• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

TROKITJET E ZEMRES

December 10, 2013 by dgreca

Cikël poetik nga vëllimi  ’’ Kujtime, kohën pas e kthejnë’’  nga Ermentila  Guci/

Mama /

Ndjenja që të pushtojnë /

Tëj apin  emocion,/

Zemra  rreh  forte/

Kur brenda  mbartë një  jetë…./

Gëzimi  të  rrembën /

Kur mendon që bëhesh mama,/

Trokitjet e zemrës /

Jehonë e lumturisë  triufojnë,/

Sytë shkëlqëjnë,qeshin, qajnë/

Japin  ndriçim,/

Buzëqeshje  rrezatojnë  fytyrën

Jeta një  dhurate  të  bukur po jep,

Mama  fjalë e bukur fortë

ëmbëlsi, dhimbje,dashuri….

Shpirtin ta pushton

Sa herë  që e shqipton….

Udhëkryqet

Hapa  të cojnë diku  larg

Dikë lë  pas ,e dikë  bën  bashkudhetar,

Fytyra  të qeshura, të heshtura,të trishta, pajetë

Të parakalojnë përpara  si refleks

 

Endesh midis turmës  në  kërkim

Të  fatit,,, ëndrres  apo  diçkaje  pakuptim

Pyetje ,enigma  antiteza  të vinë  në mëndje

Pastaj   mbështillen  me misterin e jetës  në kërkim.

 

Thua vallë  lumturia  të jetë

Një thesar që askush  nuk  e  di ku ndodhet..?

Mbyll  sytë e pyet zemën

Të  tregoj   udhëhkryqet  e  jetës…

 

 

Por  zemra nuk tregon

Heshtja e saj  shijën e hidhur pas lë……

Udhëkryqet e  jetës nuk tregohen

çdo ditë ne disa nga  ato përjetojmë

Kujtimet

Imazhe  që flasin ,

Imazhe që  heshtin,

Imazhe që  vrasin ,

Janë  kujtimet…..

Kujtimet  kohën pas  kthejnë,

Moment  të  bukura  përsëri  ti  rikujtojmë

Emocione  të  ndryshe  përjetojmë ,

Në  portën  e  kujtimeve

Ritakojmë  moment et  me  miqtë,personat e dashurë,

Me ata që janë e nuk  jetojnë  më….

Dozën e mallit e shuajmë  ndopak ,

E pse kujtimi  është vetë breng e mall  !

 

MËRIA

Fjalë që  u  ngatërruanë

Diçka   midis neve  të  dyve  u prish,

Buzëqeshjen  ty  ta mohova

Zemrën  time me fjalët  e  tua  ma  trazove.

 

Shikime  që  largohen , tej  syve  që  shihen

Shpirtra  të mërzitura  larg  rrinë .

Presin  një  buzëqeshje që  njeri  të harroj,

Fjalët  që u thanë e  mëria  midis  nesh   ra

 

Pres   të vish  ti   tek  mua

E’ të  më   thuash ‘me fal’

Falje  pa  bër  g jë  për  të’ më  kerkuar

Por  ideja   që   ti   vjen   e   m a  thua  më  bën  të  lumtur!

 

Fjalët   mpleksen    e   krijohen  keqkuptime.,

Ndajnë  mendime     e   lendojnë    zemrat,.

Lindin  mëri  që  hidhëron pak shpirtrat.,

Pastaj  buzëqeshja rilind  përsëri   tek  potret e  dashuruar.

 

Mëria  ime   për   ty  është  diçka  kalimtare

Ty  të dhëmb  zemr a  kur  zbehet   fytyra  ime

Me  dashurinë    tënde  ti me  tregon

Në  dashuri  mëria  nuk  shkon…..

VETËM

Shikonë   të  lumtur   rreth  e qark

Njerëz    të lumtur  sipërfaqsor,

Ti  nuk   përpiqesh  të  sillesh  si ata??

Vetëm  rri  pa  dikë   që  të dhuron   dashuri.

 

Dashurinë  e  mban  të  ndryshur  brenda  teje

Dora  jote   nuk  pret  një   dorë  tjetër ,

Vetëm  vetëmia   të bën  shoqeri

Ulur  pranë  teje  në   heshtje,  pa të prishur  qetësinë!

 

RrI  e  pret  pa  ditur kë…

Një  shpresë  apo  dikë  që zbus  akullin  brenda  teje?!

Vetëm  në monotoni e melankoli  I kalon  ditët,

Pa  ditur  çfare  është  lumturia.

 

Fletë  e jetës ,  janë  bardhë-zi

Ti  pse  nuk  i  përzien,,, e nuk  mban  vetëm  ngjyrën   gri?|

Trishtimet   e  ditës ty  të pushtojnë,

Jeta   ikën  , ti nuk  shijon  asgjë….

Çfarë   jemi ?!

Qeshim,qajm, buzëqeshim,,ulëracim

Jem i të lirë,  t’ë  burgosur , t’ë  pa orentuar

Çfarë  të bëjm??

Pse trokasim  n ë mendime  të  fjetura

Çfarë  kërkojmë  vall ë  prej tyre??!!!

Emocione apo pjesë  të   jetës  sonë

Ishim, jemi  dhe  kërkojmë  të  jemi…

Kohë që  endemi,

Midis dëshirave,suksseve,iluzioneve,dështimeve

Në kufij  të caktuar  k ohor

Me  emocionet  tona  pa  kohë

Emrin   Tënd

Eci  në  të  njejtën  rrugë

Dora  jote në supin  tim  mungon,

Mendimet vinë e  më  prekin

Orët e kujtimeve thërrasin,

Në  shpirtin tim  emocionet  vrasin

Duke  formuar në çast emrin tend!

 

Dhembjet e shpirtit

Jemi   këtu- atje

Qënie të mbushura me ndjenja

Endemi i mes gjithckaje ,gjëndemi në vetmi

Gjithçka rreth nesh ngjyra të forta dominojnë

Zgjatim  duartë  për  ti  prekur e për  t’ ndjer

Thjeshtë si nuanca  që  lë  gjurmë  në  shpirtin  tonë

Dhembjet e shpirtit, fortunë  e  jetës

Dikush ngre velat e noton në dallgët  e jetës

Te tjerët mbytën në betëjn me jetën

Shpirti  vëlon  nga  dhimbja

Me  zë pa  zë,,ai  ulërin

Pret  ndihmë për  jetuar  sërisht

Në  jetën  e mbushur me gjëmba

Që  të  tjetërsojnë  e pse nuk shihen ndonjherë

Por  mblidhen   pak e  nga  pak

Deri sa  humbet   besim  tek  jeta

Veç  kalojnë kohën me dhëmbjen e shpirtit

Që  të sillet si dhurat e hdhur

Me mbishkrim  ‘k y   jam  fat   jot!’!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: e kthejne, Ermentila Guci, kohen pas, Kujtimet

VILHELME VRANARI HAXHIRAJ NE ANTOLOGJINE ITALIANE TE FITUESEVE

December 10, 2013 by dgreca

U botua Antologjia Italiane “Premio Internazionale di Poesia” me fituesit e 3 viteve (2010-2011-2012). Mes fituesve edhe një shqiptare, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj

 Nga Saimira Konda/

Në maj 2013, në Toskanë (Itali) doli nga botimi antologjia italiane:” Premio internazionale di Poesia” ,”Çmimi Ndërkombëtar i Poezisë”, ku janë përfshirë fituesit e çmimit ndërkombëtar të 3 viteve (2010-2012). Mes 100 autorëve fitues nga e gjithë bota, përfshirë në këtë antologji, e vetmja autore shqiptare, ishte Vilhelme Vranari Haxhiraj me poezinë e titulluar: “Quanto Vorrei” ( Sa do të doja), botuar për herë të parë në këtë antologji.

Ky është i dyti çmim në Itali dhe antologji e dytë italiane, ku përfshihet shkrimtarja Haxhiraj, autore e suksesshme e Sh.B.”Nacional”.

CV për antologjinë italiane, në shqip

 Vilhelme Vranari Haxhiraj -Albania

Lindi në Kaninë (Vlorë) më 8/ 12/1944, pasardhëse e familjes së

princit Gjergj Arianiti. U përndoq nga lufta e egër e klasave, me familje të burgosur, të internuar, i mohuan profesionin, i ndaluan diplomimin në degën Histori-Filologji, por mundi të laurohej në Universitet, Katedra -Histori me rezultate maksimale,veç pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Pas rënies së diktaurës komuniste1990 rifilloi profesionin e mësuesit dhe nisi të shkruajë. Prej 1996 -2012 ka botuar 32 libra, nga këto: 15 romane, të tjerat janë poezi, prozë e shkurtër , për fëmijë , ese dhe publicistikë.

Tani është shkrimtare e njohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Haxhiraj është nderuar me 15 çmime letrare në Shqipëri, Itali, Kosovë, Greqi dhe Mal të Zi. Nga këto veçojmë, Çmimin e Karrjerës, Medalje Argjendi, Medalje Ari, Mjeshtre e Madhe e Penës”. Çshtë përfshirë në 13 antologji Shqipëri,Itali, Angli, Ruamni,Kosovë dhe Greqi. Është përkthyer në Ruamni, Itali e Angli. Vilhelmja është e vetmja autore femër, e papërsëritshme,që me letërsinë e saj bashkëkohore ka bërë autopsinë e shoqërisë shqiptare dje dhe sot .

 

Poezia fituese në shqip:


Sa do të doja

 

Do të doja një botë

në paqe dhe harmoni.

Pa mllefe,

pa hakmarrje,

pa cinizëm,

pa urrejtje,

pa luftra dhe robëri

 

Dëshiroja …

që botën

ta kisha në dorë,

t’ia shtrydhja

gjithë ligësitë

që shpirtrat helmojnë,

të shpëtoja jetët

që ajo shkatërron!

Do të pëlqeja…

një botë plot mirësi,

që të mbjellë

mirëkuptim,

tolerancë,

begati,

vëllazërim

dhe dashuri!

 

Doja të shihja

një botë

pa mashtrim,

ku njerëzimi

të mos njohë intriga,

as vuajtje,

as zhgënjim,

pa tragjedi dhe mjerim

 

Sikur të shihja

një botë të mbarë.

Pa dhunë,

pa krime,

pa prostitucion

dhe trafik.

Tej e ndanë globit

të mos enden më jetimë.

 

E dua botën pa tradhti,

të jetë e bukur dhe e dëlirë!

 

          Curriculum Vitae
di Vilhelme Vranari Haxhiraj, scrittrice dal’ Albania.

 

Nata a Kanina (Vlorë) il 08/12/1944, erede della famiglia di Giorgio Arianiti, Principe di Epirio.

È stata perseguitata insieme alla sua famiglia dall regime dittatoriale, gli hanno negato di lavorare nella sua professione. Si e laureata in Storia con il massimo dei risultati, ma senza il diritto di esercitare la professione. Dopo il crollo della dittatura comunista nel 1990, ha ripreso di esercitare la sua professione di insegnante e cominciando a scrivere. Dal 1996 -2012 ha pubblicato 32 libri, di cui: 15 romanzi, gli altri sono poesia, prosa breve, per i bambini, saggi e giornalismo. Ormai è una scrittrice nota nell suo paese e all’estero. É stata premiata con 16 premi letterari in Albania, Italia, Kosovo, Grecia e Montenegro. Di qui , “Premio di Carriera”, “Medaglia d’Argento”, “Medaglia d’oro”, “Gran Maestra della Penna””. La sua letteratura è stata inclusa in 15 antologie :Albania, Italia, Inghilterra, Romania, il Kosovo e la Grecia. É tradotta in Romania, in Italia e in Inghilterra. Wilhelme è l’unica autrice irripetibile donna, che con la sua letteratura contemporanea, ha fatto l’autopsia della società albanese di ieri e d’oggi.

 

Vilhelme Vranari Haxhiraj
Quanto vorrei…

Vorrei un
mondo di pace e di armonia,
senza
vendetta e senza rancore,
senza odio
e senza schiavitù
pieno
d’amore e di virtù.

Vorrei che
il mondo nella mia mano fosse,
spremendolo
mandare via le perversità’,
che le
anime avvelenate e distrutte,
Vivessero
nella tranquilità.

Vorrei un
mondo senza inganni,
che la
gente lavorasse in quiete,
e mai non vedesse ripetere,
le tragedie
passate ed i malanni.

Vorrei un
mondo senza delitti,
la gente
non avesse  conflitti.
Per gli orfani…
girovagando per il mondo,

la vita
fiorisse tutt’intorno.

Vorrei un
mondo pieno di bontà,
d’intesa e
di tolleranza,
dove regnasse ovunque,
la fratellanza e la prosperità.
***

 

Filed Under: Kulture Tagged With: e fitueseve, italiane, ne Antologjine, Saimira Kodra, Vilhelme Vranari Haxhira

Milazim Krasniqi thirrës i vëllavrasjeve!

December 10, 2013 by dgreca

Foto: Pajtimi i gjaqeve , themelet e shtetit të Kosovës!/

Nga Fahri XHARRA/

Retë e zeza valojnë mbi qiellin tonë, kjo nuk është hera e parë. Ato re janë të përcjellura me vetëtima e bubullima, s’është hera e parë. Kemi kaluar ne si komb, kohëra edhe më të turbullta. I kemi bërë ballë tradhtive nga më të ndryshmet. Tradhtitë nga vetë individët e vendit tonë, të tokave shqiptare, janë të njohura. Njëra nga poshtërsitë më perfide është mohimi i vetvetes, mohimi i të kaluarës sonë, mohimi i të mëdhenjve tanë. “O zot, mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin ,e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin…” – i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752).Të njëjtën gjë e them me dro të madhe edhe sot. Gjatë leximit të historisë sonë më të re , të gjithë e pamë që vullnetin e madh të popullit tonë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pavarësi e përkrahur nga shtetet dashamirëse të kohës , donin ta pengonin haxhiqamilët tanë në fillimin e shek. XX. Kurrë nuk më kishte shkuar mendja që edhe 101 vjet pas , kur po e festojmë këtë datë të madhe historike në tokat tona ende gjallërojnë haxhiqamilët e rinj, qyqet në folenë e madhe të shqiponjës dhe jazegjitë

Veprimtaria e pajtimit të gjaqeve, tash e përgjithmonë mbetet vepër e rrallë, monument i pavdekshëm që përkujton Verrat e Llukës dhe vlerat e Kosovës e të kombit në përgjithësi. Plaku i urtë, Anton Çetta, në momentet më delikate dëshmoi virtytet madhështore si figurë markante e kombit. Ai pasqyron përjetësisht, çiltërsinë, mençurinë dhe atdhedashurinë që shëroi zemrat e dhjetërave mijërave njerëzve, por mbi të gjitha shëroi një plagë të madhe të kombit. “Një popull qe urren nuk meriton të jetojë”, ishin fjalët e binomit të kombit Anton Çetta, i cili në momentet më të vështira bëri qe shqiptarët të bashkohen rreth flamurit, pavarësisë dhe lirisë kombëtare

Madhështinë e këtij viti (1990) ia shtoi edhe unifikimi i faktorit politik kombëtar. Burrneshat e burrat shqiptar falnin gjakun në emrin e atdheut, flamurit dhe Anton Çetës.Kur shtriheshin duart e pajtimit, milona zemra bëheshin mal, mbi qiellin e Arbërit shkrepnin retë, lëkundeshin bjeshkët, lëkundej edhe vrrija, ndersa rapsodi ua këndonte këngën duke tregua se edhe „Në barkun e nënës gëzohej fëmija“. Vetëdijsimi i mbar një populli ndodhi shpejt dhe se tek të gjithë ishte ngulit ideja kombëtare se gjakmarrja duhet çrrënjosë, ishte e dëmshme dhe trashëgimi të cilën të huajt na e lanë në pragjet tona, dhe se heroniat dhe heronjët e momentit ishin bërë ata që falnin gjaqet, plagët e ngatrresat.Sa gjak që falej për hir të flamurit e atdheut, për liri e ardhmëri, në zemrat shqiptare binin lulet e vllëzrimit, dielli rrezet i shumonte dhe kudo bimonte fara e mbarë e kombit(A.Gashi)

Janë bërë një grup mercenarësh islamikë të cilët imponohen në gazeta, forume e televizione, duke luftuar kundër përpjekjeve tona për integrim në Bashkimin Evropian. (G.Mehmetaj)

Kush është “profesor” Milazim Krasniqi ?  “Milazim Krasniqi u lind me 25 tetor 1955 ne Breznice, një lokalitet afër Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë. Studimet për letërsi shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës, ku magjistroi në vitin 1988, me temën “Struktura e vargut te Ndre Mjedjes”. Po në Universitetin e Prishtinës, ka fituar gradën e doktorit të shkencave filologjike me tezën e disertacionit “Soneti në poezinë shqipe” me 15 shtator 2004.” Është autor i shumë veprave letrare dhe angazhimi i tij si vijon: Angazhimi profesional dhe publik: teknik medicinal ne Klinikën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë; përkthyes po në këtë klinikë; redaktor i revistës kulturore “Fjala”; sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës; kryeredaktor i revistës “Fjala”; redaktor përgjegjës për Kosovë i gazetës ditore “Bota Sot”; kryeredaktor i revistës “Interesi Nacional”; anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe analist të Radio Europa e Lire; bashkëpunëtor për lëndën Sociologjia e letërsisë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. (www.gazetashqiptare.eu) ”Njeri i madh, apo jo ?Njeri në të cilin është dashtë që Kosova të llogaritë në te .

E thërras Milazim Krasniqin që të shikon foton e mësipërme . A jemi ne ata që rrinim së bashku pa dallim fetar , kur ishte në pyetje rrezili i kombit.?

Kush jeni ju more i ashtuquajturi zotëri Milazimi , i ashtuquajturi profesor , që nuk i ndaheni deshirës dhe ndjelljes , dhe propagimit te vëllavrasjeve?

Në një shtet normal , për ty ishte hapur procedura juridike.

09.12.13, Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Milazim Krasniqi

U ndane cmimet vjetore ne Letersi

December 10, 2013 by dgreca

Uran Butka fitoi Penden e argjendet ne gjinine e esese për librin “Kristo Kirka”/

Juria e përbërë nga kryetari Visar Zhiti dhe anëtarë Dhurata Shehri, Bardhyl Londo, Flutura Açka dhe Romeo Çollaku vlerësuan autorë të romanit, tregimit, përkthimit, etj. Edhe pse këto çmime kanë vite që janë traditë jo pak janë zhvilluar me mendime pro dhe kundër zhvillimit të tyre. Emra të njohur të letërsisë apo dhe studiues të ndryshëm si Behar Gjoka, etj, i kanë cilësuar fiktivë këto konkurse, larg atij qëllimi që duhet të kenë për të vlerësuar prurjet e krijimtarisë letrare. Sipas tyre, janë jo pak shkaqe që kanë çuar në nivelin e mjerueshëm të këtyre konkurseve që prej vitesh zhvilloheshin nën angazhimin e Ministrisë së Kulturës, që tregoi dështimin e saj dhe në fushën e letërsisë, ashtu si flaku tej ndër vite jo pak vlera. Edhe këtë vit ashtu si dhe vitet e tjera në juri nuk munguan dhe emra të njohur në të tilla konkurse, fitues në një edicion dhe viti që vjen i gjen në juri. Shkrimtari Ylljet Aliçka, Ali Aliu, Rudolf Marku, Parid Teferiçi, etj., ishin fitues të çmimeve. Ministria e Kulturës e kreu ritualin e përvitshëm të ndarjes së çmimeve në letërsi, duke e trajtuar edhe vetë si një detyrim që duhet bërë. Trofe e juri e diskutueshme, për një mori çmimesh në lëmin e letrave, ndërsa ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se nga viti që vjen do të ndahet vetëm një çmim, nga një juri e pavarur nga Ministria e Kulturës. “Duke filluar nga viti tjetër jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letrare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e Ministrisë ”, tha Kumbaro. E pranishme në ceremoninë e çmimeve që u zhvillua dje në Teatrin e Komedisë, ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se që nga vitet ‘90, Ministritë e Kulturës, me radhë, ngritën sisteme çmimesh letrare, por e patën të vështirë të ndërtonin çmime që shërbenin si vlerësime të qëndrueshme. “Qëllimi është për t’u lëvduar: nxitje të krijimtarisë, vlerësim të autorëve, etj. Por, (e këtu zor të mos biem në një mendje), vështirë e patëm të ndërtojmë çmime që të shërbenin si vlerësime të qëndrueshme, të besueshme dhe deri diku si shkolla kritike, ndonëse në listat e tyre gjen jo pak nga emrat më të mirë të letrave të sotme shqipe. Herë të cilësuara me emra të përgjithshëm e herë me emra të përveçëm, skemat e ndryshme të çmimeve që fryheshin a tkurreshin, përveç vullneteve të mira për të kënaqur sa më shumë autorë, botues a studiues, përveç sikleteve për të bërë qoka, përveç hatërngeljeve të vogla dhe inateve të mëdha, përveç dëshirës që edhe cilësia letrare të mos mbetej pa u treguar, përveç ndërhyrjeve politike që veç punë kanë prishur, tregonin se sa e vështirë është të japësh çmime në funksion të një kritike profesioniste”, cilësoi Kumbaro, duke shtuar se viti 2014 do të jetë padyshim një vit me risi dhe politika nxitëse për krijuesit e letrave, autorët dhe përkthyesit.

Juria: Prurjet e 2012 nuk shënuan kulme në letërsi

Kryetari i jurisë, Visar Zhiti u shpreh gjatë ceremonisë së çmimeve se prurjet e vitit 2012-të nuk kanë shënuar kulme në asnjë gjini dhe se shumë e vështirë ka qenë përzgjedhja e çmimit për letërsinë për fëmijë ku sipas jurisë kërkohet më shumë prurje. Shkrimtari Ylljet Aliçka u vlerësua me Çmimin Kombëtar Letrar në Shqipëri “Penda e Argjendë ”, për veprën e tij “Valsi i lumturisë”, në gjininë e romanit shoqëruar me motivacionin: “Për ironinë e spikatur, përsosjen deri në grotesk”. Çmimi Kombëtar për gjininë e tregimit shkoi për autorin Ardian-Kristian Kyçyku për librin “Perla”. Çmimin për gjininë e poezisë e fitoi Rudolf Marku për librin “Një ballkanas në Londër”. Juria vlerësoi për çmimin në gjininë e përkthimit Parid Teferiçin për përkthimin në shqip të libri “Delfini” nga Robert Lowell. Me Çmimin Kombëtar për autorin debutues u vlerësua Darien Levani për romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”. Për çmimin e kritikës u vlerësua Ali Aliu për veprën e tij “Don Kishoti shqiptar”, për esenë Uran Butka për botimin e tij “Kristo Kirka”, dhe çmimin për letërsinë për fëmijë e fitoi Thanas Jorgaqi për botimin “Unë jam Kronosi, mbreti i kohës”. Këtë vit çmimi i “Gazetarisë Kulturore, Teodor Keko” u nda në dy pjesë mes gazetares Alma Mile “Panorama” dhe Aida Tuci “Mapo”. Edhe për këtë çmimi juria e përbërë nga Agron Gjekmarkaj (kryetar), Etleva Domi, Agim Baçi, Jonila Godole dhe Alfred Lela (anëtarë) shpall emrat e gazetarëve të nominuar, më pas dhe fitueset. Por njëlloj si dhe juria për çmimet letrare, duket se dhe këtë herë juria nuk arriti të vlerësonte më të mirët në këtë fushë, mbi bazë të kontributit të tyre. Janë jo pak emra që kanë dhënë një kontribut në fushën e gazetarisë, ndoshta shumë më tepër se dy gazetaret që fituan çmimin, por dhe kësaj here duket se juria nuk arriti të bënte një vlerësim si duhet. Mbarimi i ceremonisë mbi çmimet e këtij viti në letërsi dhe në gazetari, tregoi fare mirë se drejtuesit e mëparshëm të Ministrisë së Kulturës nuk kanë ditur të ndërtojnë vlera me çmimet. Edhe pse këto çmime prej vitesh janë pohuar si ngjarje e rëndësishme, në fakt asgjë nuk ka pasur të rëndësishme në këtë lloj evenimenti, pasi ashtu siç u shpreh dhe ministra e Kulturës, çmime të tilla duket se janë dhënë më shumë për qoka sesa për vlera dhe cilësi të veçanta.(BS)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Machiaveli, Princi

Ç’NA MËSON MANDELA ?

December 10, 2013 by dgreca

“Mandela është, me Martin Luther King dhe Gandhin, një nga të pakët udhëheqës që kanë arritur të rrëzojnë çdo pengesë race, ngjyre e besimi, duke na bërë që të dukemi të gjithë njësoj përballë vuajtjes dhe ngadhnjimeve të jetës.”/

Shkruan: Eugjen Merlika/

    Toni Morrison (shkrimtare amerikane, laureate e Çmimit Nobel 1993)

Mbas muajsh të gjatë dergjeje në shtrat, si pasojë e një sëmundjeje mushkërish, në shtëpinë e tij pranë Johanesburgut, në mbrëmjen e 5 dhjetprit 2013, në moshën 95-vjeçare, ndërroi jetë njeriu simbol i Afrikës së Jugut, ish Kryetari Nelson Mandela.

Keqardhja e politikës dhe opinionit publik botëror u shfaq menjëherë mbasi Kryetari aktual Jakob Zuma, lajmëroi Vendin e tij dhe botën mbarë me këto fjalë : “Kemi humbur birin tonë të madh. Shpirti i Tij pushoftë në paqe. Zoti bekoftë Afrikën.” Shprehjet e asaj keqardhjeje dolën nga gojët e shumë përfaqësuesve të kombeve të ndryshme si Obama, Merkel, Cameron, Hollande, Napolitano, George Bush, Mihail Gorbaçov, Jimmy Carter, Xi Jingping, Dilma Rousseff, për të pëmendur vetëm disa prej tyre, por edhe nga drejtuesit e organizmave më të rëndësishme ndërkombëtare si Ban Ki-moon (OKB), Herman Van Rompuy dhe Manuel Barroso (BE), Christine Lagard (FMN) etj. U mbajt një minutë heshtje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Konferencën për Paqen e Sigurinë e Afrikës, të hapur në Pallatin Elisé, në presidencën franceze, në prani të 53 kryetarësh shtetesh e qeverish. Kanë shprehur hidhërimin e tyre të thellë e vlerësimet e tyre të çmuara udhëheqësit shpirtërorë të Krishterimit e të Budizmit, Papa Françesku dhe Dalai Lama. U shpall  zi kombëtare 12-ditëshe në atdheun e të ndjerit e pesëditëshe në Indi, për të nderuar vdekjen e një “gandiani të vërtetë”. Kanë shpallur zi kombëtare treditëshe Nigeria, Kuba, Portugalia dhe Brazili. Flamuri në gjysëm shtizë u hepua në shumë kryeqytete të botës, duke filluar nga Washingtoni, por edhe në ndërtesat e OKB-së dhe BE-së. Në ceremoninë e varrimit, në Vendin e tij të lindjes, që do të zhvillohet më 15 dhjetor, janë të ftuar rreth 2000 personalitete politike dhe të fushave të tjera, nga e gjithë bota.

Nderimi për Nelson Mandelën merr përmasa të jashtzakonëshme, ndoshta të papara deri më sot, të tilla që detyrojnë këdo të bëjë një përsiatje të thellë mbi dukurinë dhe subjektin e saj, mbi personalitetin e këtij shtetari që ka patur një jetë shumë të trazuar në Vendin e tij.

Kishte lindur më 1918, në një kasolle në Mvezo (sot Eastern Cape), me një emër të vështirë, Rohihlahla. Mësuesja e tij e parë e pagëzoi me emrin Nelson. U rrit jetim, mbasi babai vdiq kur ai ishte nëntë vjeç. Nëna e çoi në një fshat të afërt, në Kunu, një vend që mbetet i dashur në kujtime fëminore të djaloshit, aq sa t’a zgjedhë si vendin ku do të prehet në përjetësinë tokësore, pranë dy djemve, të larguar para kohe, vite më parë. Nëna e nxiti të vazhdojë studimet për antropologji e për drejtësi. U diplomua më 1943. Mbas një viti u martua me gruan e parë, Evelynën, nga e cila do të kishte dy djem dhe një vajzë. Filloi veprimtarinë e tij, si avokat në një studjo me mikun e tij, Oliver Tambo, por edhe në lëvizjen kundër aparteidit, dallimit racial që, në Bashkimin Jugafrikan, kishte marrë përmasa proverbiale. Jetoi në Soveto, në geton e Johanesburgut, ku ndihej më shumë dallimi i racës, i ushtruar sistematikisht nga pasardhësit e boerëve krenarë që qeverisnin Vendin.  Arrestohet për herë të parë më 1956, por del shpejt, mbas 15 ditësh. Kur kthehet në shtëpi nuk gjen të shoqen, që është larguar me fëmijët, e mërzitur nga flertet e të shoqit me gra të tjera. Atëherë njeh infermieren Winnie Madikizela, me të cilën qëndron i martuar për 38 vjet (1958 – 1996). Më 1960 arrestohet dhe qëndron vetëm pesë muaj në burg. Kur lirohet del në klandestinitet, duke themeluar “Heshtën e Kombit”, krahun e armatosur të Anc, lëvizjes kundër dallimit racial në Afrikën e Jugut. Mandela filloi veprimtarinë e tij kundër strukturave ushtarake të regjimit, një veprimtari që binte ndesh me ligjet në fuqi e quhej subversive. U arrestua përsëri më 5 gusht 1962, u dënua me burgim të përjetshëm, 17 vjet prej të cilit i kaloi në burgun e ishullit Robben Island. U lirua nga burgu më 1990, me një vendim të posaçëm të Kryetarit të Shtetit Frederik de Klerk.

Njëzet e tetë vite burg kishin ndryshuar botkuptimin e Mandelës, që nuk ishte më revolucionari i aksioneve guerile, që kërkonte të shembte sistemin. Kishte kuptuar se të bardhët e të zinjtë duhej të bashkëjetonin në atdheun e përbashkët, se duhej gjetur rruga e marrëveshjeve, e paqes, për të ndërtuar demokracinë, në një Vend me shumë probleme, ku kundërshtia racore ishte shumë e theksuar. “Të bardhët janë bashkëqytetarët tanë, kush heq dorë nga dallimi racial do të mirëpritet në luftën e përbashkët për demokracinë.” Kështu u shpreh sapo doli nga burgu. U hap kështu një epokë e re në historinë e Afrikës së Jugut me moton : “Asnjë hakmarrje, jemi një fuqi e disiplinuar për paqen.” Ishte fillimi i ringjalljes  së kombit që vinte mbas dhjetëvjeçarësh lufte, urrejtjesh, dhunimesh të të drejtave, të pësuar nga popullsia me ngjyrë e atij Vendi. Komisioni i Nobelit i dha atij, së bashku me Kryetarin e bardhë De Klerk, çmimin për mbrojtjen e paqes, ndoshta një ndër më të merituarit në historinë njëshekullore t’atij vlerësimi.

Më 1994, në 23 miljon votues, Mandela u zgjodh Kryetar Shteti, i pari i llojit me ngjyrë, por vazhdoi të bashkëpunojë me Kryetarin e mëparshëm, që u bë zëvendës i tij. Kreu mandatin më 1999 dhe nuk kërkoi një të dytë. Gjatë kësaj kohe ndahet nga gruaja e dytë dhe bashkohet me të venë e Presidentit të Mozambikut, Samora Mashel, Graçën, e vetmja grua në histori, e martuar me dy Kryetarë shtetesh. Më 2004, në moshën 86 vjeçare, tërhiqet në jetën vetiake e familjare. Me pak fjalë kjo ishte jeta e Nelson Mandelës, një burri shteti që sot kujtohet me respekt në gjithë botën. Arsyeja është se, me gjithë botkuptimin e tij të majtë, madje revolucionar në rininë e tij, u bë emblemë e paqtimit kombëtar, luftëtar i vendosur kundër dhunës, në çdo formë të saj, flamurtar i demokracisë, i tolerancës, i faljes, në një Vend që kishte njohur faqet më të errëta të kundërvënies racore, duke u bërë personaliteti më i spikatur në historinë e popullit të tij dhe shëmbull i shkëlqyer i shtetarit largpamës e të vetëdijshëm për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e njerëzore në parimet bazë të saj.

Vepra e tij u vlerësua në Perëndim e në Lindje, në Veri e në Jugë, nga miqtë e nga kundërshtarët, që  nga ish Presidenti De Klerk tek Presidenti Clinton, nga Fidel Kastro tek Muamar Gedafi, nga Mbretëresha e Anglisë, së cilës i drejtohej me emër, tek presidenti Bush, tek Kancelarja Merkel, tek Presidenti Ciampi e shumë të tjerë. Në një botë që, mbas rënies së Murit të Berlinit, u duk se do të shkonte drejt një paqtimi të përgjithshëm, ku vlerat e lirisë e të demokracisë së popujve duhet të ishin parësore, mendimi politik dhe veprimtaria shtetërore e Mandelës u ngritën në një simbol të një politike të re, që nuk shihte në përdorimin e dhunës kyçin e zgjidhjes së problemeve të një shoqërie që, deri atëherë, ishte njëjtësuar me atë dukuri, duke shkaktuar qindra e mijra tragjedi njerëzore. Këtu qëndron madhështia e atij biri të thjeshtë t’atij populli, që u ngrit mbi të gjithë bashkëkohësit e tij, duke arritur maja që mund të krahasohen me ato të rrallat, profetiket a atyre që kanë ndriçuar rrugën e njerëzimit. Mandela nuk u mjaftua me shpalosjen e bindjeve të tij, por në sajë të autoritetit që i jepte martirizimi i tij i gjatë, arriti t’i verë në jetë së bashku me De Klerkun, duke shmangur kundërshtitë e gjata mes banorëve të bardhë e të zinj të atdheut të tyre. Këtë nuk e bëri për të marrë e mbajtur sa më gjatë pushtetin, siç kanë bërë shumica dërmuese e drejtuesve të lëvizjeve antikoloniale, apo të revolucioneve e grushteve të shtetit të Vendeve të Botës së Tretë. Pushteti për të nuk ishte mjeti për t’u hakmarrë ndaj gjithshkaje të zezë kishte pësuar ai dhe populli i tij, por instrumenti për të vënë në jetë idealet e tij të lirisë, të barazisë e të demokracisë, që do të kishin fushë zbatimi në një Vend që do t’a mbyllte të kaluarën e tij me një shpirt të fuqishëm tolerance, faljeje të ndërsjelltë e një përftyrese të një shoqërie, ku nuk duhej të shfaqeshin më dhuna dhe shkelja e të drejave dhe lirive për asnjërin nga antarët e saj.

Ja sepse Bota e sotme, në një zë, merr pjesë në hidhërimin e Afrikës së Jugut, që kthehet n’atë të gjithë njerëzimit, sepse mesazhi i tij mbetet si një yll që ndriçon këtë të fundit, edhe sot nevojtar për fuqinë dhe largpamjen e tij. Ndoshta , më shumë se të tjerët, kemi nevojë ne, shqiptarët, për atë porosi, ne që natyra nuk na dhuroi në 70 vitet e fundit një personalitet largpamës e bujar si Mandela në jetën tonë shoqërore e politike. Ne dallimin rracial nuk e kishim njohur, sepse ishim të gjithë bij të një rrace të lashtë, por huajtëm nga arsenali më kriminal i ideologjisë komuniste dallimin klasor, e përvehtësuam duke bërë një hop cilësor e duke e quajtur “luftë e klasave”, e zbatuam me rreptësi doktrinare e shpirtngushtësi proverbiale, e shtrimë në kohë duke synuar t’a bëjmë të përjetëshme, duke paragjykuar jetën e tre brezave e martirizimin e pjesës më të mirë të shoqërisë. Qemë të fundit në Evropën e sotme që pranuam ndryshimin e kohëve dhe dështimin e sistemit të dhunës, por nuk patëm as aftësinë, as guximin dhe as ndershmërinë të kryejmë sinqerisht shndërrimin e shoqërisë.

Hendeku ndërmjet të shtypurve e shtypësve të djeshëm u thellua, sepse të parët mbetën të varfër siç ishin, ndërsa të dytët u pasuruan në mënyrë marramendëse. Të dytët u rinuan në paraqitje, duke kaluar në një “pleqëri t’artë” shtabin e diktaturës gjysëm shekullore, me në krye hienën Alia, përsosën metodat e demagogjinë për t’u bërë të pranueshëm nga Arvizu apo Sequi i rradhës, por, në thelb, ruajtën “urrejtjen klasore”, së bashku me përçmimin dhe kënaqësinë që “Enveri i kishte lënë pa shkollë kundërshtarët”. Përfundimi qe se proçesi i markës mandeliano – deklerkiane në Shqipëri nuk filloi kurrë, as në rradhët e partisë që merrte votat e ish të shtypurve, as në rradhët e “kundërshtarëve” të saj që, me arrogancën kriminale të trashëguar, hodhën poshtë çdo kërkesë të ligjëshme të tyre, n’emër të parimit të shpallur nga Ramizi se “Shqipëria u takon atyre dhe bijve të tyre”.

Sa larg nga heroi i Afrikës së Jugut, që mbeti simbol i prirjes për të ndërtuar një shoqëri pa dhunë, pa urrejtje, pa shtypje, pa mungesë lirie e oportuniteti për të gjithë qytetarët e saj, prirje për të cilën ai vihet sot në piedistalin më të lartë të kujtesës historike të njerëzimit, edhe se varroset në një lëndinë të thjeshtë të një fshati të vogël të Afrikës së Jugut.

“Kam luftuar mbizotërimin e të bardhëve e mbizotërimin e të zinjve. Kam përkëdhelur idealin e një shoqërie të lirë e demokratike, në të cilën mund të jetojnë të gjithë në harmoni e me të njëjtët oportunitete. Është një ideal që shpresoj t’a shoh të sendërtuar, nëse do të jetoj gjatë. Por nëse do të jetë e nevojshme, është një ideal për të cilin jam gati edhe të vdes.”

          Kjo ishte besojma e Mandelës, që sot gjëndet në të gjitha gazetat e botës, si mesazhi madhor i tij në dobi, jo vetëm të popullit të tij, por të gjithë njerëzimit. Uroj që të përvehtësojë një pjesë të vogël të këtij mesazhi dhe klasa politike shqiptare, aq e mangët në ide dhe synime të larta e ideale, të rrezatojë diçka nga “drita e madhe që u shua në botë”, simbas britanikut Cameron.

Dhjetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: C'na meson Mandela, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT