• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Pse Naimi ishte kundër “havalës”?

July 6, 2013 by dgreca

Duhet të jemi syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare/

“Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi”, thoshte Naim Frashëri/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Rryma përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi është aq e fortë, saqë edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa, e kanë të kotë. Qysh në vitet e 50`ta të shekullit të kaluar ishte aprovuar Ligji për ndalimin e bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës së femrës.

 Ndalimi me ligj

Me ligj ndalohej çfarëdo detyrimi apo bindje e femrave për të bartur ferexhe, gjegjësisht për ta mbuluar fytyrën, si dhe çfarëdo mbështetje që i bëhej bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës. Ndërkaq me punë të dhunshme, para të mëdha, apo burg të gjatë dënoheshin ata që detyronin apo cytnin femrën në diçka të tillë. Fatbardhësisht që këso ligjesh as që janë të nevojshme të propozohen, pasi vetëdija e botës sonë mashkullore dhe emancipimi i femrës shqiptare janë shumë të larta. Kemi kulturën, traditën tonë që e kemi kultivuar brez pas brezi e me gjenerata të tëra. Interesant është të theksohet se edhe Naim Frashëri, një ndër apostujt më të mëdhenj të Shqiptarisë, e ka dashur me zemër të përvëluar përparimin e Shqipërisë dhe lartësimin e kombit shqiptar. Ja se çka kishte shkruar Naimi : “ Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vë mbroth një komb kur gratë domethënë gjysma e njerzisë rronë e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmisë dhe këto qysh bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç`dashuri, ç`arsye mund të
mësojnë e të marrin djemtë në një familje të tillë…Gruaja duhet të jetë më shumë se burri e arsimuar se fëmija së pari e marrin mësimin nga nëna… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerzisë.” Një nga të mbeturat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Dhe siç thotë Tajar Zavalani (Bota e re, nr. 14, 1936): “S`na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente serioze fshehjen e gruas brenda një perdeje të zezë.” Pastaj Tajar Zavalani vazhdon: ” Të merremi vesh mirë, ç`kuptojnë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit derisa ky e detyron të dalë e mbuluar.” – Ndoshta femrës shqiptare i pëlqen të dalë e mbuluar? Kjo është një fyerje për gocën, vajzën, gruan, femrën tonë e cila ka dëshirë të zjarrtë të jetë e lirë dhe e qytetëruar si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë milenium. A thua me të vërtetë shamia, çarçafi, ferexheja e ruajnë namuzin e femrës? Nga përvoja në shtetet arabe e aziatike mbulimi sjell vetëm shëmtim që bie në sy, shëmtim nga zgjedha e shpikur nga shpirtrat sadistë.

 Nuk duhet kthyer mbrapa

Këtu në trevat shqiptare nuk duhet të kthehemi prapa dhe të lejojmë krijimin e një krijese fatkeqe që të këput shpirtin. Çfarë aftësie mund të ketë ajo për të rritur fëmijë. Ata fëmijë që do të jenë shpresa e së nesërmes së këtij vendi. Trashëgimia e atdheut dhe krenaria e kombit. Dija, në romanin e Haki Stërmillit në ditarin e saj thotë: ”Sikur t`isha djalë do t`i tregojsha botës mashkullore se dora që e përkund djepin është ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo, vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura. Femra myslimane e mbyllur brenda katër mureve asht e mpitë, e dobët dhe e pazhdrivillueme, sepse asht shtypë e mbytë nga zgjedha e randë e nji edukate që nuk këshillon e nuk porosit tjetër veçse ndalimin: mos prek,mos fol,mos dil,mos qesh ,mos e mos e mos”. Kur ne i hapim derën, atëherë të huajt mezi s`presin të na japin leksione. Njëfarë ndërkombëtari Juerg Loneburg paska pas thënë se ferexheja na qenka pjesë e kulturës shqiptare.(???)  Jo vetëm atij, por edhe bashkëkombësve të mi u them se çarçafi e ferexheja janë kulturë turko-arabe që ka pasuar me zgjerimin e Perandorisë Osmane, islamizimi i të cilit është kryer deri në fund të shekullit të 19`të. Feja e besimi është çështje shpirtërore individuale. Duhet të vëmë në rend të parë kombin. Pra se jemi shqiptarë dhe të punohet shumë në uljen e tensioneve ndërfetare tek shqiptarët. Duhet të jemi shumë syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare të cilat këmbëngulin në tjetërsimin e identitetit tonë shqiptar. Përndryshe nuk do të jemi më ata që jemi sot.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, ferexhe, havalese, ishte kunder, pse Naimi

PATRIOTIZEM GJITHEPERFSHIRES, JO PARTIAK

July 6, 2013 by dgreca

Jo më patriotizëm partiak, klasor… por patriotizëm gjithëpërfshirës, ku secili në punën e vet të kryejë mirë detyrat e tij… /                                    (Në mbështetje të kritikës së Philip Reeker)/

Shkruan: Zyba Hysen Hysa/

Njeriu duhet të kthejë kokën pas që të shikojë me vëmendje rrugët nëpër të cilat ka kaluar për të arritur qëllimet e tij në jetë, pra për të bërë grafinë kohore, të shikojë njollat e errëta që nuk e kanë favorizuar për të pasur një të tashme të dëshiruar. Kjo nuk duhet bërë që ta zërë paniku për mosarritjet, apo që të mbetet skllav i rrugëve që ka ndjekur, por që i kanë kushtuar shumë humbje kohe pa ndonjë dobi konkrete, përkundrazi, me intuitën e tij të dallojë rrugët e reja që i dikton koha me më pak mund e sakrificë, për të arritur dëshirat e tij jetësore, në radhë të pare e më pas të një mirëqenie më të mirë. Kjo gjë vlen edhe për popujt, shtetet… se nuk ka se si të kuptohet dhe të arrihet përparimi i një vendi, një populli, gjithë shoqërisë njerëzore pa u vet – parë në pasqyrë, ashtu siç shohim veten çdo ditë… “Shihu… në pasqyrë… shqiptar,/ Përqendro vështrimin me sytë e së tashmes,/ Si një piktor rregullo çdo tipar,/ T’i hapësh mirë udhën së ardhmes!” Populli shqiptar, historikisht ka luftuar për liri dhe bashkim Kombëtar, por nëse e skanojmë këtë kohë, nëse bëjmë llogaritjet mirë, ne më shumë kemi humbur se kemi fituar, se kemi humbur në njerëz, kemi humbur territore, kemi humbur atë që është më e çmuar; – kohën për të zhvilluar vetveten – duke rendur pas një ëndrre, kemi harruar të jetojmë. Ne, Shqiptarët, duhet të kuptojmë mirë, se që të realizohen ëndrrat, jo përherë bëhen me luftë, dhunë, egoizëm, apo e thënë troç “Kështu siç them unë, se kështu dua unë, se kështu na bëhet mirë ne…”, në një kohë që shumë mirë mund të përpiqesh të punosh, të arsimohesh, pra të jetosh duke realizuar ëndrrën, jo të ëndërrosh duke mos jetuar jetën. Është e vërtetë, që problemi shqiptar është fjala kyçe e Ballkanit Perëndimor, por për fat të keq, asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga politika botërore duke mos u trajtuar si faktor jo vetëm më vete, por një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, Evropë e më gjerë… Mora shkas për të bërë këtë shkrim, nga deklaratat e fuqishme të zëvendësndihmës sekretari amerikan e shtetit Philip Reeker dhe bashkohem me të në kritikën e ashpër që i bën Vetëvendosjes në Kosovë, se siç e kam theksuar edhe në shumë shkrime, por edhe në shkrimin që është botuar në gazetën “Republika” pas vizitës së tij që bëri në Shqipëri: “Philip Reeker, thirrje jo për të nxitur nacionalizmin ekstremist, por për të punuar me patriotizëm…”, ndër të tjera thuhet: “… se ai nuk na pengon të mendojmë, të duam e të përpiqemi për zhvillim dhe bashkim kombëtar, por ai tërheq vëmendjen që politika shqiptare të mos shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve për përfitime politike. Politika e jashtme amerikane është kaq e mirinformuar mbi paudhësitë e politikës sonë shqiptare, saqë e di mirë që kjo politikë, kurrë nuk e ka mbështetur një gjë të tillë. Arsye kryesore, mendoj, është se bota e di që këta lloj politikanësh nuk do kursenin edhe ndonjë luftë Ballkanike, apo luftë civile si në vitin 1997, se aq të errësuar i kanë sytë e mendjes, saqë as që do u vinte keq që popullin ta fusnin drejt një katastrofe, boll të fitojnë apo rifitojnë pushtetin…” Në librin studimor “Sharrajt në Jetën e Kombit”e kam trajtuar patriotizmin shqiptar dhe format e tij të sotme, si shumë të dëmshme e kam thënë: “Kombi ynë nuk bashkohet me klithma, as me metra katrorë flamujsh, ai bashkohet duke qenë bashkë shpirtërisht, mendërisht dhe financiarisht…  çdo trumbetim, apo rrahje gjoksi, është kot, ai e dëmton Bashkimin tonë…”, kështu që në hapat e para të daljes në skenat e rrugëve të Kreshnik Spahiut e pashë këtë si një përbindësh që e gllabëron patriotizmin e vërtetë shqiptar dhe që në 31 korrik 2011 në shkrimin publikuar tek “Zemra Shqiptare” ndër të tjera thuhet: “Cili je, Kreshnik Spahiu,/ Që bën thirrje për bashkim,/ Si fallxhore që bën magjira,/ Zëëmbli yt, vjen hakërrimë! Fjala jote, vello veshur,/ Me dëshirën e të shkretit popull,/ Çfarë i mbret për të qeshur,/ Kur një ditë ka për të njohur?!” Kreshnik Spahia përdori patriotizmin, apo më mirë të them disa shoqata të ashtuquajtura patriotike për kredo politike,  por më vjen keq ta them, se edhe Albin Kurti, me mënyrat arrogante që shpalos dhe me bashkëpunimin e ngushtë që ka me Kreshnik Spahiun, them se i meriton kritikat e ashpra ndaj tij, se të bashkosh kombin, nuk do të thotë të pengosh ndihmën e tjerëve, apo të luftosh me projektet botërore për integrimin drejt Bashkimit Evropian, të bashkosh Kombin, do të thotë që të ndikosh tek qeveria jote për të zhvilluar biznesin, arsimin, për të ruajtur traditën dhe kulturën e popullit tënd, pra për të zhvilluar vetveten e për të kapërcyer hendekun që na ndan nga bota e këtë hendek kurrë nuk kemi për ta kapërcyer duke pritur Bashkimin Kombëtar, por duke punuar për bashkimin shpirtëror, ekonomik, kulturor të shqiptarëve. ““Njerëzimi është atdheu i idealit”, – thotë filozofi shqiptar me përmasa botërore , Isuf Luzaj, që në vitin 1984 Presidenti amerikan Regan i dha medaljen e artë “Mësues i Amerikës”, por ai e shtjellon më tej e thotë: “Me u konvertue në instrument fraksioni, klase apo partie, do të thotë me u zvoglue”. Iku koha e përrallave komuniste, sot ja sheshi, ja mejdani, dil e drejto popullin për mirëqenie, arsim, paqe e kulturë, tjerat vijnë vetë… se do vijë një kohë që ne nuk do kemi se çfarë të bashkojmë, se duke rendur pas ëndrrave, harrojmë vetveten dhe në vend që të bashkohemi, shpërndahemi me duart tona… Jo më patriotizëm partiak, klasor… por patriotizëm gjithëpërfshirës, ku secili në punën e vet të kryejë mirë detyrat e tij. Kush është i mençur dhe vërtet patriot duhet të ulë kokën e të punojë me sinqeritet për atdheun, për kombin, për bashkimin tonë drejt Bashkimit Evropian, diplomacia e vërtetë shqiptare të kryejë detyrat e veta…  ne të kryejmë punët tona. Nëse do ishte një patriotizëm me merak për popullin tonë martir, mendoj që në pikat kulmore të bisedimeve për çështjet shqiptare, duhet ta ngrejë zërin me forcë intelektuale dhe bindëse, jo duke sharë e duke dalë rrugëve për të përgjakur popullin. Shumë gjëra nuk janë në dobi të shqiptarizmit, por të parë në politikën globale, shqiptarizmi ka fituar shumë, se edhe pse një pavarësi të cunguar për Kosovën, por është fituar ajo që ne kemi mundësi të mëdha dhe shanse të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar në të gjitha fushat e jetës, ndaj kjo duhet të na shqetësojë sot më shumë se kurrë, se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar njëri – tjetrin, të detyrojmë qeveritë tona me rrugë demokratike t’i shërbejnë popullit, vendit, bashkëpunimit mes shqiptarëve, kush na i mohon këto? A nuk është arritje e jashtëzakonshme kjo? Nëse ne, nuk do vlerësojmë arritjet, kurrë nuk kemi për të ecur përpara dhe kjo arritje është falë SHBA. Mos vallë duam të vijë bota dhe të punojë për ne? Mos vallë do vijë bota të na drejtojë shtetin? Ka qeveri në botë që t’i thotë qeverive tona që pse zhvillon biznesi, kulturën, arsimin…? Pse atëherë kërkojmë të ngjitemi për degëzash, kur mund të ngjitemi nga trungu me pak vështirësi, por me dinjitet. Në gjithë vorbullën e zhvillimeve dhe dështimeve të politikës ndërkombëtare (se dihet jo përherë ka suksese), ne shqiptarët duhet të shkojmë drejt të prezantuarit si faktor në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me fatet e popullit tonë, por as që e kemi arritur këtë, kjo shumë për faj të politikës së vjetër të Evropës, ky Amerika është e detyruar të mbështesë strategjinë e saj dhe për dështimet e kësaj politike është përgjegjëse vetë Evropa, se me ne shqiptarët po bën të njëjtin gabim që bëri në 1913. Pra, gjithë arsenali diplomatik shqiptar (kurrë nuk i ka munguar vendit tonë) të merret me kontaktet e vazhdueshme për një këshillim, apo konsultim me këto shtete për të ri parë mundësinë e riparimit të çështjes shqiptare, se pa u mbledhur rreth vetes një komb, s’ka se si mblidhet rreth kombeve tjera… Marrëveshjen Kosovë – Serbi e kam quajtur në një shkrim “Marrëveshja Kosovë – Serbi, një ëndërr e bukur që realitetin do e shohim pasi të zgjohemi…” dhe ky zgjim ka të bëjë me ndihmën që do të kemi nga SHBA se sa e si do të vihet në jetë, se eksperienca jonë me Serbinë ka qen përherë e hidhur, se përpos mangësive të saj, ajo rrezikon të mos zbatohet dhe po nuk u zbatua, bota të mos presë ta na futet thika edhe një herë e të derdhet gjak, por të tregojë veten që është modernizuar. Qëndrimi ndaj shqiptarëve, tregon civilizimin e politikës Evropiane e më gjerë, se të mbrosh një popull që historikisht ka qenë me pushtues dhe që ia kanë ndarë trupin në 6 copa, tregon demokraci të vërtetë e të sinqertë, në rast të kundërt, politika vetëm ndërron kostumet dhe trupi i saj është po ai para 100 viteve. Ne jemi populli më demokrat në rajon, se kurrë nuk kemi qen pushtues, por nuk kemi duruar pushtimin përderisa jemi në trojet tona, në vatrat tona, në shtëpinë tonë, ndaj kush mbron interesat tona, ka dhënë provimin e demokracisë shkëlqyeshëm. Unë e kuptoj, që edhe vetë Amerika ka merak për vazhdimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, ndaj kërkon vëmendje dhe duket ta mbështesim, por në emisionin “Zëri i Amerikë” te cilin e dëgjoj çdo mëngjes nga ora 07 – 7.30 tel “Radio Tirana), kur e pyetën një analist në Amerikë (më falni që nuk e mbaj mend emrin) tha se nuk është e përsosur për shqiptarët, por më e mira e mundshme, por ajo që nuk më shqetëson është se Serbia është e pabesë… Në një shkrim, që kam botuar tek gazeta “Dielli” në Amerikë, datë 1 shtator 1912, me titull “Një apel nga Vlora e flamurit për shqiptarët e Amerikës” thuhet: “Ka ardhur koha të lutemi SHBA, ka ardhur koha t’i puthim dorën atyre që na copëtuan, ashtu siç bëri babai i Hektorit me Akilin, kur i vrau të birin, ka ardhur koha të shuajmë mosmarrëveshjet mes njëri – tjetrit…” Kjo do ishte rruga e ndritur e shqiptarëve që e duan Bashkimin Kombëtar, jo thirrjet harbute e histerike të disa të ashtuquajtur politikanë. Kush e do Bashkimin, le të bashkojë zemrat, shpirtin, mundin, sakrificën dhe të verë në shërbim të kombit të vet inteligjencën dhe krijimtarinë e tij… kush bëhet shkaktar për derdhjen edhe një pikë gjaku shqiptar, ka bërë mëkatin më të madh, se trojet tona janë tejngopura me gjak, ato kërkojnë punë e paqe, një paqe që do vijë paqësisht…“Njerëzimi është atdheu i idealit”

“Me u konvertue në instrument fraksioni, klase apo partie, do të thotë me u zvoglue”, atë të patriotizmit njerëzor, që duhet të përfshijë gjithë horizontin tonë kulturor.

Filed Under: Opinion Tagged With: jo patriotizem partiak, Zyb a Hysa

Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit

July 6, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Në orën 21.00 trageti mbëriti në portin e Brindizit dhe ngadalë iu afrua molit që të ankorohej. Pasagjerët nisën qysh më parë që të lëviznin drejt derës kryesore të hekurt, me qëllim që të mos vonoheshin në dalje. Bashkë me djalin beratas u gjendëm të parët tek shkallët, pasi në atë orë nuk është e lehtë të gjesh tren apo autobus për të shkuar në Leçe. Dera e tragetit u hap dhe njerëzit vraponin për tek dogana. Tek dera e hyrjes disa policë na ftuan që të prisnim derisa gjithçka të ishte gati. Më pas u gjendëm në brendësi të godinës ku kontrolloheshin dokumentat. Për pak minuta kontrolli përfundoi, ashtu dhe meraku i bashkëudhëtarit tim që në çastin e kontrollit, ia përktheja bisedën midis tij dhe policit. Një lloj konfuzioni i paqtë mbizotëroi disi në kërkim të njerëzve dhe dokumentave përkatëse dhe më pas dolëm për t’u drejtuar tek hyrja e portit ku na priste i vëllai i bashkëudhëtarit. Pasi u prezantuam, më ftuan që ta bëja bashkë me ta rrugën deri në Leçe. Një kortezi që në atë orë të vonë të natës vështirë se e gjen mes qytetarëve të huaj që nuk i ke njohur kurrë. Gjaku nuk bëhet ujë – thonë. Pas nja 45 km mbërritëm në qytetin e Leçes dhe gati në qendër ishte hoteli ku do të qëndronim disa ditë, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë. Pasi bëra regjistrimin dhe mora celësin, vrapova për në dhomën time ku surprizat nuk mungonin. Hoteli ishte i një klasi të lartë dhe sapo hyra, mbi tryezën e dhomës, një letër që më uronte mirëseardhjen në konferencë. Ndeza televizorin sepse kishte ndeshje, luante Italia dhe Spanja. Pas një dushi të domosdoshëm në ato momente, rruga e gjatë nga Korça deri në Brindizi, sado e lehtë që të jetë, e kërkon një çlodhje dhe nuk ka më mirë sesa një banjë. Kur mbërrin në qytetin për ku je nisur dhe pasi i zgjidh disa probleme emergjente të strehimit dhe akomodimit, edhe mendja sikur qetësohet. Ndjen një relaks të këndshëm, pas stresit të rendjes deri fundin e aventurës së udhëtimit, kur bagazhet pushojnë në një hotel dhe zemra fillon të rrahë normalisht, e lehtësuar nga të papriturat e panjohura të vendit ku ke shkuar.

Të nesërmen në mëngjes, pasi u takova me miqtë e ardhur nga shumë vende dhe pas një mëngjesi bujar në hotel, u drejtuam për në qendrën historike të qytetit, një perlë e gërshetimit të disa kulturave, me emrin Barok,  ku do të zhvillonte punimet konferenca dy ditore me temë : Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit. Na pritën drejtues të Agjensisë së Trashëgimisë kulturore euromesdhetare të Leçes, kryetari i Provincës së Leces, zv/kryebashkiakja, zv/rektorja e universitetit e të tjerë. Presidentja e Agjensisë znj. Bortone na uroi mirëseardhjen dhe foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi në evidentimin e traditave të kulturës kombëtare në kuadrin mesdhetar dhe përpjekjet që kultura të jetë urë lidhëse për të gjithë popujt. Më tej u ndal edhe tek bashkëpunimi i disa institucioneve që bëri të mundur realizimin e konferencës. Përshëndetën autoritetet lokale të cilat e vunë përsëri theksin tek roli i madh i kulturës dhe mundësisë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse për popujt, si dhe inkuadrimin e politikave të drejta për promovimin e saj. Një përshëndetje e këndshme që dua ta nxjerr në pah, ishte edhe e zv.rektores që e vlerësoi këtë takim, duke theksuar se edhe universiteti që përfaqësonte kishte kontributin e vet.

Por në këtë kohë krize edhe kultura po vuan nga mungesa e fondeve, por gjithësesi duhen gjetur rrugë që promovimi të mos e cënojë apo shkatërrojë ndihmën ndaj saj. Ideja dhe propozimi i zv/kryebashkiakes Tessitore, për një dhuratë, libër, të lënë për miqtë, do të ishte një nismë që mund të shtrihej kudo. Dihet se vera është stina më e mirë për të lexuar, por leximi duhet të jetë pjesë e jetës në të gjitha stinët. Nismë që shumë mirë mund ta adoptojmë edhe tek ne, duke parë rënien e interesit total për leximin. Besoj se avangarda e kësaj nismë kanë qënë dhe do të jenë poetët dhe shkrimtarët të cilët janë dhuruesit më të mirë të librit.

Presidentja e Shoqatës De Giovanni pasi i falenderoi të gjithë faktorët që ndihmuan në organizimin e konferencës, u ndal tek mesazhi që kjo veprimtari përcjell, atë të njohjes së letërsive respektive, të autorëve të Mesdheut, të kulturave që e gjallojnë atë dje dhe sot me të gjitha vargjet e bukura që lexojmë. I falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, edhe ata që erdhën nga larg, shumë larg, deri dhe nga Japonia, pasi e tillë është natyra e shoqatës.

Më pas filloi punimet konferenca dy ditore me një temë tepër interesante dhe të gjerë që kishte në qendër detin, udhëtimin, krahinat që lagen nga Mesdheu, autorë dhe autore, epoka, histori, mite. Ditën e dytë të punimeve më takoi të flisja për Letërsinë shqiptare, pikërisht për poezinë që nga viti 1944 e deri në vitin 1990 dhe për autorin dhe lirikun më të madh shqiptar të asaj periudhe, gjeniun dhe mjeshtërin e vargut, Dritëro Agollin. Nuk mund ta ndash atë nga poetët e tjerë të mëdhenj të Mesdheut, nga deti, edhe pse nuk e ka njohur që në vogëli, nga udhëtimi që ka emrin jetë, nga të gjitha udhëtimet që Shqipëria përshkoi në mbi 45 vjet të historisë së saj, nga libri i madh Udhëtoj i menduar, që çdo autor do ta meritonte ta shkruante. Në thelb udhëtimi është një filozofi më vete që, nëse shkenca e mendjes dhe arsyes nuk e ka marrë shumë në konsideratë, janë poetët ata që i japin frymëmarrje gjithë filozofisë së udhëtimit. Konferenca i mbylli punimet në një abaci, kishë, ku ende dukeshin gjurmët e traditave ortodokse të ndërtimit dhe afreskeve. Ndoshta midis piktorëve të asaj kohe ka patur edhe shqiptarë të cilët si kurdoherë kanë lënë gjurmët e tyre të gjalla në kulturën e vendit fqinj.  Në fund një recital me poezi të autorëve pjesëmarrës në konferencë dhe disa çmime për kontributet në kulturë. Gjatë qëndrimit tonë në Leçe patëm mundësi që të shijonim edhe kuzhinën e pasur të Salentos, krahinë që mbi 22 vjet më parë hapi dyert e saj për të pritur me mijëra emigrant Shqiptarë. Asgjë nuk kishte ndryshuar nga mikpritja e tyre fisnike dhe e dashur. Kanë ndryshuar vetëm kohët.

Ditën e dielë 30 qershor rruga e kthimit për në atdhe ndalet në Brindizi, një qytet ku deti është kryefjala e ditës, ku vera edhe pse disi e freskët, kishte hapur zemrën dhe pushues të shumtë shëtisnin mbrëmjeve buzë detit, përgjatë shëtitores së saporestauruar. 5 orë më tutje, drejt lindjes, përballë, ndodhej atdheu im.

Nga njëra Itakë tek tjetra

Ai rrip toke mbi të cilin

Hodha hapat e fundit në tokën amëtare

Për të hipur lart në anijen “Shuttle”,

Po largohej gjithnjë e më shumë

Dhe mjegulltazi po zhdukej në det.

Valët e bardha shkumbonin

Si të zemëruara me ndarjen:

Kush është ai njeri që nuk derdh lot,

Kur diçka të dashur e humbet !…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, Mesdheu, origjina e leterersise, se udhetimit

Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske

July 5, 2013 by dgreca

Shkruan:Hajro Çini M.A. Economics/

Në liri e drejta e shprehjes, e drejta e përzgjedhjes, e drejta e vlerësimit, apo jo, dhe shumë të drejta të tjera janë vlera kaq themelore sa që ti imponohesh dikuj, qoftë edhe me dashamirësi, është e jashtkohshme. Kështu edhe me letrën që një djalë 16 vjeçar, plot ëndërra, i lutet Dr. Berishës të mos largohet nga politika dhe Dr. Berisha me shumë kulturë përgjigjet. Një akt i tillë ka shqetësuar jo pak një zonjën Buçpapaj, që e mban veten për gazetare, dhe përpiqet ti imponohet të tjerëve që të mos e lexojnë atë këmbim.

Me zonjën në fjalë, unë jam ndeshur shpesh, kështu që edhe kjo përgjigje e rradhës nuk përbën risi.

Zonja në fjalë deklaron se është gazetare dhe merr kredit që i përket antikitetit, më konkretish Kasandrës, në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, ku ajo shprehet se e kishte paralajmëruar verdiktin e popullit, “sovranit” siç kanë qejf ta quajnë shpesh politikanët kur janë të mbështetur nga ai.

Janë bërë disa analiza edhe në gazetën Dielli, ku më të spikaturat, për mendimin tim, kanë qënë shkrimet e Dr. Enver Bytyçit dhe shkrimi i Dr. Elton Marës, “Fitoi apo humbi sovrani/populli”.

Si cilësia e shkrimeve, si niveli etik dhe profesional i të dy personave ka qënë shumë i lartë. Pakrahasueshmërisht më i lartë krahasuar me të tjerë, që, vend e pa vend përmëndin titullin gazetar.

Unë nuk do ti hyj arsyeve personale dhe vetiake të zonjës në fjalë, për ngazëllimin e humbjes së PD-së, se nuk dua të bie në atë nivel, por po parashtroj disa gjëra që mua më kanë bërë përshtypje në këto zgjedhje dhe pak më gjërë.

Së pari, është hera e parë që komunistët, të kamufluar si socialistë apo LSI-stë, vinë në pushtet pa dhunën e armëve, por me një mënyrë pak më paqsore. Ata erdhën në pushtet me votën e blerë të “sovranit”. Ka me qindra raste të kapur në Shqipëri në këtë aktivitet. Edhe pse kjo dhunë quhet në perëndim, për standartet ku ka kaluar Shqipëria është progres.

Së dyti, për herë të parë, pala humbëse e njeh rezultatin pa asnjë kontensim, edhe pse atje ka me mijra raste të regjistruara. Edhe ky është një progres për tu përshëndetur. Këtu dallon ana që punon për kombin dhe jo për veten me palën që nuk do t’ja dijë asfare për komb, por për interesa të shovinizmit fqinjë, që edhe i organizoi më 8 nëntor 1941 në një parti kriminale.

Së treti, pas 8 vitesh në pushtet rotacioni është një gjë normale në një demokraci, qoftë edhe të brishtë.

Së katërti, të gjithë akuzat që i bëheshin Dr. Berishës si diktator, që po përpiqej të zaptonte të gjithë institucionet, për të sunduar, morën fund mbrënda natës. (Zonja në fjalë ka qënë ndër zërat më të çjerrë kundër kësaj “diktature”).

Së pesti, humbi ajo anë që kishte bërë shumë për çështjen kombëtare, që kishte bërë shumë për zhvillimin kombëtar, për progres dhe përparim. Kishte futur Shqipërinë në NATO, kishte hequr vizat për shqiptarët në Europë, kishte ndërtuar një infrastukturë fantastike nëpër gjithë Shqipërinë, dhe “sovrani” votoi anën tjetër, që për 50 vjet e kishte vrarë “sovranin”, e kishte shkatërruar në çdo anë, qytetare, kombëtare, ekonomike, politike shoqërore etj. Më e çuditshmja pa asnjë program të qartë elektoral.

Së gjashti, pala humbëse, e drejtoi Shqipërinë për 8 vite. Me gjithë progresin në shumë fronte, qeverisja pati edhe mangësi. Pati edhe fusha ku dështimi ishte total, si tek pronat, pati fusha ku duhej të ishte bërë më shumë. Është dëmshpërblyer vetëm 25% e asaj që duhej bërë për shtresën e persekutuar, (edhe pse kjo qeveri është e vetmja që ka bërë diçka dhe ajo që po vjen jo vetëm që i ka shkaktuar krimet, jo vetëm që i neglizhoi kur ishte në pushtet për 8 vjet, por edhe do të bëj të njëjtën gjë sapo të marrë pushtetin.)

Administrata tregoi një paaftësi, arrogancë me qytetarin, dhe një korrupsion të papranueshëm. Por etika, mendoj unë, është problem kombëtar. Njeriu i Ri që formoi rregjimi komunist nuk ka as ndërgjegje as etikë. Duke shtuar këtu edhe faktin se prokuroria, ajo që duhet me kushtetutë të luftojë korrupsionin, ishte një celulë komuniste në shërbim të agjendës politike, në shkelje të Kushtetutës, të ish Presidentit Bamir Topi. Megjithatë pavarësisht nga shkaqet “sovrani” ndëshkoi këtë aspekt të kësaj qeverie, duke vërtetuar qartazi, se ai ka mundësi, me votime, të shprehet pa frikë.

Së shtati, “sovrani” ndëshkoi jo vetëm partinë më të madhe që kishte qënë në pushtet për 8 vjet, por edhe partinë më të madhe opozitare. Nga 66 deputetë që kjo parti kishte më 2009, sot ka vetëm 61. Dhe kjo duke mos qënë në pushtet, pra e pakonsumuar nga pushteti, nuk arriti të fitojë, të paktën të kishte qënë në nivelin e para 4 viteve. “Sovrani” shpërbleu me shumë gjenerozitet, partinë e tretë më të madhe në Shqipëri. Atë që kishte qënë në pushtet per 45 muaj dhe opozitë pak më pak se 3 muaj. Kjo parti kishte edhe një specifikë shumë domethënëse. Kryetari dhe nënkryetari i saj, kur ju prishën pazaret, u shfaqën në TV me zë dhe figurë, me bllok në dorë duke kordinuar aktete e tyre korruptive. Të dy dolën jo fajtorë, sepse pavarësisht se çfarë shprehu gjykata, regjistrimi ishte bërë pa aprovimin e një gjykate dhe për rrjedhim prova ishte ligjërisht e papranueshme në gjykatë. Por ndërsa Meta mund të mos dënohej ligjërisht, me të drejtë, kjo nuk mund të thuhet moralisht. Bota perëndimore ka një standart interesant, konliktin e interest në fakt dhe në aparencë. Kur ka një hije dyshimi për një shkelje standarti, qoftë edhe e pafaktuar, personi i dyshuar nuk mund të kryejë funksionin. Thënë qartë, një gjykatës që është pare për shëmbull në një klub sporti, ku rastësisht shihet edhe dikush që do të gjykohet në atë gjykatë është arsye e mjaftueshme që ai gjykatës të mos jetë pjesë e gjykimit, edhe pse ai mund të mos ketë pasur asnjë kontakt me personin që po gjykohet.

Së fundi, të marrësh atributet dhe statusin e gazetarit, duhet në rradhë të parë duhet, mendoj unë, të mos jetë ithtar politik i cilido krahu qoftë, apo më keq, kur të prishen pazaret, të hidhet nga ithtar në kundërshtar të rreptë. Një rast i tillë tregon shumë edhe për integritetin professional apo etik të gazetarit dhe sipas standardeve ndërkombetare të gazetarit profesionist, të skualifikon direkt nga ai status.

Hajro Çini M.A. Economics

Filed Under: Komente Tagged With: Hajro Cini, qejfmbetjet gazetareske, Votimet me te mira

Shkrimet e fundit me te lexuar ne Dielli online

July 5, 2013 by dgreca

Per muajin qershor rezulton se shkrimet me lexuara ne Dielli online jane:

1-      Fahri Xharra: Raca shqiptare dhe shamijat arabe- ne vend te pare me 1143 lexues

2-      LAMTUMIRË MANJOLA MIRAKAJ LIBOHOVA!-, me 636 lexime

3-      Fahri Xharra- Boll mo! E kemi kuptuar lojën, me 470 lexues

4-      Thirrja e Federates vatra per zgjedhjet  e 23 Qershor, me 205 lexues

5-      Beqir Sina”Parada e 28 e emigranteve ne New York, 175 lexues

6-      Dr. Elton Mara: Fitoi apo humbi sovrani, Popull?- 114 lexues

7-      Branko Manojlovski, njeriu qe po  ringjall ortodoksizmin shqiptar ne Maqedoni,, vizitoi Kishen e Elbasanit te At Markut, me 180 lexues

8-      Beqir Sina: Parada Shqiptare me 176 dhe  “U larguan mbetjet komuniste” por, Ju na i sollët në Amerikë ! me 109

9-  Dr. Enver Bytyci” Berisha, kritika unikale dhe gabimet njerëzore të tij”-109

10-  “Edlira Bucpapaj: GENTJAN, ENDRIT, JU LUTEM MOS E LEXONI LETRËN E SALI BERISHËS”, me 108

11-  Sofra poetike e Diellit: Elida Bucpapaj, Neki Lulaj, Gezim llojdia,Dorina Guci-146 lexues

12-  Mimoza Dajci:Ju qe shkaterruat PD-125 lexues

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT