• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!

January 29, 2014 by dgreca

“Me serbët na ndanë vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolik na ndanë një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto e ndjekin edhe sot e kësaj dite.       

Nga Gani MEHMETAJ/

Fryma që ta thanë shpirtin nga Sahara, ua ka mpirë mendjen një lukunie renegatësh, të cilët luftojnë si në dëlir  kundër shqiptarëve. Në vend të flasin për bukurinë e jetës, ata flasin për bukurinë e vdekjes. Të bukures i thonë e shëmtuar dhe të shëmtuarës, e bukur! Ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë, apo vëllazërinë islamike shqipfolëse, por jo shqiptare, të flas për tmerret e policisë e të ushtrisë serbe? Ka dëgjuar kush që shefqetkrasniqet, mullazimkrasniqet, gogiqet, lutfihazirët e mjeranët e tjerë mercenarë, që shkarravisin nëpër revista islame ta shajnë Milosheviqin? Asnjëherë, asnjë fjalë nuk e thanë kundër krimeve serbe e kundër kriminelëve serb, asnjëherë nuk e vunë në pah se rreziku më i madh edhe më tutje vjen nga Serbia. E ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë t’u flas besimtarëve për Amerikën, Britaninë e Madhe apo Evropën Perëndimore që na shpëtoi nga shfarosja, derisa shtetet islamike bënin sehir, apo bënin tregti me Serbinë? Nuk kam takuar hoxhë që ka fjalë miradije për shpëtimtarët tonë, përkundrazi kam takuar dhjetëra që vjellin vrer kundër atyre që ua shpëtuan edhe këtyre mjeranëve kokën.

Përjargën si të çartur shumica e hoxhallarët e ideologëve të errësirës kundër personaliteteve shqiptare e përpjekjeve tona që t’i ngjitemi Evropës Perëndimore. E dini pse? Sepse e thotë më se miri lideri i shqiptarëve të Maqedonisë: qendra e islamikëve për Ballkan është Beogradi. Prej atje i marrin urdhrat, nga atje frymëzohen, prandaj as në të ardhmen hoxhallarët e islamikët e tjerë renegatë nuk do të predikojnë nëpër xhami, nëpër gazeta, apo para “xhematit” të debilizuar kundër armikut tonë më të madh- Serbisë e institucioneve të saja, por do të shajnë shqiptarët dhe personalitete tona, sepse ashtu kanë urdhër.

Erdogani i Anadollit ka shpërndarë lukuni për luftë speciale të grrmrr-it. Në emër të kinse ndihmave vëllazërore përmes shoqatave vrastare islamike po krijon formacione goditëse kundër shqiptarëve dhe po mobilizon shqiptarë për xhihad.  Pushtetarët dhe opozitarët në Kosovë e në Shqipëri sillën si pulat para gjelit me kryeministrin turk, i cili tashmë i ka zhytur duart më gjakun e popullit të vet.

Kështu, atë që nuk arriti ta bëjë kurrë Serbia -përçarjen në baza fetare, po e bën tash  përmes renegatëve hoxhallarë e ish-oficerëve të vet që i përgatiti për luftë speciale. Natyrisht po e ndihmon me bujari edhe Turqia.

Shqiptarët mish për topë

Dikur ishin aq të mobilizuar kundër Serbisë dhe kundër korbave islamikë, ndërsa sot të dyja palët janë futur brenda dhe po na përtypin. Mjerë ata që u shkojnë prapa. Si nuk u ngritë asnjë besimtar nëpër xhami t’i pyes këta hoxhallarë: e kemi armik Serbinë apo Evropën? Na shpëtoi nga shfarosja SHBA-ja e Evropa Perëndimore, apo Serbia?

“Me serbët na ndanë vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolik na ndanë një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto e ndjekin edhe sot e kësaj dite. Ata kishin merita të mëdha për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, sepse u thoshin besimtarëve atje është vendi i myslimanit. Kështu i urdhëronin nga Beogradi.

Po i dëgjove predikimet e tyre të çartura, krijohet përshtypja se problemi fondamental i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri është lufta fetare të islamikëve kundër “kaurëve”, “hyrijat e xhenetit” të cilat i presin “xhihadistët”, ndërsa armiq janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë, Pjetër Budi e  Pjetër Bogdani, Ibrahim Rugova e Ismail Kadare. Hoxhallarët u bien të gjitha trumbetave për luftë vëllavrasëse (paçka se shqiptarët kurrë nuk do t’i dëgjojnë ulërimat e tyre), por fatkeqësisht rrimë duarkryq dhe i shikojmë këta korba. Predikimet e tyre kanë detyrë ta mjegullojnë krimin e organizuar në Kosovë, vrasjet e pasqaruara të personaliteteve tona, krimet serbe që ende nuk u ndëshkuan, gjendjen e rëndë sociale të shumicës së popullatës, të rinjtë e frustruar e pa asnjë ideal, të cilët po i mbështeten djallit e të birin që të dalin nga kjo gjendej në të cilën i ka futur shoqëria jonë. Prandaj, hoxhallarët e shfrytëzojnë fatkeqësinë e të rinjve që t’i thërrasin për luftë në Siri, ndërsa kurrë nuk i kanë ftuar më herët të luftonin për çlirimin e Kosovës. Presheva, Medvegja e Bujanovci janë të okupuara. Ku janë këta mercenarë që s’bëzajnë? Cili prej këtyre hoxhëve do të jep nesër llogari për gjakun e derdhur të atyre që ranë në Siri? Pse duhej që shqiptarët të bëheshin mish për top në një vend prapa diellit?  Janë paguar këta predikues ta vënë në gjumë popullatën, t’i shkëpusin nga treni i Evropës. Predikojnë t’i bashkëngjitemi vendeve kaotike islamike, ku për çdo ditë vriten në mes veti qindra fatkeq. Dhe vazhdimisht na e vënë model botën islamike e cila vetëm model jetese e qytetërimi nuk mund të merret. Nuk na e preferojnë as njerëzit e tyre të mençur.

Kur mjekërzinjtë përdhosin qytetin e ilirëve

Në Maqedoni islamikët me hoxhallarët e paguar nga dreqi, pra në marrëveshje më  shërbimet sekrete sllave e turke, përpiqen t’ua fashitin shqiptarëve vendës ndjenjën e pakënaqësisë kundër diktaturës pushtetore. Asnjë fjalë hoxhallarët nuk e thanë kundër pushtetarëve që e kanë lënë në mjerim popullatën shqiptare, asnjë fjalë hoxhallarët e shitur nuk e thanë kundër përmendores së Car Dushanit, vrasësit të shqiptarëve, por gati u tërbuan kur u ngrit shtatorja e Skënderbeut në Shkup. Po këta klerikë nuk i lejojnë partitë politike shqiptare t’i ngrehin përmendoren Pjetër Bogdanit.

Gjendja është pak më ndryshe në Shqipëri, por aspak e lakmueshme. Ka degradim të ndjeshëm kulturor e shpirtëror. Dhjetëra të rinj kanë ikur në Siri për të lënë kokat. Për qetësinë sociale, po edhe sepse i korruptuan në shkallë të gjerë shoqatat islamike e shërbimet e fshehta të orientit,  pushtetarët e opozitarët lejuan mjekërzinjtë e shoqatat e tjera islamike të nxisin përçarje, duke krijuar pasqyrë të shëmtuar për realitetin shqiptar. Qyteti i vjetër i Durrësit, pjesa më e frekuentuar turistike, në mbrëmje të frikëson me grupet e mjekrave të zeza që enden kot fare poshtë e lartë si të ishin në zemër të Arabisë, e jo në qytetin e ilirëve, apo rezidencën e perandorëve romakë. Në këtë qytet u ndërtua xhamia mbi rrënojat iliro-romake, ndërsa Amfiteatri antik, ndër më të mëdhenj në Mesdhe ende nuk është pastruar e rinovuar si duhet.

Nuk kam pa diçka më të shëmtuar se sa falja në qendër të Tiranës ditën e Bajramit që ta krijon përshtypjen si të ishe në shkretëtirat arabe.  Vetëm devetë e pak rërë shkretëtire   mungon në këto rituale që e frikësojnë botën nën qiellin e hapur. Ka edhe shembuj të tjerë të shëmtuar.

Qeveritë e dy shteteve shqiptare kanë flirtuar dhe po flirtojnë frikshëm me islamizmin e skajshëm, me fundamentalizmin islamik të Erdoganit, ndërsa në fakt po na e sjellin fatkeqësinë të dera, sepse derisa të ne investuesit islamik ndërtuan vetëm xhami, në Serbi, Kroaci, Rumani e Bullgari investuan nëpër fabrika e kantiere anijesh disa miliardë dollarë. “Kaurëve’ u dhanë fabrika, kantiere e hekurudha, neve probleme me mjekër palarët e me hoxhallarë që po e rrënojnë shtetin. Për një xhami që ua lejuan të ndërtohet në Rijekë të  Kroacisë, beduinët vjet blenë anije kroate në vlerë prej 800 milion dollarësh. Ky është realiteti, të cilin ne nuk e shohim në sy mu si makushi kur e fsheh kokën në rërë. Ky është realiteti i dhimbshëm: i zymtë, i pa perspektivë, i frikshëm, që të rrëqeth.          “Feja e shqiptarit është shqiptaria” duhet të shndërrohet sërish në kushtrim, në himn dhe në mobilizim që t’i ngjitemi trenit të qytetërimit evropian, duke dëbuar mercenarët e Kalin e Trojës jashtë territoreve shqiptare sa nuk është bërë vonë. Kështu, si jemi Kosova e Shqipëria nuk do të cilësohen shqiptare, por myslimane.

Shkombëtarizimi në Maqedoni

Gjendja nuk paraqitet më e mirë as të shqiptarët ortodoks në Maqedoni e Greqi. Mbase nuk e ka shkallën e tillë të primitivizmit oriental, sikurse myslimanizmi, por shkallën e frikshme të shkombëtarizimit e ka më shumë intensitet. Në Greqi pothuajse janë shkombëtarizuar shqiptarët ortodoks nga presioni agresivë i kishës, por sidomos nga presioni i dhunshëm i shtetit grekë. Të njëjtën gjë e kanë pësuar pjesa e madhe e shqiptarëve në territoret etnike në Maqedoni. “Ndarja në turq e kaur që na e bënin priftërinjtë dhe hoxhallarët ishte shumë e keqe”, e thotë në emisionin televiziv shqiptari ortodoks nga Reka e Keqe, i cili e rifreskoi çështjen e shkombëtarizimit të shqiptarëve në emër të fesë. Sa herë e shikoj këtë emision, edhe mua me qahet, ashtu sikurse i qahet protagonistit të emisionit shqip të një televizioni në Shkup, kur e kujton të kaluarën dhe presionin e shkombëtarizimit nga priftërinjtë sllavë. Ai rrëfente gjëra të dhimbshme: një krahinë e tërë kishte kaluar nëpër Kalvar nga presioni që të harronte gjuhë e komb. Sërish e dëgjova nga goja e tij thirrjen e rilindësve: feja e shqiptarit është shqiptaria. Sërish kjo thirrje është shumë aktuale, sepse ka gjasa të mobilizoj shqiptarët kudo.

Shqiptarët si asnjë komb tjetër në Evropë kanë tri fe.  Ndarja në fe, nuk është pasuri, por fatkeqësi, pavarësisht që rilindësit e ideologët kombëtar janë përpjekur këtë tragjedi ta zbusin. Fatkeqësia më e madhe në historinë e shqiptarëve ishte pushtimi osman, sepse zgjati shumë, prodhoi një varg fatkeqësish prej të cilave nuk u këndellem, sepse reflekse antikombëtare të kësaj fryme manifestohen edhe tash. Asnjë perandori nuk ishte aq mizore (mund ti konkurroj vetëm mizoria sllave e mesjetës dhe e shekullit të XX), asnjë perandori nuk u solli aq të këqija shqiptarëve se sa turqit, asnjë perandori nuk ndikoi që pastaj tokat shqiptare të pushtuara të ndahen sërish në mes të fqinjëve grabitqarë. Pushtuesi bëri tregti të vazhdueshme me Serbinë, Greqinë e Bullgarinë më tokat shqiptare. Me mizorinë e pashembullt ua imponoi fenë myslimane me hekur e me zjarr, pos atyre shqiptarëve që u tërhoqën nëpër male, apo atyre që kaluan në Gadishullin Apenin. Kronistët turq shkruajnë me mburrje për hakmarrjet e tmerrshme të ushtrisë turke kundër shqiptarëve: pirgje kufomash të grave, fëmijëve e të burrave, lumenj gjaku e kolona të gjata të shqiptarëve të lidhur me vargonj. Ata që mbetën gjallë morën fenë islame. (Kronisti Evlia Qelebiu).

 

.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Kali i trojes, mes shqiptareve

NJOFTIM PER TE PAME NGA FAMILJA UGRINAJ NE NEW YORK

January 29, 2014 by dgreca

Njoftojme miqte, shoket dhe dashamiret se me 8 Janar 2014 vdiq dhe u varros ne atdhe Nena jone e dashur 

Hajrije (Dobraj) Ugrinaj

Bijte e se ndjeres Isufi, Qamili e Xhvdeti me familje dhe farefis, hapin te pame per burra dhe gra, kete te diele, me 2 Shkurt 2014 ne Eastwood Manor, 3371 Eastchester Rd, Bronx, 

NY, nga ora 10 para dite deri ne 5 pas dite

Telefoni i familjes 1 (914) 656-9360

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Hajrije(Dobraj) Ugrinaj, Isuf Ugrinaj, te pame, vdiq nena

KADARE IKU, KADARE ERDHI

January 29, 2014 by dgreca

Nga Roland Gjoza/New York/

Nuk është viti 2013, as ndonjë vit tjetër, por pikërisht viti kur Kadarenë nuk e kemi më. Nuk është. Ka shkuar. Ka njështendosje. Çurçilli ka thënë se kur ikin shqiponjat, të çajnë veshin papagajtë. Nuk është i pranishëm Kadare. Shkoi me engjëjt. Natyrisht që nuk shkruan më. Nuk përdoret prej misterit karboni që e vizaton fizikisht, ai karbon, ajo bojë, apo ngjyrë që e spikati kaq shumë. Sepse nuk ekziston më fizikisht. Nuk e shohin në rrugë, në tv. Ç’ndodhi? Nuk e shajnë më ata që s’e donin. Nuk përmendet nëpër kafene. E harrojnë. Kështu duket njëfarësoj. E kanë harruar Kadarenë. Sepse i mundoi me famën e tij dhe tani duan të hakmerren. Për se të hakmerren, o Zot? E përmban geni ynë, ai çelësi kopil i hakmarrjes që hap dhe varret. E patë, shpërthen ndonjë prej levantinëve tanë, ku e keni, u harrua…

Ndërsa ata që e njohin kush qe Kadareja nuk dinë nga t’ia mbajnë, sepse në këtë vend, në vendin e shqiponjave nuk duan kokë mbi kokat, hije mbi të tjerët, thjesht nuk duan të dallohesh veçan me spikamë të madhe, sepse bëjnë gati hanxharin. Këtë e thotë në Testamentin e tij Mitrush Kuteli; në letërsi ka shumë zili, helm, të hanë gjarpërinjtë. Të ngresh kokën mbi të tjerët të quajnë mendjemadh, katil dhe ta këpusin, ta ulësh atë, të quajnë të paaftë, dështak dhe të marrin nëpër këmbë. Ç’do të thotë kjo, të bësh kokë mbi të tjerët, në rastin tonë, për Kadarenë? Të kesh talentin e tij gjenial, por që ai s’duhej ta shpallte për hir të modestisë ose të prishjes me shokët, sepse kështu bëhesh i padurueshëm. Erdhi liria, tani mund të shprehemi, të themi, për shembull, mjaft Kadare se nuk je vetëm ti. Sepse kontroversi në letërsi ekziston tek ai absurd që përgjithësisht një pjesë e madhe i binden zërit të vet egocentrist e narcist, jo gjykimit të vërtetë prej tjetrit, ndaj në këtë zeje kuçke gjen më fort përngjasime me Borges e Markes e me plot marrëzi të tilla. Iku Kadareja, ky patriark i letrave, ky përvetësues i të gjitha meritave letrare, ky sadist i shkrimtarëve të tjerë që ua mori frymën me spikamën e famës së vet. Iku ai dhe erdhi qetësia. Tjetër arome nuhatet në ajër, edhe ajo e shtëpisë tende, që ishte harruar, nuk e ndjen, iku kuçedra me shtatë kokë dhe u çlirua burimi. Le të pimë ujë të gjithë, jo vetëm ai; hej, iku, ejani të mbushim ujë te mali Elikon ku rrojnë Muzat. Po s’ka muza, burimi s’nxjerr më ujë. Ç’ka ndodhur? Iku Kadareja. Ajo violina e tij e Paganinit, që binte aq mjeshtërisht iku bashkë me Kadarenë. S’ka më Kadare.

Në kafenetë ku shkonte ditëve të fundit i mërzitur prej heshtjes e urrejtjes shqiptare, më fort pas shpalljes së Nobelit e ai prapë s’e fitonte, nuk do ta shikojnë më, jo, s’keni për ta parë më. Edhe në kafene s’e keni më, aty ndanë dritares duke parë vjeshtën, fërkoni duart. S’do ta pijë me atë kafen brazilianë me një filxhan italian midis miqsh të paktë shqiptarë, fërkoni duart. Nuk do të ngrihet dhe kokat s’do të kthehen më drejt tij dhe vajzat s’do të nguten ta ndalojnë për një autograf, fërkoni duart. Ç’mos bëni e ç’nuk bëni që librat e tij të mos shumohen dhe aq, të mos futen në tekstet shkollore aq bujshëm, të përhapet sindromi i armikut Kadare, në qoftë se dikush guxon dhe e risjell siç e meriton, zulmëmadh e emërkumbues përmbi kryeministra e presidentë të përkohshëm, që letërsinë e kanë konsideruar si një kuti me kruajtëse dhëmbësh në gostitë e tyre.

Dhe Kadare do të harrohet përderisa Shqipëria është mbushur me horra me kostume europiane, me shumë portofola, që kanë brenda para të nxjerra nga Gërdeci, Rruga e Kombit, nafta, kufiri detar, plehrat e Europës, vrasjet, krimi, trafiku i drogës, i vajzave, fëmijëve, organeve…përderisa kaosi quhet liri dhe demokraci dhe idioti, intelektual. Vetëm kur të bëhemi një komb normal, atëherë Kadare do të shfaqet përsëri dhe do të jetë e arsyeshme që ai të zërë vendin e më të madhit shkrimtar shqiptar dhe do ta qajnë, shumë vonë, por do ta qajnë dhe do të kuptojnë ç’kanë humbur, shumë vonë, por do t’ia mbulojnë monumentin në mes të Tiranës me lule dhe pelegrinazhi do të jetë i gjatë, shumë vonë dhe më e natyrshmja do të jetë se ju që e urryet dhe fërkuat duart s’do të jeni më, sepse do të jeni bërë pleh kungujsh pa nam e nishan. Pra, Kadare erdhi.

Në shekuj Kadare do të vijë, sepse s’pati vetëm një prerje shqiptare, por dhe një prerje botërore. Prandaj lus Zotin që Shqipëria të bëhet normale dhe në një ditë të kthehemi te vendi i Kadaresë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadare, roland Gjoza

DOLI NGA SHTYPI NË SHQIP LIBRI”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ LARS WESTMAN

January 29, 2014 by dgreca

Nga Viron KONA/

Në kuadër të redaksisë së botimeve të revistës Dituria këto ditë doli nga shtypi libiri ”Djali dhe Tigri” i autorit suedez Lars Westman në përkthim të shkrimtarit dhe publicistit Sokol Demaku.          Libri është redaktua nga Viron Kona, me recenzet Dr. Rovena Vata, Ismet Hasani dhe Mr. Kadrije Meniqi, si dhe nënë përkujdesjen editoriale të Mr.fil Sadulla Zendeli Daja, e me përkujdesje në shtyp të shtypëshkronjes nga Tiaran Westprint.Libri ka gjithësejt 145 faqe dhe është shypurë në 1000 egzempalr e do të shpërndahet falas për nxënësit e shkollave fillore në Republikën e Kosoves, në Republikën e Shqipëri dhe diasporë.

Faleminderit Lars!

  Lexuesit e vegjël shqiptarë e kanë njohur letërsinë suedeze veçanërisht nëpërmjet librave të nobelistes Selma Lagerlof  dhe të magjishmes Astrid Lindgren. Ashtu si fëmijët në Skandinavi dhe në botë, ata  e kanë lexuar me ëndje “Udhëtimin e mrekullueshëm të Nils Olgerssonit” dhe “Pipi Çorapegjatën”, kurse tani, kanë në dorë një tjetër libër të mrekullueshëm nga letërsia suedeze, “Djali dhe Tigri” të shkrimtarit të njohur Lars Westman.

Që në fillim të këtij shkrimi, dëshiroj të them se shkrimtari suedez, na ka dhuruar një libër me vlerën e një margaritari vezullues. Me penën e tij të artë, ai na rrëfen  me një stil tërheqës dhe gjuhë të figurshme, aventurat e Djalit që e donte aq shumë macen e tij, Tigrin, saqë, për tre muaj resht, pa u lodhur dhe pa u tërhequr nga vështirësitë, e kërkoi atë deri në skajet më të largëta të atdheut, Suedisë së bukur. Në çdo faqe, libri mban të ndezur zjarrin e kureshtjes për të mësuar fatin e Djalit dhe të Tigrit dhe, krahas emocionit dhe kënaqësisë së madhe, na jep artistikisht mësime të vlefshme për gjeografinë dhe historinë e Suedisë,  na nxit shpirtin e guximit dhe të vendosmërisë, për të njohur  edhe  më mirë botën e  njerëzve dhe të kafshëve. Tregimet, shfaqin episode, ngjarje, aventura, dialogë, batuta, fjalë të urta të mrekullueshme pa fund, të cilat ushqejnë pareshtur flakët e dëshirës për ta lexuar me pasion çdo rresht, paragraf dhe faqe të librit.  “Djali dhe Tigri”, nis me arratisjen e papritur të Tigrit, shqetësimin dhe vendosmërinë e djalit për ta kërkuar dhe për ta gjetur doemos atë. Njerëzit që ai takon, thuajse të gjithë e këshillojnë Djalin që të kthehet në shtëpi, por ai nuk mund të kthehet, ai nuk mund ta braktisë dhe ta lërë në mëshirë të fatit Tigrin, mikun e   tij të dashur.

Episodet vijojnë si sekuenca filmike: biseda me parashikuesen e fatit, episodi, se si Djali, përtë siguruar ushqimin  e ditës bëhet fotograf, dialogu i këndshëm me urithin, i cili ndihet keq sepse nuk ka krahë që të fluturojë së bashku  me shpendët dhe, në pamundësi, ëndërron të hapë një tunel të gjatë të nëndheshëm deri në Lapland, tregimi për salmonin madh, që  ndonëse me plagë në trup, priti natën me hënë që të kërcente fluturimthi në ujëvarë dhe të shkonte doemos në vendlindjen e tij, tregimi për shitësin shëtitës, për macet e egra, shtegtimin e zogjve drejt Afrikës, takimi i Djalit me vajzën që donte  të shkonte në Paris, përshkrimi i aventurave të Vjedullës, tregim për djemtë që mblidhnin kanoçe, për vajzën refugjate në kambanore, tregimi që na mëson se dhelpra dhe kusarët janë  e njëjta gjë, tregimi për jetën e samve dhe të drerëve në Veri të Suedisë…

Duket sikur autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e mahnitshme të aurorave polare dhe përhapë nuancat e  tyre të freskëta nëpër faqet e librit, duke na treguar se bota është  e madhe, se jeta është e bukur kur i jep vlerë dhe kuptim, se mirësia dhe dashuria njerëzore duhet të triumfojnë mbi gjithçka, se është gjithnjë në rrugë të mbarë dhe nuk gabon kurrë, ai që ecën në rrugën e së vërtetës, se e drejta për të jetuar është e drejtë e çdo gjallese të rruzullit tokësor…

Njëri tregim më i interesant se tjetri, njëri më tërheqës se tjetri, një bukuri e pafund fabulash, përshkrimesh, shprehjesh me hijeshi artistike pasqyrohen në faqet e këtij libri të magjishëm, që e ka sjellë në gjuhën shqipe me përkthimin e tij poeti, shkrimtari dhe gazetari i njohur Sokol Demaku.

Në libër  përshkruhet  Suedia, mjediset dhe peizazhet e saj magjepse, qytetet, krahinat, bregdeti, ishujt, klima dhe natyra e këtij vendi të mrekullueshëm. Përshkruhen, skaliten dhe portretizohen njerëzit, personazhet e librit, që të mbeten në mendje për karakterin e pa përsëritshëm, zakonet, bisedat, fjalët që përdorin, mendimet që shfaqin, humori, të veçantat e secilit. Përshkruhet llojshmëria e kafshëve dhe e shpendëve, jeta e tyre,  respekti, kujdesi dhe dashuria e suedezëve për çdo gjallesë të rruzullit tokësor.

Duke lexuar të 140 faqet e këtij libri, kuptojmë se jemi bërë më të ditur, më të pasur shpirtërisht, më të vendosur në qëllimet tona për të mësuar dhe për të përballuar jetën dhe vështirësitë e saj, për të dashur më shumë atdheun dhe njerëzit, për të respektuar lirinë dhe mendimin përparimtar, por jemi bërë edhe më të ndjeshëm ndaj natyrës, drurëve dhe pemëve, kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që, mendimet dhe përjetimet tona, imagjinata dhe frymëzimi ynë, kanë fituar hapësira dhe dimensione të reja. Shkrimtari na ka  vënë në mendime, ka nxitur tek ne përfytyrime për gjëra që nuk i dinin  përpara se të lexonin këtë libër, ka bërë që t’u tregojmë me padurim shokëve dhe miqve se çfarë libri të rrallë kemi lexuar dhe, pastaj, bashkërisht, të përpiqemi të vëmë në skena të improvizuara  teatri, episode, ngjarje, rrëfenja të këtij libri.

E përshëndes kolegun suedez për librin e bukur, edukativ, tërheqës dhe mbresëlënës  që na ka dhuruar. Kam ndjerë shumë gjatë leximit të librit, kam përjetuar emocione të bukura dhe befasuese, jam përfshirë në valë respekti dhe dashurie për jetën dhe njerëzit e  guximshëm, këmbëngulës në arritjen e  qëllimeve që i vënë vetes. E falënderojë nga zemra dhe e urojë shkrimtarin suedez për krijime të tjera të bukura, që na pasurojnë dhe na zbukurojnë mendimin, fantazinë, imagjinatën  dhe jetën tonë.

Faleminderit Lars Westman!

Filed Under: Kulture Tagged With: ”DJALI DHE TIGRI” I AUTORIT SUEDEZ, LARS WESTMAN, Sokol Demaku, Viron Kona

Aktivitet kulturor në Vjenë- Ekspozitë dhe orë letrare në gjuhën gjermane nga autorët shqiptarë në Austri

January 29, 2014 by dgreca

Austriakët organizojnë ekspozitë dhe lexim letrar nga autorë shqiptarë në ambientet e  Osteria Allora. Franz Pfeffer: “Hera e parë zëri i shqiptarëve në ‘‘Galerie Studio 38‘‘ të Vjenës. Krijuesit shqiptarë në Austri hapin horizonte të reja afirmative në Austri. Piktori, Gazmend Freitag me ekspozitë personale në Vjenë” /

Hazir MEHMETI , Vjenë/
Aktivitet kulturore me karakter letrar e pamor janë gjithnjë e më të shumta, më kualitative dhe prezantuese para artdashësve në Austri. Lidhje e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”  bënë një aktivitet me vlerë në Vjenë dhe qytetet tjera austriake. Bashkëpunimi me PEN-klubin e shkrimtarëve austriak dhe klube tjera e afirmuan krijimtarinë e poetëve, shkrimtarëve, piktorëve e krijuesve tjerë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Austri. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve ishte edhe organizimi i orës letrare dhe ekspozitës së pikturave nga Gazmend Freitag, në ambientet e klubit Osteria Allora dhe nën organizimin e shoqatës austriake ‘‘Galerie Studio 38‘‘.   Aktivitetin letrar e artistik e pasuruan me pjesëmarrjen e tyre edhe dy përfaqësuesit e komunës së Vjenës, sektorit për kulturë të lagjes së 20-të të Vjenës znj. Christine Maly, këshilltare e bashkisë dhe kryetare e komisionit për kulturë Brigittenau dhe z. Wolfgang Bauer zv. kryetar i këtij komisioni si dhe shkrimtari austriak me prejardhje turke Serafettin Yildiz, të cilët u ndanë të kënaqur me artin e ofruar nga krijuesit shqiptarë.

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Franz Pfeiffer, menaxher i ‘‘Galerie Studio 38‘‘ me seli në Vjenë, i cili theksoi se shoqata që përfaqëson ka një traditë 10 vjeçare në organizime të projekteve artistike, ndërsa kjo ishte hera e parë që si mysafirë kishte krijues shqiptar.
Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti kryetari i saj z.Besim Xhelili.  ‘‘Jemi mbledhur që të promovojmë artin e autorëve shqiptarë të cilët veprojnë në këtë vend mik të kombit tonë. Në Vjenë shekuj me radhë janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen shpata dhe helmeta e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Prandaj edhe ne jemi vazhdimësi e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë, të përkushtuar që këtë bashkëpunim ta fuqizojmë edhe më tepër, kësaj radhe në fushën e letërsisë dhe arteve vizuale.             Në emër të shtëpisë botuese ‘‘Platform Verlag‘‘ nga Vjena e cila edhe publikoi në gjuhën gjermane antologjinë e parë të autorëve shqiptarë në Austri ‘‘Illyricum‘‘ foli Johannes Martinek, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij botimi për publikun gjermanofolës. Mbrëmja letrare filloi me prezantimin e antologjisë ‘‘Illyricum‘‘ të cilin e bëri Anton Marku, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu‘‘. Ai tha se ‘‘Ky është libri i parë i këtij lloji në Austri. Në të janë përfshirë 26 krijues shqiptarë që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vendet tjera të Ballkanit, Fjalët hyrëse i kanë shkruar ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, Dr. Vili Minarolli dhe Dr. Sabri Kiqmari si dhe Dr. Helmuth A. Niederle, president i PEN Klubit të Austrisë. Me këtë publikim po dëshmohet se çdo ditë e më tepër ne jemi duke u bërë pjesë aktive e skenës kulturore austriake, duke prezantuar veprat e krijuesve shqiptarë edhe në gjuhën gjermane, në mënyrë që artin dhe letërsinë tonë ta ofrojmë publikut vendas.
Me krijimet e tyre u paraqiten disa nga anëtarët e  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksander Moisiu‘‘ , ku vargjet dhe tregimet e tyre në gjuhën gjermane i lexuan poeti,  Ragip Dragusha; krijuesi dhe përkthyesi nga Graz-i, Dr. Kurt Gostentschnigg i cili dhe ka bërë përkthimin e antologjisë ‘‘Illyricum‘‘. Lexuan nga krijimtari poetët: Dan Kosumi, Mërgim Osmani, Anton Marku dhe Besim Xhelili. Artdashësit nga radhët e kombeve të ndryshme i duartrokitën paraqitjen e poetëve të cilët krijuan emocione me artin e tyre dhe interpretimin e bukur. Puna e mirë organizative brenda LSHKSH “Aleksandër Moisiu” në Austri e ka fituar besimin e shumë klubeve e asociacioneve vendore të cilat ofrojnë bashkëpunim dhe ndihmë me vlerë për ofrimin e vlerave krijuese nga shqiptarët që jetojnë e krijojnë në Austri. Vlen të përmenden aktivitetet letrare të organizuara më parë ku ishin edhe figurat si: Sidonia Gall, kryetare e Shkrimtarëve të Austrisë, Helmuth A.Niederle, president i PEN-klubit në Austri, shkrimtar i njohur. etj. Krijuesit e Lidhjes janë nga radhët poetëve, piktorëve, skulptorëve, publicistëve etj. Ata janë veprimtarë të vyer krahas artit që ata ofrojnë.
Padyshim njëri nga artistët mjaftë aktiv në Austri është piktori z.Gazmend Freitag nga Linci, Hapjen solemne të ekspozitës së tij personale këtë mbrëmje e bëri Ursula Pfeiffer, përfaqësues i galerisë “Galeriestudio 38” . E cila foli për biografinë e piktorit duke u fokusua në stilin e veçantë, motivet nga vendlindja dhe ato moderne në punimet e tij. Po ashtu dha një historik të shkurtër të popullit shqiptar që nga pavarësia e këtej.  Ajo tha se pikërisht këtu i ka lindur ideja e ekspozitës me temën “Impresione Shqiptare” (mbresa shqiptare). Pastaj, iu referua disa thënieve rreth piktorit tonë nga shtypi e kritika. Po ashtu foli edhe zj.Elisabeth Birngruber, bashkëstudiuese me piktorin dhe pianiste. Mes tjerash piktori ynë shtoi: “Janë të ekspozuara 14 eksponate reprezantive të punuara në vaj dhe grafikë, kryesisht me motive shqiptare. Me “galeriestudio38” në Vjenë, pos kësaj ekspozite aktuale, shpresoj të bashkëpunoj prapë dhe të paraqitëm në ekspozita kolektive këtë vit si në  “Paradise”. Organizatorët menaxher zj. Ursula dhe Franz Pfeiffer janë shumë të zellshëm,  janë  kompetentë dhe me përvojë shumëvjeçare në Vjenë.”  Në fund u dha koktej rasti ku pjesëmarrësit biseduan nga afër, shkëmbyen mendime dhe ide lidhur me projektet e mundshme të përbashkëta në të ardhmen.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite ne Vjene, Hazir Mehmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT