• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Solidarizohuni me rininë dibrane duke nënshkruar peticionin’

July 29, 2013 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Angli/

 Ne, intelektualët dibranë, që po lobojmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet peticionit online, jemi mrekulluar që në fillim nga reagimi pozitiv i rinisë dibrane. Kemi marrë mesazhe nga një numër i madh të rinjsh dibranë nga disa qytete, si në Shqipëri dhe Maqedoni, ashtu edhe nga disa vende në Evropë, përfshirë edhe Australinë dhe Amerikën e largët. Ajo që na ka lënë mbresa është jo vetëm gatishmëria e tyre për ta nënshkruar peticionin dhe për të inkurajuar familjet, miqtë dhe kolegët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë, por edhe sugjerimet që na kanë bërë se si mund të lobojmë në mënyrë sa me të efektshme për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

 Një numër mesazhesh kemi marrë nga të rinj dibranë të mërguar, disa prej të cilëve ose janë larguar nga Dibra në një moshë të re ose nuk janë lindur në Dibër. Ajo që është e përbashkët tek të gjithë, është një përkushtim sa emocionues, aq dhe kuptimplotë ndaj Dibrës.

 Dibra, në të dy krahët e kufirit, ka një rini të mrekullueshme, patriote, të etur për dije dhe kulturë, me një krenari të ligjshme për tabanin e tyre dibran dhe një vizion bashkëkohor perëndimor.

 Noli dikur i jepte zemër Shqipërisë të mos kishte frikë, pasi kishte djemtë në Amerikë. Diaspora edhe sot po luan një rol të rëndësishëm si në mbrojte të interesave të kombit, ashtu edhe në zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë, tani ka ardhur koha që diaspora, përveç përkushtimit që po tregon ndaj kombit dhe emancipimit demokratik të dy shteteve shqiptare, duhet ta ngrejë zërin edhe në përkrahje të krahinave të ‘largëta’ në Shqipëri dhe Kosovë të lëna në një mjerim migjenian nga një klasë politike, e cila akoma nuk e kupton se një Tiranë dhe Prishtinë e mbipopulluar janë tregues të një Shqipërie dhe Kosove të pazhvilluar.

 Këtë angazhim të rëndësishëm dhe përkushtim të admirueshëm ndaj Shqipërisë së ‘skajshme’ po e bëjnë shumë mirë nëpërmjet këtij peticioni online të rinjtë dibranë të shpërngulur nga Dibra kryesisht në Tiranë si dhe jashtë Shqipërisë dhe Maqedonisë.

 Këta të rinj dibranë do të jenë intelektualët e së nesërmes dhe ky përkushtim që ata po dëshmojnë që tani në bankat e shkollës së mesme dhe si studentë tregon se si Shqipëria e Nolit, edhe Dibra jonë, kurrë nuk do të hupë me një rini për ta pirë në kupë.

 Ne do t’iu bënim thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë të solidarizohen me bashkëmoshatarët e tyre dibranë, që ta nënshkruajnë peticionin online për përfundimin sa më parë dhe me standarde të Rrugës së Arbrit.

 Dibra, që gjithmonë është sakrifikuar për kombin, do të dijë se si ta shprehë mirënjohjen ndaj atyre që po e përkrahin në një moment kur ajo kërkon ndihmë për një projekt që do t’i shërbejë sa Dibrës në të dy krahët e kufirit dhe kombit shqiptar, ashtu edhe vendeve fqinjë me të cilët kjo arterie e rëndësishme do të sjellë më pranë.

 Ju lutem nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’:

 http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides

29 Korrik 2013

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Alpion, me peticionin, solidarizohuni

ÇËSHTJA SHALABAJEVA,REAL-POLITIKA DHE PARIMET

July 29, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Më 17 korrik 2013, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Romën. Ishte vizita e parë në rolin e Kryetarit të Qeverisë në një Vend të huaj. Në traditën e Shtetit të pavarur, deri në ardhjen e komunizmit, Kryeministrat shqiptarë, sapo emëroheshin, vizitën e parë e kryenin në kryeqytetin italian, për vetë pozitën gjeostrategjike dhe lidhjet e veçanta që mbaheshin mes dy Vendeve. Sot kushtet kanë ndryshuar. Italia dhe Shqipëria nuk janë më, sa i përket peshës në fushën ndërkombëtare të politikës, ato të shekullit të shkuar. Megjithatë Italia ka ende një zë të fuqishëm në organizmat kontinentale, sidomos sa i përket problemeve të Ballkanit e të Shqipërisë. Nuk është i rastit fakti që BE ka dërguar në Tiranë, si përfaqësues të tijin, një diplomat italian, ambasadorin Sequi.

17 korriku ishte një ditë jo e zakonshme për politikën dhe Qeverinë italiane, të pushtuara plotësisht nga “Çështja Shalabajeva”. Nëse në atë ditë drejtuesi i socialistëve shqiptarë arriti të takojë Kryeministrin Letta, Ministren e jashtëme, Bonino dhe tre ish Kryeministra të Italisë e personalitete me peshë në jetën politike si D’Alema, Amato e Berlusconi, pa hyrë në brendinë e deklaratave të rradhës të secilit prej tyre, mjaft dashamirëse e pozitive, mendoj se kjo vizitë ka qënë mjaft e suksesëshme dhe premton mirë për t’ardhmen e marredhënieve mes dy Vendeve e mes Shqipërisë dhe BE, ku Italia është një nga Vëndet themeluese. E ardhmja do të tregojë nëse, në këtë drejtim, do të kemi zhvillime pozitive, apo do të mbetemi  në fushën pa bereqet vetëm të deklaratave të politikanëve të cilët, zakonisht, nuk shquhen për vënien në jetë të tyre.

Objekti i shkrimit është pikërisht “Çështja Shalabajeva”që, atë ditë, polarizoi gjithë jetën poltike të Vendit, me një mocion mosbesimi të paraqitur nga Opozita e majtë kundrejt Ministrit të Brendshëm, sekretar i PDL, Angelino Alfano. Për t’i dhënë lexuesit një kuadër të qartë të problemit duhet të rrjeshtoj faktet që krijuan këtë zallamahi politike përtej Adriatikut, në të cilën ka shumë motive shqetësimi, dyshimi, zemërimi, zhgënjimi për këdo që, n’Evropën pas komuniste, e ka parë Perëndimin si një pjesë e kontinentit në të cilin siguroheshin të drejtat e gjithë qytetarëvet, si një strehë për ata që pësonin dhunë e përndjekje, për shkaqe politike, në Vendet e tyre.

Ja me pak fjalë zhvillimi i ngjarjeve dhe personazhet e tyre : Alma Shalabajeva është gruaja e Muhtar Abliazovit, një ish ministër i Kazakistanit që, duke hyrë në kundërshtim me Nursultan Nazarbajevin, ish sekretar i parë i partisë e më vonë Kryetar i Shtetit, është  larguar nga Vendi i tij në vitin 2003, mbas disa muajsh burgimi. Në fillim shkoi në Moskë, ku më 2005 u bë kryetar i Bordit të bankës BTA, që financonte Opozitën politike kazake. Më 2009 u largua familjarisht nga Rusia e shkoi në Londër ku, më 2011, mori strehimin politik për veten e të shoqen. Ai ka një qëndrim të detyruar në Angli, ndërsa Alma mund të lëvizë në hapësirën Shengen. Alma shkon të jetojë në Riga të Letonisë, së bashku me motrën Venera dhe familjen e saj, por kupton se atje ishte vënë në përgjim të vazhdueshëm. Në gusht 2012 vijnë  në Romë, ku Alma nuk kërkon asnjë lloj sistemimi sepse ka strehimin politik anglez dhe lejen e qëndrimit letone, të vlefshme për të gjitha Vendet e BE.

Në Romë vjen herë herë dhe i shoqi që largohet në mënyrë të parregulltë nga Anglia, mbasi mbi të ka një mandat arrestimi ndërkombëtar, nëpërmjet Interpolit, me akuza “për shpërdorime e përvehtësime financiare në shuma 6 miliardë dollarësh dhe për krijime shoqërish kriminale”, akuza të fabrikuara në Astana dhe në Moskë.  Më 27 maj ambasadori i Kazakistanit në Romë u prit nga Shefi i skuadrës së lëvizëshme në Ministrinë e Brëndëshme dhe e njofton se në një vilë të periferisë së Romës, në Casal Palocco, gjëndet një i “kërkuar në nivel ndërkombëtar”, Muhtar Albiazov. Po atë ditë ai pritet nw takim nga shefi i kabinetit tw Ministrit tw Brwndshwm, Alfano. Më 28 maj, agjentë të policisë italiane dhe kundërzbulimit mbajnë në mbikqyrje shtëpinë, duke kuptuar se të njëjtën gjë e bënin dhe të tjerë civilë, të paguar nga një agjensi izraeliane zbulimi.

Më 29 maj në orën 00.05, një masë prej 50 agjentësh të policisë dhe shërbimit të fshehtë  hynë në shtëpinë e mbikqyrur, ku gjejnë Almën, të motrën Venerën, burrin e saj Bolat dhe dy vajzat e vogla. Arrestojnë dy gratë, godasin burrin dhe mbjellin panik në shtëpinë. Gratë i çojnë në një qendër grumbullimi të imigrantëve, ku shqyrtojnë pozitën e tyre. Motrën e lirojnë mbasi paraqiti lejeqëndrimin leton, ndërsa Almën e mbajnë 15 orë pa ngrënë (kështu pohoi ajo), në një pyetësor të vazhdueshëm. Paraqiti një pasaportë të Afrikës Qëndrore, e cila rezulton “e rreme”, simbas Interpolit. Mbas 15 orësh Alma pohon se ishte gruaja e Albiazovit dhe dërgohet në një qeli të kuesturës së Romës. Ndërkohë funksionarët e ambasadës kazake drejtojnë të gjitha operacionet e policisë italiane, përfshirë dhe një tjetër “vizitë kontrolli” në Casal Palocco, e urdhërojnë funksionarët e ministrisë së brëndëshme në fazat e ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve.

Alma Shalabajeva kërkohet nga autoritetet kazake, edhe se në drejtim të saj nuk ka një mandat arresti. Policia e dorëzon në Zyrën e Imigracionit të Ministrisë, ku rasti i saj hyn në përzëniet e zakonëshme të njerëzve që hyjnë ilegalisht e pa dokumenta n’Itali. Kalohen të gjitha hallkat e veprimit në zyrat e ndryshme me një shpejtësi marramendëse, pa i dhënë mundësi të takohet me avokatët e duke e paraqitur si një rast ordiner të paidentifikueshëm, edhe se më 28 e më 30 maj ambasada kazake në notën zyrtare drejtuar kuesturës së Romës, përcakton qartë : ”Vërtetohet se zonja Alma Shalabajeva është qytetare e Republikës së Kazakistanit. Është në zotërim të pashaportës kombëtare Nr. 816235, të lëshuar më 3 gusht 2012 dhe një tjetër pashaporte kombëtare Nr. 5347890, të lëshuar më 23 prill 2007. Në bazë të të dhënave të Interpoliti, zonja Alma Shalabajeva mund të përdorë dokumenta identiteti të rremë për emrin Alma Ayan, e lindur më 15 gusht 1966, me pashaportë kombëtare të Republikës së Afrikës Qëndrore Nr. 6Fbo4081, të lëshuar më i prill 2010.”

          Përzënien, që është në fakt një dorëzim autoriteteve kazake, e firmosin autoritetet e policisë, të prefekturës, të prokurorisë e të gjykatës. Firma e fundit është ajo e gjykatësit të Paqit, një grua që, pa u thelluar aspak në dramën e një tjetër gruaje e të  fëmijës së saj, vendos të plotësojë kërkesën e policisë e të autorizojë dorëzimin e tyre autoriteteve të një Vendi ish komunist, ku strukturat e diktaturës janë në veprim të plotë. Kërkesës së avokatëve për të takuar të mbrojturën e tyre, u përgjigjen duke u lënë një orë takimi, i cili nuk kryhet mbasi më parë “pengjet” ishin nisur pako postare, me një aeroplan austriak të marrë me qira nga ambasada kazake, posaçërisht për t’i çuar në Vendin e saj. Kjo ndodhi më 31 maj, mbasdite vonë.

Për çudi, i gjithë ky operacion i rrufeshëm që Kryetari i Shtetit e quajti “të padëgjuar”, Kryeministri Letta “ka hedhur diskreditim mbi Italinë”, ministri i brëndshëm dhe sekretar i PDL Alfano, “nuk do t’a kisha miratuar kurrë” e zv.drejtori i gazetës Repubblica, Massimo Giannini “një akt poshtërsie”, kryhet me shpejtësi, por pa “dijeninë” e Qeverisë e të asnjë eksponenti të politikës. Paraqitet në fillim nga vetë ministrat Alfano, Cancellieri e Bonino si një veprim i marrë, në mënyrë të pavarur, nga kanceleritë e ministrive të tyre, krejtësisht në përputhje me normat dhe ligjet e Italisë. Do të kalonte një muaj e gjysëm, kohë gjatë së cilës kishin shkruar gazetat e huaja, sidomos ato angleze për skandalin e kur organizmat e BE kërkonin informacion të plotë, për të shqyrtuar nëse ky veprim pajtohej me rregullat e BE, kur Kryeministri Letta do të kundërvepronte duke kërkuar një hetim nga ana e Ministrisë së Brëndëshme.

Pyetjet dhe të panjohurat e një vendimi që ve në lojë prestigjin e Italisë, si një demokraci që respekton e mbron të drejtat e njeriut, janë të shumta e jo më të pakta janë hijet që rëndojnë mbi të. Është shumë e vështirë të besohet se “dorëzimi” i Shalabajevës ka qenë një veprim spontan i autoriteteve burokratike të ministrive, të cilët marrin udhëzime nga ambasadori kazak pa i vënë në dijeni eprorët përgjegjës. Shefi i kabinetit të ministrit Alfano pranon se ka qenë ai që i ka ngarkuar detyrën të presë ambasadorin kazak “për një çështje tepër delikate” e se ai të nesërmen i ka raportuar eprorit. Por ministri para parlamentit thotë se ka mësuar ngjarjen më datën 2 qershor nga kolegia e punëve të jashtëme.

Vetë e përzëna shprehet kështu mbas largimit nga Roma : “Përshtypja ishte se të gjithë zbatonin detyra të caktuara imtësisht “prej së larti”. Është vështirë të mos jesh në një mëndje me këtë grua të shkretë që po ballafaqohet në të njëjtën kohë me diktaturën në Vendin e saj dhe me real-politikën e një demokracie që flijon parimet për interesat e një individi, të një grupi, apo të një bashkësie. Gazi i Kazakistanit, interesat e ENI-t, miqësia e Berluskonit me Nazarbajevin, përbëjnë një kompleks të errët, para të cilit fati i një gruaje dhe i një fëmije të pafajshëm flijohen pa mëshirë. Shpejtësia e veprimit e autoriteteve italiane në këtë rast është fenomenale, madje e papërfytyrueshme. Kohët e zakonëshme biblike të burokracisë italiane u dogjën sa hap e mbyll sytë për t’i dorëzuar “pengun” Nazarbajevit. Sepse Alma është një peng, që “heronjtë e heshtur” të Kazakistanit do t’a përdorin duke vënë në zbatim të gjithë arsenalin dhe përvojat xherxhinskiane në dispozicion, për të shtënë në dorë kundërshtarin politik, burrin e saj.

Ata që kanë kaluar proçeset e hetuesive të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri e kuptojnë se çfarë e pret atë grua dhe atë fëmijë në ditët që vijnë. Abliazovi e “falënderoi” Kryeministrin italian për burgun që e pret të shoqen në Vendin e tij e për jetimoren, në të cilën është e paracaktuar të shkojë vajza e tij. Kryeministri, i prekur në sedër mbas pilafit, e shfuqizoi vendimin e përzënies, një masë e vlefshme në një Vend ku gabimet ndreqen e situatat riparohen, një shprehje hipokrizie pa asnjë vlerë praktike në ish republikën sovjetike.

Ka diçka të errët dhe dëshpëruese në gjithë këtë histori : flijimi i individëve, familjeve, grupeve në altarin e interesave shtetërore, flijimi i parimeve në vorbullën e poshtër të politikës. Pajtohen me këto dukuri, i anashkalojnë, i quajnë të parëndësishme, madje në nivele shtetërore i ligjërojnë. “Gjithshka është zhvilluar në mënyrë absolutisht të rregullt” shprehej ministreja e Drejtësisë, Cancellieri, më 5 qershor. Se ku e shihte “rregullin” ministreja është për t’u habitur : përzihet një grua e një fëmijë për tri ditë, ndërsa kriminelët që kërcënojnë çdo ditë jetën e qytetarëve italianë livadhisin, me fletët e përzënies në xhep, për vite të tëra. Përzihet një grua me pashaportë të rregullt, me strehim politik të rregullt në një Vend të BE, me leje qëndrimi të rregullt të një tjetër Vendi të BE. E parregullta qëndron në faktin se funksionarët e nderuar të shtetit italian nuk janë në gjendje t’i “zbulojnë” këta fakte e të respektojnë të drejtën e një gruaje, mbi të cilën nuk rëndon asnjë lloj krimi. E dhunojnë atë të drejtë me një sulm prej 50 policësh në një shtëpi në mes të natës, me harbutërinë e sjelljes së tyre karshi banorëve të shtëpisë, me paligjshmërinë e arrestimeve, me poshtërsinë e vendimit për të kënaqur kërkesat e një diktature, që përdor gjithë mjetet e saj kundër kundërshtarëve politikë.

Deri tani politika italiane nuk ka marrë asnjë farë përgjegjësie për këtë çështje, duke shkarkuar mbi strukturat e ndërmjetme të shtetit të gjitha veprimet. Tani është në vazhdim një proçes hetimi i ngjarjeve nga ana e gjykatës së Romës me kërkesën e ministres së Drejtësisë. Duke besuar në rigorozitetin  e këtij proçesi, tani për tani gjithshka është pezulluar por nuk është mbyllur, edhe sepse avokatët e Shalabajevës do të hapin një tjetër proçes kundrejt shtetit italian për dëmet e pësuara nga klientja e tyre.

Cilido qoftë përfundimi i hetimeve imazhi i Qeverisë italiane mbetet i cënuar. Në rastin e një vendimi të ndërgjegjshëm që dëshmon ortakësinë me diktaturën kazake, mbi lëkurën e një gruaje e të një fëmije, jemi të pranishëm në një shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë e të të drejtave të njeriut  e si e tillë, nuk mund të jetë veçse një faqe turpi, e dënueshme dhe e papranueshme për opinionin publik evropian. Në rastin e veprimit të pavarur të burokracisë, pak të besueshëm, roli i qeverisë vihet në diskutim për mungesë efektshmërie dhe ndërlidhje mes hallkave të saj, gjë që tregon një mungesë të theksuar aftësie drejtuese e qeverisëse.

Para këtij fati të dhimshëm, na vijnë ndërmënd përvojat e shkuara tonat kur diktaturat shqiptare e jugosllave kishin bërë një marrëveshje për të dorëzuar t’ikurit e secilit Vënd, me qindra pasoja burgimesh e internimesh të qytetarëve shqiptarë e kosovarë. Kujtuam se i arkivuam, me rrëzimin e komunizmit, ato dukuri të shëmtuara, por nuk qenka e vërtetë. Sot Evropa po na paraqet një tjetër pamje. Real-politika italiane, në drejtim të Kazakistanit, duket se po gjen përkrahës edhe në Vendet e tjera si Spanja, Polonia, Republika Çeke, që po marrin në shqyrtim e po zbatojnë “dorëzimet” e kundërshtarëve të regjimit kazak, bashkëpuntorëve të Albiazovit.

“Është metoda Nazarbajev – padit Ana Koj, e fondacionit polak Open Dialog, që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Vendet e ish BRSS – shfrytëzojnë mandatet e arrestimit të Interpoliti, për të përndjekur kundërshtarët e regjimit, duke i akuzuar për mashtrim apo terrorizëm. Kështu shpesh arrijnë dorëzimin e tyre.”

Është me të vërtetë një tabllo trishtuese, është dhe kjo një pjesë e Evropës, të cilën nuk do të kishim dashur kurrë t’a shihnim të tillë, cinike, të ftohtë, llogaritëse, për të cilën një grua e një fëmijë mund të flijohen në altarin e real-politikës.

Korrik 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: ceshtja Shalabajeva, Eugjen Merlika

URIM I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA” PER KRYETARIN E PD, Z. LULZIM BASHA

July 28, 2013 by dgreca

I nderuar z. Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë,

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ka nderin t’ju urojë përzemersisht zgjedhjen tuaj në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Duke parë në personalitetin tuaj një udhëheqës me vizion e shpirt demokratik, ne besojmë se ju do ta çoni përpara Partinë Demokratike për të mirën e Shqipërisë Europiane, si një oponente të fuqishme opozitare për të mirën e demokracisë së brishtë dhe për ta rikthyer atë në udhëheqje të Shqipërisë, më të fortë e më të demokratizuar.

Shërbimi juaj në detyra të ndryshme publike është histori suksesesh. Ju keni firmosur me kontributin tuaj në arritjet kryesore të qeverisjes së Partisë Demokratike: në ndërtimin e Rrugës së Kombit, në anëtarsimin e Shqipërisë në NATO, në realizimin e premtimit elektoral të Qeverisë Demokratike për heqjen e vizave dhe, në fund, në garën elektorale që ju çoi në krye të bashkisë së kryeqytetit.

Vatranët, sikurse ish të përndjekurit antikomunistë në Shqqipëri, e kanë mbështetur Partinë Demokratike dhe dr. Berishën në krye të saj, që në fillim, si alternativë kundër partisë komuniste me emër të ndërruar në socialiste, për realizimin e integrimeve euroatlantike dhe të reformavet demokratike. Kur ka qenë nevoja, kemi vënë në dukje mungesën dhe kemi inkurajuar realizimin e integrimit të të përndjekurve politikë, kthimin e pronavet, dekomunistizimin real të shoqërisë shqiptare, hapjen e dosjeve të diktaturës etj.

Nën drejtimin e dr. Berishës Shqipëria ka realizuar arritje historike, u antarësua në NATO dhe është në pragun e hyrjes në Europë, ndërkohë që vendi ka bërë ndryshime të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë. Edhe pse Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha korri një fitore morale me aktin qytetar e demokratik, duke pranuar rezultatin e votimevet dhe duke dhënë dorëheqje, për ndryshim nga rivali socialist që, në rastin e humbjes, do të përsëriste skenarin e 2009-ës me pasoja të dëmshme për vëndin.

Ne vatranët shpresojmë se nën drejtiminn tuaj Partia Demokratike do të tregojë më shumë kujdes për ish të përsekutuarit, për ish pronarët dhe për figurat kombëtare padrejtësisht të damkosura nga regjimi komunist dhe kështu të rrisë elektoratin që të rikthehet në pushtet dhe të japë kontribut të mëtejshëm në kapërcimin e tranzicionit të zgjatur shqiptar, duke shkëputur shoqërinë shqiptare nga trashëgimia e diktatsurës së kaluar.

Suksese në drejtimin e Partisë Demokratike në shërbim të Shqipërisë!

Gjon Buçaj

Kryetar i Vatrës

New York, 26 Korrik, 2013

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Letra e Vatres, per Lulzim Bashen

LYPSAT E TIRANES

July 28, 2013 by dgreca

 Nga: Avdulla Kenaci/

                                                                                                -Skicë/
Duke dalë nga një supermarket  i sapoinaguruar   në Toronto, në dalje,  desh u pengova pas një  lypësi  që kish shtruar në trotuar një shami  te madhe xhepi me kuadrate të zeza,  ku ishin hedhur ca monedha metalike (coins).  As i vështronte në sy apo t’u lutej kalimtarëve, lypsi lexonte  një libër të vjetër me fletë të zverdhura nga koha.  M’u kujtua kryeqyteti  im, Tirana. Kush e njeh mirë Tiranën, njeh edhe lypsat e saj:  Ata të zënë rrugën në  trotuar, në dyert e restoranteve, përballë bareve, tek Parku, të ndalin në kryqëzim, ndërsa disa vajza adoleshente zeshkane, në stopim,  për 20 qindarka të fshijnë vullnetarisht  xhamat e makinës  aq sa ti heziton t’i japësh gazit sepse mund t’i rrokullisësh  pas rrotave… Lypsat e Tiranës janë të shumtë,   gra, fëmijë, sakatë, pleq, romë, malësorë, hallexhinj të veshur keq dhe gjithënjë të palarë. Por njëri prej tyre , ish fatorino, Genci, është tjetërsoj. Ka stil  tjetër. Mbaj mend se me ardhjen e demokracisë ai  la zanatin e fatorinos në linjat urbane  dhe erdhi e u ngul në kryqëzimin midis Televizionit dhe Kryeministrisë. Prpara se sa të lypte, ai bënte një  gjest tjetër, të përshëndeste, të fliste në emër, të  tregonte një  ngjarje të shkurtër, afrohej duke e thyer në maksimum këmbën e djathtë,  nga e cila çalonte, dhe të pëshpëriste  afër veshit sikur do të rrëfente një sekret të madh:
–          Ke të më japësh pesë lek?! – nuk thoshte fare se pse i duheshin ato lekë, ai vetëm pyeste, ke apo nuk ke.  Të njohurit, të zënë në befasi, ata që e kishin për herë të parë, kruanin xhepat me shpejtësi  dhe ia lëshonin paratë në dorë duke nxituar të iknin sa më larg prej tij. Unë që e ecja  çdo mëngjes në atë rrugë, sa e shikoja nga larg, bëja gati paratë dhe kur  më afrohej ia lëshoja të hollat në dorë  nga që nuk kisha dëshirë të dëgjoja përrallat e tij, si një kolegu im, Bajrami.
Unë isha një “bamirës” dhe Genci nuk linte rast pa më përshëndetur, veçse gabonte për emrin. Ai gjithmon më thërriste në emër të shokut tim të zyrës, Petro. Ishte si një argëtim për mua, sepse ndryshe nga të tjerët që e lexonin në ekran emrin dhe nuk ma ngatërronin kurrë, Genci nuk ma mësoi asnjëherë.  Ishte e qartë se ai as kishte e as shihte televizor.  Dhe një mëngjes, kur  isha me Petron e vërtetë,  ai  thirri përsëri  “O Petro….”.  Unë iu përgjigja:
–          Urdhëro Genc, sot nuk kam të holla.
–          E mirë, takohemi  nesër, – tha ai.
–          Po sikur më thirri mua. – tha Petrua i habitur.
–          Edhe kur nuk jam me ty, miku im, ai ashtu më thërrët.  E pse t’ia prish, ai nuk ka hallin e emrit, ka hallin e parave.
–          Po ik ore, çfarë merresh me ta.  Një lypës si ky çdo ditë, në mbrëmje, tek kioska afër shtëpisë sime, mijëra qindarka i  kthen në lekë të trasha, i bie që lypsat të bledhin në ditë më shumë se sa rroga jonë.  Dhe në një rast , për kuriozitet – vazhdoi Petrua- pyeta shitësin që ia thyente dhe ai më tha se nga lypja “Kapelja”  i bën 20-30 mijë lekë në ditë. U habita.
–          Ahaa,  mos është ai sakati që zgjat kapelen me reverancë dhe thotë në anglisht mani, mani (money)… E di nga është?  Nga Kanina e Vlorës.  Ai është kampion, edhe mund  t’i mbledhë aq para.- shtova unë.
–          Jo, ore, nga Kanina? – u habit Petrua.
–          Po, nga Kanina.
–          Nuk e merrja dot me mend se si një lab nga Kanina mund të bëhej lypës, e kujtoja  që student.
–          Njeriu, kur është fjala për bukën e gojës, çfarë nuk bën, të lypurit është më mirë se sa vjedhja.
Gjatë kësaj verë isha përsëri në Tiranë. Kërkova për lypësat e njohur, nuk i vura re të gjithë.  ”Kapelen” nga Kanina nuk e ndesha gjëkundi. Herën e fundit që e pashë, këmbën sakate e tërhiqte zvarrë dhe kur përkulej, kapelja gati i fshikte trotuarin. Ndoshta kishte ndërruar jetë. As gajdexhiun nuk e ndesha gjëkundi, por në autobusin urban të Unazës së vogël, takova Gencin.  Nuk lypi, por  më l vendin ku ishte ulur. Unë i zgjata një pesëqind lekshe si për të kompesuar kohën e munguar. Ai nuk e dinte që kisha emigruar në Kanada. I pa që ishin shumë dhe tha:  – Të paska ecur mbarë për sot,  kam kohë që nuk të kam parë apo nuk hipën mnë urban?!
–          Të kërkova me sy në Kryqëzim tek Televizioni, por nuk ishe.
–          Kam kohë që kam ikur prej andej, i kanë hequr gjithë të vjetrit, nuk më njihte njeri.
–          Mos është më mirë këtu në urban?
–          Kur gjej ndonjë shofer të kohës sime  merrem vesh, por me këta të rinjtë e kam keq, duan të vjedhin për vete.
–          Pse ti punon?
–          Jo, zë një vend dhe kur shoh ndonjë të njohur, i lëshoj karrigen.
Vazhdimin e bisedës e mora me mend vetë, domethënë, pasi i lëshon vendin, i  thotë “mikut” tek rrëza e veshit,  sikur nuk do q ta marrin vesh pasagjerët e autobuzit: “Ke pesë lekë?!”

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Avdulla Kenaci, Lypsat e Tiranes, skice

Gjermanët i kthejnë buzëqeshjen vogëlushit nga Kosova

July 28, 2013 by dgreca

“Mirënjohja për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmën e tyre vetëmohuese, nuk mund të shprehet me fjalë”, ka thënë Aleni, duke falënderuar në emrin e familjes/

Naroni është emri i një foshnjeje shqiptare nga Kosova, që pak muaj më parë pati pushtuar mediet gjermane dhe shqiptare. Vogëlushi i cili në fund të gushtit mbush një vjet, ndodhej në rrezik të madh për jetën. Një sëmundje e rëndë e mëlçisë për të cilën nuk kishte shërim në Kosovë, kishte alarmuar familjen e tij. Për të shpëtuar Naronin e vogël nga vdekja ajo  kishte ndërmarrë gjithçka që ishte në mundësitë e saj.

Nëna e vogëlushit, Fjolla Gjonbalaj shfrytëzon rrethanën që kushëriri i saj, Alen Gjonbalaj   jeton në Nürnberg të Gjermanisë. Ky i fundit vendos kontakte me klinikën për fëmijë dhe të rinj të Fürth-it, gjegjësisht me kryemjekun e saj, profesorin Jens Klinge. Përmes miqve të klinikës së përmendur u iniciua pastaj një aksion i madh humanitar për ndihmë Naronit.

Së fundi, falë ndihmës së pakursyer që u grumbullua nga njerëzit vullnetmirë të Gjermanisë, vogëlushi simpatik iu nënshtrua operacionit të transplantimit të veshkës dhe e kaloi atë me sukses, shkruan nordbayern.de.

“Është mrekulli se sa mirë na kanë pritur dhe janë kujdesur për Naronin që të gjithë. Mirënjohja për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmën e tyre vetëmohuese, nuk mund të shprehet me fjalë”, ka thënë Aleni, duke falënderuar në emrin e familjes.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjermanet, i kthejne buzeqeshjen, nga kosova, vogelushit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT