• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

Sami Frashëri mbi Çamërinë dhe të vërtetat e pamohueshme

October 12, 2013 by dgreca

Të vërtetat që janë thënë nga apostujt e Rilindjes sonë Kombëtare, janë të vërtetat që burojnë nga realiteti i pakontestueshëm që u bënë njëherazi edhe frymëzuesit e ndërgjegjes kombëtare. Shqipëria dhe trojet e saj që përmblidhen në fjalët “Shqipëria e Vërtetë” kanë qenë në fokusin e njerëzve që morën përsipër të flasin për fatet e kombit dhe të thonë haptaz  ato që do të cilësoheshin shpesh si “të vërtetat e pamohueshme”. Sami Frashëri, njeri nga vëllezërit Frashëri është njeri nga ata që flet me detaje dhe me saktësinë e kohës për Çamërinë, njera nga krahinat shqiptare në jug që në atë kohë ishte nën sundimin otoman turk.Ka një debat në lidhje me atë se cila është Çamëria, ku shtrihet ajo, ç’pjesë të territorit zë ajo, cilat janë qytetet dhe fshatrat e saj që fatkesësisht sot ndodhen nën sundimin Grek pas ndarjes së kufijëve më 1913, kohë kur edhe u zhvillua Konferenca e Londrës. 

Sami Frasheri mbi Çamerinë dhe disa nga qytetet e saj kryesore, marrë nga vepra e tij “Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe i gjeografise” (Konstandinopoje 1889). Vepra 2 e Sami Frasherit, botim i Akademisë së Shkencave,1988.

Tesprotia (Çamërinë)

Adjonati (Paramithi)

Janina

Konica

Margëllici

Parga

Preveza

Suli

Tesprotia (Çamërinë)

Është një nga krahinat që përbënin Epirin e lashtë. Krahina e lartpërmendur zgjatej nga Ambrakija, pjesa jugore e bregditit d.m.th. nga gjiri i Nartës deri në lumin Thijamis d.m.th Kalama. Me një fjalë Tesprotia ishte emri i vjetër i pjesës jugore të Shqipërisë të quajtur Çamëri.

Kufizohet nga veriu me Mollosinë që përbëhet nga sanxhaku i Janinës dhe me krahinën e Kaonisë që përbehet nga sanzhaku i Gjirokastrës d.m.th nga krahina e Labërisë, nga jugu me Ambrakinë d.m.th. me gjirin e Nartës, nga perëndimi me detin Jon. Kjo krahinë laget nga lumenjtë Akeron dhe Kogjin,që bashkohen para derdhjes së tyre në det.

Këta konsiderohen nga grekët e lashtë si lumenjtë e skëterrës. Ndë rsa lumi Haradros d.m.th. Loros e ndante këtë krahinë nga Mollosia. Qytetet dhe qytezat kryesore janë Pandosja, Kasupa, Allaka, Haradra, Himrion, Efina, Vruka e të tjera.Këto përfshihen midis 80 qyteteve që kryekomandanti romak Pal Emili rrafshoi në Epir. Megjithëkëtë ekzistojnë gërmadhat e disave prej tyre. Flitet dhe besohet se tempulli i famshëm i Dodonës ndodhej në këtë krahinë..Pas kësaj romakët themeluan në skajin jugor të kësaj krahine një qytet të madh me emrin Nikopolis,gërmadhat e të cilit ekzistojnë në një istme te ngushtë një orë larg në veri të Prevezës.

Tesprotianet e vjetër i përkasin thjesht popullit pellazg. Ishin të një gjaku dhe kishin të njëjtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë. Përshumë kohë u qeverisën nga krerët e tyre dhe pastaj për një periudhë u qeverisën në formën e një republike. Pas kësaj u pushtuan nga sundimtari i Molosëve, Pirrua dhe më vonë iu aneksuan shtetit maqedonas. Së bashku me Maqedoninë kaluan në duart e romakëve dhe së fundi pas shkatërrimit të shtetit të Bizantit, ashtu si në viset e tjera të Shqipërisë,edhe në këto anë u formuan principata të vogla të cilat u pushtuan në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit II dhe të Bajazitit II dhe iu aneksuan tokave osmane.

Ajdonat (Paramithi)

Është një qytezë,qendër kazaje në krahinën e Çamërisë, e cila formon pjesën juglindore të Shqipërisë, varet nga vilajeti dhe sanxhaku i Janinës.

Ajdonati ndodhet afërsisht 40 km në jugperëndim të Janinës dhe 18 km në lindje të limanit të Myrtos, rrezë një mali,në anën e majtë të lumit Vuvo d.m.th ne lindje te tij. Pozicioni i tij është i lartë, me ajër shumë të mirë dhe i rrethuar me vreshta e kopshte. Popullsia e tij arrin në 2500 njerëz, thuajse të gjithë myslimanë dhe shqiptarë.

Kështjella quhet Ajos Dhonatos dhe emri Ajdonat që përdohet në gjuhën zyrtare për qytezën,e cila njihet nga vendësit me emrin Paramithi, është marrë nga emri i sipërmendur. Përreth gjenden rrënimet e qytetit të vjetër Uria. Është një qytezë ku zhvillohet mjaf tregëti dhe çdo vit me 10 shtator bëhet një panair i madh që vazhdon pesë ditë. Burnot i cilësisë së lartë, i njohur me emrin burnoti i Janinës, prodhohet nga duhani, që rritet në këtë qytezë dhe ne disa vende të kësaj kazaje. Qyteza bashkë me kazanë ka 64 fshatra, 40 nga këto janë në veri të qendrës së kazasë dhe 24 në jug të saj. Në juglindje të kësaj kazaje ndodhet nahija e Sulit, popullsia e së cilës është e njohur për qëndresën e guximshme kundër Ali pashë Tepelenës. Toka e saj është malore, por ka edhe disa lugina e pllaja të bukura. Toka e saj është pjellore, prodhon drithëra të ndryshme dhe duhan. Ka një popullsi afërsisht prej16.000 njerëzish, shumica e të cilëve janë shqiptarë e afro gjysma myslimane. Brenda kazasë ka 22 xhami e mesxhide, 1 shkollë plotore, një medrese, 4 shkolla fillore kuranike, 3 punishte për regjien e lëkureve,13 ura. Rrethi i kazasë mund të përshkohet për 23 orë.

Janinë

Është një qytet, qendër e vilajetit me të njëjtin emër. Ndodhet në jug të vilajetit të Shkodrës 700 km në jugperëndim të Stambollit e 210 km në jugperëndim të Selanikut, në bregun perëndimor të liqenit me të njëjtin emër. Ka 35.000 banorë, 30 xhami, 6 kisha, 2 sinagoge, 3 teqe, disa medrese, një bibliotekë, një gjimnaz, një shkolle fillore e disa shkolla fillore kuranike (mektep), një gjimnaz me emrin “Zosimea”, disa shkolla fillore dhe një shkollë për vajza vetëm për greket,një shkollë plotore për vllehët, një azil grek për jetim e të varfër si dhe një spital, një spital tjetër të ndërtuar kohët e fundit nga bashkia, treg të bukur, hane e hamame të shumta, një kështjellë të mbetur nga Ali pashë Tepelena, që ndodhet mbi gadishullin që futet brenda në liqen, të rrethuar me hendek; përreth ka disa pendë dheu.

Ne rrethet e qytetit ka vreshta e toka pjellore, punishte lëkurësh; prodhohen sende prej argjendi dhe prej lëkure dhe zhvillohet një tregëti mjaft e rëndësishme. Janina është ndërtuar nga i quajturi Jani, një nga princat e vendit në kohën e rënies së perandorisë bizantine. Ajo i është dorëzuar paqësisht sulltan Bajezit Jellderemit, pastaj u kishte dalë dorë (osmanëve) dhe në vitin 1431 në kohën e sulltan Muratit II u pushtua përfundimisht. Më vonë në kohën kur sundoi i pavarur Ali pashë Tepelena, qyteti u zhvillua dhe u zbukurua tepër prej tij dhe kishte më shumë popullsi.

Kazaja e Janinës, ndodhet në mes të sanxhakut e të vilajetit që mban të njëjtin emër. Së bashku me dy nahijet e quajtura Zagor dhe Korondos, përfshin 233 fshatra me 87.256 banorë. Toka është e ndryshme, ka fusha pjellore, kullota dhe disa pyje. Shumica e popullsisë së fshatrave është e krishtere dhe përbëhet nga grekë dhe vllehë.

Sanxhaku i Janinës, është sanxhaku qendror i vilajetit që mban të njëjtin emër. Kufizohet nga juglindja me kufirin e Greqisë, nga verilindja me vilajetin e Manastirit, nga veriperëndimi me sanxhakun e Gjirokastrës, nga perëndimi me detin Jon,nga jugu me sanxhakun e Prevezës. Sanxhaku përbëhet prej 6 kazave dhe dy nahijeve me 439 fshatra dhe 166.691 banorë si më poshtë :

Sanxhaku Kazate Nahijet Fshatra

Janinë Zagore   233

Korondos           49

Leskovik           34

Janinë Konicë     3

Mecovë             62

Ajdonat             68

Filat

Vetëm popullsia e Janinës me fshatrat e Mecovës dhe të Konicës është e përbërë nga mysliman, vllehë e grekë, kurse popullsia e tri kazave të tjera është krejtësisht shqiptare dhe shumica myslimane. Të krishterët shqiptarë dëshirojnë të mësojnë në gjuhën e tyre shqipe dhe nuk e mbajnë

veten të kombësisë greke.

Konicë

Është një qytezë, qendër kazaje që ndodhet në sanxhakun e vilajetin e Janinës, 45 km në veri të Janinës, në anët e lumit të Vjosës, në rrëzat e maleve që ndodhen në skajet e një fushe; ka 5500 banorë, nëpër rrethe ka shumë kullota, ku mbahen shumë dhen me qumështin e të cilave bëhet djathë i famshëm shqiptar. Popullsia është shumë e zgjuar.

Kazaja e Konicës,rrethohet nga jugu me kazanë e Janinës, nga perëndimi me sanxhakun e Gjirokastrës, nga veriu me kazanë e Leskovikut, nga lindja me vilajetin e Manastirit. Përbëhet nga 34 fshatra me popullsi afërsisht 35.000 banorë, prej të cilëve gjysma janë myslimanë shqiptarë dhe të tjerët janë të krishterë shqiptarë dhe vllehë.

Toka është malore, më pak vende të përshtatshme për bujqësi. Kullota ka shumë, prandaj mbahen sasira të mëdha dhensh dhe bagëti të tjera. Në fushën e Konicës dhe ne luginën e Vjosës ka shumë drurë arre dhe nxirret një sasi mëndafshi.

Gratë në fshatra prodhojnë corape, fanella, velenxë e të tjera sende prej leshi. Lumi i Vjosës përshkon kazanë duke marrë me vete përrenjtë Vidomati dhe Sarandoporo. Në këtë kaza ka një llixhë squfuri me nxehtësi të madhe, dobia e së cilës është provuar. Një herë në vit organizohet një panair me emrin “Pazaropolo”, ku tregëtohen shumë kafshë dhe prodhime leshi.

Margëlliç

Është një qytezë, qendër kazaje ne sanxhakun e Prevezës të vilajetit të Janinës, ndodhet 50 km në veriperëndim të Prevezës, në një distancë 10 km prej bregut të detit. Ka 3000 banorë, të gjithë janë myslimanë shqiptarë.

Kazaja e Margelliçit së bashku me nahijet e Pargës e të Fanarit ka 71 fshatra me afërsisht 25.000 banorë. E gjithë popullsia është shqiptare, pjesa më e madhe myslimane. Janë të njohur për guxim e trimëri.

Toka e saj është pjellore, prodhohen drithëra, oriz, ullinj e të tjera. Në vendet afër bregut të detit klima është e butë gjatë dimrit, prandaj andej ka kullota të mira dimërore. Përveç Pargës, ka edhe disa skela të vogla, në të cilat mund të hyhet me barka të vogla.

Pargë

Është një qytezë, qendër nahijeje në kazanë e Margëlliçit të sanxhakut të Prevezës të vilajetit të Janinës, në pjesën jugore të bregdetit shqiptar.

Ndodhet 45 km në veriperëndim të Prevezës dhe 55 km në jugperëndim të Janinës. Ka 5.000 banorë, një xhami, një kështjellë të vjetër të ndërtuar mbi një shkëmb të futur në det; përreth ka kopshte me portokalle e limone dhe ullishta të bukura. Ka shumë nerënxa që janë tepër të kërkuara dhe që pëlqehen nga çifutët. Nga ky prodhim, popullsia ka nxjerrë shumë të ardhura. eksportimet e tjera kryesore janë portokallet, limonat e vaji i ullirit; në qytezë prodhohet një lloj sapuni në ngjyrë gështenjë; e ka ajrin të këndshëm e të mirë, që u sjell mjaft dobi atyre që vuajnë nga sëmundje të mushkërive. Ka edhe banja deti shumë të dobishme. Megjithëse anijet nuk ndalin aty, ajo është skelë për krahinën e Çamërisë, pasi aty vijnë e shkojnë barka me vela dhe zhvillojnë tregëti me Korfuzin dhe Triesten. Kjo qytezë për shumë kohë ka qenë në dorë të anglezëve, por Ali pashë Tepelena e bleu qytezën nga shteti i lartpërmendur dhe me këtë rast popullsia u shpërngul dhe kaloi në ishujt.

Qyteza dhe toka e saj u bë çiflig i Ali pashës dhe pas ekzekutimit të tij, i kaloi thesarit të shtetit. Në atë kohë u ble prej Rifat pashës që ishte ministër i financave dhe sot gjendet në dorë te trashëgimtarëve të tij. Nga popullsia e saj, ata që janë myslimanë dhe një pjesë e të krishterëve janë shqiptarë, të tjerët janë grekë.

Nahija e Pargës varet nga kazaja e Margëlliçit, që formohet nga pjesa qendrore e krahinës së Çamërisë, së bashku me qytezën përfshin edhe tre copë fshatrash përreth. Më përpara, së bashku me një numër fshatrash formonte një kaza më vete.

Prevezë

Është një qytezë në skajin jugor të Shqipërisë, në fund të një gadishulli që mbyll anën perëndimore të gjiut të Artës, në bregun verior të grykës që mban të njëjtin emër. Është qendra e sanxhakut me të njëjtin emër, të përfshirë në vilajetin e Janinës si dhe e krahinës së Çamërisë. Ndodhet 92 km në jugperëndim të Janinës. Pozicioni i saj shumë i bukur të kujton atë të Stambollit. Ka 8000 banorë dhe shumë kopshte me portokalle e limona si dhe ullishtë. Në anën nga toka është e mbrojtur nga një kanal, nga deti me dy fortifikata dhe 4 kala, të ndërtuara prej Ali pashë Tepelenës. Në qytet ka dy xhami, njera e ndërtuar prej Ali pashë Tepelenës dhe tjetra prej Ahmet aga Dinos. Ka gjithashtu dy teqe, disa tyrbe,një shkollë plotore e disa shkolla fillore, dy shkolla fillore greke, një për vajza e një për djem, një mulli me avull, një punishte për regjjen e lëkurës, disa fabrika sapuni e vaji. Prodhohet një lloj pëlhure shumë e preferuar, pambuku e mëndafshi e punuar shumë holl, çorape e të tjera prodhime. Ka një liman mjaft të frekuentuar, që bën shumë tregti me skelat e Triestes, Korfuzit, të Greqisë dhe të Italisë. Në veri dhe brenda gjiut ka edhe një liman me të madh të quajtur Vati ose me emrin Drin, i cili ka qenë liman i qytetit të lashtë të Nikopolisit. Emri Prevezë rrjedh nga emri i qytetit të lashtë te ndërtuar prej të famshmit Pirro, i cili ka marrë emrin e se vjehrrës së tij, Berenika, e shoqja e Ptolome Lagosit dhe ishte quajtur Berenikia.

Ky qytet ndodhej ose në vendin e Prevezës së sotme ose në atë të qytetit të Nikopolit. Nikopoli, i ndërtuar prej Oktavianit dhe gërmadhat e të cilit duken edhe sot një orë larg në veri të Prevezës, u shkatërrua nga sulmet e bullgarëve dhe të serbëve, kurse Preveza e tanishme u ndërtua prej venedikasve; ajo qendroi për shumë kohë në dorë të francezëve bashkë me ishujt e Dodekanezit. Në vitin 1798, Ali pashë Tepelena e mori qytezën nga francezët me luftë dhe qysh prej asaj kohe ajo bën pjesë në territorin otoman. Preveza për rëndësinë ushtarakë dhe tregëtare i ka të gjitha mundësitë të përparojë.

Sanxhaku i Prevezës është me i vogli ndër katër sanxhakët që formojnë vilajetin e Janinës.Ndodhet në skajin jugor të Shqipërisë dhe përbëhet nga gjysma jugore e krahinës së Çamërisë. Kufizohet nga veriu me sanxhakun e Janinës, nga lindja me kufrin grek, nga jugu me gjirin e Nartës dhe me grykën e Prevezës, nga perëndimi dhe jugperëndimi me detin Jon. Pjesa më e madhe e tokës përbëhet nga kodra të ulëta, me kullota të bukura, të veshura me portokalle e limona. Megjithëse tokën e ka shumë pjellore, për shkak të helmimit të ajrit nga kënetat dhe të mungesës së popullsisë, tokat kanë mbetur djerr dhe përdoren vetëm si kullota dimërore.

Lumi i Nartës rrjedh në lindje të sanxhakut dhe ndan kufirin me Greqinë. Në tokat e sanxhakut ka edhe dy lumenj të tjerë, njeri është Lorosi që mbledh ujerat që zbresin prej maleve të Olickës, të cilat ndodhen në sanxhakun e Janinës dhe që derdhet në gjirin e Nartës. Ky lum e kthen në një kënetë fushën që ndodhet midis Nartës dhe Prevezës. Tjetri është lumi Ferari që rrjedh nëpër kazane e Margëlliçit, buron prej maleve të Sulit pastaj drejtohet nga veriu e duke marrë me vete lumin Vovo, derdhet në detin Jon. ky është lumi Akeron që mitologjia greke e quante skëterrë. Popullsia e tij arrin në 55.000 banorë, shumica janë myslimanë e të tjerët të krishterë e një numër i paktë çifutësh. E gjithë popullsia myslimane dhe shumica e të krishterëve janë shqiptarë, përveç të krishterëve të vetë qytezës së Prevezës dhe të vendeve kufitare me Greqinë, të cilët janë grekë. Kazaja përfshin 179 fshatra, 48 xhami e mesxhide, dy medrese,30 shkolla (fillore kuranike), 220 kisha e manastire, 450 dyqane, 50 mullinj e të tjera. Prodhohen drithëra të ndryshme dhe me shumicë ullinj, portokalle, limona, vaj ulliri e pemë të tjera; si sasi e madhe vaj ulliri eksportohet. Ka shumë bagëti, dhentë e shumta që kullosin verës ndër malet e sanxhakut të Janinës dimrit zbresin ndër kullotat e Prevezës. Klima është e butë dhe e këndshme, rralë bie borë. Sanxhaku ndahet ne 3 kaza e dy nahije si me poshtë:

Kaza nahije fshatra

Prevezë ——         38

Loros, Xhemernik 68

Margelliç, Pargë   73

Kazaja e Prevezës ndodhet në skajin jugor të sanxhakut dhe kufizohet nga verilindja me kazanë e Lorosit dhe nga veriu me kazanë e Margelliçit.

Megjithëse kazaja ka toka të gjera më pak banorë, ka vetëm 38 fshatra me një popullsi deri në 13.000 banorë. Shumica e atyre që banojnë në fshatra janë shqiptarë të krishterë. Në këtë kaza gjenden shumica e kullotave dhe e ullishteve të sanxhakut.

Suli

Është një qytezë e vogël në krahinën e Çamërisë në Shqipëri, 45 km në jugperëndim të Janinës, në një vend malor dhe të fortifikuar prej natyre; banorët prej shqiptarë të krishterë. Këta së bashku me popullsinë e fshatrave përreth kanë ruajtur të drejtën e mbajtjes së armëve, duke marrë përsipër në rast lufte, detyrën për të luftuar në radhët e ushtrisë osmane. Janë njerëz shumë trima dhe të zotët për të ruajtur të drejtat e tyre personale. Ali pashë Tepelena, me qëllim që të shpërngulte suliotët nga vendi, dërgoi në vitin 1790 forca ushtarake kundra tyre, por pësoi humbje.

Edhe në vitin 1792 suliotët qëndruan burrërisht, por në vitet 1800 e 1803 u dërguan përsëri forca të tjera kundër tyre dhe më në fund popullsia e Sulit nuk mundi t’u bëjë ballë dhe u shpërngul në Pargë, e cila në atë kohë gjendej në dorë të Anglisë. Që në atë kohë Suli u shkretua. Edhe sot nuk ka tjetër veçse një kala të ndërtuar prej Ali pashë Tepelenës, e cila është e shkatërruar.

Kur Ali pasha bleu Pargën, suliotët ikën së andejmi në Korfuz dhe më vonë u shpërndanë andej-këtej. Në revolucionin e fundit grek, kryetarët më trima janë suliotët. Një herë, kur Ali pasha rrethoi Sulin, në të gjendeshin vetëm gratë, të cilat për një kohë bënin qëndresë, por duke kuptuar se do të detyroheshin të dorëzoheshin, të kërcënuara nga Tepelenasi, me guxim të madh pranuan të vetëflijoheshin. Duke vallëzuar në një shesh që gjendej mbi një shkëmb të lartë, të kapura dorë më dorë, u hodhën së bashku në humnerë dhe vdiqën.

Fjalorth

Kaza: Njësi administrative ku shtrihej pushteti i kajmekamit në kohën e sundimit osman; qendra e kësaj njesie.

Nahije: Nënndarje administrative më e vogël se sanxhaku; komunë

Sanxhak: Njësi administrative më e madhe se kazaja, me shtrirje tokësore të ndryshme sipas periudhave historike dhe me një sanxhakbej a me një mytesarif në krye.

Vilajet: Ndarje e madhe administrative që kishte ne krye një vali.

Përgatiti për botim : Hyqmet ZANE

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Cameria, Hyqmet Zane, Sami Frasheri

Tungjatjeta Zoti Johan Galtung,Boll mo se e teprove!

October 12, 2013 by dgreca

  (Nuk mund t´i ankohemi askujt. Të gjitha të zezat na vijnë nga vetvetja.( Ragip Kçiku)/

Shkruan: Fahri XHARRA/

 Zonja Wortley Monatgu kishte thënë: ”Besoj se nuk ka asnjë racë tjetër të njerëzimit që të ketë një mendim kaq modest për aftësinë e vet “ (.( Letters from the Right Honourable Lady Mary Wortley Montagu 1709 to 1762, London: J.M. Dent & co.; New York, E.P. Dutton & co., 1906)  dhe kishte të drejtë se gjithmonë e kemi pasë dronë që të tjerët janë më të aftë se ne. Por jo Zoti Johan Haltung, ta them se  jo, jo nuk keni të drejtë t´a çfrytëzoni famën e juaj si teoretik i Paqës dhe Dhunës ,dhe të krijoni huti të reja në Ballkan.Kush është Johan Galtung që vazhdimisht mundohet t´turbullon ujërat tona? Johani i ”nderuar”është sociolog dhe dhe matematicien Norvegjez((1930) dhe themeluesi kryesor i disciplines ” Studimet mbi paqjen dhe konfliktet” e në të njetën kohë edhe themeluesi ”Institutit për Hulumtime të Paqës “ në Oslo (1959). Ishte karrika e parë në studimet e paqës dhe konflikteve  të Universitetit të Oslos.

Dje në Beograd  theksoi : “Ballkani i Ri do të duhej të ishte diçka çfarë ka qenë Jugosllavia, respektivisht të jetë i hapur ndaj të gjitha anëve të botës, kurse Kosova, Shqipëria dhe Serbia të jenë në një union konfederate.” Në Konferencën për Pajtim, Tolerancë dhe Siguri në Ballkan, e cila ka filluar dje në Beograd, ka thënë se kur bëhet fjalë për shtetet që dolën nga gërmadhat e ish-Jugosllavisë “është zgjidhur vetëm pozicioni i Sllovenisë, kurse Serbia, por edhe Kroacia, mbeten libra të cilat tek duhet të hapen”, transmeton “Danas”.

 Me 21 Shkurt 2008 ,zotëri Galtung shkrove se pavarësia e Kosovës është një krim kundër Serbisë & paralizim i KB . (”Kosova’s independence: A crime against the Serbs & a crippling of the UN” s) Ju merr mendja që kishit të drejtë ? Dhe mandej vazhduat : “ Pse shumica e BE-së duhej të prishnin ligjet ndërkombëtare duke i anashkaluar Kombet e Bashkuara dhe ti jetësojnë truket e arkitekturuara nga një ish President i Finlandës  dhe një kryministër i Suedisë  dhe të bëni diëka të papritur, të panevojshme dhe jo të mençur? Në ne do të jetoj një problem i krijuar për breza të tërë  dhe shekuj.Pse? “

Zotëri nuk ju pëlqeu shpallja e Pavarësisë së Kosovës? “

Shqiptarët e “liruan” Kosovën jo për t´a ndarë me Serbinë por që ta mbajnë për vehte , serbët e humbën Jerusalemin e tyre , vendet e tyre të shenjta si djepin e tyre ,Kosovën. E dini që ata (serbët fxh)  nuk do të ndalën së luftuari  për Kosovën. Deri kur? Deri sat a marrin përsëri.” Nj’ socilog ,nje matematicien , nje ideator i paqës t´i thot këto fjalë ?

 Tungjatjeta Zoti Johan Galtung ! nëse nuk e dini të vërtetën historike ua themi ne :” Me vendosjen e fiseve turko-sllave në Ballkan (shekujt VI-XIII) filloi konflikti i ardhacakëve me popullsinë autoktone të këtyre vendeve, si ilirët, dardanët dhe trakasit, që në të vërtetë të gjithë ishin të popullsisë pellazge. Dardanët quheshin ndonjëherë triballë, një fis i vjetër pellazg (tri-ball= tri ballët e maleve që ndodhen në luginës e Moravës së Madhe), më vonë skizmatikë. Emri antik pellazg shkallë-shkallë zëvendësohet me sinonimin ilir, ndërsa prej shekullit XV zëvendësohet me sinonim alban, arban, arnaud, arvanit, arbëresh. Kah fundi i shekullit XII sllavët turko-avarë (bullgaro-serbët) filluan të dëpërtojnë në Kosovë, pas një lufte që me 1190 e bënë kundër Bizantit, që atëherë e sundonte Kosovën, të banuar gjithmonë me popullsi shqiptare[17]). Që me 1180 serbët avarë sulmuan për herë të parë Mitrovicën dhe Vushtinë, të banuar me popullsinë autoktone shqiptare; më 1224 sulmuan Prizrenin ndërsa më 1285 Shkupin[18]). Më parë nuk kishte asnjë serbë në këto anë. Stefan Dushani (1331-1355) ishte mbret i Rrasisë dhe mbret i Shqipërisë (rex Albaniae). Nuk ishte mbret i Serbisë, sepse nuk ekzistonte fare Serbia. Në atë kohë Albania quhej Kosova, Rrasia, Shqipëria dhe Maqedonia deri në Selanik. Shteti Rrasia vinte nga emri Rrasë, i kryeqendrës së atij shteti, te Jeni Pazari.(Aleks Lusha: Ishin vetë shqiptarët) .

”Sot Serbia e kundërshton pavarësinë  ashtu si shqiptarët që e kundërshtojnë federatën me serbët . por nesër a pasnesër, pas raundeve të negociatave mund të shihni diçka si kjo ishte si një e ”keqe ”më të vogël.Por kjo nuk ishte rruga për të udhëtuar nga vendet  që kanë interesa të rënda, duke menduar se mund të është e drejtë. Sa turpshme është të ketë mundësi të humbur çdo për një zgjidhje paqësore dhe të drejtë ndaj konfliktit në Kosovë!” Ç´farë oguri i zi ,nga një shkencëtar i Europës !

 “Provokimi më i madh për Serbinë mbetet Lindja – Rusia, Kina dhe bota Islame…” tha Galtung. Në pyetjen, se si duhet zgjidhur problemi mes Kosovës dhe Serbisë, Galtung tha se duhet të formohet një federatë brenda Kosovës, në të cilën serbët e ndarë në tre kantone, do të gëzonin një autonomi të shkallës sëlartë.(shtypi sotëm))

 Zoti  Galtung  , unë e di se ku po iu dhemb, Jo Rusia ,e as Kina nuk qenkan rrezik për Europën ,por Islami  mëndoni ju.!

Po pse ç ´rrezik ka Serbia nga Islami ? Të gjitha vendet islamike në krye me Turqinë janë miqt më të mëdhenj të Serbisë   , janë përkrah’sit e Serbisë sot edhe atëherë kur u luftua. Pse s´e thua troç ?

”Nuk mund t´i ankohemi askujt. Të gjitha të zezat na vijnë nga vetvetja ” më thoshte një mik.Por po iu a themë edhe juve e edhe Europës se ne nuk jemi çerdhe e  islamizmit e as trampolinë e saj për në Europë. Këto janë disa fantazma , sajesa dhe hije  ogurzeza të krijuara nga vetë Serbia.  Ju e dini fort mirë këte.!

”Këta njerëz, që jetojnë mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe që nuk shquhen për zënka, deklarojnë se janë krejtësisht të paaftë për të gjykuar se cila fe është më e mira, por, për të qenë të sigurt se nuk do të hedhin tërësisht poshtë të vërtetën, ata me shumë urtësi ndjekin të dy fetë dhe të premteve shkojnë në xhami e të dielave në kishë, duke u justifikuar, se në ditën e gjykimit ata do e kenë të sigurt mbrojtjen nga profeti i vërtetë, por, që se cili ai është, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë. Unë besoj se nuk ka asnjë racë tjetër të njerëzimit që të ketë një mendim kaq modest për aftësinë e vet. Këto janë shënimet e bëra mbi diversitetin e feve që kam parë.( Letters from the Right Honourable Lady Mary Wortley Montagu 1709 to 1762, London: J.M. Dent & co.; New York, E.P. Dutton & co., 1906)

Mbetsh me shëndet Zotëri Johan Galtung dhe vazhdimësi të mbarë në permbarimin e teorisë së juaj : “ Paqja positive dhe ajo negative”  dhe  harroji konfederatat.

Fahri Xharra

Gjakovë 12, Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Johan Galtung, Ragip Kciku, Tungjatjeta

A kanë arsye të (mos)votojnë shqiptarët

October 12, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/

E pabesueshme, por e vërtetë, ata të cilët për vite u mbajnë “ders” bashkëkombësve se janë çlirues dhe heronj,sot bëjnë fushatë të përbashkët zgjedhore me ish zaptuesin e vendit, duke kthyer edhe një herë, erën e rëndë të pushtimit serb në këto troje, i cili për mëse 100 vjet ua pati zënë frymën shqiptarëve, që kërkonin liri nga ky shtet okupues.

Politikanët e aktual, pozitë dhe opozitë, duhet të japin përgjegjësi edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme,ndarjen e vendit dhe krijimin e entiteve të paqena autonome, deri më tani ,për të cilat negociohet pandërprerë, që nga viti 2011 e këtej me Serbinë, në dëm të Kosovës.

Përmbytja e vendit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar,jo vetëm se ka tkurrur tej mase perspektivën e shqiptarëve edhe gati 6 vjet pas pavarësisë,si populli më i varfër në rajon,por ato edhe janë bërë profesionet më të lezetshme me të cilat autorët e tyre të devotshëm, krenohen dhe krijojnë pasuri e pushtet,pa u brengosur se qojnë shtetin e ri të Kosovës në Dështim.

Ndaj,shqiptarët kanë shumë arsye që të bojkotojnë zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të mos votojnë për këtë kastë politikanësh,të cilët për vite me radhë, janë bërë shkaktarët kryesor të të gjitha të këqijave që përjeton Kosova dhe populli i saj.

Prijësit e këtij vendi,kush më pak e kush më tepër,jo vetëm se varfëruan skajshmërishtë popullin e tyre ,ngritën korrupsionin në kult jetese dhe vranë pa asnjë mëshirë perspektivën evropiane të shqiptarëve,por të gjithë bashkë edhe pranuan që më 19 Prill të këtij viti,në bisedimet e “suksesshme” ndërmjet Thaçit e Daçiqit,qysh atëherë të krijohej e ashtuquajtura “bashkësi etnike serbe”të cilën shumica e deputetëve në pushtet dhe opozitë, e miratuan  në Kuvend, ani-pse Serbia në këtë mënyrë,siguroi statusin autonom për Veriun dhe “Bashkësinë e Komunave Serbe, në Kosovë”

Kështu,ish shtetit okupues, duke parë dorëlirësin e pafund të prijësve aktual të vendit,si të asnjë shteti tjetër përreth nesh,lëshimet e bëra,megjithëse ishin shumë, nuk i mjaftuan,ndaj shfrytëzoi rastin të siguroj hise edhe në zgjedhjet e Kosovës,për çka me ftesën e baroneshës Eshton, siç jemi mësuar tanimë,me mënyrën tradicionale të organizimit, u mbajtën edhe bisedimet e 7 tetorit të këtij viti sipas diktatit serb,ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel,të cilat nuk ishin asgjë tjetër përveçse dështimi i radhës,i qeverisë,opozitës dhe shtetit në përgjithësi,për të përfunduar edhe me një fiasko tjetër për vendin dhe goditje të rëndë për të ardhmen e shqiptarëve në këto troje.

Përveç hises që Serbia fitoi për bashkëmbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës, ajo sipas marrëveshjes së fundit,(qoftë e fundit)do ta udhëheqë edhe fushatën zgjedhore të ish listës së përbashkët “Serbija” tani,të modifikuar si “Lista serbe” të cilën me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në fshatra dhe qytete anë e mbanë vendit,nga Leposaviqi deri në Shtërpcë e Prizren,do ta mbështesin dhe përkrahin përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë.

Gjithashtu,komplet qeveria serbe, duke filluar nga kryeministri Daçiq, zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ministri i ashtuquajtur “për Kosovën” Aleksandër Vulin,ministra dhe zëvendministra të të gjitha dikastereve e deri te kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq, ditët e ardhshme, do të vërshojnë vendin tonë në të gjitha anët, shëtitën lirshëm kudo dhe bëjnë fushatë të papenguar gjithandej,njëjtë si në Serbi, edhe në Kosovë.

Madje,të gjithë serbët të cilët e quajnë veten të “Kosovës” ani pse ata mund të jenë lindur e rritur në Serbi,dhe përpara mund të kenë qenë vetëm polic apo edhe ushtarak serb të ardhur nga Serbia për luftimin e “irredentistëve”në Kosovë, më 3 nëntor të këtij viti mund të votojnë me dokumente të Serbisë në zgjedhjet lokale të vendit tonë,por jo edhe mërgimtarët shqiptar.

Shifra e votuesve serb në Serbi, është fryrë deri në rreth dyzetmijë vetë, një pjesë e aplikacioneve false të të cilëve,në mungesë të dokumenteve valide, me të drejtë janë refuzuar nga KQZ,por që pas takimit të fundit në Bruksel ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të gjithë atyre pa përjashtim, u është bërë e mundur, të shtrojnë ankesa kundër vendimeve të KQZ-s.

Në anën tjetër nga rreth gjysmë milioni votues-shtetas të Republikës së Kosovës me të drejtë vote,sa ka në diasporë, KQZ, ka regjistruar vetëm 1800 sish, duke u mohuar pa asnjë sqarim pothuajse të gjithë mërgimtarëve shqiptar të drejtën e votimit, pa asnjë mundësi ankese për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.

Sidoqoftë, pa harruar qëndrimet e papërgjegjësi të politikanëve aktual, athua si i`a kanë qitur terezinë shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë, ta pranojnë dhe lejojnë ndërhyrjen e një vendi tjetër në zgjedhjet e tyre,sidomos të një shteti të pa rehatshëm fqinj si Serbia,që jo vetëm se refuzon ta pranojë pavarësinë, por ajo ka edhe pretendime territoriale ndaj vendit tonë e cila edhe me kushtetutë,ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj?!…

Mjerisht, shqiptarët,e udhëhequr nga politikan të tillë, nuk kanë çka të zgjedhin as çfarë të lënë,ngase mu këta prijës janë vet problemi i këtij vendi. Ndaj,si shumicë ,shqiptarët duhet ta pyesin veten se a është e udhës,që ata të marrin pjesë në këto zgjedhje, vetëm sa për ta legjitimuar ngrehinën autonome serbe në Kosovë?!…

A duhet të dalin fare në zgjedhje,kur ata në të  vërtetë nuk kanë as për kënd të votojnë?.. cilët janë ata emra që edhe pas gjithë këtyre të këqijave të grumbulluara, ende meritojnë votën e tyre,kur për fatin e keq të shqiptarëve, cilado parti apo kandidat që mund të vijë në pushtet nga politikanët aktual,për ta është mëse e sigurt se nuk do bëhet asgjë më mirë.

Ndaj edhe po nuk votuan fare, për shqiptarët më zi- më nuk ka se ku të shkojë, përveç se mund të shpëtojnë nga një kurth dhe tradhti e madhe kombëtare, si aprovimi me votën e tyre, i një ngrehine autonome serbe në Kosovë, e cila pas këtyre zgjedhjeve edhe do të legalizohet ndërkombëtarisht dhe nuk mund të zhbëhet më kurrë.

Kështu,duke parë rreziqet që qojnë edhe në ndarjen e sigurt të vendit me këto votime, pa asnjë dobi për shumicën,dhe shumë të dhimbshme për dhjetëra mijë-të dëbuarit shqiptar me dhunë nga pjesa veriore, të cilët nuk do të guxojnë më asnjëherë të kthehen në ato anë, me të drejtë lind pyetja-përse duhet dalë patjetër në zgjedhje,apo vetëm për realizimin e planeve të Serbisë në Kosovë.

Por edhe përkundër të gjithave,nëse ju megjithatë vërtetë vendosni të dilni në zgjedhje,ju lutem mendoni vetëm pak,para se të votoni,se a janë këta njerëzit e duhur që mund të ndryshojnë diçka për të mirën tuaj,dhe para së gjithash, a keni kujt t`ia epni votën, kënd dhe çka të zgjidhni or shqiptar të dashur,ngase të pakt duhet të jenë ata udhëheqës dhe shtete në botë, nëse edhe mund të ketë të tillë, të cilët çliruan vendin me ndihmën ndërkombëtare,por pas pak vitesh u penduan dhe rikthyen pushtuesin në atdheun e tyre, me vullnetin e vet, siç ndodhë tani me mbretërit kosovar.

Gani Qarri, Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arsye, Gani Qarri, shqiptaret, votim

“NËSE NUK DO T’I SHMANGESH KËNETËS, DO TA KESH FATIN E KALLAMIT”

October 12, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar miq të mi pa tarafe! Nëse këtë vështrim të radhës do ta thur me “llafe të mira”, nuk do të thotë se do të reflektoj gjë. Nuk do të thotë se gjykimet e mia detyrimisht duhet të marrin udhën e së vërtetës, argumentit a ndonjë prove tjetër. Ndaj, që të mos keqkuptohem, do të përpiqem që këtij shkrimi të mos ia fus ashtu, kot fare. Që në fillim po i vë në parantezë dy thënie të mençura popullore: “Nga avllia duket shtëpia, nga e ëma njihet e bija”, (e para), dhe e dyta – “Nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, do ta kesh fatin e kallamit!”

Ka shumë kohë që në hapësirat tona intelektuale, politike, kulturore, fetare po edhe diplomatike, dëgjohen ca ulërima të mëdha, të forta, herë pas here të mbytura, të stërzgjatura, të pakontrolluara dhe mbase edhe të “paartikuluara”! Të gjitha këto ulërima janë pjellë e njerëzve që kur nuk i kanë informacionet a provat e sakta, mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë, madje çdo të thënë që nuk u shkon për “hesap”. Njerëzit e tillë në vend që të ushtrojnë me ndërgjegje profesionet e tyre dhe në vend që “plehrat t’i hedhin mbi plehra”, ato i sistemojnë aty ku nuk e kanë vendin.

Nëse do të na lejohet, paragrafin e parë të këtij vështrimi, do t’ia dedikojmë fjalorit a të folmes së disa njerëzve që “merren me politikë apo (në variantin metaforik) që politika merret me ta”, si dhe personave përgjegjës që e kanë për detyrë ta vlerësojnë atë të folme (nëse ka diç për të vlerësuar). Ekspertët e gjuhës së sotme shqipe me plot gojën do të thonë se e folura e disa politikanëve (hiq mënjanë politikanët e shtetit amë) nuk është e standardizuar dhe, kur nuk është e tillë, atëherë mbetet që të jetë një komunikim krahinor a një shqiptim dialektor i papërdorshëm, fare pak i kapshëm dhe gjithsesi i pakuptueshëm për opinionin më të gjerë publik. Thjesht, ky “komunikim  politik” i tyre ushqehet me atë gjuhën e “përbaltur”, të përçudnuar, të denigruar (sa për të mos thënë edhe të shkultivuar) dhe, sa herë që e dëgjon aq herë, zorrët të vijnë në fyt… Madje, shpesh “detyrohesh” të mbyllësh veshët dhe sytë! I gjithë ky shtrembërim i gjuhës, kështu siç hetohet, të krijon përshtypjen sikur tmerrësisht dhe pamëshirshëm ka pllakosur të gjitha institucionet që duhet të jenë shembull i përdorimit të drejtë dhe normativ të shqipes standarde!

Prandaj, gjithsecili gjuhëtar i ndërgjegjshëm me të drejtë do të gjurmojë a do kërkojë shkaqet e këtij komunikimi të zbehtë dhe të pavarur të disa politikanëve sidomos atyre që i takojnë gjeneratës më të re. Ndoshta do t’i referohen sintaksës së gjuhës sllave (që ne më të moshuarit, dikur detyroheshim, ashtu pavullnetshëm, ta shkruanim dhe ta flisnim), mandej me të drejtë do t’i referohen edhe “hartës” së përgatitjes së “mangët” profesionale a arsimimit të tyre paraprak fillor, të mesëm dhe akademik. Tekefundit, as “sintaksa sllave, as harta e (mos)përgatitjes profesionale, as shqiptimi dialektor” nuk e justifikojnë këtë katrahurë të foluri të denigruar, po qoftë ai të jetë edhe politik. Duke pasur parasysh se retorika është dhunti, duke e pasur parasysh se ajo nuk mund të ndërtohet brenda një periudhe të caktuar, atëherë së paku duhet të ushtrohet… Sepse  kështu si prodhohet kjo e folur nuk e nderon, nuk e kondicionon, nuk e humanizon dhe as që e fisnikëron postin e politikanit!

Paragrafin e dytë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po e fillojmë duke iu referuar disa mendimeve të shprehura të “kolumnistëve” shqiptarë, sa i përket politikëbërjes së lidershipëve nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, pa dallim se i takojnë përkatësisë fetare ortodokse, katolike a myslimane.., pavarësisht se kanë postin e presidentit të shtetit, kryeministrit, a ministrit të punëve botore. Të gjithë këta “me demek kolumnistë”, në mungesë të njohjes së kësaj problematike, mëtojnë që këmbë e krye t’i paragjykojnë, aq sa të futen padrejtësisht edhe në oborrin e privatësisë së tyre.

Nëse sot e gjithë ditën, shqiptarët karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe (që kombet e tjera nuk e kanë) dhe nëse ata shekuj me radhë ndërtuan atë kështjellën e harmonisë ndërfetare dhe nëse kryefjala e diplomacisë së tyre është relativisht e re, assesi nuk do të thotë se gjendet në fund të pusit të diplomacisë evropiane. Thjesht, nuk duhet lejuar gjithsecilit politikan, që hiqet për mysliman, katolik ose ortodoks të devijojë nga ky koncept, nuk duhet lejuar politikanit, që partisë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me partitë tjera përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë parti dhe, për këtë e arsye të tjera, nuk duhet lejuar askujt që njërën ta proklamojë parësore e tjetrën dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, do të futen në radhët e tradhtarëve të popullit!

Parashtrohet pyetja se kush synon sot ta rrënojë kalanë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët? Padyshim se këtu do të kenë hise gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare. Disa të tillë “kolumnistë fluturakë dhe iluzionistë” nga Tirana dhe Prishtina (pa dallim feje) dhe përtej tyre, përpiqen që politikanët shqiptarë (myslimanë) t’i “… paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë”!? Këta “me demek kolumnistë” do të parashtrojnë pyetjen idioteske se pse ish- kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, dikur i “vardisej” diplomacisë turke si dhe kryeministrit Tayip Recep Erdoğan…, pse sot kryeministri i Republikës të Kosovës, z. Hashim Thaçi e përsërit atë rrugë… Disa “kolumnistë” shqiptarë myslimanë do ta përsëritin pyetjen idioteske: pse kryeministri z. Edi Rama “merr anën e jomyslimanëve”…, pse ish- presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Aleksandar Mojsiu, takonte diplomatë evropianë me përkatësi fetare katolike…, apo pse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, takohej me diplomatë ortodoksë grekë e tjerë. Këtyre kolumnistëve u mbetet vetëm një gjë, nuk duhet majorizuar dhe as minimizuar përkatësinë fetare të lidershipëve shqiptarë, edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) që në vijimësi mëtojnë ta zbehin këtë.

Andaj të gjithë analistët politikë, po edhe “kollumnistët” shqiptarë pa dallim feje duhet ta dinë se kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot nuk është “… as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil, as e vërtetë e vockël historike. Përkundrazi, kjo harmoni politike dhe fetare është pjellë e një historie dramatike të shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja.

Ata që kanë teserën, po edhe që janë kompetentë për t’u dalë në ballë këtyre abuzimeve që i bëhen të folmes politike të shqiptarit, ata që e heshtin mungesën e tolerancës dhe harmonisë  ndërpartiake e ndërfetare te shqiptarë, nuk kanë të drejtë të heshtin, nuk kanë të drejtë të thonë se kjo nuk na “intereson”, nuk kanë të drejtë që këtë  katrahurë ta ndjekin nga larg, thjeshtë, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë mënjanë. Sot, gjithsecili shqiptar që do ta përbaltë, do ta përçudnojë e (të mos themi edhe) që do e shkultivojë harmoninë dhe tolerancën politike te shqiptarët, duhet ta dijë se ashtu pa hiri shkel mbi themelet e kauzës së kombit. Në instancë të fundit nuk kanë të drejtë ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale: “Për inat të vjehrrës, do të fle me mullixhinë!”

Të paragjykosh do të thotë t’ia vësh flakën së vërtetës… dhe, nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, atëherë do ta kesh fatin e kallamit! Prej kallamit nuk del gjë!

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, kallami, keneta

NJE COPEZ SHQIPERIE TEK FITUESJA E NOBELIT PER LETERSINE

October 12, 2013 by dgreca

Studiuesja italiane Olimpia Gargano në Çmimin Nobel për Letërsinë aty është një pjesë e Shqipërisë/

 Nga Gëzim Llojdia/

Ne Foto: Olimpia Gargano/

Studiuesja italiane Olimpia Gargano e cila mund të quhet Edit Durham i këtij shekulli ka dërguar për gazetat shqiptare këtë shënim të sajën për fituesen e çmimit Nobel. Gargano e quan këtë çmim si një copëz Shqipërie,sepse tregimi “Virgjëresha shqiptare” ndoshta është më i bukuri në kurorën e shkrimtares kanadeze.

Ja çfarë shkruan Olimpia Gargano:Në Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2013 aty është një pjesë e Shqipërisë , një nga tregimet më të bukura të shkrimtares kanadeze  Alice Munro , fitues i çmimit prestigjioz letrar dhënë vetëm nga Akademia Suedeze , në fakt është i përkushtuar për figurën e burrnesha . Titulluar “Virgjëresha shqiptare” ( “Virgin shqip “)është pjese e grumbullimit Secrets Hapur ( Neë York , Alfred A. Knopf , 1994) , e cila është konsideruar si një nga antologjitë e tij më të mira .

Alice Munro u lind në vitin 1931 në Ontario (Kanada ) , është një specialiste në histori të shkurtër apo ” histori të shkurtuara” . Shkurtësia , kuptohet si një përdorim të mençur të fjalëve të reduktuara në minimum , është trakti i saj  i paimitueshëm , protagonistët e tregimeve të  saj janë njerëz të zakonshëm nga ndjeshmëri të jashtëzakonshme,duke  vëzhguar njerëzit dhe gjërat në hollësi të madhe si : dashurie ,vuajte , ata jetojnë intensivisht të gjitha nuancat e ndjenjat e tyre .Në “Virgjëresha shqiptare”është historia e , një grua të re duke luftuar me një histori të vështirë dashurie tregon një histori që ka ndodhur shumë vite më parë me një grua kanadez ,në një fshat në veri të Shqipërisë . Tashmë në vijat e para të tregimit , e cila është dhënë më poshtë, ne shohim një stil konciz dhe i saktë. Alice Munro kap në një goditje pak të penës shpirtin i maleve shqiptare ,forca e heshtur e popullit të saj dhe thjeshtësia e grave të tij luftëtare .

“Ndoshta ajo u përpoq për të thënë emrin e saj atje në male , dhe në Malësia Madhe , dhe atë që ata kishin dështuar për të kuptuar se ishte ‘ Lottar ‘ . Ajo kishte një plagë në këmbën esaj , të cilën ajo e kishte prokuruar mbi shkëmbinj të mprehtë , kur ata qëlluan në drejtimin e  saj. Ajo  kishte ethe .

Sa kohë u desh për ta sjellë atë nëpër male , përfundoi në një qilim dhe e lidhi për të mbështetur një kalit, ajo nuk mund të imagjinohet . Nga koha në kohë i dha të pijë një grimë ‘ e ujit , dhe nganjëherë rakisë , e cila ishte një lloj brandy , shumë i fortë . Ai mund të ndjejnë aromën e pishave . Pasi ata ishin në një barkë , dhe ajo tha se u zgjova dhe pashë yjet që shkëlqenin dhe u zhduk dhe ndryshuar  vendi – grupimeve paqëndrueshme që dha vjelljen e saj .Më vonë e kuptoi se duhet të ketë qenë në liqen.Liqeni Scutari ,ose Sckhoder , ose Shkodrës . Ata qëndruan ndër xunkthe .

Qilimi ishte plot me insekte , të cilat kanë bërë rrugën e tyre nën zhele lidhur rreth këmbën e saj. Në fund të ditës , edhe pse ajo e dinte se ishte fundi , e gjeti veten të shtrirë në një kasolle guri , e cila ishte një ndërtesë e bashkangjitur në shtëpi të madhe , të quajtur Kulla . Ajo ishte te vendi  e sëmurë dhe duke vdekur . Ajo ishte te vendi ku ata vijnë në botën e fëmijëve :  gratë ishin në fushat e grurit , ose në anët e rrugës , ndërsa mbante ngarkesa të rënda ndaj * tregut “.Kjo nuk është hera e parë që karakteri i frymëzuar nga gratë burrnesha të  famshme në kulturën e gjuhës angleze : në dhjetor të vitit 2011, në një intervistë me New York Times,aktorja e madhe amerikane Glenn Close tha se ajo ishte frymëzuar nga shembulli i ” betuar virgjëreshave  shqipe” të përsërisë rolin e saj  si një grua e veshur në rroba të meshkujve në filmin anglo- irlandez të  Nobbs Albert , drejtuar nga Rodrigo Garcia.

             Kush është Olympia Gargano

Lindur në Ravello në bregdetin Amalfi, me një diplomë në Classics, me specializim në gjuhësi dhe Master italiane në mësim të gjuhës italiane për të huajt.
Përkthyese (nga anglisht,frëngjisht, gjermanisht)e veprave  të reja nga udhëtarët e huaj në Italinë jugore .Profesore e gjuhës italiane dhe latine në shkolla të larta, është e angazhuar aktualisht në një projekt kërkimor për imazhin e Shqipërisë të letërsisë moderne dhe bashkëkohore evropiane në NICE Sophia Antipolis – FRANCE. Olympia Gargano ka  pjesë të aspiratuës Universitetin e NiCE  Sophia Antipolis – FRANCE ,studimin :Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX .

 

Filed Under: Kulture Tagged With: nje copez shqiperie, Olimpia gargano, tek Nobelistja fituese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT