• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

LUSHNJA, FLAMURIN NË GJYSËM SHTIZË PËR TË MADHEN VAÇE ZELA

February 6, 2014 by dgreca

Njoftim i Ministrisë së Kulturës për ceremonitë në nderim të Vaçe Zelës/

Trupi i pa jetë i artistes së madhe Vaçe Zela pritet të mbërrijë në Tiranë nesër rreth orës 17:00, ndërsa homazhet do të zhvillohen ditën e shtunë në orën 10:00 deri në orën 12:00. Detajet lidhur me ceremoninë mortore të artistes Vaçe Zela bëhen me dije nga Ministria e Kulturës në një njoftim për media.

“Ministria e Kulturës ka dhënë detaje lidhur me Sot është ndarë nga jeta artistja e madhe e këngës shqiptare, Vaçe Zela. Trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela do të mbrrije ne aeroportin e Prishtinës, ditën e premte, date 07.02.2014, ora 14.00 ku do te pritet nga përfaqësues te Ministrisë së Kulturës së Shqipërise dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.
Ju njoftojme se homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen ditën e shtunë, datë, 08.02.2014 në Teatrin Kombetar të Operas dhe Baletit. Homazhet do të mbahen në orën 10.00- 12.00. Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.
Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, z. Edi Rama. Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, ditën e shtunë, date, 08.02.2014, ora 13.00 duke u nisur nga TKOB per tu prehur ne varrezat e Sharrës.”- thuhet në njoftimin për mediat.
Më tej në njoftim Ministria e Kulturës u shpreh ngushëllime familjareve, njerezve te artit dhe kultures dhe te gjithe shqiptarëve kudo që ndodhen. “Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. KENGA e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare. Faleminderit për emocionet që na dhurove, faleminderit që na ngrohe zemrat nga Veriu në Jug, nga Kosova, Shkupi, Tetova, Struga e gjithë diaspora

Filed Under: Kulture Tagged With: Flamurin ne gjysem shtize, lushnja, per te madhen Vace Zela

Dega e Vatrës në Washington u takua me Presidentin Nishani

February 6, 2014 by dgreca

Në aktivitetet e ditëve të para të shkurtit 2014 Presidenti shqiptar Bujar Nishani zhvilloi një sërë takimesh dhe aktivitetesh në Kongresin Amerikan dhe në mjedise të organizatave të ndryshme në Uashington DC në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në SHBA.

Në aktivitetin e zhvilluar më datën 4 Shkurt 2014, Presidenti Nishani dekoroi “Komitetin Kongresional Amerikan për Cështje Shqiptare” dhe Kongresmenin Robert Aderholt (R, AL).

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të Kongresit Amerikan , përfaqësues të ambasadave të ndryshme si dhe përfaqësues të komunitetit Shqiptaro-Amerikan.

Dega e VATRES në Uashington DC përfaqësohej nga Kryesia dhe nga disa anëtarë.

Mbas fjalëve të rastit dhe dekorimeve,  Presidenti Nishani u takua dhe u përshëndet me pjesëmarrës të ndryshëm në aktivitet. Në këto përshëndetje presidenti Nishani u takua edhe me përfaqesuesit e VATRES.  Ai , njoftojnë VATRANET nga DC, i përcolli Dr.Bucaj-t, President i “VATRES”, kryesisë së Federatës dhe gjithë VATRANEVE  përshëndetjet e tij vëllazërore dhe urimet e tij më të  përzemërta.Para largimit Presidenti Nishani pozoi me shqiptaro-amerikanët dhe disa miq amerikanë për kujtim nga kjo vizitë.  Vatranët morrën pjesë edhe në aktivitetin me Komitetin Hebraik Amerikan, shkrimi për të cilin është më vete. (korrespondent i Diellit)

Filed Under: Komunitet, Kronike Tagged With: dega e Vatres ne Washington, u takua me vatranet

Presidenti Nishani në Komitetin Hebraik Amerikan

February 6, 2014 by dgreca

Komiteti Hebraik Amerikan, një organizatë e njohur e çështjeve hebraike, priti mbëmë në Uashington Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe shfaqi filmin dokumentar “Shpëtim në Shqipëri”,  i cili sjell dëshmi të hebrejve që u shpëtuan nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Bujar Nishani erdhi në aktivitetin e Komitetit Hebraik Amerikan për të falenderuar disa personalitete hebraike që e kanë bërë të njohur Shqipërinë dhe rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Organizatat hebraike  në Shtetet e Bashkuara e përmendin shpesh këtë rol të veçantë të shqiptarëve dhe vazhdimisht theksojnë se ky është një fakt që ende nuk njihet sa duhet.

Jason Isaacson, është Drejtor i çështjeve qeveritare dhe ndërkombëtare pranë Komitetit Hebraik Amerikan.

“Mijëra hebrej janë sot gjallë, bota është një vend më i gjallë dhe më i bukur si rrjedhojë e guximit dhe solidaritetit të popullit shqiptar,” tha zoti Isaacson.

Presidenti Nishani shpregoi traditën shqiptare të mikpritjes dhe të besës që bëri të mundur shpëtimin e hebrejnjve në Shqipëri:

“Për ne, shqiptarët, miku është i zoti i shtëpisë. Çdo njeri në nevojë që troket në dyert shqiptare është i mirëpritur si mik, i jepet fjala e nderit dhe mbrohet nga besa. Fjala e dhënë mbahet me çdo kusht,”  tha Presidenti i Shqipërisë.

Një film dokumentar me këtë temë që u shfaq për të pranishmit, e tregon historinë e shpëtimit në Shqipëri me gojën e vetë hebrejve të cilët mundën të mbeten gjallë si rrjedhojë e mbrojtjes dhe kujdesit që treguan shqiptarët për ta.

Johanna Newman është një prej atyre që mbetën gjallë dhe që bën gjithçka për të njohur botën me shpirtin bujar të shqiptarëve. Ajo tha se sot ka një familje të madhe, pikërisht në sajë të shqiptarëve.

“Po të mos ishte përkushtimi i popullit shqiptar unë nuk do të isha këtu sot, nuk do të isha nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm, nuk do të kisha 14 nipër e mbesa dhe 13 stërnpiër e stërmbesa”, tha zonja Newmann.

Doktoreshë Anna Cohen nga Nju Jorku, e cila u rrit në Vlorë në një familje hebraike, tregon një histori prekëse:

“Kur isha vajzë e vogël, shihja perëndimin e diellit dhe gjithmonë vizatoja një anije të vogël pa njerëz, me flamurin izraelit dhe atë shqiptar. Kurrë nuk e mendoja se një ditë, këta flamurë do të rrinin pranë njëri tjetrit. Sot që gjërat kanë ndryshuar, do të dëshiroja të shikoja anijen time të vogël pa njerëz dhe me dy flamurë, të mbushur plot me turistë hebrej, do të doja të shihja hebrejtë amerikanë të vizitonin Shqipërinë, të shihnin objektet e tyre të kultit dhe sidomos të restauronin sinagogën e Sarandës, një objekt i vërtetë tursitik,” tha zonja Cohen.

Në mes të duartokitjeve, Presidenti Nishani nderoi me medale zonjat Johanna Newmann dhe Anna Cohen.(Kortezi:ILIR IKONOMI-Zeri i Amerikes)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikan, Ilir Ikonomi, ne Komitetin Hebraik, presidenti Nishani

KOSOVA TË BASHKOHET ME SHQIPËRINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/
 70 vjet më parë në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës u mblodh Konferenca e Këshillit Nacional-çlirimtar të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (e njohur me emrin Konferenca e Bujanit). Dera e kullës së Sali Manit, Tropojë, u hap për të pritur 49 delegatë nga vise të ndryshme të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të të gjithë popujve që jetonin në këto hapësira shqiptare.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje, që është një faqe e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar, do të jeptë rrugëzgjidhjen e problemit kombëtar, aq jetik për popullin shqiptar. Në Rezolutën e dalë nga kjo Konferencë shprehet qartë se populli i Koosvës, ashtu si edhe deri më sor, shpreh vullnetin e tij për t’u bashkuar me atdheun e tij Shqipërinë, dhe se këtë qëllim e sheh të mundshëm për t’u realizuar duke marrë pjesë me armë në dorë kundër pushtuesve nazistë.
Trajtesa e problemeve të Konferencës lidhej me pjesmarrjen në Luftën Antifashiste, përkrah popujve të tjerë, si dhe me pozitën që duhej të kishte Kosova pas luftës, pozitë e cila duhet të ishte e barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, siç ishte shprehur dhe në mbledhjen e AVNOJ-it të nëntorit 1943.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës e përcollën me gëzim e besim këtë ngjarje, udhëheqja jugosllave reagoi ashpër kundër vendimeve të saj, nëpërmjet letrës së 28 marsit 1944. Në atë letër u sulmua pozita e veçantë e Kosovës me viset e tjera dhe sanksionimi që i bëri Konferenca problemit të vetëvendosjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nuk u njoh Këshilli Nacionalçlirimtar si organi më i lartë i pushtetit për Kosovën. Vendimet e kësaj Konference historike u lanë në heshtje edhe nga udhëheqja e PKSH, çka përbën një anashkalim të qëllimshëm, një tradhti të fshehur për problemin kombëtar.
Tito dhe Hoxha në kulisat e një politike tinëzare e djallëzore, me akordin e tyre përligjën padrejtësitë e Traktatit të Versajës, që krijoi Jugosllavinë, për të plotësuar interesat hegjemoniste të Sllavëve të Jugut.
Krejt shekulli XX kaloi për popullin vëlla të Kosovës në shtypje politike, ekonomike e kombëtare, Tropoja, djepi i Konferencës historike, tre herë gjatë 100 vjetëve të fundit hapi portat e mikëpritjes, të vëllazërimit e të shpëtimit për kosovarët e ndjekur e të përzënë prej trojeve të veta nga dhuna e kralëve të vjetër e të rinj të Beogradit.
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo që punojnë e jetojnë në botë, me një zë të vetëm u ngritën e i thanë ndal revanshit të Millosheviçit, që në fund të shekullit të kaluar e ktheu Kosovën në një varr të hapur,  vrau, preu e dogji shtëpi të shqiptarëve etnik.
Tani, në 70 vjetorin e Konferencës së Bujanit, Kosova hyn në vitin e gjashtë të saj si shtet i pavarur e sovran me mbi njëqind njohje ndërkombëtare dhe ecën drejt antarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca e Bujanit, kjo faqe e pambyllur e historisë, troket sot pas gjysmë shekulli në memorien kombëtare me zërin atdhetar e trimëror të hartuesve të Rezolutës së saj: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Rifat Berisha, Zekeria Rexha, Xheladin Hana, Hajdar Dushi, Sali Mani, Veli Nimani, Hasan Isufi, etj.
Vendimet e saj janë kambana alarmi për politikën dhe brezat e sotëm. Jehona e kësaj ngjarjeje përcjell herë pas here atë solemnitet, atë vendosmëri e heroizëm që u shfaq në ato tri ditë (31 dhjetor 1943-2 janar 1944). Thirrja e saj madhore që bëri rrugën nga dimri me borë i atyre viteve, në acarin e borën e këtij dimri mbetet:Me Kosovën e për Kosovën.
Homeri i ndjesive shqiptare, poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta lëshonte kushtrim, që është i freskët edhe sot: “…Në kamë shqiptarë e mos t’ju lëshojë zemra / Në kamë se kurrsesi s’keni me u thye / e t’ju bijë ndërmend se më e rëndë është thembra e shkjaut kokë e trashë / se guri i vorrit në krye./ Në kamë pra djem shqiptarë kushdo ka le / në mos mujt shqiptar me mbet / shqiptar të hyjë nën dhe /.
Për Konferencën e Bujanit kam botuar para 16 viteve një vështrim historiko-politik në gazetën e parë opozitare postkomuniste, në RD (29 dhjetor 1998) me titull “Kosova të bashkohet me Shqipërinë”, e cila tashmë nuk është një thirrje, nuk mbetet veç apel kombëtar, por është një domosdoshmëri historike drejt së cilës duhet ecur pa u ndalur, pa shmangie, vendosmërisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, Kosova te bashkohet, me Shqiperine

GAZETARËT E PËSOJNË KEQ NË UKRAINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Kryengritja civile në Ukrainë vazhdon, ndërsa të dy palët kundërshtare kanë mbetur pezull duke kërkuar mbështetje jashtë vendit.  Ndërkohë që thuhet se Rusia ka pezulluar, tani për tani, ofertën për ndihmë prej 15-miliard dollarësh kredi për Ukrainën, njoftohet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë duke përpiluar një program ndihmash për Ukrainën.  Gjëndja e ndërlikuar në Ukrainë vazhdon, ndërsa protestuesit gjithnjë mblidhen për të protestuar në sheshin Maidan.  Ata janë të zemëruar nga politika pro-ruse dhe vendimet e gabuara të presidentit ukrainas, Yanukovych si edhe  nga   ndërhyrjet e ashpëra të policisë  dhe forcave të Ministrisë së Mbrendshme kundër protestuesve, ku bien në sy sidomos sulmet kundër gazetarve që mbulojnë protestat, sulme këto që kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat ndërkombëtare.

Gjithmonë në raste të tilla protestash e demonstratash kundër politikave të imponuara dhe kundër shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut kudo në botë, janë gazetarët dhe liria e gazetarisë në përgjithësi, që janë viktimat e para, duke qenë  të parët që pësojnë ndëshkimin nga dora e rëndë e shtetit dhe e policisë.   Kështu po ndodhë edhe në Ukrainë.  Jo se gazetarët ukrainas kanë gjë të bëjnë me protestat dhe kryengritjet civile, por si zëdhënse të së vërtetës që duhet të jenë për publikun, shteti dhe policia nuk janë të interesuar që e vërteta t’i njoftohet botës mbi ato se ç’po ndodhë në sheshet dhe rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase.  Andaj qëllimi është kërcënimi dhe frikësimi i medias, ashtuqë gazetarët të qëndrojë larg dhe të mos njoftojnë të vërtetën mbi protestat dhe mbi dhunën e shtetit kundër qytetarëve të vet.

Njoftohet se gjatë protestave të vazhdueshme në Ukrainë, policia me sulmet e saj ka plagosur dyzina gazetarësh.  Instituti Ukrainas për Media thotë se ka pëpiluar një listë me 60 emëra gazetarësh të rrahur e të plagosur.  48 prej tyre, sipas Institutit, janë plagosur në kryeqytetin Kiev, ndërsa të tjerët në qytete të tjera ukrainase siç janë Cherkasy, Dnepropetrovsk dhe në Zaporozhye. Ndërkaq,  organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch me qëndër të New York, thotë në një raport mbi sulmet kundër gazterave në Ukrainë se, në të vërtetë numri i gazetarve të sulmuar dhe të rrahur gjatë protestave në Ukrainë mund të jetë më i madh se ç’raportoi Instituti Ukrainas për Median, pasi vet kjo organizatë ka dokumentuar abuzime dhe sulme ndaj disa gazetarve që nuk përfshihen në listen e Institutit Ukrainas për Median.

Human Rights Watch u bën thirrje partnerve ndërkombëtarë të Ukrainës që të bëjnë hetime mbi shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit e këtyre abuzimeve të dalin para drejtësisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.  Organizata Human Rights Watch citon përfaqsuesen e saj Anna Neistat, e cila gjëndet në Kiev se, “Është e mundur që një gazetar ose një infermier të qëllohet aksidentalisht gjatë konfrontimeve me dhunë, por jo të sulmohen me dyzina përfaqsues të medias”, sidomos kur ata e identifikonin veten qartë, si përfaqsues të medias.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch thotë se “Sulmet kundër gazetarëve të cilët mbulojnë protestat publike, janë kundër obligimeve ndërkombëatre që ka marrë përsipërUkraina për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të obligimit për të respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes, përfshirë lirinë e medias.”

“Gazetarët dhe infermierët ishin duke kryer punën e tyre profesionale, ishin të pa-armatosur dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë gjatë protestave në Kiev”, tha Ana Neistat e Human Rights Watch.   Si rrjedhim, Human Rights Watch i bën thirrje OSBE-së dhe Këshillit të Europës, anëtare e të cilave është edhe Ukraina, që në lidhje me këto akte kriminale,të fillojnë menjëherë hetimet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Ukrainës, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut.   Më heret, edhe OSBE-ja kishte shprehur shqetësimet e sajë mbi përdorimin e dhunës nga policia ukrainase kundër gazetarve në protestat e Kievit gjatë dy muajve të fundit.

Edhe organizata për mbrojtjen e gazetarave, “Reporterët pa Kufijë” me qëndër në Paris, i ka dënuar sulmet e dhunëshme kundër gazetarve ukrainas gjatë përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të sigurimit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës.  “Sulmet e qëllimshme kundër përfaqsuesve të medias janë të papranueshme, rreth të cilave duhet të zhvillohen hetime të plota dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qetësohen dhe të respektojnë punën e përfaqsuesve të medias. Dhe gazetarët e burgosur gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale duhet të lirohen menjëherë”, thuhet në deklaratën e “Reporterve pa Kufij’’

Sulmeve kundër përfaqsuesve të medias gjatë protestave civile në Kiev nuk u kanë shpëtuar as gazetarët ukrainas që punojnë për media ndërkombëtare siç janë Radio Europa e Lirë dhe Zëri i Amerikës. Në një noftim për median para disa ditësh, Bordi i Governatorve që mbikqyrë transmetimet  ndërkombëtare të  Shteteteve të Bashkuara njoftoi se Presidenti i Radio Europës së Lirë, Kevin Klose dhe anëtari i Bordit, Mathew Armstrong arritën në Kiev për tu takuar me gazetarët që punojnë për entet  amerikane të transmetimeve të lajmeve në Ukrainë, dhe njëkohsisht për të denoncuar dhunën e përdorur kundër gazetarve dhe për tu bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës që të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare për respektimin e lirisë së shtypit dhe që të të garantojnë zbatimin e të drejtave bazë të gazetarve, përfshirë mbrojtjen e tyre nga dhuna.  Përfaqsuesit e transmetimeve ndërkombëtare amerikane, u takuan me gazetarët e Radio Europës së Lirë në Kiev. Ata lavdëruan kurajon dhe angazhimin e tyre për të mbuluar potestat publike gjatë dy muajve të kaluar, megjith vështirsitë me të cilat janë përballuar.  ”Një shoqëri e lirë nuk rrah gazetarët profesionistë ndërsa janë në krye të detyrës së tyre,” tha Kevin Klose.

Mathew Armstrong, anëtar i Bordit që mbikqyrë transmetimet e Radio Europës së Lirë dhe të Zërit të Amerikës, tha se Bordi që ai përfaqëson, “Dënon ashpër sulmet e policisë kundër gazetarve në Ukrainë. Përkrahja jonë për kolegët tanë të Radios Europa e Lirë dhe të Zërit të Amerikës që punojnë këtu, është e palëkundshme”.  Ai shtoi se, “Ne bejmë thirrje që ata që kanë bërë sulme dhe abuzime të tilla kundër gazetarve, si dhe ata që dhanë urdhër për këto sulme, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.”  Sipas njoftimit të Bordit të transmetimeve amerikane ndërkombëtare, zotërinjtë Kevin Klose dhe Mathew Armstrong u takuan edhe me ambasadorin amerikan në Kiev, Z. Geoffrey Pyatt, i cili gjithashtu bëri thirrje për bërjen e hetimeve ndaj sulmeve kundër gazetarve dhe i kërkoi policisë dhe forcave të sigurimit ukrainas që të kryejnë detyrëne  tyre në mënyrë profesioanle duke respektuar dhe duke mbrojtur  të drejtën e gazetarve që të punojnë pa frikë në një mjedis të sigurt.”

Historikisht, sa më i fortë dhe më i vendosur që të jetë autoritarizmi shtetëror dhe policor i një vendi, aq më e madhe është dhuna dhe abuzimet kundër gazetarve, përfaqsuesve të medias dhe lirisë së shtypit në përgjithësi.   Duket sikur diktatura dhe lufta kundër gazetarisë së lirë dhe të pavarur gjithmonë kanë shkuar dorë për dorë. Gjithmonë, gazetarët janë të parët që e pësojnë nga zemërimi dhe hidhërimi i diktatorëve dhe pseudo-diktatorëve.  Kjo ishte e vërtetë gjatë diktaturës komuniste, kjo është e vërtetë edhe sot, siç tregon rasti i  përdorimit të dhunës kundër gazetarve në Ukrainë, si dhe ushtrimi i dhunës dhe burgosja e gazetarve gjatë protestave anti-qeveritare në Turqi, kohë më parë.  Fatkeqsisht, Ukraina dhe Turqia janë vetëm dy shembuj të fundit të abuzimit të të drejtës së fjalës së lirë dhe të keqtrajtimit të gazetarve.  Sepse, siç ve në dukje organizata Freedom House në indeksin e saj të fundit mbi Lirinë e Stypit në botë, vetëm 14.5 e qytetarëve të botës jetojnë në vendet që gëzojnë lirinë e medias. Në pjesën tjetër të botës, sipas saj, qeveritë dhe aktorë jo-qeveritarë kontrollojnë median,  pikpamjet dhe lajmet që ato i paraqesin qytetarve dhe njëkohsisht shtypin brutalisht zërat e pavarur, të cilët përpiqen të promovojnë përgjegjësinë e enteve  shtetërore në kryerjen e detyrës që u ka besuar populli, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre.   Bazuar në përvojën e saj në përkrahje të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lire anë e mabnë botës, Freedom House thotë se, kufizimet ndaj medias së lirë dhe të pavarur, shpeshëherë janë një tregues se pasi t’i kenë shpallur luftë medias,  qeveritë zakonisht fillojnë të sulmojnë edhe institucionet e tjera demokratike.

Prandaj,  për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe në të drejtat bazë, universale të njeriut, për veten dhe për të tjerët, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë dhe të pavarur duhet të jetë një obligim i të gjithëve.  Sepse, siç ka thënë edhe Tomas Xhefersoni, arkitekti i Kushtetutës amerikane dhe i lirive bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit  —  “shtypi i lirë është thelbësor për funksionimin e një demorkacie”.  Ashtuqë, do të ishte mirë që autoritetet qeveritare kudo qofshin ato në Kiev, në Ankara, në Uashington, Moskë, Pekin ose Tiranë, të mbrojnë dhe të lejojnë funksionimin normal dhe pa presione politike ose ekonomike të shtypit të lirë dhe të pavarur, duke mos ndërhyrë në punën e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhune ndaj gazetareve, Frank shkreli, ne Ukraine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT