• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Kodheli piktori i materies kombëtare

February 18, 2014 by dgreca

Tiranë -Kel Kodheli, një nga piktorët më të mëdhenj në Shqipëri, u nda nga jeta më 18 Shkurt 2006 në moshën 88-vjeçare.Ai ishte nga të paktët artistë të brezit të tij që i rezistoi kohës. Kodheli  pikturoi me mjeshtërinë e fituar në një nga shkollat prestigjioze evropiane, siç është Akademia e Arteve të Bukura të Romës.  Pikturat e krijuara në periudhën e realizmit socialist ishin të drejtuara në tematikë dhe shprehi ndjesore të reduktura, por piktori Kel Kodheli, ka ndryshuar paksa nga të tjerët. Si piktor, ai është mirëfilli realist dhe tematika e tij përbëhej më tepër nga materia kombëtare sesa nga ajo politiko-sociale.  I lindur në Kodhel të Shkodrës, më 24 dhjetor 1918, në moshën 6-vjeçare bashkë me familjen u shpërngul në Tiranë, ku në kohën e lirë ndiqte  kurset e vizatimit nën drejtimin e artistëve të njohur për kohën.

Në shkollën “Harri Fultz”, studioi me emra të njohur të pikturës shqiptare si Kaceli, Strazimiri, Agalliu etj. Pavarësisht dëshirës së babait të tij, Gegë Kodheli, që ai të vazhdonte për inxhinieri, nëna e tij Çile këmbënguli që i biri të merrte rrugën e pikturës. Pasioni i tij  dhe dëshira e nënës ndikuan që ai të ndiqte studimet për Artet e Bukura në Romë. Ai u  kthye në Tiranë në vitin 1943, pasi i kishin kërkuar të modelonte një vulë të bankës shqiptare dhe më pas iu deshën dhjetë vite të largohej nga mjediset e saj. Pas Luftës Nacionalçlirimtare ai mori pjesë në ekspozitën e organizuar në 17 prill 1945, me portretin “Gruaja me të zeza”, që për arsye të motivacionit politik, u titullua më pas “Nëna e dëshmorit”. Dha për 20 vjet mësim në Lice dhe pikërisht në fund të aktivitetit të tij pedagogjik,e transferuan në një shkollë tetëvjeçare, ku ai punoi derisa doli në pension. Galeria Kombëtare e Arteve, ruan në fondin e tij 30 piktura të Kel Kodhelit, nga të cilat 12 janë kompozime dhe 11 janë portrete. Kel Kodheli është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”(Fatjona Hysi)

Filed Under: Featured

“Bukuroshja e Durrësit”

February 18, 2014 by dgreca

Nga Gezim Kabashi/- “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Shqipëri, është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore 55 vjet më parë. Këmbëngulja e arkeologut të shquar, Vangjel Toçi, rinxorri në dritë pikërisht në vitin 1959, një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit, monument që aktualisht ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi, ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillim të shekullit të XX, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.Për herë të parë ky mozaik, që i përket shekullit të IV-III para erës sonë, u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Oficeri austriak, Camillo Prashnicher, i cili ishte edhe një arkeolog i shquar, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Prashnicher është i pari që botoi fotografinë e mozaikut në librin e tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurative.

Më pas mozaiku u mbulua dhe humbi për 33 vjet

Për fat të mirë, falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker.

Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit. Rizbulimi i mozaikut ngjalli interesin e shumë shkenctarëve të huaj, të cilët megjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë.
Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë. Në qendër të tij është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizashi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh. Është mbiquajtur  “Bukuroshja e Durrësit”, një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave ilirë që e krijuan atë. Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik.
Teknika e përdorur për krijimin e tij është me gurë zalli natyrorë, me ngjyra të ndryshme, të ngjitura me njëra- tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe.
Në vitin 1982 mozaiku u zhvendos nga Durrësi dhe u instalua në sallën kryesore të antikitetit, në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ende nuk ka një mendim të përcaktuar shkencor se kujt i përket figura qendrore e mozaikut, por sidoqoftë ai vazhdon të njihet thjesht si “Bukuroshja e Durrësit”, duke i dhënë qytetit të lashtë një privilegj më shumë përballë turistëve vendas dhe të huaj.(ATSH)

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bukuroshja e Durresit, Gezim Kabashi

Për një Tour D’Horizon Shqiptar dhe Evropian (I)

February 18, 2014 by dgreca

Nga Genti Miho/ Washington/

Ngaherë marinarët kanë parë horizontin ku mund të ketë det me dallgë dhe nga fryjnë erërat e mbara. Pastaj prekin anijen me vela për të kuptuar sa e fortë është për t’u qëndruar shtrëngatave. Me aftësi dhe eksperiencë u duhet ta drejtojnë anijen jo vetëm larg detrave të trazuar, por të bëjnë kujdes që të mos bllokohen në detra të qetë e të pafund, në pritje të erës. Pas marrëveshjes së ashtuquajtur të normalizimit, e cila nuk duhet quajtur e tillë, por për arsye thelbësore dhe historike, thjesht marrëveshje e parë mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kapitenët e anijeve me shqiptarë kanë nevojë për ndihmë nga të gjithë për të drejtuar vendin drejt së ardhmes evropiane. Hedhja e shikimit në të gjitha anët në horizont quhet ndryshe edhe tour d’horizon.

Në fillimvitin 2012 Zonja Albright, ish-Sekretare e Shtetit, prezantoi në Boston librin e saj të ri “Dimër në Pragë” gjatë një dreke. Prita me durim të mbaronte fjalën. Më parë, në një kurs akademik për Udhëheqje, Politikë të Jashtme dhe Etikë Amerikane në shek. XX me Joseph Nye pata studiuar nga burime të ndryshme, në detaje, strukturën dhe vendimarrjen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: në votimin e fundit, përveç  Zj. Albright, të gjithë anëtarët ishin kundër ndërhyrjes, siç e mbaj mend, kryesisht për shkak të situatës delikate të shkaktuar nga skandali seksual i asaj kohe në Shtëpinë e Bardhë.

Zj. Albright pati ndërmarrë e vetme dhe “kundër të gjithëve” një odise që do të kurorëzohej me votimin unanim të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, (KSK), në favor të sulmeve të NATO-s, edhe pse më parë ishin kundër, gjë që pasoi me iniciativa udhëheqësish të tjerë, ndër të parët Toni Bler. E kisha kuptuar qartë se Zj. Albright kishte luajtur rol të parë dhe parësor dhe doja të dija përmes pyetjes sime të dyfishtë në publik: 1) pse kishte rrezikuar, edhe karrierën e vet për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë – këta njerëz me emra, siç tha ajo vetë, “të pashqiptueshëm” 2) si kishte arritur të sillte ndryshim diametral brenda një strukture të sofistikuar vendimarrjeje si ajo e KSK-së dhe si ishin bindur të gjithë anëtarët e KSK-së, gjë që do të përfundonte me sulmet e NATO-s, vetëm pas masakrës së Reçakut?

Duke pritur përgjigjen e saj e shihja mbijetesën e gati gjysmës së popullit tim të varur në një fije floku. Kisha dëgjuar në një dokumentar të BBC-së nga Wesley Clark, komandanti suprem i NATO-s në Evropë, të cilit Millosheviçi i kishte thënë se zgjidhjen për shqiptarët e kishin të gatshme, si në kohëra më të hershme: “I vramë. I vramë të gjithë”. Zonja Albright, gjithashtu m’u përgjigj gjatë prezantimit të librit, se nga veprimet Millosheviçi i ishte dukur “si Hitleri”. Kjo ngjarje përkonte edhe me imagjinatën time, në fëmijëri, kur më rrëfente gjyshja si kishte shpetuar jetën me të tjerë, duke ikur nga shtëpitë, nga sytë këmbët në gjysmën e parë të shek. XX në jug të Shkumbinit. Shembujt e shumtë dhe ngjashmëria e tyre në kohë dhe hapësirë më kishin bërë të kuptoj drejt situatën e krijuar: si pjesë e një rreziku ekzistencial në rang doktrine të gabuar të lidhur me identitetin, jo vetëm si veprim i rastësishëm i Millosheviçit në rrethanat e krijuara.

Mungesa e alternativave të fqinjëve në rang doktrine për bashkëjetesë me identitetin shqiptar dhe shkaqet e mospërsosjes së politikave të tyre të jashtme për gati dyqind vjet që nga lindja e shteteve ballkanike në shek. XIX më patën bërë përshtypje, ndërsa vëreja hapa të mëdhenj në fusha të tjera si demokraci mes grekëve dhe shtetndërtim mes serbëve. Përpjekjet për sigurinë e tyre kombëtare vazhdonin pandryshueshmërisht si në shek. e XIX, mbi kërcënim me luftë apo mjegullim të identitetit shqiptar, të cilin  disa e kuptojnë frikshëm si shfarosje apo asimilim të plotë kur krijohen rrethanat e duhura historike. Ruajtja e jetës dhe identitetit shqiptar janë kushte themelore dhe të nevojshme, edhe pse të pamjaftueshme për një të ardhme më të mirë. Pyetja për Zonjën Albright kishte për qëllim që nga mbijetesa e fundit të nxirrnim mësime për të ardhmen.

Në prag të këtij përvjetori të Pavarësisë së Kosovës, një e ardhme më e sigurt përbën motivin që përshkon këtë shkrim të parë “Për një Tour d’Horizon Shqiptar dhe Evropian”, duke besuar se mbijetesa është njëra anë e medaljes. Ana tjetër përfaqëson ngadhnjimin e plotë të lirisë dhe ku e krijon fatin e vet në rrugë e sipër, pa dogma. Liria vetë përfaqëson vullnetin e lirë për të drejtat, ndriçimin dhe vetrealizimin e njeriut, në vetvete apo si përbërje, në një ambient ku ekzistojnë kushtet e nevojshme për përparim.

Siç thotë Konica për ne të anës kombëtare, duam që “kombi ynë të jetojë me mendime e nder të tija”. Duam që populli ynë të jetojë në paqe e liri me popujt e tjerë dhe, nëpërmjet veçantisë sonë, të kontribuojme për të mirën dhe për veçantinë e popujve të tjerë, me po aq energji sa njeriu jeton e punon brenda familjes, deri në sakrificë. Duam që harmonia jonë e brendshme me njëri-tjetrin të manifestohet si popull shqiptar dhe popullsi evropiane, por edhe si qytetarë të botës së lirë.

Në këtë harmoni identitetesh, njeriu nuk mund të mbetet rob i një feje apo i një shteti, porse, në radhë të parë, thjesht i afërt për tjetrin si njeri dhe gjithmonë si emër i përveçëm. Me një karakter kombëtar, një gjak ose një identitet, si shqiptarë dhe evropianë, duam të përsosim arsyen, shpirtin dhe ndjenjat përmes këngëve, valleve, poezisë dhe artit tonë si mundësi personale dhe shprehja më e lartë e të qenit vetvetja.

Këtë të ardhme ne nuk e shikojmë si konstrukt gjeo-politik, por nëpërmjet lupës së dashurisë. Megjithëse njohja jonë për dashurinë është e pakët, besojmë që dashuria është gjithcka. Besojmë Nënë Terezën, e cila thotë se vetëm duke dashuruar gjer në dhimbje, dhimbja zhduket dhe mbetet vetëm dashuria. Dashuria është në thelb ajo që përfaqësojmë, kërkojmë dhe për të cilën jetojmë ne shkodranët, kosovarët, labët, malcorët, korçarët, gegët, iliridasit, çamët, toskët, katundarët, arvanitasit, arnautët, arbëreshët, shqiptaro-amerikanët dhe të gjithë shqiptarët e tjerë në botë.

Harmonizimi i dashurisë për liri dhe dashurisë për të tjerët përbën thelbin tonë si popull shqiptar mbi tokë. Harmonizimi i së bukurës me të mirën në sjellje, në këngët dhe vallet tona na mundëson arritjen e dashurisë dhe na bën të paqtë.

Himni i dashurisë shqiptare shfaqet edhe nëpërmjet mendimeve filozofike dhe politike të Ukshin Hotit. Ndryshe nga Nietzsche që udhëton drejt klimave të ngrohta, hyn në thellësi mendimesh dhe i bën thirrje përsosjes estetike dhe humorit, por nuk gjen paqe – Ukshin Hoti rrugëton mundimshëm si udhëheqës shpirtëror dhe veprimtar, por nuk dorëzohet dhe e hedh poshtë çmendurinë e luftës. Bashkë me Ismail Kadarenë hedhin kushtrimin në Evropë, se liria pa dashuri nuk ka vlerë dhe nuk mund të ngadhnjejë mbi të pamundshmen. Të dy bëjnë thirrje, si pjesë e ndërgjegjes evropiane, që të mos jetë e çalë dhe e kërrusur në real politik, por të ecë me kokën lart drejt dashurisë për tjetrin.

 

Ukshin Hoti është dëshmori i parë i Rilindjes Evropiane, i humbur ose pa varr, në dymijëvjeçarin e Erës sonë. Ai sakrifikohet me vetëdije për humanizmin që ka rënë në gjumë në zemër të Evropës. Me vetmohim personal si Adem Demaçi, ai gjithashtu përfaqëson shpirtin dhe “veçantinë” shqiptare.

Konteksti historik i çështjes dhe “veçantisë shqiptare” është refren me idealistë vendas, të cilët sakrifikojnë për të mirën e përgjithshme, sidomos për lirinë. Ata synojnë dhe shpesh realizojnë projekte zakonisht të ndërmarra nga mbretëri apo shtete me burime përkatëse, por gati të pamundshme nga individ apo një grup i vogël. Një shembull vjen nga At Gjergj Fishta që përmend shtatëmbëdhjetë shkolla shqipe të hapura në Shkodër në 1920-n nga grupe të vogla njerëzish të zakonshëm, ndërsa në Mal të Zi kishte vetëm një shkollë të hapur nga Rusia. Përpjekjet e njerëzve të zakonshëm që nuk kërkojnë mirënjohje dhe nuk marrin asgjë në këmbim, sfidat më shumë se arritjet kanë sjellë frymëzim te ne për të vazhduar përpara në rrugë të vështira e të pashkelura.

Në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, para se të lindte koncepti i kombit-shtet, shqiptarët si bashkësi gjeografike apo komb me të njëjtin gjak apo identitet, gjithnjë me lidhje të forta mes njëri-tjetrit kanë përfshirë mes tyre edhe etni të tjera që kanë jetuar në të njëjtin territor dhe kanë mbrojtur së bashku lirinë. Së bashku kanë luftuar kundër disa prej fuqive më të mëdha të kohës: edhe kundër sulltanëve otomanë myslimanë, edhe kundër vasalëve të tyre serbë ortodoksë, edhe kundër aristokracisë së venedikasve katolike, por edhe kundër vendasve që janë bashkuar me të huajt dhe kanë kërcënuar jetën apo mënyrën e tyre të jetesës. Kjo etje për liri qoftë individuale, në bashkësi apo si komb i ka karakterizuar në shekuj njerëzit që jetojnë në këto troje. Në përbërjen e këtyre njerëzve ka jo vetëm shqiptarë etnikë, por edhe të tjerë që ndajnë këtë karakter të pamposhtur, deri në heroizëm apo vetëmohim. Liria përbën pjesën e parë thelbësore të karakterit kombëtar shqiptar dhe veçantisë shqiptare.

Për të mbrojtur jetën dhe lirinë shpesh nuk ka pasur alternativë përveç heroizmit. Siç e përshkruan poeti dhe diplomati Alphonse de Lamartine, trimërinë te shqiptarët “nuk ka as penë ta përshkruajë, as penel ta pikturojë” ndërsa Bajroni thotë “ku është armiku që ua ka parë shpinën”? Ky heroizëm është njëherazi edhe sacrificë ose vetsakrifikim, sipas Lamartine, të kristalizuar në legjendën e Rozafës: nëna që i jep jetë fëmijës së vet deri në momentet e fundit. E ardhmja, jo e shkuara është leitmotivi ynë.

Etja për liri u manifestua edhe gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës. Vepra monumentale dhe pa precedent historik në Evropë e krijimit të një shteti sui generis, në emër të lirisë dhe të së ardhmes ishte në lartësinë e sfidave epokale me të cilat u përballën kryesisht kosovarët, sepse jetonin aty dhe luftonin për shtëpinë e tyre. Megjithatë, si zakonisht në momente të vështira, shqiptarët reaguan si komb për të shpëtuar veten, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin rajonal e botëror.

Heroizmi i karakterit shqiptar sipas traditës vazhdoi me këngë deri në momentet e fundme të Adem Jasharit, sikurse Çerçiz Topulli. Shfaqet në emër të së ardhmes dhe njerëzores edhe në nivel intelektual, përmes Ukshin Hotit, i cili mbronte studentët e Universitetit të Prishtinës me vetëdije të plotë: “Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund të paguaj sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe”.

 

Dëshira më e madhe për të jetuar sesa domosdoshmëria për t’u flijuar mbizotëron te shqiptarët. Vetëm rrëfimi i Besarta Jasharit, e vetmja e mbijetuar nga familja Jashari mjafton për një të huaj të kuptojë shpejt karakterin shqiptar në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës. Njerëzorja është ajo që synojnë shqiptarët dhe ajo që gjallëron me lirinë pas luftës. Vetë patriotizmi nuk ka kuptim përvecse në rend të dytë dhe brenda kornizës së lirisë dhe njerëzores, mishërim edhe nën udhëheqjen e Presidentit Rugova.

Kjo është arsyeja, sipas At Gjergj Fishtës, që në Shqipëri “nuk gjindet nji vorr të vdekuni prej urie”, ndërsa në Evropën e at’hershme në vitet ’20 por edhe në ditët e sotme, uria shkakton krime në situata krizash. Njerëzorja është tipari i dytë thelbësor i karakterit kombëtar shqiptar që sidomos manifestohet në mbrojtjen e më të dobëtit apo tjetrit në nevojë, si besë apo si dicka krejt normale e jetës, e institucionalizuar ose jo.

Ukshin Hoti, një burrë shteti si Ismail Qemali, me dije dhe intuitë politike me përmasa botërore, si Ismail Kadare si mendimtar e letrar, por më pak i njohur se ky i fundit, shtjellon si teori filozofike një tjetër dukuri shqiptare që lind në shekuj drejtpërdrejt nga liria dhe njerëzorja: demokracia autentike ose e quajtur ndryshe demokracia e vërtetë, e lindur nga brenda çdo strukture, jo e imponuar.

Ky fenomen shfaqet shpesh te shqiptarët si dukuri e harmonisë apo bashkëjetesës fetare, por në brendësi është më i rëndësishëm. E kupton në vetvete lirinë e gjithkujt për të zgjedhur sipas dëshirës, por pa cënuar lirinë e tjetërkujt – si të drejtë të patjetërsueshme dhe të barabartë dhe vlerë e qenësishme e karakterit njerëzor. E shikon tjetrin pa paragjykim, nëpërmjet këndvështrimit të lirisë dhe njerëzores, por gjithashtu e konsideron si qenie të aftë dhe racionale për të vendosur për veten e vet natyrshëm, që nuk mund të konceptohet ndryshe dhe kuptohet si ajri kur mungon. Ky mekanizëm rregullator shoqëror konsideron lirinë si të shenjtë por e shikon në disa plane, edhe si vetkontrollim për të mos rënë në gabim.

Është vëzhguar dhe shtjelluar pak, por thellë nga Ukshin Hoti që shikon çdo shqiptar jo si mbret, por, në radhë të pare, si individ dhe kreshnik malesh, një tjetër Gjeto Basho Muji. E përçon në Evropë si të kuptuarit e vetes dhe tjetrit si kreshnikë malesh dhe evropianë në të njëjtën kohë. Demokracia autentike ose e vërtetë përbën thelbin e hotianizmit dhe njëkohësisht tiparin e tretë thelbësor të karakterit kombëtar shqiptar. Përbën edhe një faktor të qenësishëm për stabilitet të brendshëm që shoqëron shqiptarët në shekuj në kombformim.

Sipas hotianizmit, ky është kontribut i popullit shqiptar për njerëzimin, po aq sa demokracia nga grekët apo institucionet nga anglezët. Demokracia autentike e mendimit, në praktikë apo si formë organizimi, është zhvilluar edhe kur rrethanat historike nuk kanë krijuar hapësirë për shtetformim apo mirëqenie të ngjashme me kombet e tjera. Së bashku me lirinë dhe njerëzoren përbëjnë tre tiparet thelbësorë të karakterit kombëtar shqiptar dhe “veçantinë shqiptare”.

Njohja më e thellë e vetvetes fillon nga tiparet e përbashkëta, si njerëz të lirë që jetojmë me dashuri në një shoqëri me demokraci autentike, në ditë të mira apo të këqia, kudo mbi tokë.

Në këtë përvjetor të pavarësisë së papërfunduar të Kosovës, shqiptarët duhet të kuptojnë më mirë veten e tyre dhe karakterin e tyre kombëtar përpara se të përvetësojnë nga popujt e tjerë më shumë dije për vetrealizim. Kjo do t’i ndihmojë edhe për të evituar pasoja të padëshirueshme politikash ekonomike si ato mbi raportet njerëzore dhe familjen në Singapor e Japoni dekadat e fundit.

Kompaktësia shpirtërore dhe identiteti janë cështje jetike gjatë krizash gjeopolitike, por edhe faktorë bazë për të ndërtuar të ardhmen si komb brenda shtetit të Evropës.  Në shekuj kanë drejtuar këta njerëz me tipare të përbashkëta, të cilët sot quhen shqiptarë. Kjo është tradita jonë.

Politikat shtetërore apo jashtështetërore që synojnë ndryshimin e këtij identiteti pa studjuar mirë pasojat negative në të kaluarën, sjellin brishtësi shtetërore dhe destabilizim në të ardhmen si për shqiptarët edhe për evropianët e tjerë. Kësisoj nuk mund të njehen si miqësore, edhe nëse e kanë burimin në vende mike apo kryeqendra evropiane.

Genti Miho është bashkëthemelues i organizatës “Vizion 21” në Washington D.C., që punon me të tjerash për ndriçimin dhe vetrealizimin e shqiptarëve. gentimiho@gmail.com(Vijon)

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Evropian, Genti Miho, Per nje tour D' horizon shqiptar

THANK YOU ALMIGHTY GOD!THANK YOU AMERICA!

February 18, 2014 by dgreca

By Ferhat Ymeri/

Thank you Almighty God, the Most Merciful,

For saving the Albanian people during history.

We humbly give our thanks to you, Oh, merciful God,

for delivering us from the waves of death and evil.

We praise you for bringing us to safety:

To the United States of America – the beacon of hope,

freedom and equality.

We praise you, Our Creator, for bringing us into homes

and hearts of kind and generous people who embraced us

with pure hospitality and loving care.

In their friendly faces, we saw your face; in their deeds,

we saw and felt your love in action, and your hidden wisdom.

Oh, All-Knowing God, we thank you, and the missionaries

of your word. They became our new friends and our new family,

our supporters and our mentors. In their face, we saw the face

Of real America!

Not the face of cynicism and indifference, but the face of

courage and humanism.

We, Albanians of the Puget Sound area, as well as

Albanians around the world, say to you:

Thank you America! Thank you for keeping your word

and saving us! Without your courage and determination,

perhaps many of us wouldn’t have been here today to celebrate

the happiest day of the Albanian people:

The Independence Day – Flag Day.

Thank you America for being faithful to your spirit of freedom,

justice, and equality, which, hopefully, will serve as the

foundation for the future of all humanity!

Thank you Almighty God!

Thank you America!

This invocation was given on the occasion of the Albanian Flag Day Celebration, on November 27, 1999,

in Seattle, Washington. Ferhat Ymeri worked as an Albanian interpreter and cultural consultant with

World Relief and several other refugee resettlement agencies in Seattle. In the spring of 1999, Mr. Ymeri

volunteered with The Northwest Medical Teams  International (from Portland, Oregon) in Shkoder,

Albania, providing primary health care for the Kosovar refugees.

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ferhat Ymeri, Thank You America

AKTUALITETI I FJALËVE TË SAMI FRASHËRIT:SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DUHET TË BËHET

February 18, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara, e hëna e tretë e shkurtit festohet çdo vit si Dita e Presidentëve, me rastin e ditëlindjeve të baballarëve të kombit, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit, për të përkujtuar kontributin e tyre në themelimin dhe në ruajtjen e unitetit kombëtar, por edhe për të pasqyruar trashëgiminë e vlerave të tyre, për të gjithë brezat e amerikanëve.  Amerika, ndoshta si asnjë vend tjetër, kujton dhe ruan trashëgiminë historike të kombit dhe të udhëheqsve dhe patriotëve të gjithë historisë së saj.   “Një komb”, ka thënë presidenti Xhon Kenedi, “e tregon veten me burrat që dalin nga trupi i tij, por një komb e kallëzon veten gjithashtu edhe me burrat që ai nderon dhe me burrat që kujton…”

Edhe kombi shqiptar gjatë historisë së tij ka pasur burra të cilët meritojnë të kujtohen dhe të nderohen për kontributet e tyre ndaj kombit dhe për trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe shpirtërore. Njëri prej këtyre burrave të kombit shqiptar është edhe Sami Frashëri, i cili këtë vit mbushë 110-vjetë nga vdekja e tij.  Viti 2014 shënon gjithashtu edhe 115-vjetorin e manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, botuar nga Sami Frashëri në Bukuresht të Rumanisë më 1899, i cili sipas historianëve, është një nga veprat më të njohura të Rilindjes Shqiptare, që kontriboi drejtë pavarësisë së Shqipërisë më 1912.   Në këtë manifest, Sami Frashëri flet për të kaluarën, për periudhën në të cilën jetonte ai dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, si e shikonet ai.  E cilëson Gjergj Kastriotin-Skënderbe si një burrë që rrallë i ka shokët e tij në histori dhe deklaron se periudha e udhëheqjes së tij ishte  ”m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë, se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën”, shkruan Sami Frashëri.   Në të vërtetë kjo është vlera dhe trashëgimia politike dhe shpirtërore e mesazhit të tij shkruar 115 vjetë më parë, dhe i cili duhet të tingëllojë edhe sot si një kambanë e zgjimit kombëtar për ata që duan ta dëgjojnë, sa nuk është vonë: Bashkimi i Shqiptarëve me një mendim e me një qëllim. Ai shkruan gjithashtu, si një profetë sikur të kishte paraparë përpjekjet e sotëme të shqiptarve për tu integruar në Europë, duke thënë se, si njëri prej kombeve më të vjetra të Europës, shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë në liri dhe të zënë vendin që u takon midis popujve të qytetëruar të Europës.

Analiza që Sami Frashëri i bën situatës së atëhershme, me të cilën përballej Shqipëria, tingëllon e freskët edhe për gjëndjen aktuale sot.  Ai flet për rreziqet e jashtëme, me të cilat sipas tij përballej kombi shqiptar, e që ishin, “zgjedha e huaj”, “lakmitë shoviniste të fqinjëve”, por mbi të gjitha ai flet edhe për rrezikun e madh që i kanoset kombit nga, ”grindjet dhe përçarjet midis shqiptarëve”.

Mesazhi i manifestit  “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, i ka qëndruar kohëve dhe shërbën edhe sot si një udhëzim dhe ndriçim për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për dashurinë ndaj vendit dhe për dashurinë për njëri tjetrin, ndërkohë që u bën thirrje shqiptarëve të të gjitha kohërave: “O burrani, o shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë!”   Sikur donte të  lente një amanet për gjithë brezat, ai i porositë shqiptarët për bashkim, si një qëllim madhor, duke shkruar:  “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!”

Sami Frashëri me manifestin e tij politik të para 115 viteve sfidon shqiptarët edhe klasën e sotëme politike që të ri-zbulojë dhe të rivlersojë këshillat dhe udhëzimet e tija me qëllim për të ringjallur rishtas, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit- Skënderbe, unitetin dhe krenarinë kombëtare, për të punuar për të mirën e përbashkët afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.  Në këtë drejtim, thotë Sami Frashëri, ”Të mos trembemi nga asgjë, të përpiqemi që mos të pushojmë deri sa të fitojmë atë që kërkojmë; jemi në të drejtën tonë; Perëndia është gjithnjë ndihmësi i të drejtëve, Perëndia është e drejta vetë!” Prandaj, këshillon ai, “Të mos rrimë të mpirë e të ngrirë, të levizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim të lirë në udhën e Perëndisë, në udhë të së drejtës: Perendia, e drejta, kombi, gjuha, Shqipëria, Shqiptaria.”   Është interesant se si Sami Frashëri i balancon të drejtat e njeriut dhe të kombit duke u bazuar në filozofinë klasike të të drejtave natyrale dhe në natyrën e Perëndisë, duke shkruar se ”Perëndia është e drejta vetë.”

Sami Frashëri, në shkrimet e tija, është i qartë gjithashtu  se sipas tij dhe mendimeve të rilindasve të asaj periudhe mendimet e të cilëve ai pasqyron, politika nuk duhet të përdoret si një mjet për avancimin e ngushtë të interesave personale e vehtjake në kurriz të interesave madhore të kombit, kritikë kjo për jo vetëm për bashkohasit e tij, por edhe për sot.   Ai shkruan se si është e mundur që, “Një komb kaq trim e që se kursen gjakun, të humbasë duke u copëtuar prej kombeve të dobët e të frikshëm!  Mend  kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duam t’i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, po të rrimë me duar lidhur.  Kjo është më e keqja, të punojmë për humbjet tona, të nxjerrim themelet e kombit tonë me padituritë e të verbërve të vetë ?!”

Duke lexuar disa prej shkrimeve të Sami Frashërit njeriu ndahet me ndjenjën se dashuria për kombin dhe për njëri tjetrin — parime themelore këto që predikonin rilindasit shqiptarë 100- e ca vjetë më parë — duhej ishte dhe të mbetet baza morale e politikës së një shoqërie,që njëkohësisht është edhe çelsi për sigurinë e mbrendshme, por edhe që kombi shqiptar të njihet nga bota për kontributet e tij, si në kohën e Gjergj Kastriotit, siç shkruan Sami Frashëri.

Për ringjalljen, rivlersimin dhe zbatimin e këtyre parimeve shqiptuara nga  rilindasit si Sami Frashëri, ekziston një nevojë urgjente ashtuqë kombi shqitar të shkojë me hapa të sigurt drejtë së adhmes.  Nevojitet shkrirja e këtyre ideve dhe avancimi i këtyre parimeve politike, kombëtare dhe shpirtërore, natyrisht nën rrethanat e tanishme, për të ndryshuar drejtimin e të ardhmes së shqiptarëve.  Por kjo nevojitë gjithashtu edhe një strategji afatgjatë kombëtare, nga burrshtetas të stërvitur dhe të bindur në parimet e rilindasve, gjë që kërkon guxim moral, aftësi politike dhe njohuri praktike.  Janë këto parime morale dhe politike të rilindasve si dhe zbatimi i tyre, dhe jo një parti, një qeveri, madje as zgjedhjet e kaluara apo të ardhëshme, ato që do të vendosin të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Le të shërbejë 110-vjetori i vdekjes së Sami Frashërit dhe 115 vjetori i programit të tij politik dhe ideologjik “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet”, si një rast për të ri-zbuluar parimet dhe idetë e Sami Frashërit dhe rilindasve të tjerë të kombit shqiptar, parime këto që gjithnjë janë aktuale të freskëta dhe të pavdekshme.  Shqipëria dhe kombi shqiptar mbijetuan falë veprave dhe sakrificave të rilindasve megjithë dështimet historike të brezave të 100-viteve të fundit.   Prandaj tu jemi mirënjohës atyre për atë që krijuan si dhe për trashëgiminë që lanë pas, një trashëgimi kjo e pasur kombëtare, morale dhe politike, e cila duhet të ruhet të zhvillohet dhe të pasurohet brez pas brezi.

Filed Under: Featured Tagged With: c'do te behet, c'eshte, c'ka qene, Frank shkreli, Sami Frasheri, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT