule mirënjohjeje.

*Kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Tërbaçi” dhe sekretar i Shoqatës “Labëria” për Vlorën

 

Vlorë, më 13. 07. 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Musa Koshena, po bien lisat

VAJZA QË SFIDOI TALEBANËT, IKONË GUXIMI DHE SHPRESE

July 13, 2013 by dgreca

E FRYMËZUAR NGA NËNË TEREZA/

Ne Foto: Nga cereremonia në Nju Jork të premten/

Nga Frank Shkreli/

Malala Yousufzai,  vajza 16-vjeçare nga Pakistani e cila vitin e kaluar u qëllua me  plumb nga talebanët, vetëm e vetëm se mbështeste dhe progandonte në favor të edukimit për vajzat, ishte ftuar të fliste  të Premtën  në Organizatën e  Kombeve të Bashkuara, (OKB) në 16 vjetorin e lindjes dhe në ditën që  organizata botërore ka shpallur si,  “Dita e Malalës”, në nder dhe respekt për guximin e saj përballë sfidave tepër të rrezikshme për një vajzë të re.  Vitin që kaloi, Malala Yousafzai u plagos rëndë, në luginën Swat  në veri të Pakistanit, në jë sulm barbar nga talebanët, të cilët njëherazi  plagosën edhe dy shoqe të saja, kur   talebanë të armatosur u futën në autobusin e fëmijve të shkollës duke kërkuar me emër vajzën e re Malalën — e cila njihej si kundërshtare e politikës së tyre për të mos lejuar vajzat të shkonin në shkollë — dhe e qëlluan disa herë duke e plagosur rëndë.  Fatbardhësisht, ajo u shërua plotësisht  nga plagët e saja nën kujdesin e mjekëve pakistanezë dhe më vonë nga  mjekët anglezë në një spital britanik.  Ishte ky një incident i cili shokoi botën e qytetëruar dhe shkundi ndërgjegjen e botës rreth gjëndjes së vështirë të vajzave në shoqëritë islamike fondamentaliste.  Ky akt, u dënua rëndë nga e gjithë bota si një akt barbar, kriminal dhe i shëmtuar.

Ishte Ish-Kryeministri britanik, Gordon Brown, tani Përfaqsues i posaçëm global i OKB-së për arsimin,  ai që e paraqiti pakistanezen 16- vjeçare para nja një mijë studentëve të ardhur në OKB nga 100 vende  nga mbarë bota, duke thënë se me të vërtetë ishte një mrekulli, që Malala gjëndej në mesin e tyre.   “Më lejo”, tha ai, duke iu drejtuar Malalës, “të përshëndes me fjalët që Talebanët  nuk do të dëshironin t’i dëgjonin:  “Gëzuar 16-vjetorin e lindjes, Malala”.  Ai e quajti vajzën pakistaneze, të plagosur nga talebanët, si ”vajzën më guximtare në botë”.     Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon tha se, “Duke sulmuar Malalën, ekstremistët  treguan se frika më e madhe e tyre ësht[ një vajzë me një libër në dorë.”

“Ata menduan se plumbat do të na heshtnin, por talebanët dështuan”.

Ajo e filloi fjalimin e saj në OKB — një fjalim që sipas shumë komentuesve nuk do të harrohet shpejt —  duke falenderuar Zotin, “para të cilit”, tha ajo, ”të gjithë jemi të barabartë”, dhe shtoi se “kjo nuk ishte dita ime, por dita e çdo femre, e çdo djali dhe çdo vajze të cilët kanë ngritur zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave të  tyre.”    Malala u tha të pranishmëve se, “nuk po flasë për veten, por për të gjithë ato dhe ata të cilët nuk kanë mundësi të flasin, për  të gjithë ata dhe ato që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e veta, si dhe për të drejtën e tyre për të jetuar në paqë.”

“Terroristët”, tha ajo, “kanë vrarë me mijëra veta dhe kanë plagosur miliona të tjerë.  “Unë”, shtoi ajo, “jam vetëm një prej këtyre të plagosurve….një vajzë ndër shumë të tjera…Terroristët menduan se do ndryshonin objektivat  dhe të shuanin ambiciet e mia, por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time.”   Por, ajo që ka ndryshuar pas sulmit kundër saj nga talebanët, vitin që kaloi, tha Malala, është se, “vdiq dobësia, u zhduk frika dhe u rivendos shpresa”, duke shtuar se  sulmi taleban kundër saj, e kishte bërë atë më të fortë duke thënë se, si rrjedhim, për të  “lindi forca dhe guximi.”

Duke thënë se pena është më e fortë se shpata, dhe se kjo është arsyeja që talebanët ”kanë frikë nga libri dhe pena”, ajo theksoi se, “Një fëmi, një mësues, një libër dhe një penë, mund të ndryshojnë botën”.  Talebanët ekstremistë”, shtoi ajo, “kanë frikë nga femrat dhe nga zëri i fuqishëm i tyre….kanë frikë nga ndryshimet që barazia për të gjithë, do të sjellë për shoqërinë tonë.”

“Unë e ngre zërin tim jo për të tërhequr vëmendjen ndaj personit tim”, tha ajo, “por për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre që të trajtohen me dinjitet njerëzor,për të gjithë ata që ngulin këmbë dhe kërkojnë të  drejta të barabarta në çdo fushë dhe për të drejtën e të gjithëve për të shkuar në shkollë dhe për tu edukuar.”

Duke thënë se nuk po fliste në një frymë hakmarrjeje, ajo shtoi se dëshiron që edhe fëmijtë e ekstremistëve talebanë të shkojnë në shkollë dhe të edukohen.   16-vjeçarja Malala, tha në fjalën e saj në OKB, se ajo kishte ardhur në Kombet e Bashkuara  e bindur dhe duke u mbështetur në trashëgiminë e  pa dhunë të Martin Luter King-ut, Gandit dhe Nënë Terezës, si edhe në mëshirën dhe mësimet e Jezu Krishtit, Muhametit dhe Budës.    “Zemra më thotë, paqë dhe dashuri me të gjithë, dhe për të gjithë”, tha vajza e re pakistaneze në paraqitjen e saj në OKB, në Nju Jork.

Ajo u bëri thirrje udhëheqsve botërorë që të mbrojnë të drejtat  e femrave dhe të fëmijve anë e mbanë botës, dhe njëherazi u bëri thirrje të gjithë  komuniteteve që të tregojnë tolerancë ndaj atyre që janë ndryshe, duke insistuar në mbrojtjen e lirisë dhe barazisë për femrat, dhe duke theksuar se asnjë shoqëri, “nuk mund të jetë e sukseshme, kur (femrat) gjysma e popullsisë së saj, “nuk gëzon të njëjtat të drejta me gjysmën tjetër të popullsisë”.  Vajza pakistaneze u bëri thirrje, atyre që ajo cilësoi si, “motrave tona anë e mbanë botës që të jenë të guximshme — të besojnë  në vetvete dhe të përqafojnë fuqinë mbrenda vetes së tyre, ashtuqë të realizojnë potencialin e tyre të plotë.”   Askush nuk mund t’na ndalojë, tha ajo, në rrugën tonë për realizimin e paqës dhe të edukimit për të gjithë.

Presidentja e Fondacionit të Kombeve të Bashkuara, Kathy Calvin tha se, “Guximi dhe anagazhimi i Malalës na frymëzon të gjithëve”.  Znja Calvin shtoi se,   “Ajo mishëron vendosmërinë dhe guximin e të rinjve e të rejave anë e mbanë botës, të cilët ndeshin në pengesa të mëdha për të shkuar në shkollë.   Por, të edukuar, ky brez i ri do të jetë një forcë e fuqishme për përparim në botë…..Le të nderojmë sot Malalën”, tha Zonja Calvin, “duke bërë realitet edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve, anë e mbanë botës, pa përjashtim.”

Me fjalimin e saj në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Malala Yousafzai triumfoi mbi terroristët talebanë, megjithse prej tyre kishte marrë plumbin, vetëm e vetëm se nguli këmbë në mbrojtje të së drejtës së vet dhe shoqeve të saj të shkonin në shkollë për tu edukuar.    Dy prej tyre u plagosën gjithashtu me atë rast.  Ajo kundërshtoi guximshëm urdhërat e radikalve të çmendur talebanë dhe vazhdon të flasë në mbështetje të edukimit të vajzave në Pakistan dhe kudo në botë, megjithëse talebanët kanë kërcënuar se nqëoftse jeton, ata do të përpiqen gjithnjë që ta vrasin Malalën.   Por Malala, jo vetëm që ka shpëtuar nga sulmi i talebanëve dhe nuk i ka frikë ata aspak, por nga fjalimi i saj në OKB të premten e cila me guximin e saj habiti botën, shihet se ajo është më e guximshme dhe më sy patrembur se kurrë më parë.

Guximi i Malalës dhe të tjerëve si ajo, duke kundërshtuar ideologjinë çnjerëzore mesjetare të talebanëve, është e vetmja shpresë për një lëvizje mbarë popullore për të mundur ideologjinë e talebanëve dhe për të mposhtur fushatën e tyre të shtypjes në Pakistan, Afganistan dhe kudo tjetër në botë.

Në mirënjohje dhe falënderim për guximin e saj të pashëmbullt, sipas BBC-së, janë mbledhur me mijëra nënshkrime “online” nga e gjithë bota, për një peticion, me të cilin bëhet thirrje që vajza trimëreshë pakistaneze Malala, të emërohet për Çmimin Nobel për Paqë.   Ajo me të vërtetë është një kandidate e denjë për këtë çmim prestigjioz.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ikone guxim, talebanet, Vajza qe sfidoi

Obama për reformën e imigracionit

July 13, 2013 by dgreca

Presidenti amerikan Barack Obama bëri thirrje për miratimin e një projekt-ligji për imigracionin që gëzon mbështetjen e Senatit dhe do të forconte sigurinë e kufirit, si edhe do t’i hapte rrugën shtetësisë për ata që ndodhen aktualisht pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Obama tha sot se paketa e ligjeve e miratuar nga senati me shumicë demokrate do të forconte ekonominë amerikane. Ai tha se reforma e imigracionit do të bënte më të lehtë për imigrantët e kualifikuar dhe ata që studiojnë në universitetet amerikane që të hapnin biznese dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Ai u bëri thirrje amerikanëve që janë dakord me të që t’i nxisin ligjvënësit e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane që ta miratojnë legjislacionin në mënyrë që Presidenti ta nënshkruajë duke e kthyer kështu në ligj.

Filed Under: Komente Tagged With: Obama, reforma e emigracionit

NDERROI JETE NE FLORIDA SOTIR LASHOVA

July 13, 2013 by dgreca

Më 14 korrik 2013 u nda nga jeta në Jackonsvile, Florida të Amerikës shkrimtari i njohur, fabulisti shqiparo – amerikan, Sotir Lashova.
Sotir Lashova u lind në vitin 1931 në fshatin Lashovë të rrethit të Kolonjës në gjirin e një familjeje me taban të hershëm atdhetar.

Viteve të Luftës II Botërore i kontribuoi drejtëpërdrejt luftës kundër pushtuesve të huaj nazifashistë për çlirimin e Shqipërisë.
Mbas çlirimit të Atdheut shërbeu me devotshmëri të lartë atdhetar në radhët e Ushtrisë. Për disa vite ka qënë korrespondent i gazetës “Luftëtari”, organ shtypi i ish Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Që në vitet gjashtëdhjetë ka qënë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ka botuar shumë vëllime në prozë e në poezi, por më shumë është shquar si fabulist. Ai i ka dhënë lexuesit vëllime të tilla me fabula, si “Korbi i varrim – zhvarrimeve”, “Gomari që desh të bëhej mbret”, “Dhelpra në grevë urie”, “Dhelpra – mike e luanit”, “Stafi i bishave”, “Ariu ministër” etj., etj.
Sotir Lashova ka pas bashkëpunuar edhe me gazetën e nderuar “Dielli”, por jo shpesh për shkak të gjëndjes së tij jo të mirë shëdetësore.
Ndarja nga jeta e Sotir Lashovës qe dhimbje e thellë për familjarët, por ajo qe një hidhërim i madh edhe për shokët e miqtë e tij të shumtë në Shqipëri, në Amerikë e në trevat ku banojnë shqiptarë.
I përfshirë në antologjitë e shkrimtarëve të njohur shqiptarë, antologji këto të botuara në Tiranë e në Prishtinë. Sotir Lashova mbetet nje figurë e nderuar e letërsisë shqiptare.(DHIMITER SHTEMBARI)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Nderroi jete ne Florida, Sotir Lashova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT