• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Opozita:Parlamenti të ndërpresë ‘ofensivën’ ndaj institucioneve të pavarura

March 19, 2014 by dgreca

Përfaqësues të opozitës kërkuan të mërkurën që parlamenti të kthehet në rolin e vet kushtetues dhe të ndërpresë ’ofensivën’ ndaj institucioneve të pavarura.

Mesditën e sotme u mblodh Konferenca e Kryetarëve për miratimin e kalendarit trejavor të radhës të punimeve të Kuvendit. Pas mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, tha se parlamenti duhet të kthehet në rolin e vet kushtetues dhe kontrollues, që qeveria të japë llogari para parlamentit dhe jo parlamenti të kthehet në noter të qeverisë.
Sipas Halimit “kapja e institucioneve, që janë aty për të kontrolluar qeverinë, synon ta kthejë vendin në një çiflig të pronarëve Rama-Meta me qëllim që qytetarët të mos shohin dhe të mos mos kenë kujt t’i kërkojnë llogari”.
“Ky është një qëndrim antikushtetues i këtij parlamenti dhe për sa kohë nuk pati asnjë reflektim nga maxhoranca lidhur me këtë kërkesë të opozitës, kjo e fundit u largua nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve pa e miratuar kalendarin e punimeve”.
Opozita pretendon se parlamenti nuk është në një situatë normale, sa i takon pavarësisë së institucioneve.
“Kapja e tyre do të thotë tronditje e themelit të kushtetutës së vendit. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) është aty që të kontrollojë pasuritë, por në rast se qeveria e merr nën sqetull drejtuesin e këtij institucioni, atëhere vendi nuk shkon drejt reformave të BE-së. Ne i kërkuam parlamentit të ndërpresë ofensivën ndaj institucioneve të pavarura që kontrollojnë qeverinë, të ndërpresë ofensivën ndaj AMA-s dhe ndaj SHISH, si dhe ndaj institucioneve të tjera. Nuk mund të ketë parlament normal në rast se nuk kthehet kushtetueshmëria ndaj institucionit të ILDKP-së, për të cilin është bërë debati në parlament”, tha Halimi.
Ai pohoi se opozita do të vazhdojë të jetë në parlament për t’iu bërë të ditur qytetarëve se çështja e respektimit të institucioneve të pavarura do të jetë pikë kryesore e axhendës parlamentare.

Filed Under: Politike Tagged With: Halimi, Meta, Opozita, Parlamnenti

At Gjergj Fishta O.F.M. visar shpirtëror i shqiptarëve

March 19, 2014 by dgreca

Pse diktatori Enver Hoxha e urrente Fishtën dhe kryeveprën “Lahuta e Malcisë”!?/

Nga Klajd Kapinova/

 Të rindertojmë Fishtën e gjithshqiptarëve/

Çdo ditë e më shumë, po zgjohet ndërgjegja kombëtare e gjeneratës së re në trojet shqiptare dhe diasporë. Ata, po kërkojnë të shkundin qeveritë e papërgjeshme, për indiferentizmin që kanë manifestuar gjithnjë ndaj figurës së madhe të At Gjergj Fishtës. Duhen përgëzuar Nismëtarët në rrjetin social Facebook (1 Milion Shqiptarë Që Shtepia e At Gjergj Fishtës Të Rikonstruktohet), për idenë qëllimmirë të Rilindjes së Poetit të Madh Kombëtar.

Ne s’kemi pse të presim, të behemi një milion vete, për të Ngritur një Qendër të Madhe Kulturore, kushtuar Pader Gjergj Fishtës!?

Kësisoj, secili nga ne, që jeton në diasporë, mund të kontribuojmë me $100 apo më shumë Euro, sipas mundësisë së xhepit secili, për të realizuar një vepër fisnike, nderimi dhe respekti, për identitetin e vetes tonë.

Të presim pambarim sipas shprehjes: “prit gomar, sa t’bahet bari”, sa të bëhen 1 milion shqiptarë (që kanë mendje të ndryshme), ne nuk bëjmë asgjë, veçse vrima në ujë apo vetëm mbesim me fjalë të bukura moralizuese si papagalli: “M’ka que nana me la gojën!”.

Nuk është tashme fjala të rindërtohet shtëpia e tij (pse është jashtë kohës), por duhet të rikonceptohet Një Qendër e Re e Madhe Kulturore Mbarëkombëtare; të blehet tokë me hapësirë të mjaftueshme apo mbi tabanin e kësaj kulle përdhese dhe perreth ndertesës autoktone, mund të Ringrihet Identiteti Ynë Arbëror, ku, për fat të keq, sot streheza e tij fëminore është braktisur deri në përdhunim…

Arkitektet e “huaj”, që jetojnë dhe punojnë nëpër botë dhe kanë përvoj, sëbashku me ekspertët e urbanistikës në vendlindje, kanë mundësi të hapin një konkurs profesional bashkëpunimi, për një projekt serioz dhe ambicioz cilësorë, me disa kate lartësi plot vlera funksionale, duke respektuar traditën.

Aty mund të pranifikohet të ndërtohen disa dhoma apo salla e komode të departamentit të albanologjise, auditore bashkëkohore kumtesash, muzeume moderne, me relike të ndryshme dhe pavione në dy gjuhe shqip-anglisht, një restorant të vetëadministruar nga stafi etj.

Gjithashtu mendoj, se duhet të ketë mirëmbajtës vendas dhe disa cicerone shumë të mirë, të traditës, që të dinë shumë gjuhë të huaja; të ketë numër llogarie bankare të përhershem në vendlindje, për dhurime fondmbledhëse, fotoarkiv, libra të larmishëm dhe dokumente të kontributit të madh të shkollave me ëmër të shquar të Kuvendeve Franceskane dhe Jezuite të Shkodrës, në ndihme të cështjes shqiptare.

Ne, duhet të jemi krenar, për këtë nismë mbarëshqiptare në trojet etnike dhe diasporë, sepse në çdo hap është e gdhendur dukshëm në histori vlera e ndihmës së madhe, për çështjen e mirëfilltë kombëtare të vetë fratit të përvuajtur dhe modest të Shën Françeskut, që ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim Pader Gjergj Fishta.

Ky mendoj, se është një investim i së ardhmes sonë, per të na treguar ne dhe brezave vijimësinë shqiptare dhe një Falënderim nga zemra, për të gjithë eterit e shquar shpirtëror ndër shekuj, të atdhedashurisë për Fe-Atdhe-Përparim.

Të ngrihet me keto fondmbledhje Biblioteka e librave dhe të gjithë kolana të ndryshme të botimeve shqiptare, për dhe rreth veprës së pavdekshme të Fishtës.

Mendoj, se çdo autor shqiptar apo albanolog i huaj, pa problem, mund të dërgoi 5 kopje librash të poetit kombëtar, (sikurse i dërgohen rregullisht çdo botim i ri Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe Prishtinë, që kthehen automatikisht në pasuri mbarëkombëtare), të cilat në vite e kohë të ndryshme, i janë përkushtuar At Gjergj Fishtës.

Atë e ka dashur dhe e do sërisht (edhe mbas 74 vjetëve të kalimit në amëshim) çdo brez, që ka jetuar dhe jeton në trojet etnike shqiptare.

Shikoni rastin pozitiv të luftëtarit martir trimit Adem Jashari, sa investime dhe kontribut i madh po jepet nga diaspora, për të rindërtuar (me të drejtë) përkujtimin e veprës se tij  heroike dhe përmes kësaj natyrshëm përkujtohen trimat liridashës deshmor të Dardanisë, të renë për liri e pavarësi ndër shekuj…

Kompleksi i Ri Shumëfunksional, i Qendrës Kulturore Kushtuar Pader Gjergj Fishtës, natyrshëm mund të shërbej si vend peligranazhi atdhedashurie, për ne, që jetojme larg vendlindjes në Perëndim dhe Amerikë.

Kudo në botën e civilizuar qendrat kulturore atdhetare, janë muze origjinale të gjalle ose pasaportat e identitetit tonë arbëror ndër shekuj…

Aty mund të hapen disa panaire libri të përvitshëm, komplekse dyqanesh me suvenire apo produkte kombëtare të markës ‘Made in Albania’ nga çdo zonë dhe krahinë të trojeve etnike shqiptare.

Fishta ynë i papërsëritshëm në histori dhe letërsi, është sot për sot shkrimtari më i përfolur me gojë, por dhe më i lënë në harrese me apo paqëllim, sa askush tjetër. Kështu kolana e veprave të tij, tash 24 vjet asnjëherë nuk është rishtypur, nga kujdesi i qeverive, sikurse disa shkrimtarëve të tjerë. Shtëpia e tij dhe banorët e katundit Fishtë, janë lënë mbas dore, sikurse të ishin nga një planet tjetër. Varfëria dhe prapambetja, janë ulur këmbkryq atje.

Fishta shumëdimensional, ka një të veçantë brilante, se vetëflasin veprat e tij të madhe, dhe s’ka nevoj të flas Fishta, sikurse ndodh rendom sot në media, ku, shkrimtarët vetëintervistohen dhe flasin ‘non stop’, për veten e tyre dhe jo të tjerët për librat e tyre.

E pra, për fat të mirë të historisë së djeshme dhe sotme Fishta respektohet nga të gjithë. Ai  adhurohet, dhe mbahet me krenari identitetit shqiptar fotot e shumta dhe kryevepra “Lahuta e Malcisë”, recitohet me mall nostalgjik poezia e tij atdhetare permendesh, permenden me respekt si shembull brilant fjalimet e tij të zjarrta, me nota shpirti të thekshme patritotizmi, në Konferencën e Paqes në Paris, për çeshtjen thellësisht shqiptare.

Kësisoj, Fishta, është tjetër esencialisht si personalitet i kompletuar një njeri me virtyte positive dhe shembull patriotizmi, meshtarë i përvuajtur, që iu gjend pranë grigjës së vet edhe në momentet më të vështira historike dhe shkrimtarë, i një vlerë dhe cilësie shumë të lartë, mbasi ka hyrë natyrshëm në zemrat dhe familjet eçdo shqiptari, pa dallim feje, krahine e ideje.

Ai, është simboli i shqiptarisë së kulluar, modeli i një njeriu të thjeshtë, të përvuajtur deri në madhështi….

Në Amerikë, bëhen shumë gjëra te bukura positive jo nga Qeveria apo Presidenti Obama, por nga vetë inisiativa e lirë e njerzve të lirë, në një botë të lirë demokratike.

Sot, përmes internetit dhe rrjeteve sociale si Facebook etj., ne mund të komunikojmë dhe bëjme misione atdhedashurie të vlefshme, për vendlindjen, pa pasur nevoj të bëjmë mbledhje rutine të lodhshme dhe stergjata me burokracinë e korruptuar shqiptare.

Këto rrjete po ndryshojnë sot botën dhe po e bejnë atë dhe njerëzimin me transparente, para ngjarjeve dhe fakteve, të cilat shpesh media elektronike e “pavarur” i ka fshehur dhe ka abuzuar me qëllime kompromentimi me qeveritë dhe sistemet e ndryshme.

Eshtë koha për veprim! Të ngrihet grupi i punës me përfaqsues nga gjithë trojet etnike shqiptare dhe diaspora dhe hapet llogaria bankare dhe ne i kalojmë atje ndihmat apo kontributet tona.

Komisioni, duhet të jetë transparent, pa futur hundët apo duart qeveritarët parazitë të babëzitur apo sikurse thotë poeti kombetar:

“Ju rrugaça sallahana  

vagabonda shakllabana,

rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë npër ne,

do t’na qelbi fis e atdhè…”

Fishta, ishte dhe mbeti Poeti Mbarëkombëtar dhe projekti, duhet të ketë këtë ide, vizion dhe dimension, me qëllimin fisnik mbarëkombëtarë, për brezat që do të vijnë.

Pamja e zymtë e medaljes shfaqet para nesh. Eshtë fjala për një shkrimtar tjetër shqiptar gegë, por që nga vëllezërit shqiptarë është lënë në harresë me ose paqëllim.

Shtëpitë e Gurakuqit dhe Fishtës, gradualisht po shemben, për t’ia zhdukur qytetit kultudashës Shkodërlocës gjurmët e identitetit dhe historinë e lavdishme ndër shekuj…

Kështu, poeti i ndjenjave shqiptare At Gjergj Fishta O.F.M. (1870-1940), nuk ka varr, ku, mund t’a përkujtojmë me lule dhe lutje, sepse për eshtrat e tij, nuk u kujdesen asnjë nga qeveritë “demokratike“, duke filluar me komunistët, që i vodhen e hodhën në lum me fanatizëm anadollak mbetjet relike dhe deri tek ato të erës “demokratike”, që drejtojne sot me fjalë të bukura përmes “rilindjes”…

Komunistët dhe postkomunistët, me kostume perëndimore sot, si s’mirëzi ia shkatërruan me heshtje varri shtëpinë, u muduan t’i tjetërsonin historinë, gjurmë të pashlyeshme të lavdisë së perkushtimit ndaj Atdheut, Kuvendin shpirtëror dhe kombëtar, arkivat, antikuaret e rralla me një fond të pasur origjinal, muzeun e parë kombëtar, sepse aty françeskanët e Fishtës strehuan liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, për të mos e vrarë kundërshqiptarët, ruajten flamurin e Deciqit dhe eshtrat e Dedë Gjon Lulit, duke i varrosur me respekt, në zemër të Kuvendit; ngritën me mund dhe djersë stacionin e parë meterologjik, muzeun filatelik, bandën e parë muzikore të qytetit, sollën në Shkodër topin e parë dhe hapën sportin popullor të futbollit etj.

Në këtë Kuvend shqiptaresh të kulluar, brez mbas brezi françeskanët nder shekuj realizuan me sukses misionin pranë popullit shqiptar nën moton: “Lutu dhe Puno“, duke bërë që Shqipëria (si vijim i Arbërisë krenare të Gjergj Kastriotit) të mos jetë një lagje e vjetër e Turqisë anadollake…

 

Pse u masakrua Fishta?

 

 ‘’Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë, se Shqipnija pa Fishtën, kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme. Këndej del e qartë, se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin, që ai xen në panteonin e Kombit.’’

Prof. Namik Resuli

Universiteti i Napolit, Itali

 

Pa koment, po ofrojmë pjesë të fjalës së diktatorit të egër komunist dhe ateist Enver Hoxhës, para një grupi të rinjsh, që morën pjesë në Pleniumin e IV të Rinisë Popullore Komuniste.

“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.

Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugoallavia….

Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.

Kurdoherë, që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ‑ shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve…

Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq…

Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë.

Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta, me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…

Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. Populli shqiptar dhe sllavët e jugut, me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë si as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi.

Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkuar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve. Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit.

Populli shqiptar, ka luftuar së bashku me popujt sllavë të Jugut, kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca.”

Sulmi dhe lufta, kundër klerit katolik në Shqipëri prej 1944-1990, ka qenë e mirëorganizuar nga sistemi komunist dhe veglat e propagandës, që më pas në vitin e zi 1976, shpalli Shqipërinë si shteti i vetëm ateist në botë.

Në ndihmë të kësaj lufte katastrofike vdekjeprurëse dhe shkatërruese të vlerave kombëtare, një rol të madh kanë luajtur shkrimtarët dhe artistët e numeklaturës komuniste, që për të fituar poste dhe privilegje apo foto me buzëqeshje para apo në krah të diktatorit Hoxha, shkruan dhe përbaltën sistematikisht patriotin dhe shkrimtarin e shquar françeskan At Gjergj Fishtën O.F.M.

Për të parë poetin fisnik, po ofrojmë një shkrim të shkurtër esencial nga dora e tij, që paralajmëron dhe fton lexuesin, përmes rubrikës së botimit të librave të rinj, daljen në dritë të poezive brilante me titull: “Juvenilia”, të shkruar me dashuri dhe përkujdesje ndaj veprës letrare, të kolegut poet dhe patriotin e madh të papërsëritshëm Dom Ndre Mjedën.

“Literaturë shqype

Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re.

Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje. Por puna âsht krejt ndryshe.

Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme.

Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype.

Në ato kangë, nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë.

Prej këtij libri, shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme.

E shpresojmë, se shqyptarët, kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.

Libri “Juvenilia”, në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet Shtypshkrojës Françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij, që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.” (At Gjergj Fishta, “Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).

Ai na paraqitet në harresë të qëllimshme, pra, në një formë të re të vijimit të persekutimit të ri ndaj poetit tonë të madh Fishta, i cili, kësisoj dretjpërdrejtë del i huaj në tokën shqiptare, sepse nuk ka varr dhe shtepi…

Ndërsa Fishta i pagojë, që nuk është ankuar dhe nuk ankohet, s’ka asgjë, përvec veprave, që populli dhe në vecanti malësorët kreshnikë dhe fisnike, pa ditur shkrim dhe këndim, i dinin permendesh dhe këndonin me lahutë e cifteli plot dashuri në odat e burrave me mijëra vargje të ‘Lahutës së Malcis’.

Kujtoj, se aktori i famshëm malësori dukagjinas Ndrek Luca, tronditi të gjithë shqiptarët, në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër (në vitin 1991), kur recitoi permendesh për 1 orë pjesë brilante nga “Lahuta e Malcisë”, që ishte dhe mbeti kryevepër mbarëkombëtare e Poetit Kombëtar Fishta…

Homeri shqiptar Pader Gjergj Fishta, është monument kulture dhe atdhedashurie mbarëshqiptare.

“Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit komtar mbi mbshtetjen e gjuhës komtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vëgjelë; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh.”, vlerëson albanologu i shquar italian At Fulvio Cordignano, (Shih ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925).

Ne, jemi krenar gjithnjë, se kemi një Pader Gjergj me shpirt brilant, një atdhetar të kulluar dhe të vlerësuar shumë nga zemrat e shumë breznive shqiptare…

 

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta O.F.M., visar shpirtëror i shqiptarëve

KONGRESI I DYTE I MANASTIRIT

March 19, 2014 by dgreca

KONGRESI I DYTE I MANASTIRIT, KOGRES I REALIZIMEVE TË VENDIMEVE TË KONGRESIT TE PARË PËR JETËSIMIN E GJUHES DHE SHKOLLËS SHQIPE/

Nga AVZI MUSTAFA/

Pas Kongresit të parë të Manastirit më 1908 shkrimi dhe sholla shqipe mori hov të madh. Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se problemi i arsimit kombëtar ishte i lidhur shumë ngushtë me bashkimin dhe forcimin e shqiptareve pa dallim feje e krahine. Kongresi i parë i Manastirit, pas Lidhjes së Prizrenit, ishte ngjarja më e madhe e popullit shqiptar, që u hapi rrugën jo vetëm të kërkesave legjitime të shqiptarëve, por që edhe ato kërkesa të realizohen në mënyrë legale dhe të jenë të lejuara nga qeveria e Sulltanit përmes rrugës parlamentare.

Xhonturqit, “gjoja” të interesuar për ca liri politike të shqiptarëve dhe të maskuar nën maskën e parlamentare, kërkonin që gjithçka që ka të bëjë me kërkesat e shqiptarëve të drejtohen nga një qendër që do ta kishte selinë në Stambolli. Mirëpo, patriotët shqiptarë, të deleguar nga gjitha klubet e shoqëritë, njëzëri vendosën që të gjitha atributet, e sidomos ato të përhapjes së shkrim-leximit, t’i jepeshin klubit “Bashkimi” të Manastirit, e jo Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe qeverisë osmane.

Detyrën që e mori klubi qendror i “Bashkimit” në Manastir menjëherë filloi ta realizojë, duke e zbatuar alfabetin e aprovuar, duke hapur shkolla në gjuhën amtare dhe duke e futur gjuhën shqipe edhe në shkollat e huaja, si dhe botimin e librave me alfabetin latin. Klubi punonte në bazë të kanonizmës, në të cilën thuhej: “Të punojë i bashkuar për mirësinë e kombit shqiptar, për të mbrothësuar në dituri dhe në mjeshtëri. Kur nuk do të përzjehetë në politikë..” (Siri Shaplo: 1975:23). Kështu në fund të vitit 1908 e deri në vjeshtë të vitit 1909 u hapën 15 shkolla të reja, si në Pogradec, Kumanovë, Shkup, Krujë, Kolonjë. Përmet, Dibër, Rekë të Epërme, Strugë, Patishkë të Shkupit, Starovë, Peqin, Gjakovë, Vushtrri, Prizren, Filat, Konispol e gjetiu. Jo vetëm në tokën arbërore, por shkolla në gjuhën amtare u hapën edhe jashtë atdheut në: Rumani, Bullgari, Stamboll (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik, vëll. I, 2003:189).

Pas prillit të 1909 pushteti xhonturk e zbuloi fytyrën e tij – doli haptazi dhe me të ngut kërkojnë filloi të kërkojë të zbatohen dekretet perandorake të të ashtuquajturit Hatti-Humaiun, që mbi atë ta organizojnë rrjetin shkollor shtetëror në gjithë territorin e Perandorisë Osmane, me qëllim të mos lejojnë të hapen shkolla në gjuhën amtare, por të japë leje që gjuha shqipe të mësohet vetëm si lëndë mësimore në shkollat turke. Politika arsimore, e planifikuar nga pushteti osman u duk menjëherë qëkur xhonturqit u orvatën të nxisin fanatizmin fetar, duke propaganduar shkrimin turko-arab për gjuhën shqipe. Kjo ndodhi menjëherë pas Kongresit të Dibrës, ku u vendos “gjithkush ishte i lirë të shkruante me shkronja që i pëlqenin”. Kështu jo vetëm që u ndërpre hovi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, por kjo hapi udhën edhe të hapjeve të shkollave të huaja të shteteve fqinje, të cilat në mendjen dhe shpirtin e tyre ruanin lakmitë territoriale ndaj tokave shqiptare. (Shefik Osmani: 1983:252).

Në lidhej me hapjen e shkollave shqipe xhonturqit thirreshin në nenin e 16-të të Kushtetutës Turke, se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe se përdorimi i gjuhës shqipe ndalohej rreptësisht. Këtë e shohim nga deklarata e kryeministrit turk Ibrahim Hakki Pasha, i cili pa drojë pati deklaruar: “Se çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman“. (Avzi Mustafa: 2012:12)

Pas aprovimit të shkronjave shqipe dhe shkollës në gjuhën amtare, filloi një luftë e egër, që te shqiptarët ngjalli një pakënaqësi të madhe, sepse shkolla në gjuhën amtare ishte një ndër faktorët kryesorë për një luftë gjithëpopullore. Sipas një Enciklopedie Serbo-Kroate-Sllovene, libri II në faqen 650 thuhet: “se lufta e shqiptarëve ishte pikërisht rezultat i asaj që Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ua imponojë alfabetin turk dhe, për ta penguar këtë, ajo ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapi shkolla turke dhe në fund bëri edhe çarmatimin e tyre”. (Avzi Mustafa, , nëntor-dhjetor 2013:20). Mirëpo, ky acarim i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe osmanlinjve, të përkrahur nga disa merimanga e satrapë që punonin kundër vetvetes, bëri që shkronjat e shkollën shqipe t’i paraqes si shprehje të një kompromisi ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve, andaj më 29 korrik 1909 u organizua Kongresi i Dibrës me të vetmin synim që lëvizjen kulturore e arsimore të shqiptarëve ta përçante dhe më pas të hiqej dorë nga lufta për çlirim kombëtar. Ata trumbetonin se përdorimi i shkronjave, siç i quanin ata “shkronjat gjahure”, dhe mësimi në gjuhën shqipe, ishin në kundërshtim me fenë islame e me Kuranin.

Shqiptarët, sidomos patriotët që kishin sakrifikuar gjithçka edhe përkundër pengesave të shumta, si me likuidime e me arrestime, nuk u zmbrapsën, por përkundrazi me dëshirë e vetëmohim morën hapat më vendimtare, që sa më shpejt të përhapet mësimi shqip, të krijohet kuadri për hapjen e shkollave shqipe, për sigurimin e mësuesve me mjete financiare, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore në gjuhën amtare, si dhe për njësimin e gjuhës. Që ta marrin fatin në duart e veta shqiptarët më 1 dhjetor të vitit 1909 organizuan Kongresin e Elbasanit, i cili zgjati 7 ditë dhe pati me 35 delegatë të ardhur nga klubet dhe shoqëritë e qyteteve shqiptare, me të cilin atdhetarët i dhanë edhe një goditje politikës xhonturke.

Manovrat e xhonturqve nuk kishin të ndalur për përçarjen e shqiptarëve. Ata dërguan emisarë për të nxitur klerikët fanatikë, hoxhallarë e myftinj, agjentë të veshur si dervishë, por edhe priftërinj ortodoksë, për mallkim e gjuhës e të shkronjave shqipe, që kështu shqiptarët të heqin dorë. Megjithatë emisarët nuk gjetën përkrahje nga shqiptarët. Në një dokument që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 17 frorit (shkurtit) 1910) kuptojmë se “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë një protestë kundër shkronjave latine të arnautve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër, atje janë mbledhur 3000 frymë”. (Arkivi i Maqedonisë, dokum.  I.19.173/207-208).

 

 

 

Në këtë protestë ishin sjellë disa njerëz të shitur dhe një numër ardhacakësh e pushtetarësh nga Anadolli dhe disa priftërinj nga Greqia. Mirëpo, shumë klerik fetarë të trevave shqiptare nuk iu përgjigjën kësaj proteste, sepse e kishin kuptuar djallëzinë e xhonturqve, ndërkohë që edhe lëvizja shqiptare në trevat lindore të Shqipërisë ishte fuqizuar mjaft. Ky i ashtuquajtur miting nuk ishte asgjë tjetër, por vetëm një kundërpërgjigje ndaj mitingut të 14 shkurtit 1910, ku nxënësit bashkë me popullin e Korçës kishin dalë në mbrojtje të abce-së shqipe. (Siri Shaplo, Nga historiku i zhvillimit të arsimit në Shqipëri, 1975:47).

Veprimet e atdhetarëve, si dhe qëndrimi i popullit shqiptar dëshmuan se ata nuk mund t’i thyejnë kurrë, sepse ata vepronin bashkë pa marrë parasysh dallimet krahinore e fetare. Megjithatë shqiptarët e kuptuan se intrigat e manovrimet e xhonturqve, që po bëheshin në dëm të gjuhës e të shkollës shqipe, nuk dhanë ndonjë efekt, por përkundrazi kërkesat dhe përpjekja e tyre ishte jo vetëm që të mësohet shqipja si lëndë mësimore, por – siç thoshte Luigj Gurakuqi – “mësimi të jetë gjithë shqiptar, si në formë ashtu edhe në shpirt.” (Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi:110)

Meqë shqiptarët kur shkelen në besë bashkohen edhe më fuqishëm, kjo ndikoi që urrejtja ndaj të atyre të jetë edhe më e madhe. Kështu ata haptazi, pa dallim feje e krahine, kërkonin që gjuha e fesë nuk mund të jetë gjuhë shqipe. Përkrahja për gjuhën dhe shkollë shqipe dita ditës po gjente përkrahje, jo vetëm nga intelektualët dhe patriotët, por edhe nga masat e gjera. Antidisponimi ndaj Perandorisë dita ditës po shtohej. Xhonturqit, me metodat dhe mënyrat më perfide, nuk mund t’i mashtronin më shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat, prandaj në fund u detyruan të binden edhe fanatikët më të mëdhenj se plani i tyre, si dhe veprimet që i ndërmerrnin, shkonin në dobi të shqiptarëve. Këtë do ta vërejë edhe vetë halifi i Stambollit, i cili do të shprehet “jangllësh olldi” (u bë gabim).

Megjihatë acarimi ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve kishte arritur kulminacionin sidomos kur ata sillnin vendime dhe merrnin masa të rrepta ndaj patriotëve shqiptarë. Për t’i përballuar të gjitha, sidomos ndaj shkrimit e shkollës shqipe, kërkohej që edhe një herë të shikohet se si të realizohen vendimet e mara në Kongresin e parë të Manastirit dhe në Kongresin e Elbasanit. Prandaj ata e panë të udhës që në Manastir të mblidhen dhe të diskutojnë për problemet se si të realizohet gjuha dhe shkolla shqipe, si dhe vendimet e tjera të aprovuara në kongresin e parë. Aty do të diskutohej edhe për problemin që shqiptarëve nuk u hapej rruga e qytetërimit ose, siç thanë delegatët e Kongresit të dytë: “që dëshirojmë të arrimë në atë rreshtin që kanë gjithë bot’ e qytetëruar” (Gazeta Korça, nr. 2, 25 mars 1910)

Pengimi i rrugës së gjuhës e të shkrimit, si dhe i shkollës shqipe, ishte i natyrave të ndryshme, duke shfrytëzuar klerin mysliman dhe ortodoks konservator, por edhe elementet turkofile. Prandaj Komiteti Qendror i Manastirit i thirri të gjithë delegatët e të gjitha klubeve që të mblidhen në Manastir edhe një herë e të bisedojnë për të sjellë një Kanonizmë, ku do të projektohet më qartë e më mirë rruga dijes dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Për këtë qëllim do të organizohet Kongresi i dytë i Manastirit. Në këtë kongres të dytë, të mbajtur ditën e premte, më 20 mars të vitit 1910, erdhën delegatët nga Stambolli, si dhe përfaqësuesit e vilajeteve të Shkodrës, Manastirit, Kosovës, Selanikut, si dhe delegatët e klubeve dhe shoqërive jashtë atdheut, me të vetmin qëllim që të paralajmërojnë se nuk ka kthim nga vendimet që janë marrë në Kongresin e parë të Manastirit dhe ashtu t’u bëhet në dije të gjithë atyre që e pengojnë rrugën e shkrimit dhe të shkollës shqipe se e kanë kot, sepse vetëdija e arsimit kishte lëshuar rrënjë të thella në zemrat e shqiptarëve. Ja si do të shprehet intelektuali dhe patrioti Dervish Hima: “Që sot e tutje nuk do të përmendim aspak fjalën gegë, toskë, labër e të tjera, por vetëm shqiptar, se të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjak e një gjuhë kemi, të gjithë një atdhe dhe një qëllim kemi, i cili është: përparimi i kombit shqiptar”. (Kristaq Prifti, 1987:201)

Kongresi i dytë në Manastiri e filloi punën me shumë peripeci, sepse valiu i Manastirit deshi ta ndalojë mbajtjen e këtij tubimi kombëtar. Por në fund u detyrua dhe për këtë ai angazhoi komisarin e xhandarmerisë, që ai të marrë pjesë si i dërguar i tij në këtë Kongres, por më kot, sepse patriotët shqiptarë u shprehen publikisht dhe pa hezitim shumë ashpër ndaj politikës mashtruese të xhonturqve. Diskutimi zgjati tri ditë, gjegjësisht u mbajtën tri mbledhje dhe në fund u mor vendimi që të dalin me një Kanonizëm për të gjitha klubet shqiptare në vend dhe në migracion, ndërsa një promemorie me katër pika t’i dërgohet Sullatanatit dhe një shpallje të dalë në shtyp.

Në vendim u përfshinë 10 pika: 1) të formohet një qendër e përgjithshme dhe selia të jetë në Stamboll; 2) të formohet një këshillë kuvendar dhe një pleqëri ku do të përfshihen njerëzit më të ditur; 3) të gjithë klubet shqiptare në statutet e tyre të shtojnë edhe detyra që kërkohen nga vendi dhe koha; 4) klubet e vilajeteve të varen nga një klub qendror dhe të kenë marrëdhënie me klubet e sanxhakëve dhe kazave; 5) klubit qendror çdo muaj t’i dorëzohet raportet që do të shqyrtohet nga këshilli kuvendar; 6) nga klubi qendror të zgjidhet një këshill vjetor që do të mbikëqyrë punën (hesapet) e të gjitha klubeve dhe të Shoqërisë së Përparimit; 7) qendra e përgjithshme të formojë një këshill akademike prej njerëzve më të ditur për shtypjen librave dhe fjalorëve nga turqishtja në shqip dhe anasjelltas; 8) në Shkup (Ysqup) të hapet një shkollë; 9)  të sigurohen të hollat për një gazetë që do të dalë në Shkup; 10) Qeverisë Turke t’i dërgohet promemoria nëpërmjet valiut të manastirit (Arb Gjergj Araniti, bot. në “Mësuesi”, 7 prill 2010)

Gjatë Kongresit të Dytë Manastrit, krahas mbledhjeve publike, patriotët shqiptarë mbanin edhe mbledhje të fshehta, ku merrnin vendime dhe qëndrime për punën e mëtutjeshme për kombin dhe qëndrime kundër Itihatit.

Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një Kongres për rishikimin dhe realizimin e vendimeve të marra në Kongresin e Parë të Manastirit si dhe për marrjen e qëndrimeve të mëtutjeshme të mbrojtjes së shkronjave shqipe dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, por edhe për mbrojtjen e tokave shqiptare.

 

 

 

Referencat:

 

 

  1. Siri Shaplo, Nga historiku i zhvillimit të arsimit në Shqipëri, 1975.
  2. Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik, vëll. I ,2003
  3. Shefik Osmani, Fjalori i pedagogjisë, 1983.
  4. Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj nga vitet në shekuj, Shkup, 2012
  5. Avzi Mustafa, Përpjekjet osmane kundër përdorimit të alfabetit shqip sipas burimeve diplomatike serbe, “Nacional”, nentor,-dhjetor 2013.
  6. Arkivi i Maqedonisë, dokum. I.19.173/207-208.
  7. Gazeta Korça, nr. 2, 25 mars 1910.
  8. Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, botim i Universitetit të Shkodrës (monografi)
  9. Kristaq Prifti, Dervish Hima, Tiranë,1987.
  10. Arb Gjergj Araniti, Kujtesë për  Kongresit e  Dytë të Manastirit, Mësuesi, 7 prill 2010.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, KONGRESI I DYTE I MANASTIRIT

Thaçi në siklet!

March 19, 2014 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vend se shteti të ndërtohet dhe forcohet, ndodhi e kundërta. Shteti nuk u zhvillua, nuk u forcua, përkundrazi, filloi katandisja e këtij shteti. Filloi hajnia me tenderomani, korrupsioni lulëzoi, nepotizmi në institucione, marrja e mitos për t’i punësuar njerëzit, arsimi u degradua, ekonomia u përkeqësua, papunësia u rritë. Haraçi nga partitë, uzurpimet e tokave dhe pasurisë publike siç bënë shumë ministra e zyrtarë të lartë të qeverisë, komandantë të vetëshpallur e analfabet, duke u thirrë në emër të luftës çlirimtare, kurse ish ushtarët e UÇK-së nga varfëria e skajshme po vetëvriten. Keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet me tenderë që ndodhën në qeveri dhe nëpër komuna. Ministrat, zyrtarët e lartë të qeverisë dhe kryetarët e komunave u bënë milionerë brenda natës, me para dhe me mall që nuk ia dinë fundin. Populli u katandisë prej fukarallëku, mezi po mbijetojnë. Që nga ajo kohë e deri sot, pra nën këtë qeveri të pashpirtë, arrogante, të korruptuar dhe të kriminalizuar ndodhën dhe po ndodhin të gjitha këto pisllëqe.

Thaçi është shumë i shqetësuar!

Kryeministri Thaçi është në siklet të madhë. Është shumë i lodhur. I katandisur. I trembur, i hutuar. Nuk është më ”komod”. Është shumë i shqetësuar. Ka shumë arsye të jetë i shqetësuar. Partia e tij po shkon drejt greminës. Po tkurret. Njerëzit po i ikin. E ka shumë të vështirë. Nuk e ka të lehtë. E kuptoj fare mirë. Pas 7 viteve kryeministër nuk e ka të lehtë të shkoj prapë në opozitë. Ai e dinë fare mirë se si është të jesh në opozitë. Këtë gjë e ka provuar në ”lëkurën” e tij për 8 vite me radhë. Numrat e nevojshme në parlament për të qeverisur i ka humbur. Në zgjedhjet e fundit lokale humbi disa qytete të mëdha dhe bastione të fuqishme. Që prej zgjedhjeve lokale e ka nuhatur se po i vije fundi qeverisjes së tij. Themelimi i partisë së re ”Nisma për Kosovën” nga dy ish bashkëpartiakët e tij, dhe dy ish figurat më të fuqishme në PDK, z.Krasniqi dhe z.Limaj, i kanë dhënë një goditje të fortë. Akoma më të vështirë punën ia kanë bërë bashkëpartiakët e tij të akuzuar për korrupsion. Rasti i fundit ishte dënimi për korrupsion ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj. Me vendimin e fundit për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë dhe shërbyesve civilë, kryeministri Thaçi po luan me kartën ”o krejt o hiç”.Ky veprim i tij ishte krim, sepse e ndau popullin në dy klasa. Njerëzit e punësuar (dihet se si janë punësuar) në institucionet e Kosovës i pasuroi akoma më shumë duke ua rritur pagat, kurse pjesën tjetër të popullatës (70%) që janë të papunë, i la me gishta në gojë. Por çdo veprim i tij është pas orës 12-të. Thaçi është i ”zgjuar”, nuk është naiv. E ka kuptuar me kohë se nuk do ta fitojë edhe një mandat. Është duke vepruar sipas teorisë se ”shpresa vdes e fundit”.  Ai është duke u munduar ta kapë trenin e fundit. Por është vonë. Është tepër vonë. Populli e ka kuptuar se nuk është lider i denjë për të udhëhequr, por vetëm një demagog. Ky popull e ka humbur besimin tek ai. Me votën e tij populli do ta ndëshkoi, siç e ndëshkoi në zgjedhjet lokale . Por këtë herë do të ndëshkohet akoma më keq!

*(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ”Nismës për Kosovën”)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Tahci ne siklet

REAGIME NDAJ ANEKSIMIT RUS TË KRIMESË

March 18, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ndër reagimet e para  ndaj grabitjes së Krimesë nga Presidenti rus Vladimri Putin,  Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama njoftoi vendosjen e sanksioneve më të ashpëra kundër Rusisë ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, duke ngrirë llogaritë bankare dhe pronat e 11 zyrtarëve ruse, përkrahës të ngushtë të Putinit dhe të grabitjes së Krimesë nga Rusia.  “Ne jemi duke e bërë të qartë se masat e tyre kanë pasoja”, tha Presidenti Obama, ndërsa nënshkroi urdhërin për vendosjen e sanksioneve kundër bashkpuntorëve të Putinit.   Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se janë në plan të njoftohen edhe sanksione të tjera ekonomike kundër Rusisë.  Si një reagim tjetër nga Washingtoni ndaj krizës në Ukraine, Shtëpia e Bardhë vendosi të dërgonte Zëvëndës Presidentin, Xho Bajden për një vizitë dy ditëshe në Varshavë, për bisedime me udhëheqsit më të lartë të Polonisë.   Në itinerarin e udhëheqsit amerikan përfshihen edhe takime me presidentët e tre vendeve baltike, Estonisë Lituanisë dhe të Letonisë. Këto janë vende që kufizohen me Rusinë ose janë afër saj gjeografikisht.  Megjithëse janë anëtare të NATO-s, nga përvoja e tyre historike, kanë arsye të jenë të shqetësuara nga avanturier grabitqar,  Putin.   Nënpresidenti  Biden tha  gjatë vizitës në Poloni se ajo që ka bërë Rusia me Krimenë, është rrëmbim territori i një vendi tjetër. Në takimin e tij me Kryeminsitrin Doland Tusk, Zoti Bajdën theksoi se Rusia do të izolohet politikisht dhe ekonomikisht dhe se Moska do të përballet me sanksione të tjera.  Ndërkaq,  një zëdhënse e Shtëpisë së Bardhë njoftoi të martën se  Presidenti Barak Obama ka ftuar udhëheqësit  e shteteve aleate për një takim të ngutshëm në Evropë, javën e ardhshme, për të diskutuar mbi masa të mëtejshme në përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Sanksionet e njoftuara nga administrata e Presidentit Obama  shkaktuan reagime të shpejta edhe nga përfaqsues të partisë Republikane në opozitë.  Senatori veteran i republikanëve dhe ish-kandiditati për president Xhon Mekejn, tha se administrata e Presidentit Obama duhet të bëjë një rivlersim të gjithanshëm të marrëdhënjeve  të saj me Presidentin rus Vladimir Putin dhe se “Gjendja e krijuar në Ukrainë nevojitë një përgjigje me serioze nga ana e Shteteve të Bashkuara”.  Senatori Mekejn  gjithashtu është shfaqur i habitur se pse në deklaratën e Presidentit Obama nuk u përmendën ndihmat ushtarake amerikane për Ukrainën, një vend sovran që është pushtuara nga Rusia, si dhe ndihma për disa vende të tjera që mund të kërcënohen nga Rusia, si Gjorgjia dhe Moldova.  Në një intervistë me CNN, Senatori Mekejn e cilësoi Rusinë si një qendër karburanti, që pretendon të jetë shtet, dhe si një ”kleptokraci, e korruptuar, një komb, ekonomia e të cilit varet krejtësisht nga nafta dhe gazi.”  Ndërsa senatori republikan që përmendet si kandidat i Partisë Republikane për president, Senatori Rand Paul, duke evokuar ish-presidentitn Reagan dhe politikën e tij karshi ish-Bashkimit Sovjetik, tha  në një artikull se, “nuk ka prioritet më të madh për Kongresin amerikan se mbrojtja e Shteteteve të Bashkuara. Presidenti Reagan nuk ishte i paarsyeshëm as nuk nxitohej për tu futur në luftë. Presidenti Reagan i këshillonte kundërshtarët e Amerikës që të mos keq intrepretonin ngurrimin tonë për luftë si një shenjë  mungesë vendosmërie.  Për atë çfarë Amerika ka nevojë sot, tha Senatori Paul, “është një udhëheqës i cili do të mbrojë interest e këtij vendi dhe i cili projekton fuqinë amerikane, por i cili nuk nxitohet për luftë.”

Ndërsa në Bruksel, Ministri i jashtëm gjerman,  Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi nga Brukseli se vendosja e sanksioneve  kundër Rusisë duhet të lerë të hapura mënyrat dhe mundësitë për mënjanimin e keqësimit të situatës, që mund të çonte në ndarjen e Europës.”  Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Zoti Anders Rasmussen u citua të ketë thënë të martën se me aneksimin e Krimesë, Rusia është duke ndjekur një “rrugë të rrezikshme”.

Mirëpo, disa ekspertë mendojnë se masat e njoftuara nga Presidenti Obama mund të jenë të paka dhe se tani është koha për marrjen e masave më të rrepta kundër Rusisë.  Majkël Singh i Institutit  Washington tha se masat e njoftuara nga Presidenti Obama këtë javë, duheshin njoftuar javë më parë. A sugjeroi gjatë një interviste në rrjetin televiziv Fox, se masa të tjera që ndoshta Shtetet e Bashkuara po mbajnë në reservë tani për tani, sipas tij, duhet të merren menjëherë — siç janë sanksionet kundër industrisë ruse të armëve dhe oligarkëve të tjerë rusë. Tani, shtoi ai, kemi nevojë për masa më të guximshme dhe më të shpejta.

Edhe media amerikane ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Krime dhe ndaj qendrimeve amerikane në lidhje me grabitjen e Krimesë nga Rusia.  Gazeta dhe Washington Post thotë se, Zoti Obama po përmbahet nga marrja e masave më të rrepta, ndërkohë që po i ofron Putinit  kohë që të tërhiqet me nderë nga masat që ka ndërmarrë.  Ndërsa kjo nuk është një politikë e pa-arsyesshme, thotë Washington Post, kjo nuk ka mundësi të dalë me sukses, nëqoftse Putini është i vendosur në qëndrimin e tij, siç duket se është, për të goditur rëndë Ukrainën, ndërkohë që injohoron reagimet dhe paraljamërimet e Përendimit.  Washington Post thotë në editorialin e saj se nuk është vonë që Putini të detyrohet të ndryshojë politikën e tij karshi Ukrainës, por kjo do të nevojitë që Përendimi të miratojë dhe të ndërmarrë masa që me të vërtetë do të ndikojnë rëndë në ekonominë ruse dhe i bën thirrje  Përendimit të mos presë për të reaguar pas agresionit të ardhëshëm të tij, por të marrë masa paraprake.

Ndërkaq, gazeta New York Daily News thotë se opcionet përballë të cilave gjëndet Presidenti Obama në lidhje me pushtimin rus të Krimesë, janë të kufizuara, dhe fajëson Zotin Obama për pavendosmërinë e politikës së tij, duke thënë se kostoja për të rivendosur kredibilitetin amerikan në fushën ndërkombëtare është rritur tani.  Gazeta e New Yorkut thotë në editorialin e saj se, ”E vërteta është se plogështia dhe pavëndosmëria e politikës së presidentit Obama inkurajon agresorët.  Objektivi i marrjes së masave të forta kundër Kremlinit nuk është që të shkohet në luftë me Putinin.  Por qëllimi i masave të rrepta është që të kontrollohet agresioni i udhëheqsit rus, para se lufta të bëhet një opcion i paevitueshëm.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Reagim ndaj aneksimit, te Krimese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT