• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Paul Walker shfaqet me flamurin shqiptar

December 2, 2013 by dgreca

40 vjeçari Walker la pas vetes një vajzë, thuhet të ketë origjinë shqiptare, dhe për të argumentuar këtë, ai shihet në një foto, ku mbanë të veshura një palë pantallona të shkurta me flamurin kuq e zi – megjithëse duhet pranuar se nuk i dihet autoniciteti kësaj videjo./

Nga Beqir SINA, New York/

NEW YORK : Paul Walker, është me prejardhje shqiptare, kështu thuhet në disa nga portalet e huaja, pas vdekjes së tij të papritur pas një aksidenti me makinën e tij. 40 vjeçi që la pas vetes një vajzë, thuhet të ketë origjinë shqiptare, dhe për të argumentuar këtë, ai shihet në një foto, ku mbanë të veshura një palë pantallona të shkurta me flamurin kuq e zi.

Paul Walker me prejardhje shqiptare

Artisti shumë i njohur i Hollivudit, Paul Walker, i cili është shumë i njohur, si një yll në filmat e Hollivudit  është me prejardhje shqiptare, kështu të paktën shkruan portali i biografive të artistëve të Hollivudit – IMDB. Ndoshta ju nuk e besoni,por një gjë është shumë e vërtetë, sepse në biografinë e tij në faqen e njohur për filmat në mbarë botën, IMDB, ai paraqitetsi aktor amerikan, por me prejardhje shqiptare teksa shkruan se :” Paul William Walker IV, është aktor amerikan me prejardhje shqiptare, i cili ka lindur më 12 shtator 1973. Ai u bë i famshëm në vitin 1999, pas filmit me rolin Varsity Blues.Ai ishte gjithashtu është një nga  protagonistët kryesor në të gjitha filmat që ai luajti si : Fast and Furious, më pas Takers, Into the Blue, Joy Ride, Timeline, dhe filma të tjera të famshme” shkruan IMDB-ja

Paul Walker, vdiq të shtunën më 30 nëntor kur makina e tij Porsche Carrera GT, për shka të shpejtësisë, thanë hetuesit  humbi kontrollin dhe pasi u përplas më një shtyllë ndriçmi. Makina e shpejtë e tipit Porche në të cilën udhëtonte Paul Walker humbi kontrollin në Santa Clarita, 30 mile larg në veri të Los Angeles, rreth orës 3.30 të pasdites së shtunë para se të merrte flakë, thanë autoritetet vendore.

Walker po udhëtonte bashkë me shokun e tij – Roger Rodas i cili ngiste një makinë sportive të tipit Porsche GT 2005, por që fatkeqësisht ka humbur kontrollin duke u përplasur me një pemë e për pasojë kanë gjetur vdekjen të dy.Përplasja ndodhi kur ai ishte duke shkuar në një aktivitet bamirësie në kuadrin e organizatës Reach Out World Wide .

Aktori amerikan Paul Walker la pas vetes një vajzë 15 vjeçare që e quajnë Meadow. Ai njihet së pari për rolin e tij në filmin “Varsity Blues” në vitin 1999, kurse u bë yll në rolin e Brian O’Conner në filmin “Fast and the Furious”

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: flamurin sshqiptar, Paul Walker, shfaqet me

Ndërrimeve politike -Po Shamisë,përsëri -Jo !

December 2, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Pas rezultateve te balotazhit , urime të gjithë atyre që fituan, por një gjë ta kemi në mendje se  ne i themi : Gjithëmonë : JO , shamisë në shkollat shqipe !

” Fillimi i mijëvjecarit të tretë ende na detyron të nxjerrim mësime nga ndodhirat e pakëndshme që ne kemi kaluar. Është shumë interesante të theksohet se derisa Rilindësit tanë mundoheshin me të madhe dhe me krejt qenien dhe dijen e tyre të na drejtojnë drejt zgjimit tanë dhe ky ishte aksioni më i madhi dhe më i gjeri politik dhe kulturor; në ditët e sodit na dalin “ Rilindësit “ e rinj të cilët mundohen të na kthejnë pas, aty ku ishim para 100 vjetësh. Ne duhet ta dimë që me futjen e fesë dhe shamisë në shkollat tona e bëjmë jo vetëm përçarjen e kombit por edhe indoktrinimine të rinjve me një të paardhme.

Nuk guxojmë që me mënyrën tonë individualiste të jemi një xeherore e pafundme për të sjellë egoizëm: egoizëm fetar. “ Nuk jemi popull i vogël “, thotë Kadareja; jemi shumë të mëdhenj që të  mbesim ata që jemi. Çfarë parafytyrimi kanë shqiptarët për vetveten? Fytyrën e mirë ose të keqe për ne nuk mund ta bëjnë as zyrtarët tanë, por as pështjelluesit tonë, as nacionalizmi i tepruar por as mohuesit e tij, as diplomatët mendjelehtë e as gazetarët e opinionistët e porositur, të gjithë të etur për lavdi e para pa marrë parasysh mënyrën. Kultura dhe mendimi i një populli qëndron në një lashtësi të shquar, por që përpiqet ta ngrejë lart gjithë kombin. Ne na duhet duhet që shkollat tona të jenë centropetale në edukimin tonë. Çdo futje e fesë në shkolla i aktivon forcat centrifugale që na bëjnë të ikim nga ajo që jemi; e kjo e sjell vetëm një gjë: kthimin prapa.

Nëse, ne duhet të punojmë për të mirën e kombit, për pastrimin tonë shpirtëror duhet të punojmë që t’i bindim që të gjithë të rrokemi pas një gjëje konkrete, të prekshme dhe që na bën nder në mesin e kombeve të cilivizuara. Ç’më duhet mua që fëmijën tim ta kthej mbrapa në besimin se bota është e rrafshtë, në besimin e buallit që mban botën dhe çdo lëvizje e tij i krijon tërmetet, në besimin se shkolla e Darvinit mbi evolucionin ishte e gabuar? ” (fxh)

Të kotë e kanë të gjithë ata që mendojnë që këto ndërrime befasuese në udhëheqjet komunale do të sjellin edhe ndërrime në sjelljen tonë qyetare . Asgjë nuk guxon të ndërron . Jemi ata që i kemi thonë jo shamisë , dhe prap do ti themi jo . Krizën e moralit kombëtar dhe kthimin e humbjes së vlerave të tij nuk e rregullonfutja e fesë në shkolla, ajo në të kundërtën shkon në thellimin e tyre. Krizën materiale, varfërinë ekonomike dhe mendore, lakminë e fitimit të shpejtë pa marrë parasysh rrugën dhe mjetet e sollëm vetë ne me mënyrën tonë të bërjes së shtetit.

Kur shpirti i një kombi stërkeqet nga varfëria e nga lakmia, nuk ka asnjë bindje fetare që mund ta shërojë atë. Vetem kamja mund t`a ndritë mendjen.Nuk ka nevojë që t’i bindim edhe bashkatdhetarët tanë nëpër Evropë nga misionarët tanë se si të largohen nga e keqja; kur ata jetojë në vende moderne aty ku dihet se si ndahet “shapi nga sheqeri” .

Dikush më shkroi në faqën time : ”JO-së suaj po i vie fundi, komunistat, islamofobistat, kripto-ultraekstremistat dhe mbeturinat e tyre moren goditjen më te rendë sot. Pas një faze tranzitore politikanët tonë po i kthehen lëkurës së popullit. Urime Kosovë…! ”

Jo ore zotëri , jo ! Mos i mprehni dhëmbët se do të ketë lakim ,bishtërim ose ndërrim të laicizmit të shtetit të Kosovës .E pa mundura , në rastin tonë kurrën e kurrës s´do të jetë e mundur .

Tajar Zavalani shkruante: ” Të merremi vesh mirë, ç`kuptojnë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit deri sa ky e detyron të dalë e mbuluar.”

-Femrës shqiptare i pëlqen të dalë e mbuluar? Kjo është një fyerje për gocën, vajzën, gruan, femrën tonë e cila ka dëshirë të zjarrtë të jetë e lirë dhe e qytetëruar si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë milenium. A thua me të vërtetë shamia, çarçafi, ferexheja e ruajnë namuzin e femrës? Nga përvoja në shtetet arabe

e aziatike mbulimi sjell vetëm shëmtim që bie në sy, shëmtim nga zgjedha e shpikur nga shpirtrat sadistë.

Këtu në trevat shqiptare nuk do të  lejojmë kthehemi prapa dhe të lejojmë krijimin e një krijese fatkeqe që të këput shpirtin. Çfarë aftësie mund të ketë ajo për të rritur fëmijë. Ata fëmijë që do të jenë shpresa e së nesërmes së këtij vendi. Trashëgimia e atdheut dhe krenaria e kombit.

Edhe një herë urime juve që fituat dhe ju lutem t´a kini mëndjen në ardhmërinë e kombit.

 

Fahri Xharra

02,12,13 Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Nderrimet politike

TË PALËKUNDËSHME JANË MARRËDHËNJET AMERIKANO-SHQIPTARE

December 2, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javët e fundit dukej sikurë marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po kalonin nepër një periudhë “prove” dhe ankthi, si përfundim i refuzimit të Shqipërisë që të pranonte shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj,  kërkesë këjo që Shtetet e Bashkuara i paraqitën një numëri vendesh, përfshirë Shqipërinë.   Mënyra se si Tirana zyrtare e trajtoi këtë çështje ishte subjekt i dy tre shkrimeve të mëparshme, andaj kësaj radhe deshta vetëm të theksoj se si ky rast pasqyroi edhe një herë rëndësinë dhe angazhimin e palëkundshëm që Uashingtoni zyrtar u kushton marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, pa marrë parasyshë ndonjë pengese ose keqkuptimi të përkohëshëm të rastit, siç ishte vendimi për shkatërrimin ose jo të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.   Janë raste të tilla, kur me të vërtetë provohen marrëdhënjet midis shtetesh.   Marrëdhënjet midis Shteteve te Bashkuara dhe Shqipërisë e Shqiptarëve treguan se janë të qendrueshme dhe miqësore, ndonëse edhe  në kohë krizash e sprovash e treguan qendresën dhe cilësitë e karakterit të tyre.

Historikisht, Uashingtoni i ka konsideruar marrëdhënjet me kombin shqiptar si të veçanta, madje edhe pas përjashtimit të diplomatëve amerikanë  më 1945 dhe prerjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe më pas gjatë periudhës së Luftës së Dytë botërore.  Udhëheqsit më të lartë amerikanë, në të shkuarën dhe tani, përfshirë Presidentin Barak Obama kanë ritheksuar për të satën herë marrëdhënjet e forta dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve.  Këjo shprehje e miqësisë midis dy vendeve  nuk mungoi as në mesazhet që përfaqsues të politikës dhe diplomacisë amerikane i dërguan Shqipërisë javën e kaluar me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë.   Në mesazhin  që Presidenti amerikan, Barak Obama i dërgoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  shkruan se, “Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.”    Presidenti Obama, në letrën e tij drejtuar presidentit Nishani, flet për bashkpunimin e ngushtë midis Uashingtonit dhe Tiranës në fushën ndërkombëtare dhe atë rajonale duke thënë:  “Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqës dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.”   Duke shikuar drejtë zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënjeve në të ardhmen, udhëheqsi amerikan, shpreh gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë, dhe përfundon mesazhin e tij, duke u shprehur se  “Pres që të vazhdojmë dhe të fuqizojmë marrëdhëniet tona në të ardhmen.”  Ai shtoi duke thënë se, “Ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike”, përfundon mesazhin e tij Presidenti amerikan Barak Obama.

Nuk mungoi as Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Xhon Kerri, i cili në mesazhin e tij duke uruar Pavarësinë e Shqipërisë, vlerësoi ato që ai tha se ishin, “hapa të rëndësishëm që kishte bërë Shqipëria drejt mbajtjes me sukses të zgjedhjeve shumëpartiake”.   Kryediplomati amerikan theksoi gjithashtu bashkpunimin e ngushtë midis dy vendeve në fushën ndërkombëtare dhe shtoi se, “Kalimi paqësor i pushtetit dhe përparimet në fushën e legjislacionit këtë vit”, thuhet në deklaratë, “nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë.  Duke shkruar se Shtetet e Bashkuara, “mbështesin popullin e Shqipërisë në përpjekjet për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe të reformave ekonomike”, kryediplomati amerikan shpreh optimizmin e tij se Shqipëria do të plotësojë kërkesat e Bashkimit Europian duke përfunduar se vendi i tij, mirëpret, “rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian”.

Përveç përfaqsuesve kryesorë të degës ekzekutive të qeverisë amerikane, edhe  përfaqsuesi i degës legjislative, Senatori i shtetit të Nju Jorkut, Çarls Shumer — në një deklaratë botuar në gazetën Dielli — tha se e ka “për nder t’i urojë Shqipërisë dhe shqiptaro-amerikanëve Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane” dhe shton se, “është nder për mua që të ve në dukje dhe të ripohoj lidhjet e ngushta midis këtyre dy kombeve të mëdha, si dhe angazhimin tim personal ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan.”   Senatori amerikan Shumer uroi gjithashtu “Shqipërinë për rritjen ekonomike dhe përparimet shoqërore  që janë bërë gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që vendi po punon drejtë antarësimit të tij në Bashkimin Europian.”

Ndryshe nga marrëdhënjet, “miqësore” të Shqipërisë gjatë 50-viteve të kaluara me shtete të ndryshme komuniste, si ish-Jugosllavia, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina komuniste, marrëdhënje këto që bazoheshin në ideologjinë komuniste dhe në kultin e personalitetit të udhëheqësve, siç ishte Tito, Stalini e Mao Tse Tungu — marrëdhënjet e Shteteve të Bashkuara me kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk i kushtohen ndonjë politikani as ndonjë ideologjie as ndonjë partie politike, por konsiderohen si marrëdhënje popull me popull, pa marrë parasyshë se cili person ose cila parti udhëheqë qeverinë shqiptare, përderisa ata të kenë ardhur në pushtet me anë të votës së lirë.  Ishte mungesa e votës së lirë, ose refuzimi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira më 1945 dhe si rrjedhim disa muaj më vonë, Uashingtoni mbylli misionin e tij diplomatik në Tiranë.

Pak më shumë se 22-vjetë më parë, Shqipëria më në fund iu përgjigj miqësisë së Shteteve të Bashkuara me miqësi, dhe me 15 Mars, 1991, përfaqsuesit diplomatikë të dy vendeve nëshkruan memorandumin për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis dy shteteve.  Ky ishte një fillim i ri për marrëdhënjet amerikano-shqiptare, por njëkohësisht hapi derën e pëpjekjeve që Shqipëria të integrohet në organizmat ndërkombëtare, përfshirë edhe antarësimin në NATO.  Gjatë kësaj periudhe edhe Shqipëria është treguar e denjë e kësaj miqësie, si dhe një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara ndërkohë që  ka përkrahur përpjekjet anti-terroriste të Shteteve të Bashkuara dhe ka dërguar qindra ushtarë si pjesë e forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në Afganistan dhe në Irak.

Duke folur për marrëdhënjet amerikano shqiptare, Fan Noli  ka thënë se  Shtetet e Bashkuara kishin  në Abraham Linkolnin një president i cili nuk mund të toleronte një Amerikë gjysëm të lirë e gjysëm skllave.  Amerika, ka thënë Noli, në figurën e Presidentit Uodrou Uilson kishte një president i cili nuk duronte një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm në skllavëri.   Një prioritet kryesor i politikës amerikane karshi Shqipërisë ka qenë dhe është procesi i integrimit të Shqipërisë në Europë, ashtuqë që Shqipëria të bëhej pjesë e botës së lirë.  Administratat amerikane, qofshin ato të partisë republikane ose demokrate e kanë bërë vazhdimisht të qartë, se pa marrë parasyshë mosmarrveshjet ose keqkuptimet, nga koha në kohë midis dy vendeve,ato janë të një natyre midis miqësh dhe aleatësh.   Dhe se politika e Uashingtonit, siç demonstrojnë edhe deklaratat e javës së kaluar të udhëheqsve më të lartë amerikanë drejtuar Shqipërisë me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë së saj, mbetet një politikë e marrëdhënjeve të interesit të përbashkët dhe e angazhimit serioz e diplomacisë amerikane për një Shqipëri stabile dhe të begatë, në paqë me vetveten dhe me të tjerët.  Njëkohësisht, diplomacia amerikane vazhdon të jetë një politikë që përkrahë aspiratat e kombit shqiptar për integrimin e tij në të gjitha organizatat euro-atlantike duke inkurajuar forcimin e rendit dhe zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupcionit dhe zhvillimin e mundësive dhe të drejtave ekonomike për secilin qytetar shqiptar.

Megjithë përparimet e dukshme në marrëdhënjet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në këtë përvjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pas 22 vjetësh të rivendosjes së lidhjeve diplomatike shqiptaro-amerikane, mbetet ende shumë për tu bërë në marrëdhënjet dypalëshe.  Por duke gjykuar nga deklaratat e fundit të përfaqsuesve më të lartë të diplomacisë amerikane, madje edhe “prova” e armëve kimike siriane u tejkalua pa ndonjë dëm të madh, megjithëse kishte njerëz që pritshin që ky episod të shkaktonte probleme serioze në këto marrëdhënje shembullore midis dy kombeve tona.  Përkundrazi, episodi i armëve kimike siriane dhe refuzimi i shkatërrimit të tyre në territorin shqiptar  nuk shkaktoi asnjë dëm në marrëdhënjet e tanishme as në të ardhmen midis dy vendeve.  Në mesazhin që Presidenti Obama i dërgoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, ai tha se, “Pres që në të ardhmen të vazhdojmë dhe të fuqizojmë marrëdhëniet tona dhe njëkohsisht ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike” dhe drejtë një të ardhëme më të mirë, më stabile dhe më të begatë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.  Të pakën ky është angazhimi serioz dhe i palëkundshëm i udhëheqësve më të lartë të politikës dhe diplomacisë amerikane.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, mardhehniet, shqiptaro-amerikane, te palekundshme

“Weekend”, filmi më i vleresuar ne “ Young Albanian Fimmakers Festival”

December 2, 2013 by dgreca

Juria e  përbër nga Arta Kallaba, Ermira Babamusta dhe Violeta Mirakaj , vleresoi me çmimin “The best Short” filmin shqiptar “Weekend” me regji të Ergys Lubonja; me çmimin “The best Script” filmit “Vdekja e Gjysh Trifonit”, me skenar e regji të Xhoslin Rama, me çmimin “The best Director” regjisorin Blerdi Malushi për filmin “Acropolis”….

Nga Beqir SINA/*

NEW YORK CITY : – Jo shumë larg Brodueit – (Broadway) të famshëm të kinematorgrafisë botërore, në metropolin amerikan – New York, për tre ditë me rradhë – gjatë fund-muajit të pavarësisë së Shqipërisë, Nëntorit të flamurit tonë kombëtar,  bota shqiptare e artistëve ka përjetuar dhe njohur nga më afër kulturën shqiptare, me dy festivale madhështore të filmit shqiptar në Amerikë.

“Albanian Film Week” me themelues Mrika Krasniqi dhe Ariot Myrtaj ku u shfaqën filma të shkurtër, të gjatë dhe dokumentarë nga regjizorë shqiptarë nëpër botë; si dhe  festivalin që u mbyll mbrëmë “Young Albanian Filmmakers Festival” i themeluar nga Bujar Alimani, me prezantim të filmave me metrazh të shkurtër të regjizorëve të rinj studentorë nga akademitë përkatëse të Artit dhe Filmit në Shqipëri dhe Kosovë.

Festivali i Filmëbërsve të Rinjë Shqiptarë – Young Albanian Fimmakers Festival”  një festival i zhandrreve të ndryshme që përmban më të mirat në kinema së bashku me programe dhe ngjarje emocionuese , me më shumë se 19 filma të shfaqur më parë në Shqipëri, u zhvillua nga data 29 Nëntor deri më 1 dhjetor.

YAFF, për treditë me radhë në The Producers Club në Nju Jork, ka përfshirë karakteristikat më të mira të kinematografisë shqiptare, mbas rënjës së komunizmit. Në këtë Festivali u shfaqen 19 filma të metrazhit të shkurtër , artistikë dhe dokumentare, të regjisorëve më të rinj e më të vegjel në moshë. Nga artistët shqiptarë, që vijnë nga Akademitë përkatëse në Tiranë dhe Prishtinë , Universiteti i Arteve , Departamenti i Filmit Tiranë, Akademia e Filmit dhe Multimedias MARUBI në Tiranë , Akademia e Arteve Dega e Filmit Prishtinë si dhe kurse Kinematografike siç është kursi Kinematografik dy mujor CINEFIER që organizohet çdo pranverë në qytetin e Fierit dhe që dotë vihen në garë për Çmimet që dotë akordohen prej një Jurie të përzgjedhur nga intelektualë dhe artistë kompetentë natën e fundit të Festivalit

Në natën e parë të festivalit  – ceremoninë e hapjes artistja shqiptare Lola Luma, tha se ne ekipi organizator ishte krenar për të sjellë filmat më të mirë të producentëve të rinjë shqiptarë. Ajo shtoi se “Qëllimi ynë: është për të promovuar artin e filmave dhe kontributit të filmave, të realizuar nga një brezi i ri në moshë në Shqipëri, duke  shpresuar që në të ardhmen t’a bëjmë një festival tradicional të filmit, për të gjallëruar jetën kulturore dhe artistike të komunitetit tonë “.

Ky është një Festival tre ditor që organizohet me idenë e regjisorit shqiptar tashmë i vendosur në Shtetet e Bahkuara të Amerikës në Nju Jork , Bujar Alimani dhe me mbështetjen e Producers Club Theaters . “Tematika e filmave është vërtet një mozaik ngjyrash, subjektesh, idesh dhe ëndrrash të cilat këta të rinj i derdhin me sinqeritetin e shpirtit në ekranin e kinemasë,” tha organizatori i këtij festivali Bujar Alimani. Oragnizatori, thotë në dekleratën për shtyp, se;” qëllimi është totalisht jokomercial dhe synon në destinacionin e vetëm , patriotik, human dhe civil të përcjelljes së asaj që krijohet si Rijësi, në mendjet dhe zemrat e kineastëve më të rinj shqiptarë e që për shkak të rrethanave nuk i kalojn shpesh kufijtë e vendeve tona dhe sjelljes së kësaj fryme , të transmetimit të formës artistike dhe shqetësimeve të tyre, për botën që i rrethon në kryeqytetin e asaj që ëndërrojmë të gjithë.”

Kështuqë,  vendit të industrisë më moderne të Filmit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe metropolit të botës  moderne , Nju Jorkut, në mënyrë të veçantë me atë përqasjen e gjithçkaje të re që krijohet prej studenteve shqiptarë të regjisë së Filmit me Komunitetin Shqiptar që jeton në Nju Jork dhe krahasimeve të kemi një pozicioni të ri që merr kjo kinema e re, në raport me Kinematografinë Amerikane.
Ashtu si ka pohuar edhe drejtori i këtij festivali regjisori i njohur Bujar Alimani, tematika e filmave, sipas YAFF,  është vërtet një mozaik ngjyrash, subjektesh, idesh dhe ëndrrash të cilat këta të rinj i derdhin me sinqeritetin e shpirtit ne ekranin e kinemasë.
Ata për të përzgjedhur filmat të cilët ishin rreth 50të, krijuan një grup përzgjedhësish me artistë të rinj dhe me eksperiencë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Nju Jork, si : Dhimitër Ismailaj, Luan Bexheti, Roland Uruçi, Anisa Dëma, Lola Luma , Gentjan Basha, Alfred Tollja, Entela Barçi dhe Bujar Alimani të cilët përzgjodhën me kujdes dhe me përgjegjësi filmat që u projektuan për këto tre netët e Festivalit.
Me këtë rast ata ngritën edhe një  Juri profesionale e përbërë nga Arta Kallaba(regjisore) Ermira Babamusta (autore humanitare dhe themeluese e org Peace Action Foundation) dhe Violeta Mirakaj (publiciste/ libretiste), të cilët natën e fundit akorduan edhe  4 Çmimet inukrajuase për të shpallur filmat më të mira të festivalit të parë që u mbajtë në Nju Jork nga 29 Nëntor deri më 1 dhjetor:

Në natën e fundit, Juria e Festivalit të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:” Festivali i Filmëbërsve të Rinjë Shqiptarë – Young Albanian Fimmakers Festival” me drejtor Bujar Alimanin dhe producent i PC Club Alfred Tollja, e  përbër nga Arta Kallaba, Ermira Babamusta dhe Violeta Mirakaj , vendosi t’i jap çmimin “The best Short” filmit shqiptar “Weekend” me regji të Ergys Lubonja. Dhe, çmimin “The best Script” filmit “Vdekja e Gjysh Trifonit”, me skenar e regji të Xhoslin Rama. Kurse çmimin “The best Director” iu dha regjisorit Blerdi Malushi për filmin “Acropolis”.

Juria vendosi që të jap 3 çmime speciale, atë “Best Lead Actor “- Bislim Muçaj në filimin “Heshtja” me regji të Bekim Gurit, kurse çmimin “Best Lead Actress” aktores Lyra Gjoci në filimin “Shpresa” me regji të Valon Jakupaj dhe çmimin “Best Dokumentary” filmit “Jetë e Ricikliueshme” me regji të Blerian Gjoce.

Në fund u dha një çmim tjetër – ai që akordohet nga publiku, pra çmimi “The Public Award” i cili iu dha filmit “Weekend” me regji të Ergys Lubonja, i cili, ishte dhe filmi më i vlersuar mbasi mori dy çmime.

Ermira Babamusta nga Juria e këtij festivali tha se : “Nëpërmjet festivalit YAFF (Young Albanian Filmmakers Festival) publiku shqiptar dhe ai amerikan në New York ka mundësinë të njihet me krijimtarinë, imagjinatën dhe botën artistike të regjizorëve më të rinj studentorë nga Shqipëria dhe Kosova. Ky festival i vecantë nga natyra inkurajon dhe mbështet brezin më të ri artistik shqiptar dhe krijon një platformë ndërkombëtare për të shfaqur filmat e tyre,”

Babamusta, e cila është edhe anëtare e jurisë së Festivalit YAFF theksojë se: “Falenderoj organizatorin z. Bujar Alimani që na solli këtë mundësi shumë të mirë dhe të nevojshme si për të mbështetur talentet shqiptare në vend por edhe për ne diasporën emigrante që frymëzohet me vepra kaq profesionale dhe të një niveli kaq të lartë dhe na nxjerr mallin për vendlindjen tonë. I jam mirënjohëse pronarëve të Producers Club Theatres, Alfred dhe Ernest Tollja për mundësimin e shfaqjes se festivalit, jurisë dhe ekipit artistik të përzgjedhjeve të filmave për punën dhe përkrahjen e tyre,” shtoi Ermira Babamusta.

* Pamje nga salla e shfaqjeve, ku u organizua festivali

Filed Under: Featured

Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik

December 2, 2013 by dgreca

 Nga Akademik Kolec TOPALLI*/

 Të dashur bashkatdhetarë, të nderuar prijës fetarë, akademikë, profesorë e intektualë të tjerë. Të gjithëve ju përshëndes e ju falënderoj për pritjen e përzemërt dhe organizimin e ktij tubimi, që do të lënë mbresa të pashlyeshme për shumë kohë.

          Hoti që na ka mbledhur sot, është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat.

E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.

Po mbushen tri vjet që kemi nisur punën për hartimin e një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, mungesa e të cilit është e ndjeshme duke u bërë pengesë për studimet albanologjike. Gjatë punës sonë na është dashur të hulumtojmë e të nxjerrim në dritë shumë fjalë dialektore, fjalë plaka e të harrueme, siç thoshte Bogdani, pa të cilat shqipja nuk do të ishte ajo që është sot dhe nuk do të mund të frenonte sadopak valën e pandalshme të fjalëve të huaja, që po depërtojnë me shumicë në epokën tonë të globalizmit. Prandaj, studimi i të folmeve që kanë ruajtur shumëçka nga visari i trashëguar ka qenë një objektiv i punës sonë për të pasqyruar këtë pasuri leksikore në fjalorin e ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe. Nga e folmja e Hotit, duke u mbështetur në mbledhjet në terren të akad. Gjovalin Shkurtajt[1], kemi nxjerrë shumë materiale të vlefshme për shpjegimet tona duke i dhënë dritë e shkëlqim edhe vetë kësaj krahine, që ka ruajtur thesare të mëdha gjuhësore.

Për të shpjeguar këtë rol që luan një e folme e tillë me pasuri kaq të çmuara, do të ndalemi në disa raste të veçanta, me të cilat mund të shtjellojmë rolin e madh që luan një e folme e ruajtur si kjo e Hotit për shpjegimet etimologjike të fjalëve të shqipes. Nga shembujt që do të paraqesim, disa janë të tillë që i përkasin vetëm kësaj së folmeje, disa kanë shtrirje më të gjerë në gegërishten veriperëndimore, disa kanë paralelet e tyre te shkrimtarët e vjetër; por të gjitha këto shërbejnë si ndihmesë e vyer për të depërtuar drejt etimonit të fjalës.

Nga fusha e leksikologjisë, ndër fjalët me interes të veçantë gjuhësor vëmë në dukje emrin dele, që në të folmen e Hotit del edhe në trajtën delme me prapashtesën –m, me të cilën formohet shumësi, si në rastin djalë ~ djelm. Trajta delme është një relikt gjuhësor, që ka mbetur aty-këtu në të folme të shqipes, në Kosovë dhe në Jug në Gjirokastër, në sintagmën qumësh i delmur. Sipas krahasimit që i kanë bërë ilirologët kësaj fjale, me trajtën delme është lidhur emri i një fisi ilir, Delmatae, si edhe krahina e Dalmacisë: Dalmatia, Delmatia me kuptimin “fushë që ushqen delet”, e cila, sipas përshkrimit të kronistëve të botës antike, është quajtur kështu si vend delesh. Ky relikt gjuhësor i së folmes së Hotit është treguar prodhimtar në krijim fjalësh të reja, si: delmer “bari dhensh”, që del me variantet delmuar, dylmyer, në arbërishten e Italisë dhe delmier, delmir, delmëtor në krahina të tjera. Me emrat delmere e dylmere quhet edhe “bishtatundësi, lat. Motacilla”, meqenëse ky zog i ngjitet tufës së bagëtisë, prandaj quhet edhe zog delesh apo zog dhensh. Fjala ka depërtuar edhe në toponimi, në pikën e quajtur Curri i Delmeres në Veri.

Emrin puçik e ka e folmja e Hotit për “gropë të vogël nëpër rrasa e shkëmbenj të mëdhenj që mbushet me ujë shiu”, prej së cilës ka dalë kuptimi figurativ “gropëz e vogël që u formohet disa njerëzve në faqe kur qeshin”. Po ta gjurmojmë më tej, këtë fjalë e ka mbledhur Cordignanoja[2], për të cilën jep kuptimin “fossa rotonda che fa l’acqua anche nella pietra”. Dhe pranë saj është shënuar edhe një trajtë tjetër, puçigâ me shpjegimin “fossa, baratro, inferno, stagno”. Fjalët janë huazime prej italishtes; puçik nga pozza me prapashtesën –ik; puçigâ nga it. pozzanghera “pellg i vogël, gropë me ujë”, që ka marrë prapashtesën -â nga -an brenda shqipes, duke u lidhur të dyja fjalët me it. pozzo prej lat. puteus “pus”.

Emri kripshë i së folmes së Hotit, me të cilën emërtohet “një shkurre me gjethe gjithnjë të gjelbra dhe me lule si vile, që përdoret kryesisht për dru zjarri, lat. Phillyrea media”, dëshmon formën më të vjetër të kësaj fjale, e cila ka edhe format më të reja krishë, grifshë, krefshë, grishë etj. Për etimologjinë e fjalës, emri i kësaj shkurreje ka dalë nga tufa a xhufka e saj, prandaj burimi i fjalës është emri krip “flokë”, që ka marrë prapashtesën -sh. Prandaj forma më e vjetër e fjalës është ajo që e ka ruajtur Hoti me formën kripshë, kurse krifshë është më e re dhe ka dalë me hapjen e bashkëtingëllores -p- para një mbylltoreje tjetër duke krijuar një grup bashkëtingëllor të njohur në gjuhën shqipe.

Foljen jes ~ jet e ka e folmja e Hotit për “mbes, mbet”. Nga këto dy folje, jet është më e vjetër, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë me formën vjetem për “mbetem”, si edhe Buzuku, ku fjala shfaqet për herë të parë: pā zhdo të tjerë tek jesënë endë trekt pā punë. Për burimin e fjalës, jet është forma e vetës II shumës të foljes es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ janë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me –nṎō: jeni si bani / bëni. Kësisoj, folja jet krahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes mas ~ mat. Një rrjedhojë e kësaj foljeje është emri jetë duke u lidhur si në gjermanishte, ku leben lidhet me bleiben[3].

Emrin ragazi e folmja e Hotit e ka për një lloj rrushi kokërrgjatë me cipë të trashë. Burimi i fjalës është turq. razakí, që në këtë të folme ka pësuar metatezë, duke u përzier me mbiemrin i zi e duke krijuar emrat ragazi, ragazezë e me antonimin e saj ragabardhë[4]. Ky është një shembull i veprimit të asaj dukurie që quhet etimologji popullore, kur ndërhyrja e një fjale bëhet shkak për krijimin e një forme të re.

Pjesëzat niç e diç i ka e folmja e Hotit me kuptimin “pra, kështu”. Të dyja këto kanë dalë nga një formë më e përgjithshme ndiç, e formuar nga në ditësh “nëse e di”, me asimilim të grupit bashkëtingëllor[5]; ose me foljen ndiej “ndigjo” në shprehjen ndiej ç’, gjithsesi një fjalë-fjali, e cila dëshmohet së pari te Budi, që ka: e kush na mpson s pat, ndish në ato  fjalë pak kanë me na ndimuom[6].

Me interes është folja bohet për “mbarset, çiftohet”, që është forma më e lashtë, e ruajtur në Hot, prej së cilës janë krijuar dëboj, sboj, zboj, cboj, bdoj, dvoj, vdoj, të gjitha variante me parashtesa, ku ka luajtur rol edhe metateza. Buzuku, ku fjala del së pari, ka bdonj, Matrënga ka dbonj e sbonj, Budi ka vdonj e Bogdani ka dvonj. Kësisoj, kjo folje ka ndjekur rrugën e fjalëve të tjera me grupin bashkëtingëllor db-; prandaj aty ku ka borë ka edhe boj, ku ka dëborë ka edhe dëboj, ku ka zborë ka edhe zboj. Buzuku që ka bdorë, ka edhe bdonj; Bogdani që ka dvorë ka edhe dvoj. Për burimin e fjalës, boj është formim me prapashtesën foljore -o, nga një rrënjë bi- me kuptimin “dy”, nisur nga çiftimi i kafshëve. Kështu, kuptimi i parë ka qenë “çiftoj, bëj çift”, prej së cilës kanë dalë kuptimet e tjera. Rrënja bi me kuptimin “dy” gjendet në shqipe te emri bigë dhe përjashta saj në lat. bis “dy herë”[7].

Nga fushën e morfologjisë, vëmë në dukje disa trajta shumësi të emrave që gjenden në këtë të folme, të cilat dëshmojnë për një tipar të lashtë të shqipes: lëvizjen e theksit brenda fjalës e vendosjen e tij në formantin e shumësit. Raste të tilla kemi te shumësat gjerpáj, dërpáj etj. Shembullin e parë e ka Buzuku: As mos tentojmë Krishtnë, porsi disa qi e tentuonë, e klenë përfaruom en gjerpanjëshit. Rastin tjetër e kanë të folmet jugore. Këto relikte të ruajtura shprehin një veçori të lashtë të gjuhës shqipe me të cilën bashkohet me gjuhë të vjetra e të reja, që e kanë ruajtur në sistemin e tyre gramatikor veçorinë e lëvizjes së theksit, që ka qenë tipar i gjuhës-nënë indoeuropiane. Vëmë në dukje, nga greqishtja e vjetër, në sistemin rasor: νύξ, νύκτα, në rasat emërore e kallëzore, por νυκτός, νυκτί në rasat gjinore e dhanore; në latinishte, në sistemin foljor, veta I laudo, por shumësi laudamus, në shqipe njëjës dhandërr, por shumësi dhandurrë[8].

Me rëndësi për historinë e gjuhës është përemri pronor yj, që në shqipen e sotme është zhdukur nga përdorimi, por e kanë ruajtur krahinat gege veriore, ndër të cilat edhe Hoti. Është një relikt gjuhësor, që e ka edhe Buzuku: përse Ati yj e di se ju kini nevojë en gjithë sosh. Ky përemër ka qenë i vetës II numër shumës për gjininë mashkullore, duke dalluar gjininë e pronarit, aty ku sot përdoret përemri juaj për të dyja gjinitë. Për nga gjeneza e tij, ashtu si përemri juaj që është formuar nga jo + u, edhe përemri yj është formuar nga i + u, ku elementi i parë është i gjinisë mashkullore duke përfaqësuar përemrin ai, njëlloj si ajo te përemri juaj, kurse përemri i dytë është u-ja, që përfaqëson përemrin ju. Nga bashkimi -i- + -u- ka dalë zanorja y-, që ruan tiparet e të dyja këtyre zanoreve, karakterin qiellzor të -i-së dhe karakterin buzor të -u-së; ndërsa bashkëtingëllorja fundore -j është një shtesë epitetike, ashtu si te përemrat e tjerë të kësaj natyre dhe ndajfoljet, si: saj, tij, tej, pastaj etj.

Nga fusha e sintaksës, albanizma jam i hot është një relikt gjuhësor me interes të veçantë shkencor. Me të tregohen etnika, si: i pukës, i mirditas, i hot, i shkodran, i tragjas etj., duke shënuar banorë të një krahine të caktuar, prejardhjen e tyre dhe duke pasur shtrirje në të gjithë shqipen, çka flet në të mirë të vjetërsisë së saj. Ata gjenden më shumë me prapashtesat -ës, -as, si: i pukës, i mirditës, i kelmendës, i dukagjinës, ose i pukas, i mirditas, i kurbijas etj., por ata dalin edhe me prapashtesa të tjera, si: i shkodran, i dibran, i matjan, i vlonjat, në disa emra edhe pa kurrfarë prapashtese, si: i hot, i tragjas, i dukat, i kuç, i has, i krasniqe. Sintagma të tilla i gjejmë tek autorët e vjetër. Kështu, Buzuku ka: e dërgoi tek aj ElizeỊ një të lajm, tue i thashunë “misitque ad eum Eliseus nuncium, dicens”[9], Bardhi ka: i katundas për “Paganus”, i temalas për “transmontanus”, i arbëneshë, i shkodërnjanë[10]; Bogdani ka: i misiras, të vendasitë[11]; Figlia ka: i Arbreshë[12].

Meqenëse në këto raste kemi të bëjmë me emra kryesisht me burim toponimik, edhe këtu nyja e tyre e përparme e ka origjinën nga sintagma gjenitivale, në rastet e përdorimit të gjinores pa emër përpara, si rezultat i një elipse në rastet jam i Palit domethënë “jam djali i Palit” asht e Gjergjit “asht vajza e Gjergjit”, si rrjedhim edhe jam i Pukës “jam i fisit të Pukës”, jam i Mirditës “jam i krahinës së Mirditës”. Ndërkaq, mbaresa -ës e trajtës së shquar të rasës gjinore në ndërgjegjën gjuhësore është interpretuar sikur të ishte prapashtesa -ës, prandaj krahas formës së vjetër, nisi të përdoret edhe forma e re -as e kësaj prapashtese duke iu ngjitur edhe emrave të gjinisë mashkullore, si: i pukas, i kelmendas. Prej këndej nisi veprimi analogjik edhe në emra me prapashtesa të tjera (i shkodran, i matjan), si edhe në emra pa prapashtesa (i hot, i dukat). Në emrat e fundit, që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, mbaresa -it e gjinisë mashkullore ka rënë me anë të haplologjisë, meqenëse ajo ishte e njëjtë me bashkëtingëlloren e rrënjës së fjalës; domethënë nga jam i Hotit në jam i hot, nga jam i Dukatit në jam i dukat. Kjo gjen mbështetje në thjeshtimin që ka pësuar rasa gjinore e trajtës së shquar të disa emrave që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, dukuri që ka përfshirë të folme të Veriut e të Jugut; p.sh., në Veri, në Toplanë të Dukagjinit: Qafa Mjet për Qafa Mjetit, në Jug, në çamërishte: mori vajzn e mbret për “vajzën e mbretit”[13].

Në kufijtë e një kumtese nuk mund të zgjatemi më tej; por materiali i paraqitur është i mjaftueshëm për të krijuar idenë e vlerës së veçantë që ka e folmja e Hotit për fushën e etimologjisë dhe në përgjithësi për pasurimin e shqipes. Është detyra jonë si lëvrues të gjuhës t’i nxjerrim në dritë këto visare të rralla dhe t’ia bashkangjesim thesarit të madh të gjuhës shqipe, për t’i ruajtur e për t’i zhvilluar ato më tej.

 

 

BIBLIOGRAFI

Bardhi, Frang

–         Franciscus Blancus, Dictionarium latino-epiroticum. Romae, 1635.

Barić, Henrik

–         Albanorumänische Studien, I Teil. Sarajevo, 1919, 1-142 (ARS I).

Boretzky, Norbert

–         Der türkische Einfluss auf das Albanische. Wiesbaden, I 1975, II 1976 (TE).

Budi, Pjetër

–         Speculum Confessionis. Roma, 1621 (SC).

Bugge, Sophus

–         Beiträge zur etymologischen Erläuterung der albanesischen Sprache. BB XVIII 1891.

Buzuku, Gjon

–          “Meshari” I, II. Tiranë, 1968.

Cordignano, Fulvio

–         Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese (il nuovo Jungg), Parte Albanese-Italiana. Milano, 1934 (Alb.-It.).

Çabej, Eqrem

–         Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe, I-XXVIII. BUST SSS 4, 1960 – 4, 1963; SF 1, 1964 – 3, 1968.

–         Studime etimologjike në fushë të shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III 1987, IV 1996, V (i pabotuar), VI 2002, VII 2006 (SE).

Dizdari, Tahir

–         Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë, 2005.

Figlia, Nicola

–         Il Codice Chieutino. A cura di Matteo Mandalà. Palermo, 1995 (CC).

Haxhihasani, Qemal

–         Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Çamërisë. DS II 1974.

Jokl, Norbert

–         Beiträge zur albanischen Grammatik 4. Die Verbreitung der Dehnstufenbildungen im Albanischen. IF 37, 1916/17, 90-122.

La Piana, Marco

–         Studi linguistici albanesi. Varia. Palermo, 1949 (SLA Varia).

Mann, Stuart E.

–         The Indo-Europian Consonants in Albanian. Lg. 28, 1952.

Meyer, Gustav

–         Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg, 1891.

–         Albanesische Studien. Wien; IV: Das griechisch ­ südrumänisch – albanesische Wörterverzeichnis des Kavalliotis (herausgegeben und erklärt), 1895.

Orel, Vladimir E.

–         Albanian Etymological Dictionary. Leiden, 1998 (AED).

Shkurtaj, Gjovalin

–         E folmja e Hotit. Dialektologjia shqiptare II. Tiranë, 1974.

Tagliavini, Carlo

–         L’albanese di Dalmazia. Contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo Erizzo presso Zara. Firenze, 1937 (AD).

Topalli, Kolec

–         Theksi në gjuhën shqipe. Tiranë, 1995 (Thek.).

–         Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe. Tiranë, 2003 (Fërk.).

Walde, Alois ­ Hofmann, J. B.

–         Lateinisches etymologisches Wörterbuch von A. Walde. Dritte neubearbeitete Auflage von J. B. Hofmann. Heidelberg, I A-L, 1938; II M-Z, 1954 (Walde-Hofmann).

Walde, Alois – Pokorny, Julius

–         Vergleichendes Wörterbuch der indogermanischen Sprachen, herausgegeben und bearbeitet von J. Pokorny. Berlin – Leipzig; I 1930, II 1927, III 1932 (Walde-Pokorny).

* Kjo eshte Kumtesa e Akademik.Kolec Topalli, mbajtur ne Simpoziumin “Hoti ne Rrjellat e Shekujve”

 

 

 

 



      [1] Shkurtaj DSH II 1974, 405 v.

      [2] Alb.-It. 161.

      [3] Meyer EW 163, Barić ARS I 76, Tagliavini AD 134, Orel AED 250, Çabej SE V dg. 537.

      [4] Boretzky TE II 112, Çabej SE VI 279, Dizdari 833.

      [5] Çabej SF 4, 1964, 87, Orel AED 285.

      [6] P. Budi, SC.

      [7] Bugge BB XVIII 1891, 174, Meyer AS IV 44, Jokl IF 37, 1916/17, 119, Walde-Pokorny II 155, Walde-Hofmann I 483, La Piana SLA I Varia 23, Mann Lg. 28, 1952, 32, Çabej SE III 212, Topalli Fërk. 123.

      [8] Topalli Thek. 54.

      [9] LI b – Mbretërit IV 5, 10, Bogdani: Nji i lajm për të çpejtë kje dërguem prej së dȳ motrash (CP II 84, 1).

[10] Dict. 81, 175, 218, 221.

[11] CP I 131, 6.

[12] CC 53/24.

[13] Haxhihasani DS II 1974, 122.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Akademik Kolec Topalli, ne nje fjalori etimologjik, se Hotit, Thesaret e se folmes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT