• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

« Porta e fshehtë » e Lordit Bajron

September 7, 2013 by dgreca

Nga Luan Rama/

Adoleshenca jonë është përkundur me këngët e Çajld Haroldit. Kjo nuk ndodh tani. Ne ishim krenarë për vargjet e poetit anglez për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i shihte si një popull të virtutshëm dhe të veçantë nga të tjerët. Sigurisht ishte ndjenja jonë patriotike në një vënd totalitar, ku si kishte mbetur tjetër gjë ku të kapej, veç disa adhuruesve të së kaluarës, si Xhorxh Gordon Bajron. A nuk shkruante ai në letrat e tij dërguar mikut të tij John Moore se « I dua shumë shqiptarët… Arnautët ose shqiptarët, më kanë habitur me ngjashmërinë që kanë me skocezët e Hightlands… malet e tyre kanë një pamje si të Kaledonisë, me një klimë të këndshme. Edhe pse veshja e tyre ishte e bardhë, silueta e hollë dhe e shkathët, dialekti i tyre disi celtik në veshin tonë dhe jeta e tyre e ashpër, gjithçka më çonte në Morven»…

Kur isha kineast i ri dhe për herë të parë shkelja në kështjellën e Ali Pashë Tepelenës, imagjinoja çastin kur Bajroni ishte pikëtakuar me këto peisazhe të thyera, me kështjellën dhe zotin e asaj fortesë mitike, pashain që në atë kohë ishte një personazh nga më të pushtetshmit dhe më të dyshimtit jo vetëm për sulltanin, por dhe për kancelaritë e Evropës. Për Bajronin do të mendoja dhe kur shkova në Delf, në Akropolin e Athinës dhe Maratonë, për të cilat ai shkruan, kur shkova në Argos e Tripolica ku ai takoi Veli Pashën, birin e Aliut, dhe ku ju ngjita luginave të Kalamas e Çamërisë, atje ku Bajroni kishte shkruar se s’kishte parë vënd më magjepës në jetën e tij, përveç Cintra-s së Portugalisë. Pra kisha ecur në gjurmë të jetës së bajronit jo thjesht për nostalgji të adoleshencës sime dhe dashurisë sublime që ai deklaronte për shqiptarët, por sepse ky njeri, ky bard i një epike moderne të asaj kohe që adhuronte Ualter Skot, kërkoi të udhëhiqte botra të tjera drejt lirisë. Në këtë kuptim, Bajroni i u përkushtoi Revolucionit grek jo për eksibicionizëm, por se ai donte të përçonte dritën e lirisë në popujt e robëruar, edhe kur ai e parandjente se ndoshta dhe nuk do të kthehej më dhe do të shuhej përgjithnjë. Ishte një lloj flake që banonte brënda shpirtit të këtij bohemi që nuk mund të jetonte në dhomën e lordëve, kur ndërkohë Revolucioni e thërriste. Ky ishte imazhi që kishim krijuar ne por dhe që ka mbetur ende ndër shqiptarët, gjer në tekstet e historisë. Por Bajroni ishte poet, ishte artist, ishte njeri ku sensibiliteti i tejkalonte caqet e marrëdhënieve të zakonëshme të një burri, duke kapërcyer shpesh në anën tjetër, atë të homoseksualitetit. Madje dashuritë e tij kryqëzoheshin pa bërë dallimin e seksit para njeriut që ai adhuronte. Në Shqipëri duket ndoshta si një lloj tabuje të paraqesësh «portretin në hije» apo «portën e fshehtë» të Bajronit, atë që flitet në librat e kritikëve dhe biografëve dhe jo për publikun e gjerë, atë që një sy i vëmëndshëm e lexon në rreshtat e letrave të tij dërguar miqve të tij Hobhouse, Moore, etj. A duhej prezantuar ky «portret-hije» i Xhorxh Gordon Bajron? Pse jo?! Homoseksualiteti nuk i ul asnjë vlerë as veprës dhe as figurës së tij, njëlloj si dhe bashkëpatriotit të tij anglez Oskar Uald, vite më vonë, e shumë të tjerë. Siç shkruan dhe një biografi i tij, Lesli A. Marchand, në librin Bajroni, portreti i një njeriu të lirë: “Në janar të vitit 1824, Bajroni kujtonte shpesh të kaluarën e tij dhe mikun e tij të vjetër të shkollës së Kembrixhit, koristin Edleston, i cili kishte vdekur në lulen e rinisë. Edleston ishte një nga dashuritë e tij perfekte, më shumë se për asnjë femër tjetër që ai kishte njohur”. Duke shkruar për dëshpërimin e Bajronit përballë djaloshit që ai mbante me vete në Misolongj, Lukas Kalandrikanis, biografi Marchand shkruan: “Vallë a kishte gjetur ai tek Lukas diçka nga Edlestoni-i?… Por kësaj rradhe, ndjesitë e tij komplikoheshin me një zhgënjim të ri: indiferenca e djaloshit të ri për dashurinë e tij. Ishte një dështim i hidhur që provonte tek ai se ishte “plakur në këtë botë vuajtjesh”… Të njëjtën gjë shkruan dhe kritiku Doris Langley Moore në librin The late Lord Byron: ”Ai kujtonte se në moshën 36 vjeçare dhe me një shëndet të keq, me shqetësimet dhe zhgënjimet e tij, ai duhej ti dukej atij pesëmbëdhjetëvjeçari si një njeri i mbaruar; ai që kaq shumë njerëz e kishin dashur, në sytë e Lukas kishte vetëm një cilësi : që të mund të luftonte nën urdhërat e tij, me kostumin e praruar dhe xhepat plot para”. Pikërisht në këtë kohë Bajron shkruan dhe një poezi: “Eshtë koha që kjo zemër të pushojë së djeguri / sepse ajo s’mund të trondisë më një tjetër”.

Biografët duket se janë në një mëndje: Dashuria për Lukas Kalandrianos e frymëzoi për poemën e fundit të shkruar nga dora e tij:

“Kur afrohej armiku dhe përgjoja mbi ty / Isha gati të qëlloja, të vriteshim të dy,

Pa mundur të shpëtonim dhe të ndanim së bashku, / Veç dashuri dhe liri…”

Edhe për shoqëruesin e tij Nicolo Argyri (apo Giraud), që do ta angazhonte si drogman, ai do të shkruajë mbi ndjenjat që kishte për të, siç e lexojmë dhe në një nga letrat e shumta që i ka dërguar mikut të tij Hobhouse: “Me Nicolo-n, që është dhe profesori im italishtes, ne jemi si filozofë. Unë jam “padroni” i tij dhe “miku” i tij dhe një Zot e di se çfarë. Dy orë pasi më kishte thënë se donte të më ndiqte gjer në fund të botës, për ta mbyllur, më tha se do të ishte mirë që ne jo vetëm të jetonim bashkë por dhe “morire insieme” (“të vdesim bashkë”).

Por le të kthehemi në pikëtakimin e tij me bukurinë mashkullore shqiptare. Në udhëtimin e tij të parë në Greqi e Shqipëri që në vitet 1809-1810, që ai bën me mikun e tij Hobhouse nga Preveza në Misolongj e Janinë, ku takon dhe kapitenin anglez Leake, ai habitet me bukurinë dhe madhështinë e kostumeve shqiptare. Në Janinë, kur shkon në hamamin e qytetit, ai nuk harron të kujtojë në shkrimet e tij dhe ata « belli giovanni » (djem të bukur »), të cilët i kishte parë me admirim.

Në letrat e tij, Bajroni nuk mungon të vërë në dukje dashurinë e tij për shqiptarët. Ai i sheh ata pikësëpari si figura epike. Madje, pikërisht në Janinë ai fillon vargjet e para të asaj që më vonë do të ishte Çajld Harold. Në letrat dërguar nënës së tij Katerina Gordon Bajron (12 nëntor 1809, Preveza), ai i shkruan se më 11 shtator ka lënë Maltën dhe bashkë me Hobhouse janë në Preveza tek konsulli anglez Strané. Pashai i ka dhënë një letër rekomandimi për djalin e tij të madh, Veliun, “që sundon në More dhe që ka influencë në Egjipt dhe që është një nga njerëzit më të fuqishëm të perandorisë otomane”. Pas 3 ditësh ai arriti në Janinë, ku mëson se Ali Pasha ishte në Berat ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën e Beratit. Ali Pashës i kishin thënë se një anglez udhëtonte në trojet e tij dhe ai kishte urdhëruar komandantin e Janinës që ti vinin në dispozicion një shtëpi me të gjitha komoditetet gjithçka të ishte falas. Për 9 ditë rresht ai udhëtoi me kuajt e pashait drejt Janinës, në një rrugë të vështirë plot përrenj e shkëmbinj që binin rrugës. “S’do ta harroj kurrë spektaklin e Tepelenës, – i shkruan ai nënës së tij. – Ishte ora pesë e mbrëmjes dhe dielli po perëdonte. Ky imazh më kujtoi përshkrimin që Skot i bënte kështjellës Bransksome me hiret e saj të Mejsetës. Shqiptarët ishin veshur me kostumin e tyre, që ishte më i bukuri në botë: fustanellë e bardhë, xhaketë e jelek veluri e të praruar, pisqolla dhe kama të zbukuruara në argjënd”… Për të takuar Aliun, Bajroni kishte veshur kostumin e tij ushtarak, me shpatën ngjeshur. Djaloshi i ri ishte vërtet i bukur, dhe pashai, në sallën e madhe të veshur me pllaka mermeri, siç e përshkruan Bajroni, duke e pritur në këmbë, (çka tregonte shprehje respekti të veçantë), do të tërhiqej nga kjo bukuri gati femërore. “Një ditë më vonë takova Aliun, – vazhdon Bajroni në letrën e gjatë të tij. – Ai më uli në të djathtë të tij dhe kishte si “drogman” një të quajtur Seculario, që dinte latinisht dhe përkthente krahas përkthyesit tim në greqisht. Aliu më tha se kapiteni Leake i kishte thënë se zbrisja nga një familje e madhe fisnike. Më përcolli nderimet për ty dhe më tha se e kishte dalluar se isha nga një derë e fisme, pasi kisha veshë të vegjël dhe flokë me bukla, dhe duart e vogla e të bardha. Veshja ime i pëlqeu. Më kërkoi që ta shikoja si një At dhe se ai më konsideronte si birin e tij… Në fakt, ai më konsideroi si një fëmijë. Njëzet herë në ditë më dërgonte bajame, të ëmbla, fruta dhe më thërriste të shkoja e të rrija me të, veçanërisht në mbrëmje kur ishte pak më i zënë. Aliu ishte nja 60 vjeç, shumë i shëndoshë, jo i gjatë, por me tipare të bukura dhe sy blu të çelët dhe mjekër të bardhë. Fytyra nuk korrespondon me tipin e tij, sepse në fakt, ai është një tiran i pamëshirshëm. Por është dhe shumë trim. Dy herë Napoleoni i ka propozuar të bëhet mbret i Epirit, por ai preferon më shumë aleancën me anglezët. Bonaparti i ka dërguar madje dhe një kuti “tabakoje” me portretin e tij. Por ai donte më shumë origjinalin se sa kopjen e tij… Në fakt ai ishte një At për mua. Më dha letra rekomandimi, një eskortë dhe të gjitha lehtësirat që mund të imagjinohen. Bisedat tona të fundit ishin për luftrat, udhëtimet, politikën, Anglinë. Ai thirri luftëtarin Vasili dhe e ngarkoi të më mbronte nga çdo rrezik. Si të gjithë shqiptarët, ai është trim dhe tepër i ndershëm… Raca e tyre është ndoshta me tiparet më të mira të njerëzve në këtë botë….”

Por dhe shqiptarët e deshën dhe e çmuan Bajronin, pasi ndryshe nga personazhet që vinin nga Perëndimi, Bajroni ishte ndryshe nga ata. Ai dinte ta falte menjëherë dashurinë dhe miqësinë e vërtetë. Interesant është fakti kur gjatë një udhëtimi, kur ai ishte në ishujt e Salaminës, Bajroni u sëmur, madje ethet e tij ishin të tmerrshme në Olimp. Ai donte të shkonte drejt Misolongjit, por gjëndja e tij u rëndua aq shumë sa që dy shqiptarët që e shoqëronin, Vasili dhe çami Dervish Tahiri u frikësuan për rrezikun e vdekjes së tij dhe i vunë koburen doktorit italian që po e mjekonte: ose ta shëronte, ose ndryshe do ta vrisnin. Në një nga letrat e botuara në librin për lordin anglez Bajroni, një portret i njeriut të lirë, shkruhet se “Pesë ditë ai vuajti në shtrat nga ethet. Më vonë ai do të thoshte se po mos të ishin dy shqiptarët që e kërcënuan për vdekje doktorin, ai do të kishte vdekur”. Më së fundi, më 2 tetor të atij viti Bajroni shkruan se “Natyra e Jupiterit fitoi mbi doktor Romanelli-n”. Për dy shqiptarët, Bajroni ishte miku i shenjtë, apo miku i Zotit, dhe ata ishin betuar se do ta mbronin atë me jetën e tyre. Biografët e Bajronit sjellin dhe një fakt tjetër interesant, kur Bajroni me dy shqiptarët bridhte nëpër Athinë, ngjitej në Akropol, shkonte gjer në Maratonë dhe më pas rikthehej të takonte miqtë e tij në Athinë. Një grup grekërish e kishin pikasur dhe ata e dinin se ai kishte para, me të cilat ndihmonte kryengritësit, por siç shkruan autori, “Kur panë dy shqiptarët e tmerrshëm, ata hoqën dorë nga plani grabitjes”. Ndeshja me shqiptarët do të kthehej padyshim në një gjakderdhje të tmerrshme. Në një rast tjetër, ai i shkruan mikut të tij, konsullit anglez në Patras, zotit Strané: “I dua shqiptarët… Para një jave, një shqiptar që na ndihmoi  të shpëtonim nga mbytja e anijes turke, pasi na ushqeu dhe na strehoi në breg (bashkë me Hobhouse, Fletcher, dy shqiptarët e tjerë, një grek dhe një prift që kishim në naije), kur u ndamë donim ti jepnim ca para, por ai nuk i pranoi kursesi. U mjaftua vetëm me një fjalë se “ishim pritur mirë nga ai”, dhe se “është dashuria juaj që dua dhe jo paratë tuaja. Këto ishin fjalët e tij”.

Por ngjarje më tronditëse do të jetë ajo e ndarjes me dy shqiptarët e tij, para se ai të merrte anijen Hydra në Pire për tu nisur drejt Londrës, nga ku do të rikthehej dhjetë vjet më vonë në Misollongj, kur ishte vrarë Marko Boçari, për çlirimin e qytetit. Më keq e përjetoi këtë ndarje Dervish Tahiri. Kur Bajroni i zgjati tufën e parave për ta shpërblyer për gjithë atë rrugëtim të lodhshëm në mbrojtje të tij, shqiptari ia kishte kthyer. Pastaj ai kishte kapur ballin me të dy duart dhe kishte filluar të qante me zë. Qante dhe klithte duke thënë në greqisht: “Më braktisi!”… Bajroni dhe ata që ishin përreth u përpoqën që ta qetësonin shqiptarin e mjerë, duke mos e kuptuar këtë dënesë të tmerrshme të tij. Sigurisht, një skenë e tillë duhej të ishte si në skenat homerike, pasi ndarja me njeriun e dashur përjetohet si tragjedi, në një atmosferë të ndarjes së përjetshme, si një gjamë, kësaj rradhë e jugut të Shqipërisë, jo për një të vdekur, por për atë që niset në botën e largët për të mos u kthyer më. Por ndryshe nga shqiptarët, greko-francezi Nicolo Argyri do t’i shkruante Bajronit letra të përlotura dashurie, ku i deklaronte se e dashuronte “fino alla morte” (“gjer në vdekje”). Dy dhimbje të ndryshme por që dallonin krejtësisht nga njëra tjetra: në të parën, ndarja nga miku i shenjtëruar në lartësinë e Zotit; në të dytën, dashuria fizike e shpirtërore siç e gjejmë në të gjitha dashurinë midis sekseve.

Dhe Veli Pasha ishte një personazh i çuditshëm në sytë e Bajronit, një personazh simpatik, por dhe qejfli për meshkujt. Ja si i shkruan ai më 16 gusht të vitit 1810, mikut të tij Honhouse (Lettres Intimes, Albin Michel, Paris) : “Veli Pasha donte që të gjithë të moshuarit të shkonin andej nga i jati i tij dhe të rinjtë të shkonin me të, sipas shprehjes së tij “vechio con vechio, giovanne con giovanne” (plaku me plakun, i riu me të riun”. Sigurisht kjo është gjë e mirë, por megjithatë, mënyra e tij që të përfshinte për beli dhe të shtrëngonte dorën në publik, ishte ngacmuese për “një të ri të dlirët” (pra për Bajronin, L.R.). Ai kishte një mjekër që i zbriste gjer në brez dhe më pyeti nëse nuk e çmoja dhe unë kështu këtë lloj rinie, duke shtuar dhe gjëra të tjera dhe duke i shqyer sytë nga Strané, aq sa më hutoi në përgjigjet e mia”.

Bajroni dhe konsulli anglez Strané, e dinin se pederastia në oborret e pashallarëve ishte normale dhe ata mbanin djem të rinj si “dylberë”.

Nga Tripolica, në një letër drejtuar mikut të tij John Cam Hobhouse, më 11 gusht të vitit 1810, ai do të shkruante për takimin me djalin e Ali Pashës : “Veli Pasha më priti akoma më mirë se i jati. Më bëri dhuratë një kalë shumë të bukur dhe më nxiti me këmbëngulje që të takoheshim përsëri në Larisa. Kur mori vesh që s’do të shkoja në Larisa dhe për në thellësi të tokave shqiptare, ai më tha: “Jo, mos e merr atë rrugë. Eja më mirë në Larisa, ku do të ndalem për pak kohë. Do hamë e do pijmë mirë dhe do të shkojmë bashkë për gjueti. Ai më nderoi duke më quajtur “mik” dhe “vëlla”, duke shpresuar që të ishim miq jo vetëm për disa kohë, por për gjithë jetën. Herën e parë që e pashë, ai më tha: “Djalosh trim dhe i bukur!”… Ai u tregua përbuzës ndaj shoqëruesve të mij, shqiptarëve Andrea dhe Vasili, dhe tha se do tu priste kokat po të silleshin keq me mua”.

Në dhjetor të vitit 1824, të gjithë në Misolongj presin Bajronin. Koloneli Stanhope i shkruan mikut të tij Bowring se «Të gjithë këtu e presin Lord Bajronin si të ishte Mesia vetë». Dikush tjetër ka shkruar se ai u prit si një «Engjëll i shenjtë çlirues». Më 31 dhjetor, jo larg Misolongjit, i ndjekur nga anijet turke, Bajroni detyrohet të zbarkojë në breg. Po atë natë ai dërgon drejt Anglisë një letër ku ka shkruar: «Jam i shqetësuar jo për vete, por për këtë djalosh të ri që kam me vete. Do të preferoja ta bëja copa-copa atë dhe veten time sesa të binim në duart e barbarëve». Ai ushqente një dashuri të jashtëzakonshme për të, ashtu siç kishte dashur dhjetë vjet më parë drogmanin që e shoqëronte ngado, Nicolo. Edhe ai e shoqëroi nëpër Greqi, Athinë, brigjet e Qefalonisë apo Moresë, në Patra e gjetkë.

Në vitin e fundit të jetës së tij, ose më mirë në gjashtë muajt e fundit, pas ardhjes së tij nga Italia e veriut, nga Gjenova dhe Venecia, Bajroni donte ti jepte fund dashurisë së tij homoseksuale. Madje siç i shkruante në një letër dhe mikut të tij Hodgson, “ai do t’i braktiste veset e këqia të kësaj jete, se do t’i braktiste verën dhe kënaqësitë fizike, për tu lançuar në jetën politike dhe vepruar për të mirën”. Ndoshta dashuria që kishte ndjerë me Florencën, pas ndarjes me gruan e tij, dhe jeta aventureske që kishte kaluar më pare, e kishin bindur të fillonte një jetë të re. Udhëtimin e tij drejt Misolongjit ai e parandjente si një etapë të fundit të jetës së tij revolucionare. Por mjerisht, djaloshin Lukas nuk do mund ta harronte. Madje dhe në çastet e fundit, kur do të linte dëshirat e tij, ai kërkoi që paratë që i kishin mbetur t’ja linin Lukas-it.

Javët e fundit të Bajronit midis suljotëve që e shoqëronin ishin të dhimbshme. Patras kishte rënë në duart e turqve. Anijet turke patrullonin në det. Bajroni në atë kohë ishte vënë në krye të 500 suljotëve, që ishin larguar nga «trojet e tyre shqiptare» siç shkruan ai. Për të suljotët janë shqiptarë dhe jo grekë, edhe pse janë ortodoksë dhe të një feje me grekët. Madje siç do të shkruante ai për Vasilin, «Ai ishte një ortodoks i bindur. Sa herë do të kalonte para ndonjë vëndi të shenjtë apo kishe, ai do të bënte kryqin, por në fakt, priftërinjtë i konsideronte gjithnjë si batakçinj dhe hajdutë». Sidoqoftë, ideja e tij ishte të bashkonte prijësat e përçarë të këtij Revolucioni. Kur u sëmur në Misolongjin e lirë, atë erdhi ta shikonte dhe Lukas Vaja, doktori i Ali Pashës, të cilin e kishte njohur dikur në oborrin e pashait të Janinës. Bajroni ishte në delir dhe herë pas here fjalët i thoshte ca në anglisht e ca në italisht. Pastaj bërtiste fort sikur të hidhej në luftë, duke thënë: «Përpara, kurajo !… Ndiqmëni pas ! Mos kini frikë !… Bajronit i dukej se lufta kishte filluar dhe ai u printe suljotëve të tij trima. Më 19 prill të vitit 1824, zëmra e tij pushoi. Atij i bënë homazhet ushtarake, siç i kishin bërë më parë dhe Marko Boçarit. Madje e vendosën në të njëjtën kishë ku kishin vendosur Boçarin. Pastaj trupin e tij e futën në një çisternë të mbushur me 800 litra alkool dhe e nisën për në Angli me anijen Florida. Koloneli Stanhope, miku i tij, e shoqëronte drejt Zantes për të mbërritur pastaj në brigjet e lumit Tamise. Pikërisht pse njihej si njeri libertin, kisha nuk pranoi, që ashtu siç i takonte si lord që ishte, të varrosej në Westminster Abbey. Kështu ai u varros në varrezat e të parëve të tij, në kishën Hucknall. Vdekja e Bajronit bëri një jehonë të jashtëzakonshme në Evropë. Ajo frymëzoi me dhjetra e qindra artistë francezë, gjermanë, italianë, anglezë, etj, duke filluar me të madhin Viktor Hygo, i cili i kushtoi poema të mrekullueshme suliotëve trima Marko Boçarit dhe Karaiskaqit ndhe duke vazhduar me Delakruanë dhe tabllotë e Markos dhe të suljotëve që hidheshin si luanë në beteja. Lord Bajroni mund të kishte zgjedhur një jetë të paqtë, midis familjes së tij dhe Dhomës së Lordëve, por ai zgjodhi malet dhe stuhitë, trojet e revolucionit me heronjtë grekë e shqiptarë që ai i përjetësoi në vargjet e tij. E në këto stuhi të lirisë së popujve, homoseksualiteti i tij ishte si ajo porta e fshehtë që hapej veçse natën dhe ku përtej gjeje një tjetër Bajron, atë të dhimbjeve dhe të dashurive të mëdha që siç thoshte ai vazhdonte “fino alla morte”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Luan Rama, Porta e fshehte e bajronit

Kur tradhtarët shpallen ”patriotë”, dhe patriotët damkosen ”tradhtarë”nga tradhtarët

September 7, 2013 by dgreca

Nga Faik Krasniqi/

Tragjedia më e madhe e një kombi është kur tradhtarët bëhen ”patriotë”, dhe patriotët nga tradhtarët cilësohen ”tradhtarë. Ne shqiptarët, sikur e kemi në traditë që shumë shpejt t’i harrojmë vuajtjet tona, individuale apo kolektive qofshin ato, e sigurisht që gati-gati i harruam edhe ata shqipfolës që për shumë dekada i shërbyen armikut më të egër të popullit shqiptar që ka njohur ndonjëherë historia. Nuk është e nevojshme që të shkruajmë histori të gjata për bëmat e poshtra të spiunëve dhe tradhtarëve shqipfolës, por është mirë që kryesisht të demaskohen. Të demaskohen agjentët shqipfolës të UDB, e veçanërisht ata ish agjentë të UDB-së, që edhe sot e kësaj dite “notojnë” në ujëra të turbullta, bile disa nga ata janë të veshur edhe me pushtet, duke u pajisur kështu edhe me njëfarë imuniteti politik.

Kush është në të vërtetë Shkëlzen Maliqi?

Shkëlzen Maliqi është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” dhe “nacionalistëve” shqiptarë. Jo vetëm i ati, por edhe i vëllai Gazmend Maliqi që ishte punëtor operativ i UDB-së në Prishtinë dhe përgjegjës për shumë keqtrajtime të shqiptarëve në vitet ’80-ta. Të kujtojmë se Edi Rama para disa vitesh Shkëlzen Maliqin e quante mashtrues ordiner kur ky i fundit organizonte sondazhet e ”Gani Bobit” në Shqipëri i kontraktuar nga Klan. Udhëheqësit e Shqipërisë duket e kanë të pamundur t’i shpëtojnë psikologjisë Bizantine. Rama pa dashje po i bën një të mirë Kosovës duke i larguar një person të padëshiruar për shqiptarët e Kosovës. Me zgjedhjen e këtij këshilltari Edi Rama provoi se do jetë të paktën po aq filoserb sa kollovari i Milicës Sala.Shkëlzen Maliqi është njeri i shërbimeve sllavo-serbe në tre breza, që në kohën e monarkisë të kryeministrit Stojanoviq. Këshilltari i Kryeministri Rama e ka pasur gjyshin spiun të Jugosllavisë mbretërore, babën spiun grek dhe të Sigurimit Jugosllav dhe tani na del këshilltar Maliqi. Babai i Shkëlzen Maliqit ka qenë një nga shqiptarët e ndershëm me qen besnikë të famëkeqit Rankoviq. Kujtoj këtu lidhjet me Udbash-in famëkeq Goran Gaiq dhe persekutimin e shqiptarëve pas incidentit të quajtur ngritja e flamurëve në Prizren. Serbët e konsideronin të atin e Shkëlzen Maliqit edhe më besnik se famëkeqin Rrahman Morina, i martuar me grua serbe si vjehrri i Salës. Vetë Shkëlzeni këlysh i SDB-së aktualisht bashkëpunon aktivisht me BIA-n. Shkëlzeni ka miqësi të kahershme me Zvetozar Kovaç, drejtorin aktual të shërbimit sekret të ushtrisë serbe. Shkëlzeni si spiun serb familjarisht është antiamerikan i tërbuar. Kjo gjë do i hapi telashe Edi Ramës me stafin e ambasadës amerikane në Tiranë, si psh me atasheun Joshua Petersenin. Kujtoj këtu qëndrimet anti-UÇK dhe anti-Amerikë në vitet 1998-1999 ky Shkëlzen Maliqi sa herë ia bënte nervat kaçurrel kolonel Applegate-s, që e konsideronte edhe më filo-serb se Doklen dhe Shyqyri Durakun.Prof. Klosi të flasë nëse ka takat. Të kujtojmë problemet e dhjetorit 1998(18 dhjetor), prita që iu vu nga serbët kolonës së UÇK-së që nga Kruma (Cahanaj) po penetronte në Kosovë. Kujtoj këtu kooperimin e Sokol Pogës këtij Shkëlzenit dhe Gaiç-it shërbimit sekret të Milosheviqit etj, etj.

Cila do të jetë detyra e parë e Shkëlzenit?

Detyra e parë e këshilltarit të Edi Ramës është organizimi i një takimi me udhëheqësit e Serbisë, të cilët do të ndërhyjnë për një takim edhe në Greqi, e kështu të vendosin krijimin e “kombit kosovar” një dëshirë e kahershme edhe e këshilltarit i cili mendon serbisht dhe i duket vetja sikur flet shqip. Rama po i ngjan paraardhësit të tij me këtë autogol spektakolarë të realizuar në një terren filosllav siç është Franca. Për t’u bërë më i plotë kuadri i këshilltarëve të kryeministrit Rama, prisni tani kur të dëgjojmë se si këshilltar politik do të marrë enveristin Rexhep Qosja. Shenjën e parë e dhanë socialistët në nëntorin e vitit të kaluar duke i dhënë këtij enveristi titullin “Qytetar Nderi” të Vlorës.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Patriotet, Shkelzen Maliqi, tradhtaret

SI DO TË ISH BOTA PA ATA..!

September 6, 2013 by dgreca

KRISTAQ TURTULLI/

Sa shpesh vëlla këmbehen stolat prej kashte, në lëkure,/

Eja të shkojmë të nxëmë prej idiotëve…/

Mes tonë i kemi, janë me shumicë./

Të themi atë që ata nuk thonë./

Nuk janë vëllezër siamezë./

Përsëri shëmbëllejnë shumë./

Por duhet të mësojmë prej tyre./

Po të duam të jetojmë…/

Ata nuk mund të meditojnë./

Por janë realisht komodë,/

Vlerësojnë jetën e vërtetë mondane,

Pinë puro kubane,

Ngaqë nuk kanë se çfarë të thonë.

Por sa të mendojë i mençuri ata mbarojnë punë…

Vërtet vëlla duhet mësuar prej idioteve.

Mes tyre këmbejnë stolat prej kashte, në lëkure.

Ehu vëlla, ku janë ata,

Mbi trurin e lëmyshqë, flokët xhelatinë.

Lart e poshtë, e në hava.

Por nuk bëhet shaka me ta, aha..!

Të kryqëzojnë si Krishti.

Të vënë në kokë kurorë me gjemba.

Dhe të qajnë me lot krokodili.

Ata janë më të lumturit e botës,

Më të pafajshmit,

Më të dëliret,

Më të sharët,

Më trutharët,

Më të pafytyrët,

Më fajtorët,

Më vrastarët.

Por ata nuk qederosen kur i shajnë,

Nuk kanë zemberek në zemër të këputet.

Sepse të shkurdisur janë.

Por sa të mendojë i mençuri, ata mbarojnë punë…

Dhe flenë në dyshekë me pupla.

Të tjerët ikin nga sytë këmbët.

Hë vëlla, më thuaj si do të ishte bota pa ata!

Një supë pule, apo trahana.

Aha..aha…aha!

Kur s’ka të tjerë hanë bakllava…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, pa ata, Si do te ishte Bota

Qarrishta,fshati qe strehoi 26 hebrej

September 6, 2013 by dgreca

Reportazh nga  Besim Dybeli*/

Në të majtë të qytetit të Librazhdit, drejt verilindjes, nis një rrugë e porsa shtruar, që të çon në Steblevë e më tej. U deshën vite e vite, që këmbët e rrugëtarëve të kësaj treve apo dhe gomat e makinave të vjetra, të ceknin për herë të parë asfaltin. Nuk bën më tepër se pesë kilometra dhe një degëzim në të djathtë, ngjitet pjerrtasi mes fshatrave Dorëz e Gizavesh të komunës Qendër, Librazhd. Autobusi ynë, mbushur me dhjetëra pasagjerë e ca vende “rezervuar” për gazetarë, ecën butë-butë mbi një shtresë zifti të hollë. Kësisoj, të krijohet ndjesia e një udhëtimi komod, pa ditur se për një distancë afro 30 kilometra, do të duhen mbi dy orë për të mbërritur në Qarrishtë. Të gjithë tunden, shkunden e mbahen fort mbi sediljet që u ka dalë skeleti i hekurt, teksa mjeti i tipit gjerman, prodhim i viteve ‘70-të, uturin me sa fuqi që ka. Pas xhamave të shtrënguar fort me bullona hekuri, syri të rrok bukuri mahnitëse. Shpate malesh, mbushur me dushqe e pisha të buta, burimet ujore që rrjedhin pa pushim nën cicërimat e zogjve, të japin imazhin sikur dëgjon “simfoninë” e pyllit. Ne, që jemi të zhytur në smogun e trashë të Elbasanit të ndotur, hapim gojë e hundë për të mbushur mushkëritë me ajrin e virgjër. Ndonjë operator qejfli romantik, teksa fshin me mëngë tisin e avullit mbi xham, përpiqet të fokusojë në kamër bukuri natyrore të rralla. Syresh, nxjerrin dhe blloqe shënimesh pa kurrfarë informacioni.

Ne, që udhëtojmë për herë të parë drejt fshatit Qarrishtë, mbetemi kureshtarë, sa për të parë këtë fshat, aq edhe për të përfytyruar se çfarë do të ndodhë atje në kujtim të asaj që ka ndodhur 70 vjet më parë. Sa më tepër i afrohesh fshatit, aq më e vështirë bëhet rruga mbi gurë, që në çdo njëqind metra duhet të kalosh gurgullimat e ujit dhe gurët e mëdhenj të përrenjve që zbresin me vrik nga vargmalet e Shebenikut, majat e të cilëve, ende qeleshebardhë. Që në nisje, ishim kuriozë për të prekur nga afër një copëz histori të shuar ndër vite të këtij fshati. Plotë shtatëdhjetë vjet më parë, aty do të strehoheshin për dy vjet 26 hebrenj prej inkuizicionit gjerman! E rrallë, por e krenarishme…

Histori e shkruar mbi gur Mure të gurtë. Çati me rrasa guri. Rrugica, shtruar me gur. Shpate malesh të gurta. Një jetë mbi gur. Historia mbetet po aty. Venitet, por nuk prishet. Njerëzit, gurë të fortë. Dy shekuj më parë, qëkurse ky vend u popullua, ka mbetur po ashtu. Nga lindja, vargmale të lartë gjer në kupë të qiellit, që e ndajnë me Maqedoninë fqinje. Nga jugu e perëndimi vargmalet e Shebenikut, që e ndajnë atë nga Rrajca e Struga. Nga veriu male të lartë, që e ndajnë nga Stebleva. Den baba den këtu mes ashpërsisë natyrore e malesh stoikë. Nën një hapësirë qiellore disa hektarëshe e mbi ngastra toke gjysmë dynymësh ende jetohet në këtë fshat mes malesh. Dielli del vonë e ikën shpejt. Blegtorët u ngjiten shpateve e pllajave pa lind e kthehen pasi perëndon. Amvisat pranë oxhaqeve që nuk u shteron zjarri, misërnike në çerep e gatime vetëm me gjalpë. Çobanët e burrat e lodhur ndër ara duhen ushqyer mirë. Jeta ka të njëjtin refren këtu. Ndërsa viti me dy stinë ka vetëm dy ngjyra. Jeshilja pa kufi në verë e bardhësia që vret në dimër. Në dy shekuj mbijetesë, dy herë ka fluturuar helikopteri mbi këtë fshat mes malesh. Një herë është ulur mbi dëborë duke marrë një të sëmurë rëndë dhe një herë tjetër, në pamundësi uljeje, ka lënë pas dhimbjen e një gruaje për lindje. Nga 200 familje, sot bujisin vetëm 40.

Të ikurit dhe të mbeturit, gjithçka e kanë shkruar mbi gurë muzealë. Kështu edhe për epopenë dyvjeçare të mbajtjes nën “gjuhë” të 26 hebrenjve, për pak se martirizues. Një ceremoni modeste Ka lindur dhe është shndërruar në traditë një festë në këtë fshat. Ajo e Bashkimit. Është konceptuar kështu, për tu ndodhur bashkë një herë në vit. Të ikurit, 160 familje dhe të mbeturit rreth 200 banorë. Brenda festës, edhe ajo e përkujtimit të dy viteve që u strehuan hebrenjtë. Qindra pjesëmarrës në atë tokë gurishtë rreth “lapidarit” ku shkruhet, “Qarrishta, besa shqiptare”. Shkruar thjeshtë, por shumë domethënëse. Në Jeruzalem, në hartën e Shqipërisë është shkruar “Zero”! Kjo, për faktin që asnjë hebre nuk është vrarë apo dorëzuar tek gjermanët. Në pritje të ambasadorit izraelit, të ardhurit e vendasit, sikur çfarë do të ndodhë! Mes tyre dhe deputeti Taulant Balla dhe Eduard Selami, që ndoshta për herë të parë përqafohen e shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Mbase idilizmi i festës solli këtë moment kortezie.

Ndërsa ambasadori vendos dy tufa lulesh artificiale mbi pllakën e gurtë përkujtimore, (që sa hap e mbyll sytë u rrëmbyen nga dy vocërrakë) dhe drejtohet jo me shumë optimizëm para kamerave. Me sinqeritet ai falenderon banorët e këtij fshati e në veçanti familjen Biçaku, që mbajtëm me bukë e u dhanë jetë për dy vjet bashkëkombësave të tij, e, po me këtë çiltërsi ai pranon se pasardhësit e tyre nuk janë gjendur asnjëherë këtu, për të mos thënë që nuk kish dijeni se ku mund të ndodheshin ata, shumica të shpërndarë nëpër botë! Ceremonia spostohet në oborrin e shkollës me 40 nxënës, çatia e së cilës sikur puthej me tokën. Pas muzikës tallava, ushqyer me rrymë elektrike nga një gjenerator i sjellë nga Durrësi, përshëndetjet e rastit nga kreu i komunës, Enver Shkurti. Mes të tjerash ai do të citonte: “Gjyshërit dhe prindërit tanë për dy dimra mbajtën gjallë 26 jetë hebreje në emër të besës e mikpritjes shqiptare, në emër të Zotit dhe të drejtës për të jetuar, edhe pse e dinin së jeta e tyre do të shuhej në çast nga bajonetat e karabinat gjermane, pa menduar kurrë për haraç në ditët e lirisë që do të vinin. Por, – vazhdoi ai mes të tjerave, – sot shpresoj, që distanca që ndan këtë komunitet nga jeta cilivizuese përtej këtyre maleve, do të shkurtohet edhe nga kontributi i shtetit të atyre njerëzve që ne strehuam në ato vite të vështira lufte e dimri”. Edhe pse duartrokitjet herë-herë ndërprisnin përshëndetjen e ambasadorit izraelit, që shqipërohej jo fort mirë, ky i fundit në thelb do të thoshte se “… mirënjohja ndaj familjes, Biçaku dhe miqësia jone me popullin shqiptar nuk do të shuheshin kurrë“. Dhe, … vetëm kaq. Ndërsa dy personazhet e politikës, Balla e Selami, nuk mbajtën ndonjë fjalë të rastit, “dueti” nuk i kurseu buzëqeshjet e fotot me të gjithë të pranishmit. Në një farë mënyre, i njëjti ritual edhe nga ambasadori izraelit. Dreka fshatçe rreth 5 kilometra më tej. Pikërisht në themelet e mbetura të familjes Biçaku, që sakrifikoi gjithçka për të mbetur gjallë 26 hebrenj nga shumë të tjerë të shpërndarë në vendin tonë e më gjerë…

 

Krenari apo zhgënjim?!

 

Pjesëtarë dhe pasardhës të familjes Biçaku, jo fort të privilegjuar në festën që mbart brenda saj edhe kujtimet e komunitetit të vogël hebre të strehuar në shtëpinë e tyre. Ata dhanë gjithçka në atë kohë absurde për mbajtjen e përcjelljen gjallë të atyre njerëzve. Sakrificat e papërshkruara të kësaj familjeje do të mbaheshin në sirtarë arkivash për më shumë se 50 vjet. Të djeshmit i persekutuan, pse strehuan dhe u dhanë bukë bijve të atyre që për shtetin komunist të 45 vjetëve ishin “koburja“ e ngrehur e “imperializmit amerikan”. Të sotmit, i lanë pothuajse sërish në harresë. Veç ca dekorimesh nga lobet izraelite në Amerikë e së fundi edhe në Parlamentin shqiptar, asgjë tjetër. Paradoksi mbetet në atë se persekutorët e djeshëm janë kthyer sot në tribu të atributeve të akteve humane të kësaj familjeje. Djemtë dhe mbesat e familjes, Biçaku, (sot banues në Durrës apo në Elbasan) nuk kanë shkuar më tej sesa të përfituarit e një pune sanitare e pa shtëpi. As shteti i tyre nuk u dha mirënjohje apo mbështetje konkrete, as shteti i atyre që strehuan e as pasardhësit e atyre hebrenjve që u përcollën shëndoshë e mirë, hipur mbi kuaj, pranverën e “45-ës, drejt Strugës. Aso kohe, teksa karvani kalorësiak ecte mes malesh, në të kaluar të kufirit, ata (hebrenjtë) do tu premtonin një jetë të begatë të paktën tre brezave të familjes që i kishte shpëtuar si shpërblim për jetën që u kishin shpëtuar! – “Babai im do të refuzonte që në gjallje të tij lëmoshën 30 dollarëshe që do t’i vinte privatisht nga njëri prej atyre që mbajti në shtëpinë e tij“, shprehet Muhameti duke shtuar se “vetëm ishte vlerësuar me dekorata në Amerikë”! – “ Asnjëri prej atyre që mbajtëm apo pasardhësit, nuk janë bërë të gjallë qoftë dhe për një kontakt fizik në këtë vend ku qëndruan për dy vjet gjyshërit e tyre“- pohon Natasha, mbesa e kësaj familjeje. – “Gjyshi im i mori nga Tirana e i solli këtu natën me mushka e po me mushka blinim drithë e ushqime në Strugë e Ohër për tu siguruar ushqim, por të themi të drejtën pak mirënjohje na është përcjellë“ ,– shton mbesa tjetër, Elida. Nga ç’është bërë, gjallë po përpiqet ta mbajë në këmbë shoqata e miqësie me kontributet e dhëndrit të kësaj familjeje mikpritëse, Kujtim Hasbiu. Ky i fundit mbetej organizatori i kësaj ceremonie, më së shumti për të lartësuar krenarinë e virtyteve shqiptare.

Festa ka mbaruar shpejt. Afër të perënduari të diellit, autobusi, që numëron ditët për skrap, bën rrugën e kthimit. Shoferi, i gëzuar sa s’ka, pse e vetmja ditë që i kish siguruar dyfishin e pasagjerëve, merr ç’pasagjerë gjen rrugës. Mezi arrijmë të futemi brenda. Tre veta në dy sedilje. Dhe ne të medias, si të shumtit në këmbë, mbahemi fort në ca hekura të salduar afër tavanit prej llamarine të autobusit “Benz-70”. Gratë e vajzat mbulojnë gojën me shami prej erës së rëndë e avujve të rakisë kumbullake. Një ditë e bukur, e lodhshme, por me mbresa. Në atë copëz toke shqiptare, rrethuar e harruar mes malesh, përkujtohet gjer në lartësim strehimi i 26 hebrenjve, më tepër si simbol i besës dhe mikpritjes të vendit të shqiponjave. Ndërsa i afrohemi qytetit të Elbasanit, këshilltari i ambasadorit izraelit, me celular, interesohet se kur dhe në cilat media do të jepet ndodhia e kësaj dite…

* Falenderojme autorin qe ia dergoi per botim Diellit

Filed Under: Reportazh Tagged With: 26 hebrej, fshati qe strehoi, Qarrishta

Krizat e ”pafundme” ballkanike

September 6, 2013 by dgreca

A do të vijojë Ballkani të mbetet njolla e zezë e Europës?/

Shkruan: ZAIM KUÇI/*

Riformulimi i mundshëm i gjeopolitikës në rajonin e Ballkanit. Në analizë të situatës për vendet ballkanike, sjell si informacion se, zhvillimet e fundit në rajon të japin idene se ky rajon po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike që pjellin jo vetëm nacionalizma në ekstrem, por dhe rikthim dhe hapje oreksi për zënie territori të forcave të tjera larg kufijve të tij,  që afrojnë ndoshta dhe alternativen për ndryshim kufijsh. E përforcoj këtë “hallakatjen time për ballkanin e lodhur” edhe nga Instituti gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) me qender në Berlin i cili ka hedhur ide se, së shpejti do të kemi një rivlerësim të ri të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Fillimisht ata e shohin si më të mundshëm një rregullim kufijsh mbi baza etnike në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni thuhet në këtë analizë, por nuk eshte kjo subjekt i këtij shkrimi, i cili del në hapesira të tjera integrimi.

Ballkani dhe kriza e re politike.  Rajoni i Ballkanit na paraqitet në dy profile, ai botës së dukshme, me kriza në rritje dhe i botës së fshehtë me intriga, si mbeturina të së kaluarës. Le të ndalemi kalimthi në këto dy anë  të rajonit tonë.

Ballkani ku ne jetojmë duket se është futur në një spirale humbjeje, qoftë kjo ekonomike dhe ajo në fushën e gjeopolitikës. Ajo që ka mbetur përherë e pandryshueshme është etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë ku fshihen ambicje të të vjetra të shteteve mëmë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizore dhe se në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë, madje dyshuese, me skenarë të hapur ndarje dhe të tjerë, që presin momentin dhe kohën e duhur, për të dalë në skenën e hapur të kontradiktave.

Janë këta skenarë që mbajnë peng këtë territor shtrirje, që shansi e dha të jetë në pjesën më të privilegjuar gjeografike të Europës. Në Ballkan vazhdon pengu i një të kaluare historike, ku përplaseshin fetë, qytetërimet dhe ideologjitë në dimensione që kalonin rajonin tonë dhe më tej në përmasat botërore. Për këtë arsye, territori i tij ka tërhequr gjithnjë fuqi globale e rajonale për të realizuar interesat dhe prej këndej, nga ku kërkojnë bazë nisje, për t’u zgjeruar në vende e rajone të tjera të botës.

Në këtë situatë vorbulle ballkanike, nuk është tepër të shprehemi se rajoni ka vetëm një gjuhë, ai flet me gjuhën e ”forcës së armatosur” edhe pse me një ekonomi të dobët….e cila lehtësisht zhvlerëson gjuhën e dialogut, të konsesualitetit politik dhe diplomatik,aq më pak atë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët të popujve të vet.

Rritja e nivelit të Nacionalizmit Ballkanik

Në se vlerësojmë në terma të përgjithshme, për të gjithë popujt nacionalizmi dhe patriotizmi jane ndjenja që burojnë nga devotshmëria e të qenurit besnik ndaj kombit që kupton lidhjen e ngushtë të individit me kombin.

Pa bërë teorizma në lidhje me këto nocione është vërtetuar se në ato vende ku ka zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik, papunësi, demokraci të brishtë, korrupsion, institucione jo në standard evropian, drejtuesit dhe politikanët sjellin për shpëtim kartën e nacionalizmit, ndjenjë që fillimisht përvehtësohet lehtësisht nga populli. Pra nacionalizmi ballkanik është sipas meje i stimuluar, vjen nga errësira dhe besnikëria që individë apo grupe të caktuara manifestojnë ndaj “interesave të kombit” ndaj “slloganeve politike ose nacionaliste” apo elita politike të papërgjegjëshme, të cilët për interesa individuale abuzojnë me turmat, manipulojnë me opinionin publik, duke i drejtuar ato në rrugë pa krye dhe në aventura të rrezikshme për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e tyre, pra e thënë ndryshe është arkaik.

Per sa më lart,vendet e rajonit tonë tashmë e kanë krijuara “infrastrukturën” e duhur dhe lozin fuqishëm me kartën e nacionalizmit. Etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizore dhe se në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë. Më tepër se kaq, ajo që përbën rrezik sot është fakti se strukturat e sigurisë, veças në shtetet e rajonit, nuk janë aktive për të ndarë shtetin dhe ritet fetare, por në një farë mënyrë shtetet gjejnë interesat në këtë përpjekje destabilizimi në propagandën fetare. Duket sikur po shfaqen lakmitë  e vjetra të Ballkanit të shekujve më parë.

Etja e dukshme për një nacionalizëm shovinist vlerësohet si një teori e rrezikshme dhe e gjithëpranuar nga vendet me vështirësi ekonomike dhe demokratike të ballkanit.

Ballkanikët, (drejtuesit) ose i shmangen nivelit të ulët ekonomik dhe flasin me gjuhën e nacionalizmit ose akoma nuk kanë kuptuar mirë dallimin mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Në janar 1995 udhëheqësi francez Mitterrand gjatë fjalimit të tij para Parlamentit Europian nacionalizmin e ka perkufizuar, “nacionalizëm do të thotë luftë”, që kupton një ballkan që ndjell luftë.

Sipas meje, ndaljen e kësaj rrokullisje ballkanike e shikoj në atë që, Rajoni ynë duhet të ndjekë Shembujt  “shengenian” të cilët nuk i kanë munguar Europës, madje vlerësohet si kontinent i lindjes së termave që bashkojnë vendet për të punuar së bashku. Rritjes të stimuluar të tensionit ballkanik do t’i shkonte mirë për qetësim dhe rivlerësim, rikthimi i diplomacisë ballkanike në shembullin e diplomacisë franko-gjermane të pasluftës së dytë botërore, e cila jo vetëm që vendosi paqen midis dy vendeve që vinin me një histori konfliktuale, por dhe një shans për zhvillim në paqe të Europës.

Papunësia dhe Nacionalizmi sipas meje janë faktorë bazë, nxitës për zhvillimin e forcave politike ekstreme te tipit fashist (Greqi, Maqedoni, Serbi etj). Zyra e statistikave të Bashkimit Evropian informon se niveli i papunësisë është i larte, më shumë se 19 milionë njerëz (12 % te popullates) janë të papunë në eurozonë, e cila ka bërë daljen e partive me programe ekstreme si psh ne Spanje, Gjermani etj.

Kërcënimet dhe Sfidat në Rajonin tonë. Rasti i RSH

Papunësia një fenomen global i shoqërisë sonë, vlerësohet si një kërcënim real. Për vendin tim, papunësia është produkt dhe pasojë i ndërrimit të sistemeve. Gjithashtu RSH po kalon një tranzicion të vështirë, i tejzgjatur, që është rrjedhojë jo vetëm e një demokracie në krijim por dhe i stimuluar kohët e fundit nga kriza ekonomike që po kalojnë vendet rrotull nesh dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Mbas viteve 90, një popull i dalë nga një regjim totalitar, kërkoi mirëqënien e tij duke emigruar në vendet fqinjë dhe më larg. Ishte një zgjidhje afatshkurtër për RSH. Aktualisht emigracioni shqiptar (1.3miljon shqiptare) kalon vështirësinë ekonomike që kalojnë shtetet bartës (fqinje) të këtij emigracioni. Greqia ku më shumë se 25 për qind te forcës punëtore të papunë dhe Italia është në prag recesioni, vende ku emigracioni shqiptar është në shifra të larta.

Lëvizja e pakontrolluar e popullsisë, nga nje zonë në tjetër, nga fshati në qytet solli jo vetëm renien ekonomike por krijoi dhe një papunësi të dukshme sidomos tek të rinjtë. Ajo që është shqetësuese edhe për gjithë vendet e tjera ish komuniste është dyndja drejt kryeqytetit, ku kemi një mbipopullim të tij. Kjo lëvizje demografike ka bërë që të lihen terrene të pashfrytëzuara, rritje fiktive të papunësisë, rënie të prodhimeve bujqësore dhe padyshim është burim zhvillimi për një sërë fenomene negative të shoqërisë.

Etja për pasurim të menjëhershëm, sidomos tek të rinjtë, afroi interesat vetjake duke stimuluar korrupsionin dhe largoi shoqërinë tonë nga vlerat si gjeneratorë për zhvillim dhe mirëqënie.

Ekonomia u zhvillua e paplanifikuar duke krijuar bisneze fiktive të cilat nuk i rezistuan kohës dhe shumë shpejt u shkatërruan duke rritur fiktivisht papunësinë. U zhvillua një kapitalizëm i pakontrulluar, rezultat i të cilit rriti hendekun e të pasurve me të varfërit, kontradikta e të cilëve solli anët më negative të zhvillimit të shoqërisë.

Nga ana tjetër, fenomenit “Papunësi” i shtohet dhe zhvillimet e vrullshme të teknologjisë, zhvillim që padyshim ka ulur rolin e punës “artizanale” duke hedhur në rrugë shumë punëtorë.

Diferenca te dukshme te zhvillimit te ekonomise midis rajonit tone dhe pjesen tjeter te evropes perendimore ka sjellë lëvizje masive të emigrantëve ekonomike drejt këtyre vendeve që padyshim mbartin dhe problematikën e tyre per vendet pritëse. Emigracioni i planifikuar evropian do të ishte një zgjidhje normale për të kontrolluar fenomenet negative mbartëse të këtij fenomeni.

Niveli i varfërisë në rajon vlerësohet si burim për rritjen e autoritetit të “pushtetit të individit” të konsideruar si element ( i ri) destablizues i sigurisë që duhet vlerësuar si burim i terrorizmit kombetar, rajonal e global

Këta janë tregues të hapur prapambetje të rajonit tonë me pjesën tjetër evropiane, diferencat e të cilave duhen të vlerësohen seriozisht, si prag lëvizje për zgjidhje të tjera të parashikuar edhe me forcë. E vetmja mundësi për dalje nga kjo krizë është përmbysja e këtyre raporteve prapambetje duke u afruar treguesve me vendet fqinjë të pjesës tjetër: Europë. Koha ka ardhur për hapje të vendeve të reja pune për të shmangur fenomenin autoritetin të “pushtetit të individit”se sa zhvillim të forcave të armatosura.

Harta e re e Krizës Ballkanike dhe veçantitë: politike, ekonomike dhe ideologjike

Kalimthi, do ta vlerësoja rajonin tonë në këtë format sjelljeje:

Vijon një Maqedoni pa identitet dhe me trazira të brendshme, me dyshime se kur do të njihet plotësisht si shtet (1/3 e përbërë nga shqiptarë). Në rastin e mosnjohjes, çfarë pritet të ndodhë, a do të vazhdojë stato quaja, apo do të këmi lëvizje për zgjidhje ndryshe.

Një Kosovë akoma e dobët, me një qeverisje në krijim dhe e përfolur nga BE, e panjohur zyrtarisht sipas rregullave ndërkombëtare. (Më shumë se 90% e përbërë nga shqiptarë.)

Për Malin e Zi: i konsideruar “i lënë pasdore”, terren i pavlerësuar, që shumë analistë e kanë quajtur, nën pronësi ruse…

Vijon presioni rus duke mbrojtur zyrtarisht ruajtjen e teritorit serb mbi Kosovën duke e quajtur atë një shtet të vetshpallur edhe pse u krijua nga një forcë ushtarake ndërkombëtare.

Së fundmi, Serbia, provinca ruse ku pushteti akoma nuk po gjen të zotin e vet…  madje shkohet më larg, në se nuk orjentohet drejt BE …zërat janë deri dhe në humbjen e indetitetit të saj- shpërbërje.

E veçanta e çështjes greke

”Si për traditë luftërash”, po sot do të jetë prapë Ballkani si bazë nisje për një krizë të re globale, këtë radhë do të përfaqësohet me shtetin grek, me krizën më të rëndë financiare të të gjitha kohërave, duke vënë në vështirësi rajonin dhe mbijetesën e vet Bashkimit Europian. Për fat të keq Ballkani mbetet i ”përgojuari i historisë”, toka e luftërave, përplasjeve dhe konflikteve.

Greqia është e hallakatur në problemin më të zjarrtë, pasi ajo ndodhet në udhëkryqin e zgjidhjes, drejt Europës që është hedhur në ndihmë të konsiderueshme, apo drejt Rusisë që kërkon strehë në rajonin tonë, apo rikthim në perandorinë e vjetër turke (për 4 shekuj deri në vitin 1832, Greqia ishte nën sundimin turk), apo diku larg në Kinë etj. Dyshimet rriten sidomos me ndryshimet politike të të majtëve dhe të djathtëve radikalë, anti-europian, për më tepër edhe pse është anëtar i Nato-s, herë-herë shprehet kundër saj, (ndërhyrja e Nato-s në Kosovë). Greqia ndodhet në konfuzion. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë.

E quajtura ”Situata greke e Greqisë”, analistët e vlerësojnë si kohë pritje për trazira sociale. Pasuria private, e vlerësuar miliardëshe, të transferuar në bankat zviceriane, analizohet si një gjendje me prapavendim në përdorimin e tyre, nuk dihet se si dhe ku do të përdoren.

Ndjehet një lëvizje e politikës dhe të Kishës greke ndaj RSH. Është një ofensivë që duhet vlerësuar si një lëvizje destabilizuese për Jugun e Shqipërisë.

Aktualisht sot për rajonin e ballkanit është hedhur në tavolinë çështja e kufijve. Të gjitha shtetet  kanë në diskutim, sipas interpretimeve të tyre, legjitimitetin për rishikim kufijsh: Serbia-Bosnjë-Hercegovina, Shqipëri-Greqi po afrohet një debat për ujërat detare, Kosova-Maqedonia me Serbinë. Po kështu vijon debati konfliktual politik midis Maqedonisë dhe Greqisë. Nga parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, gjatë vitit 2010 u miratua ligji për referendumin e shkëputjes etj.

Po përse kjo situatë pasigurie rajonale? Për një thjeshtëzim në analizë, le të vlerësojmë  disa nga treguesit ekonomik të rajonit tonë, premisa për pështjellime për ndryshim.

Papunësia është në nivele nga më të lartat, 15 – 40 %. Ndërkohë, 30 % e popullsisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, jeton nën nivel varfërie.

Të ardhurat  për frymë të popullsive të vendeve të rajonit janë rreth 6000-10.000 dollarë në vit, tashmë të pranuara nga këto vende. Këto të ardhura, statistikisht të deklaruara, sipas ekonomistëve merren si nivel kritik jetese, që padyshim sjellin kriza në shoqëri, janë një rrezik real që duhen vlerësuar me seriozitet.

Në vendet e rajonit, niveli i ekonomisë informale zyrtarisht është pranuar rreth 15 – 30 %, ku korrupsioni është ulur këmbëkryq dhe rrënon këtë ekonomi. (Te dhena nga “Transparency International Ëorld Corruption Index”)

Pasojat

Pasiguri dhe krizë ekonomike, nivel të lartë varfërie, krim të organizuar dhe korrupsion, si elementë bazë destabilizues të sigurisë rajonale. Vendet e Ballkanit të përfshirë në krizën ekonomike vazhdojnë të shërbejnë si vende transit të trafikut të lëndëve narkotike dhe se vlerësohet se “kanë krijuar dhe zgjerojnë në Europë organizata aktive të trafikut të drogës” .

Lindjen e partive nacionaliste, parti te cilat pervec të tjerash nxisin edhe dhunën kundër emigrantëve, duke i konsideruar ata si shkaktarë të krizës ekonomike në vendet e tyre etë tjera probleme të stimuluara nga ky kontigjent.

E përgjithshmja ballkanike: Vleresohet, herë pas here një boshllëk sigurie në rajon, një boshllëk që lejon premisa për destabilizim.

Ballkani edhe pse  është një rajon me vende të konsideruara të vogla, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 550.000 km2 dhe një popullsi pak më të madhe se 50 milionë banorë, për Evropën konsiderohet problematik.

Lëvizjet e shumta që kanë kaluar dhe kalojnë këto vende ballkanike: Serbia, Greqia, Kosova, Maqedonia, dhe Bosnjë-Hercegovina, të çojnë në analizën se rajoni ndodhet në gjendje kërcënuese për sigurinë. Nga ana tjetër edhe institucionet, organizmat evropiane që monitorojnë apo vëzhgojnë këtë rajon janë të bindura se në këto vende ka zhvillime kaotike që udhëhiqen nga një shoqëri jo stabël, e brishtë dhe, si rrjedhoje, në situatën e krijuar, në heshtje apo disi të kamufluar thuhet se, zor se mund të shmangen kërcënimet për konfliktet e mbartura si ato etnike dhe ato të rishfaqura me qëllime politike. Qartazi, mbajtja e ligjit të luftës nga një vend antar i Nato-s (Greqia ndaj RSH) tregon, sipas meje, nivelin e ulët të sigurisë në rajon.

Mosintegrimi i Serbisë me vendet njohëse të Kosovës, kërkesat e vazhdueshme të tyre për ndarjen e Kosovës, të mbështetura në hije nga rusët, tregojnë se rajoni po shkon në kontraditë. Zhvillimet konfliktuale në rajon historikisht kanë përfunduar me ndryshimin e kufijve, ecet dhe më tej nga analistët, të cilët thonë se ka vështirësi për shmangien e rishikimit të kufijve, madje jepet dhe një fare “tolerance sjellje” që do të ishte në interes të këtij rajoni, fakti që ky ndryshim të mos i nënshtrohet fatit të ndryshimit me dhunë.

Mbështetja e fuqishme në Kosovë e lëvizjes “Vetëvendosje” ka në bazë, reagimet e ashpra të serbëve dhe të maqedonasve ndaj tyre, si dhe rritjen e rolit dinamik të shqiptarëve në terrenin ballkanik, duke shtuar dhe atë të komunitetit Çamëria.

Faktorë të tjetër të rëndësishëm janë shqiptarët e Ballkanit: shtrirja e shqiptarëve në 6 shtete të Ballkanit, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi-Lugina e Preshevës (dhe shumë shqiptarë të hershëm dhe të sotëm që banojnë në Beograd) që në raportin për vlerësimin e situatës “zgjidhje detyre”, janë forca strategjike (në operacionalitet) në prapavijat e kundërshtarit.

Elementë të tjerë të konsiderueshëm për studim sigurie janë dhe rritja e lartë e popullsisë shqiptare krahasuar me rënien e numrit të popullsive të tjera ballkanike; shkalla e lartë e emigracionit shqiptar në vendet më të zhvilluara të Europës, si vendi i parë në botë për numër popullsie. Treguesi i lartë demografik në gjeopolitikën ballkanike, numri në rritje i popullsisë shqiptare (rreth 7.5 milionë banorë), që afron me grekët, bullgarët dhe serbët; janë faktorë të rëndësishëm që duhen të vlerësohen me shumë kujdes nga Europa perëndimore. Autoriteti europian, i cili vlerësohet si kujdestar i besimit në rajonin ballkanik, duhet të përgatisë dhe të jap “vendimin luftarak” të perspektivës.

Të gjitha këto janë probleme që kërkojnë një kujdes të veçantë për zgjidhje: serbët në veriun e Kosovës kanë refuzuar të jenë pakica në shtetin e ri të saj; shqiptarët e Maqedonisë ndjehen inferior ndaj pjesës tjetër në shtetin maqedonas, ku rritja e hendekut midis shqiptarëve dhe maqedonasve u thellua edhe nga qëndrimet zyrtare, nacionaliste dhe konservatore të shtetit.

Feja në Ballkan, më shumë se sa ideologji

Historikisht është thënë se në rajonin tonë përplasen tre nga katër fetë e botës mbarë fetare.Përveç faktit që fetë janë më të vjetra dhe si rrjedhojë më konservatore sesa shtetet ku ato zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ajo që përbën rrezik sot është fakti se strukturat e sigurisë, veças në shtetet e rajonit, nuk janë aktive për të ndarë shtetin dhe ritet fetare, por në një farë mënyrë shtetet gjejnë interesat në këtë përpjekje destabilizimi në propagandën fetare. Duket sikur po shfaqen lakmitë  e vjetra të Ballkanit të shekujve më parë.

Ne ushtarakët e vlerësojnë situatën fetare, këtë ndjeshmëri shpirtërore të “popullit”, gjithmonë kur ajo del nga korniza “besim shpirtëror”, si element negativ i sigurisë dhe se ka gjasa që ky element të skalionohet në vijën e parë për veprime të mëpastajshme për të realizuar qëllimet gjeopolitike të shtetit mbartës.

Tipike në këtë drejtim janë kërkesat, agresiviteti dhe metodat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e Bosnjë (dhe ato të Kishës Ortodokse në Shqipëri) një kor i vjetër Rus i Mbrojtësit të të Krishterëve, “kërkesat fetare të të cilit, në fakt ishin pretekst për qëllime politike e strategjike”[1].

Për të përmbyllur opinionin tim për këtë çështje, rikthehem kohës kur, gjatë misionit në Paris, jam pyetur e ripyetur apo provokuar, nga jo/dashamirës, për këtë çështje të deformuar dhe shumë të përfolur rreth besimit fetar në Shqipëri, dhe po shkruaj të njëjtën përgjigje edhe sot në këtë shkrim të hapur, si dikur me petkun diplomatik: Popullsia shqiptare ka predikuar në harmoni të plotë për shekuj me radhë tre fe : mysylmane, ortodokse dhe katolike…vijuar, Shqipëria do të ishte një model për Europën dhe më gjërë përsa i përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërmejt feve, pasi ky fenomen ka marrë përmasa globale dhe po çon në konflkte të mundshme midis shteteve dhe popujve.

Në këtë vorbull situate konfliktuale, analistët ushtarakë ngrejnë doktrinën “lufta midis dy qytetërimeve”, ndërsa shqiptarët (në kufijtë pas 1913)  të sigurt ofrojnë harmoni, kjo është për t’u bërë objekt në gjuhën e diplomacisë përtej dhe asaj ballkanike, evropiane.

A nuk janë, ky diversitet dhe tolerance idesh, një dëshmi, frymë dhe kulturë evropiane?

A janë aktualisht të qarta profilet e shpresës në Ballkan….?

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të armiqësuara me njëra-tjetrën historikisht për shkaqe etnike, sot, e gjejnë veten të konfliktuar edhe për shkaqe të brendshme politike, gjë që ka sjellë deri edhe paralizë të funksionimit normal e të domosdoshëm të jetës politike në këto vende të Europës. Fatkeqësisht vërehet që bipolarizimi politik në vendet: Maqedoni, Serbi e Bosnjë-Hercegovina, po dhe fatkeqësisht herë-herë dhe në Shqipëri dhe Kosovë, është më i thellë se në të kaluarën.

Harta e konflikteve në rajonin tonë mbetet konstante: Bosnjë-Herzegovina është e mbërthyer në vijimësi nga tensioni etnik; marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës vijojnë me  vështirësi negociimi; Maqedonia vuan sindromën e emrit për shkak të kundërshtimit të Greqisë dhe se nuk kalon klasën për t’u bashkuar me aleancën dhe BE.

Prapambetja ballkanike vjen dhe si shtete me ekonomi dhe institucione te dobeta demokracie dhe se dyti, krijimi i shteteve qe mbijetesen e mbeshtesin ne interesin e gjeopolitik (më tepër gjeoekonomik) të komunitetit nderkombetar.

Diplomacia si faktor paqesjellës në Ballkan

Kur flasim për diplomacinë si faktor paqësjellës në Ballkan, për nga problematika që mbart ky rajon, me të drejtë themi se, ky element i rëndësishmë për zhvillimin normal të një shoqërie komplekse, shumë kombesh, etnike dhe fetare, ka qenë pak aktiv, ose  do ta përkufizonim si më pranë reales, si diplomaci e munguar.

Në një analizë të thjeshtë ballkanike, në kohë historike apo moderne, qartazi duket se kur “diplomacia e madhe”, qoftë ajo europiane, por më shumë ajo amerikane, kanë qenë serioze në dhënie kontributesh, atëherë rezultatet për rajonin kanë qënë të dukshme, situatat e sigurisë janë mbajtur nën kontroll.

Në aktualitetin e sotëm, po kjo “diplomaci e madhe” pranon faktin e një boshllëku sigurie në rajon, ka lëvizje drejt tij, por jo me efekte të  dukshme për përmirësim.

Diplomati Henry Kssinger, në librin “Diplomacia” për rajonin tonë i referohet ndihmës europiane dhe asaj të SHBA për të frenuar vendet e këtij rajoni që të mos rizhyten në një krizë tjetër e jo … “të bëhen pengje të klientëve të tyre kokëkrisur Ballkanikë me pasione të shfrenuara e me ndjenjë të kufizuar të përgjegjësisë së përgjithshme”[2].

Në qoftë se këtë boshllëk sigurie nuk e plotësojnë Europa dhe SHBA, atëherë situata mbetet e hapur për “manipulime klienteliste”.

Mënyra më e mirë për BE, për të dëbuar lodhjen e gjatë ballkanike dhe për të gjeneruar stabilitet afatgjatë në të është që të punojë së bashku me forcat reformiste të rajonit për të eliminuar ndasitë  tipike ballkanike, ekonominë informale, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Atëherë, kombet e Ballkanit mund të marrin vendin që u takon si anëtare të familjes së BE-së.

Programet e përbashkëta rajonale në fushën e mbrojtjes

Diplomacia ushtarake dhe roli parësor i saj për vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit.

A  do t’i bëjë forcat e armatosura të afta të krijojnë kapacitete të përbashkëta në përfitime reciproke për të na sjellë mini-shengenin e munguar ballkanik, bashkëpunimi i pritshëm, apo i shpresuar, në fushën e mbrojtjes për vendet ballkanike? Shengeni ballkanik është fushë veprimi i hapur, i betejës diplomatike ushtarake, ku diplomatët me/pa uniformë duhet të planizojnë skenarët e mundshëm strategjikë për ta fituar atë në interes të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale.

Diplomacia Rajonale, për të përballuar periudhën e shtrëngesave financiare të kohës, duhet të nxitojë veprimtarinë e saj diplomatike ushtarake për të integruar forcat e tyre të armatosura në  konceptin e ri Strategjik të NATO-s “mbrojtja inteligjente”, si e vetmja alternativë për daljen nga situata e krijuar.

Rajonit tonë do t’i shkonte si strategji bashkëpunimi për zgjidhje shumëkombëshe, sipas formatit “të bashkojmë dhe shkëmbejmë”, “pooling and sharing” duke identifikuar të përbashkëtën e mundshme të kapaciteteve, në format dypalësh, shumëkombësh dhe rajonal.

Diplomacia ushtarake, me projektet e saj të bashkëpunimit, të zgjedhë dinamizmin për zhvillim dhe pragmatizmin, larg konformizmit dhe tradicionalizmit ballkanik, tashmë të vjetruar, të hedhë në treg një vizion ndryshe në përshtatje dhe të avancuar në kohën, të jetë një gjenerator prodhues i një mentaliteti të ri bashkëjetese, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Diplomacia ushtarake, si kontribut sjellëse në zhvillimin e strategjisë së sigurisë, duhet të identifikojë rreziqet dhe kërcënimet e përbashkëta rajonale duke argumentuar se asnjë vend në rajon nuk ka mundësi të zhvillojë apo të mbajë të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i bërë ballë i vetëm të gjithë spektrit të kërcënimeve të sotme apo të nesërme.

Së dyti, diplomacia ushtarake duhet të identifikojë interesat më vete të secilit shtet që përftohen nga krijimi i kapaciteteve të përbashkëta dhe t’i sjellë si “propagandë “ në tavolinën e punës për zhvillimin e politikave të mbrojtjes së vendeve ballkanike.

Së treti, të identifikojë dhe të paraqesë zhvillimin e  kapaciteteve ushtarake në fushat e ndjeshme të shoqërisë, aty ku ajo ka nevojë, si kusht, zhvillimi dhe përfitimi për të gjithë vendet në:

fushën e zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta apo multilaterale të emergjencave civile që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, industriale apo të shkaktuara nga njeriu, të cilat nuk njohin kufij kombëtarë.

fushën e kapaciteteve të Arsimimit dhe Stërvitjes, të Infrastrukturës dhe Mirëmbajtjes. Përdorimi i kapaciteteve të infrastrukturës dhe të logjistikës nga vendet në nivel rajonal, ose në baza shumëkombëshe. Zhvillimi dhe shfrytëzimi i kapaciteteve dhe infrastrukturave detare të RSH nga vendet fqinje të interesuara që nuk e kanë këtë mundësi, si Kosova e Maqedonia.fushën e modernizmit, kërkimit- zhvillimit, prokurimeve të përbashkëta në fushën e …..etj.

Po kështu, në rajonalizimin e disa kapaciteteve mbrojtëse, bazuar në standardet e NATO-s, si në kapacitetet e përbashkëta rajonale dhe kombëtare për të mënjanuar sa të jetë e mundshme në dublimet ndërmjet forcave të armatosura, policisë, shërbimeve inteligjente, njësive të kontrollit kufitar, shërbimeve doganore etj.

Diplomacia e përgjithshme rajonale t’i referohet shembullit të bashkëpunimit, si ai midis vendeve të zhvilluara, Pakti Bilateral Angli-Francë, ku përfshihen shumë fusha kooperimi, nga menaxhimi i Rezervave Bërthamore deri tek krijimi i kapaciteteve kundër terrorizmit, si dhe shembullit të  pakteve  të bashkëpunimit midis vendeve më pak të zhvilluara, si vendet Baltike.

Koha ka ardhur që Ballkani të vijë me një diplomaci të re, të përbashkët ushtarake, e cila  do të jetë baza e krijimit të mini-shengenit të tij në Forcat e Armatosura.

Kontributi i deritanishëm ballkanik i diplomacisë shqiptare në fushën e mbrojtjes

Pas viteve 90-të, RSH e ardhur nga një regjim i mbyllur, u vendos në skalion të parë për bashkëpunim ballkanik, rajonal dhe më gjerë. Ajo kërkoi aderimin e saj në të gjitha organizmat e sigurisë së globit, duke afruar përveç aseteve të saj strategjike (hapësirën ajrore, detare, tokësore) dhe kontribute me trupa në operacionet e udhëhequra nga këto organizma. Rezultatet e kësaj diplomacie kanë qenë të dukshme dhe dominuese në rajonin tonë edhe pse diplomacia shqiptare vinte nga një diplomaci ushtarake inaktive.

Do ta konkretizoja vizionin shqiptar për një rajon të bashkuar me një shkrim të botuar në shtypin ushtarak për zërat kritike se “Grekët po ruajnë hapësirën shqiptare”.

“….as 4 dhe 44  avionë luftarake, as 6 dhe 66 anije luftarake, as 1 dhe 11 Brigada të Reagimit të Shpejtë, nuk mund të mbrojnë hapësirën ajrore, detare dhe tokësore të RSH. RSH tashmë e siguron dhe do ta sigurojë mbrojtjen e saj duke punuar dhe integruar gjithçka me familjen e madhe europiane dhe organizmin më të fortë dhe të sigurt në botë, NATO”.

Shpresoj dhe uroj, nëse një ditë serbët do të bëhen anëtare të Nato-s, të BE; në hapësirën ajrore respektivisht të dy vendeve të dëgjohen zhurmat e mjeteve ajrore shqiptare dhe serbe, sepse shqiptarët e pranuan në mënyrën më të mirë integrimin në Nato dhe dëshirojnë të integrohen shumë shpejt në BE.

Nëse, diplomacia ushtarake serbe, kosovare, maqedonase, malazeze, greke… do të ofronte për politikanët e vet të njëjtën formulë bashkëpunimi, rajoni shumë shpejt do të zërë vendin e munguar prej kohësh në familjen e madhe evropiane, si e vetmja shpresë për zhvillimin e tij.

Gjeopolitika rajonale do të ketë rol, në një formë të re sjellje në interes të paqes, nëse diplomacitë veças do të integrohen në një vektor zhvillimi dhe veprimi për të krijuar fusha të përbashkëta bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, institucione dhe struktura të integruara ndërshtetërore dhe kjo atëherë kur diplomacia ushtarake të ketë krijuar identitetin ballkanik, si element i rëndësishëm i sigurisë së tij.

Gjeopolitika rajonale do të formëzohet vetëm atëherë kur vendet e tij do të heqin dorë nga besimi ekzaltues dhe ekzagjerues në lavdine dhe hyjninë e kombit, i teorizuar nga filozofët, “Nacionalizmi Shovinist” dhe ta zëvendësojnë atë me “Nacionalizmin Liberal”. Them se shqiptarët e kanë kuptuar mirë leksionin e famshëm të Ersnest Renan « Qu’est – ce qu’ une nation », të cilët kanë zgjedhur si popull “Nacionalizmin Liberal”, kjo dhe për të kaluarën e hidhur të tyre.

Dalja nga kriza: kërkon vullnet gjithpërfshirës ballkanik, zhvillim politikash të hapura rajonale nën drejtimin e autoritetit evropian dhe te SHBA, atëherë do të luhet karta e vërtetë e integrimit dhe përparimit drejt saj.

***

*Kush eshte bashkepunetori i Diellit, Kolonel Zaim Kuci

Kolonel (R) Zaim Kuçi

Shkolla e Lartë e Aviacionit, Vlore

Akademia e Mbrojtjes, Tiranë.

Kolegji i Lartë i Mbrojtjes, Paris (1998-99).

Instituti Aeronautik, Paris (2001).

Akademia e Diplomacisë,Tiranë.

Disa kurse afatshkurtra për sigurinë dhe mbrojtjen në: Hollandë, Gjermani, Hungari, Kroaci dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Eksperienca  në pune:

Pilot në avionët:  helikë, reaktivë, supersonikë  [Tip 61 (Jak), Mig 15/ 17/19].

Atashe i Mbrojtjes në Francë/Portugali

Këshilltar i Shefit  të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave te Armatosura.

Ne vitin 2011 ka dale ne pension te parakohshem nga forcat e armatosura.

Vijon si kordinator i Qendres Kombetare te Sigurise dhe Mbrojtjes Tirane (civil)

Ka botuar disa shkrime ne Shqiperi dhe ne Paris.

 


 

[1] Henry Kissinger, “Diplomacia”, fq.93.

[2] Henry Kssinger, “Diplomacia”, 1999, fq.194)

Filed Under: Analiza Tagged With: ballkanike, kriza e pafundme, Zaim Kuci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT