Nga Elona ZHANA/
Nëse do të donim të bënim një studim sociologjik korrekt në lidhje me fenomenin e « JO- shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri », puna do ta donte që ky fenomen të ndahej në dy segmente.
Ai i pari dhe realisht i vetmi që mund të studjohet gjer diku me objektivitetin që e lejojnë shkencat jo-egzakte, do të konsistonte në studimin e rrezikut apo benefitet që një sipërmarrje e tillë do ti sillte Shqipërisë dhe shqipëtarëve. Në stadin e sotëm të zhvillimeve, fakti që shteti i dytë më i fuqishëm në Europë i cili për më tepër nuk shquhet fare për qasje pro-amerikane, më të gjitha gjasat do të kontraktojë sipërmarrjen në fjalë, do të thotë që çështja e rrezikut duhet të ketë qënë një mistifikim. Sa për benefitet, në këte rast të humbura nga ne, flitet për një buxhet që e trefish -kalon buxhetin e qeverisë shqiptare në totalitetin e aktivitetit të saj, pa llogaritur edhe krijimin e ndonjë ngërçi të përkohshëm e të pjesëshëm, le të shpresojmë, me aleatin tonë historik.
Segmenti i dytë, po aq i rëndësishëm sa i pari është mobilizimi popullor. Pavarësisht të gjitha kushteve, apo para-kushteve, atyre reale apo të skicuara, vullneti i shqiptarëve ishte i pakontestueshem. Për më tepër shqiptarët jo vetëm që shprehen vullnetin e tyre por edhe morën kujdesin që ky vullnet të respektohej. Kjo e fundit përben një risi në historinë bashkëkohore të Shqipërisë.
Politikëbëresit dhe mediat , siç ndodh rëndom në Shqipëri, arkitekturojnë një katrahurë sociale duke u përpjekur të gjejnë “fajtorë ” (për humbjen e një rasti të volitshëm ) apo “fitues e heronjë” për shpetimin nga e keqja. Ceshtja çalon që në shtrimin e problemit : nuk ka as fitues e as fajtorë! Shqipëria funsionon sipas rregullave të veta të bazuara në arsye që vetëm shqiptarët i njohin, madje edhe kjo puna e “të njohurit” duhet marrë me rezervat dhe distancën e një analize cognitive. Shqipëria është krenare, kokëfortë dhe tokë pasioni. Ka qënë, është dhe me sa duket nuk është e nxituar të ndryshojë shpejt!
Ajo që është shqetësuese sa në studimin e fenomenit edhe në studimin e këndveshtimit të analistëve dhe opinionformuesve shqiptarë, është mungesa e sjelljes në kujtesë të opinionit publik, të raporteve që një shtetas duhet të ketë me demokracinë.
Demokracia, në të gjitha format e saj, edhe pse ne shqiptarët njohim vetëm dy : atë perfaqësuese dhe atë direkte, nënkupton respektimin e së drejtes ligjore dhe shtetit. Në zhargonin popullor do të përkthehej : i kë dhënë votën filan fistekut, atëherë lëre të punojë për aq kohë sa ai nuk del nga roli që i referon ligji.
Fenomeni i “JO-armëve kimike në Shqipëri” nuk ngre çështjen e zbulimit në u bë mirë a keq! As kush kishte të drejtë e kush jo. Ky fenomen flet më shumë në lidhje me raportet që egzistojnë mes shtetasit shqiptar dhe besim/ mosbesimit të tij në demokraci.
Carl Devos (i qëndrës së majtë) , dekan i shkencave politike në Universitetin e Gentit i cili ka botuar së fundmi një studim mbi krizën e demokracisë në Europën perëndimore dhe që repertorohet në best seller-at e ketij viti për lexuesin hollandishtfolës të Belgjikës do të fliste për një shndërrim të nocionit demorkaci në folje të zgjedhimit të parë.
Archives for November 2013
Migjeni dhe unë
nga Ernest Koliqi (1974)/
Dosja e “Arbërisë” Kush merret me politikë duhet të llogarisë edhe pasojat që rrjedhin nga një veprimtari e tillë, d.m.th. Do të presi të shame (shumë) e lavde (pak), shpesh të teprueme e në daç të parat e në daç të dytat. Në rrethin shqiptar mandej, ku pjekunia dhe njerzia shoqnore ma të shumtën mungojnë, miratimi e kundërshtimi shfaqen në mënyrë të pabukur, pa shkallzim ngjyrash (nuanca). Edhe lavdì përdoret jo aq në naltësim të akcilit, po si e shtime pushke e tërthortë për të mposhtë ndoj kundërshtar. Me kohë ndoshta do të arrijmë edhe na të shofim kthjelltë, e zotësi dalluese mendje, në të gjithë shtrimjen e ndjesive larmiplote. Jo të ndame primitivisht me nji vijë të preme, këndej të mirët e të ndershmit, andej bakëqinjtë e të mbrapshtit… Nevojitet kohë që trutë tonë të thithin parime qytetënimi dhe të çlirohen nga skema e mirëfilltë mendore që përfshihet në dy majat e boshtit: “Hosana e Crucifige!” Kështu tue qenë punët, ma i miri qendrim për nji shqiptar që merret me politikë asht mos me i përfillë tepër as lavdet e as të shamet dhe me i përbashkue si të parat ashtu dhe të dytat në sitën e ndërgjegjes së vet, pa ja vu veshin fjalëve të hallkut. A nuk thotë goja e popullit: “Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit, nuk mbyllen kurrë!” Kjo në fushë politike, kurse në atë letrare meseleja ndrron. Thashemthanat e pathemelta duhet me i përgënjeshtrue, sepse kultura dhe letërsia e nji kombi janë visar i çmueshëm, janë palcë e jetës së fisit që duhet ruejtë e papeçatun, gangulluer. Kjo më shtyn me ndreqë do lajthime, të meta kritike dhe shtrëmnime të së vërtetës që sjellin mjegullim e pështjellim të damshëm në historinë tonë letrare, e cila përmbledh e rradhit kronologjikisht vlerat shpirtnore të kombit dhe fuqinë e tij krijimtare. Prandaj u lypi ndjesë lexuesv të “Shejzave”, po qe se këtu po shpërdoroj durimin e mirësishëm të tyne tue mbrojtë të vërtetën në nji çeshtje letrare ku ndodhet i ndërlikuem e i përziem personi im. E njoh veten jo person politik që merret me letërsi, por letrar, që rrethana të veçanta e hodhën në vallet e politikës. Prandaj mbrohem si letrar. Çka flitet për mue si nji njeri politik nuk më ban as të nxehtë e as të ftohtë: jam vadit me at’ avaz. Nji gja më vjen keq e më prek: se ndër shkrime në daç të nënshkrueme, në daç anonime, ku unë sulmohem, të shumtën e herëve strapacohet ma tepër gjuha shqipe se personi im. Po të vimë në temë. Skënder Luarasai, në hyrjen e vëllimit të tij me titull: “Migjeni” (Tiranë 1957, faqe 22-23) shkruan (nuk kuptohet a pse keq i informum, a se deshtas me qëllim denigrues) çka pason: “Me Migjenin u pa se në qiellin e Shqipërisë, ku dukej se qenë shuar yjet letrare, po lindte një diell… Rinia, gjithë rinia, së cilës i qante zemra për pak dritë e ngrohtësi në atë stinë të ftohtë të letrave shqiptare e përqafoi me gëzim e shpresa të mëdha për të ardhmen e kulturës tonë. Shtypi klerikal heshti duke pritur një qëndrim armiqësor: Shtypi i regjimit u përpoq ta bënte1) për vete Migjenin. Ernest Koliqi, i cili e njohu përnjëherësh talentin e Migjenit, i shkroi redaktorit të Illyrisë nga Roma2) që ta siguronte me çdo kusht bashkëpunimin e Migjenit për atë revistë profashiste. Kur me 7 shtator 1935, u botua vjersha “Të lindet Njeriu”, po Koliqi, ky agjent i imperializmit italian3), që paguhej për të rekrutuar intelektualët shqiptarë në shërbim të fashizmit, përdori dhelpëri për ta shtënë poetin e ri shqiptar në kthetrat e tij fashiste Një dhelpëri të tillë përdori edhe redaktori përgjegjes i revistës “Illyria”, i cili dërgon kët letër lajkatare, me 4.XI.35: Të ndertit zotni Millosh Gjergj Nikolla, Shkodër: Shkrimet e Z. S’uaj, të cilat menjiherë kem vrojtë se kishin nji theks ndiesie për t’u shënue e sidomos nji tingull njerzor drejtuar kah vuejtjet e të vogjëlve, jemi përpjekur t’i qesim sa ma ne shesh në faqet e të rinjve. Për me ju dhanë zemër të vijoni sa ma me zell në udhën letrare që aq me seriozitet qëllimesh keni kap, këshilli i redaksisë i fletores sonë, vendosi me botue mbas sodit vjershat dhe copat në prozë të juaja në faqen e tretë. Si e dini në faqen e tretë shkruejnë vetëm ata autorë që mirë o keq e kanë marrë njifarë shugurimi nga publiku. Shpresojmë se edhe mbas sodit zotnia juej keni me bashkpunue në mënyrën sa më të afërme në fletoren tonë, e cila nëpërmjet qëllimeve të tjera, ka edhe atë t’i përkrahi të rinjtë me vlerë dhe ndjenja bujare. Vendimi i këshillit të redaksisë, përsa ju përket juve, asht nji dëshmi e qartë e kësaj përkrahje. Tue ju urue suksese sa ma të gjalla, për dobinë e artit dhe të letërsisë shqipe, ju lutemi të na dërgoni sa ma parë shkrime në mënyrë që së paku krye dy javesh emri juej të dali në faqe të dali në faqe të tretë. Si titull shpërblimi kësaj here drejtori dau me ju dërgue franga ari 10 (dhjetë) me mandat postë dita e sotme…4)” Këta ma të parët shkrime të Migjenit kanë randësi të madhe se dëftejnë menjëherë talentin letrar të Milloshit dhe dëshmojnë se me sa kujdes i kish ruajtur njohuritë e tij të gjuhës amtare, megjithëse ishte larguar prej qytetit lindor dhjetë vjet më parë, që kur ishte kalama; tregojnë se ç’ndjenja të forta e lidhnin me atdheun e tij. Dhe ato letra të rektorit të “Illyrisë”, tregojnë se në ç’mënyrë lajkatare, dinake u përpoqën profashistët në Shqipëri ta bënin të tyrin; tregojnë dhe se ç’karakter pati Migjeni, i cili nuk ra viktimë e kurthit të tyre!”5) Unë s’ia mohoj kritikuesit kuqalash, që dikur e pata dhe koleg në arsim, mjeshtërinë e perimtimeve letrare dhe historike, por tuj e njollosë e prishë në pikpamje shkencore vlerën e shkrimeve të veta, tepër lehtë ai tërhiqet nga fryma ideollogjike(?), ndërkrehet, humbet toruan dhe shkallon prej analizës së mirëpeshueme në shamje e dhunim të së vërtetës. Dam për letërsinë shqipe! Punët natyrisht u zhvilluan disi ndryshe e jo ashtu si i tregon panegjeristi i Migjenit. I nënshkruemi… si lexues i zhuritur veprash poezie, qysh në moshën ma të gjelbërt, sa i ranë në dore do vjersha të Migjenit, kuptoj se ai pajisej me nji talent të njimendët poetik. Shija ime u shtrue ndër autorë së pari klasikë e neoklasikë, ma vonë në poetë të simbolizmit, sidomos flamant, ndoshta mëtonte në struktura formale kujdes ma të madh gjuhsor e stilistik. Kjo nuk më ndalonte veçse të çmoj në vjershatorin djaloshar hovin e ndjesive dhe të nji lumnije shprehjesh që merrnin ma tepër fuqi shi nga thjeshtësia e mungesa e plotë e qëllimeve lajkatuese. E bisedova me miqtë e “Illyrisë” dhe i nji mendjeje me Branko Merxhanin e Karl Gurakuqin, vendosëm me ia botue Migjenit, alias Millosh Gjergj Nikollës, vjershat në faqen e tretë të së përkohshmës, dmth, në faqen ku paraqiteshin shkrimet e auktorëve tanë ma të njoftun. Asokohe (1935), unë isha student në Padovë, e nuk merreshim me politike, prandej “agjent i imperializmit italian” (në paça qenë ndonjiherë…) duhet të jem ba ma vonë. Rreth asaj periudhe që shkon prej 1934 e deri 1937, Skënder Luarasi predikonte marksismin stalinian, i cili orvatej me shkallmue e dërrmue botën shqiptare që kishte nevojë për njësi, dhe përhapte idena dasije të klasave dhe frymën e luftës civile. Në nji kohë kur duhej fuqizue ideja kombtare, shpallte nevojën ndër të rinj të organizmeve ndërkombëtare, dmth hymjen e gjindjes shqiptare nën suazën e imperialismit sovjetik. Agjent, deshtas ose padeshtas i Rusisë. Vetëm dishiri me qit në pah nji poet i shtyni redaktorët e “Illyrisë” t’i drejtonin Migjenit nji letër trimnuese dhe t’i dërgojnë nji shpërblim për vjershën e botueme në faqen e tretë të së përkohshmes, vjershë që iu ra menjiherë në sy qeveritarëve të kohës, të cilët i qitën mjaft turbullime drejtorisë së saj. Fakti se asnji qëllim korruptues nuk e frymëzonte të nëshkruemin, qi njofti botnisht prirjen e rrallë poetike të Migjenit, e provon pak vjet ma vonë pranimi i tij në rradhën e auktorëve rendue e parashtrue n’antologjinë “Shkrimtarët Shqiptarë” (Tiranë 1941, pjesa e dytë, faqe 471-475). Në atë kohë s’kishem ma nevojë ta baj për vete, simbas mendjes së Luarasit, poetin orëzi shkodran, sepse së pari ky kish ndrrue jetë më 1938, dhe së dyti, mbasi Shqipnia tashma gjendej pjesë e Perandorisë së Liktorit, ish sosë çdo qëllim korruptimi. Dalja në antologjinë e lartpërmendur të emrave të Faik Konicës (fq.236-249), Fan Nolit (fq.272-288), Mit’hat Frashërit (294-304), e Millosh Gjergj Nikollës nuk mbet pa ba bujë. U padita si përkrahës personalitetesh e shkrimtarësh kundërshtarë të gjendjes së re. Padinat shkojshin te Mëkambsi, dhe ishin të përpilueme nga shqiptarët, ndër të cilët ndjehej edhe ndonji patriot, që sot më ngarkon me faje të randa politike… Migjeni xen nji vend të spikatun, në rradhën e shkrimtarëve tanë, por ia damtojnë namin ata që hiperbolikisht e ngjisin në Majën e Parnasit, ku mbretnon me dy tri shokë të tjerë Fishta. Nga “Illyria”, Migjeni mori vleftë e zà…6). Luarasi ka arritë vonë si shpallës i talentit të tij. Ka nis me ia burizanue emnin kur drejtuesat e huej te kuqalashizmit tonë hetuen në poetin e shqetë nji auktor të përshtatun me u instrumentalizue për qëllimet e veta hegjemonike mbas dekës së tij. Tash vonë, edhe nji farë Musa Krajet, në vepërzën e thatë: “Migjeni mësues” (Tiranë 1973, faqe 15) më shpifet gratis (duket se kuqalashve u djeg puna se ne e kemi hetue, zbulue zotësinë poetike të Migjenit para tyne) përkitasi me poetin e zhdukun para kohe. Qe çka thotë: “Ky rreth shoqëror (i Shkodrës), ndonëse jo shumë i zgjeruar, kishte hera-herë në mes edhe ndonji intelektual të njohur për pikëpamjet e qëndrimet e tjera. Nji nga ata ishte edhe Ernest Koliqi, që kishte qenë mësues e më vonë Ministër fashist i Arsimit. Koliqi kishte bërë ndonji lavdërim për Migjenin, i bindur se “fjala ka këmbë”, e duke i bërë qejfin, do ta bënte për vete kët njeri të thellë. Dhe është kuptimplote ajo që ngjau nji ditë, kur ky agjent i vjetër i fashizmit duke treguar barcoleta(?), tregoi edhe për nji malsor dhe nënën e tij, duke vënë në pah gjoja budallallëkun e malësorit. Kur të gjithë qeshën, Migjeni jo vetëm që heshti pa asnji shenjë kënaqësie, po i hodhi Koliqit nji shikim përbuzës, duke i thënë shokut të tij në dalje se: ‘Koliqi ishte njeri që tallej me hallet e popullit!’” Këtij jetëshkruesi të panjoftun të vjershatarit shkodran, nuk ia vlen barra qeranë me iu përgjegj, tue shpenzue frymë kot. Mjafton t’i kumtoj se unë kurrë s’e kam njoftë personalisht Migjenin, prandaj as nuk kam pasë rast të rrij në kafe me të. Kaq për hir të së vërtetës. *** 1)Nuk mund të radhitet “Illyria” ndër organe shtypi të regjimit, seps për çdo numër drejtoria e saj kishte telashe me ministrin e mbrendshëm të kohë. Sa për Branko Merxhanin, e redaktorët e tjerë (Anton Logoreci, Odise Paskali, Ismet Toto, etje.) nuk ishin sigurisht përkrahsa të regjimit. Sa për të nënshkruemin ai ndejti pesë vjet në mërgim (1924-1929), si ndjekës i qeverisë Fan Noli-Gurakuqi. Shtypi tjetër (fletore të përkohshme) as nuk bante tenezyl t’ia përmendte emrin Migjenit. Aso kohe nji poet ndjehej djerraditë kryekcyem! 2)Në Romë kam shkue i transferuem nga Padova, si lektor i shqipes në Universitet, në tetuer 1937. Në peridhën që përmend Luarasi isha për vakancë në Tiranë, e bajsha pjesë në redaksinë e “Illyrisë”. 3)Kam mjaft për me thanë, por e la për nji herë tjetër. 4)Përmbajtja e shkresës është e redaktorëve. Përpilimin e bani Karl Gurakuqi, siç e tregon qartas edhe stili tipik i tij, që ndiqte gjuhën e mesme zyrtare… 5)Mbas lajmeve që na erdhen prej Shkodre, Migjeni u gëzue shumë për letrën nxitëse të redaksisë së “Illyrisë”. Përkundrazi na u idhnuen disa të tjerë vjershatarë të rinj, ndër të cilët M.N., që nuk u gradue poet i faqes së tretë. 6)Në periudhën e bashkimit Shqipni-Itali, Beqir Valteri, në zyrë të “Shkëndisë”, e përkohshmja ku bashkpunuen, nji pjesë e mirë e shkrimtarëve, të cilët ma vonë fituen namë e za si përfaqësuesa të rrymë letrare të realizmit socialist, më solli profesoreshën Ollga Nikolla, të motrën e Migjenit, zonjushë e urtë, me sjellje të mira dhe arsimtare shumë e pregaditur. Ajo kishte përshtypjen se do t’u salvonte nga sistemi i ri. Unë e ndihmova me të gjitha mundësitë e mija, që aso kohe nuk ishin të vogla. Përkrahjen time ajo e meritonte, pa marrë parasysh mendimet dhe ndjesitë e saja, që unë nuk desha t’i hulumtoj… Marrë nga “Shejezat” vjeti XVIII – 1974 – nr.1-10(Kortezi:www.Radiandradi.com)
Shefqet Krasniqi e tejkalon çdo normë kombëtare
Nga Fahri XHARRA/
“Deklaratat dhe veprimet e Shefqet Krasniqit në kohën e fundit i kanë kaluar të gjitha normat morale të një predikuesi fetar, e çka është më tepër një presoni i cili thirret në një fe siç është Islami. Vetë fjala “Islam” d.m.th. paqe, prandaj misioni kësaj feje është që në rruzullin tokësorë të reflekton tolerancë, bamirësi, luftimin e të keqes, kundër dhunës, etj..(G.I.): Feja Islame është tolerante ndaj vetë myslimanëve po edhe ndaj jomyslimanëve, vetë traditat e saj kanë treguar se popujt mysliman që nga koha e Muhamedit e deri në ditët e sodit kanë ditë t’i ruajnë vlerat e veta por edhe t’i respektojnë vlerat e të tjerëve. Prandaj predikimi i Shefqet Krasniqit në emër të fesë Islame është plotësisht i pa bazë dhe i pa argumentuar, i cili e keqpërdorë fenë Islame për qëllime të caktuar, të një grupi të caktuar njerëzish për interesa të ngushta. Deklaratat e tij janë aq irrituese dhe skandaloze sa që pyes veten e bënë me vetëdije apo është i obliguar nga qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit që të përçaj komunitetin mysliman në Kosovë apo edhe të ndjellë urrejtje ndaj të tjerëve.
“Çështja e shamisë nuk ka përfunduar, ajo vetëm sa ka filluar të aktivizohet si duhet, si një problem mjaft i tej-zgjatur dhe i manipuluar, i cili duhet të rregullohet sa më shpejt që është e mundur. Të mos harroi Express e as të tjerët se vullnetin e popullit nuk mund ta mposhtë as udhëzimi administrativ i një ministrie të lodhtë, e as kushtetuta e cila nuk ka zbritur prej qielli, e as asnjë fuqi tjetër në këtë dynja.’ ‘Unë jam i gatshëm të pranojë çdo qëndrim burrëror e të drejtë në mbrojtje të shamisë nga çdo lider e qytetar, qoftë ai edhe me kryq në ballë, ngase edhe unë do të isha i gatshëm të mbroja mbulesën e një besimi tjetër po të vihej para një diskriminimi siç po ndodhë me besimin tonë.”( Dr. Shefqet Krasniqi , Çështja e shamisë nuk ka marrë fund, do të zgjidhet ne emrin e Zotit)
Shikoni miq të nderuar, ne këto ditë i tham botës se nuk jemi të gatshëm për tu përfshirë në këtë operacion dhe se Shqipëria nuk do ta marr përsipër kët mision ( e dijmë cka),por edhe Shefqetit i themi se ajo pun e shamisë ka përfunduar.
Por që ta kemi të qartë se cdo të thot të jesh edhe hoxhë por edhe shqiptar do t iu rikujtoj s pari se Hoxha Krasniqi harron se jeton në Evropë dhe misioni i tij nuk mund të shkoj përtej pragut të shtëpisë, dhe nuk mundet që rininë tonë të pastër si loti t’i mbështjellë në shallvare e t’i mbulojë me të zeza, sepse këtu nuk është Azi e as Afrikë, që të ruhemi nga dielli përcëllues e të mbulohemi të tërë dhe s dyti Said I. Najdenin, i cili njihet edhe si Hoxhë Voka apo Hoxhë Vogli, rilindës, patriot, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, i lindur në Dibër të Madhe në vitin 1864.Ne jemi një popull autokton 100% shqiptar.
“Gjatë shkollimit të tij në Stamboll në medresenë e Hajdar Pashës, Saidi u njoh dhe lidhi një shoqëri shumë të afërt me hafëz Ibrahim Mitrovicën të cilin e pati shokë të medresesë, i cili po ashtu më vonë u dallua me aktivitetin dhe veprimtarin e tij për çështjen kombëtare. Në Stamboll asokohe zhvillohej një veprimtari mjaftë e gjerë propagandistike për çështjen kombëtare, ku krerët e Rilindjes dhe të Lëvizjes kombëtare shtëpitë e veta i kishin kthyer në klube në të cilat mbaheshin dhe dëgjoheshin ligjërata mbi historinë dhe kulturën kombëtare, ku nxiteshin dhe frymëzoheshin kuadrot të reja për veprim kombëtar. Një vizitor i shpeshtë i këtyre shtëpive ka qenë edhe vetë Saidi “ Po ti ,Zoti Shfqet Krasniqi?
“I ushqyer nga gjithë ajo që shihte, që dëgjonte, dhe që perceptonte në Stamboll sikurse që shprehet studiuesi i njohur dr. Mahmur Hysa në një shkrim të tij të veçantë kushtuar Said Najdenit, ai mundohej të njëjtën gjë ta zbatojë edhe në Dibër. Kjo vërehej qartë ngase, sa herë që vinte Saidi në Dibër gjatë pushimeve shkollore, bënte propagandë për mendimet dhe idetë e rilindëseve.” Po ti Zoti Krasniqi?
“Nuk vuaj për para e për grada por për komb e atdhe” thoshte ai.
“Dhe në vitin 1888 me përpjekje të mëdha dhe guxim të pa shoq, i vetëdijshëm për rrezikun që mund ti kanosej, Saidi arriti që në shtëpinë e vet ta hap shkollën e parë shqipe e cila punonte në fshehtësi. Aso kohe shtypi i kohës për Dibrën shkruante: “Si në vende të tjera, edhe këtu në Dibër zuri me hy dashuria e mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot në Dibër kemi shumë zotëri pleq të ndershëm që përpiqen për pavarësinë e gjuhës shqipe…i madh e i vogël thërrasin: me gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkollë mirësohet kombi!”
Mirëpo duhet ditur se çdo herë e më tepër veprimtaria e kësaj shkolle vinte duke u vështirësuar, sepse ishte e pa mundur që mos të zbulohej nga autoritet osmane, aq më tepër pse ajo bëri një jehonë të madhe në opinion. Ndërkaq që autoritet turke dhe ata pro turke Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që dëshiron ta helmojë rininë dhe ta largojë atë nga rruga e fesë, duke e njollosur se “hoxha është prishur nga feja”, “është kaur” etj., andaj e shpallën si të pa fe, dhe shkuan aq larg sa që nuk e lejonin të falej në xhami. Hoxhë Voka i mençur, i vendosur, plot energji, elan dhe guxim, ishte zotuar se çfarë do që i del përpara nuk do të mundet ta shmangi nga rruga e interesit kombëtar, dhe për akuza të tilla nuk ia ndiente fort veshi, ndërkaq që ai kishte si udhërrëfyese për besimtarët fjalët: “Myslimanët e vërtet duhet të dinë se feja islame urdhënon me e dashur atdheun”, dhe “Për mëmëdhenë duhet me qenë shërbëtorë, njeriu sa dashuri të ketë në mëmëdhenë, aq dashuri ka në fenë”.
Shkolla u mbyll pas një viti. Autoritetet osmane Hoxhë Najdenit i ofruan punë në administratë, por ai zgjodhi dhe eci në rrugën tjetër, siç kishte thënë edhe vetë: “Nuk vuaj për para e për grada, por për komb e atdhe. Unë dua të fitoj liri me i mësua këtij populli gjuhën shqipe, që ta njeh veten e tij e të përpiqet për vetvete”.
“Shkolla shqipe në Dibër dhe në disa fshatra në rrethinë dhe librat shqip, që qarkullonin gati në çdo shtëpi nxitën armiqtë që shkollat t’i mbyllnin, librat të ndalohen dhe Hoxhë Voka të ndiqet nga pushteti. Shkollat u mbyllën por jo edhe ideja, këshillat, dhe frymëzimi i Hoxhës që ndikonte edhe në rrethanat politike. Në këtë mënyrë dhe në këto kushte dhe rrethana Hoxhë Saidi, ndiente nevojën për të kontaktuar drejtpërdrejti me krerët dhe veprimtarët e lëvizjes shqiptare të Stambollit që t’i njoftoj me gjendjen në Dibër e cila ishte mjaft kritike.”
“Në momentet e fundit të jetës, para se t’i pushoi edhe për pak qaste rrahja e zemrës, Hoxhë Saidi kishte lënë këtë porosi: “Pa fituar Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur.” Pra siç po shihet Saidi nuk e humbte shpresën se do të vijë dita kur edhe zogu edhe bilbili do të këndojnë lirisht shqip.” po juve cka t iu shkrujneë ne gurin e varrit , apo do që të varrosin në zallin e Afrikës ,pa shenjë e pa dokë?
Një fetar i mirë duhet të jetë edhe kombëtar i flakët dhe anasjelltas.
Prej veprave që na kanë mbet nga ky rilindës janë dy: “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në shtypshkronjën Mrothëria në Sofje në vitin 1900, që ka 64 faqe dhe e dyta është “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofje më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime me 16 faqe. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Nuk e mohon rolin që luan feja në ndërtimin moral-etik të njeriut, por e mban edhe mendimin se feja nuk e pengon njeriun të ketë dashuri ndaj atdheut… dhe nëse shqiptari e pranon alfabetin latin nuk bën kurrfarë mëkati, sepse mund të mbetet përsëri besimtar i devotshëm. Dituria për të është një armë e fuqishme, që mëkon ndërgjegjen kombëtare, që e njeh njeriun me shumë të dhëna, i jep atij pavarësi dhe e bënë të barabartë me të tjerët. Parulla e Hoxhë Najdenit ishte: “Që shqiptarët të shpëtojnë nga rreziku, ka vetëm një rrugë: me u zgjua kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes.”
(Materialet q u frytezuan per kete shkrim jane “Çështja e shamisë nuk ka marrë fund, do të zgjidhet ne emrin e Zotit :Dr. Shefqet Krasniqi”: “Shefqet Krasniqi e tejkalon moralen dhe njerëzoren, Gazmend Islami”,“Rreziku nga levizja vehabite ne trojet etnike shqiptare!, Sabri Selmani”, “Said Najdeni – “Hoxhë Voka”, “DIBRA E MADHE -Fisniku Ismail Strazimiri -Mbrojtës i paepur i pavarësisë shqiptare. Dr. Laurant BICA” “Enciklopedia “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”)
Fahri Xharra,16.11.13
Tiranë
Mozaik vargjesh në partiturën poetike të Dashamir Malos
nga Agron Shele/
Vëllimi poetik “Ndoshta” i autorit Dashamir Malo vjen si shrehje e frymës dhe dhe ndjesisë poetike që prek kostelacionet më të larta të shpirtit, prek me brishtësinë e fjalës dhe ejmotivet e jetës, për tokën, dhimbjen, vendlindjen e fshehur mes majash mjegull dhe për të bukurën. Kjo lloj poezie e ardhur si sublimitet i një shpirti estetik dhe shpërthys dallgëzon njëlloj si valët e Jonit dhe shfryn shkulme brengash, mall të patreguar për atë që shkon dhe përvuan eremine vedlindje, flakë pasionesh e dëshirash, si dhe rikthehet e mbetet tek e thjeshta përditshmëri jetë. Leximi i këtij vëllimi poetik përpin me një frymë, të shëtit nëpër mistizmet dhe gjurmët kohë e paskohë, të zbret tek agu i ditëve rilindje dhe të çon përtej muzash perëndime.Që në fillim ndeshemi me gjetjet dhe stilistikën e veçantë, stilistikë që produkton vetëm një penë elitare, për të humbur mes ngjyrimesh dhe muzikaliteti fjalësh, të cilat tingëllojnë pareshtur si një fëshfërimë e largët. Fjalë pas fjale e varg pas vargu kupton ndjesinë dhe boshtin poetik që përshkron vëllimin, kupton thjeshtësinë e ngritur në madhështi, kupton magjinë që prek me nota fjalësh kupton hapësirat dhe përmasën e vargjeve.Vargjet e lira si vetë liria e pafund e shpirtit që ka tjerrë fijet mendime rrjedhin e rrjedhin diku zhurmshëm si shirat e rrëmbyera të vjeshtës, diku qetësisht si krojet e ftohtra pikërim, diku ëmbël si kënga e zogut harbim, diku egër si piskama e trimit kushtrim, diku dhimbshëm si dashuria e parë harrim. “Ndoshta” jep kuptimësinë e parë të një dualizmi të përbrendshëm, i cili shtjellon pas kuintave mëdyshjen dhe diskutimin rreth gjithçkaje, por thellë thellë zhyt në hamendsione dhe devijëzon tedencat dhe abstraksionin e profarmës poetike dhe filozofike.Në mënyrë krejt intuitive përmbyllja e vargjeve mbjell shpresë, ngre kolritë ylberistikë mbi harqe shpirtrash të trishtuar, risjell magjitë e netëve prushëzuar, rizgjon sirenat e fjetura buzë mbrëmjesh dhe çel mijërë kurora trëndafilash. Shtjellimi poetik qysh në fillim formëson idetë bazë dhe të qëndrueshmëe se larmia krijuese qëndërzon në tabanin dhe rrënjët e të parëve,tek epika dhe tragjikja e tyre, tek toka, gurët dhe murnajat gri që u qepen kodrinave dhe flenë poshtë këmbëve të maleve:
“toka ime është atje
toka ime e mbuluar me vetmi tragjike
toka ime
tokë e gurë bashkë “
dhe për të lakonizuar përmbylljen sa epike por dhe kaq shpresuese, hark kohor që ndan me shkuj por sintetizimi dhe paraqitja grafike jete vetëm brenda dy vargjesh:
“pas etheve të etjes (e përvuajtur , e plagosur dhe e etur në shekuj)
dhe të pritjes “( shprësës tek e nesërmja, besimi tek e ardhmja )
Në po këtë bosht poetik lëvrohet edhe poezia Kangjele (Këngë), e cila zbret nga mitizmet më të thella të legjendave dhe ringre burrat e maskruar tinëzisht për të nisur këngët e vjetra ilirishte dhe për të vërtitur fustanellat e bardha burrërishte.
Kanë mbetur në Shën Thanas
me gurë gri ca varre
me lavdi mbuluar
qarkuar me qarre
dhe për të vazhduar më pas:
“pas shumë mote shkuar
u ngritën nga varri
prapë ushtoi kënga
ja atje tek qarri
isua e përzishme
nisur nga dodona
ardhur kaq e gjallë
gjer në ditët tona “
Toponime të tilla si Kangjele, Sheshkalor, Gjon Zi, Gjok Maç, Triviza etj etj shprehin më së miri trasmetimin e ruajtjes së emërtimeve të brezave dhe ruajtjen me fanatizëm të kulturës së lashtë , të cilët mitikisht janë ngritur nga varret dhe kanë bërë historinë tonë shqiptare.
Shtrishmëria e hapësirës poetike nuk mund të mos kapërcejë dhe të mbetet tek nëna, ku njëlloj si dhimbja eseniane autori e ngre në kult dhe vendos paralelizma me bukurinë dhe tejpashmërinë më mahnitëse sikurse është lulja:
“Fillikat nëna ime atje në Përmet
gjithë ditën kuvendon me lulet
në ballkon
kur shkoj
lulet më flasin me gjuhën e nënës
nëna më flet me gjuhën e luleve”
Le të hyjmë më në brendi dhe të ndeshemi me elementët sinjikativë, me ndjesitë dhe ornamentet e shpirtit me brengën e poetit dhe pasionin me dlirësinë dhe beftësinë, me gjetjet dhe ravijëzimin e vargjeve, me trishtimin pikëzim vjeshte dhe lirikën përtej blusë së nimfave joniane:
“e di
ti do të vish
pranë Jonit kaltëruar
me Diellin në sy
me Botën
në duar”
ose
“Më josh stina jote
stina jote
që i ka të katër stinët
brenda”
Vargje domethënës, shprehës, përthyes, me shumë botë dhe ngjyrime dhe figuracion të dhënë në kontraste katër dimesionalë, si vetë katër stinët me akullin dhe zjarrin, me farfurimën lule dhe bulëzimin e trshtshëm.
Poezia e Dashamir Malos është një poezi e konsoliduar, ai tashmë vjen me vëllimin e katërt poetik dhe me përkthime të poetëve të njohur, ai vjen si mbrujtje e një plejade të re poetësh dhe uragan mendimi bashkohor dhe si i tillë ai përqas dhe pëcjell universalitetin e poetit modern sot!
MBRËMJE LETRARE NË BUKURESHT: KADARE DHE AMOS OZ
Shkruan:Mira Skënderaj-Bukuresht/
Ne Foto:Mario Dobresku duke folur gjate veprimtarise/
Botimi i romanit “Darka e gabuar” i Kadaresë në Bukuresht ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm në mesin e lexuesve dhe mbështetësve të letërsisë shqiptare në Rumani. Dëshmi: debati i organizuar nga ” Humanitas”, Shtëpia Botuese, e cila zotëron të drejtat e veprave të Kadaresë. Takim me lexuesit u zhvillua në një vend të zgjedhur në zemër të Bukureshtit, në mjediset e librarisë ” Kretzulescu” dhe me të ftuar dy prej kritikëve në modë në kryeqytetin rumun, Tania Radu dhe Marina Constantinescu. Në veprimtari folën dhe Andreea Răsuceanu, kritik letrar dhe redaktor i shtëpisë botuese “Humanitas”, si dhe përkthyesi i romanit, shkrimtari dhe gazetari Marius Dobresku .
Tema e takimit, “Dy anët e luftës, duke u nisur nga romanet Pantera nga nëntoka, nga Amos Oz dhe Darka e gabuar nga Ismail Kadare” grupoi kësisoj dy nga zërat më të famshëm të letërsisë bashkëkohore, izraelitin Amos Oz dhe shqiptarin Ismail Kadare. Ligjëruesit vunë në dukje se të dy romanet iu referohen ngjarjeve relativisht të afërta në kohë (1940-1950), por që janë zhvilluar në mjedise dhe kontekste krejtësisht të ndryshme. Nëse romanin e Oz lufta është parë përmes syve pyetës të një fëmije dhe është sugjeruar me ngjyerat më të kthjellëta, ngjarjet në romanin e Kadaresë ndodhin në një atmosferë solemne, pothuajse të zymtë, të cilat përcakton nga epoka staliniste, e cila kishte pushtuar dy kontinentet nga stepat e Kazakistanit deri në bregdetin e Adriatikut.
Në fjalën e tij, përkthyesi i romanit, shkrimtari Marius Dobresku, skicoi kuadrin historik në të cilin vendos Kadare ngjarjet në roman, duke filluar nga pushtimi italian dhe duke mbaruar me vdekjen e Stalinit, në mars 1953. “Komunizmi në Shqipëri solli një mori fatkeqësish për gjithë popullin, ndërsa evenimentet që sollën vrasjen e doktor Gurameto inkuadrohen në paradigmën tragjike që konturoi shortin e këtij populli duke filluar nga viti 1944”.
Nga ana tjetër, kritikja letrare Marina Constantinescu u shpreh se, ” Darka e gabuar” është një roman i dhimbshëm, me një tip drejtimi tejet personal, me një zë të fortë dhe që nuk të fal, siç është ai i Kadaresë, por, disi, dhe falës. Duke kaluar mbi të gjitha mizoritë, jo duke fshirë dhe anuluar, por duke sugjeruar një ndalesë të meditimit. ”
Andreea Răsuceanu, redaktore e librit, u shpreh në plotësim për librin e Kadaresë: “Pata për herë të parë ndjesinë që, më shumë se kurdo, Kadare tërhiqet në segmentin eliptik, në një makth më të vjetër të tij, dhe që në njëfarë mënyre braktis kontekstin historik, i cili pothuajse nuk ka më rëndësi. Të gjitha ngjarjet e mëdha që ndodhin në roman kanë një logjikë në mitologji, ngjarjet tragjike shihen si disa ndëshkime për disa mëkate të lashta që janë kryer këtu, në trevat e Gjirokastrës.”
Ngjarja në librarinë qendrore bukureshtare “Kretzulescu” u pasqyrua gjerësisht në shtypin e kryeqytetit rumun. Kadareja është shndërruar një brand i letërsisë europiane që mbledh rreth tij lexues të të gjitha moshave, me përvoje jetësore të ndryshme, që vlerësojnë në unison letërsinë cilësore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 25
- 26
- 27
- 28
- 29
- …
- 68
- Next Page »