PSE KA NEVOJË QË SHQIPTARËT PËR INTERESA TË NGUSHTA POLITIKE TË LEJOJNË SHTREMBËRIMIN E FAKTEVE TË KRYENGRITJES SË SHTATORIT E NJOHUR EDHE SI KEYENGRITJA E DIBRËS 1913/
Shkruan: Prof. dr.Vebi Xhemaili/
Me rastin e 100 vjetorit të Kryengritje së Dibrës, historianët maqedonas po falsifikojnë historinë tonë kombëtare, me tentativë përvetësimi. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, nuk kanë kohë të merren dhe ta mbrojmë të vërtetën e kësaj ngjarje të madhe historike. Sot shtrohet pyetja; Kush e falsifikon historinë tonë më shumë se vet ne shqiptarët. Në strugë para disa ditëve kanë ngritur një pllakë përkujtimore me këtë mbishkrim ” Shqiptarët para 100 vjetësh kanë marrë pjesë në kryengritjen maqedono-shqiptare kundër okupatorit serb”. Shkruan shtypi i ditës. Me këtë shtrohet pyetja, pse ka nevojë që shqiptarët ta falsifikojmë historinë tyre kombëtare dhe ti shërbejmë politikës ditore, kur dihet se ajo kryengritje e bërë para 100 viteve, është pastër shqiptare dhe ka filluar në Dibër dhe kur nuk ka pasur pjesëmarrës maqedonas. Siç dihet në vitin 1913, në këto troje nuk ka pasur as shtet të Maqedonisë, por vetëm territore të Shqipërisë lindore.
Kryengritja e Dibrës po tentohet të shtrembërohet edhe nga pala maqedonase. Si rrjedhojë është hapur edhe një konferencë tjetër me historianë të afërt me partinë në pushtet të organizuar në Shkup. Ndërsa qeveritë dhe institucionet shqiptare fare nuk e panë të arsyeshme për të mbrojtur të vërtetën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim e bashkim me shtetin amë, Pasi Kryengritja e Shtatorit ishte pastër shqiptare dhe e organizuar mirë nga vetë kreu shtetit shqiptar në krye me Ismail Qemalin, Mehmet Derrallën, të cilët vendosën të përkrahin këtë kryengritje në mënyrë interne.
Në terren Kryengritjen e Shtatorit e organizuan: Elez Isufi nga Luznia e Dibrës së Poshtme, vëllezërit Kaloshi dhe Dema, Sefedin Pustina, Isa Boletini, Hasan Prishtina, i cili posa ishte kthyer nga burgu i Beogradit, Halim Derralla, me të vëllamë. Kryengritjen e ka ndihmuar shumë materialisht edhe Aqif Pashë Elbasani. Kryengritësit shqiptarë depërtuan së pari nga Qafë-Thana për Strugë, Ohër, Resnjë. Pastaj nga Dibra e Gostivari, Prizreni dhe Dukagjini, kurse kryengritja u përhap me të shpejtë në drejtim të Gjakovës. Forcat kryengritëse arrinin numrin rreth 12 000 vetë. Depërtimi, sidomos nga Dibra, ishte i fuqishëm dhe i përgatitur mjaft mirë nga dibranët, të cilët më 22-23 shtator 1913, çliruan Dibrën, ku u hoq flamuri serb dhe u ngrit flamuri shqiptar dhe u emërua Qeveria Shqiptare në krye me Sefedin Pustinën. Ushtria dhe policia serbe u detyruan të tërhiqeshin nga Struga, Ohri, Tetova e Gostivari, për në Shkup.
Është e pafalshme që politika bullgare tenton të falsifikoj këtë kryengritje të pastër shqiptare dhe ta pagëzoj si kryengritje me karakter lokal sipas arshinit të tyre, (vetëm në Dibër dhe Ohër). Për qëllime politike historiografia bullgare nuk përmend qytete tjera shqiptare që morën pjesë aktive në këtë kryengritje nga Dibra deri në Shkup: si Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga dhe shumë qytet tjera shqiptare të Maqedonisë së sotme. Më së miri këtë kryengritje e pasqyron shtypi i kohës i cili ka njoftuar opinionin demokratik: se Kryengritja e vitit 1913, për shkak të përmasave të një fronti të gjerë që kishte përfshirë Shqipërinë Verilindore me Kosovë deri në Shkup, Kumanovë e Tetovë, pastaj nga Dibra, Struga deri në Ohër e Manastir. Prandaj u quajt nga shtypi progresiv i kohës si Lufta e Tretë Ballkanike, midis Shqiptarëve dhe Serbëve. Pra siç shihet këtë kryengritje pastër shqiptare, të tjerët tentojnë të na falsifikojnë. Ndërsa institucionet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë fare nuk e panë të udhës të dalin në mbrojtje ndaj këtyre tendencave për shtrembërimin e historisë tonë.
Këto ditë shqiptarët e shitën historinë e tyre, ku lejuan që me himnin shqiptar dhe flamujt e valëvitur, një grup banorësh nga fshatrat e Strugës, Teferiç dhe Radolishtë në mënyrë solemne kanë zbuluar pllakën përkujtimore në nder të ushtarëve shqiptarë të cilët para 100 vjetësh kanë marrë pjesë në Kryengritjen Maqedono-Shqiptare kundër okupatorit serb. Sot shtrohet pyetja ku ka pasur Kryengritje Maqedono-Shqiptare dhe kurrë…, pse shqiptarët e shesin historinë e tyre kombëtare…, dhe në dëm të kujt shkon ky falsifikim i historisë, kur këtë vit mbushen 100 vjet të zhvillimit të saj.
Sot shtrohet pyetja nga vetë shqiptarët, pse ne nuk jemi në nivel të detyrës shkencore për të mbrojtur të vërtetën historike. Pse ne sot kësaj dite duhet ti shërbejmë dikujt për avancime politike apo për interesa të ngushta karrieriste dhe lejojmë që të tjerët të na qepin historinë tonë kombëtare sipas arshinit të tyre. Ndërsa institucionet shqiptare në Shqipëri e Kosovë heshtin, fare nuk e shënojnë këtë Kryengritje të madhe ku u dogjën më se 180 fshatra nga Shkupi e deri në Ohër. Ndërsa Gostivari, Kërçova, Krusheva me fshatrat e tyre deri në Ohër, pati një terror të paparë nga ushtria dhe çetnikët serb. Ndërsa Dibra nga 18 mijë banorë që kishte deri në këtë kohë ngeli vetëm me 2000 banorë. Me këtë rast ushtria serbe dogji edhe shumë fshatra shqiptare në krahinën e Gollobordës, që murrën pjesë në kryengritjen shqiptare të Dibrës.
Në tekstet e Historisë kombëtare e në veçanti në ato të Maqedonisë veç mangësive të tjera, mungon edhe paraqitja e rezistencës luftarake shqiptare përkundër copëtimit të territoreve e popullsisë shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, si edhe përkundër pushtuesve të huaj dhe masakrave të tyre barbare gjatë vitit 1913. Ajo ishte ndërhyrje e pashembullt në punët e brendshme të shtetit të ri, me qëllim shkatërrimin e shtetit të posakrijuar shqiptar.
Udhëheqësit e kryengritjes antiserbe në shtator-tetor 1913 e dinin mirë se bashkimi i territoreve shqiptare në një shtet kombëtar ishte një e drejtë e patjetërsueshme, të cilën e gëzonin të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës. Rrjedhimisht, nuk kishin pse të mos e kërkonte dhe pse të mos ta gëzonte edhe kombi shqiptar.
Sipas të dhënave statistikore që jep Komisioni Ballkanik, shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre janë alarmante. Vetëm për në Selanik u shpërngulën 135.000 vetë. Për në Shqipëri e Turqi edhe më shumë. U shkretuan nga Shkupi deri në Strugë e Ohër më se 180 fshatra, me 10.934 shtëpi. Për këtë terror kundrejt shqiptarëve shkruan edhe profesori maqedonas, Prof. dr. Petar Stojanov në librin e tij të botuar në Shkup, (Makedonija v vremeto na Balkanskite i Prvata Svetska voijna Shkup 1969, f.186-187).
Me gjithë pësimet, Kryengritja e vitit 1913 bëri me dije se, të gjitha ato qytete e fshatra të përfshira në flakën e luftës dhe dhjetëfish më tepër territore të mbetura në prapavijë, ishin tokë historike dhe etnike shqiptare. Deshën apo nuk deshën pushtuesit serbë, çështja shqiptare pas kryengritjes së vitit 1913 u bë edhe më tepër çështje ndërkombëtare. Pra, udhëheqësit dhe kryengritësit shqiptarë në shtator dhe tetor të vitit 1913 bënë një akt patriotik, duke shprehur një atdhedashuri të madhe për territoret e tyre të grabitura nga Serbia e Mali i Zi, megjithëse ishte një moment jo i përshtatshëm ndërkombëtar, pasi që askush nuk e përkrahu.
Kryengritja antiserbe e viti 1913 është përpjekja e parë e organizuar kundër vendimeve absurde të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila rezultoi me krijimin e kufijve kolonialë për shqiptarët. Ajo e bëri të qartë para opinionit ndërkombëtar se kurrë nuk do të ketë qetësi derisa të mos bashkohen gjymtyrët e shkëputura nga trupi i Shqipërisë Etnike. Edhe unë pyes pse ka nevojë ne shqiptarët ta falsifikojmë historinë tonë kombëtare dhe ti shërbejmë politikës ditore, kur dihet se ajo kryengritje është pastër shqiptare dhe ka filluar në Dibër dhe kur nuk ka pasur pjesëmarrës të ashtuquajtur maqedonas, por vetëm disa bullgar, që vrapuan për interesa të Bullgarisë së Madhe, Në vitin 1913, në këto troje tona nuk ka pasur Maqedoni, por vetëm Shqipërisë Lindore.
Ndërsa sipas disa historianëve shqiptarë, sot pas 100 vjetëve kanë frikë ta thonë të vërtetën shkencore, si dhe shteti i Maqedonisë assesi të pranojë të vërtetën dhe faktet historike. Ndërsa shqiptarët dhe institucionet e saj siç është Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkulet para kësaj politike ditore të pushtetit aktual.
Poashtu me këtë rast e hedhim poshtë edhe tezën e politikës bullgare se kjo Kryengritje ka pasur karakter lokal, që fare ska të bëjë me të vërtetën e kësaj kryengritje më të madhe shqip tare në trevat lindore të Shqipërisë gjatë vitit 1913.
Sot shtohet pyetja kjo luftë heroike kësaj pjese të Shqipërisë dhe shqiptarëve pse lihet në heshtje. Pse vallë Institucionet shqiptare gjunjëzohen para propagandës sllave dhe heshtin për këtë rezistencë dhe këto sakrifica që bënë shqiptarët në këtë pjesë të Shqipërisë për çlirim nga regjimi serb, e cila posa ishte pushtuar nga ushtria e saj në fund të vitit 1912-1913.
Prof. dr. Vebi Xhemaili, Profesor në USHT , Tetovë , 12 tetor 2013