• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Vijimësia e dështimit të konkursit letrar

December 6, 2013 by dgreca

Nga Behar Gjoka*/

Edhe kësaj radhe, ashtu si në gjithë këto mote, Ministria e Kulturës, me gjasë juria e ngritur prej saj, kohë më parë, bëhet gati të shpërndajë çmimet letrare të radhës. Siç po thuhet në njoftimin e kësaj jurie, këto çmime kanë të bëjnë me botimet letrare, studimore dhe përkthimore të vitit 2012. Dështimi i këtij viti, le ta themi qysh në fillim, në punën e çmimeve letrare, të këtij dikasteri, në fakt është vijim i dështimit, që ka ngjarë qysh në krye të herës, diku në fillimvitin 2007, kur u konceptua pikërisht , në këtë formë, të një konkurrim vetëm brenda institucioneve të kulturës, dhe jo me konkurrim të lirë dhe të drejtpërdrejtë, të autorëve dhe teksteve. Kjo sepse, së pari, vlerësimet do të bëheshin me emra shkrimtarësh, dhe po të nisesh nga emrat e shkrimtarëve, vihet re se nuk përfaqësohet aspak letërsia arbëreshe, si dhe ajo e trojeve etnike. Pra, a nuk përbën një dështim konceptual kjo formë, që do të duhej përfshirë në procesin reformues dhe pastaj të realizohej ndarja e këtyre çmimeve? Vetë përcaktimet me emra shkrimtarësh, nga ana tjetër, simbas logjikës formale, lënë jo pak për të dëshiruar, sepse ta zëmë çmimi Fishta për esenë, jo se ai nuk e ka lëvruar atë, porse ai përpara së gjithash është poet, epik, satrik dhe lirik, përpara se sa eseist. Shkenca letrare, madje edhe këtyre mësimdhënëseve, që janë pashkëputshëm të pranishëm në shpërndarjen e çmimeve letrare, për esenë, kanë vënë në krye Faik Konicën, i cili këtu përfaqësohet me kritikën letrare, kur për kritikën letrare mundet të ishte Arshi Pipa, Ibrahim Rugova etj. Debati i zhvilluar aso kohe, bëri të mundur që të shmangej çmimi për përkthimin me emrin e Kutelit, sepse ai është prozator, dhe përkthimin, më tepër se sa kënaqesi e pati detyrë ndëshkuese, prej fitimtarëve të pushtetit. Po ashtu, dështimi më i prekshëm dhe tepër funksional, duket në mënyrën se si organizohet vetë konkursi i çmimeve letrare, ku përfshihen vetëm librat e botuar në Shqipëri dhe që kanë marrë ISBN në Bibliotekën Kombëtare, që do të thotë se nuk konkurron letërsia shqipe, kudoqë shkruhet, në trojet etnike dhe në diasporë, por vetëm ajo që shkruhet brenda kufijve shtëtëror. Lëre pastaj që jemi në situatën e një përzgjedhje, librash dhe autorësh, edhe më absurde nga sa mendohet, madje pa lirinë dhe dëshirën e pjesëmarrjes, sepse juria e çmimeve letrare, shkon dhe përzgjedh vetë ato libra që parapëlqen, duke krijuar kështu shanset e abuzimit, që pa nisur ende konkurrimi, si dhe e bën funksionale ndarjen e çmimeve letrare, simbas klaneve të caktuara, duke krijuar kështu pamjen e plotë të një korruptimi të pastër kulturor. Praktika e ngritjes së jurive të këtyre çmimeve zyrtare, një histori e një qarku të mbyllur, mbase përbën thembrën e Akilit, por edhe majën e ajsbergut të dështimit përfundimtar të organizimit të këtij konkurimi, për të kuptuar se si është punuar për të patur nën kontroll të plotë situatën, por që në distancën e kaq viteve, ka qenë vetëmse një dështim i vazhdueshëm. Një praktikë, ku ulet hoxha dhe del prifti, pra fituesi i vitit të kaluar është në juri, dhe pastaj ulet prifti dhe ngrihet hoxha, për ta mbajtur nën kontroll dhe në një qark të mbyllur gjithë procesin e çmimshpërndarjes. Mbetet emblematike thirrja e akademik Ali Aliut, një nga anëtarët e jurisë së vitit të kaluar e cila u dha në media, se ajo që ngjau në juri ishte e shëmtuar dhe e turpshme, që e dëshmon nga së brendshmi këtë dështim të atëhershëm, që vijon të jetë i pranishëm edhe tani, për shkak të praktikës funksionuese, ku fituesi i radhës kalonte në juri, pra që të ulet hoxha që të dalë prifti i radhës. Dhe në këtë jurinë e tanishme, pra të konkurimit të vjetshëm, të shëmtuar dhe të turpshëm, simbas Ali Aliut, janë një pjesë fituesve të vjetshëm. Asnjëherë, nuk është gjykuar për fituesit, sepse e meritojnë apo jo, ata vetë nuk kanë ndonjë faj, por për procesin e konkurrimit, për mekanizmin e mykur, që është kthyer në një makth të përvitshëm, të një qarku të mbyllur, ku dihen fituesit dhe shpërndarësit e çmimeve letrare. Kështu, sa për të kuptuar shpërdorimin e funksionimit të jurive, këtyre moteve, nga çmimndarësit e njohur të kësaj periudhe, janë dhënë disa çmime për Sabri Hamitin, madje së fundi edhe në Panarin e librit, sa thua se nuk ka asnjë autor tjetër në trojet etnike dhe në diasporë. Megjithatë, në praktikën e funksionimit të jurisë së çmimeve letrare, të dikasterit të kulturës, tashmë ka edhe një dukuri që evidenton faktin që gjatë gjithë kësaj periudhe, pra nga viti 2005, juritë letrare janë udhëhequr, drejtuar dhe menaxhuar nga një grup mësimdhënësish të filologjikut, më saktë të Departamentit të letërsisë dhe të gazetarisë. Në pamje të parë nuk ka ndonjë të keqe të madhe, por puna është se departamente të tilla ka edhe në Shkodër, Elbasan e gjetkë, dhe mundet të bënin pjesë edhe të tjerë specialistë apo ekspertër të letërsisë. Praktikisht, kjo rrethanë absurde në kohëzgjatje dhe në menaxhimin e procesit, ka sjellë që të njëjtët njerëz, shumica të po këtij rrethaku, që të jenë ose fitues ose në juri. Kujtoni listën e fituesve të këtyre moteve, pra nga viti 2005 e në vazhdim, për të kuptuar se çfarë ka ngjarë realisht me këtë historinë e çmimeve zyrtare të MK. Lista mbizotërohet nga mësimdhënës të filologjikut, duke i vënë vulën dështimit të gjithë praktikës së organizmit dhe realizimit të konkursit letrar të përvitshëm. Po kaq, të yshtur edhe nga dëshira e kontrollimit dhe determinimit të situatës, ata ka mote që kontrollojnë Ditën e librit, kudo ku ka ndarje çmimesh, në teatër, në panarin e librit, sa që tanimë ka përshtypjen se është ngritur edhe gjykata supreme e librit, e vlerësimit dhe konsiderimit, pa e patur ligjërisht këtë tagër, ndërkohë që territori ku duhet të ushtrojnë pushtetin e tyre është Filologjiku. Mbi të gjitha, prania e tyre, në shumicën e rasteve të ndarjes së çmimeve për librat, ka krijuar shijen e vlerësimit të zyrtarshëm, por edhe brenda një klani të caktuar. Është e dështuar praktika e përfshirjes në juri e personave të punësuar në ministri, gjë që ka ndodhur, me shumicën e jurive të këtyre viteve, që e implikon drejtpërsëdrejti insititucionin. Ripërshirja në këtë debat për mënyrën se si ndahen çmimet letrare të MK, erdhi për tre arsye: E para: Gjatë këtyre viteve, vazhdueshëm nga komuniteti i shkrimtarëve, në media ka patur debate dhe kundërshti, që kanë rënë në vesh të shurdhër. E dyta: Këtyre kohëve, nga ana e kësaj ministrie, është folur për një proces të thellë reformimi, dhe fakti që vijon ndarja e çmimeve letrare simbas platformës së vitit 2007, do të thotë se ky aspekt është lënë jashtë vëmendjes së reformës për librin. Së treti: Është rasti për të hapur një debat, real për ta çliruar MK nga detyrimi për të dhënë çmime të zyrtarshme, por e duke vijuar mbështetjen financiare, dhe kjo praktikë, të kalojë në mjedise të pavaruar nga shtetit, nga platformat politike dhe arsimore, të çdo qeverie. Prandaj, më tepër se sa dorovia e radhës, për fituesit e rastësishëm apo me vend, ka vend për të vënë piketat, se nuk ka kohë dhe hapësirë për shpërdorimin e parave të taksapaguesve, në mënyrë që të mbyllet periudha e dështimit të konkursit letrar, që udhëhiqet nga dëshirat e klaneve të ndryshme.

*E dergoi autori per “Diellin”

Filed Under: Kulture Tagged With: Behar Gjoka, konkursi letrar

ARTI NA BASHKOI

December 6, 2013 by dgreca

ÇASTE ME MIKUN IMRI TRENA ME RASTIN E THEMELIMIT TË KUVENDIT TË KRIJUESVE SHQIPTARË NË  MËRGATË

Shkruan: Shaban CAKOLLI/

Me organizimin e takimeve qoftë kulturore,qoftë letrare,ndoshta pësojmë një humbje materiale,lodhëje,por fitojmë një pasuri shpirtërore. Duke shfletuar shumë nga librat na ka rënë të lexojmë krijimtari shumë me vlera,krijimtari të mirëfillta,andaj duke lexuar ato vlera,shpesh sikur e kemi pyetur vetën;Kush është ky krijues,madje krijimtaria e tyre e pasur na ka shty të mendojmë si duken këta krijues,jemi munduar të studjojmë personalitetin e tyre?!!!Megjithatë na ka rastisur që nëpër tubime letrare të njihemi me shumë miq krijues të cilët i kemi lexuar,por nuk i kemi pa e njohur më parë.Nuk ka asnjë dyshim se arti është forma më e mirë eqë i bashkon njerëzit artdashës.Ka dhjetëra e dhjetëra  vite prej kur e kam lexuar një mik krijues,e kam lexuar në publicistikë,në prozë e poezi,jam shoqëruar çdo natë me zërin e tij të ëmbël e të ngrohët,pasi administron  afro trembëdhjetë vite një radio shqiptare në Norvegji,po deri më tani nuk kisha pasur rastin të shihem me te,të i shtrëngoj duart me te,të përqafohemi me te,e ky ishte miku ynë i çmuar,shkrimtari,poeti,publicisti,mësuesi dhe kryeredaktori i Radio “Zërit të Arbërit”,zotëriu  Imri  Trena.Sa e sa herë kisha ëndërruar të e takoj,e në fund këte na e mundësoj arti letrar.Asociacioni për themelimin e  Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë,i organizuar në Koblenz të Gjermanisë,ishte porta që na bashkoj Aty u shpalosën, mes tjerash edhe forma e organizimit dhe veprimit të krijuesve në mërgatë. Fatbardhësisht krijuesit tanë në vendet jashtë atdheut janë të shumtë dhe paraqesin vlera prezantuese para të tjerëve krahas kombeve tjera. Këtu ne duhet të bashkojmë forcat në hulumtime  kulturore në gjithë globin që ta shpalosim të vërtetën shekullore të  historisë e kulturës kombëtare.Për këtë qëllim kishin ardhur anë e kënd krijuesit tanë që ndodhën kudo në mërgatë:Sadie Kryeziu (GB), Flora Borovina (RKS), Shenida Bilalli (KRO),  Adem  Demaçi(RKS), Silva Tërnava (Zelande e Re), Sevëme Fetiqi (D), Besim Xhelili (A); : Imri Trena (N), Rita Saliu (SHBA), Selvete Tërstena – Halili (D), Gonxhe Letmi – Begisholli (D), Hazir Mehmeti (A), Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi (Tetovë), Besnik Camaj (CH) dhe Drita Nikoliqi Binaj (Vojvodinë),Ragip Rama(D),Valdete Berisha(BGJ),Avni Bellaina,Martin Çuni,Pal Sokoli poashtu nga  Gjermania,e të tjerë….

Aty takova mikun tim të dashur e fisnik  z.Imri  Trena,këtë njeri me gjene fisnike  ,gjene këto të cilat i kanë hapur shtigje në çdo hap të nisur,asnjëherë nuk u përul dhe dallgët  e jetës i  kaloj me krenari e dinjitet.

Të qëndroje me  Imri Trenën ishte njësoj siukur kur e lexon,njeri i ngrohët,i dashur,plot dinjitet me një krenari njerëzore.Do të doja edhe shumë të bisedoja me te,madje nuk do të ngopeshim edhe po të bisedonim me ditë të tëra,por agjenda e punës së kuvendit ishte e ngjeshur,herë-herë ia dilnim të bisedonim në mes pauzash,në takim darke,edhe ate nën zhurmën e tingujve të muzikës,pas takimit të kuvendit.

Biseduam e rrahëm shumë tema kur na u dha mundësia,për krijuesit,për rininë,për shkollat shqipe në mërgatë,për privilegjin që na u dha të njohim krijuesit,të cilët nuk i kishim njohur më parë.Ai fliste bukur,ëmbël,qetë,me thjeshtësi,biseda këto të cilat  më lanë  mbresa,të cilat do i mbajë mend nëpër vitet e mia.Imri Trena është njeri i dashur,mik i shqiptarëve në çdo shtëpi shqiptare,ku zëri i tij në valët e radios

“Zëri i Arbërit” ka përmbushur kërkesat e çdo familje shqiptare,kështu kisha menduar me kohë,edhe kur nuk ishim njohur,kështu e vërtetova se kisha vlerësuar mirë.Imri Trena është edukator i mirë,ai në baza vullnetare ka punuar në shkollat shqipe në Gjermani dhe ka edukuar gjenerata të tëra të fëmijëve tanë mërgimtarë.Imri Trena përfaqson edhe LSH në Norvegji,ai na njoftoj edhe për aktivitetet e LSH atje

Dëshira ime është të arrijmë qëllimet tona sa i përket krijimtarisë e cila na ka lidhur të jemi sot këtu,thotë miku Trena.Shembuj të organizimeve tjera të mirëfillta të krijimtarisë në Norvegji kemi si nga komuniteti pakistanez,indian,kroat e shumë komunitete tjera.Edhe ne shqiptarët duhet të zëmë këtë hap,krijimtaria jonë duhet të i shërbej kombit,të jetë e mirëfilltë,të stërvisim në këto fusha rininë tonë të mërguar,ky do të ishte qëllimi fisnik i shpëtimit të rinisë sonë,i freskimit të kryesive tona me  njerëz të rinjë,të u rrijmë pranë,të ju prijmë atyre ku paraqitet nevoja,të stërviten ata,të fitojnë eksperiencë dhe këtë eksperiencë dikur të e bartin në vendlindjet e tyre.Kisha dashur që nga ky kuvend të dalim me rezultate konkrete qëllimet i kemi të qarta,e dijmë për se jemi deleguar nga baza,na pritin vlugje punësh,kemi këtu

veprimtarin e kombit bacën  Adem Demaçin,zonjën shumë të nderuar Flora  Brovinën dhe mendimet e tyre janë udhërrëfyese për neve dhe shumë të mirëpritura,thotë  miku ynë Imri Trena.Miku ynë  Trena foli

edhe për LSHAKSH në Gjermani,siç tha se ata kanë dëshmuar se kanë përvojë,kanë radhitur suksese,prandaj konsideroj të udhës që kësaj radhe të shkojmë pas tyre,sepse secilit nga ne do të na vjen radha të sprovohemi e të dëshmojmë vehtën.Më e keqja do të ishte nëse themi:Nuk pajtohemi me juve,po as ne s´po dijmë se çka  po kërkojmë!Kështu mendonte miku  Trena,edhe pse kështu nuk mendonin të gjithë,por ashtu  u bë si thoshte miku Trena,kryesia e Kuvendit u zgjodh nga  krijuesit tanë që veprojnë në Gjermani:Hasan Qyqalla,Fran Tanushi dhe Mentor  Thaçi.Po miku  Trena është njeri i cili njeh dhe pranon vlerat e të tjerëve,andaj  vlerat e tij janë të pranuara nga ne.

Imri Trena

Imri Trena u lind më 1961 në fshatin Begrace të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Në vitin 1999 migroi në Norvegji, ku jeton dhe vepron sot. Është themelues dhe kryeredaktor i Radiostacionit “Zëri i Arbërit”. Është arsimtar i Shkollës Shqipe në Oslo, që nga viti 2000. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja e tretur”, “Plagë në zemër”, „Shtegtimi i shqipeve”, “Prapa grilave”, “Kosova ime e madhe”, “Andej është Kosova”, „Rruga e hidhur”, “Dhembje e lot”, “Në Kampin Bjonerbek”, “Aromë manushaqeje”, “Mall i (pa)shuar” dhe “Me zërat e Zërit të Arbërit”.

Poezitë e tij janë perfshirë në disa antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë.Imri Trena ,shkruan në poezi dhe prozë,shkrimet e tija kanë mundur të u qëndrojnë kohërave.

Pa hyre ne ne detaja, nga se nuk i dilet dot,takimi i “Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë,per  ne ishte shenjëtri,falë organizuesëve e krijuesve të artit,kësaj radhe arti na bashkoj.Thonë,mali me mal nuk takohen,por njeriu me njeriun piqen,aq me krenari kur jemi vllezer te nje gjaku.

E me ne fund , kudo të buzëqeshur,në kuvend,darkë,orë letrare,valle e muzikë,shiheshin fytyra të ndritura intelegjente të krijuesve,të cilët lenin të kuptonin se ishte privilegj për secilin të njihen me këta njerëz të artit.Kënaqësia ime e madhe ishte takimi  me poeti n tonë të çmuar e të dashur,mikun  Imri Trena.

Biseda me te ishte vellazerore,miqesore e cilter e thjeshte,me humor e fjale mjalti ,që janë futur thell në zemrën tonë,të cilat kurrë nuk do të shkulen  nga rrënjet e kujtesës.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Imri Trena, Shaban Cakolli

BASHKËBISEDIM ME LIBRIN

December 6, 2013 by dgreca

Libër i nderuar, e dashura ime është shumër e bukur, por atdheu më i dashur. Jam lindur në një vend ku qielli lahet me të bëra, dhe toka që rrotullohet me ne, nuk është pa ré dhe ditë të bukura. Poeti gjerman, Fridrih Hëlderlin, shkruan;„Njeriu poetikisht banon në këtë botë“, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin./

Nga Rrustem Geci – Dortmund/ Gjermani/

Libër i dashur, jam lindur me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Në vendlindje u mësova të shkruaj, ndërsa mësimet e tjera në Gjilan, Dardanë, dhe Prishtinë. Për të ardhur t´i në jetë, kam kaluar shtigje të gjata kulturimi. Në këtë tokë të atdheut tonë, unë e ti u rritëm nga çarjet e dhimbjeve, nga tufani i erërave, nga ashku i puthjeve, nga drithmat e dashurisë. Prandaj, përderisa të përbashkët të kemi fjalën, gjuhën, frymën dhe stinët, do të ketë botë, do të ketë libra dhe letërsi. I dashur libër, të vura emrin “Kanuni poetik”, nga një motiv krejt i thjeshtë: të kesh një emër. Dhe të kesh një fat. Fatin që të mos jetosh kurrë kohë të përndjekjeve dhe djegieve si shumë pararendës dhe bashkërendës të kohës që po jetojmë. Libër i dashur, ti ndoshta mund të ankohesh se të kam vënë barrë e mision të vështirë, por ti mos u shqetëso, një libër është më vështirë të shkruhet sesa të lexohet, pra, s´ke përse të mërzitesh, lexuesit herët a vonë do të trokasin tek ti… do të hapin portat e mëdha të zemrës sate, për të marrë nektarin e dashurisë, hiret e madhshtisë dhe të bukurën e betejave të jetës. Dhe të gjitha bashkë, mesazhin e kohës që po jetojmë. I dashur libër, e di që s´e kam të lehtë të kremtoj ardhjen tënde në jetë, por, ja, kjo paskësh qenë ekzistenca jonë e parathënë. Frymëzimi dhe mundi krijues, me sa duket, është një urdhër qiejsh. I pashmangshëm, dhe i pakundërshtueshëm. Poezia në shpirt ka diellin, ajrin, ujin, të ngrohtën e kohës. Prandaj, për të lindur ti, i kam lexuar të gjitha kohët, dhe fjalës së shkruar, ia kam fshirë lotët dhe gjakun sa herë është përgjakur me cenzorë shërbestarë. Libër i dashur, me artin e bukur të poezisë kam rënë në dashuri, që moshë të hershme, me poezinë “Vjershën që s´desha ta shkruaj”, fillimisht drojshëm e më pas ballas e marrëzishëm. Më vonë, si dëshmon dhe ti, do të doja e guxoja të shprehem, se dashuria nis me njëshin dhe mbaron me shumësin. Libër I dashur, me mëndje e flijim elitar vëhen gurët e mëdhenj… Ndaj ti dukesh i paqtë e i prajshëm si lumenjtë e thellë që brenda kanë rropamën, vrullin, dhe trazimin…Atdheu nis tek zemra, tek vetëdija e gjithsecilit prej nesh. Libër i dashur, u bën 40 vjet që unë e ti bashkëjetojmë dhe dihatim me të njëjtin ritëm gjallimi, duke shijuar së toku orët e vona të shpirtërave të zgjuar dhe këngën e zogjëve herakë. Letërsia jonë o Libër, çdo ditë po bëhet më e pasur, dhe më e bukur. I nderuar, „Kanuni poetik“, në fletët tua lexuesi mund të gjej poezi e motive nga më të ndryshmet. „Shiu qe vetëm një miqësi / Fëmijë shiu ishim të tjerët / Jeta s´kthehet mbrapshtë / Në pika shiu shumëzohet!.. Libër i nderuar, një dëshmi e kësaj toke të vogël, është ajri, uji, drita, mjegullat dhe retë të shndëruara në zogj. / Ngrihu populli im, ngrihu /Pse rri aq i qetë, pse heshtë / bëje dorën grusht / Pushtuesi kudo të ndjek. Libër i nderuar, prej shpirtit më vjen që ta them dhe këtë; zoti s´mund të jetë i pranishëm në dhimbjet që tash i kemi mësuar. E dashura ime është tepër e bukur, por atdheu më i dashur. Libër i nderuar, koha për t´u ndarë po afron. Sido që të jetë e ardhmja, ti do bësh udhën tënde. Shqiptarët e duan poezinë, frymën e saj, të bukurën në jetën e përditshme. Udha deri te lexuesi nuk është aq e lehtë. Takimi i librit me lexuesin i gjason një çifti të dashuruar, një çifti me fjalë pak e shtrëngime shumë. Libër i nderuar, këtë bashkëbisedim para botimit për publikun, po e mbylli me një varg të poetit gjerman, Hëlderlin, ku thotë; Njeriu poetikisht banon në këtë botë, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin. I dashur libër, mesazhet tua për të mos e vrarë jetën, për të mos e braktisur dashurinë, për të mos e përbuzur vuajtjen dhe dhimbjen, janë në themelet tua. I dashur, „Kanuni poetik“, në mars të vitit 2014 ti me vete do t´i kesh 23 vargje, dhe brenda 23 mijë vargjeve do kesh 25 poema, dhuratë të një jete jo dhe aq të lumtur. Libër i nderuar, unë e ti tani tani duhet të ndahemi; ti tek lexuesi, e unë tek poezitë e pashkruara. Kanuni im poetik,unë  të uroj fat të mbarë, udhës së të palindurve!..

Filed Under: Kulture Tagged With: bashkebisedim me librin, Dortmund, Rrustem Geci

Mehmet DerrallA Ministër i Parë i Luftës në Qeverinë e Vlorës-HISTORIKISHT NGELI SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR

December 6, 2013 by dgreca

Me rastin e 101 vjetorit të ZGJEDHES TË MEHMET DERRALLËS-TETOVA ministër I LUFTËS në KUVENDIN E VLORËS/

Prof. Dr. Vebi Xhemaili-USHT-TETOVË/

 Në vitin 1843 kur lindi Mehmet Pash Deralla, pikërisht në Gradecin e Pollogut, I cili mori pjsë në Kuvendi Kombëtar të Vlorës, i udhëhequr nga diplomati më i shquar shqiptar Ismail Qemali pas shpalljes së pavarësisë. Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali propozoi zgjedhjen e organeve drejtuese të shtetit të ri shqiptar. Në seancën e II, më 30 nëntor të vitit 1912, të cilën e thirri Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, vendosi të formonte organet drejtuese të shtetit shqiptar e përbërë nga 6 ministri. Ismail Qemali doli me një listë duke i propozuar këta emra: Mehmet Derralla-Tetova, Mufit bej Lihbova, Azis Pasha, Vehbi Efendi-Dibra, Abdi Bej Toptani, Mithad bej Frashëri.[1] Por kjo qeveri e propozuar nga vetë Ismail Qemaili hasi në reagim të fortë nga vetë delegatët. Pasi në këtë listë të mandatarit të Parë të Qeverisë Shqiptare nuk figuronte asnjë i krishterë. Përbërja e Qeverisë së Re u shty më tre dhjetor 1912.[2]

Ismail Qemali doli me propozim të ri, duke e shtuar numrin e ministrive nga gjashtë në tetë ministri, që u pranua një zëri nga të gjithë delegatët. Në mbledhjen   e tij  të pestë më 4 dhjetor.[3] Me propozim të vetë Ismail Qemalit, ndërsa gjeneralit tetovar Mehmet Derrallës i takoi Ministria e Luftës, ndërsa ministria e Brendshme Myfid beu. Ky pasi kishte mosmarrëveshje me Ismail Qemalin dhe qeverisjen e tij, më vonë dha dorëheqje dhe u zëvendësua nga Esat Pasha.[4]

Kjo zgjedhje u verifikua në seancën e pestë të senatit e cila filloi me 3 dhjetor dhe zgjati deri më 4 dhjetor, kur u bë votimi për ministra, nga 63, delegatë, të pranishëm ishin vetëm 57, vendi i tretë i takoi gjeneralit tetovar me 42 vota, pas Luigj Gurakuqit, e Mufid Beut.[5]

 

Mehmet Derralla nga Tetova u Zgjodh më 4 dhjetor 1912

Ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë     

 

Me të arritur në Vlorë plaku 69 vjeçar u zgjodh ministër i Parë i Luftës nga  Tetova, që në atë kohë i takonte vilajetit të Kosovës. Pra, Kosova pas 55 kryengritjeve ndër krahinore e fitoi vetëm një post me peshë Ministrinë e Luftës.  Mehmet Tetova e filloi punën me një disiplinë të rreptë ushtarake, në riorganizimin e ministrisë së Luftës, ai për zëvendës në këtë ministri ka pranuar vetëm persona të dëshmuar dhe atdhetar të paepur, që kishin për pasion luftën për çlirim-nacional e bashkim kombëtar, që kishin bërë vepra të mirëfillta kombëtare. Në këtë kohë në përbërjen e  qeverisë shqiptare merrte pjesë edhe Ali Shefqet Shkupi,[6] ky para se të merrte pjesë në Qeverinë e Ismail Qemalit, është këshilluar edhe me Mustafa Qemal Ataturkun i cili në këtë kohë shërbente në Rumeli, nga viti 1910-1914 si ushtarak. Ata turku në këtë kohë e përkrahte Pavarësinë e Shqipërisë.[7] Ali Shkupi në fillim të vitit 1913 u emërua  kryetar i parë i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare. Pasi ky njihej edhe më herët Mehmet Pashë Derrallën gjatë veprimit të tyre në Selanik. Derralla si njeri të besueshëm e emëroi për zëvendës në Ministrinë e Luftës. Ali Shefqet Shkupi ishte edhe pjesëmarrës dhe nënshkrues i rezolutës në Kongresin e Triestes, mbajtur nga 1-3 mars 1913, Pra me propozim të ministrit të Luftës u emërua: Komandant i Parë i Shtabit Madhor i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare (U.K.SH.).[8]

Siç dihet Kongresi i madh shqiptar i mbajtur në Trieste ku morën mbi pjesë 300 përfaqësues shqiptarë u organizua nga atdhetari i palodhshëm i çështjes kombëtare Dervish Hima nga Ohri,[9] sipas Konicës dhe Lihbovës i pari që e solli flamurin kombëtar në Shqipëri në vitin 1908. Sipas burimeve austriake ai udhëhoqi kryengritësit shqiptarë në rrethin e Manastirit dhe të Ohrit, gjithnjë sipas raporteve austriake  me rastin e Shpalljes së Pavarësisë  më vitin 1912 në Vlorë, aty mori pjesë edhe Dervish Hima bashkë me Hilë Mosin.[10]

Në Kongresin e Triestes morëm pjesë edhe delegacioni që vajti në Londër Rasih Dino, Filip Noza, Mehmet Konica. Tok me ta ishte Dervish Hima, Bib Doda, Bajram Daklani. Në fund Kongresi zgjodhi një delegacion prej 7 vetash, për kryetar u emërua Hil Mosi, për nënkryetar Dervish Hima dhe Faik Konica. Nga Ky Kongres mbarë shqiptarë i dërguan një peticion Fuqive të Mëdha, kundër copëtimit të Shqipërisë nga shtet Ballanike. Në parim Kongresi u zotua se të mbrojë tërësinë territoriale të Shqipërisë Etnike nga copëtimi i huaj greko-sllav. V. Xh).

Në këto rrethana të vështira për Shqipërinë kur disa feudalë shqiptarë për interesa të veta personale e lëshuan Qeverinë e Ismail Qemalit dhe bënin çdo ditë pengesa në funksionimin e qeverisjes dhe demokratizimit të vendit. Pas disa muajve në taborin e Esat Pashës, u futën edhe emra të njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.[11] Disa shkuan aq larg sa që kërkonin shkarkimin e Ismail Qemalit, si kryetar i Qeverisë së Përkohshme, udhëheqës të  i këtij grupi ishte Sureja bej Vlora.[12]

Më besnik deri në fund të qeverisjes së Ismail Qemalit, ngeli vetëm Mehmet pashë Tetova. Kjo më së miri shihet kur më 30 mars të vitit 1913, Ismail Qemali u nis në krye të delegacioni të qeverisë shqiptare ku bënin pjesë; Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqi. Deri në këtë kohë Qeveria e Përkoshme e Vlorës në krye me Ismail Qemailin Ismail Qemalin, përveç delegacionit shqiptar që mbante pranë Konferencës së Ambasadorëve në Londër, dërgo paralelisht edhe dy delegacione tjera një në Romë dhe në Vjenë. Qëllimi i dërgimit ishte që të siguronin përkrahjen e prej Italisë dhe Austro-Hungarisë, që të mbronin çshtjen shqiptare ndaj gjenocidit që ushtonin ushtritë serbo-malazeze në Shqipërinël verilindore dhe ato greke ndaj popullsisë çame.

Takimin e parë të udhëhequr nga Ismail Qemali, delegacioni e pati në Romë më një prill me ministrin e punëve të Jashtme të Italisë San Xhulianon, ku kryetari i Qeverisë shqiptare, kërkoi  nga ai sqarim në lidhje me caktimin jo të drejtë të kufijve etnik, pasi tani më ishte marrë veshtë se Konferenca kishte lënë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, gjysmën e territoreve të Shqipërisë Etnike. Por ministri italian jo që nuk pranoi kërkesat e delegacionit shqiptarë, por u mundua së bashku me ambasadorin austriak në Romë, Mereyt, që ta bindin delegacionin shqiptarë që të kthehet prapë për në Vlorë.[13] Por delegacioni nuk pranoi kthimin prapa, por vazhdoi misionin e tyre nëpër qendrat Evropiane, ku qëndroi përafërsisht tre muaj nëpër shtetet e Fuqive të Mëdha: Romë, Vjenë, Paris, Londër, për të protestuar kundër vendimeve të padrejta, pasi Shqipëria Etnike ishte ndarë në dy pjesë në mënyrë arbitrare më 22 mars 1913, që ishte në kundërshtim me vullnetin e shprehur të popullit shqiptar të shpallur nga vetë delegatët e saj në Kuvendin mbarëkombëtar të Vlorës. Me këtë rast qeverisjen e vendit Ismail Qemali, ia besoi Ministrit të Luftës Mehmet Derrallës dhe jo zëvendësit të tijë Dom Nikollë Kaçorit.[14]

Mehmet Derralla edhe pasi u emërua ministër i Luftës, kurrë nuk u pajtua me vendimin e qeverive të mëdha, por ky në bashkëveprim me Isa Boletinin e Ajdin Dragën u dërguan Qeverive të Mëdha një MEMORANDUM ku kërkonin, drejtësi për rishikimin e kufijve Veri-lindor nga gjashtë Fuqitë e Mëdha. Në këtë memorandum thuhej: ”ne nuk mund të rimë të qetë, ku një popullsi prej një milion shqiptarësh mysliman e katolik të bien nën sundimin serbo-malazez, ku përqindja e saj në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5%”, këtë mund ta verifikoni me dërgimin e një Komisioni të Lartë evropian.[15]

Për qëndrimin nacionalist të ministrit të luftës Mehmet pashë Tetovës, na jep të dhëna i dërguari special i Nikolla Pashiqit, Ballugçiqi, i cili thotë: “vetëm Mehmet Tetova është më i vendosur kundër bisedave për një marrëveshje të ardhshme shqiptaro serbe”.[16] Në këtë Nikolla Pashiqi, kërkonte nga Qeveria Shqiptare lidhjen e një marrëveshje  në bazë të së cilës  Beogradi zotohej se  do ti jepte përkrahje Qeverisë së Përkohshme  Shqiptare në rast se kjo pranonte vijën kufitare që do të caktonte Serbia  dhe nuk do të kundërshtonte kërkesën që Durrësi të caktohej pika tregtare e  Serbisë. Por, Ismail Qemali nuk pranoi të takohet as me Ballugxhiqin e as me ithtarët  e tij. Delegacioni shqiptarë u takua me Ballugxhiqin në Milano, kur arriti delegacioni shqiptar, por patën qëndrime tejet  të kundërta për një bashkëpunimin të ardhshëm shqiptaro serb. Ismai Qemali i tha Ballugxhiqit. “ se kur shqiptarët nuk do të pajtohen me ata kufij që i ka caktuar Konferenca e Londrës”.  Mehmet Tetova sëbashku me qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemallit, përkrahu fuqishëm çlirimin e vendeve tona nga sundimi serb. Kjo shihet më së miri kura ata  përkrahën fuqishëm Kryengritjen e cila filloi në Dibër gjatë muajit shtator 1913. Prandaj ai me themelimin e “Komitetit për çlirimin e viseve të pushtuara”, bënte pjesë menjëherë pas Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit, ndërsa djali tij Halim Tetova ishte emëruar udhëheqës për operacione ushtarake në trevat lindore, (në krahinën e Maqedonisë së sotme). V.Xh).

Më 22 janar 1914, për t’i dhënë fund përçarjes brenda vendit Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria, me dorëzimin e pushtetit Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, duke kryer një akt tejet demokratik dhe kombëtar, në fund u largua përkohësisht nga Shqipëria. Në të njejtën kohë pushoi edhe funksionimi i ministrisë së Luftës. Mehmet Derralla pas kësaj periudhe u vendos në Durrës dhe pas ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, Mehmet Tetova, së bashku me Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin u bashkuan me qeverisjen e Princ Vidit për të mirën e Shqipërisë, duke e vazhduar rezistencën e armatosur kundër sunduesve serbë dhe atyre malazez. Këta vazhduan veprimtarinë e vetë patriotike, në organizimin e luftës deri në vdekje kundër zaptuesve serbo-malazez. Falë këtyre tre udhëheqësve kombëtar u organizua një nga kryengritjet më të mëdha në trevat lindore, e njohur në histori si Kryengritja e Shtatorit e cila filloi në Dibër me rrethinë në vitin 1913 dhe me të shpejtë u zgjerua kah Struga, Ohri deri në Shkup, Tetovë e Gostivar.

 

 

 

 



[1]Qevria e Përkohëshme e Vlorës… dok. nr. 50, f.52.

[2]Po aty, dok-50.

[3] Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-19114,Tiranë 1978, f. 113.

[4] Mufid Libova, pas në kohe u emërua delegatë i Shqipërisë në Komisionin  Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas formimit të qeveris së Princ Vidit, Lihbova bëhet ministër i drejtësisë në qeverinë e Tuhran Pashës. Dha dorëheqje  në 10 korrik 1914. Ndërsa me ardhjen e Zogut në pushtet u bë pjesë e qeverisë së tij dhe udhëhoqi me Ministrinë e  financave. Në qeverinë e Zogut udhëhoqi me Ministrinë e Financave, por pasi kishte bërë malverzime në financat, Zogu  e zëvendësoi me italofilin Fejzi Alizotin. Është merita e tij dhe Syreja bej Vlorës që u demaskua dhe u burgos majori Beqir Grebeneja, i cili në atë kohë përgatiste një grushtshtet në favor të xhonturqve në Vlorë.

[5] Po aty. dok. nr.62.

[6] Ali Shefqet Shkupi ka lindur në Shkup në vitin 1983. Shkollën fillore e kreu në Manastir, shkollën mesme ushtarake në Selenaik, pastaj kali në akademinë ushtarake në Stamboll.

[7] Vebi Xhemaili, Shqiptart e maqeonisë sotme nga Kryengritja e Dervish Cares 1843 deri te ajo e Dibrës në vitin 1913, Tteovë 2012, f. 621.

[8] Qevria e Përkohshme e Vlorës,  Po aty, dok. Nr. 62.  f. 73.

[9] Dervish Hima, lindi në Ohër në vitin 1873 (Sipas disa burimeve tjera 1875), emri i vërtetë i tij është  Mehmet  Naxhi.

[10] Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në diturinë Islame, Prizren, 14 nëntor 1991, f. 95.

[11] AQSH, Fond. 245, dos.26, f. f.35-36; Ndër ta ishin:Preng Bib pasha, Mehdi Frashëri, Syreja Bej Vlora, Dervish Hima, Bedri Pejani tjer,  12 shtator viti 1913.

[12] HHStA, PA raport i Petroviqit nga Vlora më 19 nëntor 1913,

[13] HHStA, PA , Teleg. Nga Vjena dërguar ambasadorit Mereyt në Romë, Vjenë më   prill 1913.

[14]AQSh. Fond. 71, dos.1, dok. 10411-10412..

[15]AQSh.  Fond. 68, dos-5.

[16]Sreten Martinoviq, Jedan izvsh[taj iz Albanije 1913, “godishnjak”, 1986, Prishtinë, 1986, f.150.

Filed Under: Histori Tagged With: Mehmet derralla, ministri i pare i luftes, ne qeverine e Vlores, Vehbi Xhemaili

Tubim shembullor dhe përurime festive ne Zvicer

December 6, 2013 by dgreca

Në shenjë nderimi me rastin e 28 nëntorit,ditës së Flamurit kombëtar dhe 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, më 24 Nëntor 2013, në Langendorf të Solothurnit, në pranin e një numri të madh pjesëmarrësish u organizua një manifestim shembullor festiv.

Në këtë tubim të mirë-organizuar u përuruan edhe veprat e disa  autorëve të pranishëm, si nga autorja Luljeta Selimi, libri tanimë i njohur, në vend dhe jashtë tij, me titull “Rrëfime tronditëse”, Lebit Murtishi, Poezi dhe dy monodrama; si dhe librat e autorit të këtyre rreshtave “Mallkim shekujsh”-poezi, “Krijuesit e Historisë” dhe “Vrasje Idealesh”në prozë, shitjen e të cilave ia dedikoi Shoqatës Humanitare, “Jeta në Kastriot” nën udhëheqjen e zonjës Luljeta Selimi.

Përveç pjesëmarrjes së mërgimtarëve nga të gjitha anët e Zvicrës,mysafire speciale e këtij manifestimi, nga Kosova, kësaj radhe ishte autorja e librit “Rrëfime tronditëse” zonja Selimi,bashkëpunëtorja e nderuar e Albsuisse- zonja Saranda Ademi, kurse nga Gjermania z. Sheradin Berisha,si dhe përfaqësues të ambasadës së Kosovës me seli në Bernë, publicist e dashamir të artit dhe valltare e solist të dalluar në mërgim.

Manifestimi u hap me ekzekutimin e Himnit Kombëtar,pas të cilit përshëndetjen e mysafirëve me një fjalë rasti e udhëhoqi Kryetari i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, z.Abas Fejzullahi, kurse për veprimtarinë dhe aktivitetet e Bashkësisë sonë (BISHZ) foli Dr.Sci. Ahmet Xhigoli.

Një nderim i veçantë iu bë mysafires nga Kosova, zonjës Luljeta Selimi,me ç `rast, përveç solidarizimit me aktivitetin humanitar që ajo udhëheqë, u përgatitën edhe disa vështrime për librin e saj, i cili u përurua dy herë- brenda dy ditësh,si më 24 nëntor në Langendorf afër Soloturnit dhe më 25 nëntor në lokalet e Bibliotekës Shqiptare në Cyrih.

Tubimi përveç fjalimeve,pjesëve letraro-publicistike, pyetjeve e përgjigjeve dhe diskutimeve, u shoqërua edhe me këngë e valle të zgjedhura si dhe u përshëndet nga zëvendës-ambasadori i Kosovës në Zvicër z. M. Xhemajli, i cili kishte ardhur enkas nga Berna për nderimin e tij.

Përveç aktiviteteve përuruese, Bashkimi i Intelektualve Shqiptar në Zvicër, përkatësisht Kryetari, z.Abas Fejzullahi, ndau edhe disa mirnjohje për aktivistët e dalluar,në këtë manifestim shembullor, për të vijuar me pika të zgjedhura muzikore,njohjes në mes të mysafirëve dhe bisedave shoqërore.Për fund ishte përgatitur edhe një darkë solemne me ushqime tradicionale shqiptare,të cilat i kënaqën të pranishmit e shumtë në këtë tubim.

Ndaj të gjithë pjesëmarrësit ishin të mendimit se me gjithë punën e madhe dhe angazhimet e shumta që ato kërkojnë,tubime të tilla me frymë kombëtare, duhet të mbahen më shpesh, kudo në mërgim. Për organizime si këto,dhe punën e palodhshme që vazhdimisht bëjnë, në kuadër të Bashkimit të Intelektualve Shqiptar,në mënyrë të veçantë duhet falënderuar Kryetarin z. Abas Fejzullahi si dhe z. Dr.sci.Ahmet Xhigoli, aktivist këta të palodhur dhe shumëvjeqar të këtij Bashkimi.Një organizim i tillë shembullor, do të mbahet mend gjatë, si për programin e zgjedhur ashtu edhe për mbarëvajtjen e e mrekullueshme të tij. Ndaj urojmë që tubime si këto, të përsëriten më shpesh dhe të kalojnë në atmosferë sa më festive, edhe në të ardhmen nga të gjithë mërgimtarët të cilët vërtetë me trup dhe punë, gjenden në vende të huaja, por me shpirt e zemër, mbeten përherë në atdheun e tyre të shtrenjtë.

 

Gani Qarri , Cyrih, Nëntor 2013

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT