Nga Rafael FLOQI */
Archives for August 2013
ME FAMILJEN E SUKSESSHME DARDHARE NE FLORIDA
Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Ajri me shijen e kripës së oqeanit, rëra e imët, e bardhë si miell, që të futet midis gishtërinjve, dielli që ngrihet ngadalë në kupë të qiellit…grataçelë të panumërta ndërtuar në vijë të drejtë mbi rërën e plazhit. Ju ecni si në ëndërr duke kundruar njerëzit që piqen në diell nga njëra anë dhe një vello të lehtë mjegulle të tejdukshme që ka mbuluar ndërtesat gjigante në anën tjetër. Kjo është Florida. Jo e gjitha. Përtej plazhit, para e pas lumit që ecën ngadalë paralel me oqeanin, merr frymë, pulson e gelon parajsa tropikale. Aty shpaloset magjishem toka bujare e portokajve, palmave, bananeve, leandrove dhe luleve të rralla tropikale. Nëpër qytetet turistike,në çdo qoshk do të gjesh informacion të pasur që ju fton të
vizitoni kudo në gadishull muzeumet e artit e të shkencës, salla koncertesh ndërkombëtare, motorsportet etj. “The Walt Disney World”— ëndrra jo vetëm e fëmijëve amerikanë, por edhe te të gjithë botës, ndodhet në jugperëndim të Orlandos. Lodrat e fëmijëve dhe aventurat i ndjekin edhe prindërit e tyre.
Lundrimi me cruise—për të shijuar bukuritë e natyrës ujore e bimore dhe peshqit e delfinët zbavitës. Vizita në “Kenedy Space Center”—prej nga nisen drejt hapësirës heronjtë austronautë.
Mikpritja e amerikanojugorëve—si traditë e vjetër e tyre nëpër familjet me shtepitë karakteristike jugore ose në “Bed &Breakfast,” ku në secilën mëson nga një histori të paharrueshme nga e kaluara… Kur udhëton nëpër Florida, çdo çast është një mbresë që të fiksohet në kujtesë përjetë…
NJE TAKIM I RASTIT
Pushimet verore po i kaloja me të afërmit e mi në Daytona Beach, në veri të Floridës, gjatë ditëve të nxehta të korrikut.Përveç frekuentimit të plazhit bënim edhe shëtitje të gjata me makinë duke u ndalur aty këtu nëpër ekspozita, vende historike apo në dyqanet e vogla të shumëllojshme pranë rrugës së oqeanit.
Një ditë, mbesës sime të vogël iu tek për pica e këmbënguli aq shumë, sa ne u detyruam të ndaleshim në dyqanin e parë të picave që na doli. Dyqani ishte i freskët, i paster dhe seç vinte një erë e mirë, aromë e njohur byrekësh. Ktheva kokën me furi nga banaku dhe papritur dallova fytyrën e bashkëfshatarit tim Pandi Tollko. Ai dhe e shoqja e tij Elena, sa më panë, lëshuan thirrma habie e u ndodhen sakaq pranë nesh.
Ishte një takim me të vërtetë sa i gëzuar aq edhe kujtimsjellës pas kaq vitesh. Pandi futi në furrë picën të piqej dhe erdhi u ul në tryezë, ndërsa Elena po u shërbente klientëve. Biznesmeni shqiptaro-amerikan Pandi Tollko, një mesoburrë me një trup të hollë e muskuloz, ka filluar biznesin e restorantit që para më shumë se tridhjetë vjetësh. Ai së bashku me familjen e tij është pronari i dy picerive, njëra “Neighbor’s Pizza” në qytetin Holly Hill që drejtohet nga vajza e tij, Aleksandra dhe tjetra “Ormond House of Pizza” në Ormond Beach, gati një minutë larg oqeanit, që drejtohet nga djali i tij, Jani. Në të dyja dyqanet ka punëtorë dhe shpërndarës të picave nëpër banesat e klientëve. Dyqani I Ormondit është më i rënduar në shpërndarjen e picave dhe gatimeve të tjera të kuzhinës nëpër hotelet e plazhit për porositë nga turistët si dhe nga shkollat që ndodhen në atë mjedis. Ky dyqan që ka pothuajse madhësinë e një restoranti, frekuentohet vazhdimisht nga skuadrat sportive të të rinjve dhe nga familjet që festojnë ditëlindjet e fëmijëve. Familja Tollko është gjithashu pronare e gjashtë dyqaneve të mëdha që i ka lëshuar me qira.
Duke dëgjuar nga goja e Pandit për sukseset e tij në fushën e biznesit, më erdhi në kokë një mendim për të shkruar diçka rreth jetës së tij, gjë që e fillova të nesërmen, kur ata të dy, burrë e grua, më ftuan në vilën e tyre të mrekullueshme buzë
oqeanit. Ishte një shtëpi njëkatëshe, por e shtrirë në gjerësi, ashtu siç janë zakonisht ndërtesat e Floridës. Oborri me lule shumëngjyrëshe dhe bahçja me pishinën e madhe prapa hijeshonin së tepërmi mjediset e brendshme që ishin të
rrethuara me xhamllëk.
Ulemi në karriget pranë pishinës. Një shatërvan i vogël zhurmon ëmbël, diku, mbi kokat tona. Elena, një grua nikoqire me origjinë greke, na qeras me gurabije që i ka gatuar vetë dhe me pije freskuese. Të nxjerrësh bllokun e shënimeve në një cast të tillë e të bësh pyetje, sikur s’ka lezet, ndaj, ia hedh sytë here oborrit, herë çiftit që më rri përballë. Pandi ka një fytyrë të hequr, pakëz të zbehtë, me dy sy shprehës e të rrudhur pak në cepa, që duken gjithnjë sikur qeshin.
“Pamja jote më kujton fytyrën e babait tënd, xha Janit,” – I them.
Ndërsa gurët e shtruar poshtë këmbëve tona më kujtuan
oborrin e madh me plloça në shtëpinë e Pandit në Dardhë, kur
isha vajzë e vogël e luanim “petash” me motrat e tij. Siç mora
vesh më vonë, Pandi e kishte stisur vetë atë oborr për t’i ngjarë
sado pak shtëpisë prindërore në fshatin e lindjes.
“Të kujtohet edhe nëna ime?” – pyet ai pas një heshtjeje,
duke i mbajtur sytë përdhe.
“ Si jo!” – i them dhe i tregoj se si ne vajzat e fshatit dhe te
motrat festonim Ditën e Pranverës në shtëpinë e madhe të
Tollkos. Teto Sanoja (quhej Aleksandra) na priste me fjalë të
ëmbla, buzëqeshje e shakara e na gostiste me petulla të
shijshme e mollë starkinka.
“ Ishin mollët e bahçes sonë,” – thotë Pandi duke kujtuar e
duke shkuar me mendje e me zemër dekada të tëra mbrapa,
në fëmijërinë e tij, në Dardhën e dashur.
LOST & FOUND – I HUMBUR E I GJETUR
Ai ishte vetëm tetë vjeç kur mësoi të ngarkonte e të
shkarkonte mushkën me drutë e sjella nga pylli. Bashkë me
babanë ngriheshin që me natë e ngjitnin të përpjetën e malit.
Po me babanë mbrenin mushkën në parmendë e lëronin arat.
Pandi i vogël tërhiqte kafshën për kapistalli dhe ecte me kujdes
nëpër brazdat e hapura. Brazda që shtriheshin paralele para
tij si rrugë të çelura pa fund, që e ftonin të rrugëtonte drejt
tyre. Ai ëndërronte makinat, jo parmendat e rënda prej druri
që e lodhnin babanë. Vite më vonë dëshira e tij do të realizohej
kur u regjistrua në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Çdo
verë kthehej në shtëpi i gëzuar dhe ndihmonte me tërë energjitë
e tij familjen në punët bujqësore. Në bahçen e mollëve kishte
ndërtuar një kolibe të vogël, ku rrinte me orë të tëra pas punës,
çlodhej e thurte plane për t’u shkolluar më tej…në të ardhmen.
Me mbarimin e shkollës u emërua mekanik në ofiçinën e qytetit
të Korçës ku punoi vetëm gjashtë muaj. “Ishin ditët me bereqet
të jetës sime që sapo kishte filluar, – thotë Pandi, – isha i pavarur
nga familja, por njëkohësisht e ndihmoja me kursimet që
mblidhja dhe ndjehesha i lumtur.”
Por kishte dalë “orientimi i ri”:…djemtë e fshatarëve që
kishin mbaruar shkollat e mesme profesionale, duhet të
ktheheshin detyrimisht në fshatrat e tyre. Pandi u pushua nga
puna e u dërgua në Dardhë. Ditët e para u mbyll në kasollen e
tij e nuk donte të takonte njeri. Shok me të u bë edhe i kushëriri,
me të njëjtat probleme. Kthesa e papritur e fatit kishte lënduar
pamëshirshëm ndjenjat e tyre…, kishte këputur në mes ëndrrat.
Ishte vera e vitit 1964. Netëve pa gjumë, në koliben e vogël,
larg kontrollit të prindërve, me kokëkrisjen e tyre djaloshare
prej nëntëmbëdhjetë – vjeçari, ata morën një vendim të
shpejtë…Fshati Dardhë ndodhet pranë kufirit me Greqinë.
“A nuk hidhemi “andej?” – propozoi Pandi.
“Me gjithë mend e ke?” – iu përgjigj kushëriri.
“ Toke dorën këtu, — i thotë Pandi.—Besa besë e mos i
trego kurrkujt!”
Ata morën fshehurazi nga një torbë me plaçka e ushqime…,
pritën sa të vinte nata dhe u nisën në drejtim të kufirit midis
fshatit Arëzë e Nikolicë. Ishte një natë e errët me shi të dendur
dhe lumi që rridhte pranë kufirit, ishte fryrë nga uji i turbullt,
duke u bërë tepër i rrezikshëm për t’u kaluar. Të dy e hodhën
vaun duke notuar e duke ndihmuar njëri- tjetrin e dolën në buzë
të një mali. “Ecnim, – thotë Pandi,- këmbadorazi duke shpërndarë
degët e thata të pishave për të mos shkaktuar zhurmë.”
Kur u bindën se e kishin kaluar kufirin, ia dhanë vrapit
duke kapërcyer çuka, selishte e kodra, të lagur deri në palcë, të
uritur e të baltosur, përveç frikës e llahtares që i ndiqte nga
prapa si hije e zezë. “Ndaj të gdhirë, – vazhdon Pandi, – nga
maja e malit dalluam poshtë një fshat gjysmë të shkatërruar,
me çatitë të mbuluara me plloça guri ashtu si shtëpitë e fshatit
tonë. Nga një oxhak po dilte tym. U drejtuam tek ajo shtëpi,
ku na priti një plakë që fliste shqip. “Ku janë të tjerët, vetëm ju
jeni?” – pyeti ajo, e mësuar nga këto lloj kalimesh…”
Në kohën kur djemtë po ndërronin rrobat e lagura e po
pinin çajin e ngrohtë në fshatin grek Janoven, babai i Pandit,
xha Jani, në Dardhë, hyri në kasollen mollëve t’i thoshte të
birit “mirëmëngjes.” Por kasollja ishte bosh. Në murin me
gëlqere Pandi kishte shkruar: “Baba, na falni që po shkojmë…,
nuk dimë a do të na zënë…Perëndia me ne…”
Këtu Pandi e ndërpret bisedën dhe vështron orën. Është
koha për ata të dy të shkojnë në dyqanin e picerisë. Pas tyre
edhe unë. Jam kurioze të ndjek aventurën e dy djelmoshave, e
cila, vite me radhë, u kthye në legjendë për të rinjtë e fshatrave
të Devollit dhe Korçës.
Duke trazuar salcën e picave me një luge të gjatë druri, Pandi
vijon: “Plaka që dinte shqip, na tha: —Do të vijnë burrat të
ngarkojnë me mushka lesh dhie e shqerrkash…Do të shkoni edhe
ju me ta.”—U nisëm e arritëm në Kostur, u dorëzuam në policinë
greke. Gjënë e parë, ata na konsideruan si spiunë dhe na izoluan
për dyzet ditë, duke na mbajtur vazhdimisht nën tensionin e
pyetjeve të panumërta…Ne mundoheshim t’i bindnim se ikëm
me qëllim që të shkojmë në Amerikë, ku kemi dy tetot tona…Ne
donim të vazhdonim shkollën ose, të paktën, të punonim në
zanatin që kishim mësuar…Ne nuk e dinim se tezja e kushëririt
tim ato ditë kishte ardhur si turiste nga Amerika në Dardhë dhe
autoritetet shqiptare e kishin përzënë…”
Dy djemte e rinj kaluan një kalvar mundimesh, rropatjesh
e burokracish duke kaluar nga një kamp në tjetrin në Korfuz,
Selanik, Janinë, Athinë, për gati një vit e gjysmë. Së fundi, të
ndihmuar nga shqiptarë vendës që punonin në zyra me rëndësi,
arritën të siguronin dokumentet për të ardhur në Amerikë.
“Kur u nisa nga Pireu, – thotë Pandi, – për herë të parë në
ata muaj ankthi e frike e ndjeva veten të lirë, me krahë, mora
frymë thellë e falenderova Zotin që më kishte ndihmuar.
Udhëtimi ishte i gjatë, Greqi-Itali-Kanada-Nju-Jork-
i ri, deti më dukej fushë me lule, ndërsa Amerika, parajsa që
më priste krahëhapur. Por nuk ishte plotësisht ashtu. Sapo
mbërrita në qytetin Newtoun të shtetit Massachusetts dhe trokita
në derën e teto Ollgës, e vetmja shpresë që më kishte mbetur,
tetoja më priti me këmbët e para e gati sa nuk ulëriti: “ E solle
kokën? Më mirë të mos kishe ardhur!…Ti u bëre sebep që të
mos shkoj kurrë në Shqipëri!…”
Atë natë pa gjumë ndoshta u plaka dhjetë vjet. Jeta ime më
dilte lakuriq para syve: pa punë, pa strehë, pa një qindarkë në
xhep. Sytë më lotonin kur mendoja se ç’e keqe duhej t’i kishte
zënë babanë, nënën e motrat për shkakun tim. Në ç’humbëtirë,
vallë, i kishin degdisur? A ishin të gjithë gjallë e me shëndet?
Dhe mora një premtim, një premtim që s’do ta trettë as
dheu…Do të punoja kudo, qoftë argat, qoftë hamall…vetëm
të fitoja ç’të fitoja sa për të ngritur familjen time e më pas, të
ndihmoja edhe ata në Shqipëri. Ëndrrat që kisha thurur për të
vazhduar universitetin, u tretën që me rrezet e para të diellit të
ditës pasardhëse. Fatmirësisht, anëtarët e tjerë të familjes së
teto Ollgës më pritën me njerëzi e u përpoqën të më ndihmonin
sa mundnin.”
Bie telefoni, porositën tetë pica nga turistët e hotelit
pranë.Pandi ma tund dorën nga banaku se s’mund të
vazhdojmë më bisedën. Pasi i poqi picat i ngarkoi në minivan
dhe po bëhej gati të nisej.
“Po ti ke punëtor – deliver,”- i them.
“Ka ikur në shpërndarje, – thotë ai,- nuk mund t’i lemë
klientët të presin gjatë.”
HAPAT E PARE
“Pa hë, – thotë Elena, – se mund të të ndihmoj unë tani. Ku
keni mbetur?”
“Te dita e parë në Amerikë, – them unë, – duke pare me
mosbesim tek bashkëshortja joshqiptare e Pandit.
“Dhëndri i teto Ollgës, – thotë ajo, – e ndihmoi Pandin të
punonte në një fabrikë për prodhimin e kompjuterëve. Pandi
kishte njohuri të mira në fushën e mekanikës, kështu që e
përvetësoi zanatin shpejt. Punoi aty pesë vjet, ndërsa natën
vazhdonte shkollën për të mësuar gjuhën angleze.”
Elena shtron e shtrin brumin e picave nëpër tava me
madhësi të ndryshme, duke i vënë rresht njëra mbi tjetrën. Në
të njëjtën kohë ndjek edhe lëvizjen e brumatriçes, u përgjigjet
telefonave ose plotëson kërkesat e klientëve të shumtë. Sot vajza
e tyre, Aleksandra, nuk punon, kështu që ata të dy duhet ta
përballojnë punën vetë. Duke i bashkuar copat e shkëputura
të bisedës së asaj gruaje të palodhur, mësova se Pandi, u
punësua në një kompani tjetër kompjuterësh, sepse aty fitonte
më shumë. Bosi i dytë e transferoi në Detroit e më vonë në
Cikago, por muaj më vonë kompania falimentoi e Pandi mbeti
pa punë. Pas përpjekjesh të dështuara për të gjetur punë të re,
ai filloi si kuzhinier në një mëngjesore dhe pas- dite e natën
punonte në një restorant francez. Çdo ditë katërmbëdhjetë orë
në punën e vështirë e të lodhshme të restoranteve. Atëherë
edhe u njoh e u fejua me Elenën, e cila punonte rrobaqepëse
në një fabrikë manifakture. Kunati, i vëllai i Elenës, ishte pronar
i një picerie dhe ai i propozoi Pandit të bëheshin bashkëpronarë
duke i paguar pjesërisht gjysmën e vlerës së dyqanit. Çifti i ri
Tollko, sapo u martua hyri në borxh e filloi ca nga ca të futet në
biznesin e picave. Pas një viti e shlyen borxhin e filluan t’i fitonin
paratë për veten e tyre. Hapën një piceri të re, pronë të tyre, ku
punonin edhe 2-3 punëtorë. Pasi blenë edhe një shtëpi, u lindën
njëri pas tjetrit dy fëmijë, Aleksandra e Jani.
Ishte viti 1981.Pas disa vitesh pune të pandërprerë e lodhjeje,
çifti Tollko bashkë me fëmijët udhëtuan drejt Floridës për
pushime. Por pushime u thënçin, sepse Pandi, me nuhatjen që
kishte për tregti, kuptoi se ç’do të thotë të kesh një biznes
restoranti në Floridën turistike. Ai shiti dyqanin dhe shtëpinë në
Boston dhe u vendos në Ormond Beach ku bleu një shtëpi dhe
hapi një piceri në Daytona Beach. Më vonë bleu edhe një piceri
tjetër në Holly Hill ku bleu edhe gjashtë dyqanet e tjera të
ndertesës e i lëshoi me qira. Gjatë aktivitetit, Tollkot shitën e blenë
disa herë piceri e shtëpi dhe kjo rrugë u solli fitime të mëdha.
Kur u kthye Pandi në dyqan, Elena kishte pjekur edhe katër
pica të tjera që prisnin për deliver. Ishte 4 Korrik, ora pesë
pasdite. Kudo në Amerikë festohej. Përpara shtëpise- muze të
pasanikut Rokfeler në buzë të lumit Halifax në Daytona Beach,
ku ishin mbledhur një mizeri njerëzish, po shpërndaheshin
flamurë të vegjël amerikanë… Ndërsa familja Tollko
shpërndante gatimet e shijshme të kuzhinës së saj për të
kënaqur klientët e rregullt të dyqanit në këtë dite feste.
FAMILJA
“Në bahçen time kishte bërë folenë një çift pëllumbash, –
tregon Pandi. – Kur vezët çelën zogjtë, prindërit i mësonin ata
të fluturonin dhe të ktheheshin në fole. Një ditë nuk u kthyen.
Në Amerikë fëmijët u ngjajnë zogjve. Kur mësojnë të jetojnë
më vete, fillojnë jetë të re.”
Këtë qëllim i vuri vetes çifti Tollko.Qysh në vogëli Jani dhe
Aleksandra u mësuan me ndjenjën e punës, seriozitetit dhe
përgjegjësisë. Pasi ktheheshin nga shkolla, përgatitnin mësimet
pasditeve e punonin në dyqan bashkë me prindërit.Ata u rritën
duke përdredhur me duart e tyre të vogla brumin, i jepnin
formë e luanin me të si të ishte lodër.
“Një ditë, – thotë Pandi, – u vonova të shkoj në bankë të
derdh paratë dhe i prura ato në shtëpi. Kur i panë fëmijët
vandakët me dollarë mbi tryezë u avitën aty e filluan t’i
numëronin.” E shikoni? – u thashë fëmijëve, puna dhe vetëm
puna sjell para të madhe. Një ditë edhe ju do të fitoni kështu
po punuat si unë e mami. Por nuk mjafton vetëm puna, i
këshilloi Pandi fëmijët, duhet të jeni edhe të
ndershëm…përndryshe s’kini për të bërë kurrë prokopi.”
Të rritur e të edukuar në një mjedis të tillë familjar, sot Jani
e Aleksandra drejtojnë secili më vete biznesin e tyre, i cili u
sjell fitime çdo ditë. Ata kanë punësuar disa punëtorë të cilët
vetëm sa ndihmojnë, sepse aktivitetin kryesor të dyqanit e
kryejnë vetë.
“O Zot, Jani punon si një zhongler me brumin,”- thotë një
djalë i ri amerikan që punon në dyqan, – ne nuk mund ta arrijmë
kurrë atë!”
Jo vetëm punëtore e nikoqirë, por fëmijët Tollko janë edhe
të dashur, buzëqeshur e mikpritës si jugorët. Prandaj dhe
klientela rritet.
“ Ne vijmë këtu çdo ditë, jo vetëm për të ngrënë racionin, –
thotë një plak i moshuar, – ne vijmë këtu për të harruar vetminë.
Këtu ndjehemi si në shtëpinë tonë. – Hello, Pit!—i thërret ai
Pandit, – ku ke qenë që s’të kemi parë këto ditë?”
Pandi dhe Elena tani janë mysafirë te fëmijët. Ata shkojnë
herë te njëri, herë te tjetri për t’i ndihmuar e për t’i lehtësuar
sado pak në punët e lodhshme e për t’u dhënë mundësinë të
çlodhen pak.
RECETA E PICES — SEKRET I FAMILJES
Me këtë titull është botuar një artikull në gazetën lokale të
Daytona Beach për picerin e Janit. Sigurisht, familja Tollko, me
një përvojë tridhjetëvjeçare, tani ka krijuar recetat e veta duke
filluar që nga mënyra e përgatitjes së brumit, gatimit disa stilesh
të salcës, kombinimit të disa lloje djathëra dhe teknikës së
pjekjes. Në menunë e varur në mur do të gjesh një listë të pasur
asortimentesh: disa lloje gatimi picash, si pica e bardhë, pica
me mish, me salçiçe, pepperoni, ullinj, kërpudha etj. Janë të
pëlqyeshme edhe byrekët me spinaq ose me domate e qepë.
Çdo ditë përgatiten rreth gjashtëmbëdhjetë lloje subs si dhe
darka me lazanja, spageti me qofte e salcë, mish pule, viçi etj.
Në fund serviret bakllavaja karakteristike shqiptare dhe
cizkeku vendali. Aleksandra tregon se dyqani i saj dhe ai i të
vëllait në një javë shesin mesatarisht njëmijë pica, njëmijë
sanduiçë, njëqind pjata spageti, pesëdhjetë lazanja, njëmijë
subs, treqind sallata etj.
“Konsumatori është më i zgjuar se i zoti i dyqanit,”- thotë
Jani duke buzëqeshur. – Këtë na e ka mësuar babai. Prandaj
përpiqemi të gatuajmë ushqim me cilësi të lartë dhe porcion të
madh, që të ngop syrin dhe stomakun. Gjithashtu përdorim
lloj- lloj erëzash që nuk i kanë dyqanet e tjera. Shija e ushqimit
tonë i mban klientët tanë të përhershëm.”
Një zile e vogël fshati e varur te dera tringëllin sapo një
klient futet brenda. “Mirë-se-ardhët, – përshëndet Jani buzagas
dhe i flet miqësisht, – nëm porosinë, zgjidh një pije të ftohtë
nga frigoriferi dhe pjesa tjetër e punës na mbetet neve…”
VENDLINDJA
Edhe kur mbushte xhepin me dollarë ose kur i përkëdhelte
fëmijët e tij, Pandin e ndiqte gjithnjë nga prapa kujtimi i atdheut
të largët, fati i prindërve, motrave dhe farefisit. Me ndjenjen e
fajit të djalit plangprishës mundohej të shkruante letra prekëse
e malli për prindërit në Dardhë të cilat disa herë nuk u binin
në dorë. Për fat, njerëzit e tij nuk pësuan gjë pas arratisjes,
sepse ishin familje dëshmori.
Pandi gjithnjë nderoi njerëzit e gjakut të tij dhe shprehu
respekt për prindërit duke u vënë emrin e tyre, Jani e
Aleksandra, fëmijëve gjysmë shqiptarë. Atij i mbeti peng që
nuk i pa më kurrë prindërit gjallë. Ishte një nga shkaqet për të
cilin ai udhëtoi drejt vendlindjes pasi kishte fituar demokracia
në Shqipëri. Bashkëfshatarët e pritën me dhembshuri prindërore
duke e kthyer në festë ditën e mbërritjes së tij. Pasi vizitoi varret,
u çmall me motrat e me familjet e tyre të reja që kishin ngritur,
Pandi iu përvesh meremetimit të shtëpisë së vjetër. Së fundi ai
plotësoi një dëshirë që e mbante peng shpirtin e tij prej kohësh.
Babanë, që kishte vdekur në Korçë në kohë dimri, e solli në
Dardhë dhe e varrosi pranë nënës. Ishte shërbimi i fundit që ai
kryente për të nderuar e respektuar prindërit.
Në fillim të viteve 90-të në zonën e Bostonit filluan të vinin
familjet e para dardhare. Ishte një ditë vere e vitit’ 94, kur Pandi
dhe Elena mbërritën nga Florida në Massachusetts dhe shtruan
një darkë mirëseardhjeje në “Pier 4”, në restorantin e famshëm
të Anton Athanasit në Boston. U ftuan të gjithë dardharët nga
rrethinat e Bostonit. Mbaj mend, isha edhe unë me burrin. I
ftuar nderi ishte bashkëfshatari ynë Teodor Laço, që u ndodh
rastësisht në Amerikë. Pandi, me sy të përlotur, i malluar e i
gëzuar, por edhe i pikëlluar, kishte marrë pamjen e atij djaloshit
ëndërrimtar që vraponte dikur rrugicave me kalldrëm të
Dardhës. Bisedoi shtruar me të sapoardhurit në kontinentin e
ri, duke u munduar të ndihmonte me këshillat dhe përvojën e
tij. Kur mbaroi dreka e u përshëndetëm, çifti Tollko na ftoi të
gjithë ta vizitonim në shtëpinë e tij në Florida. “Shtëpia ime
është e hapur për të gjithë,”- tha Pandi. “Po më parë do të vish
ti tek ne, thanë dardharët e Usterit dhe e ftuan po atë natë në
festën e ditëlindjes së mbesës së vogël të familjes Konda. Pandi
i tha Elenës me shaka: “Ti shko te vëllezërit e tu grekë, unë po
shkoj te vëllezërit e mi dardharë…”
Nuk do të harrohet martesa e Aleksandrës në Florida.
Familja Tollko ftoi tërë dardharët e Amerikës duke u paguar
një pjesë të shpenzimeve. “Dëshiroj që në këtë gëzim të madh
të jem i rrethuar nga dardharët, të cilët do të zëvendësojnë
mungesën e të afërmve të mi,”- u shkruante ai
bashkëfshatarëve. Dhe ata shkuan të gjithë. Dardhari Jani
Melka tregon: “Ishte e shtuna e dasmës dhe Pandi punonte
akoma në dyqan. Shtëpia e tij gjëmonte nga zërat e dasmorëve
dhe të ftuarve. Pandi më telefonon e më thotë: “Jani, nuk mund
ta le dot dyqanin, kam shumë punë. Ty të kam caktuar
qilarxhinë e dasmës. Zgjidh llojet e verërave që pëlqejnë dhe
shtroje muhabetin deri sa të vij unë.” Kënga dhe vallja dardhare
vazhduan deri në mëngjes.
…Ulur në sallon me familjen Tollko kalojmë nëpër duar disa
fotografi nga dasma ose ditë festash familjare.
“Ja këtu, – thotë Aleksandra, – kam dalë në garën për
peshkim me varka. Çdo vit dyzet varka me vajza e gra të reja
dalin në oqean për peshkim.Unë fitova vendin e tretë me
peshkun tridhjetë e dy paund që kapa.”
Në një foto të vjetër bardhë e zi kanë pozuar xha Jani, teto
Sanoja, Pandi dhe motrat, në oborrin e shtëpisë së fshatit.
“Ke ndonjë plan për të shkuar në Shqipëri?” e pyes Pandin.
“ Po…vitin që vjen…Do të shkoj në Dardhë e do të
investoj…Do të bëj një dhuratë për dardharët, ndonjë ujësjellës
apo çfarë tjetër kanë nevojë.”
“Ndoshta i shoqëruar edhe nga fëmijet kësaj radhe,”- i
propozoj unë.
“Po, po…”- tund kokën ai dhe vështron në drejtim të tyre.
“Dini ndonjë fjalë shqip?”- e pyes Janin.
“Di…”qorr.” Kur isha i vogël e humbja ndonjë send e s’e
gjeja babai më tallte kështu. Por unë jam tamam “qorr”
kundrejt gjuhës shqipe e vendlindjes së babait. Nuk dua të
mbetem kështu,”- thotë ai serioz.
Kur e pyes Aleksandrën, ajo më thotë se kupton diçka me
të dëgjuar, por nuk di asnjë fjalë shqip.
“Ja ku po të mësoj unë një, – i them. – Ndersa yt vëlla di
fjalën “qorr”, ti mësoje fjalën “sy.” Shko shikoje Shqipërinë.
Ndoshta aty nuk ka gjëra kaq të bukura sa në Florida, por aty
do të gjesh një gjë të rrallë e të vyer që s’e gjen dot në Amerikë,
do të shohësh shtëpinë ku ka jetuar dhe ka gatuar byrekë e
lakrorë gjyshja jote Aleksandra, së cilës i ke trashëguar emrin…
NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, I FTUAR: KRISTAQ TURTULLI
POEMTH PËR LYPSARIN/
Atje…/
Anës lulishtes dhe rrugës së madhe/
Gjendet një stol i thjeshtë dërrase,/
Atje…/
I tund era dhe varen degët e shelgjeve lotuese./
Atje…/
Jetonte një njeri./
Çdo mëngjes lahej duke psherëtirë me një bulës vese,/
Që lëvizte në kah drite./
Kravatën e me ngjyra shkundte,
nyje e lidhte,
Pastaj ngadalë, me ceremoni krihej,
me krehrin delikat të rezeve mëngjesore.
Nuk kish emër, e thërrisnin lypsari.
Stinët për atë njeri
ishin mure,
ndërsa qielli ish çati.
Dimri gjëmonte, s’kish kohë të mendonte,
Se në një cep rruge, ish një njeri që flinte
E shkundte dhe i dërgonte dëborë, erë dhe shi.
Me hipokrizi kartolina Vit të Ri i jepte.
Me tallje prapë ia merrte.
Fshinte paçavuret e ditëve.
E vështronte me kokëfortësi,
Si të thoshte: Prapë këtu je ti!
Në këtë stol të thjeshtë dërrase?!
Emrin nuk ka nevojë ta di; Je ai Lypsari.
Të cilit mbi qerpikë i qëndronte loti.
I ngrirë.
Por përsëri në agun e mëngjesit ngrihej nga supet dëborën shkundte
dhe lidhte kravatën me ngjyra, si ëndrra që kishte.
E natë e ditë pëshpëriste,
duke u dredhur, një këngë për lypësit, por se linin ta thoshte.
‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.
Sikur mua më keni dhenë…’
Pranvera naive nuk e dëgjonte, ish marrosur me vete,
Por nuk harronte të hidhte në atë stol, ku ish një njeri,
Një pëllëmbë fllad dhe një grusht petale,
Që ta dehte.
Lozonjarja kish shumë dashnorë hamshorë,
prandaj s’mund të ngrohte…
Një njeri me kravatë të kaltër që lypte.
Dhe me naivitet thoshte:
‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.
Sikur mua më keni dhenë…’
Vera gjoksmadhe, faqekuqe, bukuroshe
në netët shkëlqimtare
Nuk çante kryet për hollësira.
Me zemërgjerësi e mbështillte,
e çlodhte.
Nën kuvertën e yjeve,
i këndonte rrëzë veshit këngën e prostitutave.
I varte në gjoks si medaljon një hënë të zbehtë
dhe me paturpësi
kur se kish mendjen, ia ngjishte buzët, me epsh e puthte.
Vjeshta finoke, e ngopur me vajtje ardhje,
dhe dashuri të konsumuara,
femër e vjetër, e pjellë, vithedalë
E mashtronte me fjalë boshe,
pastaj e mbulonte me fletë të arta,
Së bashku pëshpëritnin plot gjera të harruara,
Të braktisura, të lëna diku, ku nuk hyn as drita.
Në atë stol të thjeshte dërrase.
Ndërsa hëna qe mbështjellë me pece të vjetra.
Në atë stol,
Anës lulishtes dhe rrugës së madhe.
Njeriu i pastrehë,
Përsëri lahej dhe krihej në vesën mëngjesore,
Me ceremoni lidhte kravatën me ngjyrat e ylberit,
I buzëqeshte rrezes së dritës
dhe ngrohej tek rrekëza e shpresës.
‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.
Sikur mua më keni dhenë…’
Por stinët e braktisën një natë,
U lodhën me të.
Nuk kishin kohë.
Lypsar je dhe u qan hallin të tjerëve!
Dhe qielli ish mbushur me re.
Nuk kish yje dhe hënë.
Të gjithë ishin të preokupuar me ballon e madhe.
E lanë pa kthim, vetëm.
Njeriu pa shtëpi,
Pa fjalë, pa mërzi.
Me kujdes palosi
Kravatën me ngjyra të ylberit,
Nuk e lidhi nyje,
Nuk kish kush ta zgjidhte.
Si jastëk e vuri
nën kokë,
Dhe iku në heshtje, si të tjerët me erën.
Përsëri tha:‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.
Sikur mua më keni dhenë…’
Dërrasat e lagështa u drodhën, mërdhinë
Atje. Në atë stol të thjeshtë.
Anës lulishtes dhe rrugës së madhe…
Atje, në atë stol jetonte një njeri.
Dikush me pendesë një trëndafil vendosi
A ndoshta e flaku rastësisht aty.
Eh, aty,
Në atë stol të thjeshtë prej dërrase,
Midis lulishtes dhe rrugës së madhe….
10 vendet më të vizituara për turistët në qytetin e New York
Shkruan: BEQIR SINA, New York City/
NEW YORK CITY : Guida truistike e qytetit metropolitan New York, tregonë se cilat janë 10 vendet më të vizituara për turistët në qytetin e New Yorkut. New York City (NYC) është një qytet brenda shtetit federal New York në ShBA. Për t’u dalluar njëri nga tjetri jo-zyrtarisht përdoret termi New York City. Ky qytet ka mbi 8.108.080 banorë në një sipërfaqe prej 800,31 km² dhe kështu është qyteti më i madh në SHBA. New York-u quhet në gojë të popullit edhe Big Apple (mollë e madhe). New York është qyteti më i rëndësishem për të gjithë botën në hapsiren ekonomike.
Nju Jorku (New York) eshte nje nder qytete me kryesores te Shteteve te Bashkuara te Amerikes, ose i thirrur ndryshe dhe Metropoli i botës. Ky qyetet gjendet ne bregun lindor dhe eshte qyteti me i populluar i SH.B.A-se. Emrin e mori per nder te dukes se atehershem te qytetit historik te Anglise York. Eshte nje nga qendrat me te rendesishme ekonomike te vendit por dhe i gjithe planetit. Ne Nju Jork gjendet e famshmia Wall Street, zyrat qendrore te OKB-se, Banka Federale, Muzeu i Luftës së Dytë Botërore dhe sheshi i famshëm Times Square si dhe bulevardi Broadway.Ne 11 Shtator te 2001, Nju Jorku u godit nga nje sulm terrorist. Kullat binjake te ashtuquajtura Qendra boterore Tregetare (World Trade Center) u goditen nga dy avjon pasagjeresh te medha. Nga rënia e dy Kullave plotesisht aty humbasin jeten 3000 njerez të pafajshëm. Kjo ka qenë më parë qendra më e vizituar nga turistët e huaj në qyetin e New Yorkut.Në mesin e një “pafundësie” objeketsh të rëndësishme, ndërtesash gjigande- gradacieles, dhe qendra kulturore, artistike, sportive, tregtare dhe të tjera, Guida truistike e qytetit metropolitan New York, tregonë se cilat janë 10 vendet më të vizituara për turistët në qytetin e New Yorkut, për këtë gjashtë mujor të viti 2013.
Empire State Building: Një nga ndërtesat më të larta dhe më të vjetra në qytet, e cila vështrohet menjëherë nga çdo largësi e ishullit ose një ndër në rrokaqiejt e New Yorkut, është më e vizituara në New York. Duke hipur në katin e sipër të saj ju mund të shikoni pamje të mahnitëshme të qytetit të New Yorkut nga maja Empire State Building.
2. Statuja e Lirisë: Statuja e Lirisë, është një dhuratë për Shtetet e Bashkuara për nder të miqësisë së krijuar gjatë Revolucionit Francez. Statuja e Lirisë është bërë një simbol amerikan i lirisë dhe vendi i mirëpritur për emigrantët që vijnë në SHBA në kërkim të një jetë më të mirë.
3. Grand Central Terminal: Stacioni qendror i trenave dhe më i madhi në SHBA i ndërtuar me një artitekturë të veçantë 100 vjetë më parë. Renovimi që nga hapja e saj në 1913 e kanë kthyer Grand Central në më shumë se vetëm një nyje për transportin e udhëtarëve me trenat e linjave interurbane – mbasi aty tani gjenden një zinxhir dyqanesh nga firmat më të njohura në botë, restorante dhe lokale për ngrënie të klasit dhe më shumë se kaq në dispozicion për vizitorët, një pamje e “kozmosit” brenda stacionit të trenave.
4. Rockefeller Center: Qendra Rockefeller në zemër të qytetit Manhattan , është i njohur për pemën e Krishtlindjeve çdo fund viti, pistën e akullit për patinazh, dhe teatrin e madh Radio City Music Hall dhe shumë qendra tregtare firmato, restorante të shumta dhe mundësitë e ngrënies speciale. Rockefeller Center është një destinacion i madh për vizitorët në çdo kohë të vitit.
5. Ellis Island Emigracion Muzeu: Muzeu i Imigracionit në ishullin Ellis Island ofron vizitorëve një vështrim interesante në përvojën e emigrantëve. Ekspozita interaktive, turne në këmbë dhe video filma që zbulojnë vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballen emigrantët të cilët kan kaluar përmes Ellis Island.
6. Staten Island Ferry: Staten Island Ferry është një traget pa para për të udhëtuar nga njëra pjesë e ishullit të Manhattan për në ishullin tjetër Staten Island, e përdorur nga qytetarët dhe turistët që duan të marrin edhe një pamje të portit dhe nga Statuja e Lirisë.
7. Muzeut Amerikan i Historisë Natyrore: Që nga hapja e tij për publikun në vitin 1869, Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore ka evoluar dhe është rritur shumë. Përveç ekspozitave Qendra Rose Planetare edhe të rregullta, Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore e pret një seri rrotulluese e eksponateve të reja, kështu që është gjithmonë ka diçka të re për të parë.
8. Central Park: Parku Qendror u ofron banorëve njujorkez dhe turistëve të pafund çdo ditë një ambjent natyror të ngjashëm me “xhungëlën” ose “tropikun” apo malet për rreth New York City për mbi 150 vjet. Bëni një shëtitje, një udhëtim me anije në liqenin në mes të parkut ose vetëm një piknik në Central Park dhe të zbuloni pse Central Park është kaq popullorë dhe kaq tërheqës.
9. Muzeu i Artit Metropolitan: Ky muze është nga më të mëdhat në botë. Ai ka mbi 2 milion veprave të artit nga e gjithë bota dhe gjatë gjithë historisë, që janë të vendosur në Muzeun Metropolitan të Artit. Muzeu Metropolitan i Artit është një muze me një vlerë jashtëzakonëshme.
10. Muzeu i Artit Modern (MoMA): E themeluar në 1929 si muzeu i parë kushtuar tërësisht artit bashkëkohor, MoMA është mikëpritëse për një koleksion mbresëlënëse e përpjekjeve moderne artistike. Nga pikturat dhe skulpturat të filmit dhe të arkitekturës.
AQIF PASHË ELBASANI, IDEATOR DHE UDHËHEQËS I PARTISË KOMBËTARE
Ne Foto: Qeveria e Lushnjës ; Aqif pash Elbesani i dyti nga e majta./
Shkruan Eugen Shehu/
E lënë diku,në periferinë e përgjumuar të memories,mbyllur diku,në sirtaret e errët të historiografisë komuniste gjysëmshekullore,figura e Aqif Pashë Elbasanit nuk mund të humbte shkëlqimin e vet si një ndër më të shquarit e krejt historisë së kombit tonë.Në shtjellat me zbatica e batica të historisë,në çastet vendimtare të vetë ekzistencës,populli ynë e thiri këtë figurë, e degjoi zemrën e tij,ndjeu fuqinë e atdhetarisë së tij,i vajti pas jo duke e brohoritur,por duke bashkuar pushkët me pushkën e mendimit të vet atdhetar.
Tani që „ëndra“ komuniste u kthye në një zhgënjim të paparë për krejt kombin tonë,tani që kemi në duar fakte të pakundërshtueshme historike dhe jetësore,tani që më tepër se kurrë po i vemë pa drojtje së vërtetës, e kemi shumë të lehtë të kuptojmë pse u la në harresë Aqif Pashë Elbasani,ky trim i fjalës dhe i veprimit atdhetar,ky pioner deri në fund të jetës i bashkimit të trojeve arbnore shqiptare nën një administrim të vetëm. Pa hyrë në hollësitë e edukimit të ndjenjave të tij kombëtare,mund të them se ka qenë në fillim të shekullit ndër atdhetarët e Elbasanit që u përpoqën aq shumë lidhur me zgjidhjen e halleve të bashkëqytetarëve të tyre. Ndikimeve të ashpra greke e sllave,synimeve dhelprake të tyre,Aqifi u është përgjigjur kurdoherë me maturi dhe trimëri duke dëshmuar përpos trimërisë edhe erudicionit në shtruarjen dhe interpretimin e fakteve historike me fqinjët tanë lakmitarë. Është tepër e kuptueshme për të gjithë se titullin Pasha,Sulltani nuk mund t’ia jepte kujtdo.Por Turqia ka parë në karakterin e Aqip Elbasanit të gjitha virtytet dhe cilësitë e për më tepër ndershmërinë e tij. Sidoqoftë, ajo çka është e dukshme në krejt veprën e atdhetarit elbasanas,dashuria për atdheun,nuk mund të komprementohej për asnjë çast prej ndereve që mund t’i bënte Porta e Lartë.
Në prag të shpalljes së pavarsisë,në nëntorin e turbulluar të vitit 1912,Aqif Pashë Elbasani,duke gëzuar një reputacion të kënaqshëm,jo vetëm në qytet,por edhe në krejt rrethinat prej Librazhdi e deri në Peqin,kryente detyrën e prefektit.Së bashku me prefektin e Beratit,Azis Vrionin,ky do të organizojë reparte vullnetare speciale të përgaditur si për t’u bërë ballë invazioneve serbe,ashtu edhe për të përkrahur udhëheqësit e lëvizjes kombëtare për pavarsi. Janë të njohura tashmë letërkëmbimet e Aqif Pashë Elbasanit me Ismail Qemalin, i cili një herë pat deklaruar se pa ndihmën e Aqifit „nuk mund të kuptohej siguria ime në Vlorë“. Në krye të atdhetarëve që firmuan pavarsinë dhe i dërguan telegram popullit të Elbasanit, Beratit, Janinës, Delvinës, Gjirokastrës,Korçës,Vlorës e Përmetit ishte nënshkrimi i Aqip Pashës. Ndërmjet të tjerave në telegram thuhet ;“ Ju japim lajmin e gëzuar se me mirësinë e lartë hyjnore,tani e shpallëm pavarsinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë… Nesër do të kryhen ceremonitë e nevojshme“.(Arkivi Qendror i Shtetit.F.71.D1, dikumenti nr 1330,origjinal,përkthyer prej turqishtes.).
vitet e vështira që erdhën për Shqipërinë tonë,të futur krej padashur në rrjedhat e luftërave ballkanike,do të kërkonin domosdo,përpos të tjerave edhe burra atdhatrë me shpirtin që i rrihte vetëm për kombin. E nëse ka një plejadë të shkëlqyer burrash të tillë,aqif Pashë Elbasani padyshim është njëri prej tyre,madje do të thosha,në radhët e para.
Duke e parë lëvizjen e Hoxhë Qamilit sinjë akt pa precedent të tyre që donin ta kthenin prapa rrotën e historisë,si një dhurim të aspiratës mbarëpopullor për të kthyer sytë dhe shpirtin drejt Perëndimit,Aqif Pashë Elbasani në mënyrë publike u drejtohet bashkëqytetarëve të tij, duke bërë thirrje që të mos harrojnë se gjaku shqiptar i derdhur thret për pavarsi,për një rrojtje të ndershme,për qeverisje demokratike dhe ideale të mëdha të bashkimit etnik..Ai gjithashtu,njëherë demaskon rebelët me në krye Haxhi Qamilin si atentatorë të verbër të aspiratave shqiptare. për trazirat tona,u kish thënë elbasanasve ai, “nuk është e nevojshme me ja lanë dikujt në derë me na i zgjidhë,sepse pas çdo zgjidhjeje,qoftë edhe prej Turqie,dalin avaze edhe më të mëdhaja. Vlen me ndigju me respekt shoshoqin dhe me i zgjidh hallet tona në zemër të madhe se jemi shqiptarë“.(letër e Haqif Pashës.Burrave të Shqipnisë,Porgrami I Kombëtares.)
Roli i Aqif Pashë Elbasanit në mbajtjen e Kongresit të Lushnjës,tanimë ka filluar të ndriçohet.Ky rol vlen të shihet jo vetëm në aspektin atdhetar të tij,por edhe në vizionin që paraqiste Aqif Pasha lidhur me ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve në Shqipëri. Gjithmonë me vështrimin në Perëndim të Evropës,Aqifi do të këmbëngulte në këtë Kongres Historik për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë kombëtare si edhe për qitje të modeleve sa më bashkëkohore të drejtimit të shtetit.Fjala e tij u dëgjua me respekt të veçantë madje u përkrah në pjesën më të madhe të përfaqsuesve të trevave të tjera shqiptare në këtë kuvend me rëndësi historike. Aqif Pashë Elbasani u zgjodh nga delegatët e Lushnjës,njëzëri në regjencë duke përfaqsuar përpos të tjerave,në aspektin religjioz komunikimin e madh të bektashinjëve në Shqipëri.Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së vet një ushtar i denjë i këtij besimi kaq atdhetar ndër krejt motet.Por unë mendoj të ndalem më gjatë në një vlerë tjetër madhore të veprës së tij.Në atë vlerë që edhe pse vitet e mbyllin diku për t’a humbur ajo nuk rresht së klithuri si ato pulëbardhat në detin me stuhi që këndojnë pa iu trembur shkumës së valëve. Pikërisht në dëshirën e tij të lume për ta parë Shqipërinë krejt të bashkuar,ku toskë e gegë të jetojnë në harmoni,ku qeveria të mendojë vetëm për popullin e të ardhmen e tij,ku ligji të dojë të mbrojë njeriun e ndershëm.
Tepër bukur kjo ëndërr për shqiptarët.tepër e thjeshtë për të kumtuar në ndonjë mbrëmje elbasanase në kafanetë e Namssgjasë. Por Aqif Pashë Elbasani do t’i vihej punës për të realizuar diçka,në mos të tërë këtë fakt që priste atdheu i tij i robëruar aq keq prej mendimit dhe mentalitetit oriental.Kanë qenë rrethanat politike (trazirat e pambarim të forcave shqiptare) ato që e detyruan Aqif Pashën të emigrojë përkohësisht nga atdheu i vet e për më tepër nga qyteti i tij i zemrës,Elbasani i dijes dhe kulturës,i përparimit dhe atdhatrisë. Por a është vallë e rastësishme që ky personalitet i nacionalizmit shqiptar zgjodhi Austrinë,si vend për të vazhduar përpjekjet e tij në dobi tër çështjes kombëtare ?
Mendoj se po. Trazirat e brendshme të Shqipërisë,në vitet 1913-1917,kishin përcaktuar (ndonëse jo vija të qarta) se cilët mund të pranoheshin si aleatë të shqiptarëve në luftën e tyre ndaj rrezikut të copëtimit prej fqinjëve ballkanikë.Disa nga rrethet e përparuara të diplomacisë austriake kishin përkrahur në mënyrë krejt të hapur çështjen shqiptare duke treguar madje Evropës se me një ndihmesë të ndershme,problemet e këtij kombi mund të fashiteshin. Kryesuesi i Kongresit të Lushnjës i kishte njohur nga afër përpjekjet e rretheve diplomatike të përparuara austriake ndj mendoi se mund të zinte një shpresë prej atij vendi,prej atyre njërëzve që së paku e ngrenin zërin ndaj padrejtësive që i bëheshin atdheut të vet.
Në shkurtin e vitit 1922 shkon në Austri dhe falë kulturës diplomatike,miqësohet menjëherë me intelektualët përparimtarë aty.Miqtë që e kanë njohur më parë shkonin t’a takojnë,bashkëatdhetarë që i kanë dëgjuar vetëm emrin e mirë që të fal vepra i mblidhen rreth në biseda të gjata.Pak nga pak,rrethi i miqve shtohet dhe Aqif Pashë Elbasani mendon se është taman në çastin e duhur.Në krye të një grupi të gjërë atdhetarësh shqiptarë të mërguar,ai krijon Partinë Kombëtare.
A duhej të ishte rastësi ky emër i këtij grupimi atdhetarësh ? Kurrësesi jo ! Aso kohe në Shqipëri kishin filluar të organizohen grupime e parti me vizione natyrisht të qarta.por merita e Aqif Pashës qëndron pikërisht se duke njohur së mbrendshmi partitë dhe programet e tyre,ai ndjen nevojën të thërrasë për një bashkim të shqiptarëve nën një flamur të trojeve etnike stërgjushërore.Pdrejtësitë historike në dëm të trojeve tona,do të përbënin këtej e tutje jo vetëm një fatkeqsi kombëtare.ato do të shërbenin si apel për të gjithë atdhetarët,nacionalistët dhe krejt klasën politike shqiptare që në qendër të përpjekjeve të tyre të ishte e Shqipërisë Etnike. Aqif Pashë Elbasani e ndjen më tepër se një detyrim moral atë që çdo shqiptar duhet jo vetëm të ndiejë diçka për Shqipërinë dhe fatkeqsitë e saj,por edhe të luftojë për të ndrequr sa të mundë,të punojë për të ardhmen e vendit të vet.Në faqet e para të programit dhe rregullores së Partisë Kombëtare,Aqif Pasha,publikisht u bën një thirrje kurajoze krejt shqiptarëve ;
„Sot dhe unë,plaku i vjetër po dal përpara teje me programin tem.Ky program ta dish mirë se nuk është pemë e një mendimi teorik,por janë konviksionet të një plaku i cili gjithë jetën e tij e ka kalumun ndërmjet jush,si në ditë të mira,ashtu edhe në të keqen,s’të ka lënë vetëm as në qamën,as në qeshmen,t’i njef të mirat dhe të metat,t’i çmon bukur virtytet dhe nevojat,shkurtazi janë frutat të nji jetës politike të gjatë,plot me mësime dhe me prova… „.(Programi dhe rregullorja e Partisë Kombëtare;Arkivi i Bibliotekës Kombëtare – Tiranë ).
Njohës i thellë i realiteteve historike që përjetonte dhimbshëm Shqipëria e asaj kohe në programin e kësaj partie,Aqif Pashë Elbasani u përpoq të zgjojë vetëdijen e fjetur të bashkëkombasve të vet se duhej sa më parë të funksiononte shteti dhe ligji,institucionet juridike dhe kulturore.Por njëherazi,plaku i mençur u hapte udhë reformave demokratike dhe liberale ku vendin e duhur e zinin respektimi dhe liria e të drejtave njerzore të njeriut.Ideja që Shqipëria duhej të kthente vështrimin përfundimisht nga Perëndimi,nga demokracitë e sapolindura aty,ishte sipas Aqif Pashës e vetmja rrugë e sigurtë për të ardhmen e Shqipërisë.Duke patur në krah të tij,atdhetarë që parashihnin dhe e kuptonin të ardhmen e vendit të tyre vetëm në Evropën e qytetëruar,plaku i mençur elbasanas përcaktonte qartë në një thirje të asaj kohe se ; „Ne pasuesit e kulturës perëndimore,kërkojmë që patriotizmi dhe oksidentalizmi që janë dy pikat kryesore të egzistencës sonë politike,të jenë të konfirmuara sheshazit,jo me fjalë e përalla,por me vepra të gjalla,të qarta e të padyshueshme“.
Dhe padyshim,ajo që do të vendosë në jetë të jetëve,figurën e Aqif Pashë Elbasanit në panteonin e lavdisë së popullit tonë është pikërisht ideja e hedhur qartë në programin e partisë kombëtare se indipendenca e plotë e shtetit është një bazë e shenjtë.Duke institucionalizuar këtë të drejtë legjitime të shqiptarëve,plaku i mençur elbasanas u kujtonte kancelarive perëndimore se shqiptarët mund dhe duhet të udhëhiqen vetëm prej shtetit të tyre duke mos pasur as më të voglën dëshirë për protektoratin e një shteti tjetër.Njëherazi,duke qenë se në Partinë Kombëtare,ishin afruar intelektualë,atdhetarë e diplomatë,thirja ishte tepër e qartë.Kushdo prej tyre duhej të ndihmonte me ç’të mundte për të larguar prej Evropës atë vizion të shtrembër se shqiptarët nuk mund të qeverisin vetë.
Lufta dhe përpjekjet e Aqif Pashë Elbasanit për bashkimin e trojeve etnike shqiptare duket se do të përmblidheshin në një frazë të vetme të programit të partisë së krijuar prej tij.Është tepër e kuptueshme se këto përpjekje të Aqif Pashës ishin të shtrira si ai përoi i malit,në shtratin e gjërë të lumit të aspiratave shqiptare për bashkimin e gjakut të shprishur,për ngadhnjimin e një të drejte legjitime.
„Kufijtë e Shqipërisë i ka caktuar Perëndia,ata s’mund të ndryshohen në favor të kurrkujt… „.Këto fjalë, të gdhendura si me daltë në kujtesën e shekujve,do t’u kujtojnë fqinjëve tanë tokësorë se ata janë e do të mbeten kurdoherë përgjegjës jo vetëm përpara historisë por për më tepër përpara Perëndisë.
Jetët, të gjitha shuhen. Veprat,natyrisht që mbeten.Por nëse çdo minutë e jetës ka shkuar në dobi të atdheut,nëse çdo rrahje zemre ka patur brenda drithërimen e lirisë amtare,atëherë jeta dhe vepra rrojnë e ecin përjetësisht me njëra – tjetrën.Aqif Pashë Elbasanasit,përpara se t’i ngrihej një atatujë në qytetin e tij të lindjes në Elbasan,populli i ka ngritur me mijëra me mijëra të tilla në zemrat e këngët e tij.
Bern-Zvicër