Tiranë -Kel Kodheli, një nga piktorët më të mëdhenj në Shqipëri, u nda nga jeta më 18 Shkurt 2006 në moshën 88-vjeçare.Ai ishte nga të paktët artistë të brezit të tij që i rezistoi kohës. Kodheli pikturoi me mjeshtërinë e fituar në një nga shkollat prestigjioze evropiane, siç është Akademia e Arteve të Bukura të Romës. Pikturat e krijuara në periudhën e realizmit socialist ishin të drejtuara në tematikë dhe shprehi ndjesore të reduktura, por piktori Kel Kodheli, ka ndryshuar paksa nga të tjerët. Si piktor, ai është mirëfilli realist dhe tematika e tij përbëhej më tepër nga materia kombëtare sesa nga ajo politiko-sociale. I lindur në Kodhel të Shkodrës, më 24 dhjetor 1918, në moshën 6-vjeçare bashkë me familjen u shpërngul në Tiranë, ku në kohën e lirë ndiqte kurset e vizatimit nën drejtimin e artistëve të njohur për kohën.
Në shkollën “Harri Fultz”, studioi me emra të njohur të pikturës shqiptare si Kaceli, Strazimiri, Agalliu etj. Pavarësisht dëshirës së babait të tij, Gegë Kodheli, që ai të vazhdonte për inxhinieri, nëna e tij Çile këmbënguli që i biri të merrte rrugën e pikturës. Pasioni i tij dhe dëshira e nënës ndikuan që ai të ndiqte studimet për Artet e Bukura në Romë. Ai u kthye në Tiranë në vitin 1943, pasi i kishin kërkuar të modelonte një vulë të bankës shqiptare dhe më pas iu deshën dhjetë vite të largohej nga mjediset e saj. Pas Luftës Nacionalçlirimtare ai mori pjesë në ekspozitën e organizuar në 17 prill 1945, me portretin “Gruaja me të zeza”, që për arsye të motivacionit politik, u titullua më pas “Nëna e dëshmorit”. Dha për 20 vjet mësim në Lice dhe pikërisht në fund të aktivitetit të tij pedagogjik,e transferuan në një shkollë tetëvjeçare, ku ai punoi derisa doli në pension. Galeria Kombëtare e Arteve, ruan në fondin e tij 30 piktura të Kel Kodhelit, nga të cilat 12 janë kompozime dhe 11 janë portrete. Kel Kodheli është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”(Fatjona Hysi)
Prof. Kel Kodheli ishte dhe mbetet nder Burrat e Veriut dhe nje Shkodrane i Nderuem. Pikturat e tij jane modele te artit dhe kultures se Shkodres, tue perjetsue gjithnje kostumet tona kombtare. Respekt dhe ngushllime.
Ish nxanes i Tij me korespondence, Fritz Radovani.