• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

FALLSIFIKIMI I HISTORISE KOMBETARE

October 13, 2013 by dgreca

PSE KA NEVOJË QË SHQIPTARËT PËR INTERESA TË NGUSHTA POLITIKE TË LEJOJNË  SHTREMBËRIMIN E FAKTEVE TË KRYENGRITJES SË  SHTATORIT E NJOHUR EDHE SI KEYENGRITJA E DIBRËS 1913/

Shkruan: Prof. dr.Vebi Xhemaili/   

Me rastin e 100 vjetorit të Kryengritje së Dibrës, historianët maqedonas po falsifikojnë historinë tonë kombëtare, me tentativë përvetësimi. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, nuk kanë kohë të merren dhe ta mbrojmë të vërtetën e kësaj ngjarje të madhe historike.  Sot shtrohet pyetja; Kush e falsifikon historinë tonë më shumë se vet ne shqiptarët.  Në strugë para disa ditëve kanë ngritur një pllakë përkujtimore me këtë mbishkrim ” Shqiptarët para 100 vjetësh kanë marrë pjesë në kryengritjen maqedono-shqiptare kundër okupatorit serb”. Shkruan shtypi i ditës. Me këtë shtrohet pyetja, pse ka nevojë që shqiptarët ta falsifikojmë historinë tyre kombëtare dhe ti shërbejmë politikës ditore, kur dihet se ajo kryengritje e bërë para 100 viteve, është pastër shqiptare dhe ka filluar në Dibër dhe kur nuk ka pasur pjesëmarrës maqedonas. Siç dihet në vitin 1913, në këto troje nuk ka pasur as shtet të Maqedonisë, por vetëm  territore të Shqipërisë  lindore.

Kryengritja e Dibrës po tentohet të shtrembërohet edhe nga pala maqedonase. Si rrjedhojë është hapur edhe një konferencë tjetër me historianë të afërt me partinë në pushtet të organizuar në Shkup. Ndërsa qeveritë dhe institucionet shqiptare fare nuk e panë të arsyeshme për të mbrojtur të vërtetën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim e bashkim me shtetin amë, Pasi Kryengritja e Shtatorit ishte pastër shqiptare dhe e organizuar mirë nga vetë kreu shtetit shqiptar në krye me Ismail Qemalin, Mehmet Derrallën, të cilët vendosën të përkrahin këtë kryengritje në mënyrë interne.

Në terren Kryengritjen e Shtatorit e organizuan: Elez Isufi nga Luznia e Dibrës së Poshtme, vëllezërit Kaloshi dhe Dema, Sefedin Pustina, Isa Boletini, Hasan Prishtina, i cili posa ishte kthyer nga burgu i Beogradit, Halim Derralla, me të vëllamë. Kryengritjen e ka ndihmuar shumë materialisht  edhe Aqif Pashë Elbasani. Kryengritësit shqiptarë depërtuan së pari nga Qafë-Thana për Strugë, Ohër, Resnjë. Pastaj nga Dibra e Gostivari, Prizreni dhe Dukagjini, kurse kryengritja u përhap me të shpejtë në drejtim të Gjakovës. Forcat kryengritëse arrinin numrin rreth 12 000 vetë. Depërtimi, sidomos nga Dibra, ishte i fuqishëm dhe i përgatitur mjaft mirë nga dibranët, të cilët më 22-23 shtator 1913, çliruan Dibrën, ku u hoq flamuri serb dhe u ngrit flamuri shqiptar dhe u emërua Qeveria Shqiptare në krye me Sefedin Pustinën. Ushtria dhe policia serbe u detyruan të tërhiqeshin nga Struga, Ohri, Tetova e Gostivari, për në Shkup.

Është e pafalshme që politika bullgare tenton të falsifikoj këtë kryengritje të pastër shqiptare dhe ta pagëzoj si kryengritje me karakter lokal sipas arshinit të tyre, (vetëm në Dibër dhe Ohër). Për qëllime politike historiografia bullgare nuk përmend qytete tjera shqiptare që morën pjesë aktive në këtë kryengritje nga Dibra deri në Shkup: si Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga dhe shumë qytet tjera shqiptare të Maqedonisë së sotme. Më së miri këtë kryengritje e pasqyron shtypi i kohës i cili ka njoftuar opinionin demokratik: se Kryengritja e vitit 1913, për shkak të përmasave të një fronti të gjerë që kishte përfshirë Shqipërinë Verilindore  me Kosovë deri në Shkup, Kumanovë e Tetovë, pastaj nga Dibra, Struga deri në Ohër e Manastir. Prandaj u quajt nga shtypi progresiv i kohës si Lufta e Tretë Ballkanike, midis Shqiptarëve dhe Serbëve. Pra siç shihet këtë kryengritje pastër shqiptare, të tjerët tentojnë të na falsifikojnë. Ndërsa  institucionet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë fare nuk e panë të udhës të dalin në mbrojtje ndaj këtyre tendencave për shtrembërimin e historisë tonë.

 

 

Këto ditë shqiptarët e shitën historinë e tyre, ku lejuan që  me himnin shqiptar dhe flamujt e valëvitur, një grup banorësh nga fshatrat e Strugës, Teferiç dhe Radolishtë në mënyrë solemne kanë zbuluar pllakën përkujtimore në nder të ushtarëve shqiptarë të cilët para 100 vjetësh kanë marrë pjesë në Kryengritjen Maqedono-Shqiptare kundër okupatorit serb. Sot shtrohet pyetja ku ka pasur Kryengritje Maqedono-Shqiptare dhe kurrë…, pse shqiptarët e shesin historinë e tyre kombëtare…, dhe në dëm të kujt shkon ky falsifikim i historisë,  kur këtë vit mbushen 100 vjet të zhvillimit të saj.

Sot shtrohet pyetja nga vetë shqiptarët, pse ne nuk jemi në nivel të detyrës shkencore për të mbrojtur të vërtetën historike. Pse ne sot  kësaj dite duhet ti shërbejmë dikujt për avancime politike apo për interesa të ngushta karrieriste dhe lejojmë që të tjerët të na qepin historinë tonë kombëtare sipas arshinit të tyre. Ndërsa institucionet shqiptare në Shqipëri e Kosovë  heshtin,  fare nuk e shënojnë këtë Kryengritje të madhe ku u dogjën më se 180 fshatra nga Shkupi e deri në Ohër. Ndërsa Gostivari, Kërçova, Krusheva  me fshatrat e tyre  deri në Ohër, pati një terror të paparë nga ushtria dhe çetnikët serb. Ndërsa Dibra nga 18 mijë banorë që kishte deri në këtë kohë ngeli vetëm me 2000 banorë. Me këtë rast ushtria serbe dogji edhe shumë fshatra shqiptare në krahinën e Gollobordës, që murrën pjesë në kryengritjen shqiptare të Dibrës.

Në tekstet e Historisë kombëtare e në veçanti në ato të Maqedonisë veç mangësive të tjera, mungon edhe paraqitja e rezistencës luftarake shqiptare përkundër copëtimit të territoreve e popullsisë shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, si edhe përkundër pushtuesve të huaj dhe masakrave të tyre barbare gjatë vitit 1913. Ajo ishte ndërhyrje e pashembullt në punët e brendshme të shtetit të ri, me qëllim shkatërrimin e shtetit të posakrijuar shqiptar.

Udhëheqësit e kryengritjes antiserbe në shtator-tetor 1913 e dinin mirë se bashkimi i territoreve shqiptare në një shtet kombëtar ishte një e drejtë e patjetërsueshme, të cilën e gëzonin të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës. Rrjedhimisht, nuk kishin pse të mos e kërkonte dhe pse të mos ta gëzonte edhe kombi shqiptar.

Sipas të dhënave statistikore që jep Komisioni Ballkanik, shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre janë alarmante. Vetëm për në Selanik u shpërngulën 135.000 vetë. Për në Shqipëri e Turqi edhe më shumë. U shkretuan nga Shkupi deri në Strugë e  Ohër më se 180 fshatra,  me 10.934 shtëpi. Për këtë terror kundrejt shqiptarëve shkruan edhe profesori maqedonas,  Prof. dr. Petar Stojanov në librin e tij të botuar në Shkup, (Makedonija v vremeto na Balkanskite i Prvata Svetska voijna Shkup 1969, f.186-187).

Me gjithë pësimet, Kryengritja e vitit 1913 bëri me dije se, të gjitha ato qytete e fshatra të përfshira në flakën e luftës dhe dhjetëfish më tepër territore të mbetura në prapavijë, ishin tokë historike dhe etnike shqiptare. Deshën apo nuk deshën pushtuesit serbë, çështja shqiptare pas kryengritjes së vitit 1913 u bë edhe më tepër çështje ndërkombëtare. Pra, udhëheqësit dhe kryengritësit shqiptarë në shtator dhe tetor të vitit 1913 bënë një akt patriotik, duke shprehur një atdhedashuri të madhe për territoret e tyre të grabitura nga Serbia e Mali i Zi, megjithëse ishte një moment jo i përshtatshëm ndërkombëtar, pasi që askush nuk e përkrahu.

Kryengritja antiserbe e viti 1913 është përpjekja e parë e organizuar kundër vendimeve absurde të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila rezultoi me krijimin e kufijve kolonialë për shqiptarët. Ajo e bëri të qartë para opinionit ndërkombëtar se kurrë nuk do të ketë qetësi derisa të mos bashkohen gjymtyrët e shkëputura nga trupi i Shqipërisë Etnike. Edhe unë pyes pse ka nevojë ne shqiptarët ta falsifikojmë historinë tonë kombëtare dhe ti shërbejmë politikës ditore, kur dihet se ajo kryengritje është pastër shqiptare dhe ka filluar në Dibër dhe kur nuk ka pasur pjesëmarrës të ashtuquajtur maqedonas, por vetëm disa  bullgar, që vrapuan për interesa të Bullgarisë së Madhe, Në vitin 1913, në këto troje tona nuk ka pasur Maqedoni, por vetëm  Shqipërisë  Lindore.

Ndërsa sipas disa historianëve shqiptarë, sot pas 100 vjetëve kanë frikë ta thonë të vërtetën shkencore, si dhe  shteti i Maqedonisë assesi të pranojë të vërtetën dhe faktet historike. Ndërsa shqiptarët dhe  institucionet e saj siç është Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve në Shkup,  përkulet para kësaj politike ditore të pushtetit aktual.

Poashtu me këtë rast e hedhim poshtë edhe tezën e politikës bullgare se kjo Kryengritje ka pasur karakter lokal,  që fare ska të bëjë me të vërtetën e kësaj kryengritje më të madhe shqip tare në trevat lindore të Shqipërisë gjatë vitit 1913.

Sot shtohet pyetja kjo luftë heroike  kësaj pjese të Shqipërisë dhe shqiptarëve  pse lihet në heshtje.  Pse vallë Institucionet shqiptare gjunjëzohen para propagandës sllave dhe heshtin për këtë rezistencë dhe këto sakrifica që bënë shqiptarët në këtë pjesë të Shqipërisë për çlirim nga regjimi serb, e cila posa ishte pushtuar nga ushtria e saj  në fund të vitit 1912-1913.

Prof. dr. Vebi Xhemaili, Profesor në USHT ,  Tetovë  , 12 tetor 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Falsifikimi i historise, Prof. Dr. Vebi Xhemaili

PAKUJDESI FYESE NE MJEDISIN KULTUROR SHQIPTAR

October 13, 2013 by dgreca

Alice Munro ka ardhur prej Betim Muços. Prej tij janë përkthyer dy libra, tregime të Munro: “Virgjëresha shqiptare” -nga shtepia botuese “Mësonjëtorja”, 1998. Me pas vijoi permbledhja nga shtepia botuese “Ideart”, 2005). Librin tjeter te Munro, “Sekrete të hapura” e ka përkthyer serish poeti dhe prozatori Betim Muço (SHBA, Equinoxes, 2007). /

Nga Faruk MYRTAJ/ Toronto/

Vihet re nje pakujdesi fyese ne mjedisin kulturor shqiptar. Kur lajmi vjen i pasakte edhe nga nje agjensi shtetrore lajmesh, sic eshte ATSH per mjedisin shqiptar, shqetesimi behet i ububushem…

Sekush shkroi se Pirro Dollani eshte sjellesi i pare – ne mos i vetmi!- i Alice Munro ne shqip, dhe pas “hedhjes se ketij guri ne kete pus me uje te ndenjur prej pa-levizjes, mosleximit, izolimit brenda vetes, motos lindore “aq sa dijme, eshte mjaft”, duket sikur te gjithe perserisim te njejten shprehje. Qe nuk eshte fare e vertete.

Pirro Dollani mbetet kontribues i njohur dhe eshte padyshim e vertete se e ka sjelle edhe ai Munro-ne me pas, por jo i pari dhe as i vetmi. Mbase edhe me Pirron keshtu u sollen qe edhe ai mbeti ca i zhgenjyer prej jehones se shkurter prej perkthimit te Sezonit te Kafe-ve te Kadarese ne USA, gje qe s’kish lidhje me vete ate.

Qe te jemi korrekt e te drejte me te gjithe, do duhet kujtuar se në gjuhën shqipe Alice Munro ka ardhur prej Betim Muços. Prej tij janë përkthyer dy libra, tregime të Munro: “Virgjëresha shqiptare” -nga shtepia botuese “Mësonjëtorja”, 1998. Me pas vijoi permbledhja nga shtepia botuese “Ideart”, 2005). Librin tjeter te Munro, “Sekrete të hapura” e ka përkthyer serish poeti dhe prozatori Betim Muço (SHBA, Equinoxes, 2007).

Kjo nuk e cenon prurjen e Dollanit, por kur bje hera te flitet per kontaktet e shqipes me boten, do duhej te ishim sa me correct dhe serioz: me te huajt por edhe me veten. Mes vetes, me shume akoma, se shqipja eshte pasur dhe pasuruar prej shqiptareve me shume, dhe lexuar prej tyre!

Meqe keto nxitime dukjesh ndodhin vec tani qe Munro kurorezohet me Nobelin, eshte hjesht nje ngut qe nuk cenon dot as Muçon, as Dollanin, por respektin tone ndaj punes se perkthimit dhe qendrimit ndaj vlerave.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Betim Muco, Faruk myrto, Munro, ne mjedisin kulturor, pakujdesi fyese, Pirro Dollani, shqiptar

GOJA TË RRJEDHTË MJALTË,PO PUNA ËSHTË BËRË BALTË

October 13, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/ 
Në të drejtën e tij demokratike, partiake, qoftë edhe kanunore apo çkado tjetër: kryetari i grupit parlamentar të LSI, zoti Petrit Vasili, nga profesioni humanist e nga politika pragmatist, harkoi ylber në qiellin e politikës së ditës me istikamin: Rama e Basha të takohen ndërveti “për të eksploruar një dakordësi” për ligjin e Nëpunësit Civil. Goja të rrjedhtë mjaltë, o Petrit Vasili, po puna është ba krejt baltë. Dihet se mbi baltovina të stërlloçuna prej kohësh nuk mund të ngrihen ura komunikimi. Këtë fakt ma mirë se kushdo e kupton vet Ilir Meta, që ia dinë thellutat këtij ligji në tri rolet e tij si kryenegociator i vjetër apo i ri: në Pozitë-Opozitë-Pozitë.
Para disa muajsh trinjakëria ligjore (edhe ky ligji për “Statusin e nëpunësit civil”) ishte një hendek i flliqtë politik në mes mazhorancës e opozitës që ia fikte dritën jeshile Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Lideri lsist, Ilir Meta, si moderator klasik e modern, mbi këtë hendek me thelluta e ngriti më 2 maj 2013 një “urë” të atillë që çoi tek konsensusi i 30 majit 2013 në Parlament. Asokohe, me kryenegociatore LSI-në e sapo tërhjekun nga koalicioni qeverisës dhe me dhanien e këtij konsensusi PS bojkotuese, PD me aleatët e saj të djathtë paguan një kosto të ndjeshme elektorale në zgjedhjet parlamentare me të vetmin qëllim mbipartiak, kombëtar, euro-atlantik: të fitojë Shqipëria.  Grykësia e tepërt politike e LSI apelon prapë më 11 tetor 2013 për një rol tjetër kryenegociator të saj, për një konsensus tjetër në mes mazhorancës së majtë e opozitës së djathtë. LSI me ç’kod ligësie iu rikërkon kaq shpejt e fortas PD e aleatëve të saj të djathtë të paguajnë një kosto tjetër të dytë edhe ma të madhe, të shumëfishtë, veçanarisht kësokohe kur është në Opozitë e në riorganizim pas humbjes së thellë të 23 qershorit 2013 dhe e majta e riardhun në pushtet po si sillet ndaj saj si pushtuese e shtetit, si partizanët e ’44-tës kur erdhën në pushtet me luftë.
Me konsensusin e parë të akt-lidhun në maj 2013 e me këtë të dytin, pas besëthyemjes, që artikulohet në tetor 2013, në të dy rastet, fitimtare e pa sojshme dhe pa firo mbetet  LSI, e cila erdhi 5 vjeçe në koalicion me PD dhe, pavarësisht disa arritjeve, u (keq)soll sa e siç deshti në pushtetin e përbashkët qeverisës. Në rreth 4 vite në pushtet LSI veprimtaroi në politikë e praktikë kryesisht  si një “parti elektorale”, aqsa pas divorcit politik i mori Partisë Demokratike jo pak merita dhe i la shumë përgjegjësi asaj në Elektoriadë pas 1 prillit 2013 kur aliazhoi aleancë të re me PS në opozitë. Gjithashtu, LSI, si forcë politike e re dhe lidershipi i saj euro-ballkanik, (për)fituan nga mazhoranca e djathtë në harkun kohor 2009-2013 “imunitet” disaplanësh: politik, elektoral, juridik, etj. sikur të kishim të bënim me një projekt të fshehtë ndërkontinental (!) LSI, me akt-marrëveshje, i mori Partisë Demokratike 20 për qind të piramidës administrative qeverisëse, (në disa institucione edhe ma shumë), përndryshe krahasimohet: sa ç’është përqindja e deputetëve të saj në parlamentin e sotëm të mbisunduar nga e majta. Tashti, LSI në moshë 9 vjeçe e lideri i saj në dekadën e tretë të karrierës politike, në rast se arrihet një konsensus tjetër për miratimin e Aktit Normativ për shtyrjen 6-muajshe të ligjit të Statusit të nëpunësit civil, do të jenë ma të fituarit se të gjitha forcat e spektrit politik shqiptar, pasi numri i lsistëve do të tejrritet numerikisht jo vetëm në pesë ministritë e institucionet e shumta që drejtohen prej saj në qendër, 12 qarqe e 36 rrethe të Shqipërisë.
Fatkeqësisht urën  e konsensusit pozitë-opozitë për ligjin e nëpunësit civil po e shkatëron edhe kryeparlamentari i ri, Ilir Meta, të cilën e vetngriti 6 muaj ma herët, sepse tashti  është ba edhe ma i fuqishëm nga ç’duhet për politikën e viteve të fundit dhe, në disa raste, i domosdoshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Dihet: kush e shkatërron urën e vet e ka tepër të vështirë me e ngrit për të tjerët. Pra, Ilir Meta për këtë ligj, ashtu sikurse edhe Edi Rama, janë mëkatarë të shumëfishtë, të parrëfyem e të pafalun, prandaj nuk mund të hiqen kaq “ëngjëllorë” me ftesa publike elektronike deri të përditshme apo të orë pas ore për kryenegociator, takime dypalëshe, për konsensus. Kjo mund të arrihet vetëm kur ura e kompromisit të mos ngrihet mbi baltovina, vetëm kur ura e konsensusit të jetë pa kurthe e kluce nga mazhoranca e majtë. Përndryshe:  pikërisht i zoti i “shtëpisë tuaj – LSI”, iu ka nxjerrë ju zoti Vasili me vikat në oborr të politikës dy ditë rrjesht për me e gjuajt “topin” në fushën e Opozitës e, ndoshta, për me shenjue edhe gol në portën e saj nga “skuadra e Rilindjes”. Ftesa e juaj si LSI është afër e larg mednjes të përcillet drejt opozitës së djathtë si jehonë e këmbanës së PS me gëzhoja plumbi gjakësor apo klasor të etërve e bijëve të saj.
Dy ftesa publike nga LSI i vijnë për dy ditë  PD, opozitës së djathtë, ndërkohë që lideri i saj Ilir Meta, kryenegociatori i majit 2013, në bashkari me Edi Ramën, po ban “lojna politike” pa cak e pa sens me të ashtuquajtun “konsensus” dhe me veprimet me ligjin e Statusit të nëpunësit civil. Kjo duket tek  teatraliteti politik  e juridik i mazhorancës së djathtë ndaj ligjit, fallciteti e mafioziteti i partneritetit me opozitën e djathtë, etj. Këto shfaqen në disa raste: Në vendimin e Qeverisë më 30 shtator 2013 me Aktin Normativ që e shtyn për 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për Statusin e nëpunësit civil. Saktësisht, deri më 1 prill 2013 në “Ditën e Rrenave”… në kalimin e Aktit Normativ në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë pa votat e opozitës. Tek futja e Aktit Normativ për votim në seancë plenare parlamentare, edhe në kushtet politike të bojkotimit të opozitës dhe mos votimi për mos plotësim të 84 votave në kit’ seancë u paraqit publikisht  e politikisht si “hapësirë tolerance” e dyshes politike Rama-Meta për një javë “kohë për reflektim” për arritjen e konsensusit me opozitën, etj.  Natyrisht, të gjitha këto e të tjera plus,  burimojnë një ftesë të pasinqertë për konsensus nga LSI me thirrje në konferenca shtypi e nga PS me “letër të hapur” për të mbulue punën e mbyllun mbi gropën e thellë me pasoja politike e sociale të zhvillimit e integrimit  të krijuar nga keqpërdorimi demokratik, politik e juridik i këtij ligji me konsensus të thyem me mafiozitet e dhunshëm prej mazhorancës së majtë.
LSI e lëshon ftesën e saj për kapital politik të vetin si forcë politike dhe për liderin e saj, që jo vetëm e ka me qejf të madh rolin e kryenegociatorit, por edhe i shkon për shtat politik. Takimi e dialogu Rama-Basha për konsensus, sipas tekstit të kësaj ftese publike shumë pragmatiste e tepër demagogjike, i duhet mazhorancës të paraqitet si “një demonstrim i pjekurisë politike” në Shqipëri,të merret si “një mesazh i mirëpritur nga partnerët europianë” dhe “do t’i jepte fund debatave për Ligjin e Nëpunësit Civil”(!) Pra, një ftesë për të mbyll debatet e jo për të zgjidh problematikat. Në çdo vend demokratik euro-atlantik kërkesat e opozitës do të shiheshin me përparësi. Opozita e djathtë nuk mundet ta rivotojnë këtë ligj të Nëpunësit Civil që është një nga kushtet për integrim në Europën e Bashkuar, sepse do të humbiste integritetin e saj politik e social para antarësisë së vet e votuesve shqiptarë, në ardhmërinë e vet.
Ftesa politike publike e LSI e 11 tetorit 2013 mbart e shfaq provokacione, diversione, makinacione politike. Ministre e Integrimit, Klajda Gjoshja e LSI-së (sëbashku me Ilirian Celibashin e PS-së, ministër Shteti për Marrëdhaniet me Parlamentin) u takuan e biseduan për ligjin e nëpunësit civil me partinë në opozitë, partinë e Shpëtim Idrizit. Kjo dyshe, sipas mediave elektronike, i ban ftesë kësaj partie që me pesë deputetët e saj të ishte në Kuvendin e Shqipërisë këtë të enjte të paraqitjes së ligjit për votim. Kërkojnë thyerje bojkoti me krahëmarrje politike të tipit majtist. Kësaj mazhorance me 84 vota të merituara e të manipuluara astenjiherë nuk kanë me i ba nder dhe as me ia rrit imazhin në sytë e botës euro-atlantike qoftë edhe përpjekja mediatike për të marrë deputetë apo vota nga opozita e djathtë, veçanarisht në raste të tilla si ligji për Nëpunësin Civil. Disa orë pas këtij takimi të dy ministrave të mazhorancës me PDIU del Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI e fton publikisht për “takim në nivel të kryetarëve, kryeministri Rama dhe kreu i PD Basha”(!)
Kjo ftesë e LSI nuk ofron ndonjë zgjidhje, nuk  jep një platformë,  nuk shtron alternativa, etj. veçse në fjalatekst shihet vetëm si “një moment i rëndësishëm” që thjesht ka për të “rivendosur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës”(!) Partia Socialiste për Integrim fton dyshen politike Rama-Basha që të ulen në dialog ndërveti “për të eksploruar një dakordësi” (!) Po çka ka ky ligj për t’u “eksploruar” në një takim të tillë mazhorancë-opozitë?! Këta janë politikanë e jo speologë.  Çka po i kërkon kjo Aleanca për Shqipërinë Europiane kësaj Opozitës së Djathtë, pasi vet dy “dinosaurët” e të majtës, Edi Rama me Ilir Metën të “aleancës së 1 prillit 2013” e kanë prish “dakordësinë” e 30 majit 2013?!
 LSI kur ndërmerr negociata  për takime e dialog të tillë duhet të mësohet të sillet me kulturë për vete dhe ndaj opozitës dhe të mos lëshojnë kërcenime, të mos kalojnë në ekstremitete, si në ftesën e dytë të 12 tetorit 2013. Kjo do ta nxirrte LSI e liderin e saj jashtë misionit fisnik të kryenegociatorit dhe do ia shtonte ftesës dozat e përfolura të mungesës së sinqeritetit të saj, do ta kthente ashtu siç mund edhe të jetë: në një dredhi politike. Politikani punëtor e njerëzor, lsisti Petrit Vasili, jep këshilla se “gjakftohtësia duhet t’i prijnë debatit politik”, ndërsa vet nuk tregohet aspak i këtillë kur lideri i PD e i koalicionit të djathtë iu përgjigj brenda dy orësh letrës së kryeministrit socialist Edi Rama. Menjëherë u kthye në “petrit politik” dhe i etiketoi deklaratat e unifikuara të opozitës si “emocionale”(!) Krejt ndryshe flet realiteti i ditës së shtunde. A ka emocionalitet ma të madh politik e cinik se ky i Petrit Vasilit, që një ditë ma parë i thirr në dialog  të dy palët sapo hyjnë në “dialog në distancë” Rama nga Vlora e Basha në Tiranë, hidhet e sulmon në media elektronike Opozitën e Djathtë?! Këtë akt politik publik Petrit Vasili e vetkryen krejt pa gjakftohtësi dhe me tepër emocionalitet ende pa u dhanë lajmi i kundërpërgjigjes së Bashës në të gjitha televizionet ma kryesore shqiptare, ende pa e dhanë përgjigjen e dytë Rama në “Twiter”!!Çuditërisht P.Vasili deklaron në ftesën e dytë se “nuk duhet pasur komplekse për të dialoguar” ndërsa vet tranohet nga kompleksiteti politik kur kreu i Opozitës nuk i kthen përgjigje ftesës së tij të një dite ma parë dhe i përgjigjet kreut të mazhorancës brenda dy orëve, aqsa e kthen ftesën në një kërcenim, në një demagogji politike të rradhës (!)
Nga deklarata e LSI e të premtes tek kjo e të shtundes kemi avancim politik: Nëse, një ditë më parë “e gjen të udhës” të ftoj dy palët në dialog, të nesermën kërkon të “mbështesë dialogun që zhbën konfliktualitetin”. Kjo është e randësishme, sepse në ftesën e parë thuhej se LSI do të “promovojnë idenë e një takimi” dhe për ma tepër është e shumëpritur që nga “ide” të kthehet në nismë dhe ma e mira e mundshme: të jetë mision politik e qytetar i saj, pasi kjo parti politike parlamentare në pushtet – e treta në vend, e ka traditën e vet të kahershme. Natyrisht për të ecur ma larg në këtë dialog dypalësh mazhorancë-opozitë për ligjin e Statutit të Nëpunësit Civil duhet që kryenegociatorja LSI të rikthehet tek konsensusi i 30 majit 2013 për t’i hapur rrugë dialogut të mëtejshëm, të takimeve të tjera dhe për çështje të tjera me interes kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: eshte bere balte, goja te rrjedhe mjalte, po puna, Ramiz Lushaj

Pirro Dhima, misionari i Mitropolit Sebastianos për aneksimin e Jugut të Shqipërisë

October 13, 2013 by dgreca

Ne Foto:Pirro Dhima ne nje foto me Mitropolit Sebastiano/

Nga Arben LLALLA/

Pirro Dhima, ish sportist i Republikës së Shqipërisë dhe pas 1991 sportist me ngjyrat e Greqisë vjen në Tiranë si deputet i partisë PASOK për marrëdhëniet të fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por në të vërtetë kush është misioni i vërtetë i Pirro Dhimës?

Sipas poetit, shkrimtarit dhe publicistit Albert Zholi, Pirro Dhima me rrënjë është nga Progonati, një fshat i banuar vetëm nga shqiptarë. Por familja Dhima ashtu si Bollano në fillim të viteve 1920 emigruan në Himarë. Pas viteve 1990 Pirro Dhima emigroj në Konicë të Greqisë ku ra në kontakte me Mitropolitin grek Sebastianon, një antishqiptar i tërbuar. Aktiviteti i klerikut ortodoks Sebastiano kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve ka filluar që në vitet 1960. Gjatë një fjalimi në Qershor 1967 Mitropolit Sebastiano e shpalli veten Mitropolit i Jugut të Shqipërisë dhe deklaroj se do të luftonte për që Jugu i Shqipërisë ti bashkëngjitet Greqisë. Mitropoliti Sebastiano hapi një radio me përforcues të fuqishëm me qëllim që valët e saj dëgjoheshin në Dropull, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë etj. Kjo radio bënte propagandë antishqiptare, për nxitjen e një lufte greko-shqiptare. Më 1982 Sebastiano themeloj SFEVA, Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit, ndërsa më 1987 organizatën e fshehtë Panelene PASYVA për të njëjtën çështje. E pra, në fillim të vitit 1992 Pirro Dhima pa ditur asnjë fjalë greke ra në kontakte me Mitropolit Sebastianon i cili e përpunojë ish-sportistin shqiptar të propagandojë për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Me porosi të Sebastianos Pirro Dhima lidhi shoqëri të ngushtë me një antishqiptar tjetër të tërbuar Babis Karathanos cili nga viti 1982-1989 ka qenë kryetari i SFEVA, (Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit).

Babis-Harallambos Karathanos disa herë ka qenë kandidat për deputet i partisë Demokracia e RE më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke LAOS dhe këto dy vitet e fundit u rikthye përsëri në Demokracinë e Re të Andoni Samaras. Karathanos është i lindur në Greqi, por prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli.

Deputeti i PASOK-ut Pirro Dhima i cili u diplomua më 2011 për mësues i klasave fillore gjithnjë në intervistat që jepte shante kombin shqiptar të cilët sipas tij nuk i kishin lejuar të mësonte gjuhën e nënës greqishten, këtyre britmave antishqiptare i bashkoheshin shpeshherë babai dhe vëllai i tij. Enigmë është fakti se Pirro Dhima asnjëherë nuk e zë në gojë nënën apo ta nxirrte në TV. (Thonë se ka patur probleme me nënën që kur u martua me Anastasia Sdoygkoy e cila është shumë vite më e madhe se ai dhe ka punuar gazetare në televizionin shtetëror grek ERT kur u njohën).

 

Pjesmarrës në çdo aktivitet për aneksimin e Jugut të Shqipërisë

 

Në Dhjetor 2011, Shoqata e Vorio Epiriti me seli në Thesali të Greqisë i ndau Mirënjohje Pirro Dhimës për kontributin që jep.

Pirro Dhima në Mars-Prill të 2012, u nis për në SHBA me qëllim për të mbledhur fonde për financimin e shkollës greke “OMIROS”, të Himarës e cila gjendej në vështirësi ekonomike. Atje ai zhvilloj shumë takime me figura të larta të Lobit greke, pas kthimit Pirro Dhima u propozua kandidat për deputet me partinë PASOK.

Më 17 Shkurt 2013, ora 11 u tubuan në sheshin Karitsi Athinë për të përkujtuar 99 vjetorin e shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit. Aktivitetin qendror e organizon çdo vit Babis Karathanos kryetar i shoqatës së Vorio Epirit në bashkëpunim me Rininë Vorio Epiriotase të drejtuar nga ish-këshilltari i ministriti Spiro Ksera, Theofan Kaliviotis. Përçdo përvjetor të këtij aktiviteti marrin pjesë figura të njohura të minoritetit grek dhe të politikës së Greqisë. Pirro Dhima është njeri nga këta që nuk mungon për të qenë i pranishëm në përvjetorët e Autonomisë së Vorio Epirit.Me krenarin që feston çdo vit Autonominë e Vorio Epirit Pirro Dhima e ka shprehur edhe në Forumet Sociale si facebbok.

Për shërbimet ndaj kombit grek Pirro Dhima gëzon edhe një titull të lartë ushtarak.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: misionar i mitropolitit, per aneksimin, Pirro Dhima, Sebastiano, Shqiperise se Jugut

“DHURATA MË E BUKUR E LULES SIME MË TË DASHUR”

October 13, 2013 by dgreca

Ne Foto: Driteroi,Driteroi me Sadijen dhe me Raimonda Moisiun/

Dielli e mimozat kurrë nuk kishin ndricuar më bukur se atë ditë……/

(Meditim -Esse) Nga Raimonda Moisiu/
Sa i kam dashur mimozat! Tërë jetën time i kam dashur marrëzisht këto lule që i quajnë budallaqe. Budallaqe, sic është dashuria – budallaqe. Dashuria ngjan shumë – shumë me mimozat. Mimoza, hmmm, ja, lulja ime më e dashur, sapo del pak diell, veshë fustanin e verdhë të vajzërisë dhe del në bulevardin e pemëve, të cilat ngurrojnë të nxjerin gjethe dhe lule.
Edhe dashuria nuk do të dijë as për ofiqe, as për para, as për rracë, as për shtresë shoqërore, por vetëm për ca rrahje zemrë; sikurse mimoza ca rreze diellore.
A nuk u ngjajmë pra ne mimozave, kur biem në dashuri?
A nuk është aq e brishtë dashuria, sikurse brishtësia e mimozave?
O, sa herë jam dehur prej këtyre budallackave të bukura!
Furgoni i Korcës më zbriti atë ditë para kinema “Partizanit “dikur.Nuk e kisha ndjerë rrugën aspak.Në Pogradec, u ndala për pak. Nuk largohesha dot nga liqeni i kthejllët si syri i trishtuar i një djali të rënë në dashuri me mimozat.
Pranë meje ishte një mimozë. Kish celur e tëra , sikur ishte mbuluar me florinj. M’u dhimbsen shumë. Mua, sa herë që shkoj në atdhe, kam një dhimbje të patreguar për të gjithë. Një herë kam hequr byzylykun tim të florinjtë dhe ia kam vënë në dorë një vajzë jetime me flokë të verdhë si prej lulelimozash.
Ndjeva…dhe ktheva kokën. Një miku im po i afrohej ato caste vetmisë sime ; më thërriti me emër. Më bënë përshtypje shumë sytë e tij ndërsa nxori si një madem të shtrenjtë dicka nga canta. Ishte një roman që fliste për një vrasje. Oh, mua më dhurojnë një roman që flet për vrasje dhe, për më tepër,në ditën e dashurisë?
U ndava me autorin pogradecar Bardhyl Berberi; e dija se, kushedi se kur do të shiheshim sërish. Por, nga mënyra se si buzëqeshte ai me vete, ndërsa më shkruante dicka si kujtim, e kuptova mirë se po më dhuronte një cikëz nga zëmra e tij dhe nga ajo mimozë që ishte pranë . Nga ajo mimozë që rrinte mbi mua, si një tufë e bukur që dashuria i dhuronte liqenit të Pogradecit. Atij që, sikurse edhe kjo mimozë mbi mua, kushedi se sa psherëtima dashurie do të kenë dëgjuar dhe ruajtur fshehur.
Tërë rrugës lexova romanin, që po më tërhiqte shumë – “Vrasje në Shën Valentin”.
Lexoja romanin e fundit të mikut tim, dhe më dukej se, qark mikrobuzit që rendëte me furi, nuk ishin gryka malesh dhe peme gjysëm të cveshura, por liqen, ujra dhe mimoza…
Dhe…arritëm në Tiranë.
Ngado – mimoza.
Tirana kish hapur krahët e mimozave për të më pritur mua, dashnoren e përjetëshme të atyre, të harlisur si ato .
Sa herë shoh mimozat më sjell nostalgjinë e dashurisë së parë.Në një pemë të madhe e të madhërishme, mbushur plot me mimoza,nën rrezet e verdha dhe aromën e tyre, kam provuar puthjen e parë. Një tufë mimoza kisha për jastëk, kur provova misterin e dashurisë; kur shijova castet e të qënit princeshë.
Qëndra e Tiranës gumëzhinte nga njerëzit e shumtë që lëviznin, borijet e makinave, motorët uturitës të autobuzëve, frenat e tyre, edhe hingëllimën e ndonjë kali, që tërhiqte karrocën, packa se ishte qëndër qyteti.Nuk kisha më shumë se një javë që kisha ardhur në atdhe, dhe po endesha në bulevardet e kryeqytetit tim, për të shijuar gjithcka që shikoja e më rrethonte, atë të dashurën, të shtrenjtën, -Aromën e Mëmëdheut.
Mundohesha të hetoja gjithshka, se cfarë kish ndryshuar në një vit.
-Një tufë mimoza, teta, a dëshironi,-dëgjova një zë të butë fëminor nga pas kurrizit. Ktheva kokën e para meje qëndronte një djalë, jo më shumë se 12 vjec. Kishte dy tufa të bukura me mimoza në duar. Donte t’i shiste.
Zilja e celularit më shkëputi një moment…
-Sa e ke një tufë mimoza, shpirti i tetës?
E pyes kot dhe i jap kartmonedhën më të madhe shqiptare që kam me vete.
– Po nuk kam kusur, moj teta.
– Nuk ka gjë, moj zemër.
Po më shihte me sy të habitur që u gëzuan shumë menjëherë.
– Mbaje kusurin dhe bli cokollata dhe një libër a dy.
E puth në faqe djalin nga atdheu im dhe ai i fshin faqet që ia kam bërë me të kuq me mëngën e dorës.
– Po pse nuk ke shkuar në shkollë sot?
– Po , po teta, po sot e bëmë pushim, festuam “Neëborn Kosova,”-një vjetorin e Pavarësisë.
– Uuu, sa mirë…Sa miiirëëëë….Dale, ti më dhurove mimoza dhe unë do të të dhuroj një libër për Kosovën.
Kujtohem se në cantë kam edhe dy tre kopje nga vëllimi i mikut tim shqiptaro-amerikan,poeti Mëhill Velaj – “Lule që rritemi në gurë” – dhe e nxjerr. Kujtoj Mëhillin zemërbardhë këta caste si dhe “zilinë” e tij të trishtuar, kur i thashë se do të shkoj në atdhe, në Tiranë. E kam mik të vjetër Mëhillin dhe e di se do të kishte lënë gjysmën e jetës , sikur të provonte këto caste kaq të bukura në atdhe, sikurse unë … – me këto mimoza të bukura në duar, nën këtë qiell të pastër si sy, nën këtë diell të ngrohtë dhe më këtë bukurosh të vogël nga atdheu si dhe…oh…Heroin tonë Komëbtar në krye të sheshit që mban emrin e tij…
– Po unë nuk ta dhurova tufën e mimozave, moj teta, por ta shita…. E di…nesër…Nesër do të mbledh mimoza prapë…ateherë është dhuratë…Sa e mirë që qënke, moj teta!
– Mirë, mirë…Nesër teta nuk është këtu…ja të të lexoj një poezi nga ky libri për Kosovën.
Dhe nis e i lexoj në syprinën e pasme të librit të Mëhillit duke përfytyruar se sa do të gëzohej ai , kur të merrte vesh se librin e tij ia kisha dhuruar një fëmije që kish festuar në mes të Tiranës ditën Pavarësisë të Kosovës së tij:
Oh,jetoj unë i mjeri, mes ujrash Atlantikut,
fshehur derdh lot më njelmët se ujrat e Adritatikut.
Përjashta lozin, qeshin, më pret gruaja, fëmijë,
c’bëhet te shpirti i babit, asnjeri, s’mund ta dijë!
Askush nuk mund ta dijë, pse zgjohem natën unë,
sirenat e atdheut më thërresin në gjumë!
Moj Kosovë, në u kthefsha te ty dhe njëherë,
a do më njohë njeri, sikur Ago Ymerin?
Ago Ymer Ulqini kish në llërë dhëmbë nga një kalë,
unë i mjeri s’kam tjetër, vec këta lotë të valë….
Celulari sërish.
Bukuroshi i vogël i mimozave vazhdoi te lexonte dhe unë…
“Erdha Kozata!”
Po vinte, ja, atje, te,kafja e intelektualëve e thërresin,kafe “Europa”, Kozeta Zavalani, Gruaja e Botës për vitin 2007, mikesha ime e vjetër e motra korcare.
Më duhej të nxitoja.
Ja, pak metro më tej është “Europa”
Ja ku po qeshnin një gup poetësh të Tiranës, që të gjithë të njohur dhe aq të këndëshëm në vargjet e tyre.
Mua më magjeps gjithcka sa herë që vij në atdhe. Edhe poezitë e këtyre poetëve; edhe vetë ata. Ata që, ja po qeshin me të madhe dhe janë në krah të një mimoze e të një manjole.
Janë Xhevahir Spahiu , Faslli Haliti dhe Riza Lahi.
– Oh, kush na qënka, Raimonda,-shpërtheu, Xhevahiri
Që të tre poetët gëzohen për praninë time me mënyrat e tyre. Xhevahir Spahiu me këtë klithëm gjithë hare, Faslli Haliti me sytë e qeshur dhe përpirës, Riza Lahi me buzëqeshjen e mrekullueshme melankolike.
Pastaj të qeshura sërish. Kalimtarët vështrojnë nga ne ; nga hareja jonë zëlartë..
Ja po vjen dhe Kozeta e veshur bukur, ylli I dikurëshem televizionit shqiptar…
– Ju të dyja me siguri që jeni korcare….A nuk kanë dicka nga blirët e Korcës sytë e këtyre korcarkave, more Faslli?
Xhevahir Spahiu e di përgjigjen që më parë të pasionantit të përjetëshëm, Faslli Haliti, që na vështron në thellësirat e syve Kozetën e bukur dhe mua.
Riza Lahi shikon me dhëmbshuri nga rudhat në fytyrën ekspresive të Xhevahirit pa e hedhur fare vështrimin e tij melankolik mbi sytë tanë, nga janë ngulur rrezet e syve plot adhurim, të dy poetëve të tjerë.
Më pas hymë në brëndësi të kafe “Europa”, e të tjerë miq e kolegë erdhën, poetja rebele e dashurisë ,e talentuara, gazetarja Fatime Kulli, gazetari,Afrim Himaj, analisti,studiuesi dhe një nga ish-liderët kryesorë të UCK-së, Kolonel Dilaver Goxhaj, botuesi Mehmet Gëzhilli,etj. Ishte ngrohtë dhe bashkuam tavolinat jashtë kafenesë. Të përfshirë në biseda të ndryshme me filxhanët me salep, përpara, tufa e mimozave mbi tavolinë, i dhurova miqve të mij librin e sapo botuar, romanin “Pafajsia e Evës”, dhe librin me poezi “Lule që rritemi në gurë”, të poetit dhe kolegut tim nga Kosova , Mëhill Velaj, të shoqëruar me autografe sipas porosisë nga vetë autori. Xhevahiri e shfletoi për një moment vëllimin me poezi të Mëhillit, duke bërë një vlerësim maksimal për kopërtinën e librin në përgjithësi, lexoi këto vargje:

OTRANTOS…KANALIT TË VDEKJES
Me dritëzën e hënës, me qerpikë të lagur ,
me ëndërra parajse e shumë shpresa në gji,
vërsulen si shtriganë të detit skafet natën,
skafistë…dallgë…det… frikë e lemeri.
“Mbahuni fort do arrijmë gjallë, të gjithë,
gjer në Brindizi fryj moj erë e mallkuar!”,
ulërijnë skafistët …Nuk qajnë dot me zë,
nëna me fëmijë, cifte të fejuar.
Nuk është peshkaqen , as janë dallgët e egra
si të ishte duke ardhur vetë vdekja me flotilje
po vjen një anije si fantazma e Eva Braunit*,
anije që vret njerëz me një emër vajze – Sibilia.
O përbindësh, më të zi se peshkaqenët e detit,
përse s’ia ndërruat emrin më parë anijes suaj,
të qe mes jush Sibilia, pasha shpirtin e nënës,
me viktimat e Otrantos do kish dhënë jetën në ujë.
I qetë pret kapiteni ndërsa njerëz përpin deti,
përpiu dhe të fundmen britmë : “Ika nanë”
Sibilia …Sibilia…si ke forcë të kthehesh në breg,
dhe të ankorohesh e qetë në Parajsën italiane…??!!
*Eva Brauni-dashnorja e Hitlerit.
-Ja se cfarë bën magjia e tridhjetegjashtëshkronjave, magjia e gjuhës shqipe, që nuk të bën të gabosh në përcaktimin e fuqisë së ndjenjave poetike, mbi bazën e shkëlqimit të vecantë të shpërthimit të tyre.Një poet duhet ta ketë të vetin këtë shpërthim të jashtëzakonshëm,-sepse poeti që në vargjet që sapo lexova ,dashuron jetën, njerëzit atdheun, bën të vetat vuajtjet e të tjerëve , i derdh në poezi, në vargëzime e gurgullon poetikisht shpirti njerëzor e ndjenja kombëtare e pasuruar me krenari, për historinë, heronjtë , atdheun,Kosovën.Gëzuar një vjetorin e Pavarësisë!- e mbylli patriarku i poezisë, Xhevahir Spahiu komentin rreth librit të Mëhillit.
Heshtje.Të gjithë dëgjonim poetin.
xxx
———– Po vjen Driteroi,Driteroi me Sadijen- u dëgjua zëri i ëmbël ,i butë i Kozetës .
Drejt nesh po vinte ai i madhi, ai Patriarku i letrave shqipe, Patriarku Devolli! Në krah të mjeshtrit Sadija, e dashura e tij,besnike dhe fisnike tërë jetën. Thinjat që e kishin zbardhur “malin’ krejt, krekoseshin hijshëm në shtatin e dy bashkëshortëve.
U cuam në këmbë.Me zërin e tij baritoni karakteristik, fytyrën e qeshur, cigaren në mes gishtave, i mbajtur nga krahu,nga Sadija e tij, iu afrua tavolinës.
Si zuri vëndin e nderit apo të “dollibashit”, në tavolinë ngrihem dhe e përqafoj fort Driteroin tonë të madh.Iu hodha sytë lulemimozave.Ndrisnin më shumë atë moment.Iu marr erë përsëri.Sa fat më sollët!-iu thashë, e i putha.Sa fat më solle o bohemi i vogël i Tiranës sime me këtë tufë mimozash!Ma bëre ditën më të bukur të jetës!Biseda u ndez më e zjarrtë.Fotot të shumta bëmë së bashku të gjithë sa ishim në tavolinë.Janë kujtime të përjetëshme e të paharruara.
Më pas me Kozeta Zavalanin,”motrën time korcare”-shkuam te shtëpia e Patriarkut devolli.Një shtëpi e bukur, ku mbizotëronte antikiteti, lulet shumëngjyrëshe, pikturat e bukura ,plot kolor të larmishëm e ndjenjë,kombinim i përkryer i modernes në lashtësi me modernen e kohës së sotme.Libra pafund.
Frymëzim pafund!
Një pritje shumë e ngrohtë, miqësore, një bisedë si prindi me bijtë rreth shumë temave të ndryshme. Me gotat e rakisë së rrushit përpara, që Driteroi ynë e pëlqen shumë, trokisnim ato “Gëzuar”,e bisedonim shtruar. Aq shpirtërore u bë biseda sa Sadija u ndje si një mike e hershme me ne sikur njiheshim prej vitesh-vitesh e na tregoi disa intimitete të jetës së saj, me Driteroin.Ato ishin një mesazh i bukur për ne,si nëna,bashkëshorte intelektuale.Pyetjes time se:
– A ka pasur raste të jesh ngritur natën, kur nuk ke gjumë, e frymëzimin e castit ta hedhësh në letër?
– Po ,poezia është si tështima.Kur të vjen nuk e mban dot.Duhet të tështish.Poeti duhet të flerë më laps,letër e gomë poshtë jastëkut.
– Po një poezi mund ta bësh në disa variante?- e pyeta përsëri.
– Po poezia ka delikatesë. Është një konfiguracion i gjërë që mund ta bësh në disa versione.
Biseda vazhdoi, rreth arësimit në Shqipëri e Amerikë, rreth arësimimit të nipërve e mbesave dhe Driteroi yne i madh na tregonte me një dashuri të madhe për nipin e mbesën e tij, ashtu sic dinë dhëmbshur të tregojnë gjyshërit.
I dhurova Mjeshtërit romanin tim të parë “Pafajsia e Evës”, dhe vëllimin me poezi të poetit, Mëhill Velaj.
– Më ke dhuruar një dhuratë shumë të bukur sot në një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, -do të më thoshte Driteroi, ndërsa shikonte librin e Mëhillit.Të lutem uroje poetin e Kosovës tonë të dashur ;Urime dhe Suksese!
Edhe këtu bëmë fotot me ciftin Agolli, në shtëpinë e tyre.
Dolëm nga shtëpija e Patriarkut të letërsisë shqipe, duke bëlbëzuar këngën e kompozuar nga artisti korcar i serenatave Nonda Kajno,e kënduar nga këngëtarja korcare Ermira Kola në 70 -t vjetorin e ditëlindjes :
70 VJET DRITERO
Për mbi supe plot bilbila,
qënka zbardhur mali krejt.
Jo me thinjë por trëndafila
70 zjarre udhës ndez.
Lisi i lartë kur puthi tokën,
Deti tej nuk bëri zhurmë,
Gjithë shqiponjat ulën kokën,
kur poeti ra në gjunjë.
Nder i Kombit ty të bëri,
Vëndi yt o Dritero,
70 faqe historie
Ti ke shkruar o për të.
O Devoll, Devoll i bukur,
Prite, prite djalin tënd
70 faqe historie,
Ti ke shkruar o për të
O Devoll i trimërisë,
Prite, prite djalin tënd,
70 lule trendafili,
Biri yt po ti dhuron.
Nder i Kombit ty të bëri
Vëndi yt o Dritero,
70 faqe historije,
Ti ke shkruar o për t.
O Devoll i Shqipërisë,
Prite, prite djalin tënd,
70 lule trendafili.
Biri yt po ti dhuron.
Ajo ditë ishte nga më të bukurat e jetës sime.Kisha takuar atë që kisha ëndërr dikur.Më pas me miken time,Kozeta festuam një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mes bashkëkombasve tanë, dhe me mikeshat e tjera, te sheshi,”Nënë Tereza”.
Delli e mimozat kurrë nuk kishin ndricuar aq bukur si atë ditë….
Raimonda Moisiu
Hartford CT USA .

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Dhurata ne e bukur, Dritero Agolli, e lules me te dashur, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT