• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Tridhjetë e shtatë Marse pa djemtë e Marsit

March 19, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/Ditët, javët, muajt, vitet dhe shekujt kalojnë. Ne lindim, rritemi, marrim frymë, nganjëherë edhe buzëqeshim. Më pas vdesim ose nga Zoti ose nga dora e xhelatëve komunistë.Në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, në vitin 1941, më 23 mars do të lindte poeti e mësuesi Genc Leka nga prindërit Bardho (Feim) dhe Nergjize Leka. Ndërsa më 18 mars 1948 në një familje tjetër patriote do të lindte Vilson Blloshmi nga prindërit Sami dhe Nadire Blloshmi. Sot Genc Leka do të ishte 73 vjeç ndërsa kushëriri i tij, shoku i tij, zemra e tij, oksigjeni i tij, Vilsoni do të ishte plot 64 vjeç. Po ku janë këta dy djem? Ҫ’u bënë? Kanë vdekur? Pse?

Jo, ata i vranë me një akuzë të stisur më 17 korrik 1977 në një përrua të thellë, të thatë e të fshehtë të quajtur me një emër po aq të çuditshëm “Përroi i Firarit”. Por kur kishte ndodhur ndjekja apo survejimi i Gencit dhe i Vilsonit nga sigurimi famëkeq i bandës komuniste?!

Në vitin 1950 Bardho Leka, ky luftëtar i paepur kundër pushtuesit, e kuptoi se komunistët po ia mblidhnin lakun pas qafe, arratiset dhe vendoset në Prizren të Shqipërisë (por të grabitur nga fuqitë e asokohe në 1913-tën). Genci u rrit herë me bukë e herë pa bukë dhe vazhdimisht zbathur bashkë me dy motrat e tij, Gjiskën e degdisën në shkretëtirën e Tepelenës. Me shumë sakrifica Genci mbaroi Pedagogjiken në Elbasan i jashtëm, duke e strehuar një mik i vjetër i familjes. Në vitin 1959 Gencit i hapën kartelën dhe e ndiqnin këmba – këmbës. Unë e kam “shtrydhur” arkivin e Sigurimit, e kam gjetur dhe e kam botuar në një libër “Dosjen operative” të Gencit, e cila ka brenda të gjitha plehrat e sigurimit bashkë me minjtë e gjerizeve. Janë me emra dhe të zbardhur si bashkëpunëtorë. Kjo dosje ka vazhduar deri më datën 31 gusht 1976 kur Genc Lekës i hodhën prangat për të mos ia hequr më kurrë.

Ndërsa familja jonë ka tjetër tragjedi, por po e rishpjegoj. Në vitin 1946 filloi grabitja e pasurisë së tundshme e të patundshme nga grabitqarët komunistë, të cilët gjatë luftës civile ‘43-‘44 vranë sa deshën nga fisi atdhetar i Blloshmëve. Në vitin 1950, një nga dajët tanë, Sabri Debrova arratiset bashkë me Bardho Lekën. Në qershorin e vitit 1952 në familjen tonë ia mbërrin Sigurimi famëkeq. Arrestojnë xhaxhanë tonë, Hasan Blloshmin me akuzën “takim me diversantët” (me dajën e tij Bardho Leka) dhe e dënojnë me 22 vjet heqje lirie dhe sekuestrim të pasurisë. Në këtë kohë ishim cilësuar si ‘kulakë”. Në vitin 1963 mbërrin prapë Sigurimi. Këtë radhë kishin arrestuar babanë në Qukës. Bënë kontroll e rrëmujë nëpër shtëpi. Ata na kërcënonin duke na thënë se ne të gjithë e kishim vendin në burg sapo të rriteshim, ndërsa ne duke qarë e të uritur dridheshim nga frika në cepin e dhomës, ku na kishte ngjeshur Sigurimi. Vilsoni ishte në shkollë në Elbasan, edhe kyi i strehuar tek një mik i familjes, vazhdonte si i jashtëm, si Genci. Vili e kishte marrë vesh se na kishin arrestuar babanë, vjen në shtëpi i përlotur dhe thotë: “Unë do e lë shkollën xhaxha Bukurosh, sepse nuk kemi mundësi, u bënë dy në burg”. Xhaxhai e “kërcënoi” Vilsonin: “Ti vazhdo shkollën, ke për detyrë të na zbardhësh faqen e familjes, vetëm mëso! Dëgjove? Të tjerat i dimë ne”.

Gjatë kërkimit nëpër arkiv, gjeta dhe “Dosjen operative” të Vilsonit, tek e cila ndjekja kishte filluar qysh në vitin 1963, kur vazhdonte shkollën në Elbasan deri më datën 5 gusht, kur i hodhën prangat tek ura e Librazhdit. I hedhin hekurat, e mbulojnë me një batanije ku herë pas here e zbulonin, i vendosin një palë syze dielli e mbas disa orësh e plasin në birucën Nr. 20 tek “Mine Peza”, në Tiranë. Mbas shumë kohe tortururash nga disa hetues (emrat janë në librin “Terrori Komunist”), por dhe personalisht nga xhelati Kadri Hazbiu e kthejnë në birucat e Librazhdit, me një krah të gjymtuar.

Torturë pas torture, më 17 shkurt 1977 na dhanë akt-akuzën të formuluar siç deshën ata bashkë me Dhimitër Beshiri, i cili vinte nga Tirana pothuajse përditë. Prisnim siç pret mali nën dëborë të na nxjerrin në gjyq dhe një ditë na thërresin një e nga një, na morën akt-akuzat dhe Vilsonit i shtuan veç nenit 73/I dhe nenin e “Sabotimit” parashikuar nga neni 72-12 të Kodit Penal. Çdo gjë ishte bërë gati, salla, parullat, populli ishte “sqaruar” dhe sipas planit të Sekretarit të Parë, Sotir Koçollari dhe kryetarit të Degës, Merdar Hasa, prokurorit Qani Lavdari, gjykatësit Subi Sulçe, një muaj e gjysëm më parë ishte marrë vendimi se si do të dënoheshin.

Unë po citoj fjalë për fjalë siç është shkruar në f.9, gërma ”g”dhe gj  nga Subi Sulçe:

G : – Mbi jehonën që ka bërë ky gjyq në gjithë rrethin e Librazhdit dhe pjekuria politike dhe ideologjike që manifestuan pjesëmarrësit në gjyq.

Gj : – Mbi diskutimet e pjesëmarrësve në gjyq për dënimin kapital të dy të pandehurve; Vilson Blloshmi e Genc Leka. Plani i masave për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të pandehurve, datë 28.4.1977. Po të njëjtën datë ka dhe protokolli i Sekretarit të Parë Sotir Koçollari.Koçollari thotë ata kanë në mendjen e tyre plane imagjinare, Vilsoni është më i zgjuar dhe nuk e pranon krimin se e di që e pret plumbi.

Ne kemi dalë në gjyq më datë 6 qershor deri më 12 qershor 1977, gjyqi ishte formal se vendimi ishte marrë në Komitetin e Partisë. Ishte vendosur që Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nuk duhet të jetonin më. Edhe Gjykata e Lartë me kriminelin Aranit Çela, ishin dakort që të pushkatoheshin. Po ashtu dhe trutharët e Presidiumit të Kuvendit Popullor nuk e ndryshuan vendimin, e lanë në fuqi.

Edhe pas tridhjetepesë ditësh, të lidhur kokë e këmbë në qeli, nën vapën përvëluese të korrikut, një tjetër xhelat urdhëron dhe firmos se me datë 17 korrik, në orën 00.00 duhet të ekzekutohen Genc Leka dhe Vilson Blloshmi në vendin e caktuar.

Ja marsi i vitit 2014! Janë plot tridhjeteshtatë vjet që Genc Leka me Vilson Blloshmi nuk janë më. Duhet thënë se gjithë kriminelët e sigurimit dhe terroristët komunistë, gëzojnë shëndet të plotë dhe përkrahje politike dhe ekonomike. Të gjithë atyre që e realizuan këtë skenar askush nuk u kërkon llogari. Gjithashtu të gjitha krimet që janë kryer në Shqipëri, janë pa autor se nuk i detyron askush të japin llogari.

Genci dhe Vilson, jua kam thënë dhe herë të tjera se të gjithë hartuesit e kësaj tragjedie janë shëndoshë e mirë sepse i ka përkrahur dhe pasuruar partia debatikase e udhëhequr nga një sekretar partie, i zgjedhuri dhe i besuari i Sekretarit të Parë, Ramiz Alia, të cilin edhe kur ndali frymëmarrjen partia debatikase, e ka përcjellë në shtratin e topit, në banesën e fundit. Tani po përfundoj o Genci e Coni, është vonë, do ju kujtoj gjithmonë dhe kurrë s’kam për t’ju harruar.

19 Mars,2014, ora 01.00

 

Filed Under: ESSE Tagged With: 37 marse, Bedri Blloshmi, pa djemte e Marsit

Shqipëria do të bëhet sepse është siguruar

March 19, 2014 by dgreca

Duke e përmbledhur problemin shqiptar sot, po që se kthehemi mbrapa dhe shikojmë momentin të cilin Rilindasit e ruajtën dhe organizuan këtë koncept të Shtetit , deomos duhet ta kuptojnë se ai ishte për ta ruajtur substancën e Identitetit tonë kombëtar , pra edhe politik , nga shfarosja dhe gllabërimi i atëhershëm nga shtetet fqinje . Shkurt idea për ta ruajtur tërësinë në projektin e Shqipërise së kohës ndërsa sot faktori politik shqiptar nuk po dëshiron të ndalet në momentin në të cilin gjendet vetë çështja shqiptare, ajo që është sot duhet të shtronë dronë se mund të jetë , po ajo , nesër . Sa herë që kthehemi  prapa e kuptojnë se ku jemi tani , dhe në vazhdimësi në gjendjen e njejtë duke mos mundur të dalim nga rrethi i vetëkrijuar , bindemi çdo ditë e më shumë se sikur na “mjafton”vetja , në shumë sfera sociale.

Potenciali politik , këndej dhe andej kufirit shqiptaro-shqiptar duhet ta bënë më të gjallë vetë ekzistimin e krijimit të klimës për opinion publik më kombëtar , një vetëdijesim për çështjen e çështjes, atë të Shqipërise etnike . Pasi që ekziston koncepti për të, duhet të jenë shkaqet dhe mundësitë për ta jetësuar dhe besuar vetë projektin . Po , projekti duhet të ketë Historinë, gjeneratën dhe mbështetjen e miqëve Amerikanë ,për ta jetësuar atë , gjithë këtë përfaqësim mund ta mbajë në përgjegjësi ata të cilët gjithë jetën ecën Vertiaklisht dhe koha u dha të drejtë.

Problemet jetike të shqiptarëve kudo në hapsirën e tyre etnike, shpesh kanë një impuls andaj edhe reagimi duhet të jetë po nga e njejta qendër , e kemi vërejtur se kur në Kosovë kemi problem mundësinë e administrimit, apo çështjeve me potencial kombëtar shpesh na dalin probleme në rajon , të cilat e bëjnë të pa efektshëm reagimin që populli e kupton si politik,por nuk e matë edhe peshën që ka nga sfera e mardhënieve ndërkombëtare. A ka norma e ligje të cilat janë unike të njohura ndërkombëtarisht dhe në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut ,po ,atëherë pse nuk insistojmë që problemin historik të çështjes shqiptare ta trajtojmë me Ligjet të cilat bota u bë me Paqe dhe tani më fletë për Lirinë. Ndryshimet në rajonin politik fqinjësor për nga kuptimi i ruajtjes së paqes, në vazhdimësi do të prodhojnë problem të cilat e kanë qëllimin e njejtë pra atë të mos stabilizmit dhe qartësimit politik tek ne, sepse po të kemi qartësi politike shumica e partive tona shqiptare nuk  do të guxonin të luanin me “kartën” kombëtare sa për të kaluar një fazë të pushtetit pa shtet .

Një klimë më e vetëdijeshme për rrethanat politike dhe pengesat apo modelet e rrugëve për arritjen e bashkimit kombëtar  si dhe disa probleme të së drejtë ndërkombëtare do të pasqyronin me bindshëm atë të drejtë të cilën na takon si popull shqiptar dhe e cila po na shkilet .

Në parimin paqësor mund të realizohet qëllimi sublime I bashkimit kombëtar,këtu do të përfshinin kryesisht mjetet diplomatike, si mjete parësore ,shikuar edhe në kontekstin ndërkombëtar politico-juridik . E drejta ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument vendimtar i politikës së jashtme të diplomacies botërore .

Disa nga instrumentet juridiko-diplomatike me rendësi thelbësore mund të shënohen :

1 Karta e Kombeve të bashkuara(1945)

2 Rezoluta 1514 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-Së (1960)

3 Konventa Ndërkombëtare për të Drejta Civile dhe Politike (1966)

4 Rezoluta 2625 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (1970),e njohur edhe si Deklarata e Mardhënieve Miqësore

5 Akti Final I Helsinkit 1975

Është instrument themelor në kuadrin e Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian(OSBE). Parimi VIII i këtij Akti ,shpall se “të gjithë popujt  gjithmonë kanë të drejtën që,në liri të plotë,dhe në kohën dhe në mënyrën që ata dëshirojnë,të përcaktojnë statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm”.

6 Karta e Parisit për një Evropë të Re (1990).

Nga shumica e këtyre instrumenteve dhe normave ndërkombëtare duhet shfrytëzua diplomacia kombëtare duke patur parasysh edhe Aleancat përkatëse të cilat e mbështesin zgjidhjen e çështjes shqiptare , duke nënkuptuar në Shtetet e Baashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj .

E kemi përsëritur se Rusia mirret edhe me çështjen e shqiptarëve dhe se aleatët tanë ndërkombëtar kur probemi ka karakter më të gjerë kanë konsultimin edhe të saj, mirëpo situate politike e prodhuar nga vetë Rusia kohën e fundit e dëshmon “vdekjen “e diplomacies dhe supermacisë ushtarake që kishte dikur . Edhe pse që nga vitet e 60-ta e deri më 70-ta ,vetë Rusia kishte financuar dhe mbështetut kudo në botë grupet, alenacat dhe shtetet që ishin kundër demokracisë që SHBA-të e përcillin dhe mundoheshin të vendosnin rendin e ri botëror.  Sot , bota ka probleme të cilat i diskuton shpesh në suaza të së drejtës historike dhe politike, neve duhet të kërkojmë që aspekti ynë historic I rrugëtimit tone të pamëshirshëm të kthehet në përgjegjësine e miqve Amerikanë, të cilët e bënë që këto marrëveshje të jenë në dobi të të drejtave të njeriut dhe paqes në Botë.(Kastriot Bushi)

Filed Under: Analiza Tagged With: sepse është, Shqipëria do të bëhet, siguruar

ZHVILLIMET NË LINDJEN E MESME, NË QENDËR TË PANELIT TË KOMITETIT KOMBËTAR MBI POLITIKËN E JASHTME AMERIKANE

March 19, 2014 by dgreca

Mori pjesë ish negociatori i bisedimeve për statusin e Kosovës, Ambasadori Frank Wisner/

NEW YORK CITY : Komiteti Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) i cili është themeluar në vitin 1974nga Hans J. Morgenthau dhe personalitete të tjerë të përkushtuar për zgjidhjen e konflikteve nëpër botë, që kërcënojnëinteresat e SHBA, dje në New York, organizuan një panel vjetor me sfond :”Çfarë do të thotë: Ndarja sektare në rritje mesShia dhe Suni për Lindjen e Mesme?”.

Në këtë panel morën pjesë një numër ambasadorësh të huaj, në OKB , analistë dhe politikanë, gazetarë amerikanë e të huaj, anëtarë të Komiteti Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) , përfshirë dhe nën/kryetarin e Vatrës, z. Agim Rexhaj.

Paneli u zhvillua duke marrë shkas mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, me ish negociatorin e bisedimeve për statusin e Kosovës, Ambasadorin Frank Wisner – Këshilltari i punëve të jashtme në Patton Boggs, ish-ambasadori i SHBA në Zambia, Egjipt, Filipinet dhe India, ish Nënsekretari i Shtetit për Politikën e Mbrojtjes dhe së fundi një nga ngeociatorët kryesorë të Presidenti Obama në bisdimet për largimin paqësor nga detyra të ish- Presidentit të Egjyptit, Hosni Mubark, dhe Dr Vali Nasër – Dekan i Shkollës së Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare,Anëtar i lartë në Politikën e Jashtme në Institutin Brookings, Analistë i multi-mediumit Bloomberg.

Në fillim të hapjes së këtij takimi tha Presidenti i NCAFP , Dr. George Schwab, “Për 35 vitet e fundit, KomitetiKombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP)  pa qëllime fitimi , me aktivitetin e saj ka mbajtur “gjallë’ me anë të misionit të tij kryesor: për të identifikuar, artikuluar, dhe të çuar përpara interesat e politikës së jashtme amerikanenga perspektiva jopartizane brenda kuadrit të realizmit politik, të shumë çështjeve kryqetërthorë krizave nëpër botë”.

Ngjarjet që rrethojnë atë të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, të cilat, në zinxhir u zhvilluan në Afrikën veriore dhe tronditën “themelet” e disa vendeve arabe nga Lindja e Mesme, natyrisht që kanë sjellë në sipërfaqe ndarjet sektare në Lindjen e Mesme.

“Në mënyrë të dukshme ndër këto, theksoi  Ambasdori Visner, është ndarja në mes të Myslimanëve Sunitëve dheShi’itë, e cila, është që të ndikojnë në rendin e brendshëm të Irakut, Arabin Saudite, Bahrein, Liban dhe Siri”, duke shtuar se “ndarja gjithashtu ka ndikuar në balancën e pushtetit midis shteteve të mëdha të rajonit – Iranit, Arabin Saudite, dheTurqi. Politika amerikane duhet të marrë në konsideratë këto zhvillime në qoftë se ne jemi për të mbrojtur interesat tonanë rajon” tha diplomati i njohur amerikan . /Beqir Sina/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: agim Rexhaj, Beqir Sina, Komiteti per politiken e Jashtme, Wizner

NJË TRAGJEDI E MBYLLUR NË HESHTJE

March 19, 2014 by dgreca

Nga Rasim Bebo/ Çikago/

Kohë më parë, rreth dekadës së shtatë të shekullit të kaluar, shoferi Jani Guri pësoi aksident në afërsi të Qafështamës, duke zbritur me skodën e ngarkuar me trarë. Shpëtoi mirë, nga plagët e trupit dhe pothuajse u shërua, pas qëndrimit në spital rreth dy muaj. Por këmba e djathtë nuk po i shërohej mirë dhe megjithatë, doli nga spitali  me firmën e tij, pa pëlqimin e mjekut. Me kalimin e kohës, dhimbjet po i shtoheshin dhe pak nga pak këmba kishte filluar t’i merrte ngjyrë të errët. U shtrua prapë në spital, te pavioni i kockave.  I filluan mjekim të diferencuar, dhe prapë këmba po i keqësohej më shumë. Mjeku e këshilloi:- Dëgjo Jani!… Ka vetëm një rrugëdalje, këmba do prerë mbi gju, në qoftë se do të…

Përlotjet dhe lutjet e Janit për të mos e prerë këmbën ranë në veshin e shurdhër të mjekut. Ai ngulmoi në vendimin e tij:-Do të planifikojmë që këtë javë të futesh në sallën e operimit.- e njoftoi ai dhe ashtu u bë.

Dhoma ku ishte shtruar Jani kishte mbi 20 të sëmurë të ndarë në dy krahët e dhomës me një koridor në mes. Të gjithë të sëmurëve u erdhi keq për Janin dhe po e ndjenin këtë fatkeqësi sipër veten e tyre. Një plak tiranas rreth 70 vjeçe, edhe ai i shtruar në këtë dhomë, i thotë Janit:

-Këmbën mos e pre, në qoftë se ti beson në Zot.  Thirr një hoxhë, merr mendimin e tij dhe të besh si do të thotë ai.

-Po ku do ta gjëj hoxhën?  – i tha Jani. – Ne nuk kemi as prift as hoxhë.

-Dëgjo, – vijoi t’i thotë plaku, –  thuaji gruas të shkojë te vorrezat, se atje ka hoxhë, që bëjnë lutje për të vdekurit…

Ksanua,  e shoqja e Janit, të nesërmen shkoi në spital me gjithë hoxhën e kërkuar nga i shoqi.  Kur hyri në dhomën e të sëmurëve, hoxha i gjatë e i hollë, copë e lëkurë, me një beretë të vjetër, të sajuar vetë në kokë,  që i kishte zëvëdësuar çallmën e sekuestruar, me një palë gjyslike të lidhura  me spango, me një pardesy të gjatë deri në fund të këmbëve, tejet të vjetër, të murrme, të dalë boje, në shumë vende të shqepur, dhe të qepur , e me sandale të lidhura me tel, pa çorape, u pa me mjaft kërshëri nga të sëmurët. Ashtu i kërrusur pak, me një libër lutjesh në dorë, të vjetër, pa kapakë nga përdorimi i shpeshtë, por me dinjitet, ai qëndroi në mes të dhomës duke soditur të gjithë të shtruarit në atë dhomë dhe i përshëndeti:

-I lutem të madhit zot për ju, shërim të shpejtë, amin! . – Pastaj hoxha iu afrua krevatit të Janit: Më ke thirrur, – i tha qetësisht, – Çfarë të mundon?…

-Doktori më thotë të pres këmbën, si thua ti? – iu përgjigj Jani me pamje të tronditur.

-Beson në Zot?

-Po besoj…

– Po tek mua, si hoxhë, më beson?

-Po të besoj…

– Atëherë këmbën mos e pre, dil nga spitali, shko në shtëpi dhe unë do të vi nesër në orën 5 pasdite dhe disa herë të tjera për ta mjekuar këmbën që të dhëmb,  deri sa të shërohet….

Me këto fjalë të hoxhës, shkurt  dhe qartë, Jani e ndryshoi mendimin për pamjen e tij,  nga  një sharlatan, që ju duk kur hyri, në një ëngjëll tani kur po largohej nga dhoma dhe e mbushi plot me besim.

Para se të dilte  jashtë dhomës, hoxha ndaloi një çast dhe u kthye nga të sëmurët:

-Zotërinj.  Po i lutem edhe një herë Zotit për ju, shërim të shpejtë dhe jetë të gjatë, amin!

Pas kësaj,  Hoxha shkonte çdo ditë në shtëpinë e Janit, i spërkaste këmbën me ujë të ngohtë dhe i këndonte lutje në gjuhën arabe. Këmba nga dita në ditë filoi pak e nga pak të përmirësohej, ngjyra gri e errët po i largohej, duke marrë paksa ngjyrën e zakonshme. Jani fillimisht nuk e  mbështeste dot këmbën në tokë, tani zuri t’i vinte dhomës vërdallë dhe filloi me ngadalë të zbresë  shkallët me shkop, duke lëvizur ngadalë edhe nëpër obor. Hoxha e porositi për dy plage të vogla e të pambyllura, qe kishte në këmbë, se i duhej një recetë ta merrte te doktori.

Jani shkoi në spital dhe kur i doli përpara mjekut, ai filloi të fërkonte sytë, kur e pa ende të gjallë.

– Si është mundur?…  Vërtetë, ti Jani jeton?

– Po doktor, gjallë jam. Hoxha më shpëtoi…

-Për mua, i tha mjeku, – ti, Jani ishe i vdekur. Zoti i Madh…. ti  shpëtove!…

Jani i gëzuar tej mase, që i shpëtoi këmba dhe jeta, u familjarizua me komshien, një plakë myslimane mbi 70 vjeç, që kryente ritet fetare me fanatizëm. Kështu Jani filloi të digjonte plaken e zgjuar analfabete, por lutjet fetare që nxirte nga goja plaka, i dukeshin Janit si margaritarë, teksa ishte tmerruar duke shikuar në ëndërr këmbën e prerë.  Plaka u kthye në mesuese për Janin, filloi  t’i mësonte disa lutje, ca shqip e ca arabisht dhe në muajin e ramazanit  Jani i shtirë nga ky gezim si pa dashje, nisi si pa gjë të keq, të mbante ramazan. Me plakën në disa raste, hanin iftarin dhe pinin kafen bashkë.  Por prapë Jani, si i krishterë, nuk hiqte dorë nga feja e tij, pasi kjo ishte një inerci e përkohshme, ai ishte i ndërgjegjshëm se ashtu siç i erdhi, do t’i ikte ky frymëzim për fenë islame.

E gjithë familja e tij, e ndiente këtë gëzim dhe pak nga pak, dukej sikur po eklipsohej besimi në fenë e adoptuar së fundi, i dukej si një robë e mirë mbi gunë, qe nuk shkonte dhe duhej hequr. Por prapë Jani, ruante një farë  simpatie për fenë islame , mësoi disa lutje përmendësh, muhabeti sillej rreth Muhamedit dhe historisë islame, që plaka i kishte mësuar me kohë  disa lutje të zakonshme  si analfabete që ishte.                                                                                 Nga disa të afërmë të Janit, shokë, miq, fshatare edhe komshi, cmirëzinj, dashakeqës, filluan ta bëjnë objekt bisedash në kafene, në lulishte ku mblidheshin për të lozur domino me orë të tëra duke  e përfolur Janin me kutin e secilit, dikush më shumë, dikush më pak. Disa e besonin se Jani kaloj në fenë tjeter, disa jo. Fjala mori dhenë. Disa njerëz të ditur kujtuan ligjin që aplikoi Metaksai në vitin 1938.  Po, është ligji nr. 1363, i kohës së diktaturës së Metaksait , që ndëshkonte krimin e konvertimit fetar, nëse në Greqi ndërroje fenë ortodokse, duke u kthyer në një fe tjetër, memjëherë burgoseshe, sepse vepronte ky ligji.  Greqia është shteti i grekëve të krishterë ortodokës. Shteti grek e ka të ligjëshëm të ndërhyjë në ndjekësit e fesë ortodokse, kudo që të jenë, edhe jashtë Greqisë.

Mendje dhe mendime. Ne jemi shqiptarë dhe shteti i ynë nuk ka ligje të tilla. Por në krye të vendit tonë kemi priftin grek dhe për këtë arsye nuk ka ndryshim.  Kisha greke është mbi shtetin një lloj si në Athinë, edhe  në Tiranë japin mendime të tjerët. Valle. Ky prift mundet të zbatojë ligjin grek në vendin tonë për ndërrimin e fesë? Këto muhabete bëheshin me tensione dhe pa tensione. Dihet që disa njerëz dritëshkurtër e përhapën si nam të keq. Megjithatë, siç thotë populli :  “çdo gjë e habitshme tre dite zgjat ”.  Por këtyre merhumëve nuk u mbyllej goja. Disa prej këtyre shpirtkëqinjve,  ishin hasetçinj,  edhe se Jani  me  familjen  e  tij  ishin  të përkryer, si familja më e mirë e lagjes.

Pranvera e vitit 1997 ishte shumë e  mbrapshtë, katrahurë e madhe, shtetrrethim, luftë civile, gjakderdhje, mjerim i madh. Nëna të veshura me fustan te zi, sipas mallkimit të “Panterës së Zezë”.

Ata u kujtuan për t’u hakmarrë kundër Janit si “Mysliman “ dhe të birit, Olsit, që ishte martuar me një vajzë “myslimane”.  Dashakeqët,  fanatikët,  menduan, që t’i  japin Janit goditjen sa më therëse  e sa më të dhimbshme, në përputhje të ligjit grek të diktatorit Metaksa të vitit 1938 për personin që ndërron fenë. U nisën dy djem, shokë dhe miq të Olsit, bashkëminoritarë grekë të  Shqipërisë, banues në Tiranë. Pa pasur ndonjë konflikt midis tyre ata shkuan në shtëpinë e Olsit, në të njëjtën ndërtesë ku  banonin dhe prindërit e tij. Kush mund ta dinte se të dy shokët e Olsit erdhen me mendjen dhe detyrën e kapuçonjëve të zinj.  Ata thirrën Olsin për të dalë  mirë e bukur. Zbritën në rrugën “Qemal Stafa” diku aty afër shkollës  “8 vjeçare” ndaluan papritur dhe këtu bënë  gjëmën me pabesinë e quajtur  “Greke”. Njëri nga këta i dha vdekjen me dy plumba shokut të tyre Olsit dhe u zhukën të dy, me pasaporta në xhep, me viza në xhep dhe me shpërblim në xhep.  Dhe ndofta kaluan edhe oqeanin.                               Olsin ia çuan nënës dhe babës djalin të vdekur, gruas së tij burrin të  vdekur dhe vajzës së tij babën të vdekur. Olsi i shtrirë  një metër  e tetëdhjete i gjatë dhe 28 vjeç,  pa frymë në mes të dhomës. Kur para gjysmë ore kishte qenë në mes të familjes. O bombë,  O zot, O tmerr O dhimbje, O kujë!…

Qaj oj nënë, qaj or babë, qaj oj nuse, qaj oj vajzë, qani or vëllezër dhe Ti moj kunate dhe ju miq të dashur të kësaj familje. Për këtë trim të shtrirë, që nuk flet me gojë! O Zot mallkuar qofshin për jetë dhe mot vrasësit pabesë me mision fetar…

I nderuar lexues, kjo tragjedi ka ndodhur në pranverën e vitit 1997. Unë jam miku i kësaj familje dhe i kam mësuar këto të vërteta me hollësi. Vazhdimisht, për 17 vjet e kam kujtuar këtë ngjarje tragjike dhe si historian dua të mbetet në arkivat e shtypit, për brezat që vinë pas nesh, që ta gjikojnë këtë kohë makabre.

Rasim Bebo  Addison Çikago  mars 2014.                                                                                                                                                                                                                                                            

Filed Under: ESSE Tagged With: E MBYLLUR, ne heshtje, NJË TRAGJEDI, rasim bebo

GAZETAT E TIRANËS CENSURË NDAJ KRIMESË! EDHE POLITIKA HESHT!

March 19, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ngjarjet në Krime kanë përfshirë të gjitha mediumet kryesore të botës, të lajmeve kryesore dhe të faqeve të para. SHBA dhe Perëndimi ndihen të zhgënjyer dhe të sfiduar nga aneksimi që Putini i bëri Krimesë, ndërkohë opinioni botëror pyet a mos Rusia po i rikthehet erës sovjetike dhe në mos ndodhemi në prag të Luftës të Tretë Botërore – a jemi de facto përpara një ere të re të Cold War – Luftës të Ftohtë.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia u bë si një fait accompli me praninë e 25 mijë trupave ruse, nën hijen e të cilave u mbajt edhe referendumi.
Por arsyeja e këtij shkrimi është reagimi i shtypit të Tiranës ndaj kësaj ngjarjeje, që ka tronditur botën dhe paqen, nisur edhe nga fakti se në fjalën që mbajti dje, Putini përsëriti shpesh fjalën Kosovë, ku, sipas tij, ai ndërhyri në Krime ashtu si Perëndimi në Kosovë.
Perëndimi në Kosovë nuk ndërhyri fshehtas, in cognito, por pas një komunikimi të gjatë dhe shumë intensiv midis shteteve të NATO-s ku u përfshi edhe Rusia. Perëndimi ndërhyri në Kosovë për të ndaluar një genocid dhe spastrim etnik që kishte ndërmarrë shteti pushtues. Për paralelizim, Rusia mund të ndërhynte në Krime në bashkërendim me NATO-n, pasi Ukraina ndodhet në Europë, vetëm nëse qeveria ukrainase do të kishte ndërmarrë spastrim etnik ndaj rusëve! Por fakti që rusët në Krime janë 58 % tregon se nuk i ka shqetësuar askush.
Por le të kthehemi tek arsyeja e këtij shkrimi, që ka të bëjë me censurimin e ngjarjes kryesore të ditës prej deklaratës të Putinit, reagimit të shefit të NATO-s, presidentit Obama, nën presidentit Joe Biden, zonjës Merkel e me rradhë. Në gazetat e Tiranës nuk rezulton e pasqyruar asgjë! Po ashtu, asnjë opinion nga opinionbërësit e Tiranës. Sepse lajmet dhe ngjarjet kryesore lajmërohen në faqet e para.
Le t’i marrim me rradhë, Gazeta Shqip, Shekulli, Panorama, Gazeta Shqiptare, Koha Jonë, Mapo. Këto që thonë se jemi gazeta kryesore. Në faqen e parë asgjë. Si me magji. Të gjithë botuesit, kryeredaktorët dhe opinionshkruesit paskan pasur një mendje, që ta heqin nga qendra e vemendjes atë që po ngjan në Krime.
Të gjithë botuesit, kryeredaktorët dhe opinionmanipuluesit e Tiranës paskan qenë në unison për t’ia hequr të drejtën e informimit qytetarit shqiptar.
Me këtë rast ata kanë shkelur Kushtetutën e vendit dhe do të duhet të mbajnë përgjegjësi.
I hodha një sy faqeve të para të gazetave kryesore në SHBA dhe Europës, The New York Times, The Washington Post, la Repubblica, Corriere della Sera, Il Giornale, la Stampa, Die Zeit, Frankfurter Allgemeine Zeitung, NZZ, Die Welt, Le Figaro etj. Në të gjitha Krimea rezulton në faqen e parë. Në Shqipëri jo, sepse ka censurë!
Absurdi shkoi deri aty sa të gjitha gazetat e përmendura më lart, që janë gazetat kryesore të Tiranës, kishin censuruar edhe deklaratën e dy kryeministrave, atij shqiptar dhe rumun, Rama dhe Ponta, të cilët mbajtën një qëndrim të qartë dhe paekuivok ndaj veprimit të Putinit.
Të censurohet deri kryeministri i Shqipërisë merret me mend ku arrin kontrolli. Po nga kush? Kush i ka urdhëruar të gjithë botuesit që të censurojnë Krimenë?
Sigurisht nuk është shefi i SHISH-it sepse ai është pranë shkarkimit. Po kush është?
Për të respektuar të vërtetën rreth Krimesë në faqe të parë gazeta Telegraf kishte botuar një opinion të gazetarit të shquar Frank Shkreli, ndërsa Tirana Observer dhe Standart kishin pasqyruar deklaratën e Ramës, e para me titull e foto në faqen e parë, ndërsa e dyta vetëm me titull.
Edhe politika shqiptare po ashtu u bë shurdh-memece ndaj asaj që po ngjet në Krime. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe e kishte për detyrë që të shprehej.
Nuk pati reagim as nga krerët e institucioneve, përveç prononcimit të Rama-Ponta që u bë duke patur si shkak pyetjen e një gazetari, kur ata dhanë konferencën për shtyp. Edhe lideri i opozitës gojëkyçur!
Edhe ish-kryeministri i Shqipërisë i cili vuan nga scribomania nuk i kishte shkruar asnjë rradhë rreth asaj që po ngjet në Krime. Përveç një ftese që ta ndiqnim tek TV Agon dhe po ashtu po dje kishte bërë romuzin e rradhës me „piktorin e dështuar“ dhe asgjë tjetër.
Më kujtohet një intervistë e tij, ku pretendonte se ishte bërë anëtar i Partisë të Punës në vitin 1968, pas invadimit të BRSS Çekosllovakisë, sepse, sipas tij, besohej se BRSS do t’i sulej edhe Shqipërisë. Pallavra pretendimet e Berishës. Por, gjithsesi, për Krimenë asnjë fjalë.
Shqipëria ka qenë vendi më stalinist i Europës. Kur Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit, regjimi komunist i Tiranës e shpalli armik Hrushovin dhe u betua se nuk do t’i tradhtonte asnjëherë as idealet dhe as metodat staliniste. E mbajti fjalën!
Zgjatja e tranzicionit bashkë me problemet e vazhdueshme që lidhen me mosrespektimin e standardeve të demokracisë i dedikohen klasës politike e cila për shkak të hipotekave me të shkuarën, nuk i ka hapur Dosjet e diktaturës dhe ish-spiunët e Sigurimit vazhdojnë të dominojnë mediat dhe shtypin e Tiranës, pasi propaganda ka qenë një mjet shumë efikas i diktaturës të proletariatit.
Ndryshe më gjeni një arsye se përse gazetat e Tiranës e censuruan në kor atë që ngjau në Krime, përfshirë reagimin e Perëndimit. Përse opinioni i shëndoshë që sëmuret për çdo ditë mendërisht nga krimet e kronikës të zezë, të cilat pushtojnë faqet e para të lajmeve dhe gazetave të Tiranës, u censurua nga e drejta e informimit rreth asaj që po ndodh në Krime?
A meriton të ketë këtë lloj shtypi Shqipëria,një vend anëtar i NATO-s që aspiron të anëtarësohet në BE?

Përgjigja është „JO“!

Filed Under: Analiza Tagged With: censure, Elida Buçpapaj, ndaj Krimese, shtypi i Tiarnes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT