• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

FJALËT I KAM PËR NJERËZIT JO PËR DYKËMBËSHAT

September 29, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Fjalët i kam për njerëzit/

atyre ua kushtoj/

atyre/

ua dërgoj fjalët në eter/

me postierë-pëllumba/

janë fjalë zemre/

të pastra/

jo si uji me microbe/

që pihet në Tiranë/

janë

si uji i burimeve

që kanë mbetur të paprekura

prej dorës së barbarëve

barbarët janë aty

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për dykëmbëshit

të cilëve shqiptarët u falen

sikur të jenë Zota

duke u dhënë

ciklikisht vota

si të jenë klone

robotësh

për t’u rifutur

nëpër labirinthet

e tranzicionit

torturë

si Spaçi

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për dykëmbëshit

veshur me rroba firmato

që kalërojnë qiellin

e bredhin me vetura

të markave të fundit

paguar nga taksat tona

ata dykëmbëshat

parazitë

që nuk e njohin

punën

as si nocion

ata dykëmbëshit

e zbrazur nga çdo

organ njerëzor

me zemër, zorrë

stomak dhe mëlçi

çeliku

si një vepër

mirëfilli e realizimit socialist

po na rrjepin sa më mirë

lëkurën

po na lënë

veç skeletin

sipas atij proverbit

se i joti

mishin ta ha

e kockën ta le

ne viktimat

e reja

të mathauzenit

dhe auschwizit

të tranzicionit shqiptar

të mileniumit

të tretë

të kohës

të IPhone-it

dhe rrjeteve sociale

 

dykëmbëshat

nuk të çojnë

direkt

nëpër kremtariume

për të na bërë sapun

po na vrasin

pak e na pak

përmes

pritjeve boshe

ti prit e prit

një vit

një pesëvjeçar

një dekadë

dy dekada

njëçerek shekulli

prej kohës kur

fëmijëve

po u ndërroheshin

dhëmbët e qumështit

e tani u kanë dalë

thinjat e para

…

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për servilët

jo për hipokritët

jo për shpifësit

jo për intrigantët

për ata fjalët e mia

qofshin

si flakët

e ferrit

që t’ua djegë

të keqen

le të mos më jenë mirënjohës për

nderin që u bëj

nuk dua asnjë

falenderim prej tyre

me ta nuk kam asnjë fjalë

asnjë rrokje

nuk e shqiptoj për ta

 

kohën time të çmuar e kam

për njerëzit

fjalët e mia të zemrës

të pastra

pa asnjë sarkazëm, mllef,

pa asnjë dykuptimësi

pa asnjë rrengbrënda

apo dyfytyrësi

që i kanë dykëmbëshit

me pushtetin e votës

tonë

të ne budallëve

më të mëdhenj

që ka parë shekulli i parë

i mileniumit

të Steve Jobsit

dhe Mark Zuckerbergut

 

ne të marrët

që u dhamë pushtetin

për çerek shekulli

dykëmbëshave

 

ne naivët

që mbetëm fëmijë

ne që besuam

që ditëm të besojmë

që patëm stomak e zemër

të besojmë

 

të të besojë njeriu

është mrekulli e Zotit

por ata janë të gjithë

ikonoklastë

Zotit i falen ditën

dhe natën

blasfemojnë

ose shkojnë në Mekë

për të shpëtuar

prej mëkateve

për vrasjen që i bënë kohës

si vrasesit e kohës

tonë

 

për dykëmbëshat

s’kam asnjë fjalë

si t’ja bëj

për atë kohë që iku

e nuk vjen më

për besimin që u dhamë

për të na sjellë

vërdallë

me pasqyrka

fjalësh

llamburitëse

por

sharrllatane

sepse

vinin nga zgafellat

e blozave

të të pazotëve

të të pafeve

të të pashpirtëve

të dykëmbëshave

që pasuan

diktaturën

dhe që sollën

veç

tranzicion

dhe asgjë tjetër

veç eksod dhe asgjë tjetër

veç ekskomunikim

nga Europa

dhe asgjë tjetër

na larguan prej saj edhe më

na hodhën

në Azinë e largët

kur më 1992

ne ishim vetëm dy hapa larg saj

atëherë kur ishim fare të rinj

kur fëmijët nuk i kishim

lindur ende

apo posa i kishim sjellë

në këtë botë

dhe u premtuam

atë që na premtuan

dykëmbëshit mizorë

Tokën e Premtuar

u premtuam

e tani fëmijët

që lindëm në tranzicion

po bëhen

sa ishim ne

kur besuam se

Shqipëria

po bëhej nga zhbërja…

 

fëmijët tanë po bëhen

gati të lindin

fëmijët e tyre

dhe tranzicioni

vazhdon si serialet

e filmave turq

me hakmarrje primitive

si mallkim

për besimin që ne

u dhamë dykëmbëshave

 

sepse njeriu i beson Zotit

i beson Njeriut

por kurrësesi jo Antinjeriut

dykëmbëshave

si vampirë

që na e pinë gjakun

e kohës tonë

dhe pastaj na shesin mend

në panairet e metropolit

të kurrgjësë

ku njerzve në vend të lirisë

u japin qofte

hiçgjëje

në mejhanet politike

të mosgjësë

të dykëmbëshave

që mbetën

qyqanë

megjithë se pushteti

u solli lluksin

makbethian

ata të pangopur

mbetën

barkthatë

mbetën

nga tranzicioni

çerekshekullor

duan

ta çojnë

tranzicionin

një gjysmëshekulli

 

ky është

objektivi i tyre

qëllimi i tyre

të na largojnë

sa më shumë

nga ëndërra

 

pikërisht ata

dykëmbëshat

që unë nuk u hedhë

asnjë lëmoshë fjale

asnjë tingull

asnjë rrokje

asnjë bashkim tingujsh

asnjë bashkim rrokjesh

prej nga formohen fjalët

 

o Zot sa të bukura janë

fjalët

që i shkëmbejmë midis nesh

fjalët zbusin gurin

o Zot sa të bukura janë

fjalët që shqiptojmë

midis nesh njerzve

që populluam këtë tranzicion

të trishtë

që shkëmbejmë

për t’i shkrumbuar

prej indiferencës tonë

dykëmbëshit

e formuar prej kotit

prej asgjësë

por që kanë

në barkun e tyre

makabër

kanë gëlltitur si lubi

kohën e të gjithë shqiptarëve

miliona e miliona sekonda

miliona e miliona minuta

miliona e miliona orë

duke pritur Godonë

duke pritur barbarët

kur

barbarët janë aty

 

dhe dykëmbëshat

na lanë gjithnjë prapa listave

na hoqën fare nga listat

na çeuropianizuan

ne që jemi nga të parët

që e lindëm

kontinentin plak

 

fjalët e mia

i kam për njerëzit

çdo fjalë ka zemrën që bën tak-tak

që kërkon të trokasë e

gjejë derën e hapur

të një shpirti tjetër njeriu

njeriu të vërtetë

që nuk është servil

që nuk është hipokrit

që nuk është intrigant

që nuk është arrivist

por sidomos

që nuk është dykëmbësh

……………………

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dykembshat, Elida Buçpapaj, fjalet i kam per njerezit, poeme

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARË

September 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo vit, udhëheqsit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera  shqiptare në Ballkan vijnë në metropolin  amerikan të New Jorkut për të marrë pjesë  në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara  dhe si të ftuar për të marrë pjesë në organizime të tjera siç është mbledhja vjetore e organizuar nga Fondacioni Klinton i ish-presidentit Bill Klinton. Përveç takimeve zyrtare, udhëheqsit shqiptarë marrin pjesë edhe në darka e takime të shumëta të organizuara nga  shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe nga qendrat fetare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gjatë qendrimit të tyre në Nju Jork javën që kaloi, ata u pritën, ndër të tjera, nga organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, Vatra. U takuan me pёrfaqёsues tё Rrjetit tё Profesionistёve dhe Sipёrmarrёsve Shqiptarё (APEN) dhe gazeta Illyria organizoi një pritje për Presidentin Nishani.  Të gjitha këto pritje e takime arrijtën kulmin me darkën vjetore gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku zakonisht ftohen  udhëheqsit shqiptarë nga të gjitha trojet dhe përfaqsues të gjithë partive politike, në pushtet dhe në opozitë.Kjo është tradita e kështu ndodhi edhe sivjet.Në Nju Jork kishin ardhur, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, udhëheqës politikë shqiptarë nga Maqedonia dhe përfaqsues nga të gjitha trojet tona në Ballkan.  Gjatë këtyre takimeve dhe darkave, përveç se atyre u jepet rasti të takohen me përfaqësues të komunitetit dhe me njëri tjetrin — vizitat e tyre në Amerikë paraqesin gjithashtu një mundësi të mirë që ata të shkëmbejnë mendime me shumë  politikanë e diplomatë amerikanë, miqë e dashamirës të shqiptarëve, të cilët gjatë dekadave të fundit kanë punuar në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve kudo.

Udhëheqsit shqiptarë gjatë kësaj jave përfaqësuan Shqipërinë dhe Kosovën para botës dhe para Amerikës.  Ata u prononcuan për median si në intervista dhe në fjalimet e tyre, se kishin siguruar përkrahje nga udhëheqsit botërorë dhe amerikanë me të cilët u takuan.  Ata theksuan “mbështetjen”, nga udhëheqës ndërkombëtarë me të cilët patën takime dhe bënë bisedime për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit.

Por ishin takimet dhe shmallimet me komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston, Detroit dhe në Nju Jork, në lokalet dhe në qëndrat fetare ku ata u pritën si vëllezër e motëra, ato që dallojnë në mënyrë të mallëngjyeshme këto takime, e pse jo edhe festime, që organizohen njëherë në vit në Nju Jork.  Si çdo vit, edhe sivjet, në fund të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, në këto darka e takime me shqiptaro-amerikanët, duket sikur midis politikanëve shqiptarë nga të gjitha trevat — të pakën për një moment dhe larg problemeve në vend — thyhet edhe akulli politik midis tyre. Kështu, siç duket ndodhi të premtën mbrëma në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku të gjithë ishin ulur së bashku rreth një tavoline të gjatë. Nuk është e qartë nëse kishte ndonjë shkëmbim bisedash midis protagonistëve të ndryshëm, por  megjithëkëtë është shënjë e mirë se të pakën nuk refuzuan të uleshin ball për ball në të njëjtën tavolinë, gjë që mund të mos ndodhë në vendlindje.

Për këtë dhe për faktin se rreth asaj tavoline ishin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe shumë miq amerikanë, këto darka e takime kanë një rëndësi të lartë simbolike, sepse duket sikurë përtrijnë dhe nënvijojnë faktin e vëllazërimit dhe bashkimit mbarë shqiptar, megjithë ndryshimet politike, krahinore e fetare, që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve, sidomos konfliktet politike. Ndoshta simbolizmin përbashkues të këtyre takimeve e shprehu më së miri, Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, i cili në darkën e Vatrës,  shtruar për nder të Presidentit Nishani dhe delegacionit të tij, u shpreh duke thënë se “Si shqiptarë,  jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm.  Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.  Kemi dy shtete, por një Komb.  Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të Lumturën Nëna Terezën.  Ne, në diasporë, gjithmonë kemi treguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri tjetrit.  Si fetarë të besimeve të ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin.

Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë”.

Ne këtu në Amerikë, jemi nga të gjitha trojet tona, nga të gjitha krahinat dhe i përkasim feve të ndryshme.  Natyrisht se si në çdo komunitet tjetër, ekzistojnë mosmarrveshje dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i ka problemet e veta.  Madje këto mosmarrveshje shpesh pasqyrojnë konfliktet dhe grindjet politike në Atdhe.  Por megjithë ndryshimet politike e të tjera, në raste, kur është nevojitur bashkimi i komunitetit për t’i ardhur në ndihmë çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanët kanë theksuar të përbashkëtat dhe jo ato që i ndajnë.

Kjo përkrahje dhe “mbështetje” që  zyrtarët shqiptarë thonë se siguruan, sidomos gjatë takimeve me autoritetet amerikane në vizitat e tyre në këtë vend, ndodhë për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka vazhduar të jetë i bashkuar për çështjet madhore dhe interesat e kombit, duke ua paraqitur atyre hallet tona me një zë dhe pa kurrfarë interesi personal, por vetëm e vetëm në mbështetje të interesave kombëtare të popullit shqiptar kudo qoftë.  Ky aktivitet i komunitetit shqiptaro-amerikan e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar me Fan Nolin e Faik Konicën dhe me përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahjen amerikane për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotëme për të fituar mbështetjen e qeverisë, Kongresit dhe të popullit amerikan, fillimisht për çlirimin dhe më në fund për sigurimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.  Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama folën për sukseset dhe arritjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, por nuk ka fushë më të sukseshme dhe as më të rëndësishme, të pakën deri tani, se sa bashkimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në çastet kur e ka thirrur fati i Kombit.

Pa marrveshje dhe bashkpunim serioz midis shqiptarëve dhe sidomos të faktorit politik shqiptar për fatin e kombit dhe për zgjidhjen e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët kudo, “mbeshtetja” nga jashtë, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë, shpeshëherë edhe pa e pasur atë, nuk vlen pesë pare.  Edhe regjimi i Enver Hoxhës kishte përkrahjen nga jashtë, fillimisht të komunistëve jugosllavë, sovjetikë e pastaj të kinezve, por ishte në luftë të përhershme me vetveten dhe me popullin e vet.  “Mbështetja” nga jashtë vlenë vetëm atëherë kur të asgjësohen konfliktet politike të mbrendshme, kur të zhduket gardhi shpirtëror dhe të krijohet një frymëmarrje e lirë për të gjithë Shqiptarët, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, në mbështetje të vërtetë të lirive dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe të interesave kombëtare, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për mbështetjen e miqëve, por Shqipërinë do ta bëjnë vetëm Shqiptarët, mbi të gjitha, në bashkpunim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, duke vlerësuar lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, respektin për njëri tjetrin dhe për mendimet e njëri tjetrit.  Është në dorë të vet shqiptarëve kudo që janë sot – në diasporë dhe në trojet tona në Ballkan — që të largohen nga ajo që disa thonë se është “nama” që mund të na ketë ndjekur gjatë gjithë historisë.  Për ndryshe, nëqoftse nuk vlerësojmë dhe keq përdorim dhuratën e lirisë që sot gëzon kombi shqiptar mund të na dënojë i Madhi Zot, sipas vjershës tronditëse të Fan Nolit, “Moisiu në mal”.  Edhe Perëndia mund të na përgjigjet ashtu si iu përgjigj Moisiut, i cili i kërkonte atij tokën e premtuar për veten dhe izraelitët, për të evituar mërgimin e përjetshëm dhe jetën në skllavëri, i Plotfuqishmi i përgjigjet atij me zemërim në përshkrimin plot trishtim të  vjershës së Fan Nolit:

“Ti dhe të tjerët, pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”

Me gjithë të metat e tyre, takimet vjetore të udhëheqsve shqiptarë me komunitetin shqiptaro-amerikan mbartin vulën e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve pa dallime politike, krahinore apo fetare, duke e gëzuar lirinë së bashku për herë të parë, pas rrethanave fatmjera që na kanë ndarë për aq kohë të gjatë.  Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në Nju Jork dhe në qytete të tjera amerikane. Shpresojmë që këjo traditë plotë bujari të vazhdohet këtu në Amerikë dhe të përsëritet edhe në trojet tona dhe kudo në botë ku ka shqiptarë, si një frymëzim për qëllime të larta kombëtare dhe për lartësimin e emërit shqiptar kudo, por mbi të gjitha në trojet tona.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe politikanet shqiptare, Frank shkreli, Shqiptaret e Amerikes

“HYLLI I DRITËS” – “SHPATA” E GJERGJIT !

September 29, 2013 by dgreca

●1 Tetor 1913 – 2013, 100 vjet “Hylli i Dritës”

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne, Australi/

A mund të kishte Shqipnia edhe një At Gjergj tjeter… “pa shpatë”!?

Jemi mësue tashma me e pa Gjergjin, Atin e Kombit, gjithnjë me shpatë në dorë.

Edhe mos me kenë në atë foto Gjergj Kastrioti, mendja na fluturon tek Heroi ynë i madh dhe i pavdekshem… Themeluesi i Shtetit Shqiptar!

Edhe trashigimtarët e Emnit të Tij, Shqiptarët, i mendojnë me “shpatë” në dorë!

Edhe Dedë Gjo’ Lulin në maje të Bratilës, në 1911, e kujtojnë me Shpatë…

Në vitin 1912 kur Shqipnia u pagëzue Shtet i Pavarun, Shkodra kje e rrethueme e tue u gjuejtë me topa natë e ditë… Gjithkah vetonin gjylet e topave! Rozafa mundohej me qendrue! Kur ra një gjyle mbi çatinë e Kishës së Madhe, u hap tavani e mbrenda Saj u ba gjak… E dhunuen edhe Até malazezët…Kumbonët ranë në një anë dhe trenët u thyen…edhe kumonarja mbrendë u shemb. Shkodra vazhdoi me kenë e robnueme! Fesat malazez vazhdonin sundimin e dhunen!

Me 13 Qershor 1913, pa prit’ e pa u kujtue u pa në kompanjelin e Kishës së Fretenve të Gjuhadolit, jo ma i vogel se 4 meter… që po valvitej Flamuri i Gjergj Kastriotit…E nder rrugët e Shkodres djelmnia shkodrane këndonte me tanë forcen “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit…”

Prej vjetit 1479…nuk ishte pa ndonjëherë Ai Flamur tue u valvitë prej shkodranëve…

Mbi Kështjellen Rozafat ditenperdiell, me 1 Tetor 1913 u pa “Hylli i Dritës”!

At Gjergj Fishta, kishte nxjerrë “shpaten”…E vezullimi i Saj çuditi mbarë Boten…

Ishte bash Ai Burrë që në vitin 1908, në Manastir kishte nxjerrë disa “grremça” që u tha të gjithë Shqiptarëve, se me “këto shkrojla” fitohet Liria! A e pat besue kush?!

– Vetem vllaznit e vet!

E edhe sot në Dokumentin e Pavarsisë së Shqipnisë së Nandorit 1912…keni firma dhe gjeni nenshkrime të “palexueshme” e besa, edhe bula gishtash e “shkarravina”! E pa u mbushë viti shumica e Tyne që endè nuk dinin me thanë Emnin Shqiptar, se nuk po tham se nuk dinin ku bie Shqipnia, me një dëshirë të zjarrtë filluen me shue etjen e Lirisë, tue pa mbi qiellin Shqiptar tue shkelqye një “Hyll i Dritës”…i pasuesëve të Gjergj Kastriotit, që persa shekuj nen robni i ngratë Shqiptar as nuk dinte se çka domethanë fjala “Dritë”!

Nuk ishte gja e thjeshtë me të shkue mendja tek “Hylli” që do të sillte “Driten” bash aso kohe, kur një popull ishte i zhytun per shekuj me rradhë në padije e n’ errësinë anadollake…

E nuk ishte aspak ma e lehtë me mendue me i daltue e perpunue ndjesitë shpirtnore gati të shueme të një Populli, per mos me thanë të bastardhueme e të shemtueme nga barbarët turqë. Edhe pse nuk munguen katilat që u munduen me i nxjerrë shpirtin pa lé të shkretes Shqipni, qyshë vitin e parë kur ishte nder shpergaj, Shqiptarët Atdhetarë gjetën një streh ku me futë koken n’ atë rrebesh që gjindej Europa. Ishte streha e Françeskanëve Shqiptarë, në deren e së ciles ishte e shkrueme me shkronja Shqipe: “Per Atdhé e Fé – Na bajmë vdekjen si me lé !”…

Pergatitja e Tyne kulturore, Atdhetare dhe politike kje me të vertetë e pakuptueshme jo vetem nga sunduesit, po, edhe nga selitë e njohuna t’ Europës, atëherë kur edhe vetë Emni ynë Shqiptarë, ndoshta, ishte ndigjue perherë të parë prej tyne…Dhe, pikrisht, forca morale e Atyne Françeskanëve kje që i dha hov luftës me penë, per Liri dhe të Drejta Njerzore. Ishte pa dalë endè “Hylli i Dritës” kur Imzot Preng Doçi, Imzot Koleci, Imzot Lazer Mjedja, Imzot Nikoll Kaçorri, Imzot Bumçi, Imzot Prennushi, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi, At Gjeçovi, At Palë Dodaj, At Anton Harapi, At Buon Gjeçaj, At Marin Sirdani, Don Ndre Mjedja, At Marjan Prela, Don Loro Caka, Don Ndoc Nikaj etj., do të vendosin gurtë e themelit të Shtetit Shqiptar të daltuem me kulturën Europjane, me një guxim dhe perkushtim të posaçem perballë tradhëtarëve dhe anadollakëve të shitun per dy pare të ndyta në dam t’ Atdheut dhe Lirisë së Tij.

Ishin Ata Burra që i vune gjoksin luftës per Liri të Trojeve të pushtueme. Asht Vermoshi, Hoti, Gruda, Kosova, Çamëria, Manastiri, Korça e Gjinokastra dishmitarë të veprave të Tyne.

Janë pikrisht Këta Burra, që me veprat e veta titanike formuene Atë brezni të pjekun dhe heroike që bani Shqipninë! Ata e bane me shumë e shumë sakrifica po nuk e gzuene as per sëgjalli dhe as per sëvdekuni…E sot as vorre nuk kanë…Ndonse rrezet e “Hyllit të Dritës” edhe sot bijnë pingul mbi gurt’ e bardhë që sjellë Kiri nga Bjeshkët e Nêmuna, brijë Rrëmajit… Ata gurë të bardhë si Shpirti i Tyne, janë zbukurimi i Atyne Eshtnave… të tretun nen dhé!

E kurrë mos harroni se me të vertetë Këta Françeskanë të zbathun e fukara, me një litar perbel e një palë rruzare të varuna, ishin të rrethuem nga një turmë njerzish pa shkollë, por edhe deri dje sherbëtor’ i të huejtë, i cili e kishte shkallmue aq keq shpirtnisht sa kishte harrue se asht n’ Europë dhe i perket asaj. Françeskanët ishin Ata që i treguen “Hyllin” per kah do të drejtonin vetdijen kombtare dhe ndergjegjen e naltë Atdhetare, per Perparim e Dije!

Arrijtja ma e madhe e “Hyllit të Dritës” nuk kufizohet vetem me formimin dhe edukimin e Shqiptarit me parimet e Atdhetarizmit, por edhe me kalitjen e një breznije Burrash që perkrah Klerit Katolik Shqiptar nuk iu tut syni me kerkue të Drejtat Kombtare, nder tryezat Europjane.

Dishmi e kësaj vepre madhshtore të “Hyllit të Dritës” asht bashkpunimi vllaznor dhe i pakursyem me Atdhetarët: Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mustafa Kruja, Kristo Floqi, Prof. Eqrem Çabej, Zef Harapi, Lluka Karafili, Zef Pali, Gjon Kamsi, Avni Rrustemi, Mati Logoreci, Faik Konica, Namik Ressuli, Lef Nosi, Gjush Sheldija,…etj., deri tek i paharrueshmi moshatar me Revisten, At Daniel Gjeçaj, Emna gati të “panjohun” nga historia!

Ku vune kamben Këta Burra u shikuen me synin e “pasuesit anadollak” nga të huejtë, po kur Këta shperthyen si vullkani per Liri dhe të Drejtat e Shqiptarëve, atëherë edhe Bota u pat çuditë per pergatitjen kulturore dhe politike të Tyne. Artikujt dhe materialet e tyne të botueme tek “Hylli i Dritës” janë gurt’ e çmueshem që Ata i dhuruene themelit të Shtetit Shqiptar. E per me i çimentue ata themele, shumica e Tyne nuk kursyene as gjakun dhe as jeten e vet…

Qé pra, ku asht edhe sot formula “Atdhé e Fé”!

Kjo ishte “Shpata” e  At Gjergjit që shkelqente tek “Hylli i Dritës”…

E vezullimet e Saj edhe sot, janë shkreptinë rrufeje zharitëse mbi tradhëtarët e Atdheut!

***

100 vjetë që Bota mori vesh se ka Shqipni, po edhe se ka Shqiptarë…

100 vjetë që “Shpata” e At Fishtës, “Hylli i Dritës”, shkelqen në kulturen Europjane!

100 vjetë që “Shpata” e At Gjergjit, mprehet per Shpaten e Gjergj Kastriotit …

100 vjetë që këto “Shpata” ndriçojnë si “Hylli i Dritës”…mbi Shqipninë Europjane!

100 vjetë…që Rinia Shkodrane këndoi:

“Armët e besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kemi pasë t’ Parët,

Luften né na mësoi Kastriota:

Kè, thue, frikë do t’ kenë Shqiptarët?!”

(“Hymni i Flamurit” nga At Gjergj Fishta, 1913).

Melbourne, Tetor 2013.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Fishta, Hylli i Drites

FUQIZIMI I LOBIT SHQIPTAR NË SHBA – DOMOSDOSHMËRI PËR INTEGRIMIN DHE ARDHMËRINË E KOMBIT

September 29, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)/

Lobimi i Shqiptarëve në SHBA përfshin më shumë se bindjen e ligjvënësve Amerikanë. Ai përfshin edhe hulumtimin, analizën e legjislacionit, propozimet rregullatore, ndjekjen e seancave të Kongresit, por më kryesorja është edukimi i qeveritarëve apo të zgjedhurve të popullit Amerikan për çështje të rëndësishme të integrimit tonë ( si shtete dhe komb) në BE, NATO dhe OKB për Kosovën apo në BE për Shqipërinë në kuadër të Çështjes Kombëtare Shqiptare apo edhe për mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve të Ballkanit në  tërësi, përfshi edhe ata në Greqi. Por mos të harrojmë se puna më e madhe është sigurimi i fondeve financiare për lobim të fortë.

Çfarë është një lobist Shqiptar në SHBA? Një lobist mund të jetë një aktivist vullnetar (një drejtues organizate Shqiptare) , një agjenci private ( që ne nuk kemi) apo një organizatë joqeveritare ( LQSHA ose KKSHA) që kërkon të bindë anëtarët e qeverisë, Kongresit apo Senatit Amerikan për të miratuar legjislacionin apo veprimin diplomatik Amerikan në vënd apo edhe në arenën ndërkombëtare që të përfitojnë grupi i tyre, kauza apo vendet e origjinës që përfaqësojnë. Lobimi është një pjesë integrale e ligjshme e procesit demokratik që nuk është kuptuar shumë mirë edhe nga ne Shqiptarët se si funksionon. Ka lobistë vullnetarë ( indivdët dhe organizatat), por edhe profesionistë ose agjenci private të paguara.

Më herët, 135 vjet më parë, këndohej kënga : Abdyl shite pasurinë,/ një barrë flori…/. Kjo këngë është një dëshmi për Rilindasin Abdyl Frashëri që loboi në kancelaritë Europiane për Shqipërinë e të katër vilajeteve. Dhe kjo flet shumë se sa e deshi Shqipërinë Abdyli!

Lobimi Shqiptar në Amerikë ka filluar me VATRA, me Nolin dhe Konicën dhe patjetër ka kushtuar para! Po nuk ka rrugë tjetër! Ka vazhduar pastaj me DioGuardin si Kongresman Arbëresh që udhëheq Lidhjen Qytetare që megjithëmënd është ndjerë për Kosovën edhe pse shtetarët Shqiptarë nuk e kanë nderuar për meritat që i takojnë! Dhe më pas kemi lobim edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan apo edhe me VATRA.

Po të ketë shpirt e zemër të bardhë nga qeveritë Shqiptare dhe Diaspora, për  lobimin Shqiptar në SHBA do ketë dhe mënyra për të financuar, jo fshehurazi siç ndodh rëndom me Shqipërinë! Sepse në fillim të këtij viti Shqipëria me qeverinë e Berishës firmosi një kontratë të re me Patton Bogs, agjenci private që të rregullonte imazhin e saj përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013. Dhe Berisha humbi zgjedhjet, por humbën edhe paratë. Është e dyshimtë kjo kontratë, sepse Berisha me një shtet në borxhe me mbi 60 për qind, nuk u tregua i hapur me popullin shqiptar për shpenzimin e afër 2 milion dollarëve për lobim me agjenci private Amerikane si Podesta Group, Podesta Group etj. Vetëm në dy vjet ( 2009 dhe 2010 Berisha shpenzoi 1.38 milionë dollarë për lobim në SHBA. ( Mendo këto para ti kishte në përdorim lobi Shqiptaro-Amerikan…)

Ardhja e Ramës për herë të parë në SHBA si Shtetari numër Dy, patjetër që ngriti problemin e lobimit për tani dhe për më tej. Kryeministri Rama nuk erdhi me një axhendë përbashkuese të faktorit Shqiptaro-Amerikan! Pra, tu bënte një ftesë vëllazërore të gjitha shoqatave, organizatave aktive të Shqiptaro-Amerikanëve për tu takuar e pleqëruar së bashku, jo vetëm programin e Rilindjes, por edhe ajo që është më e rëndësishmja se çfarë mund të bëjmë së bashku për Shqiptarët e Ballkanit dhe për Çështjen Kombëtare Shqiptare – dy shtetet shqiptare dhe Diaspora. Pra, shkurt, sa takat kemi për tu bashkuar e lobuar së bashku! Me një zë të vetëm!Për më shumë ti inkurajonte edhe Shqiptaro-Amerikanët të përbashkohen për më shumë përfaqësime elektorale në qytetet ku baojnë që ta kemi lobimin Shqiptar më të fortë.

Darka lobiste e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ( 350 dollarë bileta minimum  deri edhe 1000 dollarë) në programin e të cilës ishte nderimi i diplomatit Philip Riker, nderimi i Kongresmanit Engel nga presidenti Nishani dhe prezantimi i Ramës si kryeministër tregoi për një thyerje akulli të shtetarëve më të lartë të Shqipërisë që darkuan bashkë për një syrreth më të mirë ndër Amerikanët se ne Shqiptaro-Amerikanët kemi dijeni më shumë, sepse na erdhën dy delegacione të ndara.

Sa për fjalët e bukura e në përgjithësi për Shqipërinë dhe kombin që tha Rama në Amerikë këto janë të mira për qoka, por jo për Shqiptaro-Amerikanë të shkolluar. Ai u përshëndet për fjalën në OKB, për mbështetjen botërisht të Kosovës! Ajo që Diaspora donte të shihte tek programi i Ramës do të ishte: ta shihte Ramën dhe Nishanin bashkë në Boston tek Kisha e Nolit! Sepse Rilindja u frymëzua dhe u vu në jetë nga Njerëzit e Mëndjes së Ndritur Shqiptare siç janë Noli dhe Konica dhe shokët e tyre që bënë gjithçka mundën për ta bërë Shqipërinë Zonjë! Është minus kjo mungesë koordinimi e paraqitjeje! Le më që shtypi i Diasporës nuk kishte as edhe njoftim për axhendën e Ramës! Duken detaje pa vlerë,  por mediat shqiptare janë më të ndjeshme kur vjen një titullar Shqiptar në Amerikë. Sepse komunikimi tregon pjekurinë dhe seriozitetin e qeverisë së re.

Mosdëgjimi i zërave të Diasporës për ngritjen në rang Ministrie të përfaqësimit të Diasporës tregon edhe një sjellje jo fort vëllazërore karshi Diasporës kur vjen në Amerikë. Se më ndryshe do kishim, si edhe Kosova që e ka një Ministri të tillë aktive, edhe një kordinim punësh më efiçent. Pra, ka një boshllëk të madh, sepse edhe shërbimi diplomatik i Shqipërisë pothuaj nuk funksionon për hir të fondeve minimale.

E vetmja porosi që duhet të mbajë shënim Rama është fuqizimi i Shqiptarëve të Amerikës si faktor lobimi për Shqiptarët e Ballkanit në tërësi. Sepse, sikur edhe një çerek milion dollarë Amerikanë të shpenzojë Rama për 4 vjetët e ardhshme ( mos tu duket çudi se pa para nuk ka lobim!)  është mirë tu jepen lobistëve Shqiptaro-Amerikanëve që janë afirmuar tashmë si të zgjedhur nga komuniteti Shqiptar apo edhe nga Amerikanët në qytete apo dhe shtete.

Darka lobiste ku mori pjesë Nishani dhe Rama u quajt si ngjarje e madhe e Diasporës, por aty nuk u nënvizua se çfarë do të bëhet në të ardhmen, çfarë Strategjie Kombëtare Përbashkuese do të kenë Shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora. Fotot në këtë darkë u bënë të bukura, por ato janë kujtime jo shumë të suksesshme për ardhmërinë e Shqipërisë nëse ndarja e Ramës me institucionin e Presidentit thellohet.

Rama nuk premtoi se do të ndahet përfundimisht nga komunizmi si praktikë, sepse Partia e Ramës dhe vetë Rama nuk kanë kërkuar falje për krimet e komunizmit akoma. Hapja e dosjeve të komunizmit nuk duhet të jetë pengesë më për Ramën me fuqinë Kushtetuese të Parlamentit që ka, sepse ende ka shtetarë apo dhe deputetë Shqiptarë majtas dhe djathtas që kanë emrat në këto dosje. Por kjo duhet bërë. Pa vonesë. Themi diktatura më e egër në Shqipëri po as Berisha, as Nano nuk e bënë këtë gjë sepse ishin komunistë e më vonë ish-komunistë. Se nuk ka hije për Shqipërinë të integrohet në BE a do marrë status për në BE edhe me spiunët në parlament, në shtet a në institucione. Ndryshe, çfarë Rilindje do jetë kjo ? Për fasadë vetëm?

DioGuardi, udhëheqës i lobizmit Shqiptar për 25 vjet në Amerikë, për Çështjen e Kosovës në veçanti,  ja kërkoi këtë ndarje përfundimtare nga komunizmi Berishës kur mori pushtetin që më 1992, por Berisha refuzoi. Dhe nënkupton shumë ky refuzim i Berishës.

VATRA, organizatë 101 vjeçe, për herë të parë i nënvizoi edhe Ramës në një takim kalimthi (të kërkuar nga Rama) se: kjo organizatë nuk do të mbajë më krahun e asnjë rryme politike në Shqipëri, gjë që flet se është e hapur për bashkëpunim me qeverinë Shqiptare në shërbim të kombit. Ramës nuk i duhen kundërshtarë Shqiptaro-Amerikanë në Amerikë, sepse nuk i shkon përshtat as ardhmërisë së kombit të ndodhë që segmente të shtetit dhe politikës së Shqipërisë apo Kosovës të përkrahin veças segmente të Diasporës sipas rrymave a bindjeve politike.

Çdo Shqiptaro-Amerikan që tashmë ka një profil publik në qytetin Amerikan ku jeton ka kontakte me të zgjedhurit Amerikanë në Kongres dhe Senat. Pra, bën njëfarë lobimi pa ndonjë kredi për vete, por sepse i dhëmbet atdheu. Dhe kjo mos ti duket pak Ramës, sepse Shqiptarët e Amerikës kanë treguar me qytetari dhe shqiptari se i duan njëlloj të gjithë Kongresmenët dhe Senatorët Amerikanë, pavarësisht se ata përfaqësojnë Demokratët apo Republikanët.

Prandaj, Rama duhet që vëllazërisht të ulet në një kohë (të duhur) me të gjithë faktorët Shqiptaro-Amerikanë në Tiranë apo në Amerikë për të hartuar një Strategji Kombëtare për një faqe të Re të Shqiptarisë dhe Shqiptarëve të Ballkanit. Ndryshe do kërkojë agjenci private për lobim në Amerikë si Berisha, për vete, jo për Shqipërinë! Pra ti shmangemi klientelizmit dhe sekserllëkut financiar me paratë e Shqiptarëve të varfër për lobimin në veçanti.

Nëse Rama do të tregojë vendosmëri për vëllazërim me bashkëpunim ekonomik, arsimor dhe kulturor për gjithë Shqiptarët e Ballkanit, luftë pa kompromis për korrupsionin ekonomik ( ndëshkimin me ligj të shpërdorimit të detyrës shtetërore si nga paraardhësit dhe të vetët), hapjen e dosjeve të komunizmit, respektin për të përndjekurit politikë, e probleme që kanë cënuar sovranitetin e Shqipërisë nga Greqia ( si varrezat Greke, kufijtë detarë, etj) patjetër që do të ketë më shumë përkrahje edhe ndër faktorë lobistë siç është Lidhja Qytetare Shqiptare me DioGuardin, KKSHA apo edhe VATRA. Rama nuk duhet të harrojë se një shumicë e mirë e Kongresmenëve dhe Senatorëve Amerikanë kanë moshën e DioGuardit apo drejtuesve të komunitetit Shqiptar në New York dhe duhet të kuptojë se fitimi i respektit për Ramën fillon me vënien në praktikë të një regjimi puro demokratik në Shqipëri.

Thirrja që ju bë nga Rama Shqiptaro-Amerikanëve në darkën lobiste, më 27 Shtator 2013, që të investojnë në Shqipëri do të tingëllonte më mirë po qe se do të kishte dhe një takim më të zgjeruar të Dhomave të Tregëtisë të shteteve Amerikane ku janë me shumicë Shqiptarët bashkë me faktorin Shqiptaro-Amerikan për ta bërë sa më konkrete se çfarë infrastrukture ofron Rama që këto biznese që vijnë nga Shqiptaro-Amerikanët të ndihmojnë dhe lobimin. Se ndryshe, kjo thirrje bie erë klientele ose sa për të kaluar radhën.

Shqipëria është vend me rrisk politik dhe korrupsioni është tashmë praktikë e njohur edhe për arsyen se militantizmi partiak është parë si e vetmja mundësi punësimi për të zënë një vend pune në shtet që bën para. Dhe mendo kjo klasë kapitaliste Shqiptare me imunitet nga populli ka kapur jo pak hapësirë në Parlament dhe Institucionet Shqiptare për tu majmur shpejt. Kurse në Diasporë paratë fitohen me djersë dhe veprimtaria atdhetare është më shumë ndjeshmëri shpirtërore për ta mbajtur gjallë Identitetin Kombëtar si një mundësi për tu treguar Amerikanëve se ne Shqiptarët jemi krenarë që kemi lindur në Shqipërinë që u thirr në Prizren më 1878 dhe në Vlorë më 1912!

Prandaj, duhet të mendojmë më me vizion se  çfarë do bëjmë së bashku – Shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora me një Strategji Kombëtare! Dhe para kombit janë më shumë përgjegjës qeveritë dhe klasa politike Shqiptare ashtu sikundër çdo Shqiptar. Dhe të jemi të gjithë një hap nëse duam integrim me bashkim dhe përparim. Ky proces do të ndodhë më shpejt nëse shtetet Shqiptare ( në veçanti shteti amë që duhet edhe të udhëheqë) e përkrahin Diasporën dhe e shohin lobin Shqiptar të SHBA si faktor të rëndësishëm. Jo ta shohin vetëm nga ana folklorike, sepse asimilimi i Diasporës do të jetë dhe asimilim i kombit tonë të shumëvuajtur edhe si rrjedhojë e armiqësive që ushqejmë ndërmjet nesh ne Shqiptarët, pa qënë nevoja.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: artur vrekaj, Lobimi shqiptar, ne Amerike

Rubrika e Diellit: QAFA E BOTËS DHE KEPI I POTEIDONIT

September 29, 2013 by dgreca

Nga Prof. Nelson ÇABEJ/

Duke përshkruar bregdetin jonian të Epirit nga veriu në jug Straboni shkruan: “…malet Keraune dhe pas tyre njeriu arrin në Onkesm… Pas Onkesmit vjen Poseidiumi e gjithashtu edhe Butrinti…kurse Phoenice (Finiqi i sotëm –N.R.Ç.) gjëndet mbi gjirin që është në Butrint”1.

Ky Poseidium në shënimet e botimit anglisht të Gjeografisë së Strabonit është identifikuar me kepin e Shkallës, që ndodhet në jug të Sarandës, përballë Korfuzit. Por gjeografi aleksandrin Ptolemeu, duke ruajtur renditjen e Strabonit, e vendos kepin e Poseidonit, Poseidon akron (Ποσείδιον ἄκρον) në koordinatat 450 35’ dhe 380 10’, d.m.th. në jug të gjirit të Butrintit, të  cilin ai e vendos në  koordinatat 450 45’ dhe 380 20’ 2. Po të mbështetemi në këto të dhëna të Ptolemeut, kepi i Poseidonit duhet të ndodhet jo në veri por në jug të Butrintit dhe kandidati  më i mundshëm nga ana gjeografike për tu identifikuar me kepin e Poseidonit do të ishte pika bregdetare ku kalon kufiri i sotëm midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Për të përcaktuar se cili nga këta dy lokalizime i përgjigjet së vërtetës, duhen mbajtur parasysh:

Së pari, se Straboni, si historian, mund të mos ketë pasur njohuritë që kishte gjeografi Ptoleme ose t’i ketë kushtuar pozicionit gjeografik të vendeve që përshkruante po atë rëndësi që duhej ti kushtonte Ptolemeu, qëllimi themelor i të cilit ishte lokalizimi në hartë i vendeve që përshkruante.

Së dyti, se në të dhënat e Strabonit, nuk thuhet shkoqur se Poseidiumi ndodhej në veri të Butrintit.

Së treti, se kordinatat që jep Ptolemeu, e vendonis kepin e Poseidonit në jug të Butrintit.

Le të kujtojmë edhe një herë se emrat e vëndeve shpesh ruhen për kohë të gjata dhe emri Poseidon i kepit po kështu mund të jetë ruajtur në ndonjë vëndemër lokal. Por para se të bëjmë këtë duhet të shpjegojmë arsyen përse duhet të jetë përdorur emri një perëndije  të lashtë greke për emërtimin e një kepi në një rajon iliro-epirot. Në këtë rast përgjigja nuk është as e vështirë as e komplikuar: kepi ndodhet pranë Butrintit,
një vëndbanim iliro-epirot qysh nga shekulli XII p.e.s., i cili duke filluar nga shekulli VII p.e.s. u popullua edhe me kolonë grekë.

Për të gjetur se cili nga dy kepet e sotme të jugut të bregdetit jonian të Shqipërisë i përgjigjet kepit të Poseidonit (Poseidiumit), përsëri mund të na vijë në ndihme hetimi i vëndemrave të sotëm të atij rajoni të ngushtë. Në këtë hetim vëmëndjen ta tërheq vëndemri Qafa e Botës, që gjëndet rreth dy kilometra në perëndim të Konisploit, afër kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë me Greqinë gjëndet, nëpër të cilën deri në vitin 1912 kalonte rruga që lidhte pellgun e Delvinës me pjesët më jugore të Çamërisë. Në vështrimin e parë duket si e pamundur që duke kaluar nëpër gojën e shqiptarëve, vëmdemri Poseidon të  jepte emrin “bota”. Por nga pikëpamja e fontetikës së shqipes ky evolucion bëhet plotësisht i mundshëm në qoftë se do të mbajmë parasysh një fakt të dialektologjisë së lashtë greke.

Autorët të dhënat e të cilëve u përdorën në këtë shkrim, Straboni dhe Ptolemeu,  janë autorë grekë të periudhës romake të cilët shkruanin në greqishten klasike ose të koinesë, por kolonistët grekë të Butrintit, që kishin ardhur nga Kerkira flisnin në dialektin dorik (ata ishin me prejardhje nga Korinthi) dhe në dialektin dorik perëndia quhej Poteidon dhe jo Poseidon. Për të gjitha arsyet e mësipërme, si dhe duke u mbështetur në faktin që në dialektin dorik, i cili ishte në përdorim në kolonitë greke të lashta të Jonit dhe të Adriatikut, emri perëndisë së detit shqiptohej Poteidan (Ποτειδάν) unë  parashtroj këtu dy hipoteza:

  1. Kepi Poteidan ndodhej në jug      të Butrintit të lashtë, aty ku ndodhet me të vërtetë  një kep, në  kufirin e skajit jugor të Republikës së      Shqipërisë me Greqinë.
  2. Toponimi i sotëm Qafa e Botës      është forma e sotme, e evoluar, e një toponimi të  lashtë       ilir, Qafa e Poteidonit.

Për vërtetimin e hipotezes së parë unë sjell të dhënat e paraqitura më parë në këtë shkrim rreth pozitës gjeografike të  këtij kepi, bazuar në të dhënat e burimeve të lashta.

Vërtetimi i hipotezës së dytë rreth lokalizimit të kepit të Poteidonit bazohet në argumente gjuhësore. A lejojnë regullat e fonetikës historike të shqipes evolucionin e formës së lashtë Poteidon në Botë? Rregullat e fonetikës shqipe duket se thonë ‘po’.

Ne dimë me siguri se mbaresa –on e Poteidon-it do të humbiste që në lashtësinë e vonë. Në një fazë më të vonshme do të ndodhte shndërrimi  eiài, që do të  nxirrte formën Potida dhe, me asimilim, Potita. Humbja e regullt e t-së ndërzanore në fund të emrit (e me shumë të gjarë, edhe veprimi i etimologjiisë popullore) shpuri në formën e sotme Bota (Qafa e Botës).

Të gjithat këto dukuri shndërrimesh fonetike në skajin më jugor të Shqipërisë kanë nisur qysh në lashtësi kur po ndodhte procesi i zhvillimit të gjuhës shqipe, si bijë e ilirishtes, dhe kjo përfaqëson një provë tjetër gjuhësore të pranisë së shqiptarëve në atë territor qysh në lashtësinë klasike.

Referimet

1. Strabo Geography, Libri VII, 7, 5 “Κεραυνίοις ὄρεσι, καὶ μετὰ ταῦτα Ὄγχησμος …μετὰ δὲ Ὄγχησμον Ποσείδιον καὶ Βουθρωτὸν ….τοῦ δὲ κατὰ Βουθρωτὸν ἡ Φοινίκη”.

2. Claudii Ptolemaei,  Geographia,  III, 14, 4.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilire, Nelson Cabej, rubrika, Tingellime, vendemrash

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT