• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

8 Marsi në Kosovë

March 8, 2014 by dgreca

 “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, promovohet dokumenti strategjik/

Nga B.Jashari/.- Dokumenti strategjik i Planit të Veprimit për Zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, u prezantua sot në një tryezë diskutimi organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Zyra e Kryeministrit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.
Në tryezë u theksua se zbatimi i Rezolutës 1325 nënkupton ngritje të nivelit të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, procese paqësore, fuqizim të mekanizmave mbrojtës dhe inkoorporim të dispozitave të barazisë gjinore në të gjitha sistemet demokratike. Agjencia për Barazi Gjinore ka hartuar Planin e Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325, të cilin e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës, në 29 janar 2014.
Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu, theksoi se “plani i veprimit është tejet i rëndësishëm pasi do të adresojë problemet e sigurisë në Kosovë, do të mundësojë harmonizimin e strategjive që kanë në qendër barazinë gjinore, fuqizimin e gruas dhe sigurinë e saj, do mundësojë dhe lehtësojë bashkëveprimin e aktorëve që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut”.
“Në bazë të rezultateve dhe pritjeve të destinuara të Planit të Veprimit, gratë duhet të jenë të pranishme në numra më të mëdha në procesin e vendimmarrjes, ato duhet të jenë pjesë e hierarkisë së lartë të shërbimit diplomatik të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu dëmshpërblim duhet t’ju sigurohet viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit, duke përfshirë këtu edhe njohjen e tyre ligjore”, tha Hajrullahu.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, tha se “rreth 8.1% nga numri total i personelit të FSK-së janë gra, ndërsa përqindja e grave civile në Ministrinë e FSK është 33%”.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se “Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1325, përveç se thekson domosdoshmërinë e masave, të cilat duhen të ndërmerren për të mbrojtur të drejtat e grave në situata të konfliktit dhe pas tyre, vë në pah edhe një element shumë të rëndësishëm, të kontributit të grave në parandalimin e konfliktit”

Ne Foto:Prezantimi i dokumentit strategjik të Planit të Veprimit për Zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325

 

Filed Under: Rajon

KANADAJA NDALON HYRJEN NE TERRITORIN E SAJ TE SHKAKTAREVE TE KRIZES UKRAINASE

March 8, 2014 by dgreca

Moska: Thirrjet evropiane për dialog me Kievin shkaktojnë buzëqeshje/

Kanadaja njoftoi dje se ”kishte vendosur ndalimin e hyrjes në territorin e saj për përgjegjësit e krizës në Ukrainë”.”Kanadaja ka vendosur ndalimin e hyrjes në territorin e saj për të gjithë personat të konsideruar përgjegjës për krizën ukrainase”, deklaroi kryeministri kanadez, Stephen Harper, i cili theksoi se qeveria e Kanadasë nuk do ta njohë si të ligjshëm rezultatin e referendumit të zhvilluar në Krime, përmes të cilit kërkohet ribashkimi i gadishullit ukrainas me Rusinë.

Moska: Thirrjet evropiane për dialog me Kievin shkaktojnë buzëqeshje

Për Moskën, thirrjet evropiane për dialog me Kievin, me ndërmjetësimin e fuqive të mëdha perëndimore ”shkaktojnë buzëqeshje”, duke e konsideruar “të ezauruar” besueshmërinë e tyre, pas fatit të shënuar nga dokumenti i nënshkruar nga Janukoviç në Kiev, më 21 shkurt, dekaroi pak më parë Dmitri Peshkov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin.
“Është për t’u habitur jashtë mase që aktualisht nga Evropa i drejtohen thirrje Rusisë për të zhvilluar tratativa me personazhet e Kievit që vetëkonsiderohen pushteti i Ukrainës me ndërmjetësimin e fuqive të mëdha perëndimore, ndaj e gjithë kjo nuk mund të shkaktojë veçse një buzëqeshje sepse vetë besueshmëria te to është ezauruar pasi fati u përcaktua nga dokumenti i nënshkruar nga Janukoviç në Kiev, më 21 shkurt”, u shpreh Peshkov gjatë një transmetimi televiziv.

Filed Under: Featured Tagged With: Kanada Ukraine

TE FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

March 8, 2014 by dgreca

Hidhe vallen me brezat …Nenezo….!/

nga Raimonda MOISIU/

Sa te shendrisin syte ,/
Nenokja ime !/
Si e kercen kete valle ,/
shtruar -shtruar ./
Si nje lundertare zemerbute,/
Qe mbledh rrjetat,/
Ti therret me duar nipin, sternipin,djalin, mua !/
Sa te don sternipi, moj zemera ime ,/
Qe me mungon kaq shume tej oqeanit!/
Ja nje sekret , moj nene:/
Une e ve harakatin tone te bukur, /
cdo mbremje,/
Te flere me fotografine tende!
Nipin tim,sternipin tend !
Eshte me i bukuri I botes,
Dhe kur ma puthin zonjushat,
U thote ne gjuhen tende,
Se eshte shqiptar i kulluar.
Me beso, per koken tende!
Kur mua me merr malli shume per atdheun,
Veshtroj me ngulm fotografine tende te nuserise,
Ajo!
Rri vetem te koka e sternipit tend!
Je kaq e bukur, shume e bukur, pafundesisht e bukur,
Nuk i kishe keto rrudha qe ke tani,
Po….e di qe me pelqejne shume keto rrudhat e tua?
E di pse?
Ja….
Ti …
Sapo qesh!
Rrudhat mergojne …ikin laaaaaarg …
Aq larg…
Sa ti behesh e bukur,
Si ai jargavani i shtepise sone
Ai moj ,
Qe cele i pari,ngjyre te bardhe apo lila,
Kur lulet e tjera ndruajne ,te celin!
Nene !
Te lutem veshtro nje cast nga qielli,
Mendo cfar te duash,
Por asgje qe ka lidhje me dhomen,
Mendo gjithcka tjeter ,
Qe lidhet me qiell, me det, me ajer, me eternitet!
Sepse
Une dua te kundroj strehen e qerpikeve te tu,
Atje ,ku ndrijne syte tend ,
Me te bukurit ,me te kalterit
Si deti e si qielli!
Kur isha ende vajze….poshte atyre qerpikeve,
Une shihja se si beje dashuri me babane!
Hidh valle nenezo,
Shpejto – shpejto,
Hidhe si nje lundertare,
Qe po niset plot hare neper parajsen e detit .
Hidhe vallen nenoke,
Nuk i shikon syte e tere botes qe ,
po gezon si e cmendur?
Po yjet lart?
Po po ndrijne si ne asnje nate ,moj nene,
Po ndrijne sikur te ishin,
Sy te burrave te rene ne dashuri me ty,
Kurse ti….
U hedh nga nje veshtrim te dhembshur,
Dhe iken te krevati I babait….
Hidh vallen nenoke!
Dhe mos me pyet perse ,
Kur te gjithe kendojne e hidhen,
Mua me jane mbushur syte me lote.
Po une jam e lumtur, moj nenezo,
Po lotet me rrjedhin e nuk i ndal dot,
Po kur te me ikesh ti…??!
Kush do te me qortoje ne telefon?
Kush do te qaje per mua ne telefon ?
Kush… Kush …do i kendoje ninullen nipit?
Brenda nje nate!
Kur te me ikesh ti…
Kush do te me perkedhele floket ?
Kush do te me qortoje te mos rri ,
gjysem e cveshur neper dhome?
Se mos vije dikush?
Ti keshtu ben gjithmone,
Megjithese u bera gjyshe dhe une, nenokja ime e bukur !
Po sot , perse nuk me qorton per asgje?
Qortome!
….Mua me ngjan vetja vajze shtepie kur me qorton…,
Nenokja ime
Kur te me ikesh ti
Mua do te me ike edhe vendi ku me linde,
Vendlindja ime ,
Ai vend i bukur me emrin tend
Memedhe!!

Ermentila GUCI/

E shtrënjta  Jonë

Foshnja dikur…

me ninullat e gjirit,

u rritëm.

Magjia e fjalës

së nënës ,

na mbushte shpirtin.

Mbi ballin tënd

skalitet e gdhëndet historia.

Nata i bën lutje Hënës,

Të qetësoj zemrën e një nëne.

Flokët e tua,ngjyrën platinitë marrinë.

Si shpresa të thinjura ,

Mokra e kohës ,shuan ditët,vitet,rininë…

Si  flutura me krah të plagosura

drejt  teje ndalim fluturimin…

Shtizën e lotëve

të  tu  puthim

‘’Dielli’’ shkaktari u largua prej nesh…

Duart rreth qafës

E shtrënjta jonë Nënë,

thurim pëqafimin balsam për shpirtin,

ku…

dhembja ka ngritur ‘’Perandorinë e Lotit’’

Mësuesja e Gërmave

E ulur në bangat e shkollës

dikur prisja me padurim,

mësuesen time Ermirën,

që vinte tek ne, në mësim

duke buzëqeshur pa përtim .

Me dashuri e durim

kapriçotë  tona ajo i falte.

Gërmëzimin  e shkronjave,

Me pasion ajo na shpjegonte

A… B.. C…etj

… e  Abetares na mësoi !

Bota  jonë ndryshoi !

Filluam të lexonimë,të kuptonim…

Mësuesen tone  t’ ëmbël

filluam ta duam.

Drejt horizonteve të dijeve

Ajo po na çonte!

Potretin e saj ndërvite

Mjegulla e kohës e ka zbehur,

Veç  në  zemër time  emri i saj ekziston.

Kujtesa luan

Por…

ndjenja e mirënjohjes

për ‘’Mësuesen e Gërmave’’

asnjëherë nuk e rrëmben

harresa,

Në 7 Marsinë e saj gjithmonë e kujton!

TAKIMI

 

Nga Përparim HYSI

Ashtu si shiun që e pret një tokë e  zhuritur

Unë të prisja ty, moj dashuri e parë!

Deti ulërinte si një shpirt i braktisur
Ndërsa ti u  rrëfeve krejt si një pulëbardhë.

Mandej nga pulëbardhë u zhdrrove në këngë

Ca më tutje si një kopsht krejt me blerim
Ah, ai takim! Eh se sa  ma kënd
Pse vallë në kohën e bukur nuk ka më  kthim?!

Pastaj u  bëre si një erë ledhatare

Kur hapat hidhnim tek shkelnim mbi rërë
O çast i bukur! O kohë magjistare!

Kujtime, o kujtime, eh ç’më kini bërë!

Qeshje… dhe qeshja  brodhi mbi ranishte

Ashtu siç bredh një zog gazmor në pyll
Eh, ai  takim! Sa i bukur ishte!
Shpirt! O shpirti im! Si duron? Dil…

Tiranë,  2 mars  2014

RRUGË E NDRITUR…

(Në Ditën e Mësuesit, kushtuar të gjithë atyre, anembanë trevave etnike shqiptare, të Shqipërisë Etnike)

Nga Mona Agrigoroaiei/Bukuresht-Rumani/

Nëper mësonjëtore, shkronjat po rrugëtojnë,
Si perla të kristalta në letër vallëzojnë;
Rrug’ e ndritur, që krimbat nuk e kafshojnë,
Shteg i pamposhtur – jeta e mësuesit.

Gjenerata vijnë e shkojnë,
Por mësuesit e Kombit nuk vdesin!
Kurorë legjendash të Shqiptarisë,
Që prej balts e mort’ na qesin.

Rrezet e diellit tënd na kaplojnë
Edhe në qoshet më të humbura të territ…
Kur nxënësit abetaren shqip e mësojnë,
Ngordhin edhe djajt pushtues të ferrit!

Tirane, më 5 mars 2014

SILUETA E NËNËS…

( Kushtuar asaj, në poezinë time të parë )

 Nga Murat Gecaj/

Shkrova një libër autobiografik

E, që në faqen e parë të tij,

Per ty, Nënë, vendosa-kushtim,

Se kisha aq  shumë dhimbje e mall,

Për ty,  që në kujtesë më mbete,

Ashtu si një siluetë e vetme.

Këtërvjeçar, isha fëmijë i vogël

E me lodra në thjeshta kohën kaloja,

Kur një klithmë nga kulla me frengji doli.

Pashë nëna, veshur me të errta rroba

E më dukej çudi, që me atë ngjyrë korbi,

Lotët e valë me kuje i fshinin ato.

 

Në mes lodrash të thjeshta orët i kalova

E shpejt mbrëmja e zezë ra mbi fshat.

Ndërsa, kur koha e gjumit erdhi,

Ty, nënë, të kërkova në shtrat.

Por, ah, sa ftoftë që pata atë natë

E kurrë trupi nuk m’u ngroh;

Ndoshta, e ndieja se mbërdhije dhe ti,

Thellë, atje poshtë, në dheun e zi!?

…Ditët rodhën, si ujë burimi

E britmat e asaj dite, në veshë

Përherë mua më kanë mbetë,

Shoqërim i pandarë  i një siluete,

Deri në fundin e kësaj jete…

Ishte 31 gushti, 1944 viti !

 

Lexues, të lutem më fal,

Se kjo ishte poezia ime e parë!

Tiranë, 17 maj 2011

 

Adem Jashari shkëndijë  e  lirisë !

Nga Asllan Dibrani/

Ai është një ikonë legjendare

Për shqiptarët i pa vdekshëm

Ai mbante kurorë  flamur e pushkë

Kryqëzatë   yjesh si të vdiset

Frymëzim i fuqishëm për  kombin

Gjurmë shkëndijash të lirisë

Ishte Simbol i heroizmit

Forcë kishte idealin

Fener i lirisë përgjithmonë

Për tokë e atdhe

Dinjiteti, synim,  fisnik  i lartësisë

Oqeanit për kombin  e robëruar

Gjëmon toka e dridhet  shkëmbi
Po lufton me t’bijtë  Shabani
Ademi,Hamza e  vëllezër  tjerë

S’duan te rrinë   kurrë të mjerë

Mjegulla  e  betejës kundër Serbisë

Lufton Ademi për liri

Trim e hero   Adem Jashari

Thotë  këtu  vend s’ka zënë as   Bizanti

Jo  po  zënë  turku  e  bullgari

As shkau  këtu nuk ka vend

Me vdekë, do të vdes

I poshtëruar s’do të   mbes

Gjaku dhe ankthi morri jetërat e familjes Jashari

Fusha e betejës ishte  kulla  e Jasharëve

E pavdekshme  për kombin shqiptar

Adem Jashari e  dha gjakun për liri,

Stuhitë e  luftës mbuluan qiellin

Një diell  po  lind  pas vdekjes së    tyre

Që mos të mbesim nën Serbi
Për të shtrenjtën Pavarësi.

Mos të rroj Kosova  nën   robëri

Vdekja e tij për jetë   simbol i lirisë

Bekimet  për  Ademin  në altarin  e lirisë

Adem Jashari   luftove me Serbinë

Për  t’i  nderuar  Kosovën e Shqipërinë

Shtutgard  Mars  2014

SHTATËDHJETË VJETORI I HANËMES

Nga bashkëshorti, Luan Çipi

Krejt e re më duke dhe pse e moshuar

Hundë e sy e veshë, si të pikturuar,

Buzët e përflakur, vetulla të shkruar,

Si një Mona Lizë, nga Zoti krijuar.

Jeta jonë e gjatë, vetëm dashuri,

S’më shqetësove kurrë, m’i miri njeri,

Përherë, mes yjësie ylli më i ri,

Shpirti i bardhë borë me zemrën flori.

Linde tre pasardhës, i rrite të mirë

Ke përse krenohesh, je e përjetësuar,

Nipat edhe mbesat-gjyshja në pasqyrë.

Në dhjetëra breza, s’ke për t’u harruar!

Tiranë, më 28.02 2014

 BETOHUNI SE S’DO TË MË MERNI INAT!

Nga Kozeta Nushi/

Sa herë kam menduar se

ç’lojë luan ky apo ai?

Fjalën lojë

S’kam mundur ta pranoj.

Sa herë kam menduar

Ç’thotë ky apo ai politikan?

Fjalën politikan

Kam dashur ta mohoj.

Sa herë kam menduar, sa herë kam menduar

Sa herë kam menduar deri në këtë çast.

Tashmë mendimet s’varen më nga unë,

Po nga një forcë që s’e njoh aspak.

Më shqip dua të them:

– Kur e dini se ATDHEU duhet të bashkohet

Ç’prisni?

Apo keni qejf t’ju thonë

Mercenarë dhe kryemercenarë që

Vendime keni marrë

Për ngritjen e varrezave për

Ushtarët agresorë grekë

Në territorin shqiptar?

2 MARS 2014

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike

AFSHI I TOKËS SË SHKELUR

March 8, 2014 by dgreca

Lexim i 10 veprave të Dashnim Hebibit, poet nga Krahina e Mollës së kuqe, Preshevës
Nga Rrustem Geci – Dortmund/
( Çasti për të arritur tek muza, tek shtëpiza e së bukurës, tek sofra e brumit hyjnor të krijimit, e do të jesh me të, dhe brenda saj. Kjo jetë është shumë e gjerë / shtrihet përtej dukjes që sytë shohin / përtej dukjes që shpirti sheh/ dhe përtej shumë vargmaleve të mendimit!..)
Libri i Dashnim Hebibit “Aristokracia e shpirtit”, dhe 9 librat e tjerë, janë angazhimi krijues i poetit të talentuar, Dashnim Hebibit. Komuniteti letrar shqiptar ka kohë që njihet me poezinë e Dashnimit.
Dashnim Hebibi u lind në Preshevë, në vitin 1976. Shkollën fillore dhe të mesmen, Dashnimi i kreu në vendlindje, në Preshevë, ndërsa studimet për gazetari i kreu në Universitetin e Tiranës. Dashnim Hebibi, pas studimeve, ka kryer një master pë gazetarinë, dhe është diplomuar në Akademinë Diplomatike në Tiranë. Jeton në Byllah, qytezë afër Zyrihut.
Vullkani i poezisë sonë, Dashnim Hebibi, sjellë në letërsinë tonë një vepër vërtet të bukur, “Aristokracia e shpirti”. Në ndeshje të kësaj bote / shkruan poeti; një ëndërr e kam të përhershme…/ shumë plagë kam në trup/ por betejat në ëndërr s´ndalojnë /…ëndrrat shtyhen me ëndërrën / shtyhem dhe unë / dua t´i  afrohem të bukurës / por duar të hijeve të pa dukshme s´më lënë!..
 Këto dhe poezitë e tjera të Dashnimit tregojnë për fuqinë e vargut të tij. Në udhën e mërgimit  shkruan poeti, / atdheun e mora me vete / me vete mora dhe gjuhën / që shqip të flet malli /…Poezia e Dashnimit Hebibit është poezi e fortë dhe vet-shpërthyese.
Dashuria për Dashnimin është gjithçka. E bukura tek Dashnimi do të jetoj, e jo të zgarravaqet nëpër bodrumet plot duhma të kësaj bote. Njeri, nga të gjitha ëndrrat / që më erdhën mbrëmë / një ishte e imja, një / dhe ajo një, erdhi e më puthi në ballë/… O vetja ime  e mbyllur, duhet ta fitosh dheun tënd, dhe aty t´i mbjellësh lulet tuaja.
Opusi letrar i Dashnim Hebibit është i gjerë, i thellë, i përtejmë. Ai deri më sot ka botuar këto vepra: 1. Njëqind orë udhëtim2.Hënë e fshehur 3.Dahesti dhe Lerina 4. Lexim i tokës 5. Kosova një zjarr amë 6. Guri i kohës 7. Aristokracia e shpirtit 8. 16 plumbat e fjalës 9. Dialog me gurin 10. Antologjia e shkrimeve të mia.
Tërsia e veprave të  Dashnim Hebibit, është e gjerë, dhe me ngjyra të pasura të kohës. Lufta e të kundërtave shkruan Dashnimi vazhdon prej 4 mijë vjetësh, këtë përplasje vuajtjesh e dhimbjesh, edhe po të dua ta flaki, s´mund ta shmangi as në ditët tona.
Udha nëpër nëndegët e Mollës së kuqe, është epika e vargut tim. E vërteta në në çdo gacë prushi i jep flakë zjarrit. Unë poezinë e shoh si një proces në mua. Gjakoj për të vërtetën, për të bukurën, për thirrjet e ajrit dhe të erës.
Kur ndodhem vetëm me veten i bëj pyetje vetes; sa jam i sotshëm, dhe sa jam i nesërm! Përgjigjja fshihet diku pas pyetjeve. Libri im i dashur, sa herë jam në Preshevë, shkruan Dashnim Hebibi, jo rrallë me zë kënga, pagjumësia, dehja për ma të bukurën dhe më të dashurën. Vargjet kryengritëse në kraharor, bëjnë betejën e tyre.
Dhimbja për Krahinën e Mollës së kuqe, kudo ndjek këngën time. O vetja ime e trazuar, ulu nën hije të kësaj peme të të them diçka; jeta ma dhuroi luftën, por jo edhe fitoren. Shpirt, kam një degëz molle, me aromë të luleve të vendlindjes. Po, po, me më këtë degëz molle unë ruaj veten time, që hija ime të mos tretet e humbet. Sa here më zë malli, degëzen time e përqafojë me një pikë loti në shpirt.
Takimi im me lulet e shkambit është një përjetim i veçantë. Me gurin unë bisedoj si me një mik të gjakut, me të jam i familjarizuar.
Natyrshmëria dhe elementi bisedor  poetik i japin vlerë poezisë së Dashnimit. Në pesazhin poetik të 10 veprave të Dashnim Hebibit, lexuesi do të përjetoj së bashku me poetin, afshin e tokës së shkelur, prerjen e mishit nga gjaku, dhimbjen e çdoditshme të vendlindjes së tij pa liri. Rruste, një lule e reve në oborr të shtëpisë diçka më thotë, por fjalët e saj do t´ua them më vonë.
Loti, shkruan Dashnim Hebibi, mund ta shpojë gurin, por jo edhe dhimbjen. Prandaj, Kjo jetë  edhe kështu si është  krijon shumë mundësi për të arritur tek vetja, tek muza, tek shtëpiza e së bukurës, tek sofra e brumit hyjnor të krijimit!..

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dashnim Hebibi, leximi i 10 veprave, Rrustem Geci

DËNIMI PA AFAT

March 8, 2014 by dgreca

   (Një promemorje për Fishtën e shpërfillur)/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/Berlin/

1.Ndërsa kthehej në shtëpi, tashmë i liruar nga burgjet ku ishte kalbur një jetë të tërë, At Zef Pllumi do të ndalonte një çast mbi një urëz, poshtë së cilës rridhte rrëke uji, e prajshme dhe e vjetër. Dhe i menduar, ofshante me deshpërim: asgjë e re, po ai uji, po ajo botë…O Zot, si ishte e mundur që njeriu të kishte mbetur poaq barbar si tash e 4000 vjet më parë!..

Njëmend, si është e mundur? Dhe si është e mundur, veçanërisht, një barbari e tillë e njeriut shqiptarë! E njeriut që vijon ende ta mbajë në vuajtje dënimi pa afat poetin kombëtar, Gjergj Fishtën: fjalën dhe frymën e tij të amshuar. “Nji kryq drunit, t’kjosha true…” e asgjë më shumë. Madje dhe ai i përdhosur urrejtshëm nga turma flamurtarësh të paemër e hallakatur, të mnirur e inferiorë, të “botës së re”.

Tek fliste për anatemen politike të Poetit dhe riardhjen e tij nga vdekja, Aurel Plasari thoshte bukur se “ jo veç Fishta duhet të gjej vëndin që i takon, por letërsisë shqipe duhet ti kthejmë atë që i mungon..! “Vota e dashurisë” që Aureli kërkonte për traditën letrare, do të jepej e kursyer ose e padrejtë. Ndërkaq tani flasim për njëlloj tjetër pieteti, për një tjetër kujtesë të shkrimtarit të madh. Në botën e emancipuar ngado shihen pllaka përkujtimore sipër muresh e portash, pas të cilash kanë jetuar krijues, dijetarë e prijës të shquar. Ato evokojnë çdo gjurmë, krajatë e dhimbje të tyre, si promemorje nderimi për breznitë që vijnë.

2.

Si u bë, prandaj, që afro tre dhjetëvjetësha të pastiranisë, shtëpia e Homerit të shqiptarëve të mbetet një gurinë gjysmë e rrëzuar?

Kryehershëm, komunistët do ta poentifikonin atë si pinjoll të anës përballëse të barrikadës gjatë Luftës së dytë, kur pat nisur të hidhte rrënjë rendi i tyre. Tevona, rolet sërish do të fortifikoheshin pse, derisa Poeti mallkonte artistikisht dyndjen e re dhe të përgjakur të fiseve sllave në pragjet arbnore, ata shejtorët e së kuqes, tashmë të betuar në faltoren e internacionalizmit proletar, shpallnin dashurinë vëllazërore me bijtë mashtrues e dhuntarë të tyre.

Pas rënjes së dinastëve, kur pritej me ngazëllim rikthjellimi i arsyes, do të përsëdytej gjëma: dënimi vijonte e s’kish të sosur kurrë. Guvernat e pasandejme të agut të quajtur lirak, do t’shpërfillnin të gjitha njësoj Korifeun e ndaluar! Nëse më parë ekskomunikimi i tij ishte i tipit censural, më pas do t’ishte i tjetër forme. Titani braktisej në harrim: me shtëpinë, bibliotekën, gjuhën, varrin…Shurdhimi nuk kje asnjëherë çështje limitesh (donatorët, vullnetmirët…) të arkës së shtetit. Nuk mund të ishte as pasojë e obskurancës shfajsuese. Megjithatë, inercia e mendësisë klasore dhe klanësore, si një ndëshkim i epërm, do t’çojë prapë në përfundimin se kjo, në një kuptim, është eminentisht një klimë dhe gjëndje e përndritjes së vobektë kolektive. Një shkollë e mirënxënë e revanshizmit bolshevik të hatruar e të dyfishtë: politik, për shkak të dogmës dhe kulturor, për shkak të smirës ndaj letrave sipërore të klubit të iluminuar françeskan. Ngjan i habitshëm, sidomos, mohi i së djathtës që kryesoi politikën shqiptare me dorën dhe vullnetin e hekurt për  gati 13 vjet radhas. Më saktë, i shtetarit të saj të parë që do të duhej të kishte ruajtur në konstitucionin e tij shpirtëror zjarrin vullkanik dhe muzikën shungulluese të vargjeve fishtjane apo kulturën e madhërishme të kullave dhe hijerëndën e tyre!..Por, meqë pothuajse të gjithë ishin ngjizur e vinin nga e njëjta epruvetë, aherë në qendër të shpjegimit s’ka si t’mos qëndrojë trashëgimia e moteve të komunizmit, tek shtjellet akoma në trajta e ngjyresa të gjithëfarshme alternuese. Persekucioni i kuq do ti linte, ngadalë, vëndin – heshtjes së zezë dhe mpirjes së verdhë, simbole të dekulturimit paradoksal në epokën e dijeve dhe interferencave globaliste.

Ka tretur shumë kohë, kohë e rikëndelljes kombëtare dhe (si më ka rastisur të lexoj diku) vetëm pasunarët, veç e bashkë, arrijnë të kompensojnë shpejtësisht atë. Qëndrimi ndaj postamentit material të Fishtës është, në fakt, qëndrimi ndaj kulturës, e pra, ndaj vetë kombit dhe finikërimit të tij. Kurse përbuzja e tij e ultë, për pasojë, jep mnerisht atë shenjë qytetnie zhelane ndër shqiptarë që, si do shkruajë Kamy (“Letra mikut gjerman”), kanë humbur keq ekuilibrin mes shpatës e shpirtit në miljeun e gjatëpritur të lirisë, thuase robnia e shekujve i shkonte më mirë e harmonishëm shtatit të tyre.

3.

Gurina e mbetur nga shtëpia e Fishtës është, që këndej, dhe një metaforë e kulluar e përceptimit të Europës dhe refuzimit të saj të fshehtë. Hipokrizia e kastave politike tharmohet, ashtu, në një pozicionim të dyfishtë: fjalamani e bezdisshme me gjuhë e apotheozë epike, për reintegrim në strehën e kombeve të bashkuar të saj dhe, njëherësh, tkurrje autarkike, braktisje e kriptuar e shtegut të largët përmes prishjes brutale të ëndrrës së njeriut të vogël e të pafaj të nënqiellit të tyre. Eshtë e njohur, ndërkaq, se çdo krizë sociale a politike, në imanencën e saj s’është, veçse gjenealogjiksht, krizë etikës. Pikërisht ky rrjedhon të jetë defekti i ndërgjegjës së amullt demokratike dhe i higjienës së munguar nacionale të Shqipërive të shumta lumturake.Porse e keqja fantaziplotë, përveç si makth i përzgjatur i diktatit njëmendimësor, redimensionohet tani në rrafshin tjetër përplotënues, gjithnjë humbës e të lig, në pellgun e dyzimit identitar, që bën kurorën verbuese të saj: duan vallë shqiptarët të rimbyllen në autarki ose, nga skaji i kundërt i absurdit, të katapultohen (si do ti përkufizonte Bassam Tibi) në “hixhra-misionarë”, të programuar? Në përçues e flijues absurd për zemrën e doktrinës së huaj e cila pretendon alternativën e vetme universaliste e mohimtare të “Europës së pafe”?! Apo, si e do interesi dhe mesazhi i lashtë, të bëhen, krejt mirë e natyrshëm, “qytetarë civiliteti”, individualistë e kultivues të lirë fatesh të saj!

Vrujimet përshfaqin çarje e hamendësim orientimor dhe kjo është, definitivisht, krusma e trishtimit të vërtetë: sëmbimi dhe terri i tij i kafshues. Një vetëmohim i çuditshën negativ në dishrimin e egër për zhbërje entuziaste të krijesës amtare!

“Dantja nuk e ka shkruar Komedinë hyjnore për ju, po për ne”, i pat thënë At Pllumi (sipas rrëfimit të Kadaresë) një mikut italjan gjatë një evenimenti letrar në Tiranë, pak para se të ndërronte jetë. Mjerisht, monumenti i gjallë i rezistencës që ishte zotuar të “rrnonte për me tregue”, kishte sërish të drejtë. Shqiptarët që kanë mbuluar Poetin sublim me pëlhurën e qefintë të mosqenies, janë ende brënda, gjithmonë banorë të saj!.. Berlin, fror 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Denim pa afat, Fishta, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT