• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

SHQIPTARËT E CIKAGOS I SHKRUAJNË ISH KONGRESISTIT JOE DIOGUARDI

October 18, 2013 by dgreca

Joe Dioguardi,/

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane/

NJU JORK/

I nderuar z.DioGuardi,/
Duke ju përshendetur nga Chicago,ju informojmë se SHSHA-ja ka parashtruar çështjen edhe publikisht që ka të bëj me njohjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni.Për këtë arsye Branko Manojlovski,misionari i avasimit të çështjes shiqptare ortodokse në Maqedoni ka marrë nismën për të paraqitur këtë problem (shqiptar ortodoks)në Maqedoni që si ka thënë Minajlovski,tash e 72 vjet ka qenë popull i ndaluar dhe i asimiluar nga pushteti komunsit dhe totalitar sllavomaqedonas dhe të ish Jugosllavisë.
Sipas Branko Manojlovskit në krahinën shqiptare të REKËS së Epërme të rrethit të Dibrës e të Gostivarit,jetojnë më se 250 mijë shqiptarë të besimit ortodoks në Maqedoni.Për këtë problem të anatemuar tash e gati një shekull,ata janë shqiptar në rend të parë dhe të besimit ortodoks që na është ndaluar identiteti ynë kombëtar shqiptar me vite në këtë vend.
Dëshirojmë që në bashkëpunim me Branko Manojlovskin dhe asociacionet shqiptaro-amerikane(SHSHA)në bashkëpunim të ngusht me LQSHA-në(Joe DioGuardi)problemin e çështjes shqiptare ortodokse në Maqedoni të afrojmë për shqyrtim në Komisionet Politike në Kongresin Amerikan dhe në Senatin në Uashington,që ka të bëjë me të Drejtat e Njeriut për të lejuar me ligjet demokratike të lejimit të paraqitjes së identitetit kombëtar shqiptar ortodoks me vlerat universale të demokracisë dhe të përkrahjes nga institucionet e shtetit demokratik në Amerikë.
Posa të bëhen përgatitjet e duhura për këtë nismë kombëtare shqiptaro-ortodokse dhe e drejta e tyre për identitetin e vet kombëar shqiptar-ortodoks në Maqedoni,jemi të gatshëm që rreshtohemi në aktivitetet tona të përbashkëta për të realizuar këtë të drejtë të identitetit shqiptar ortodoks të ndaluar në Maqedoni!
Për këtë temë dëshirojmë që të jemi në bashkëpunim të metejmë!

Me respekt,
Prof.Skënder Karaçica,
Drejtor Ekzekutiv i SHSHA-së
Mahmut Skenderi,
Sekretar
Chicago

Filed Under: Opinion Tagged With: DioGuardit, i shkruajne, Shqiptaret e Cikagos

Prova e një Kombi!

October 18, 2013 by dgreca

Mëhill Velaj dhe “Klithma e shekullit”/

Ne Foto:Mëhill Velaj/

Shkruan: Raimonda MOISIU/

“Klithma e shekullit” titullohet romani I dalë nga Shtëpia Botuese “Litografija”, Gjakovë, – një vepër  letrare e mirëkonceptuar, shkruar e shprehur me ndjeshmëri nga poeti dhe prozatori Mëhill Velaj. Klithmat e dhimbjeve, e vuajtjeve,  e genocidit, e tragjikes, e torturave të viktimave të  pafajshme  duruar para vdekjes, e kufomave në  varre masive, klithmat e së pakuptimtës, e të pashpirtes ndaj viktimave të tragjedive të tilla,  klithma që duken sikur kanë  rënë në heshtje, por nuk  janë më të heshtura, ato kanë  tashmë një zë,-zërin që vjen nga paqja shpirtërore. Është mëse e qartë se autori Velaj nëpërmjet kësaj pune letrare, si dëshmitar i një procësi historik, të cilin askush nuk e besonte si të mundshëm,  faktet dhe dëshmitë historike, ngjarjet interesante I ka përshkruar me një stil për tu admiruar, duke u dhënë një karakter letrar, ku autori është edhe pjesëmarrës vetë. Ngjarjet zhvillohen në të shkuarën dhe të tashmen, të interpretuara këto në nivel artistik. Krahas këtyre vlerave ai sjell historinë e tyre në dritë, kalvarin e vuajtjeve dhe  sakrificave, libri është fjalë për fjalë një dëshmi mes jetës e vdekjes, lidhjet e saj me tragjiken e mbijetësën tonë,  mes dobësisë dhe forcës tonë, mes dhimbjes e ndjeshmërisë,  mes vetes dhe atdheut, mes klithmës  të genocidit nga serbët në Kosovë,  vetëm e vetëm për të zhdukur një etni të tërë dhe kurajos që shpërthente nga gjokset e djalërisë kosovare, mes zëmërimit dhe urrejtjes, mes përcmimit dhe mëshirës, mes poshtërimit e torturës, klithmë që dukej e vështirë për tu kuptuar se një entitet ishte I bazuar llogjikisht në brendësi të emocioneve, për të njohur dashurinë, trishtimin, pritjen ndër shekuj, besnikërinë ndaj atdheut, inteligjencën,  shpirtin njerëzor, -klithma që shpalosi retë dhe ngriu diellin, që I mbajti gjallë për qindra e qindra vite,   -klithma që ndërtoi urat jetike për të mbrojtur e ruajtur lirinë dhe pavarësinë  e tokës dardane. Romani është I përbërë nga   pesëmbëdhjetë pjesë së bashku me epilogun. Personazhet e romanit janë njerës historikë, por mes tyre ka edhe njerës të zakonëshëm të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara në një mënyrë ose në një tjetër. Ai fillon ngadalë  duke absorbuar të gjitha karakteret dhe për të kuptuar cështjet përsonale që prekin të gjithë.  Ka më shumë se një kontakt të mistikes dhe magjisë në histori. Janë ngjarje  unike dhe shpirtërore, që duket pothuajse e zakonëshme për ata me të dhe prekjen e gjakut amëtar shqiptar. Autori tregon një pjesë të madhe të respektit për folklorin shqiptar (kjo vërehet në emrat e pastër shqiptarë të personazheve) dhe besimet fetare. Ky është një roman mjaft interesant ndërtuar rreth temës që njerësit jetojnë  dhe luftojnë për të marrë atë që duan nga ajo. Forca e librit  është në personazhet e tij, të cilët autori I trajton me interes të madh stilistik. Që në kapitullin e parë,  Velaj  na jep Shpat Zadrimën, një mësues me qetësi elokuente, fisnik dhe inteligjent,  me dhimbjen e trishtimin, në fshehtësi të plotë largohet  drejt tokës amë fillimisht e më pas drejt SHBA-s,  përshkak të raprezaljeve, persekucionit dhe terrorit serb. Mbas disa vite emigrimi  Shpati  kthehet I përlotur e  optimist me mendimin se asgjë në jetë nuk zgjat dhe me premtimin për një të ardhme më të mirë, se cdo gjë bëhet  e mundur ndaj  së pamundshmes, së bashku me kujtimet e tij, ngjarjet, të vërtetat tronditëse, ashpërsitë e jetës, frymën dhe praninë e karaktereve,  mungesën  që mbeti prej tij,  duke sjellë për audiencën e lexuesve një vepër të balancuar në gjërat që të ofron jeta dhe gjërat që jeta I largon nga ne. Ky është vërtet  një përkushtim mahnitës.

Romani “Klithma e shekullit”, arrin të na japë atë që në dukje, duket e pamundur. Ai përfshin pothuajse cdo gjë, pasojat dhe konseguencat e luftës, jetën e  atyre njerësve të thjeshtë dhe nga faqja në faqe vazhdon të mbajë interesimin e lexuesit. Në kapitujt e tjerë konstaton, forcën e inteligjencës, maturinë dhe guximin, kurajon,  ngjarje epike në përmbajtje,  një lloj truku historik dhe artistik, që mbulon jetën e kosovarëve,  përjetimin  e brutalitetit barbar, genocidit, vrasjeve  nga makina vrasëse e Milloshevicit,    që autori e shpalos  me  grafikën e kohës dhe hapësirës. Personazhet janë realë dhe fiktivë,  ngjarjet janë epike në formë e përmbajtje dhe heronjtë janë realë përreth tyre. Ky libër nuk është lustër e hidhur, por ballafaqimi I rrethanave, i brutalitetit dhe terrorit barbar të serbëve. Sepse toka e Dardanisë, njerësit e saj, kanë  kaluar nëpër situata e përvoja nga më të tmerrëshmet dhe më të paimagjinueshmet. I përqëndruar në historinë e dashurisë së dy cifteve,  të dy studentëve, Liridonës dhe Nishit, dhe të dy të rinjve,  Martinës dhe Fisnikut, përvec lidhjeve të tyre emocionale intensive, ndarjen e jetës së tyre në dy pjesë, ashtu si toka e Dardanisë e ndarë në dy pjesë,  se jo gjithmonë janë të lumtur apo të trishtuar, por Velaj na ka dhënë një kombinim të të dyjave. Fillimisht kemi dashurinë e Liridonës  dhe Nishit, lumturinë e kësaj lidhje dhe trishtimin e  shpërbërjes së  saj në batakun e terrorit serb, të cilët  me dëshirë,  guxim, me vetëdijen dhe vetbesimin se edhe mund të vriteshin, ndërpresin studimet dhe I bashkohen formacionit ushtarak të UCK-së, për të luftuar përndjekësit e tyre brutalë e barbarë. Në  të njëjtën linjë autori paraqet edhe dashurinë e Martinës dhe të Fisnikut, në kampin ku ishin vendosur nga dëbimi me dhunë i  trojeve të tyre.   Dashuria e tyre  kurorëzohet në martesë të papritur, brenda kampit  si rrjedhojë e vdekjes së parakohëshme e nënës së saj gjatë lindjes dhe mbijeteësës së fëmijës së porsalindur, Editës. Edhe këtu ashtu si te dashuria e dy studentëve shfaqet guximi dhe pjekuria para kohe, një kombinim I  lumturisë me trishtimin, respektimin e mirësisë, dashurisë dhe guximit kolektiv shoqëror  krijuan një ambient familjar në kamp, për tu kujdesur për babain, motrat, vëllain e Martinës të mbetur tashmë jetimë. Rrëfimin e historisë së dashurisë mes të rinjve autori e bën si një pagëzim të katarsisit, që ajo paprimtas bëhet gjithnjë më e rëndësishme, sepse tashmë dihet se si viktimat e genocidit dhe terrorit serb  jo vetëm në kampin ku ishin vendosur një pjesë e popullsisë kosovare por edhe jashtë tij  ishin të persekutuar, përndiqeshin, torturoheshin deri edhe vriteshin. Në cdo rresht të shkruar autori Velaj është me ta e për ta.  Ai na jep lavdinë dhe bukurinë e dashurisë të Liridonës me Nishin dhe Martinës me Fisnikun, në një mënyrë dhe stil jashtëzakonisht të vecantë, si një nga eksperiencat më të mrekullueshme e të kënaqëshme të jetës.  Autori e ndjente të shkruante historinë e tyre, duke na dhënë bukurinë shpirtërore të dashurisë dhe brutalitetin më të tmerrëshëm në të njëjtën kohë. Kjo është një sfidë e madhe për një shkrimtar, sepse atij I duhet të goditet gjithmonë nga erërat dhe emocione të jashtëzakonëshme dhe anasjelltas. Sepse autori përjeton bukurinë e një dashurie të pastër, por më vonë përjeton shkatërrimin, genocidin, vrasjen e njerësve të dashur që e rrethojnë. Ky është një “udhëtim” i lumtur e I trishtë për autorin dhe lexuesit në të njëjtën kohë.  Autori Velaj me dëshirën e mirë, vendos në rolin kryesor  djalërinë dhe inteligjencën kosovare, heronjtë, dëshmorët e lirisë, guximin, trimërinë dhe bëmat e tyre heroike e të jashtëzakonëshme. Ata janë personazhe  historikë, njerës të thjeshtë, që nga Besmiri, Drini, Jetoni dhe ish nxënësi I tij, Ardian Krasniqi,  trimëria, dashuria, guximi,  shpirti njerëzor dhe hyjnor I Don Kelmendit; pastaj Sidriti, Saimiri, Erina, Rinora dhe Rinori, Azgani e deri te Fisniku, I mencuri dhe I maturi, Bacë Baliu.

“Klithma e shekullit”, është një vepër meditative, tepër e vecantë, duke na sjellë një nga përvojat më kritike të  jetës, durimit, përjetimit,  dhe heroizmit të kosovarëvë, është një strehë shpirtërore për stërnipat e Mujit e Halilit, Kastriotit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës , UCK-së, djalërisë dhe inteligjencvës kosovare që investuan jetët e tyre për ta mbrojtur Dardaninë, për të rritur rrënjët e të ardhmen e brezave arbërore.  Në të konstaton se do të  përfitosh  dhe  kuptohet më mirë në vetvete dhe konteksti më I gjerë do të jetë I vlerësuar gjithashtu, një libër I  vetëm që përfshin konfliktin që shpërtheu në Kosovë, batakun e terrorit serb, me të gjitha lidhjet e saj ushtarake, politike, për përbërësit ekonomikë dhe sociologjikë, që detyruan, SHBA-s, NATO-n, dhe diplomacinë botërore  të hyjnë  në një luftë për të ndryshuar fytyrën e Kosovës dhe demokracisë në Ballkan. Besoj se ky libër është unik si një libër I shkruar ndryshe, në një vend dhe kohë, me “udhëtimin” e personazheve nga ngjarja në ngjarje dhe sesi jeta nën rregjimin serb shpaloset rreth tyre. Në realitet duhet theksuar se personazhet e romanit nuk janë vetëm heronj. Ata janë njerës të zakonëshëm pothuajse të gjithë. Edhe viktimat e pafajshme para torturave, përdhunimeve , vrasjeve e varreve masive, kanë kryer vepra trimërie e guximi, të pabesueshme e të pashëmbullta. Jeta është për njerës të vërtetë, përvojat e saj janë të rralla; të zi dhe të bardha, tërheqës e të shëmtuar, ngushëlluese e të tmerrshme, të guximshëm e të frikësuar,  të egër e të mëshirshëm, me të metat dhe defektet e karakterit psikollogjik dhe njerëzor, adhurojnë e urrejnë, duke pretenduar fitoren e të mundshmes ndaj së pamundshmes, ndaj së keqes së madhe,  në një realitet të hirtë, -Rilindjen! Personazhet e romanit nuk janë të turbulluar nga iluzionet e moralit. Ata kanë kryer bëma të jashtëzakonëshme trimërie. Kjo unë mendoj se është në qëndër të moralit dhe shpirtit shqiptar të kosovarëve. Romani është historia e triumfit të së mirës mbi të keqen, është optimizmi I shqiptarëve për një të ardhme më të mirë e të qëndrueshme, është ideali I –LIRISË! Poeti dhe prozatori Mëhill Velaj ka “endur” një pëlhurë jashtëzakonisht të bukur në librin e tij të tretë në gjininë e prozës, titulluar tashmë “Klithma e Shekullit”. Ai përfshin disa breza dhe nëpërmjet personazheve na jep një përshkrim të gjallë të bukurisë dhe brutalitetit, harmonisë dhe horrorit, përshkruan  luftën e guximëshme  për mbrojtjen e trojeve etnike nëpërmjet jetës së personazheve. Teksa  e lexon romanin të mbush me emocion dhe ofron një portret të mprehtë, të mencur e të matur të burrave dhe grave  që luftuan, u bënë prova e kombit,  për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mhill velaj, prova e Kombit, Raimonda Moisiu

13 TETOR 1943-70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS(2)

October 18, 2013 by dgreca

TRE  NUMRA  13: 13 Tetor, ora 13 e 13 minuta…/

Fritz RADOVANI: Pjesa II/

 Mbas një viti nga bombardimi i Tiranës, me 29 nandor 1944, u vesh me të zeza e gjithë Shqipnia! Aleatët bane bombardimin e dytë, tue zhytë jo vetem Tiranën, po gjithë Shqipninë në gjak dhe terror. Trojet e lirueme Shqiptare në vitin 1941 nga italianët dhe gjermanët u ripushtuene nga jugosllavët komunistë të Titos, tue i shtue atyne Trojeve edhe Shqipninë nanë e mbetun nga viti 1913, në dokumentat nderkombtare…

          Thirrja e parë e terroristit Enver Hoxha, nepermjet dokumentave të PKSh, që kje formue nga mercenarët jugosllavë të Titos ishte: “Përpara, gjithënjë përpara që të fitojmë e të Hakmerremi!” E nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga: “Hakmarrje…rini!”

Po, “hakmarrje” ndaj forcave nacionaliste në Jug, dhe “hakmarrja” vazhdon në Malet e Veriut kunder Prekë Calit, tue vra mbi 118 Burra Malësorë nga Kelmendi ynë, dhe trupat e Tyne tue i tretë nder prroska ashtu si kishte urdhnue “shoku” komandant.

E bishat partizane me “yllin e kuq” në ballë fillojnë vrasjet, kontrollet e shtëpive, magazinat e tregtarëve, plaçkitjet e mallit e deri tek arkat e grave shkodrane. Vetem në qytetin e Shkodres në vitin 1946 funksionojnë 26 hetuesi, podrume torturash, rrahjesh, masakrash, dhunimesh, shnderimesh, vrasjesh, hudhje nga dritaret, mbetje burrash nder korrente elektrike, sjellje në hell mbi zjarrin e vdekjes per me zbatue porosinë e PKSh dhe udhëheqësit të saj barbar, katil dhe anadollak “hakmarrje” ndaj Veriut… Atij Veriu që partizanët i këndonin edhe kangen e tyne kur kanë hy në Shkoder me 29 nandor:

“…Luaje Emine këmbën, se do t’ ia q…Gegës nënën!”…dhe vazhdonin vrasjet…

Vetem nga viti 1944 e deri në dhjetorin 1945 deklaron avokat Paulin Pali, janë vra nder këto qendra masakrash mbi 500 vetë në qytetin e Shkodres, pa shenue këtu ata fatzezë që janë pushkatue e vra nder male, në luftë kunder okupacionit komunist.

Filloi plaçkitja e dyqaneve të Pazarit të Vjeter të Shkodres, torturimi i tregtarëve, marrja e rrezervave të arit dhe mallit dhe kalimi i tij tek pronarët e rijë në Beograd dhe në Moskë, ku kujtohen nder dyqanet e tyne mallnat tona me firmat “Ulqinaku” etj…

E ndoshta, ky mall nuk ka aspak vlerë perballë veprave të artit, muzeumeve dhe bibliotekave të marruna me dhunë nder familjet e kenuna shkodrane apo objektet e kultit fetar, që u rrafshuen perdhe nga urrejtja e fanatizmi me parullen “hakmarrje”!

Vinin partizanët e kontrollonin shtëpinë deri nder hatlla, merrnin çka donin ata, dhe pa kalue java vinte letra e shtetizimit shtëpisë, tokës apo edhe e daljes nga prona… Arrestimet dhe burgjet ishin “pusat” ku shkonte vlera e mallit mbetun pa u shtetizue. Ishin “pusa” që perpijshin gjithshka në pafundsinë e tyne mbi 30 apo 40 vjeçare nder mjaftë shtëpi, një prej të cilave asht kenë edhe truelli i Babes tim, viktimë bombardimi po, por edhe i dënuem mbas vdekjes nga komunistët, që edhe pse la tre jetima të mitun, ma i madhi fëmijë Alfonsi, 11 vjeç (në vitin 1943), nuk perfitueme asnjë ditë pension dhe u trajtuem të deklasuem e shpeshë edhe në shenjester të “hakmarrjes” komuniste!

Po, sa familje ishin të tilla në gjithë qytetin e Shkodres? – As nuk mund të dihen kurrë ata që u perfshinë në “luften e kllasave” dhe ishin objekti i “hakmarrjes”…

***

Kur Nana u kthye në Tiranë me marrë plaçkat e shtëpisë, kishte gjetë oren e rame permbys dhe të thyeme tek dhoma e fjetjes… Kishte mbetë në momentin e bombardimit dhe hagrepët tregonin se,… ishte kenë fiks 13 e 13 minuta, e datës 13 Tetor 1943…

Dhe, me të vertetë ajo “13”… na ka ndjekë per 47 vjetë…

●“Historianët” tanë nuk duhet të jenë dakord as me këte 13 – të…

13–ta, e parë asht ajo e Esad Pashës, që na kujton 100 vjetorin e tradhëtarëve..

●Filloi në 1913, kur Esad Pashë Toptani ua shiti Shkodren malazezëve…vazhdoi me Haxhi Qamilin, tue thirrë: “Duam babën…!”, dhe mbas 13 vjetësh tjera, Ahmet Zogu mbasi nenshkroi “marrveshjen me Pashiq”, i “dhuroi” Jugosllavisë “mike” Vermoshin e …Shën Naumin, “marrveshje” që u “rifreskue” me 14 Tetor 1926, edhe sot në fuqi!

Në vitin 1941, komunistët e Titos gjetën një tjeter kallep terroristi anadollak, që ua rikthej Trojet Shqiptare të Lira të atij viti, që në nandorin e 1944, tue fillue nga Ulqini, Hoti, Gruda, Kosova dhe Maqedonia…dhe, me Ta edhe Shqipninë e vitit 1913…që edhe sot nuk e kuptoi pse quhet me emnin “Shqipni”, kur per 100 vjetë, per aq pak vite sa ishte e “Lirë”, pothuej, nuk asht drejtue asnjëherë nga Shqiptarët!

Me 1 korrik 1946, Tito shperblei Enver Hoxhen me dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, me motivacionin e njohun “Tradhëtar i Popullit Shqiptar”!

Motivacion që vazhdon me kenë edhe sot mbi varrin e tij…

Asht po, ajo “dekoratë” që KGB – ruse, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, me anen e ambasadorit Vladimir Tokin, në Tiranën e “kuqe”, me 21 prill 2005 dekoroi Ramiz Alinë, me rastin e 50 vjetorit si agjent i saj!

Tradhëtari Ramiz Alia dekorohet në 50 vjetorin si agjent i KGB-së, me 21 prill 2005..Ishte edhe 50 vjetori i Masakres së Tivarit, ku roli i tij nuk duhet mohue…

Frano Jakova, i vëllaj i Tuk Jakovës, kur ishte i interrnuem nga vitet 1959, i ka tregue At Frano Kirit se: “Kur Tuk Jakova, e ka pyetë Ramiz Alinë: Po pjesa tjetër e kosovarëve që sollet nga Kukësi, ku ishte vendosë gjatë rrugës për në Shkoder?

– Ramizi i ishte pergjegjë: ‘I vramë si qentë rrugës dhe i hodhëm në Dri e prroska, …ishin të gjithë kunder nesh!”…

Po Aleatët ku janë!?…

(vazhdon Pjesa III)

Filed Under: Histori Tagged With: 13 tetor, bombardimi i Tiranes, Fritz radovani, pjesa 2

DIELLI ONLINE ME 55777 LEXUES

October 18, 2013 by dgreca

Gazeta Dielli në botimin online vazhdon të shtojë lexuesit e saj. Deri në këtë moment janë 55,777 shfletime. Në Dielli janë bërë më shumë se 4068 postime, mijëra komente.

Bashkëpunëtorët e Diellit nuk janë vetëm në Amerikë, por edhe nga trojet shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni,nga diaspora në Europë, Australi, përfshi dhe vendet skandinave.Vecojmë dhe falenderojmë nga trojet amtare ; Fahri Xharra, Arben Llalla, Behar Gjoka, Reshat Kripa, Gëzim Llojdia, Murat Gecaj, Vilhelme Vranari, Arian Kallco, Zyba Hysa, Drita Lushi, Albert  Habazaj, Faik  Krasniqi, Violeta Allmuca, Teuta Llalla, Fadil Lushi, Riza Lahi etj.

Falenderojmë dhe bashkëpunëtorët tanë në SHBA; Frank Shkreli, Ermira Babamusta, Idriz Lamaj, Astrit Lulushi,Ilir Ikonomi, Beqir Sina, Raimonda Moisiu, Nick Markola, Yllka Filipi, Merita Bajraktari McCormack, Naum Prifti, Sali Bollati, Dalan Luzaj, Adnan Mehmeti, Mhill Velaj, Ramiz Mujaj, Thanas Gjika, Rozi Theohari, Artan Haxhia, Pjeter Jaku, Hektor Zotaj,Prenjo Imeraj, Andrea Shundi, Illo Foto, Rasim Bebo,Julia Gjika,Carrie Hooper, Rita Saliu, Lek Gjoka, Keze Zylo etj. Nga bashkëpunëtorët e Zvicrës falenderojmë: Elida dhe Skënder Bucpapaj, Eugen Shehu, Agim Shehu, Gani Qarri, nga Australia, Fritz Radovani, nga Gjermani Neki Lulaj, Shaban Cakolli dhe shumë të tjerë. I falenderojmë të gjithë dhe presim bashkëpunime në Emailin: gazetadiell@gmail.com, na ndiqni ne www.gazetadielli.com

Filed Under: Featured

CARRIE HOOPER DËSHIRON TË VIZITOJË SHQIPËRINË

October 18, 2013 by dgreca

HOOPER: “I  DUA SHUMË SHQIPTARËT,  SEPSE KANË NGADHNJYER DHE MBIJETUAR, ME GJITHË KUSHTET  E  RËNDA, GJATË HISTORISË SË TYRE”/

Nga Prof. Murat Gecaj/

Tashmë, janë të njohura shkëmbimet e ndërsjellta të mesazheve ndërmjet njerëzve, të njohur ose të panjohur. Këtë mundësi na e jep një ndër shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit, siç është Interneti. Ndër këta, sigurisht,  jam edhe unë, që kam dërguar ose kam marrë mesazhe të shpeshta, në shtete e kontinente të ndryshme të botës, por dhe që kam komunikuar përmes “Skype” etj. Natyrisht, nuk kemi se përse të “mburremi”, as vetë as ndonjë tjetër, nëse shprehemi se, gjatë ditës, dërgojmë ose marrim mesazhe përmes Internetit, nga të njohur ose të panjohur, të cilët jetojnë jo vetëm në vende të ndryshme të Europës, por dhe në shtete të tejera në kontinentet: Amerikë, Kanda, Australi, Afrikë ose Azi.

Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’u tregoj lexuesve, se pikërisht sot, mora një ndër mesazhet, që më duken më interesantë dhe më domethënës. Atë ma dërgonte znj.Carrie Hooper, nga Nju Jorku i SHBA-ve. Më bëri shumë përshtypje se, megjithëse e vërbër, kishte një veprimtari shumë të dendur dhe se, ndër vendet,  që ajo nderon e vlerëson, është Shqipëria jonë dhe, ndër gjuhet e shumta, që ka mësuar në largësi, është gjuha jonë amtare.

Meqenëse ajo më shkruante se e-mailin tim e kishte gjetur përmes kolegut e mikut tim publicist, Dalip Greca, Editor i Gazetës “Dielli”, në New York të Amerikës,   po sot,  i dërgova këtij një mesazh të shkurtër, në përgjigjen e të cilit ishin këto fjalë:

“I dashur Prof. Murat Gecaj! Të gjitha ato, që ju shkruan Carrie Hooper, janë të vërteta. Edhe letrën, në gjuhën shqipe, ajo e ka shkruar 100 për qind vetë. Edhe flet shqip-shkëlqyeshëm. Shkruan dhe poezi shumë të bukura shqip e këndon shqip. Sa për kërkesën e saj, për ta vizituar Shqipërinë, është e mira që ta marrë përsipër ndonjë instituticion shtetëror, sepse ka nevojë për shoqërues…Sinqerisht: Dalipi”.

2.

Për të kënaqur kureshtjen e  lexuesve, letrën që ka shkruar znj. Carrie Hooper, po e publikoj të plotë dhe pa bërë asnjë korrigjim gjuhësor në të. Me këtë rast, e përshëndes atë përzemërsisht, nga kryeqyteti ynë dhe e falënderoj sinqerisht, për tërë atë veprimtari të dobishme dhe, veçanërisht, për dashurinë dhe respektin, që ajo ka për Shqipërinë dhe gjuhën tonë amtare.

Duke marrë parasyshë gjendjen shëndetësore të kësaj mikeje të mirë amerikane, e cila është me gjendje të rënduar shëndetësore dhe, megjithatë, shprehë dëshirën e saj për ta vizituar Atdheun tonë, po u drejtohem  edhe organeve tona të larta shtetërore në Tiranë, por dhe përfaqësuesve tanë diplomatikë në Vashington, që ta shohin me dashamirësi dhe përparësi këtë kërkesë dhe të bëjnë të pamundurën, që asaj t’i plotësohet dëshira, për të ardhur sa më shpejt në Shqipëri.

Ja, letra e znj. Carrie Hooper:

“I nderuar Prof. Murat Gecaj,
Përshëndetje! Unë quhem Carrie Hooper dhe jam nga Elmira të Nju Jorkut në ShBA. E mora emailin tuaj nga Dalip Greca, redaktori i Gazetës Dielli. Kam lexuar shumë shkrimet tuaja dhe më pëlqyen shumë.
Jam amerikane pa asnjë prejardhjeje shqiptare. Jam krejt e  verbër që nga lindja dhe punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe  të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të lindjes. Më  tej jap piano dhe kanto në shtëpinë time dhe jap koncerte vokale  në vende të ndryshme. Përveç kësaj këndoj në dy kore dhe i bie  pianos. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja dhe përveç italishtes  dhe gjermanishtes, kam mësuar suedisht, spanjisht, pak  finlandisht, pak frëngjisht, pak rusisht, dhe latinisht.
Para pesë vjetësh fillova ta mësoja gjuhën shqipe pasi kisha një  student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Në fillim  përdora një libër në brail dhe pastaj dëgjova një kaset me  përralla në shqip. Gjithashtu bleva një fjalor shqip-anglisht që  një grua e transkriptoi në brail për mua. Në verën e vitit 2009  dhe në verën e vitit 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek  Arizona State University në Tempe të Arizonës.
Shkruaj poezi shqip dhe disa nga poezitë e mia janë botuar në  Gazetën Dielli si dhe në revistën Kuvendi që botohet në shtetin e  Michiganit. Më tej kam shkruar artikuj për Gazetën Dielli.  Gjithashtu kam dhënë intervista për Radio Kosovën, për Radion e  diela, një program që transmetohet në Toronto të Kanadasë, për
emisionin Shqiptarët e Amerikës me gazetarin kosovar Qazim Doda,  si dhe për Gazetën Dielli dhe për gazateren Rajmonda Moisiu. Për  më tepër kam kënduar për veprimtari të organizuar nga bashkësitë  shqiptare në Nju Jork, Detroit, dhe toronto. Më tej këndova në  Kishën e Shën Elia në Jamestoën të Nju Jorkut dhe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachusetts-it. Jam anëtare e një  ansambli folklorik, Bashkimi Kombëtar, me drejtor Gjergj Dedvukaj  dhe kam mësuar t’i bie çiftelisë.
Dëgjoj programet e Radio Tiranës, të Radio Vatikanit, dhe të  Radio Marisë, të cilët shoku im më inçizon nga interneti, dhe  lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim  të aksesshëm.
Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar dhe i dua shumë  shqiptarët sepse kanë ngadhënjyer dhe mbijetuar megjithë kushtet  e rënda gjatë historisë së tyre. E adhuroj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Do të dëshiroja ta vizitoja Shqipërinë. Nga  Carrie Hooper (e-maili: hoot751@stny.rr.com)”.

Tiranë, 18 tetor 2013

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: carrie hooper, deshiron te vizitoje, Murat Gecaj, shqiperine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT