• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

PRESIDENTI BUJAR NISHANI DO TË TAKOHET ME VATRANËT DHE KOMUNITETIN SHQIPTAR

September 5, 2013 by dgreca

*  Mbrëmjen e së Enjtes të 5 Shtatorit u mblodh Kryesia e Vatrës nën drejtimin e dr. Gjon Buçaj.

  • Me 15 Shtator në orën 2.pm, do të mblidhet Këshilli Drejtues i Vatrës.
  • Me 15 Shtator në orën 5 pm do të organizohet promovimi i librave për Çamërinë i Prof. dr. Selman Sheme “Monumente natyrore të Çamërisë” dhe monografinë “ Gjeohapësira e Konispolit-(Çamëria Veriore); studim regjional”.

Të Enjten në mbrëmje, me 5 shtator, në zyrat e Vatrës u mblodh Kryesia nën drejtimin e kryetarit, dr. Gjon Buçaj.

Rendi i problemeve të shtruara për diskutim kishte të bënte me administrimin e ndërtesës dhe çështjeve të tjera ligjore.

Më pas u diskutua problematika e veprimtarive të Vatrës për  muajin shtator. U vendos që të Dielën e 15 shtatorit, në orën 2.00 p.m,  të organizohet mbledhja e Këshillit Drejtues, ku do të shtrohet edhe lista e plotwsimit tw anëtarësisë së Këshillit Drejtues, po ashtu edhe ajo e Këshillit të Pleqësisë(Advisory Board) dhe probleme të tjera.

Kryesia diskutoi rreth përgatitjeve për promovimet e librave për Çamërinë të Prof. Dr. Selman Sheme si, Albumin e ilustruar historiko-gjeografik”Monumente natyrore të Çamërisë” dhe monografinë “ Gjeohapësira e Konispolit-(Çamëria Veriore); studim regjional”. Ky promovim do të organizohet në prani të autorit, të Dielën me 15 shtator në orën 5.00 pm.

Një problem tjetër ishte edhe njoftimin për vizitën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, i cili do të jetë i pranishëm në New York, ku eshte I ftuar nga ish Presidenti Clinton. Presidenti Nishani gjatë vizitës së tij në New York, ka shfaqur dëshirën që të takohet me vatranët dhe komunitetin shqiptar.

Me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në New York, në mbrëmjen e 24 shtatorit, do të shtrojë një darkë , ku do të jenë të ftuar edhe klerikët e të gjithë besimeve fetare.

Presidenti Nishani do te takohet edhe em komunitetin shqiptar ne Boston dhe ne Michigan.

Kryesia diskutoi detaje për pritjen e presidentit. Më gjërësisht do të diskutohet në takimin e Këshillit Drejtues. Gjate takimit diskutuan zv/kryetaret Agim Rexha e Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Filed Under: Featured Tagged With: Mbledhja e Kryesise, presidenti Nishani, Vatra

ARVANITASIT – UDHËHEQËS TË KRYENGRITJES PËR PAVARËSINË DHE SHTETIN E GREQISË MODERNE

September 5, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA SHBA/

Ne Foto:Disa nga Kryeministrat e Greqise nga radhet e arvanitasve/

Shqiptarët në Perandorinë Osmane ishin kryengritës në çdo cep , në Selanik, Athinë, More, Epir, Kosovë, Nish, Shkodër, Manastir e kudo. Skënderbeu i Shqipërisë dhe në veçanti Shqiptarët e Moresë, u bënë promotorë të Rezistencës  dhe ishin baza për të mbajtur gjallë shpresën për Pavarësi nga Turqia edhe në territorin ku sot shtrihet Greqia.

Kryengritja për Pavarësinë e Greqisë e udhëhequr nga Arvanitasit u inicua edhe ndikimi i pushtimeve të Napolonit por do të ishte e pamundur pa ndihmën e Europës Perëndimore.

Lëvizja e parë erdhi nga Veriu. Philiqi Etaireia ishte shoqata që u themelua në Odesë më 1814 dhe shërbeu si forum për idetë që do të realizoheshin si primare për kryengritjen. Cari i Rusisë qe mbështetës i programit dhe aktiviteteve të saj.

Jani Kapodistria, me origjinë Gjirokastrite, politikani udhëheqës pro-Rus nuk u përfshi në të, ndërsa vëllezrit e tij ishin aktivë.

Në Mars të vitit 1821 princi Aleksandër Yplsilantis lider i Philiqi Etairea udhëhoqi kryengritjen prej zonave Danubjane të Moldavisë dhe Vallaçisë dhe kaloi lumin Pruth me trupat e tij. Mori mbështetje në Rumani por ekspedita e tij dështoi.

Në të njëjtën kohë më 25 Mars 1821 në Peloponez filloi kryengritja. Si kordinator shërbeu vëllai i princit Aleksandër, Dimitris. Liderë ishin fanarioti Aleksandër Mavrokordatos, Petrobey i Manit dhe Gjergj Kundurioti i Ishullit Hidra.

Drejtimi nga princi Ypsilantis ra dhe drejtimi i kryengritjes ra në dorë të udhëheqësve jo të rregullt, me origjinë Arvanite që i kishin shërbyer më parë Ali Pashë Tepelenës, udhëheqësi i parë që kërkonte shkëputjen në atë që sot është tokë e Greqisë nga Perandoria Turke.

Më të spikaturit  nga komandantët Arvanitë ishin Theodhor Kollokotroni në More, Odise Andruço në Malin Parnassus, Marko Boçari në Sul, Bubulina në Ishujt, Gogo në Epir, dhe Karaiskaqi në Mesolongji.

Në Prill 1821 u bënë luftime të ashpra në More. Filheleni Thomas Gordon e la kauzën. Që nga fillimi i Kryengritjes kishte një qeveri provizore me Asamble Kombëtare në Epidarius prej fundvitit 1821. Kishte një shpresë nga diplomati Jani Kapodistria për një shtet të Pavarur të garantuar nga shteti Ortodoks i Rusisë dhe tjetra nga Aleksandër Mavrokordatos me vështrim nga Perëndimi.

Kushtetuta e deklaruar më 1822 u përpilua nga Mavrokordatos. Fuqitë Europiane të përfshira në nivelin politik në Greqinë e asaj kohe donin dobësimin e Turqisë por shumë fonde financiare erdhën jo nga burime zyrtare por nga Filhelenët. Idealistët Britanikë dhe Gjermanë dhe nga vende të tjera u derdhën me heroizm dhe me para.

Lordi Byron, poet me famë, njeri imoral i detyruar të linte Anglinë më 1823 se do të ndëshkohej nga ligjet e kohës u bë agjent financiar dhe përfaqësues i Komitetit Grek që u formua në Londër për mbështetjen financiare për Kryengritjen më së shumti nga Lord Major i Londrës. Byron vdiq nga temperatura pa hedhur një pushkë kundër Turkut në shtëpinë e Aleksandër Mavrokordatos në Mesolongji dhe u thirr hero kombëtar!

Teatri i luftimeve përfshiu Morenë, Rumelinë dhe Mesolongjin. Popullsia e Athinës u shpërngul në Salamis. Më 23 prill  1821 Turqit morën Akropolin. Athinjotët të ndihmuar nga forcat shqiptare të fshatrave shqiptarë nën udhëheqjen e Odise Andruços bllokuan Turqit në Akropol. Nga Korriku në Nëntor 1821 Pashai  i Janinës Omer Vrioni ?

u përpoq ti çlironte forcat Turke të rrethuara gjer sa erdhi në komandën e Rumelisë Lindore. Pas luftimesh të ndihmuara nga Jani Koleti dhe Francezi Olivier Voutier ende nuk u arrit sukses. Turqit e neglizhuan furnizimin me ujë duke u bazuar vetëm tek mbrojtja e murit Serpentzi dhe kjo rezultoi në kapitullimin e  garnizonit Turk në Akropol  më 21 Qershor 1821.

Në Shtator 1822 në konferencën e Athinës delegatët kundërshtuan dhe shfuqizuan trupin e qeverisjes vendore të Rumelisë Lindore me Aerios Pagos. Odise Andruço u bë komandant i Akropolit, një lëvizje që mori më pas edhe fuqinë e Rumelisë Lindore.

Në fund të vitit 1822 Naplua ishte në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Kollokotroni që mundën ekspeditën Turke të Dramali.

U vetëshpall shteti por ende luftoheshin forcat Turke për shpëtimin e fitoreve të kryengritjes pasi nuk kishte stabilizuar bazën kushtetuese.

Kollokotroni që luftonte për pozicionin e tij dhe për Greqinë nuk i njohu anëtarët e asamblesë së re kombëtare që u mblodhën në Astros në Dhjetor 1822.

Kjo Asamble zgjodhi Gjergj Kunduriotin President të Greqisë.

Në verë të 1823 Boçarin e vranë në Karpensis.

Lordi Byron, poet me famë, njeri imoral i detyruar të linte Anglinë më 1823 se do të ndëshkohej nga ligjet e kohës u bë agjent financiar dhe përfaqësues i Komitetit Grek që u formua në Londër për mbështetjen financiare për Kryengritjen më së shumti nga Lord Major i Londrës. Byron vdiq nga temperatura pa hedhur një pushkë kundër Turkut në shtëpinë e Aleksandër Mavrokordatos në Mesolongji dhe u thirr hero kombëtar!

Mbështetja financiare Angleze për Mavrokordatos u rrit që në Gusht 1822 kur George Caning u bë Sekretar i Jashtëm.

Vetëm Kundurioti si President ishte i autorizuar të shpenzonte kredinë Angleze ndaj Kollokotroni hoqi dorë dhe e pranoi atë në Nauplia. Greqia shkau në luftë civile dhe Turqit më 1824 me strategji të re ndërkohë vazhdonin luftën ndaj tyre në tre fronte.

Ibrahim Pasha prej Egjipti sulmoi Morenë. Flota Turke ishte në veprim në ishujt ku qëndronin Shqiptarët. Ishulli Psara u dogj me themel.

Ndërsa lord Byron ishte akoma në Mesolongji koloneli Leicester Stenhope mbërriti në Athinë më 2 Mars 1824. Ai nuk i besoi ambiciet e Mavrokordatos për Greqi demokratike dhe mendonte se lideri bandit Odise Andruço ishte burri i së ardhmes.

Odise si komandant i Greqisë Veriore ishte ligjvënës i Athinës me kryeqëndër në malin Paranassos. Stanhope hapi një muze,shtypshkronjë, gazetë që u dëmtuan sepse Greqia  ishte në anarki. Forcat kryengritëse treguan pak interesa në këto projekte dhe donin influencën e Odise Andruços ta bënin Athinën si kapitanlik të armatolëve. Tregëtarët formuan një garnizon dhe ftuan Dimitri Ypsilantes të merrte komandën e Akropolis . Forcat kryengritëse nuk e pranuan atë dhe Odise erdhi prapë në fuqi në Athinë mori në dorëzim gjithë pasuritë e saj më 2 Shtator 1824 kur themeloi edhe një asamble provinciale.

Komandimi i tij ishte brutal.

Në shkurt 1825 Odise Andruço po shihte se interesat e tij po kërcënoheshin nga qeveria e Gjergj Kunduriotit që nën influencën e ministrit Rumeliot Jani Koletitn po e nxirrnin atë në anë duke e sulmuar njëlloj si Turqit.

Sidoqoftë, organizimi i tij u tërhoq shpejt  dhe në prill 1825 Jani Gura (Gouras) mori kontrollin e Athinës. Odise Andruço u burgos në Kullën Frankish në Akropol.

Në mëngjesin e 17 Korrik 1825 trupi i Andruços u gjet i pajetë dhe u tha që ai ra në tentativë arratisje por gjithkush e dinte se atë e vranë autoritetet.

Në Greqi luftonin forca Franceze nën komandën e kolonel Fabvier dhe marina Angleze me komandant Lord Cochraine. Në verë të 1825 qeveria Greke ra, por më 1826 Asambleja e re kombëtare e mbledhur në Epidarius i dha aventurierit Richard Church komandën Supreme të ushtrisë Greke dhe komandën e Marinës ja dha lordit Cochraine.

Luftimet vazhdonin. Pas vrasjes së Jani Gura, Karaiskaqi ndihmoi të hapte rrugën për çlirimin e plotë të Athinës.

Në Shkurt 1827 Gjenerali Gjerman Heideck në Oropus u ndihmua nga deti edhe nga forcat e Miaulit.Ndërkohë Karaiskaqi komandonte drejt Pireut tre mijë forca sipas planit të  Asamblesë së Bashkuar në mars 1827.

Vrasja e më shumë se 200 trupave Shqiptare nën uniformën Turke që u dorëzuan në një Manastir  bëri që gjeneral Thomas Gordon të japë dorëheqjen. Karaiskaqi u përpoq të ndalte masakrën e Grekërve ndaj Shqiptarëve por pa sukses.

Më 4 Maj 1827 Karaiskaqi kishte marrë plagë për vdekje. Lufta vazhdonte në favor të Turqve. Ndihmat perëndimore u prenë sa në verë të 1827 Greqia tymoste. Traktati i Londrës më 6 Korrik 1827 i dha autonomi të kufizuar. Lufta mbaroi në Mars 1829 por Turqit nuk u tërhoqën deri në Shtator 1829 deri kur Rusia mori Adrianopolin që përfundoi me Traktatin e Adrianopolit. Sulltani njohu Mbretërinë e Greqisë në Korrik 1832. Kufiri ishte fiksuar me një vijë nga Arta në Volos.

Fuqitë Europiane në vitet e fundit të luftës ishin përfshirë me ushtri, para dhe diplomaci dhe më 1826 kur po konkludonin se çfarë kushtetueshmërisht ta bënin Greqinë – shtet të pavarur brenda Turqisë, me forcat Turke të larguar nga toka e tyre; republikë federale apo shtet presidencial dhanë pëlqimin të  gjenin një mbret për shtetin e ri.

Më 14 Prill 1827 Jani Kapodistria u zgjodh President i Greqisë me mandat për shtatë vjet në fillim në Trozen dhe pastaj në Nauplia që u bë kryeqytet. Kapodistria u kthye në tiran. Kështu Miauli rindezi kryengritje që u shtyp nga trupat qeveritare dhe klani i Manit  me Mavromihalin.

Më 9 Tetor 1931, ndërsa hynte në kishë dy anëtarë të familjes së Mavromihalit vranë Presidentin Kapodistria.  Pas kësaj u krijua një komitet qeverisës që mori kontrollin me në krye vëllanë e Kapodistrias, Agostinon dhe doktorin e Ali Pashë Tepelenës, Vllahun Jani Koleti. Anarkia u mbyll me mbretin kukull, 18 vjeçarin Otto, djalin e vogël të Mbretit të Bavarisë që miratuan Fuqitë Europiane  më 4 Tetor 1832 dhe e dërguan bashkë me 3500 trupa Bavareze më 1 Shkurt 1833 të merrte fuqinë si Mbet i Greqisë në Nauplia.

Për këtë material është përdorur burimi i Richard Stoneman në “A Traveller’s History of Athens”

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: artur vrekaj, Arvanitasit, e kryengritjes per pavaresi, te Greqise, udheheqesit

Nje rubrike e re ne Dielli- Tingëllime vëndemrash ilire

September 5, 2013 by dgreca

 Te nderuar lexues te Diellit

Qe nga ky numer po nisim nje rubrike te re per ju. Kjo rubrike do te mbahet nga Proesori Nelson Çabej. kerkojme pjesmarrjen tuaj active, duek shfaqur mendimet tuaja, pse jo, mund te beheni edhe bashkepunetore te rubrikes me shkrimet tuaja te kesaj fushe.Perse kjo Rubrike? Si rrjedhim i rrethanave historike, shoqërore dhe etno-kulturore që përvoi populli dhe vendi ynë gjatë historisë, fati i vëndemrave ilirë në trojet shqiptare ka qënë i ndryshëm. Megjithatë, është e habitshme se si në shumë raste ato i rezistuan aq bukur kohës për të arritur deri në ditët tona të papërlyera nga ndikimet kuilturore fqinje dhe nga pressioni shumë-shekullor administrativ i pushtimeve të huaja. Përgjithësisht, ato kanë evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes, ose siç thoshte “babai i gjuhësisë shqipe”, Eqrem Çabej, “duke kaluar nëpër gojën e shqiptarëve”.Po e nisim rubriken em shkrimin e pare:

ALBANOPOLIS,  SKYDREON POLIS APO SKYDREON

Nga NELSON ÇABEJ/

Për lokalizimin e kryeqendrës së fisit te “albanëve”, që përmëndet nga Ptolemeu (rreth 90-rreth 168) në shekullin II me emrin  Albanopolis1, fjala e fundit ende nuk është thënë.

Në vitin 1871, studiuesi gjerman, konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë, Johann Georg von Hahn (1811–1869) hodhi mendimin se Albanopolisi mund të ishte aty ku gjëndeshin gjurmët e një vendbanimi të lashtë, pranë fshatit Zgërdhesh1, rrëzë kodrave në jugperëndim të Krujës.

Fakti që në hartën e tij Ptolemeu e vendos këtë qytet në hinterlandin e Durrësit dhe që, sipas tij, ai ishte kryeqendër e fisit të albanëve, që shtriheshin midis lumenjve Mat në veri dhe Shkumbin/Devoll në jug ka bërë që shumë studiuesë të tjerë të mendojnë, po ashtu, se Albanopolisi duhet identifikuar me vëndbanimin ilir pranë fshatit Zgërdhesh në afërsi të drejtpërdrejtë me Krujën. Ky është vëndbanimi i lashtë që plotëson më mirë se çdo vëndbanim tjetër kërkesat që dalin nga të dhënat e Ptolemeut2, nga të cilat del se Albanopolisi ndodhej në trojet e albanëve, në hinterlandin (prapatrojet) e Durrësit, deri në malet Kandavia. Koordinatat gjeografike që jep ai janë gjatësi 460 dhe gjerësi 410 5’, dmth. në verilindje të Durrësit, të cilin ai e vendos në koordinatat 450  dhe 400 55’.

Megjithatë, studiuesit kanë pranuar se sot për sot është vështirë t’i jepet një përgjigje bindëse pyetjes:

“Si është e mundur që një kryeqendër e një fisi të rëndësishëm ilir, që del në burimet e lashta që në shekullin II të erës sonë nuk del më në burimet e tjera të shkruara të lashtësisë e më vonë në Mesjetë?”

Shkak për këtë mund të jetë rrënimi dhe braktisja e këtij qyteti si pasojë e dyndjeve barbare (visigotët, hunët e, më vonë, ostrogotët), por një rrënim i tillë nuk mund të ketë ndodhur para shekullit V, kur filluan ato dyndje në trojet e sotme shqiptare, d.m.th. tre shekuj pas Ptolemeut.

Një hamëndje tjetër mund të na thoshte se emri i qytetit Albanopolis (Ἀλβανόπολις), mund të jetë stisur ose modifikuar nga Ptolemeu. Që autorët e lashtë grekë pas emrit të një vendbanimi të huaj mund të shtonin edhe fjalën greqisht polis (qytet) kjo është një dukuri e rëndomtë. Do të ishte një gjë jo e zakonshme që emri e një qyteti në hinterlandin ilir, që nuk ka qënë ndonjëherë koloni greke, të kishte edhe përbërësin greqisht polis.

Kjo na bën që të anojmë nga përfundimi i von Hahn-it se rrënojat e kryeqendrës së fisit ilir të albanëve gjënden në Zgërdhesh, në rëzë të malit të Krujës edhe pse është e pamundur të gjëndet ndonjë lidhje gjuhësore midis emrit të vëndemrit Zgërdhesh  dhe Albanopolisit që na kumtohet nga Ptolemeu.

Prania e kështjellës në këtë vëndbanim të lashtë ilir na shtyn që ta kthejmë vëmëndjen nga lista e kështjellave që ndërtoi dhe rinovoi në shekullin VI Justiniani i Madh anembanë perandorisë për tu bërë ballë sulmeve barbare nga veriu.

Këtë listë na i jep historiani bizantin me prejardhje palestineze, Prokopi i Cesaresë ose Procopius (500 – rreth 565)3. Në lidhje me kërkimin tonë, nga lista të tërheq vëmëndjen një kala e rindërtuar në Epirin e Ri, që quhet Skydreon polis (Σκυδρέων πόλις), që përsëri del në një formë e letrarizuar duke i shtuar emrit të qytetit ilir një polis nga greqishtja, që ishte gjuha e administratës dhe histriografisë bizantine.

Në vëllimin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”4 ky qytet i lashtë  identifikohet me Shkodrën, me shumë të gjarë për shkak të tingëllimit të afërt të të dy vëndemrave. Por, Shkodra ishtë një qytet ilir që përmëndet relativisht dëndur në burimet e lashtësisë dhe emri i qytetit përgjithësisht del i pandryshuar në ato burime (latinisht Scodra dhe në greqishten e lashtë Σκόδρα). Prandaj është vështirë të besohet se Prokopi  i Cezaresë mund të ketë bërë tre gabime:

  1. Duke deformuar kaq shumë emrin e qytetit (nga      Scodra nw Scodrion),
  2. Duke i ngjitur emrit original ilir përbërësin      grek polis (se emrit Shkodra në      burimet e tjera të lashta nuk i përngjitet emri greqisht polis dhe kjo është e      vetëkuptueshme po të mbahet parasysh sa shumë i njohur ishte ky qytet ilir      në lashtësi).
  3. Duke e radhitur Scodrion polis-in ndër qytetet dhe vëndbanimet e Epirit të Ri      ku Justiniani rindërtoi kështjellat, në një kohë që dihet se Shkodra në      kohën e tij bënte pjesë në provincën romake të Prevalitanës dhe në asnjë      kohë në atë  të Epirit të Ri.

Për të gjitha këto arsye, duket se përjashtohet mundësia që Skydreon polis-i i Prokopit të identifikohet me Shkodrën. Përjashtimi i Shkodrës na detyron të kthehemi te ideja e Hahn-it se Albanopolisi i Ptolemeut duhet identifikuar me rrënojat qytetit ilir në Zgërdheshin e sotëm.

Në të mirë të identifikimit të Skydreon polis-it me Zgërdheshin flasin faktet e mëposhtme:

  1. Forma Skydreon polis (Σκυδρέων πόλις) e këtij vëndemri, tingëllon si      një formë metatetike e  vëndemrit të      rikonstruktuar ilir *Skyrdeon.
  2. Forma Skyrdeon  normalisht      nëpër gojën e shqiptarëve do të pësontë të tëra ato shndërime fonetike      prej të cilave do të dilte vëndemri Zgërdhesh duke përfshirë eliminimin e      mbaresës –eon dhe shtimin e      prapashtesës karakteristike për      shqipen–esh.
  3. Prokopi e përfshin Skydreon polis-in në Epirus nova në të cilën në atë kohë bënte pjesë edhe Zgërdheshi.

Kështu, dikur në lashtësinë e vonë ose në mesjetën e hershme, vëndemri Skyrdeon humbi mbaresën -eon dhe mori prapashtesën shqipe –esh për të evoluar deri në formën e sotme Zgërdhesh.

Lidhur me etimologinë e vëndemrit Skyrdeon nuk mund të thuhet ndonjë gjë e sigurt, por ai mund të lidhet me rrënjën indoeuropiane  *kerdh- “grup, tufë”, nga e cila kanë dalë edhe sanskritja śárdhah “tufë, grup njerëzish, turmë”, greqishtja e vjetër korthus (κόρθυς) “tog, pirg, grumbull”, gotishtja haírda “kope, tufë”, dhe, sipas E. Çabejt, edhe fjala shqipe “çerdhe”.

Koha e  braktisjes dhe shuarjes së jetës në këtë qytet nuk është përcaktuar, por mund të besohet që kjo të ketë ndodhur afërsisht në të njëjtën kohë me braktisjen dhe rrënimin e  vëndbanimeve të tjera të Ilirisë së jugut në lashtësinë e vonë e në fillimin e mesjetës, si rezultat i dyndjeve barbare, d.m. th. dikur pas mesit të shekullit V.

Siç dihet, duke braktisur vëndbanimet qytetare të zonës fushore, popullsia e këtyre qendrave u ngul në vënde malore ose kodrinore që mund të mbroheshin më mirë nga inkursionet barbare. Kështu lindën ato që historiani kroat Milan Shufflay i quante qytete asteroide mesjetare të tilla si Kanina – pranë Vlorës, Drishti – pranë Shkodrës,  Gjirokastra pranë Drinopolisit. Në këtë kuptim, banorët e Skyrdeonit u zhvendosën më lart, në malin e Krujës për të themeluar një qytet të ri asteroid, Krujën, në kalanë e së cilës me të vërtetë janë gjetur objekte të kulturës mesjetare arbërore. Këto objekte tregojnë se Kruja duhet të ketë ekzistuar si vendbanim qysh nga shekulli VII, ndonëse në dokumentet e njohura bizantine ajo del për herë të parë në shekullin IX (në vitin 879), kur peshkopi David, si pjesëmarës i sinodit që u mbajt në kishën e shën Sofisë. Shekulli VII përputhet me mbarimin e periudhës së sulmeve barbare në Ballkan.

Lidhja e themelimit të Krujës me Skyrdeonin ilir duket se është pasqyruar edhe në gojdhënën lokale, që thotë: “U ngritën gurët e Zgërdheshit dhe zunë vend në Krujë”.

 Referencat

 1. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien, F. Mauke, Jena.

2. Claudii Ptolemaei, Geographia, Leipzig, 1843, Libri II, 13, 23.

3. Procopius Caesariensis, De Aedificiis, Libri IV, kreu 4.

4. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Tiranë, 1965, f. 578.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ilire, Nelson Cabej, Tingellime vendemrash

Dredhitë Greke për kufijtë dhe vrasja e gjeneralit Italian Tellini

September 5, 2013 by dgreca

Foto;Gjeneral Tellini dhe Ushtarakët Italian të vrarë nga grekërit më 27 gusht 1923/

Shkruan:Eugen SHEHU/

Për shkak të një qëndrimi tejet konsekuent të qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, diplomacia evropiane dhe në mënyrë të veçantë Këshilli i Lidhjes së Kombeve, u detyruan të njihnin shtetin e pavarur shqiptar. Për rrjedhojë ata do të njihnin në këtë mënyrë edhe kufijtë e Shqipërisë të cilët ndonëse të vendosur disi në Konferencën e Londrës të vitit 1913, sërish patën ngjallur debate midis shtetit shqiptar fqinjit grabitqar helen.Pikërisht këto mosmarrveshje, të nxitura sa prej grekërve dhe aq prej serbëve, bën që Lidhja e Kombeve, të marrë në konsideratë sa më parë caktimin në mënyrë të përhershme të kufijve shqiptarë.

  Përcaktimi përfundimtar i vijës së kufirit shtetëror shqiptaro-grek,iu caktua një komision ndërkombëtar, i cili do të ishte i paanshëm dhe do të vendoste në mënyrë të veçantë në lidhje me rreth 14 fshatra në Perfekturën e Korçës, të cilët ç’prej vitit 1913 ishin quajtur zonë asnjanëse.Këtu duhet theksuar se, krejt këto fshatra, sikundër edhe 3-4 të tillë në Sarandë, banoheshin prej shqiptarëve etnikë ( për më tepër të besimit mysliman) por ata u quajtën si zonë asnjëanëse, në mënyrë tepër flagrante prej diplomacisë evropianë në Londër.
Vendimi i Lidhjes së Kombeve për dërgimin në këto treva të Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, në vitet e 1921-1922 u shoqërua me një diplomaci e një veprim dhelpërak të Athinës.Meqënëse këto territore,kontrolloheshin asaj kohe nga bandat e mynxyrshme të andartëve grekë,qeveria helene brenda pak muajve mundi të dërgojë në këto fshatra me qindra familje greke duke u dhënë aty toka shqiptare padrejtësisht të përvetsuara, si dhe shpërblime të mëdha në para për ndërtimin sa më shpejtë të shtëpive.Komisioni Ndërkombëtar i kufijve,nisi nga puna në vjeshtën e vitit 1922, por delegacionet greke dhe serbe nxuarrën një mal me pengesa, me ç’rast komisioni në fjalë mbeti në pritje. Pas tentativash diplomatike në Lidhjen e Kombeve, më në fund, në pranverën e vitit 1923,pjestarët e komisionit kishin përcaktuar qartë modalitetet dhe nisën nga detyrat e ngarkuara. Në krye të këtij Komisioni, ishte caktuar gjenerali italian Tellini, sekretar kapiteni Frenk de Limperan, ndërsa antarë ; koloneli Britanik Gills, ai francez Ordion. Ndërsa pala shqiptare fillimisht u përfaqsua prej Ali Riza Kolonjës, e më pas prej Bajram Fevziut dhe prefektit të Korçës, Dhimitër Beratit,pala greke nga prefekti i Follorinës Modhi dhe nënkolonel Boçari, ndërsa ajo serbe gjenerali Panoviç dhe koloneli Stojanoviç. Por vetëm dy tri javë që pati filluar veprimtaria e këtij komisioni, u ravijëzuan qartë manovrat e qeverisë Helene.Ajo i tërhoqi përfaqsuesit e vet në Athinë, nën preteksin so do t’u jepte udhëzime,ndërsa një çetë e andartësh grekë e mbante në rretjina të Korçës,si kërcënim të hapur që i bëhej gjeneralit italian Telini.Madje në ndonjë rast, kur Telini nuk denjonte as të dëgjonte zërraat e çjerrura të tyre,ata nuk mungonin as me kërcënime.Lidhur me këtë shtypi shqiptar i kohës shkruante : „Për të shtrënguar Komisionin e Kufijve që Korçën ta kalonin nën zgjedhën e tyre, 50 ushtarë grekë u dyndën me pahir në ndërtesën ku qëndronte komisioni në Korçë.Gjeneral Tellini, i vetëm, i flaku jashtë ndërtesës“.(Gazeta„Dielli“Boston,22.03.1923).
  Kthimi i palës greke në krye të detyrës,sigurisht kish të bënte me vendosmërinë e kryetarit të komisionit, Tellinit, i cili në mungesë të tyre, vazhdonte eksplorimin e zonës dhe vendosjen përfundimtare të kufijve. Ndër të parat përpjekje të grekut Boçari, ishin për të futur brenda kufijve helenë dy fshatra shqiptarë të njohur për ujërat termale të tyre ; Probickë dhe Radat.Me ndihmën edhe të palës serbe Boçari u përpoq të bindëte komisionin që këto ujëra termalë kishin pronarë grekë, por mashtrime të tilla nuk pijnë ujë.Ndërsa Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve nisi nga ngritja e piramidës, andartët grekë nuk i ndalën në dhunën e tyre shovene.Një mëngjes të qershorit 1923, komisioni u gjend përballë faktit të kryer, piramida e sapongritur ishte rrëzuar.Në mënyrë urrgjente Tellini njoftoi për këtë precendent të rrezikshëm Lidhjen e Kombeve dhe urdhëroi në mënyrë të prerë Athinën të tërhiqte nga ai territor një kompani të kufitarëve grekë, të cilët kinse ishin roje kufiri,por sigurisht kishin dorë direkt në rrëzimin e piramidës.Kanë qënë më tej autoritetet dhe vendosmëria e Lidhjes së Kombeve me ç’rast „kufitarët“ grekë u larguan nga viset thjeshtë shqiptare.Nisur nga një varg pasaktësish të vendimeve të Protokolit të Firences si edhe atyre të Konferencës së Ambasadrovë,pala greke kërkonte me çdo mjet dhe mënyrë të rrëmbente sa më shumë të ishte e mundur prej trojeve shqiptare.Në mënyrë të veçantë në fundqershorin e vitit 1923, Boçari dhe shpura e topografëve të tij,donin të shtynin kufirin grek sa më shumë drejt Libohovës, duke patur pas kësaj në duar, nga pikpamja strategjike, vetë qytetin e Gjirokastrës.Por gjenerali Telini, tepër i vendosur në misionin e vet, duke i shkelur pëllëmbë për pëllëmbe ato male, duke biseduar vetëm e vetëm me shqiptarë etnikë, caktoi realisht kufirin thellë, e në lindje të qytetit të Libohovës e deri në vargun e kodrave të Kakavijës. „Ky veprim linte të kuptohej sheshit se gjeneral Tellini synonte ta shtrinte vijën e kufirit shtetëror shqiptar, në tërë Camërinë veriore me kryqendër Filatin dhe masivin malor në lindje të tij, Shtrungarë,Murganë-Vigël,masiv ky që kishte me vete Janinën,Korfuzin dhe tërë ujëdhezat pranë tij.Në kushte të tilla,pushtetarë të shtetit grek u mbeteshin dy rrugë ; ja të linin Janinën,Korfuzin dhe tërë ujëdhesat Jonike nën Shqipëri, ja në këmbim të masivit në fjalë t’i kthenin këtij shteti Camërinë deri në gjirin e Prevezës“.(I.Hoxha „Viset kombëtare shqiptarenështetingrek„–Tiranë999,faqe59).
  Përballë këtyre zhvillimeve Athina asesi nuk mund të rrinte duarkryq.Ajo improvizoi kinse mallkimet e kishës greke, kundër atyre që kërkonin zvoglimin e kufijve helenë.Protestuesit nuk vonuan „t’i kërkonin“ qeverisë së tyre në Athinë që t’i vinin fre punëve të komisionit.Madje vetë shtypi grek i atyre ditëve do të shprehej tekstualisht : „Ky nën kryesinë e gjeneral Telinit do të jetë një katastrofë për interesat greke“(Gazeta „Elefteron Vima“ 2. korrik. 1923), pikërisht këto inskenime të „revoltës“ së grekërve,bënë që nga pjestarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, në mënyrë të veçantë nga ai britanik dhe serb, të këmbëngulej për të dëgjuar sa më shumë palën greke pasi po „shkeleshin“ disa nga parimet e LidhjessëKombeve.
 Në të vërtetë,disfata greke në Turqi,ajo aventurë helene ku lanë eshtrat e tyre me mijëra helenë, pati bërë që Athina të ndihej disi kokëulur përpara diplomacisë evropiane.Ajo e shihte se brenda Lidhjes së Kombeve,nuk mund të mbështetej në politikat e saja shovene kundruall trojeve Etnike Shqiptare, dhe për këtë vendosi të pezullojë me çdo kusht veprimtarinë e Komisionit të Kufijve, duke ideuar deri edhe zhdukjen fizike të gjeneral Telinit.Rreth tij , në mënyrë të veçantë në muajin gusht 1923, u mblodhën një dyzinë kriminelësh që paraprakisht donin ta trembnin përmes gjithfarë shantazhes. Të nxitur nga koloneli grek Boçari ( i cili padyshim furnizohej me flori ,armë dhe ushtarë nga Athina) keta kriminelë të lindur,ndiqnin në çdo hap punët e Komisionit, duke vënë atë jo rrallë përballë situatash të rrezikshme.Natyrisht këto ka parasysh Tellini, i cili në letrën e fundit ( një ditë përpara vrasjes) që i dërgonte Lidhjes së Kombeve,post ë tjerave shkruante tekstualisht ; „Gjithë kjo atmosferë e krijuar më bën të dyshoj se mos e gjithë puna e bërë do të shkatërrohet nga koloneli grek Boçari,i cili gjithmonë shpik pretekse dhe incidente që të mos i bindet vendimeve të komisionit, që është i paanshëm dhe kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë e s’duhet të na kundërshtojë me zjarr në gojë e plumb në zemër siçbënai“(Gazeta„Panorama“Tiranëmë12.nëndor.2003).
Mjerisht,ndërsa niste këtë letër për në Lidhjen e Kombeve, Tellini nuk dinte se plani i Athinës për vrasjen e tij ishte tanimë i përfunduar.Në mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1923, ndërsa komisioni la Janinën për t’iu drejtuar Kakavijës, makina e palës greke, e cila ishte në krye, befasndali.

  Pas saj vinte makina e gjeneral Telinit, i cili ndaloi të pyeste çkish ndodhur,por Boçari i tha se kish difekt dhe hapi rrugën duke lënë Telinin të ecte në krye.Vetëm njëzet minuta më pas në vendin e quajtur Zhepë, shoferi i Telinit ndalon pasi rruga ishte e zënë me trungje lisash,sapo ai del prej makinës së bashku me përkthyesit shqiptarë, breshërit e automatikëve grek nuk ndalen,kështu që mbrenda 10-12 minutave vriten 3 oficerë italianë e mes tyre edhe gjeneral Tellini.Ka qenë ora 9 e mëngjesit e 27 gudhtit 1923.Me pretendimin kinse janë prishur linja telöefonike,vetëm pas 8 orësh u njoftuan për këtë ngjarje konsulli italian në Janinë,i cili brenda pak minutash njoftoi kryetarin e shtetit, Benito Musolinin. Kjo vrasje do të trondiste thellë krejt opinionin italian dhe ate shqiptar.Këta të fundit ishin përpjekur ta ruanin me çdo mjet e mënyrë mikun e tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri,por e patën të pamundur ta ruanin atë mbrenda kufijve administrativ grekë. Të nesërmen e vrasjes, Roma , i paraqiti qeverisë greke një notë ultimative ku parashtronte ;

„ 1- Qeveria greke nëpërmjet pushtetarëve më të lartë civilë dhe ushtarakë të kërkonte ndjesë pranë përfaqsisë qeveritare italiane në Athinë.

2- Ceremonial madhështor në kishën katolike në Athinë për nder të të vrarëve.

3- Nderim i flamurit italian nëpërmjet flotës luftarake greke në Pire,ku do të udhëtonte për këtë qëllim një njësi avulloresh italiane. Luftanijet greke duke mbajtur në direkët e tyre flamurin italian duhej të shpraznin 21 të shtëna topi.

4- Hetime të përpikta në vendin e vrasjes, në prani të të dërguarit ushtarak italian, për jetën e të cilit do të ishte përgjegjës dretpërsëdrejti qeveria greke.Hetimet duhet të kryeheshin brenda 5 ditëve nga data e asaj kërkese.

5- Fajtorët të dënoheshin me vdekje.

6- Brenda pesë ditëve qeveria greke të paguante një dëmshpërblim prej 50 miliom liretash.

7- Të bëheshin nderime ushtarake kur avulloret italiane do të mbartnin kufomat e të vrarëve“
( Gazeta „Politika“ – Vlorë , 20 shtator 1923 ).

  Metë marrë notën në fjalë,Athina nisi sërish nga dinakëritë tradicionale të saja.Në fillim ajo nuk e mori përsipër vrasjen,madje krejt shtypi grek akuzoi për këte shqiptarët.Pas kësaj Athina kërkoi edhe ndihmën e francës dhe të Anglisë, për t’a detyruar Romën të rishikonte notat e ultimatumit.Por Benito Musolini,duke dashur të verë në vend nderin e ushtarëve të tij, nuk i përfilli aspak këshillat e diplomacisë evropiane.Mëngjesin e 30 gushtit të vitit 1923, një grup luftanijesh italiane iu drejtuan Korfuzit dhe pas disa bombardimesh të lehta e pushtuan atë. Brenda 7-8 orësh ata mundën të hyjnë pa luftë dhe në disa ishuj të tjerë pranë Korfuzit.Qeveria helenike e ngriti lartë zërin në Lidhjen e Kombeve, për kinse pushtimin italian, por aty dhelpëria greke nuk mundi të depërtonte thellë. Opinioni ndërkombëtar,duke dënuar ashpër Athinën,parashtroi idenë se vetëm një falje publike e saj si dhe nderimi i të rënëve, do të mund të ndryshonte disi imazhin gjakatar të krimit pervers.Përballë kësaj gjendjeje,si edhe frikës për luftanijet italiane që patën pushtuar ishujt,Athina nxitoi të vinte në jetë sa më parë, kërkesat ultimative të palës Italiane. Por edhe në këtë rast,Athina do të vazhdonte me dinakërinë emblematike të sajën, që të mbillte mjegull dhe erësirë, dhe për më tej të kalonte krimin në anën e shqiptarëve.Ka qenë kjo arësyeja që Konferenca e Ambasadorëve në Paris, ngriti një komision të posaçëm hetimor për vrasjen e gjeneral Telinit dhe bashkëpuntorëve të tij Italian. Kryetar i këtij komisioni u caktua një prej ekspertëve më në zë të drejtësisë japoneze,Shiboja, ndërsa anëtarë ishin anglezë,francezë dhe italianë.Detyrimisht në këtë komision do të merrnin pjesë dhe përfaqsues të Greqisë dhe Shqipërisë.Athina në këtë rast caktoi përsëri kolonel Boçarin, ndërsa Tirana, atdhetarin dhe juristin e zot, Mehdi bej Frashërin, i cili më pas do të ishte përfaqsuesi shqiptar në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve.Pas një vargu të gjatë dhe të hollësishëm të hetimeve më 29 shtator 1923, komisioni hetimorë u dha fund kërkimeve duke bërë plotësisht me faj qeverinë greke, madje duke e akuzuar drejtëpërsëdrejti atë si autorë të krimit.Komisioni hetimor urgjentisht njoftoi për këtë Konferencën e Ambasadorëve në Paris, madje u shpreh se në asnjë drejtim nuk ka vend për dyshime.Veçanërisht, ajo që „vulosi“ hetimin ishte fakti që jo më shumë se 500 metra larg vendit të krimit, ishte një repart kufitarësh grekë. Ditën e krimit, ata as që ishin dukur fare andej kur dihej se detyra e përcaktuar ishte të ruante rregullin dhe qetësinë në vendin e dislokimit dhe më tutje.Njëri prej shqiptarëve, prezent në ato momente rrëfen ; „Met ë arritur komisioni në vendvrasje të gjeneral Enriko Telinit dhe shoqëruesve të tij, koloneli japonez Shibo,nxori koburen dhe qëlloi dy herë në ajër.Ushtarët e një njësie greke që ishin vendosur aty afër,brenda pak minutash u gjendën atje dhe rrethuan pjestarët e komisionit.Atëherë koloneli japonez tha : Hetimi mbaroi ! Kur pjestarët e tjerë të habitur e pyetën tha ; Kur krismat e dy të shtënave të revolverit u dëgjuan nga ushtarët,si është mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?“ ( I.Hoxha,“Viset Kombëtare shqiptarenështetingrek“Tiranë1999,fq.71)
  Sa i përket shqiptarëve,ata e nderuan plo respekt figurën madhore të gjeneralit italian. Met ë marrë vesh lajmin e vrasjes së tij parlamenti shqiptar në shenjë zie ndërpreu punimet për 24 orë. Vetë kryeministri shqiptar Ahmet Zogu u dërgoi telegrame ngushëllimi personaliteteve të larta të politikës italiane, si edhe familjarëve të ushtarëve të vrarë. Ndërkaq populli i Vlorës në ditën e 3 shtatorit ( atëherë kur duhej të festonte 3 vjetorin e luftës-epope kundër forcave ushtarake italiane më 1920) në formë kortezhi të përmortshëm iu drejtuan konsullatës italiane në Vlorë, duke bërë ngushëllimet e rastit.Ky akt bëri përshtypje të madhe jo vetëm në Romë,por në krejt Evropën e qytetëruar, çka dëshmon se shqiptarët nuk ishn një popull i egër sikur propagandonin qarqet antishqiptare sllavo-helene,por përkundrazi ndër ta kishte plot vend edhe për paqë,mirësi e respekt ndaj miqve të tyre.Si rrallëkund në botë për Telinin u bënë përshpëritje jo vetëm në kishat katolike të shqiptarëve,por edhe në objekte të tjera të kultit siç ishin xhamitë dhe teqetë e bektashinjëve.
Lidhja e Kombeve ndërkaq,për të mos ndërprerë misionin e saj në përcaktimin e plotë të kufijve shtetërorë midis Greqisë dhe Shqipërisë ngarkoi një tjetër ushtarak italian në krye të Komisionit Ndërkombëtar të kufijve.Edhe këtë ushtarak, shqiptarët e rrethuan me dashurinë dhe mikpritjen tradicionale të tyre. Por, tanimë,ekspertë anglezë dhe francezë po demonstronin hapur simpatinë e tyre për Athinën dhe ushtaraku i lartë Italian, nuk gjente forc¨üe të përballej me ta. Në këtë mënyrë, rruga e nisur prej gjeneral Telinit u la në mes, ndërsa përpjekjet e përfaqsuesit shqiptar në këtë komision, Mehdi bej Frashëri jo rrallë u shpërfillën prej palëve greke apo britanike.Për shkak kinse të disa parregullsive në jugun shqiptar, andartët grekë nisën sërisht të prishnin piramidat e vendosura prej Telinit, por kryeminstri shqiptar Ahmet Zogu me ndihmën e Ushtrisë Kombëtare si edhe çetave atdhetare të jugut,mundi t’u bëje ballë këtyre reprezaljeve, deri edhe me sakrificën e disa dëshmorëve.Në këtë mënyrë dëshmon edhe një herë se do të luftonin me jetën e tyre jo vetëm kufijtë shtetërorë të mos rudheshin,por njëherësh të njiheshin dhe të mbroheshin edhe kufijtë etnike të tyre,sidoqoftë injoranca dhe perversiteti diplomatik i disa shteteve perëndimore kishin veç të mprehur “shpatën diplomatike“

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: dredhite greke, Eugen Shehu, per kufijte, vrasja e Telinit

DIELLI-ARKIV: KOMISION SHQIPTAR NË ATHINË PËR ÇËSHTJEN E ÇAMËVE

September 5, 2013 by dgreca

Duke qenë se ca gazeta të huaja shkrojtnë se autoritetet shqiptare gjoja morën masa për të ndaluar mësimin e greqishtes në mes të pakicave greke, Zyra e Shtypit në Shqipëri, u autorizua të deklarojë  se asnjë ndryshim nuk nuk është bërë në Status-quon-në përsa i përket cështjes së shkollave greke., këto shkolla të cilat bëhen nja shtatëdhjetë, veprojnë si edhe më parë.

Përsë afërmi niset për në Athinë një dërgatë  shqiptare e përbërë prej Zotit Mitro Tutulani, ish Ministrit të Drejtësisë dhe Zotit Xhaferr Vila, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me qëllim që të lidhë marrëveshje me Guvernën Greke për  punën e mallrave të shqiptarëve në Greqi.

 Komisioni do të bisedojë për çështjen çame, thuhet që në titullin e lajmit.(Dielli, 27 Janar 1928)

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT